E Hënë, 05.06.2024, 05:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
Gazeta Shqiptare, SHKËLZEN MALIQI - TE EDI RAMA MË ÇOI BATON HAXHIU (Intervista e plotë)

E Shtunë, 09.07.2013, 06:34am (GMT+1)



TIRANË - I emëruar këshilltar i kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi vjen në një intervistë në "Gazeta Shqiptare" për punën e re. Ai rrëfen se si duhet të jenë marrëdhëniet me Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë dhe si duhet t'iu përgjigjemi sjelljeve e pretendimeve të tyre. Maliqi, pranon të hedhë dritë mbi akuzat e bëra ndaj tij për luftën në Kosovë apo lidhjet me Serbinë, por tregon përpos njohjes me Ramën në vitet '90, edhe polemikat e përplasjet me Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin, Mero Bazen e televizionin "Klan". 

Zoti Maliqi, që prej "˜emërimit' tuaj si këshilltar i kryeministrit Rama, janë ngjallur debate pa fund. Kush janë për ju: Prof.Aurel Plasari dhe Mero Baze?
Me Aurelin kam zhvilluar një polemikë para 18 vitesh. E pata kritikuar pikëpamjen e tij mbi "rishfaqjen e Vijës së Theodosit" (imperatori që e ndau Perandorinë romake në dy pjesë), që ai e shihte si fatalitet që edhe sot i ndanë tokat dhe kokat shqiptare. Polemika ishte akademike, por edhe rreth rrënjëve evropiane të shqiptarëve. Koncepti i Aurelit ishte përjashtues, mendonte se vetëm katolikët dhe protestantët janë evropianë me rrënjë. Unë isha për qasje përfshirëse, se ideja e Evropës nuk i përjashton ortodoksët dhe myslimanët. Aurelit si duket edhe sot i ka mbetur hatri pse ideja e tij mbi Kosovën "matanë vijës së Theodosit", ose jashtë Evropës dhe Perëndimit, nuk doli e saktë dhe vazhdon të më konsiderojë anti-evropian. Sa i përket Meros nuk kemi pasur ndonjë sherr, por as afërsi. Në vitet '90 ai ka punuar për mediat kosovare që kanë shpifur ose ekzagjeruar argumentet kundër meje, ato që përmenden edhe sot (babai komunist i nomenklaturës titiste, pro-serb sepse kam studiuar në Beograd etj. Mero më së shumti reagoi pse Rama angazhoi dike që për televizionin "Klan" dhe Sali Berishën realizoi sondazhet, që në vitin 2005 dolën të sakta, e më 2009 e 2011 tejkaluan marzhën e gabimit në parashikim. 

Ju e keni sqaruar tashmë etiketimin tuaj si "dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë", megjithatë, do të ishte mirë të na thoshit pse nuk jeni i tillë. A mund të na thoni disa veprime/vendime tuajat që tregojnë të kundërtën?
Nuk kam unë si të sqarohem për këtë, ai që akuzon duhet t'i ketë provat. Mund të kërkoni emrin tim ose të shihni blogun tim (http://shkelzenmaliqi.wordpress.com) ku kam postuar një pjesë të artikujve dhe intervistave, prej disa mijëra sosh, si dhe librat e mi në shqip dhe anglisht. Një libër, intervistë e gjatë e Baton Haxhiut me mua është botuar në Tiranë më 2011 nga UET, me titull "Shkëlzen Maliqi: Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera" dhe mund të shkarkohet edhe nga interneti. Aty janë të gjitha sqarimet. 

