VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VIZITA E JAKOMONITTregim nga NAUM PRIFTI

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 08:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

VIZITA E JAKOMONIT

Tregim nga NAUM PRIFTI


E Mërkurë, 06.23.2010, 08:55am (GMT+1)

Na paralajmëruan se Mbreti ynë i ri donte të vizitonte fshatin tonë. Nder më i madh s'kishte si bëhej. Asnjë mbreti, qëkur njihen mbretëritë në tokë, s'i kishte rënë ndërmend të na vizitonte. Dhe pse do ta bënte? Fshat si gjithë të tjerët, me lopë e dhën, me kararisje pulash e gjelash, me plehë dhe bajga. Dhe fshatarët ishin të ndërgjegjshëm dhe e dinin se mbretit aq i bënte në ndodhej, apo nuk ndodhej mbi faqe të dheut një fshat i varfër në ca rrëpira të Gramozit. Në anët tona qarkullonte një shprehje shumë e goditur: "Pyet Mbreti se ka Mësiçkë?" Mësiçka ishte një fshat i rrëgjuar rrëzë Radomit, emrin e së cilës nuk e dinin as ata që ishin rreth e rrotull saj. Natyrisht në sytë e mbretit që rrinte në fronin mbretëror, ai fshat nuk vlente një dhjetësh.

Mirëpo Mbreti i ri kishte shprehur dëshirën të vinte në Rehovë e për më tepër kishte caktuar edhe datën, pra e kishte seriozisht.

-E po mirë, le të vijë të na shikojë, - thanë fshatarët.

Këtë lajm të ri ia shpunë dhe plakës Coce në mulli dhe ajo u gëzua më shumë se të tjerët.

-Shyqyr, shyqyr që u kujtua! tha duke ngritur sytë nga qielli, se mbret e Perëndi për të ishin njëlloj. Të shikoj dhe unë një mbret nga afër, të bisedoj me të gojë më gojë, pa le të më bjerë pika që të nesërmen. Dhe ua lë amanet, hiç mos më qani, se vete e ngopur.

 

Në foto: Rehova, qendra e fshatit

 

Në fshat kishim tre mullinj dhe ndër ta më shumë punonin gratë se burrat. Ç'është e vërteta dy mullinj i kishim brenda në fshat dhe të tretin te luadhet, ngjitur me mëhallën e sipërme. Për gratë s'qe ndonjë zor të hapnin derën e mullirit, të hidhnin thasët në kosh e të mbushnin miellin me çetur. [1] Madje ajo punë në krahasim me të tjerat, qe më e lehtë. Qëkur ato merrnin me vete edhe ndonjë palë shtiza, apo furkën dhe boshtin, kuptohet se mulliri nuk ua hante gjithë kohën. Kështu pra në mulli punët qenë ndarë, gratë kujdeseshin dhe bluanin sa ishte në rregull, kur prishej thërrisnin burrat ta rregullonin.

Cocja e kishte mbajtur mullirin një jetë të tërë dhe një shenjë e pashlyeshme do t'ia kujtonte edhe po të donte ta harronte. Tek fshinte qoshet ku vërtitet mokra e sipërme, se donte ta kthente blojën më grurë, dorën ia përfshiu mokra dhe gishtërinjtë, nga i vogli te treguesi, hipën mbi njëri tjetrin të thyer e të dërrmuar. Xherah që t'i vinte në jaki nuk u gjend dhe dora i mbeti e cunguar, por gjithsesi nuk e pengonte të mbushte thasët, të punonte shtizat e të milte lopën e dhëntë. Ne kalamajtë i vinim gishtrinjtë mbi njëri tjetrin vetëm kur donim të luanim sikur punonim shtizat. "Sikurin" nuk e kanë shpikur as regjisorët, as aktorët e shquar, ai është i vjetër sa bota, se njeriut gjithmonë i ka pëlqyer të luajë me sikur.

