Një fshat me mbi 95 për qind myslimanë ka kontribuar së bashku me
komunitetin katolik, pakicë, në ndërtimin e një kishe mbi themelet e
asaj të vjetrës.
Pas publikimit në Top Channel në shkurt të këtij viti, mediat
franceze, italiane, gjermane, amerikane, arabe, aziatike etj publikuan
këtë rast që simbolizon bashkëjetesën mes besimeve në Shqipëri, duke
bërë që sot Malbardha të gjendet në arkivat e disa ndër gazetave më të
mëdha të botës.
Me këtë rast, Ambasada Amerikane i ka akorduar për herë të parë një
fshati çmimin "Act Now" për bashkëjetesën shembullore fetare.
I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Henry Jardine i
dorëzoi çmimin e Kampionëve të "Vepro TANI!" për muajin shtator komunës
Malbardhë, për bashkëpunimin e tyre ndërfetar dhe iniciativën vullnetare
për të ndërtuar një vend besimi gjithëpërfshirës.
Ambasada Amerikane ka zgjedhur ditën e festës së Shën Mëhillit, festë
e krishtere e që festohet nga e gjithë zona. Në pritje kanë marrë
pjesë, veç zyrtarëve të Ambasadës së SHBA-ve, krerëve lokalë, edhe
përfaqësues të komunitetit mysliman e atij katolik të zonës.