JAMES HOOPER -RAPORTI I WILLIAMSON KA TË BËJË ME TË ARDHMEN E KOSOVËS - HOOPER - KY RAST NUK E ERRËSON IMAZHIN E UÇK
E Enjte, 07.31.2014, 10:41am (GMT+1)
JAMES HOOPER - RAPORTI I Z WILLIAMSON KA TË BËJË ME TË ARDHMEN E KOSOVËS (Intervistë) Hooper
- Ky rast nuk e errëson imazhin e UÇK, por ka të bëjë me disa që e
përdorën pozitën e tyre për të fituar pushtet politik pas luftës
Në
një intervistë për Zërin e Amerikës, ish diplomati James Hooper,
ekspert i çështjeve të Ballkanit, tha se raporti i Kryeprokurorit
amerikan Clint Williamson ka të bëjë më tepër me të ardhmen e Kosovës se
sa me të shkuarën e saj. Zoti Hooper, Drejtor menaxhues i Grupit për
Ligjin dhe Politikën Ndërkombëtare, me qendër në Uashington, i tha
kolegut tone Ilir Ikonomi se ky rast nuk e errëson imazhin e UÇK-së, por
ka të bëjë me disa individë të veçantë, të cilët përdorën pozitën e
tyre për të fituar pushtet politik pas luftës.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, çfarë ju ra më shumë në sy tek raporti i kryeprokurorit Clint Williamson?
James
Hooper: Disa gjëra janë me shumë rëndësi lidhur me këtë raport. Së
pari, megjithëse ky raport flet për të shkuarën e Kosovës në periudhën
menjëherë pas luftës, ai në të vërtetë ka të bëjë me të ardhmen e saj,
pra, nëse Kosova do të jetë një vend ku shteti i së drejtës merret
seriozisht, është i fortë dhe gëzon respektin e popullit, apo, siç
përmendet edhe në raport, një grup i vogël njerëzish i manipulojnë
gjërat padrejtësisht për të përjetësuar pushtetin e tyre dhe për të
patur avantazhe financiare.
Zëri i Amerikës: Pra, ky është mesazhi më i gjerë i këtij raporti?
James
Hooper: Po. Diçka së cilës raporti i referohet me forcë janë problemet e
tanishme, për shembull, problemet e frikësimit të dëshmitarëve, që janë
krijuar nga njerëzit ndaj të cilëve me shumë gjasë do të ngrihet padi.
Siç thotë edhe zoti Williamson, këta njerëz vazhdojnë të zbatojnë një
program të frikësimit të dëshmitarëve, duke e penguar drejtësinë në
Kosovë. Ka rëndësi që kjo të kuptohet. Më lejoni të flas pak se si lindi
nevoja e këtij hetimi. Senatori zviceran Dick Marty, kërkoi se që të
bëhej një hetim serioz. Ai nuk kishte besim te kolegët e tij prokurorë
evropianë përsa i përket dëshmive, pasi kishte frikë se dëshmitë do të
nxirreshin e do t'i jepeshin medias. Ai nguli këmbë që provat më
sensitive t'i jepeshin vetëm një prokurori amerikan. Për mendimin tim,
pikërisht për këtë arsye u caktua një prokuror amerikan dhe jo një
evropian. Kjo në vetvete përbën diçka të pazakontë.
Zëri i
Amerikës: Zoti Hooper, në Kosovë ka patur aludime se duke ndërmarrë një
hetim të tillë, është përmbysur balanca me krimet e kryera nga serbët
gjatë luftës. Natyrisht, një pjesë e atyre krimeve janë gjykuar nga
Gjykata e Hagës, por a mendoni se kemi të bëjmë me një mungesë
drejtpeshimi?
James Hooper: Së pari, në rastin e tanishëm kemi të
bëjmë me periudhën e pasluftës, pra pasi lufta kishte mbaruar në mes të
qershorit 1999. Gjykata e Hagës u përqendrua te krimet e kryera gjatë
dhe para luftës. Pra kemi të bëjmë me dy periudha të ndryshme.
Ambasadori Williamson, që është prokurori i posaçëm, është njeri me
integritet të lartë. Ai e mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës, pra
ai nuk po e vë në dyshim pavarësinë e saj. Ky rast ka të bëjë me disa
individë të veçantë, të cilët përdorën pozitën e tyre për të marrë
pushtet politik pas luftës dhe për të kërkuar përfitime politike nga ky
pushtet. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë me aftësinë e Kosovës për të
qenë shtet i pavarur, sepse kjo tashmë është vendosur. Ajo ka të bëjë me
aftësinë e shtetit të ri për të qenë një vend ku respektohet sundimi i
ligjit. Unë e lexova me shumë kujdes çdo fjalë të raportit dhe ai i
referohet me shumë forcë çështjes së frikësimit të dëshmitarëve si diçka
që vazhdon edhe sot. Kjo është e njohur gjerësisht mes kosovarëve dhe
është diçka me të cilën ata duhet të përballen. Mendoj se elementët e
mirë të shoqërisë kosovare janë të gatshëm të përballen me këtë problem.
Ai ve në dukje, për shembull, se Presidentja Jahjaga e ka përkrahur me
forcë hetimin e tij qysh në fillim. Dhe më bëri shumë përshtypje që
prokurori e përmend këtë.
Zëri i Amerikës: Por, a mendoni se ky
raport e errëson disi imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe
bashkë me të edhe imazhin e luftës që bëri populli i Kosovës?
James
Hooper: Jo, nuk mendoj se e errëson imazhin e UÇK-së. Mendoj se imazhi
i UÇK-së është ai i një force luftuese pararojë të popullit të Kosovës.
Janë aq shumë njerëz që luftuan në radhët e saj, të cilët nuk kryen
krime lufte, por luftuan me ndershmëri dhe janë krenarë për këtë. Ky
raport, me sa kuptova pasi e lexova atë, ka të bëjë me vendimin e disa
njerëzve për të përdorur pozitat që fituan gjatë luftës për të marrë
pushtet politik dhe përfitime financiare pas lufte. Madje ai e thotë
konkretisht se këtu nuk është në gjyq UÇK-ja. Dhe unë e besoj këtë. Unë
mendoj se populli i Kosovës është e nevojshme të kuptojë se disa nga
njerëzit ndaj të cilëve mund të ngrihen akuza nuk do ta pëlqejnë këtë.
Disa nga ish udhëheqësit e UÇK-së mund të përpiqen për të ruajtur emrin e
tyre bashkë me pushtetin që kanë duke bërë gjeste të ndryshme, për
shembull duke e mbështjellë veten me flamur. Por nuk besoj se këto do të
mbështeten nga populli i Kosovës. Fjala është për marrëdhëniet e
Kosovës me Evropën dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara. Qeveria amerikane
do të ngulë këmbë që drejtësisë t'i shkohet deri në fund. Do të ishte
me shumë rrezik për kosovarët nëse e keqkuptojnë rëndësinë që qeveria e
SHBA i vë krijimit të gjykatës së posaçme edhe pse votimi në parlament
mund të jetë i vështirë dhe të kërkojë sakrifica nga disa njerëz. Kjo
duhet bërë nëse Kosova dëshiron të ruajë marredhëniet e mira dhe të
ngushta të besimit me SHBA. Nëse ata dështojnë, kjo do t'i dëmtonte
rëndë marrëdhëniet.
WWW.VOAL-ONLINE.CH
|