Si e kishte emrin e vërtetë, as sot nuk e di me siguri, por ka të ngjarë Sofie, Sofika, ose Anastasi, mbasi zbunimet shpeh herë pësojnë ndryshime nga më fantastiket. Kur qeshë i vogël e shikoja atë plakë të vogël e të gërmuqur duke ndenjur te sofati i portës me shkop në dorë dhe më vinte t'i lutesha t'i vinte gishtrinjtë drejt. Më vonë mësova se atë cen e kishte nga mulliri.

Ardhja e mbretit hapi punë për muratorë, argatë e druvarë me gjithë kafshët e tyre dhe ndonjë muaj u bë temë e ditës. Si të mos bëhej? Gjatë dy mijë vjetëve, në atë krahinë mes malesh të lartë, nga faqet lindore të të cilëve nis rjedhën Aosa e lashtë, kurse nga faqet e tjera Semani, Lumi i Argjendtë, e kishin vizituar gjithsej tre perandorë nga Bizanti. Dhe të tre kishin ardhur për shkaqe luftërash e betejash. Në 2000 vjet, vetëm tre. Sa pak! Mesatarisht duhej pritur 666 vjet për të parë një. E po veç të rroje sa Mafusaili biblik që të shikoje qoftë edhe një mbret në jetë. Jakomoni qe i katërti. Dhe na bëri një të mirë të madhe, se duke ardhur pa mbaruar shekulli, e uli mesataren e mbretërve në pesëqind vjet. Ca të fantaksur thoshin se nuk qe tamam mbret po mëkëmbës. Pallavra! Derisa ai tjetri në Romë qe kukull,[2] sa për formë, në Tiranë Jakomoni[3] qe zot i plotfuqishëm, urdhëronte, nxirte ligje e rregullore, qe mbret e shkuar mbretit.

U habitën të rinjtë dhe ca më shumë pleqtë, që po u jepej rasti të shihnin me sytë e tyre një mbret, para se të shkonin në atë jetë, se mund të rrosh njëqind, njëqind e njëzet vjet dhe të mos e shijosh këtë kënaqësi.

Vajzat dhe gratë donin të dinin a do ta sillte dhe mbretëreshën. Nderi kështu ia donte, se për vizitë nuk shkohet vetëm, pa sesi do të vepronte ai, nuk e dinin. Neise, ato hallin e kishin gjetkë. Donin të shihnin ç'surrat kishte mbretëresha, çfarë fustani vishte, a i mbante këpucët të sheshta apo me taka të larta, si i krihte flokët, a i mbulonte me shami apo rrinte karos?

Fshatarët, si njerëz të thjeshtë që ishin, nuk u shqetësuan ç'përshtypje do t'i bënte fshati mbretit dhe kështu as morën mundimin të rregullonin ndonjë fasadë, të ngrinin ndonjë mur të rrëzuar, ose të shkonin ndonjë qepër të re te ndonjë çati e vaisur. Autoritetet e vendit, e drejtë e fjalës, u thanë, madje ngulmuan, por ata u përgjegjën se s'kishin para dhe ato mund t'i bënin po qe se qeverria i ndihmonte. Bashkia, natyrisht nuk e zgjidhi qesen, se bënte llogari të mbante sa më shumë për vete nga fondet që u ishin dhënë me atë rast, dhe ashtu arritën në përfundimin se edhe për Jakomonin do të ishte më e këndshme ta shihte pamjen e përhershme natyrore të një fshati karakterstik nga Shqipëria e Jugut.

Sa të qetë ishin ata që do të prisnin mbretin, aq të shqetësuar ndiheshin autoritetet, që në fund të fund vetëm do ta shoqëronin. Vinin përditë njerëz nga prefektura dhe nënprefektura që të shihnin si po shkonin përgatitjet, mos rruga nuk qe sheshuar mirë, deri ku shkonin makinat, ku do të shtrohej dreka, nga binte dielli e si shkonte hija, në ç'vend do të mbushej uji që do të pinte ai dhe me ç'servis do të servirej? Te disa gjëra të tilla s'të vete mendja kurrë, po të mos kesh njohuri për mbretërit. Sa telashe paska patur kjo punë!

