E Hënë, 04.29.2024, 03:59pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 

PËR SHQIPËRINË KËTO JANË KOHË QË KËRKOJNË UDHËHEQJE TË MADHE DHE NJË IDE TË QARTË SE KU PO SHKOHET

Nga ELEZ BIBERAJ, Drejtor i Divizionit të Evropës, Zëri i Amerikës


E Premte, 10.07.2011, 11:17am (GMT+1)

 

 

Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme. Është kënaqësi e veçantë dhe nder për mua të jem i pranishëm për të shënuar 20 vjetorin e rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Sot unë do të përqëndrohem në marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri gjatë viteve 1990 1992 një periudhë e rëndësishme në historinë e re të Shqipërisë. Pas një mungese të gjatë kontaktesh, në vitin 1990, Shqipëria, pa papritur, u vu në qendër të vëmendjes së zyrtarëve të lartë amerikanë.

Synimi i Shteteve të Bashkuara ishte i qartë:

Të nxisnin, përmes një sërë mjetesh, përfshirë transmetimet e Zërit të Amerikës ne gjuhen shqipe, diktaturën e fundit komuniste në Evropë të ndërmerte reformat aq të nevojshme demokratike dhe ekonomike.

Të ndihmonte shqiptarët të hidhnin bazat e një tranzicioni paqësor demokratik, në mënyrë që Shqipëria të zinte vendin që i takonte mes kombeve të lira e demokratike.

Por fillimisht, me lejoni të ndalem në kontekstin e zhvillimeve te marredhenieve dypaleshe deri në vitin 1990.

Nga viti 1945 deri në vitin 1990, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nuk kishin asnje kontakt diplomatik. Pas përpjekjeve të dështuara të Uashingtonit për të permbysur regjimin komunist shqipar në fillim të viteve '50, Shqiperia u zhduk nga ekrani i radarit të Amerikës. Në disa momente kritike, si pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, pas ndërhyrjes sovjetike në Çekosllovaki, apo pas prishjes së Tiranës me Pekinin, Shtetet e Bashkuara i dërguan sinjale afrimi Shqipërisë. Uashingtoni ishte i përgatitur t'i ofronte Shqipërisë -- ashtu siç kishte bërë me Jugosllavinë pas shkëputjes së Titos nga Stalini -- ndihma të mëdha ekonomike dhe politike. Por regjimi i izoluar dhe paranojak i Shqipërisë nuk pranoi dhe nuk tregoi ndonjë interes për rifillimin e marrëdhënieve deri në prill të vitit 1990.

Gjatë periudhës së gjatë të izolimit që Shqipëria i imponoi vetes, Zëri i Amerikës ishte praktikisht kontakti i vetëm mes dy popujve dhe vendeve. Përmes transmetimeve të tij, Zëri i Amerikës u jepte shqiptarëve shpresë se ata nuk ishin haruar dhe përcillte nga ana tjetër angazhimin e Amerikës se një ditë Shqipëria do të bashkohej ne rradhet e vendeve te lira dhe demokratike.

Përpara vitit 1990, Shqipëria nuk perbente një çështje te rëndësishme te politikës së jashtme amerikane. Por pas rënies së Nikolae Çausheskut, vëmendja u kthye nga Shqipëria. Në fillim të vitit 1990, kishte shenja të qarta se kontrata shoqerore, që kishte mundesuar mbijetesen e regjimit, po shpërbëhej me shpejtësi dhe se Ramiz Alia ishte i gatshëm të shkelte parimet kryesore ideologjike te regjimit, për të qëndruar në pushtet. Kjo u bë e qartë në pleniumin e 10-të të Komitetit Qendror në prill të vitit 1990, kur Ramiz Alia shpalli disa ndryshime të rëndësishme politike dhe bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Po ashtu ai njoftoi se vendi i tij do të kërkonte të anëtarësohej në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE). Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që e kishte bojkotuar procesin e Helsinkit.

Në të kaluarën Uashingtoni kishte lënë të kuptohej se ishte i gatshëm t'i rivendoste marrëdhëniet me qeverinë e Tiranës pa vendosur parakushte. Në prill të vitit 1990, gjithsesi, qëndrimi amerikan kishte ndryshuar. Shtetet e Bashkuara shihnin tani një mundësi për të nxitur ndryshimet politike dhe ekonomike, që do t'i jepnin një herë e mirë fund makthit të gjatë komunist të Shqipërisë. Shqipëria u bë kështu më në fund pjesë e rëndësishme e vizionit të Uashingtonit për të ndërtuar, atë që presidenti Bush e kishte cilesuar, "një Evropë të bashkuar dhe të lirë".

