E Hënë, 04.29.2024, 12:22pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
IA DORËZOVE ERRËSIRËS
Fragment nga romani “Loja e mëkatit”
Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ    

E Hënë, 01.05.2015, 09:13am (GMT+1)

                    
                                    
                                                                                       I pashpresë

                                                                           "Mjerë kush humb shpresën,
                                                                              nuk i beson më as vetes...
                                                                              e paskëtaj ai...,nuk është më ai...
                                                                              brenda j qenies së tij boshe,
                                                                              jeton një  tjetër jetë e huaj...
                                                                     tmerrësisht e helmët...
                                                                      mjerane...,
                                                                              shndërruar në hi, pluhur e asgjë...
                                                                              që tashmë i përket hiçit,
                                                                              dhe vetëm kotësisë...!"
                                                                                                                        Vivra


 
     Buzëmbrëmje...
     Asgjë nuk lëviz. Duket se gjithçka përreth ka rënë në një gjumë letargjik. Natyrës me gjithë përbërësit e saj i mungonte frymëmarrja dhe ngjasonte me një masë të ngrirë..., inerte.
    Mes kësaj heshtjeje të ftohtë si vetmia rrëqethëse, makina rrëshqiste ngadalë mbi asfaltin e gjymtuar. Për shkak të lëkundjeve të shpeshta e tronditëse, si dhe natyrës së acartë në dukje, ngjasonte me diçka në shpërbërje e sipër. Dukej sikur nga çasti në çast pjesët metalike të saj, do të shkërmoqeshin në mijëra copëza pa dobi. Cilido vrojtues menjëherë hamendëson se koha e ka shqyer dhe leckosur pa mëshirë atë rrugë, që gjithë jetën ka qenë dhe është në garë me vijën bregdetare.
     Dikush që do të kalonte andej rastësisht, qysh në shikimin e parë, do ta krahasonte me një trup të shqyer nga dhëmbët e hijenave dhe të çakajve. Plasaritjet e thella kanë lënë gjurmë dhëmbësh të thella mbi atë trup, i cili mjerisht ngjan me një qenie të braktisur dhe të harruar. Për mungesë mjekimi ato janë shndërruar në plagë të rënda, që tek-tuk shndërrohen në gangrenë.
     Gjithsesi, tokë dhe det, si dy qenie të gjalla, edhe pse pafundësisht të dashuruar, janë në një maratonë të përjetshme. Asnjëri prej tyre nuk lodhet, por provojnë pa pishmanllëk se, cili do ta arrijë Nirvanën i pari?!
    Atyre të dyve që ishin në makinë, u dukej vetja si pjesë e kësaj maratone. Ndërsa ndjenin troshitjet e makinës, pakënaqësia u pikasej në fytyra. Dukeshin si ati me të birin. Ai ishte ulur në vendin e udhëtarit. Një mesoburrë, ku koha kishte lënë vragat e egërsisë së saj mbi fytyrën e tij të lodhur e të vrarë prej mundimeve, papritur ofshami gjatë.
     -S'më dukesh mirë, zotëri, apo?! - pyeti i riu që ishte në timon.
     -Jo more djalë, s'kam gjë... Por as vetë s'e di përse më fashiten disa vegime. Gjithsesi jeta është e bukur , sado e hidhur të ketë qenë. Ka ngjitjet dhe zbritjet e saj, të cilat mund të jenë kulmore, që sjellin gëzime apo hidhërime. E megjithatë lindja e njeriut është një dhuratë e vyer, të cilën koha nuk e vlerëson sa duhet.
     -E kush e gëzoi jetën ashtu si e ka ëndërruar, xhaxha?
     - Mos harro more bir se, njeriu kërkon ta gëzojë me çdo kusht. Jeta i fal lirinë, por...ai përsëri nuk e di se ç'pasuri të madhe duhej të zotëronte, nëse do të gëzonte lirinë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjithsesi, jo çdokush e çmon këtë të drejtë qytetare, e cila lejon të jesh "Njeri"në kuptimin e vërtetë të këtij koncepti. Në të kundërt, po ta ruante me fanatizëm lirinë si gjënë më të çmuar, njeriu nuk do ta lejonte kurrë dhe asnjëherë nuk do t'i hapte rrugë padrejtësisë.
