E Premte, 04.26.2024, 03:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
TIRANË - FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA GJATË DORËZIMIT TË LEJËS PËR NDËRTIMIN E XHAMISË
E Premte, 11.28.2014, 10:27am (GMT+1)


Të dashur besimtarë myslimanë,

Historia kumton shpesh se "gjithçka lind në mistikë dhe përfundon në politikë" - do të thoshte në vitin 1910 një filozof i shquar.

Ditët e sotme provojnë në fakt diçka tjetër, sepse sot përfundon më në fund dhe përgjithmonë historia e tejzgjatur e pengimit politik të ëndrrës 20 vjeçare të besimtarëve myslimanë për të pasur Xhaminë e tyre të madhe, krahas besimtarëve katolikë dhe besimtarëve ortodoks që kanë tempujt e tyre qendrorë në zemër të Tiranës.

Kërkesa e Komunitetit Mysliman për të pasur një xhami të madhe ku besimtari të lutet pa qenë si në rrugë, në mëshirë të tekave të natyrës dhe ku të mos tregohet me gisht si zënës i një hapësire publike, ku i takon atij po aq sa dhe jo besimtarit, përkoi qysh në ditën e parë të detyrës sime si kryeministër, me vullnetin e plotë dhe të shpallur të qeverisë sonë për të garantuar dinjitetin dhe integritetin e lirisë së besimit për të gjitha komunitetet dhe me patjetër për ti dhënë fund një kalvari të stërzgjatur për komunitetin mysliman, lidhur me ëndrrën e penguar politikisht.

Përtej dy gurëve, me demek inaugural, rrokullisur nxitimthi në themelet e kësaj xhamie që sot çlirohet njëherë e përgjithmonë nga litarët e politikës, qysh në vitin 1993 si dhe përtej llamarinave që e rrethonin truallin e Namasgjasë sa herë që në horizont kishte zgjedhje politike, politika e la për dy dekada në mëshirë të fatit dhe në mes të rrugës lutjen e madhe të myslimanëve shqiptarë, në ditët e mëdha që ata i kushtohen bashkërisht Zotit.

Dua të jem shumë i qartë me ju dhe me të gjithë ata që sot na dëgjojnë. Ne u morëm shumë seriozisht me këtë çështje madhore të Komunitetit Mysliman, jo sepse e premtuam, as sepse e pamë këtë komunitet, siç është parë rëndom nga politika, si një depozitë e mundshme votash, por sepse ky ishte dhe mbeti deri sot, një detyrim etik dhe njerëzor i politikes, pa dallim partish, pa dallim bindjesh dhe kahesh për të bërë të mundur themelimin e këtij vendi kulti.

Durimi që kemi treguar e bën komunitetin tuaj një shembull bashkëpunimi për të gjitha bashkësitë fetare dhe jofetare. Gatishmëria për të bashkëpunuar, gatishmëri që unë e kam parë dhe unë e kam provuar qysh në krye të herës, atëherë kur si kryetar Bashkie i Tiranës, nuk i kisha mundësitë që kam sot si Kryeministër për ti dhënë drejtim problemit nga fillimi deri në fund, një gatishmëri pa u imponuar në asnjë moment, madje duke bërë tuajat dhe të gjitha sugjerimet e autoriteteve publike për një tempull dhe një qendër kulture vërtetë estetike dhe funksionale, nuk mund veçse të përshëndeten me mirënjohje dhe përulësi.

Ç'ka më ka lënë më shumë mbresa, - dhe dua të jem edhe këtu shumë i sinqertë, - është qetësia gati mistike me të cilën Selim Muça më parë, Skënder Bruçaj më pas dhe të gjithë Imamët rreth tyre, kanë zbutur qoftë dashakeqësit e radhës apo qoftë edhe dashamirët e ngutur dhe nuk kanë lejuar për asnjë çast që ngutja, padurimi, nganjëherë në të gjithë këto vite të vështira, edhe zemërimi i shumë besimtarëve, të kthehet si gur në duart e politikës që gjatë gjithë këtyre viteve ka provuar më shumë se një rast që është në gjendje të bëhet zuzare dhe të përdorë si gur për të qëlluar tjetrin, çdo ndjenjë dhe çdo zemëratë legjitime, qoftë dhe zemëratën në zemrën e një besimtari.

Shpirtërisht dhe njerëzisht ju keni përcjelle arsye, aty ku ndonjëherë është shfaqur vetëm pasion. Ju keni përcjellë vetëpërmbajtje, aty ku është shfaqur nganjëherë vetëm arrogancë. Ju keni sjellë melhem, ku në ndonjë rast kanë mbizotëruar dhimbjet e një plage të hapur për kaq e kaq vite me radhë.

Jemi sot këtu dhe më lejoni t'u them se jam krenar që në një kohë relativisht të shkurtër në detyrën tonë, i dhamë zgjidhje një problemi që qëndroi i hapur kaq gjatë. E kjo kohë, relativisht e shkurtër, provon se ky problem ka qëndruar kaq gjatë i hapur si shprehje e mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së seriozitetit dhe të përgjegjshmërisë qytetare të drejtuesve të këtij vendi, në raport me këtë komunitet, të cilin për fatin më të keq e kanë parë si një burim të ardhurash në vota, duke u munduar gjithnjë ta adresojnë zemëratën për mungesën e kësaj xhamie, tek kundërshtari.