Kur jeni "˜pajtuar' me Ramën pas sondazheve të "Gani Bobit"? Ka të bëjë vetëm me sondazhet pas të cilave ai u bind që duhej të bashkohej me LSI, apo ka diçka më shumë se kjo?
Shikoni, ne që bëjmë sondazhe i analizojmë hollësisht edhe dështimet dhe dobësitë e tyre. Kanë hequr edhe më keq agjencitë me famë botërore, dhe kanë marrë mësime, kanë kërkuar ku ka qenë lëshimi. Duke bërë një seri sondazhesh në Shqipëri, mbi 15 në kohëra të ndryshme, e kemi vërejtur se në sondazhet ku kampioni është tërë Shqipëria marzhi i gabimit ka qenë gjithnjë më i vogël se kur kemi bërë sondazhe vetëm me kampionet e Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Dhe kemi konkluduar se në Shqipërinë e mesme problem është sinqeriteti i respondentëve nga viti 2008. Një shtresë e tyre e kishte frikë deklarimin e preferencës politike. Identifikuam se këta janë punonjësit në administratë dhe institucionet publike që votojnë PS-në dhe kanë frikë se pushteti po i kontrollon me sondazhe dhe se kjo ua rrezikon vendet e punës. Me televizionin "Klan" u ndava keq në vitin 2011, sepse nuk pranoi publikimin e parashikimit të korrigjuar, ku gara mes Ramës dhe Bashës tregohej e nivelizuar, por u insistua që me grafika ta nxjerrim si fitues Bashën me përparësi bindëse. Unë kam menduar se do të jetë e mjaftueshme nëse e them gojarisht korrigjimin, se kampioni është i devijuar dhe duhet pritur garë shumë e ngushtë, ose edhe e përmbysur në favor të Ramës, çka edhe doli pas numërimit të parë. Kjo është e regjistruar në emisionin e Blendi Fevziut, mund të verifikohet lehtë. Por, të gjithë u kapën për grafikët e parashikimit të devijuar.
Një tjetër konkludim që kemi nxjerrë nga sondazhet ka qenë se e majta e ribashkuar ka potencialisht më shumë votues se sa e djathta e bashkuar. Këtë storie e kishte dëgjuar Edi Rama dhe e porositi një sondazh të freskët në vjeshtë të vitit 2011, jo nga Instituti "˜Gani Bobi', por me angazhimin e stafit të këtij instituti dhe nën drejtimin tim, ku e testuam edhe idenë se si do të pritej nga elektorati ribërja e koalicionit të PS-së me LSI-në. Mësimi ishte se kjo mund dhe duhet të ndodhë. Tjetri mësim ishte se Shqipëria tregohej e lodhur nga konfliktualiteti dhe se edhe një pjese të votuesve të djathtë po u dilte qejfit Berisha. Kjo është historia e rastit, e mësimeve nga gabimet, dhe s'ka asnjë të fshehur tjetër. 