Duke zbatuar mësimet e nxjerra nga revolucionet në vendet e tjera të Evropës Lindore, Uashingtoni filloi të perqendronte nje politike me te qarte, dhe vendosi te luante një rol më të drejtëpërdrejtë dhe më të madh në përpjekjet për të ndikuar zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Në bashkëpunim të ngushtë me aleatët kryesorë evropianë, Shtetet e Bashkuara shtuan trysninë mbi regjimin duke e kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në KSBE, me përparimin drejt pluralizmit politik.

Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë, ishin dy institucionet përgjegjëse për hartimin e politikave ndaj Shqipërisë. Megjithatë, anëtarë me peshë të Kongresit amerikan, ligjvenësi Tom Lantos, Senatori Dennis DeConcini, ligjvenësi Steny H. Hoyer, Senatori Claiborne Pell dhe Senatori Bob Dole, po ashtu luajtën një rol të rëndësishsëm. Ata filluan t'i kushtonin vëmendje me te madhe Shqipërisë, duke ofruar mbeshtetje të drejtëpërdrejtë për kërkesat për demokraci dhe liri ne ate vend. Bashkesia shqiptaro-amerikan zhvilloi një fushatë të efektshme lobizmi ndaj administratës dhe Kongresit, duke luajtur një rol të rëndësishëm për të ngritur lart rëndësinë e çështjes shqiptare.

Uashingtoni iu përgjigj kërkesës së Ramiz Alizë për afrim me një qëndrim të bazuar në dy elementë të ngjashëm me politikën e "kulaçit dhe kërbaçit" që ishte zbatuar me sukses një vit më parë në vendet e tjera të Evropës Lindore. Ai ra dakort për hapjen e dialogut dhe gjatë verës dhe vjeshtës, diplomatë amerikanë dhe shqiptarë, zhvilluan disa takime informale. Ndërsa ranë dakort të fillonin kontaktet me qeverinë e Tiranës, Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përgatitura ta shpërblenin diktaturën e fundit komuniste të Evropës Lindore me normalizimin e plotë të marrëdhënieve, pa zbatimin më parë të reformave rrënjësore politike.

Sekretari i Shtetit James Baker, në dëshminë publike para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, në qershor të vitit 1990, i shprehu hapur kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria për t'u bërë pjesë e bashkësisë së vendeve të lira: përparim drejt pluralizmit politik, respektim të plotë të të drejtave të njeriut, lirimi i të burgosurve politikë, zgjedhje të lira, dhe zbatim i reformave që do të çonin në krijimin e një ekonomie tregu.

Ramiz Alia, mori një mesazh të ngjashëm, të drejtëpërdrejtë, në takimet që pati me anëtarë të lartë të Kongresit amerikan. Në maj të vitit 1990, ligjvenësi Tom Lantos, u bë zyrtari i parë amerikan që shkonte në Shqipëri në më shumë se katër dekada. Pas disa muajsh, në gusht, një delegacion zyrtar i Kongresit amerikan, i udhëhequr nga Senatori Dennis DeConcini, bëri një vizitë tri ditore në Tiranë.

Pavarësisht deklaratave të tij publike për demokratizimin e Shqipërisë, Ramiz Alia, nuk ishte i gatshëm të zbatonte reforma të thella politike dhe ekonomike. Ai synonte reformimin dhe jo ndryshimin e sistemit. Nismat e tij në politikën e brendshme dhe thirrjet për rivendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara synonin ruajtjen e pushtetit të tij. Ai vazhdoi t'u përgjigjej kërkesave për ndryshime me masa të pamjaftueshme.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të vendosur kushtezuar politikën ndaj Tiranes, synonte të nxiste forcat reformatore dhe ndryshimet demokratike ne Shqiperi.

