VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HAKËRRIM - KOHA E MASKARENJVE POR ATDHEU I SHQIPTARËVEPoezi nga ALI ASLLANI (1882-1966)

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 09:51pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

HAKËRRIM - KOHA E MASKARENJVE POR ATDHEU I SHQIPTARËVE

Poezi nga ALI ASLLANI (1882-1966)


E Hënë, 06.21.2010, 05:27am (GMT+1)

 

 

HAKËRRIM

 

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or' e ças,

Për çakallin, nat' e errët, është ras' e deli ras'!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek' ju gjeti dreka, milionier' ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: peqe, lepe!

 

Ai rron për zotrinë tuaj, pun' e tija, djers' e ballit,

ësht' kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s'ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz' edhe turi!

 

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrëmbeni, ësht' bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith' aksione, monopole,

ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

 

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar dekorata "Grand Cordon"!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t'ju thërres'

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes'

dhe të quheni përhera luftëtar' e patriot',

në ka zot dhe do duroj', posht ky zot, ky palo zot!

 

Grand Kordon i zotris'sate, që në gji të kan' vendosur,

ësht' pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr',

ësht' trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

 

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok' të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal' në vesh!

 

Koha dridhet e përdridhet, do vij' dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jasht' do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë!

Mirpo ju që s'keni pasur as nevoj' as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: "Peqe!"

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet...

Teksa fshat' i varfër digjet... kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar' në errësira!

Ç'na pa syri, ç'na pa syri!... Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar'

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

 

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bëhet si të duash, kukuvajk' dhe dallëndyshe...

kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

 

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera...

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

 

Edhe ju të robëruar, rob në dor' të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj', puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe "bej" i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr' e qorrit, vlen për goj' e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull', shoku-shokut kreni sytë...

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir' njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

 

Po një dit' që nis e vrëret do mbaroj' me bubullimë,

ky i sotmi zër' i errët, bëhet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris' dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit' për goj'!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor'

nuk ësht' yti, nuk ësht' imi, është i kombit arbror,

ësht' i syrit në lot mëkuar, ësht' i vendit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni... po e drejta dërmon hekur!

--

Ali Asllani

Ali Asllani, ( 28 nëntor, 1882 - 20 dhjetor, 1966), ishte poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar.

 

Biografia

Ali Asllani, lindi më 28 nëntor të vitit 1882 në Vajzë të Vlorës. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin "Zosimea" në vitin 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit "Bashkimi". Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës.

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e cakoti sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 - 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvëndës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "sekretar i parë" dhe "i ngarkuar me punë". Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 

Veprat letrare

Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën "Hanko - Halla" që u botua në vitin 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 - 66 përmendim:

"Vidi - vidi pëllumbeshë" (1960),

"Shqipëria kryesorja" (1961),

"Vajzat dhe dallëndyshet" (1964),

"Kur merr zjarr rrufeja" (1966) dhe pas vdekjes iu botua

"Poezia shqipe" 1973.

Është autori i këngës së njohur "Vlora, Vlora".

Pas viteve 90 iu botuan disa libra si:

"Poezi të zgjedhura" në 1996, dhe

"Vidi, vidi pëllumbeshë" në 1999.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DHE ÇDO VIT KA NJË ÇAST TË SHKUTËR TRULLOSËS KUR NE NDALIM FRYMËN NË MES TË UDHËS SË GJATË PËR NË SHTËPIPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan EDWARD HIRSCH (05.28.2010)
DIPLOMA UNIVERSITARETregim nga PIERRE-PANDELI SIMSIA (05.27.2010)
KULLA E PËRGOJUARTregim nga FARUK MYRTAJ (05.25.2010)
AVE MARIAProzë nga BILAL XHAFERRI (05.24.2010)
HINGËLLIMA E KALITTregim nga RAIMONDA MOISIU (05.21.2010)
S'HABIT KËND QË HËNA NË DRITAREN TËNDE TË DUKET SIKUR KA DALË NGA NJË POEMË DASHURIE TË CILËN TI DIKUR E DIJE PËRMENDSHPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan BILLY COLLINS (05.08.2010)
ORHAN PAMUK: TË LIRË PREJ FQINJËVE!Përkthyer nga FARUK MYRTAJ (04.30.2010)
FREDERIK RESHPJA POETI QË NUK U THYENga SOKOL ZEKAJ (04.20.2010)
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË PËRFSHIJNË RRYMAT E BOTËSPoezi nga EMILY BRONTË (1818-1848) (04.11.2010)
DUKE U DRIDHUR, DUKE NGRIRË AKULL, NË TREMBJE TË FRIKSHME, AH! AJO SHKOI E VAJTIPoezi nga WILLIAM BLAKE (1757-1827) (04.01.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]