Keni deklaruar se me Ramën keni miqësi të hershme. Cilët janë miqtë tuaj të përbashkët?
Në vitet '90 kam qenë më i afërt me një grup intelektualësh rreth fondacionit "Soros" në Shqipëri, një kohë ata na u bashkuan në nxjerrjen e shtatë numrave të revistës MM që e botonim në Prishtinë. Është projekt i parë i tillë i përbashkët, në kushtet e vështira, kur i patëm kontrabanduar 500 ekzemplarë të revistës me varka nga ana e Liqenit të Shkodrës, ose i bartnim në sasi më të vogla përmes Maqedonisë me valixhe personale, për ta distribuuar në Shqipëri. Kurse miqësi më të ngushtë kisha me Ramën dhe Fatos Lubonjën, kur edhe ata të dy ishin të afërt. Vetëm se kur Rama filloi karrierën politike Lubonja nuk e priti mirë "ndryshimin" dhe "përshtatjen" e Ramës me ambicien politike, që atij i dukeshin si "tradhti" e idealeve të aktivistit të shoqërisë civile. Me Lubonjën në atë kohë pata zhvilluar polemikë private përmes postës elektronike, ku unë e arsyetoja Ramën, kurse ai e kritikonte gjithnjë e më ashpër. Rama atëherë perceptohej si "parashutist" në politikë, një si kalorës i vetmuar që nuk mund të bëhet lider me përkrahje të gjerë. Ishte atipik, individualist, me shije të veçantë, cinik, por me një karizëm të një njeriu që ka vizion dhe sheh më larg dhe e bën ndryshimin. Ai kishte ide largpamëse edhe si ministër i Kulturës, por shkëlqeu si kryebashkiak, duke e transformuar Tiranën në mënyrën që nuk ia gjen krahasimin. Nuk ka qenë vetëm pastrim dhe pikturim fasadash i një çorodie dhe shëmtie të anarkisë që kërcënonte me urbanicid, por injektim i frymës së re që Ramën e bëri të pëlqyer dhe popullarizuar, shpresë e të gjithë atyre që ishin të lodhur nga konfliktualiteti i binomit Sali Berisha Fatos Nano... Rama i dha tranzicionit shqiptar një dimension të kreativitetit në politikë që hapte rrugët përtej karakterologjisë së politikanëve të tranzicionit që edhe ish-enveristët edhe anti-enveristët i shndërroi në kreatura pragmatiste dhe llomotiste, në neo-bizantinë që ushqehen vetëm me teori komploti dhe intriga, dhe mbahen në pushtet dhe opozitë jo me programe konkrete, por duke akuzuar dhe sulmuar tjetrin. Ky ishte binomi Berisha-Nano. Rama, edhe me mjete të politikës bizantine, sepse ndryshe s'do të realizohej, e mundi Nanon dhe tani edhe Berishën. Sot Rama promovon një program dhe ekip krejtësisht të ri. Kjo e ka rrezikun e vet, kafshët politike bizantine nuk e kuptojnë, por është përpjekje legjitime dhe me sharmin e ribërjes së skenës politike, gjë që duhet të reflektohet edhe nga demokratët e Bashës, nëse marrin mësime nga humbja e thellë e 23 qershorit. 

Si janë raportet tuaja me të djathtën tani që ju u pozicionuat majtas? Keni pasur kontakte me emra të së djathtës dhe me shefin e ri të opozitës?
Me orientim politik unë jam më afër demokracisë sociale, kam qenë edhe themelues i një partie të këtij orientimi në Kosovë në vitet '90, edhe anëtar i Kuvendit të Kosovës që nuk u themelua kurrë, derisa nuk ua delegova të tjerëve vullnetarisht postin e kryetarit. Pas luftës kam qenë një herë në listën e Partisë Reformiste Ora, me Veton Surrojin, që ishte si një aleancë qytetare e parapaguar për dështim sepse injoroi elektoratin. Mendoj se në hapësirat shqiptare nuk ka parti të majta dhe të djathta, por një lëmsh që duhet reflektuar mirë dhe ribërë skenat politike. Unë shkruaj komente politike çdo jave sipas bindjes dhe jo me porosi. Sa i përket pjesës së pyetjes nëse kam pasur kontakte me Berishën apo Bashën, përgjigja është Jo. Asnjëherë nuk kam kontaktuar me ta, dhe këto kanë qenë takime të pakta, mbi bazat e ndonjë afrie ideologjike. Kam bërë sondazhe edhe për ta si për Metën dhe i kam prezantuar rezultatet. Asgjë më shumë. Ka qenë si puna e avokatit me klientin. 

Si ju erdhi propozimi i Ramës?
Ishte një konsultë paraprake e ndërmjetësuar nga Baton Haxhiu nëse do të pranoja një detyrë të tillë. Pastaj Rama erdhi në Prishtinë dhe folëm për modalitetet parimore. Procedurë normale. 

Çfarë keni marrë përsipër të bëni, çfarë do të synoni me detyrën tuaj?
Kryeministri Rama e ka si njërin nga prioritetet zhvillimin e raporteve sa më të mira me rajonin, dhe këtë në korrelacion dhe funksion të intensifikimit dhe të thellimit të marrëdhënieve me Kosovën... Detyra ime do të jetë që ta këshilloj për këto prioritete. 