       -A nuk është ajo padronia e botës? Kemi jetuar dhe jetojmë në një botë ku duket sikur e drejta e njeriut është mohuar.
       -Vjen një ditë dhe ti nis e kërkon me ngulm atë që ke humbur, çka s'ekziston më. Njeriu lind i lirë dhe i tillë duhet të jetë gjatë gjithë jetës. Kur e ke kuptuar se kjo liri, liria vetjake të ka munguar, kërkon ta gjesh e ta rifitosh, por mjerisht është tepër vonë. Ky duhet të jetë synimi i çdo individi në jetën e tij, por... Padrejtësia ka hedhur rrënjë dhe mbron të padrejtin, të pamoralshmin, cinikun, sepse "e drejta" është me ta. Tashmë e keqja është mbjellë në tokën djerrë dhe ka hedhur rrënjë të thella. Nuk janë engjëjt, por demonët ata që bëjnë ligjin mbi tokë. Ata bëhen letra, boja e pena që nënshkruajnë dhe vulosin fundin e fateve njerëzorë  përmes  ceremonive mortore. Dëgjo more djalë...Kam pasur një mik të mirë, që bënte poezi te të cilat vinte në dukje dhembjet e vujatjet njerëzore. Po të citoj disa vargje të tij:
 
   "Djaj apo engjëj?!
 Djajtë
prej ferrit dolën.
Në tokë
me engjëjt e parajsës
u bashkuan.
Në një lëndinë të palëruar
shkelën.
Një tufë të adhuruar
aty gjetën.
Pa djaj dhe pa engjëj
fusha ishte...
Pasi i ndoqi verbërisht
kurrë nuk e mësoi
në ishin engjëj parajse
apo djaj skëterre.
Të vërtetën...
e njohu pasi e pësoi?!..."

    -Mos ka aluduar me veten? Këto vargje janë aktuale edhe për "kohën e re" që erdhi.
    -Natyrisht për vete, por kjo është e përgjithshmja e të pafatëve, more djalë.
    -Ku është tani? A jeton...?
    -Ia morën jetën e tij të vyer.Ishin dhe janë po ata që organizojnë vargonjë të helmët funeralesh të shoqëruara me lotë krokodili, piskama rrëqethëse që dhe engjëjt do ta kishin zili dhembshurinë e tyre të shtirur. Ndaj është vonë, tepër vonë t'ia presësh degët dhe lastarët që përshkohen nga helmi, të cilët lenë në hije virtytin me të gjitha mirësitë apo vlerat e tij. Duhen shkulur rrënjët e infektuara me helme nga të cilët nuk gjen shërim. Kjo është njëlloj sikur t'ia nisësh nga e para. Sepse kushdo e di mirë se, a mund t'ia marrësh vlerat rrezeve në muzgun e mbrëmjes?
   -Kurrë...Kur nuk të çel sytë për të parë sa më mirë drita e mëngjesit, perëndimet janë të mugëta dhe sendet shihen të paqarta.
   - Je i ri dhe nuk dija se do të më jepje të drejtë apo jo,por...Kur s'ia sheh të mirat diellit në mëngjes, ç'mund të të dhurojë ai në ndajnatë? - pyeti mendueshëm i moshuari.
     -Zotëri, për askënd jeta s'është fushë me lule. Ajo i ngjan detit me tallaz.
     -Eh, ndryshe e mendoja këtë në të ri. Kurrë s'më kishte shkuar ndër mend se do të provoja ferrin dhe përsëri do të qëndroja në këmbë... Jo...
      -A nuk ia vlen, kur pasi je rrëzuar njëherë, e gjen veten të  ringritur?
      -Se sa i zoti është lundërtari në furtunë, duket në kthim, djalo...