Zëri i Amerikës, radiostacioni i vetëm perëndimor që transmetonte emisione në shqip, vazhdoi përqëndrimin e vëmendjes ndaj Shqipërisë. Në vitet 1989-1990, Zëri i Amerikës arriti me sukses të thyente bllokadën informatike të regjimit komunist dhe kishte fituar emër si një burim i besueshëm dhe alternativ lajmesh për shqiptarët e privuar nga informacioni. Zëri i Amerikës shërbeu si një nxites i rëndësishem ndryshimesh, duke sfiduar me sukses monopolin që mbante regjimi mbi lajmet dhe informacionin dhe duke nxitur idealet për një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike. Zëri i Amerikës i mbuloi gjerësisht zhvillimet e brendshme në Shqipëri, si dhe ngjarjet në vendet e tjera të Evropës Lindore. Programet e Zërit të Amerikës vinin në dukje dallimin mes reformave politike dhe ekonomike në vendet e tjera të Lindjes me politikat e Ramiz Alisë. Duke ndjekur me kujdes shtypin shqiptar, Zëri i Amerikës njejtesonte dhe veçonte deklaratat dhe masat reformatore. Në maj-qershor 1990, Zëri i Amerikës ishte në gjendje të zhvillonte intervista thelbësore përmes telefonit me personalitete që ndikonin në formimin e opinionit në Shqipëri. Për herë të parë, zyrtarë dhe intelektualë me prirje liberale dhe reformatore, ishin të gatshëm të shprehnin pikëpamje që shkonin përtej orientimeve të Partisë Komuniste. Duke transmetuar lajme dhe informacione frymëzuese dhe duke angazhuar elitën politike dhe intelektuale në dialog për çështjet e ndjeshme politike, Zëri i Amerikës arriti të përcaktojë deri dikund kornizën e debatit politik në Shqipëri.

Shpërthimi i demonstratave të studentëve në dhjetor të vitit 1990 dhe vendimi i Ramiz Alisë për të lejuar krijimin e partive politike, e ngjiti Shqipërinë me shpejtësi në krye të agjendës ndërkombëtare. Shqipëria ishte më në fund në prag të një transformimi politik dramatik.

Përpara ngjarjeve të dhjetorit, Shqipëria rallëherë kishte qënë në qendër të vëmendjes së zyrtarëve të lartë amerikanë. Tani, Shtetet e Bashkuara, panë mundësinë e parë, reale për të ushtruar ndikim të madh në kursin e zhvillimeve në Shqipëri. Uashingtoni mbajti një qëndrim të prerë, i shtoi kritikat ndaj qeverisë, bëri thirrje për një kalim paqësor dhe të rregullt të pushtetit, shprehu mbështetje për opozitën demokratike që po lindte dhe kërkoi lirimin pa kusht të të gjithë të burgosurve politikë. Veprimet dhe deklaratat amerikane ishin të bashkërenduara me aleatët evropianë dhe të llogaritura me kujdes, që të kishin sa më shumë ndikim mbi zhvillimet në Shqipëri.

Për shkak të natyrës së ashpër shtypëse të regjimit, Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropën Lindore, që nuk arriti të krijonte një lëvizje opozitare para rënies së sistemit të vjetër politik. Për më tepër, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, për shkak të mungesës së kontakteve dhe mos pranisë në Tiranë, Shtetet e Bashkuara nuk kishin arritur të njejtesonin, angazhonin dhe krijonin marrëdhënie me individë forca të mundshme ndryshimi që mund të ishin në poste përgjegjëse në momentin që vendi do të hynte në rrugën e ndryshimeve demokratike.

Menjëherë pas demonstratave të studentëve, në Shqipëri u krijuan disa parti politike jo-komuniste, platformat e të cilave bënin thirrje për krijimin e një sistemi demokratik pro-Perëndimor të bazuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, për shtyp të lirë e të pavarur, për ekonomi tregu si dhe ri-orientim të politikës së jashtme të Tiranës drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Pothuajse menjëherë, Partia Demokratike doli si partia më e rëndësishme dhe Sali Berisha si udhëheqësi kryesor i opozitës.

Udhëheqësit e forcave opozitare që po lindnin, ishin një kombinim i ish mbështetësve të regjimit, demokratëve liberalë dhe studentëve. Njohurite e tyre për demokracinë dhe sundimin e ligjit ishte minimal, në rastin më të mirë. Ishte e qartë se elitat e reja udhëheqëse do te kishin nevoja të mëdha për ndihmë dhe këshilla në betejën e tyre për të detyruar komunistët të hiqnin dorë nga pushteti.