Në Tiranë është folur për një kundërshti tuajën mbi sulmin e NATO-s në Serbi më 1998. Cili ka qenë qëndrimi juaj për këtë ndërhyrje dhe a e shihni njësoj edhe sot?
Është gënjeshtër se e kam kundërshtuar bombardimin e Serbisë në vitin 1998. Unë kam menduar se Serbia është dashur të bombardohet edhe gjatë luftës në Bosnje, pasi ka qenë agresion i komanduar nga Beogradi. Ajo që më veshët si mëkat nga kjo periudhë mbase ka lidhje me keqinterpretimin e drojës që e kam shfaqur në një debat televiziv dhe shkrimet e asaj kohe, nëse UÇK-ja do të mund ta fitonte luftën frontale me forcat superiore të Serbisë. Në atë kohë intervenimi i NATO-s nuk ishte opsion i sigurtë dhe droja që do të përfundonim si Bosnja ishte reflektim legjitim sepse popullsia civile në Kosovë pësonte shumë nga strategjia e hakmarrjes masive nga soldateska serbe (toka e djegur!). Sikur që sot Perëndimi heziton që të intervenojë në Siri, ka pasur edhe atëherë hezitime te disa vende të NATO-s për intervenim ndaj Serbisë sikundër edhe sot kemi vende anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. 

Cilat duhet të jenë raportet e Shqipërisë me Serbinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë?
Duhet të jenë raporte fqinjësore sa më të mira edhe për arsye se në këto shtete jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh.
Shqipëria dhe Greqia janë "˜përplasur' së fundmi për çështjen e kishës në Përmet. Por, kjo nuk është as e para, as e fundit herë, kemi parasysh këtu edhe çështjen e toponimeve greke në pasaporta. Pezull mbi marrëdhëniet mes dy shteteve është edhe e ashtuquajtura 
marrëveshje e detit. 

Cilat duhet të jenë lëvizjet e qeverisë së re me fqinjin jugor?
Sipas mendimit tim qeveria e re nuk duhet t'i lërë më këto çështje, por t'i zgjidhë ato me bisedime. Nuk janë çështje që nuk mund të zgjidhen. Dhe nuk i shoh si përplasje shtetesh, por si provokime që vijnë nga forcat ekstreme që kërkojnë jo zgjidhje, por sherre. 

Si e shihni ju sot çështjen çame, cila do ishte zgjidhja për të?
Gjëja e parë që duhet të zgjidhet është lejimi i çamëve që të lëvizin lirshëm dhe të rikthejnë në posedim pronat e tyre. Është absurde që Greqia ende i mban ligjet e një lufte që ka mbaruar para 60 vitesh. Pastaj, duhet biseduar pa komplekse për standardizimin e të drejtave të minoriteteve nga dy anët, por jo për lëvizje kufijsh dhe përvetësime të kishave dhe besimtarëve ortodoks. Kisha ortodokse shqiptare është autoqefale, dhe nëse duhet të ketë kisha greke në Shqipëri, atëherë le të ketë edhe kisha ortodokse dhe xhami për shqiptarët në Greqi. Janë gjëra që zgjidhen kur ekziston vullneti dhe respektohen parimet, por e keqja është se provokohemi nga ekstremët luftënxitës. 

Çfarë do të këshillonit për qëndrimin e Shqipërisë mbi Luginën e Preshevës e të drejtat e shqiptarëve duke marrë shkas nga incidentet që ka pasur atje?
Edhe këtu duhet të aplikohet parimi se ç'ka përfitojnë serbët në Kosovë nga ligjet e avancuara që i kemi në Kushtetutë, duhet t'i kenë shqiptarët e Luginës në Serbi. Përndryshe bëjmë dallime raciste, që serbëve edhe kur janë pakicë u jepen të drejta ekskluzive, kurse shqiptarët duhet të kënaqen me ato pak që u ofron Beogradi. 

I njëjti problem është edhe në Maqedoni sa u takon marrëdhënieve të shqiptarëve me shtetin maqedonas dhe të drejtave të tyre... Si mund të ndihmohen ata?
Në Maqedoni ekziston një marrëveshje historike e Ohrit që nuk është jetësuar deri në fund. Kusht i stabilitetit të Maqedonisë është që kjo marrëveshje të realizohet dhe nëse shfaqet nevoja edhe të avancohet mbi parimet që fuqizojnë barazinë. 