      -Kur njeriu i ka vënë vetes një qëllim, mendoj se kur arrin ta realizojë atë, pavarësisht nga vështirësitë që has, them se është i fituar.
      -Kjo është mbijetesë. Nuk i thonë jetë kur e jeton me shpirt ndër dhëmbë. Unë jam lindja e vetëvetes dhe po unë jam vdekja e qenies sime. Brenda meje si dy shemra kanë jetuar të kundërtat ,jeta me vdekjen, pranë e pranë, duke u kacafytyr dhëmbë për dhëmbë...Ndaj përherë më shqetëson pyetja, a do të jem i zoti të rindërtoj diçka pas një shkatërrimi fatal?
      -Gjurmët e shkatërrimit duken kudo dhe tek ne të rinjtë, jo te ju që jeni disi i... Shikoni përreth! Natyra i ngjan një trupi të plagosur.
      -Pse e le fjalën përgjysmë? Fshati që duket s'do kallauz. Pamja ime flet për një moshë që s'mund të fshihet. Ngjasoj me këtë rrugë të gjymtuar që na troshiti. Jeta, nën peshën e kohës ka marrë plagë të rënda. Ato rrjedhin e na shkaktojnë dhembje. Kurse tani që janë shndërruar në gangrena të pashërueshme, presin çastin që të mos jenë më burim dhembjesh..
      -E kush shpëtoi paq prej saj? - pyeti djali.
      -Nuk është një krah apo një këmbë e gangrenizuar, por një trup i tërë. Ç' do të ngelet vallë, nëse ia presim pjesët e infektuara?! Janë aq shumë sa...
       -Mbërritëm zotëri. Deri këtu donit të vinit, apo e kam dëgjuar gabim?
        Ai s'foli. Tundi kokën i trishtuar, futi dorën në xhep, por djali e ndali.
        -Nuk u nisa enkas për ju. Kisha rrugën këtej. Pastaj nuk bëj punën e taksistit.
        I moshuari falënderoi dhe zbriti. Pasi bëri disa hapa, sikur u kujtua për diçka dhe u kthye menjëherë.
       -Bëmë disa kilometra rrugë bashkë, biseduam dhe nuk më the si të quajnë, o bir?
       -Arlind...Arlind më quajnë.
       -Të uroj jetë dhe fat!
      "Kushedi si e ka hallin i gjori?! Uroi dhe u largua me shpejtësi."
      Me këtë mendim shoferi zbriti nga makina për të shijuar një gotë birrë në barin e ndanudhës, atje mbi bregdet ku të josh aroma e portokajve, e limonave dhe magjia det. Ndërsa ullinjtë dukej sikur rigonin lotë vaji,edhe pse nuk kishin ndonjë prodhim të mbarë atë vit. Ndërsa priste kamerierin, që aty ndoqi me sy burrin që sapo zbriti. Ecte i përkulur, sikur t'i rëndonin mbi supe hallet e shekujve që nga krijimi i vetë botës. I moshuari hyri mes portokalleve dhe ai s'e pa më.
       "Çuditërisht përreth zotëron një qetësi e frikshme, një heshtje prej varri. Ndryshe nga herët e tjera njerëzit nëpër tavolina më duken si të heshtur. Bisedat e bëra nën zë dhe vështrimet e tyre të përqëndruara e gjithë ankth, të lënë të kuptosh se diçka presin..."- mendoi ai duke gjerbur birrën në gllënka të vogla.
     Djaloshi dyshoi se diçka e pazakontë pritej të ndodhte. Iu duk sikur matanë portokajve, ullinjve apo shkurreve dëgjonte pëshpëritje dhe dihatje të vështira. "Mos vallë errësira e natës merret me gjuetinë e shtrigave?!"- pyeti veten. Gjithsesi vazhdonte të shijonte birrën dhe vështronte përreth me kureshtje.