Fshatarët mendonin se po ta zinte dielli mbretin aty ku hante drekë e po ta bezdiste, do ta shtynte prapanicën më tutje që të futej nën hije. Ata s'e dinin fare se mbretit nuk mund t'i thuhet bëj pak më tutje. Jo, ai nuk duhet të luante nga vendi dhe hija të qe hije! Zanatçinj e fshatarë qeshin me cep të buzëve nga ato që dëgjonin. "Nëse jeni të zotët ta mbani diellin në vend, hallall e paçi rrogën e qeverrisë! Ne s'na arrin krahu deri atje," thoshin ata.

Në foto: Rehova, burimi i Shen Pjetrit

U rregullua rruga deri në manastirin e Shëndëllisë, atje ku do të shtrohej dreka nën hijen e pemëve, se qe korrik e bënte vapë, kurse atje frynte veri për shtatë palë qejfe. Atje edhe bukë e gjizë të haje, të dukej mjaltë nga këngët e bilbilave dhe të zogjve të tjerë. Kjo gjë në fillim u pëlqeu autoriteteve, por pastaj u bë një problem i vërtetë dhe nga më shqetësuesit, se meqë tryezat do të shtroheshin nën hijen e pemëve, mos kushedi zogjtë i zbukuronin pjatat me ndonjë dhuratë qiellore? "Mos qoftë e thënë, tha Mitka, pa për të ngjarë ngjet... Zogj ata, ç'do t'u bësh?" "Jo. Kjo nuk duhet të ngjasë kurrë," kundërshtoi nënprefekti. E po si t'u thuash zogjve të qiellit se ka ardhur mbreti dhe ju mos bëni ashtu si keni bërë deri tani, mos e lëshoni glasën kur t'u vijë, po shkoni e bëni më tutje? Disa propozuan të ngrinin një terinë e ta mbullonin me fier e lëpushka, te vendi kryesor ku do ulej Mbreti, mirëpo hije nën hije sikur nuk kishte lezet. Sa për zogjtë e laraskat nuk do t'i lejonin as të mrizonin, as të këndonin nëpër pemët afër tryezave se bekçiu i fshatit me llastikë në dorë do t'i qëllonte vazhdimisht, mirëpo belaja qe se Koli nuk pranoi, mbasi iu duk qesharake të rrinte me llastikë në dorë si kalamajtë, dhe ca më shumë u ruhej përgojimeve. Vetëm kur mori se për atë punë do t'i paguhej mëditje e plotë tha: "Në fund të fundit, nga çdo anë që ta shikosh, mua më takon kjo detyrë!"

Pa u deshën dhe tre harqe triumfi me degë dafine, një në krye të fshatit, një në dalje dhe një tjetër afër manastirit. Mirë doli se ajo lloj shkurre nuk rritej fare aty dhe për ta sjellë nga vendet e ulta, nuk kishte kohë. Atëherë dafinat i zëvendësuan me bush, ashtu siç e donte tradita e atyshme. Edhe të Dielën e Luleve me degë bushi e stolisnin ikonostasin dhe epitafin.