Si këshilltar i kryeministrit që do qeverisë Shqipërinë, por që duhet të mbrojë edhe interesat e shqiptarëve përreth Shqipërisë, cilat duhet të jetë sipas jush politikat që duhet të ndjekë Tirana zyrtare, që të mos konsiderohet më si puthadorase ndaj shteteve të tjera?
Tirana zyrtare gjithnjë ka qenë konstruktive në raport me fqinjët duke mos eksportuar ekstremizëm ose shfaqur pretendime territoriale ndaj shteteve përreth. Kjo duhet të mbetet, por jo me çmimin që përmendet ju, duke e ulur kokën para shantazhimeve. Politikat parimore, reciprociteti dhe sinqeriteti janë parakushtet për mbarëvajtjen e marrëdhënieve me shtetet fqinje. Aq më parë që këto shtete duhet të binden që të mos e kenë dronë nga funksionalizmi i hapësirës kulturore shqiptare në rajon, që po bëhet realitet. Po kështu, mendoj se edhe aksioni i nënshkrimit të peticionit për anulimin e Konferencës së Londrës që e ka nisur Koço Danaj nuk është diçka që mund të kthejë në jetë Shqipërinë natyrale. Secili ka të drejtë të shkruajë peticione, por është iluzion që të përkrahet revizioni i Londrës, sepse kjo do të hapte rrugën edhe për revizione të tjera të traktateve dhe konferencave të padrejta gjë që politikën ndërkombëtare do ta kthente sërish në një lëmsh dhe fushë të minuar. 

Ju do të zhvendoseni në Tiranë me marrjen e detyrës?
Po, patjetër.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NISMA 'VEPRO TANI' - SHPALLET FITUESI (09.06.2013)
RAMA - JO NEPOTIZËM E RYSHFETE PËR VENDE PUNEKryeministri i ardhshëm paralajmëron: Nuk preket kush ka shërbyer me profesionalizëm. Jashtë besnikët e pushtetit. Dhe premton se nuk do bëjë gabimet e së djathtës (09.06.2013)
TË HËNËN NË ORËN 18. 00 - SEANCA E PARË E LEGJISLATURËS SË RE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË (09.06.2013)
MAQEDONI - STATUSI I GJUHËS SHQIPE ËSHTË I PAPËRCAKTUAR QARTË NË KUSHTETUTËN E VENDIT (09.06.2013)
RAMA DHE THAÇI - NË NËNTOR MBLEDHIM NË PRIZREN 2 QEVERITË TONA, BASHKIMI I SHQIPTARËVE NËN QIELLIN E BASHKIMIT EVROPIANTHAÇI - ROLI I METËS PËR LIRINË E KOSOVËS I ÇMUESHËM, I JEMI MIRËNJOHËS (09.06.2013)
Josipoviç - Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – SerbiIVO JOSIPOVIÇ - FALËNDEROJMË SHUMË SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KONTRIBUAN E KONTRIBUOJNË PËR PAVARËSINË DHE ZHVILLIMIN E KROACISË (09.06.2013)
PRESIDENTI KROAT IVO JOSIPOVIÇ E FILLON VIZITËN NË KOSOVË (09.06.2013)
NJË DEKADË NGA LUMTURIMI I NËNË TEREZËS - PRISHTINA PËRKUJTON BIJËN SHQIPTARE, NËNËN E NJERËZIMIT (09.06.2013)
SHQIPËRI - KANCERI, DIABETI DHE SËMUNDJET E ZEMRËS NË FOKUSIN E NJË STUDIMI TË BANKËS BOTËRORE (09.06.2013)
PRESIDENTI NISHANI - ZGJEDHJET ISHIN DEMOKRATIKE, E DEKRETOJ SHPEJT QEVERINË E RE (09.06.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]