     Papritur dritat u fikën. Gjithë bregdetin e zonën përreth i pushtoi errësira e plotë. Deti, i errët si nata, të kallte tmerrin. Një rreze drite, që e kishte burimin diku në Gadishullin e Karaburunit , në Kepin e Gjuhzës a në Ishullin e Sazanit, ndriçoi gjirin e detit që ngjasonte si vetëtima në një natë të errët, pa hënë e pa yje. Kjo u përsërit tri herë. "Jo, jo nuk është rastësi, ky është sinjal. Mos bëhet fjalë për një ikje matanë detit? Ndoshta..." -dhe  qëndroi me veshët ngritur në përgjim...Ende nuk po e mblidhte dot veten për ç'ka po ndodhte. Papritur veshi i kapi një mori hapash të trembura, të shoqëruara nga një mërmërimë zërash, si zukatja e një koshereje bletësh në arrati. Hije të panumërta që ngjasonin me fantazma të ringjallura, të cilat dheu nuk mund t'i tresë pa mësuar të vërtetën, dilnin nga portokallishtja. Cili do të jetë fundi i tyre? "Fantazmat" vraponin si të marra. Sikur kërkonin të iknin nga sytë këmbët dhe të shkonin sa më larg së keqes. Cilido që do t'i kishte pikasur do të pyeste veten: "Ç' po ndodh vallë?!Ku po shkojnë? Drejt detit të pamatë? O Zot, ki mëshirë për ta!"
       I shtangur prej së papriturës, bëri disa hapa drejt tyre. Para aktit gjëmëmadh të ikjes dhe rrezikut rrëqethës të arratisjes, ngeli i ngrirë, si një statujë lashtësie, e cila është dëshmi e së vërtetës së pamohueshme. Statujat, qendrat arkeologjike të zbuluara ose ende të varrosura nën tokë, apo muret e kështjellave, fshehin në vetëvete të pathënat, të patreguarat, të pashkruarat dhe të vërtetat e mohuara të  historisë. Të njëjtën dëshmi historike do të ruaj ky bregdet për ikjen e madhe të fundshekullit të XX-të. Vuri re se nga tre bunkerët që ende u rezistonin baticave dhe zbaticave të kohës, dolën dhjetëra njerëz duke bërë garë, se cili do ta realizonte ëndrrën i pari. "Vendi im i bunkerizuar është dëshmi e frikës nga ndikimi i botës  perëndimore të zhvilluar, është dëshmi e varfërisë, dëshmi e një vetëizolimi nga qytetërimi dhe kultura botërore, dëshmi e mjerimit, ku të pastrehët qëndronin përballë bunkerëve që nuk shërbyen kurrë. Kurse në një apartament jetonin dy a tri familje. Në ç'vend të globit ndodh  që në një dhomë sa një kotecë pulash ,flenë bashkë nëna me djalin, me nusen dhe me nipin e mbesën. Mjerë ky komb që nuk ka ditur të ruaj vlerat e veta!Ndaj po ikin si qentë e zgjidhur nga zinxhiri,"-mendonte Arlindi dhe ndiqte me sy e gjithë dhembje turmën që shkonte drejt së panjohurës.
      "Kisha dëgjuar se sa i ethshëm, i frikshëm dhe tronditës është çasti i braktisjes së vendit tënd. Por përmes territ ai shfaqet i llahtarshëm, angështues, enigmatik, me të gjitha përmasat që i dikton realiteti. Ndoshta mërgimi është fenomeni më i hidhur i jetës. Ai ka shkelur mbi të pa mëshirë, duke lënë në kujtesë gjurmë të pashlyeshme dhembjeje dhe vrazhdësie. Këta njerëz jeta i ka harruar, janë si të vdekurit përderisa uragani demonian i ka ndarë nga bota e zhvilluar. Tashmë të tjetërsuar, nata i paraqet me shëmbëlltyrën e të ringjallurve. Po lënë gjithçka. Pa kthyer kokën pas, po lënë tokën që i lindi, familjen, pronënqë nuk e gëzuan kurrë, gëzimet apo hidhërimet dhe gjithçka që i ka shoqëruar në çdo sekondë të jetës së tyre mjerane."