Gdhiu dita e madhe, dita e veçantë e vitit. Gratë i bënë rrotullimat e shtëpisë më shpejt se herët e tjera që të ishin të lira të bënin sehir. Dolën te Plepishta, aty ku mbreti do të dilte nga makina dhe do të ecte më këmbë që të takonte parinë e fshatit dhe tok me ta do të kalonin nën harkun e triumfit, që ishte pak a shumë si portë futbolli, veçse e vendosur së prapi se vinte e ngushtë dhe e lartë. Gratë dhe nuset kishin marrë fëmijët në krahë, se s'kishin me kë t'i linin, por edhe për t'u rrëfyer me gisht mbretin se s'dihej pas sa kohësh mund të kalonte ndonjë mbret tjetër. Doli dhe Cocja me një tufë plakash të tjera. Me furka ato, me shtiza dhe me lëmshe nëpër duar, sikur mbreti do të vinte t'i shihte si e dridhnin boshtin dhe si i punonin gjurmat.[4]

Erdhën disa makina të shkëlqyera dhe fshatarët çapëlyen sytë nga habia se kurrë në jetën e tyre s'kishin parë aq shumë vetura njëherësh, dhe për më tepër ato vetëtinin në diell, sa në vërnikun e tyre mund të shiheshe si në pasqyrë. Dhe çudi e patreguar, ngjyrat i kishin të ndryshme.

Jakomoni doli nga vetura, buzëqeshi dhe u përshëndet me parinë e fshatit. As ata nuk e njihnin, po derisa e kishin vënë në mes dhe të gjithë ishin gati t'i shërbenin, besuan se ai qe Mbreti. Nja dy të gjymtuar i dolën përpara se e dinin që mbretërit, perandorët, peshkopët, carët, dhespotët, knjazët, kanë dëshirë të tregohen zemërgjerë e popullorë ndaj falin lëmosha. Duket se edhe Mëkëmbësi qe mësuar me të tilla skena, prandaj futi dorën në çantën e sekretarit pranë tij dhe përdëllimshëm diç u dha atyre. Pas tyre zdruq e zdruq edhe plaka Coce me shkop. Ajo i zgjati mbretit dorën me gishtrinj të shtrembër që ta takonte. Dorë për të takuar mbretin qe ajo? I zgjatet mbretit një dorë e shtrembër mysybet? Domosdo, mbreti s'kishte nevojë ta prekte që të bindej se vërtet e kishte të gjymtë dhe menjëherë futi dorën në çantën e sekretarit, mori disa napolona kartë dhe deshi t'ia jepte, po s'dinte ku t'ia linte, se ajo njerën dorë e kishte jo të saktë dhe tjetrën të zënë me shkop. Mbreti i zgjati paratë.

Cocja e mblodhi dorën sakate.

-Faleminderit shumë, po para nuk dua unë.

Mbreti u hutua se i mbetën paratë në dorë dhe nga ana tjetër s'po arrinte ta kuptonte pse i kishte dalë përpara ajo sakate, në mos për lëmoshë?

-Come? Come? pyeti Jakomoni duke shikuar rrotull për ndihmë.

-Jo Kome, Coce më quajnë mua...

Ajo budallaqja pandehu se mbreti i ngatërroi emrin. Atë çast dy ministra ofruan ndihmën e tyre si përkthyes. Me buzëqeshje të shtirur në fytyrë e me ton ku shprehej gjithë zemërimi i brendshëm, ministri i arsimit iu hakërrye asaj fshatareje që s'po i hapte rrugë Shkëlqesisë së tij, Mëkëmbësit të Mbretit e Perandorit, Francesko Jakomonit.

-Ç'do moj plakë? Merr paratë dhe zhduku!

-Nuk dua para unë jeto, më mban djali që kam në Amerikë dhe mulliri, - dhe që ta bindëte ministrin plotësisht se nuk po fliste kot, ajo zgjati shkopin në drejtim të çatisë së hirtë nën hijen e arrave, që ta shihte dhe ai ku e kishte mullirin.

-Po ç'do atëherë, të martë mortja, ç'ke që na pengon? - iu gërmush ministri i edukatës.

-Dua të llafos me mbretin!

Mëkëmbësi me buzëqeshje diplomatike u interesua të mësonte si qe puna dhe filloi të bisedonte me ministrin. Plaka Coce u hutua. Si s'mori vesh asnjë fjalë? Kaq e pakuptuar qenka kjo gjuha e mbretërve? Ç'qe kjo punë kështu?