Demonstratat e studentëve u pasuan nga një shpërbërje e rrezikshme e qeverisjes dhe nga dhuna në Tiranë dhe disa qytete të tjera. Dëshira popullore për të larë hesapet me komunistët ishte e madhe. Me të drejtë ekzistonte frika se Shqipëria mund të binte në luftë civile. Përmes deklaratave publike, zyrtarët amerikanë u përpoqën të ushtrojnë një ndikim moderues duke theksuar nevojen e pajtimit kombëtar dhe nevojën që shqiptarët ta linin pas të kaluarën dhe të përqafonin parimet demokratike.

Ndërsa Shqipëria përballej me falimentim ekonomik, shkatërrim politik dhe një rrezik real për luftë civile, normalizimi i marrëdhënieve me Tiranën u bë një çështje urgjente për ata që hartonin politikat e Uashingtonit ndaj Shqipërisë. Disa prej tyre mbështesnin shtyrjen e rivendosjes së marrëdhënieve derisa Shqipëria të kishte shënuar përparim të dukshem drejt demokracisë. Të tjerë bënin thirrje për njohje të menjëhershme, duke arsyetuar se kjo do ta shtonte ndjeshëm ndikimin e Uashingtonit, do të forconte forcat demokratike në Shqipëri dhe do të përshpejtonte transferimin e pushtetit. Udhëheqësit e opozites në Shqipëri, si dhe personalitete të shquara shqiptaro-amerikane ndikuan duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të rivendosnin marrëdhëniet.

Pas një ndërprerjeje prej më shumë se 50 vjetësh, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars të vitit 1991. Ceremonia në Departamentin e Shtetit u organizua me kujdes në mënyrë që komunistët të mos mernin meritën për njohjen diplomatike. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Marlin Fitzwater theeksoi se Shtetet e Bashkuara e shikonin vendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë si "një mundësi për të mbështetur reformat demokratike në këtë vend".

Me një vendim të pazakontë, por të rëndësishëm, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko u ftuan nga Departamenti i Shtetit për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit dhe u takuan me zyrtarë të lartë amerikanë. Shqipëria përfaqësohej nga ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani, por vëmendja amerikane u përqëndrua pothuajse tërësisht tek Berisha dhe Pashko. Besoj se ky ishte takimi i parë, i drejtëpërdrejtë i dy udhëheqësve te opozites me zyrtarët amerikanë.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Shtetet e Bashkuara ishin në gjendje të ofronin ndihmë të drejtëpërdrejtë dhe më të efektshme për kauzën e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Një delegacion diplomatik amerikan u dërgua në Tiranë për të përgatitur kushtet për hapjen e ambasadës. Kjo u pasua nga një delegacion i madh i Komisionit amerikan të Helsinkit që vëzhgoi zgjedhjet e 31 marsit.

Ndryshe nga revolucionet e tjera të shpejta në ish vendet komuniste të Evropës Lindore, tranzicioni në Shqipëri u shndërrua në një betejë të zgjatur midis komunistëve, që vazhdonin të kontrollonin gjithë levat e pushtetit dhe opozitës së brishtë.

Shqipëria nuk arriti të bëjë një shkëputje të pastër nga e kaluara komuniste gjatë zgjedhjeve të para të kontestuara në mars të vitit 1991. Por megjithë fitoren e thellë në zgjedhje, komunistët u ndeshën me sfida të mëdha dhe mbështetja për ta ra ndjeshëm si rezultat i trysnisë së opozitës dhe asaj ndërkombëtare. Në fillim të qershorit 1991, komunistët u detyruan të hyjnë në koalicion qeveritar me opozitën dhe të zhvillojnë zgjedhje të reja brenda një viti.

Shtetet e Bashkuara kishin vendosur kushte të rrepta dhe kishin përdorur me efektivitet ndikimin e tyre në marrëdhëniet me qeverinë komuniste të Shqipërisë. Krijimi i koalicionit qeverisës, në të cilin opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, kishte 7 ministra, shikohej si një hap i rëndësishëm në tranzicionin e trazuar dhe të gjatë të Shqipërisë. Duke njohur këtë përparim, Shtetet e Bashkuara mbështetën anëtarësinë e plotë të Shqipërisë në KSBE dhe Sekretari Baker vizitoi Tiranën më 22 qershor, 1991.