   E qara e një fëmije që vinte prej një bunkeri, e përmendi Arlindin. Vrapoi andej nga erdhi zëri dhe shtangu. Brenda tij gjeti një fëmijë jo më shumë se tetë a nëntë vjeç të lebetitur e të tromaksur nga nata, nga vetmia apo nga bunkeri që të kall tmerrin ditën e jo më...
     -Pse qan? Ku i ke prindërit? Ç'bën këtu i vetëm në mes të errësirës? Pse qëndron i fshehur?- pyetjet e tij të shumta s'morën përgjigje. I vogli dëneste papushim. E mori prej dore dhe të dy ndoqën turmën që shkonte drejt bregut. Ata mjeranë aty nuk pyesnin më as për të ftohtin dhe as se ku e hidhnin këmbën. Zhyteshin në ujë pa u menduar gjatë për pasojat. Dukej se s'kishin asnjë rrugë tjetër. Vetëm përmes llahtarit të detit, pa vënë në peshoren e vlerave, jetën apo vdekjen dhe se kë duhej të zgjidhnin, i vetmi shpëtim për ata të mjerë ishte"Rruga e Nirvanës". Pas mjerimit, skamjes, pasigurisë për të nesërmen, u kishte hyrë në palcë frika e izolimit nga bota e të gjallëve, ndaj si më të mundshmen zgjodhën ëndrrën e cila po i  çonte drejt së panjohurës. Nuk e dinin se ku do të përfundonin, në parajsë, apo në ferr. Gjithsesi në një farë mënyre arratisja e tyre masive ishte shprehja e revoltës që ishte rritur aq shumë brenda qenieve të tyre, sa nuk njihte më kufij ndarës mes së mirës dhe së keqes. Kishte marrë përmasa të tilla sa që shpirtrat e tyre të drojtur e të frikësuar prej burgosjes dhe internimit pa shkak, ishin shndërruar në rebelë pa pyetur as për shtëpinë, familjen, as për jetën, por vetëm kërkonin shpëtim nga e keqja që kishte pllakosur vendin. Donin të merrnin frymë lirisht pa i përndjekur as shteti dhe as spiuni i paskrupullt. Vend i tyre, toka që i lindi dhe i rriti tashmë u ngjallte frikë se një vend i bunkerizuar apo një vendburg, për askënd nuk sjell paqe as me veten, pa le më mirëkuptim me të tjerët. Sisteme të tilla që hapin humnera mes bashkëatdhetarëve, ngjallin vetëm frikë për të sotmen dhe dilema pa fund për të nesërmen. Edhe sikur ky udhëkryq i madh t'i çonte në një rrugë pa krye, ose drejt vdekjes, ata nuk do të njihnin kthim. Kaq të vendosur ishin...Arratija drejt së panjohurës  përmes masës së pamatë ujore, u dukej si e vetmja buzëqeshje e fatit.  
     Deti i errët, si një përbindësh që kërkon të gllabërojë jetë njerëzish, i ftonte ata dhe sa e sa të tjerë që kërkonin me ngulm për t'i njohur të fshehtat e tij.
     Para asaj skene të lemerishme djali i ri ngeli pa gojë. I bëri përshtypje ai largim, që ngjasonte me një arratisje prej burgut: në fshehtësi, në heshtje dhe në errësirë të plotë. U hodhi një sy gjithëpërfshirës dhe në mendje i gëloi mendimi: "Të gjorët ata! Nuk e dinë se ç'fat i pret, por çuditërisht në shikimet e tyre të përhumbura lexohet shpresa. Duket sikur hartojnë ëndrrat dhe ndajnë lotët me vdekjen,kurse fëmijët që nuk marrin vesh se ç'po ndodh, mes gjumit dhe ëndrrave të pafajshme tek-tuk dëgjoheshin piskama dihatjesh foshnjore."-papritur rrjedha e veprimeve të nxituara ia frenoi mendimet.