-Më thuaj mua që t'ia përkthej, -iu lut ministri.

Plaka s'donte të bisedonte me ministra e njerëz të rëndomtë. Ajo kishte dalë aty të fjalosej me mbretin dhe kur të vinte në botën tjetër, t'u rrëfente atyre se mbi atë tokë ku ata flinin prej vitesh, kishte ardhur mbreti.

-Po pse? pyeti e druajtur Cocja se mos bënte gabim. Po pse, s'ditka shqip ky?

-Ti qënke prapa botës! iu shkreh ministri. Tani që u bashkuam me Italinë, Mbretin e kemi Italian.

Plaka Coce u pre menjëherë siç pritet qumështi. As u mundua t'i përmbulonte ndjenjat e saj para autoritetit të lartë mbretëror. Rrudhi buzët e holla e të fishkura, sa goja iu duk sikur kishte vënë njëri mbi tjetrin dy fiq të fishkur.

-S'qenka gjë! foli si me vete dhe zdruq-zdruq u kthye te plakat e tjera.

-U fjalose me mbretin? e pyetën ato. Çfarë i the, çfarë të tha?

-Pika mbretit! tha Cocja duke kryqëzuar duart. As më tha, as i thashë gjë. Po ai qe i huaj moj motra! e duke thënë ashtu përpoqi duart pas kofshëve sa i ra shkopi në tokë.

Pa kthyer krahët mirë mbreti, çatisi në fshat një regjiment Italianë, të cilët ngritën çadra e ndërtuan fushime nëpër gradinat dhe arat e fshatit, e po ashtu nga Prespa në Sarandë. Thoshin se kishin ardhur për të veruar, pasi u pëlqente klima. Pas tre muajsh, në fund të tetorit, kapërcyen Gramozin dhe nisën luftën me Greqinë. Atëherë e morëm vesh pse iu desh Jakomonit të vinte në fshatin tonë.

--

[1] Enë prej druri ku mbahet bulmeti, zarzavatet, ose mielli.

[2] Aludim për Victor Emanuelin III, Mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë.

[3] Francesco Jakomoni, ish ambasador i Italisë në Shqipëri, pas pushtimit u emërua Mëkëmbës i Mbretit V. Emanuel.

[4] Gjurmat apo gjurmashkat, - Shputat e çorapeve.

Në foto: Kodra e Shen Pjetrit

NAUM PRIFTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HAKËRRIM - KOHA E MASKARENJVE POR ATDHEU I SHQIPTARËVEPoezi nga ALI ASLLANI (1882-1966) (06.21.2010)
DHE ÇDO VIT KA NJË ÇAST TË SHKUTËR TRULLOSËS KUR NE NDALIM FRYMËN NË MES TË UDHËS SË GJATË PËR NË SHTËPIPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan EDWARD HIRSCH (05.28.2010)
DIPLOMA UNIVERSITARETregim nga PIERRE-PANDELI SIMSIA (05.27.2010)
KULLA E PËRGOJUARTregim nga FARUK MYRTAJ (05.25.2010)
AVE MARIAProzë nga BILAL XHAFERRI (05.24.2010)
HINGËLLIMA E KALITTregim nga RAIMONDA MOISIU (05.21.2010)
S'HABIT KËND QË HËNA NË DRITAREN TËNDE TË DUKET SIKUR KA DALË NGA NJË POEMË DASHURIE TË CILËN TI DIKUR E DIJE PËRMENDSHPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan BILLY COLLINS (05.08.2010)
ORHAN PAMUK: TË LIRË PREJ FQINJËVE!Përkthyer nga FARUK MYRTAJ (04.30.2010)
FREDERIK RESHPJA POETI QË NUK U THYENga SOKOL ZEKAJ (04.20.2010)
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË PËRFSHIJNË RRYMAT E BOTËSPoezi nga EMILY BRONTË (1818-1848) (04.11.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]