Vizita e zotit Baker, ashtu siç shprehet vetë Sekretari i Shtetit në kujtimet e tij, synonte të përdorte prestigjin e Amerikës "për t'u dhënë një shtysë shqiptarëve drejt demokracisë dhe tregut të lirë". Për këtë qëllim zoti Baker mbështeti procesin e demokratizmit, shprehu përkrahjen morale dhe politike të Amerikës për opozitën duke vënë në dukje në fjalimin para parlamentit të kontrolluar nga komunistët, se vizitën e kishte bërë me ftesë të zotit Berisha dhe ofroi ndihma ekonomike, nëse udhëheqja politike e vendit do të vazhdonte të hidhte hapa konkretë drejt zbatimit të reformave politike dhe të ekonomisë së tregut.

Mbi 200 mijë shqiptarë dolën në sheshin kryesor të Tiranës në një pritje madhështore dhe emocionale për zotin Baker. Këto ndjenja të sinqerta admirimi për Amerikën dhe shpresa se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin Shqipërinë të dilte nga situata e mjeruar, pasqyroheshin më së miri ndoshta në parullën: "Mirëserdhe zoti Baker! Shqipëria ka pritur 50 vjet për Ju!"

Në mes të kësaj shprehje të paparë admirimi dhe pritshmërisë po aq të madhe, Sekretari i Shtetit u tha shqiptarëve të mbledhur në sheshin Skëndërbej, se "Amerika po kthehet tek ju", "Liria funksionon" dhe "Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju". Në fjalimin para parlamentit, zoti Baker u bëri thirrje shqiptarëve t'i linin mbeturinat e komunizmit pas. Ai theksoi domosdoshmërinë e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, duke shtuar se në "Shqipërinë e re", nuk mund të kishte vend për dhunë, kërcënime dhe përdorim force. "Le t'i japim fund gjithë frikës në Shqipëri. Kjo është Shqipëria e re dhe ju jeni anëtarë të Evropës së re."

Në bisedimet me Ramiz Alinë dhe zyrtarët e tjerë të lartë, zoti Baker theksoi se Shqipëria kishte nevojë për ndryshime të shpejta, duke argumentuar se vendi nuk mund të përballonte më vonesat. Duke iu drejtuar deputetëve të të dy krahëve, Sekretari i Shtetit tha se rendi i ri politik që po lindte në Shqipëri, duhet të respektonte plotësisht të drejtave të njeriut, duhet të vendoste kontrollin demokratik mbi organet shtypëse të sigurimit, të kishte një shtyp të lirë e pluralist, sundim të ligjit, demokratizim në të gjitha nivelet të qeverisë dhe shoqërisë, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta në nivel kombëtar dhe vendor. "Këtu, si në Amerikë, demokracia nuk duhet të jetë vetëm ideal ajo duhet të jetë realitet. Në këtë përpjekje, përsa kohë që ju i qëndroni besnik këtyre parimeve, ne do të jemi me ju ...", tha ai.

Zoti Baker njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t'i jepnin Shqipërisë 6 milionë dollarë ndihma humanitare. Mundësinë e ndihmave të tjera ai e përmendi si një stimul për të nxitur ndryshime thelbësore, që përfshinin hapa konkretë për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të ekonomisë së tregut. Ndërsa reagimi për vizitën e zotit Baker ishte kryekëput pozitiv, shumë shqiptarë mbetën të zhgënjyer që Sekretari i Shtetit nuk kishte ardhur me një Plan Marshall për Shqipërinë.

Ndoshta ishte e pritshme, që për shkak të gjëndjes së mjerueshme të vendit të tyre, shqiptarët të kishin shpresa jo-realiste për atë që mund të bënte Amerika për vendin e tyre. Megjithëse zoti Baker dhe zyrtarë të tjerë amerikanë ishin përpjekur të krijonin një ndjenjë realiste dhe t'i mbanin shpresat e shqiptarëve të ulta, udhëheqësit e opozitës kishin përhapur mesazhe ngadhnjyese shprese dhe premtimesh për ndihma nga Shtetet e Bashkuara, duke i ngritur këshu më lart shpresat e shqiptarëve.

Komunistët, që e ndjenë veten të fyer nga mbështetja e hapur e zotit Baker për opozitën, filluan një fushatë të bashkërenduar mirë për të minimizuar rezultatet e vizitës. Ata theksuan atë që e karakterizuan si një sasi e vogël ndihmash e dhënë nga Shtetet e Bashkuara, duke e krahasuar me ndihmat që kishin një vlerë më të madhe të ofruara nga Italia. Ky qëndrim i tyre u pasqyrua ndoshta më së miri në titullin e gazetës Zëri i Popullit: "Gjashtë milionë dollarë për tre milionë shqiptarë".