I tërhoqën vëmendjen dy djem të fuqishëm veshur me lëkurë të zezë dhe çizme peshkatari. I merrnin njerëzit në krah dhe i hidhnin në gomone, si thasë me shushulla. Ajo që e la pa mend, ishte përbërja e gjindjes. Shumica ishin gra dhe fëmijë. "Mjerë kombi ynë që do të plaket para kohe! Nëse kjo arratisje zgjat me vite, kjo tokë e lashtë, të cilën e hijeshojnë fidanë të ri, një ditë do të agojë shterp..."- mendoi hidhur. Para asaj pamjeje të llahtarshme qëndronte pa gojë dhe tejet i tronditur.
       -I kujt është ky fëmijë?- pyeti befas Arlindi.
       Përgjigja ngeli memece.
       -Hë more, përse s'flisni? Apo mos vallë doni...mjafton një telefonatë dhe...-heshtja kishte ngrirë si mendimet e atyre njerëzve që donin të merrnin arratinë.
      -I kujt është ai djalë? -pyeti njeri nga trafikantët.
       Përsëri heshtje varri.
       -Mos ju ka ikur goja? Apo doni t'ju hedhim në Mezokanal. Pse nuk flisni? Ne paret i kemi marrë, ndaj s'na kushton gjë dhe as që na dhimbsen jetët tuaja, - vazhdoi ai.
       -Është me mua... - u përgjigj dikush duke u përtypur.
       -Pse s'flet atëherë? Kërkon shpëtim vetëm për kokën tënde të ndryshkur dhe e ke lënë fëmijën në bunker?! Si të bëri zemra xhanëm?
       -Ke fëmijë ti?
       -Kam...ndaj po mërgoj... Për ata, vetëm për ata...
       -Çfarë njeriu qënke ti, more katil? I thua edhe vetes prind, pa le...Qënke i pacipë, more i paudhë?!- iu kanos trafikanti tjetër.
       -Nuk është djali im. E kam të një mikut...
       -Edhe?!...-gërthitën të dy trafikantët duke iu afruar fare pranë. I u kanosën para hundës si gjela deti.
       -Aq më keq. Qenka një amanet. Bukur fort! Të kanë besuar një jetë, të kanë lënë në mirëbesim një fëmijë dhe ti... , ç'bëre? Ia dorëzove errësirës që nuk njeh norma as zakone. Turp, turp të të vij? Si duket ti nuk e di, por amanetin nuk e tret as dheu? Ti e le qysh këtu.Vaj halli se ç'do të bëhet matanë detit me të?! Kur s'je i zoti, mos merr përgjegjësi,- e këshilloi Arlindi dhe diç bisedoi me trafikantët. Në çast u largua deri tek bari. Pasi la porosi për familjen dhe çelësat e makinës, u kthye në gomone.
 ***
   

VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MODA 'LAKURIQ'Prozë nga QERIM SKËNDERAJ (01.04.2015)
KRISTOFORIDHI MBI SHQIPËRINË, GJUHËN DHE PËRKTHIMET E SHKRIMEVE TË SHENJTANga MEMLI KRASNIQI (01.04.2015)
ARIXHESHKATri poezi nga QAZIM SHEHU (01.03.2015)
DOLI LIBRI MË I RI I POETIT BRAHIM AVDYLI - POEZI TË VESHURA ME PETKUN E DHIMBJESNga Prof. Mr. MUHAMET ROGOVA (01.03.2015)
MOTIVE DIMRICikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.03.2015)
KUJTIMENga JOLA MARGJEKA (01.03.2015)
Përshëndetje për fillimvitin 2015SKICA LETRARENga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (01.01.2015)
POETËT E PRUSHITEsé nga RRUSTEM GECI (12.31.2014)
RAMIZ KELMENDI, MAG I LETRAVE SHQIPEGJASHTË VËLLIMET E XHEMAIL PECIT PËR RAMIZ KELMENDINNga PREND BUZHALA (12.31.2014)
NJERËZ TË ZBRAZËT SI SHPIRTI I ERËSCikël poezish ADEM ZAPLLUZHA (12.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]