Zoti Baker u prek dukshëm nga mikpritja. Sipas një prej ndihmësve të tij kryesorë, në aeroplan, duke u kthyer nga Tirana, zoti Baker dha urdhër për zbatimin e disa programeve të reja, "si dhe udhëzimin se ai nuk do të toleronte asnjë vonesë në zbatimin e tyre". (Hutchins, p. 266)

Pas vizitës së zotit Baker, Shtetet e Bashkuara filluan një sërë programesh të reja ndihmash që u zbatuan gjatë periudhës para zgjedhjeve të marsit të vitit 1992. Programet kishin si synim krijimin e një procesi të qëndrueshëm demokratizimi: forcimin e parlamentit dhe krijimin e paanshmërisë në funksionimin e sistemit politik; nxitjen e kulturës demokratike; ndihmë për zhvillimin e partive politike, programe për teknikat zgjedhore dhe mënyrën se si funksionojnë zgjedhjet demokratike; eksperte për hartimin e kushtetutës dhe ndihmë teknike per krijimin e një sistemi ligjor funksional pas-komunist; si dhe ndihmë për shtypin e lirë. Uashingtoni dërgoi një mision ekspertesh ekonomike për të vlerësuar nevojat e Shqipërisë dhe për të ndihmuar autoritetet për të hartuar një strategji rimëkëmbjeje ekonomike. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara mobilizuan mbështetje ndërkombëtare dhe luajtën rol kryesor që Shqipëria të anëtarësohej në FMN dhe në Bankën Botërore.

Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë në tetor të vitit 1991, përfaqësonte një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe. Grupi i vogël i diplomatëve amerikanë, i udhëhequr nga Ambasadori William Ryerson dhe zëvendësi i tij Chris Hill, luajtën një rol të jashtëzakonshëm për të nxitur procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe për të ndihmuar Shqipërinë të hartonte një plan tranzicioni. Ndërsa vazhdonin kontaktet me Presidentin Alia dhe zyrtarë të tjerë drejtues komunistë, diplomatët amerikanë i përqëndruan veprimtarite e tyre për të ndihmuar opozitën e brishtë demokratike. Zoti Baker, në takimin me përfaqësuesit e opozitës gjatë vizitës së qershorit në Tiranë, u kishte bërë atyre thirrje të hapur të bashkoheshin për të fituar ndaj komunistëve në zgjedhjet e ardhshme. Diplomatët amerikanë, si dhe përfaqësuesit e Institutit Ndërkombëtar Republikan, ish-ligjevenesi Jack Buchner dhe Mary Catherine Andrews, dhe perfaqesuesi i Institutit Kombëtar Demokratik, Thomas Melia, e ndihmuan opozitën të hartonte një strategji koherente për të larguar komunistët nga pushteti, duke u dhënë ndihma para-elektorale, trejnime partiake dhe ndihmë teknike. Po ashtu ata punuan për të forcuar bashkëpunimin mes radhëve të opozitës, pajtimin e fraksioneve, grupeve dhe partive.

Para zgjedhjeve të marsit 1992, Zëri i Amerikës i përforcoi transmetimet në shqip. Ndërsa Zëri i Amerikës bëri përpjekje të mëdha për të pasqyruar pikëpamjet e gjithë spektrit politik, raportimet e tij ishin kritike për regjimin komunist dhe miqësore ndaj forcave të opozitës. Ndërsa komunistët kontrollonin dhe manipulonin shtypin, Zëri i Amerikës bëri përpjekje të mëdha për të ofruar mbulim për forcat opozitare, duke u bërë në një farë mënyre zëri i opozitës demokratike.

Vizioni i Amerikës për Shqipërinë ishte ai i një vendi me nje sistem pluralist që respekton plotësisht normat demokratike. Ekzistonte një mendim i përgjithshëm se vetëm një transferim i shpejtë pushteti tek një qeveri pas-komuniste do ta fuste Shqipërinë në rrugën e tranzicionit demokratik dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Fitorja e demokratëve në mars të vitit 1992, shenoi fundin e makthit të gjatë komunist të Shqipërisë, si dhe fillimin e një marrëdhënieje të re, strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Gjatë 20 vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shërbyer si faktori më i rëndësishëm i jashtëm për nxitjen e demokracise dhe mirëqënies ekonomike të Shqipërisë. Amerika po ashtu ka qënë forca kryesore nxitëse për pavarësinë e Kosovës dhe pranimin e Shqipërisë në NATO dhe një mbështetëse e madhe e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria, nga ana e saj, është bërë një aleate e fuqishme e Shteteve të Bashkuara. Tirana u ka dhënë mbështetje të madhe politikave të Shteteve të Bashkuara për nxitjen e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Në fillim të viteve '90, shumica e vëzhguesve të huaj, përfshirë edhe mua, ishim më shumë idealistë se sa realistë, kur ishte fjala për të ardhmen e demokratizimit të Shqipërisë. Nuk ka asnjë dyshim se që atëhere Shqipëria ka përjetuar transformime të thella dhe ka shënuar përparime të mëdha drejt ndërtimit të një demokracie proceduriale funksionuese si dhe institucionalizimit të lirive demokratike. Roli i Tiranës në rajon është ngritur, duke e bërë Shqipërinë gjithnjë e më shumë një lojtar rajonal konstruktiv.

Megjithatë, dy dekada pas rënies së komunizmit dhe pas një sërë zgjedhjesh parlamentare, Shqipëria e gjen veten sot në mes të një tranzicioni të nderlikuar. Ka shumë gjera që janë të parealizuara dhe të brishta kur flitet për cilësinë e demokracisë së saj. Qendrueshmeria dhe demokracia e Shqipërisë vazhdojnë të minohen nga konkurenca e ashpër mes dy forcave më të mëdha politke të vendit dhe paaftësia e tyre për të respektuar rregullat e lojës demokratike, si dhe nga sfidat e mëdha sociale dhe ekonomike që vendi ka përballë.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë investime të mëdha politike dhe ekonomike drejt zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Por megjithë angazhimin e palëkundur te Amerikes, është e qartë se suksesi dhe zhvillimi i Shqipërisë në të ardhmen do të varen nga aftësia dhe gadishmëria e udhëheqësve të saj politikë për të lënë mënjanë interesat e tyre të ngushta dhe per te bashkepunuar. Në fund të fundit, janë udhëheqësit e Shqipërisë që duhet të marin përsipër përgjegjësinë për zgjidhjen e sfidave të mëdha dhe pasigurive të shumta me të cilat ndeshet vendi i tyre.

Këto janë kohë që kërkojnë udhëheqje të madhe dhe një ide të qartë se ku po shkohet.

Unë jam optimist se udhëheqësit e Shqipërisë do të ngrihen në lartësinë e detyrës.

Ju faleminderit

(Shënim: Ky është fjalimi në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Tiranë, 6 tetor, 2011)

ELEZ BIBERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NOBELI PËR PAQE IU JEPET TRI GRAVEJanë dy liberiane dhe një jemenite (10.07.2011)
FRANCA I KËRKON BEOGRADIT VAZHDIMIN E DIALOGUT TEKNIK (10.07.2011)
ANALISTËT NUK SHOHIN NË HORIZONT ZGJIDHJE TË MUNDSHME PËR VERIUN (10.07.2011)
U NDA NGA JETA RAMIZ ALIA, ISHTE DIKTATORI I FUNDIT I SHQIPËRISË (10.07.2011)
MARRËDHËNIET E ARDHSHME SHQIPTARO-AMERIKANE NËN DRITËN E SË KALUARËS (10.06.2011)
NATO MËTON NDËRKOMBËTARIZIMIN E SË ARDHMES POLITIKE TË VERIUT TË KOSOVËS (10.06.2011)
EULEX: VENDOSET MASA E PARABURGIMIT PËR TË ARRESTUARIT E DJESHËM (10.06.2011)
BARACK OBAMA: "BOTA HUMBI NJË VIZIONAR – STEVE JOBS IDENTIFIKOHEJ ME GJENIALITETIN E SHPIRTIT AMERIKAN" (10.06.2011)
VETËVENDOSJA NË AKSION, E RROTULLON EDHE NJË KAMION ME MALLRA SERBE (10.06.2011)
POETI SUEDEZ TOMAS TRANSTRÖMER FITON ÇMIMIN NOBEL PËR LETËRSINga autori sjellim ndërkohë poezinë "Faqe nga libri nator" (10.06.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]