Nga ana tjetër, sot unë jam, - ju them me plot gojën, - i lumtur sepse Zoti e desh dhe vullneti ynë e bëri të mundur që të mos kishim një xhami, ngjitur një pallati dhe një qendre tregtare. Por të kemi një xhami, pranë të cilës do të ngrihet më tej një Muze i bashkëjetesës fetare dhe Namasgjaja të jetë vendi i lutjes dhe jo vendi ku u rrezikua seriozisht të mbetej në sytë e të gjithëve monumenti më i shëmtuar i bashkëjetesës mes pasionit të pastër të besimtarit dhe prurjeve të zullumit të politikës. E sot i çelet rruga një projekti që nuk është një pallat me Xhami, por një Xhami pa pallat.

I jam mirënjohës Selim Muçës në fillim, Skënder Bruçajt më pas, që me shumë përkushtim kanë bashkëpunuar me ne dhe ndërmjet nesh ka qenë arkitekti i xhamisë për ta kthyer xhaminë në parametrat e duhur dhe për mos e lënë në rrugë të shtyrë deri në buzë të trotuarit dhe nga qendra tregtare që kishin zënë ballin e vendit, për ta vendosur në qendër të parkut të Namasgjasë dhe për ta rrethuar me gjelbërim, me pemë dhe me hapësira, duke e bërë jo një objekt kulti për një pjesë që do të bllokonte rrugën dhe do t'u zinte sytë pjesëve të tjera, por një mjedis që do t'u japë jo vetëm besimtarëve, por kryeqytetit tonë dhe komunitetit tonë si komunitet shumë fetar, dinjitet dhe vlerë të shtuar.

Ka qenë për mua, qysh në krye të herës, shumë e rëndësishme që xhamia e re të mos perceptohet si objekti i disave dhe si mish i huaj për të tjerët, por të perceptohet si një objekt i respektueshëm me të gjitha përmasat, edhe për katolikët, edhe për ortodoksët, edhe për qytetarët që nuk besojnë. Sepse xhamia e re do të jetë pjesë e qytetit tonë, e qytetit ku bashkëjetojnë jo në harmoni fetare, por siç e tha Papa Françesku në vëllazëri fetare, shqiptarët e gjeneratave të ndryshme, e origjinave të ndryshme dhe e besimeve të ndryshme.

U fol për haram, aty ku paqshëm nga dheu që s'i përket kujt në origjinë veç Zotit dhe njeriut të lirë, të vlerësohet jo një simbol përfitimi, por një simbol përshpirtjeje, shërbimi dhe pajtimi. Një xhami me qendrën e vet kulturore dhe me të gjitha hapësirat brenda saj që jam i bindur do ta bëjnë një objekt ku shumëkush do të kërkojë të vijë, në mos për t'u falur, për të marrë mësime të tjera, për të shijuar aktivitete të tjera kulturore, për të qenë pjesë e një jete kulturore, duke qenë që si objekt na jep edhe një hapësirë të re kulturore në kryeqytet.

Madje u trajtuan si qafirë besimtarët që dhanë ç'kishin për t'i besëlidhur lutjes së brezave dhe etjes për arsye për dialog dhe dashuri të vërtetë, një copë tokë nga ku të ngrihet një simbol unikal përdëllimi, një xhami dhe pranë një Muze i Bashkëjetesës Fetare, që mbyll kështu trekëndëshin e hapur mes Katedrales Katolike, Katedrales Ortodokse dhe boshllëkut të lënë për 20 e kusur vite, aty ku duhet të ishte edhe tempulli i tretë i këtyre tre besimeve të mëdha. Ndërkohë, që paralelisht ne do të përfundojmë edhe tempullin e madh, amanetin e Baba Reshatit të Bektashinjve, duke e plotësuar këtë konstelacion dhe duke fshirë nga trupi i kryeqytetit këtë plagë të hapur për kaq vite, që kaq shumë rëndoi në psikologjinë e komunitetit mysliman dhe kaq shumë herë u bë një shkëndijë e rrezikshme sherri, ndasie dhe urrejtje mes veti, thjesht dhe vetëm për arsyen e mosarsyes, politikës.

Sot, në një prezencë kaq domethënëse, të kaq klerikëve dhe të një populli besimtar që është aq i lidhur me fenë në Shqipëri, islame, apo të krishterë apo dhe në prezencë të çdo kureshtari që po na ndjek, dua ti sjell përpara, ndoshta jo me saktësinë e teologëve, syretin e 33-të të Librit tuaj të Shenjtë, ku flitet për konspiracionin e hipokritëve. "Ata që përbaltin besimtaret dhe besimtarët, krejt pa shkak, hipokritë dhe alarmistë që në zemër kanë hidhësinë, mbajnë mbi supe dhe haramin".

E pra, sot ne jemi këtu të gjithë sëbashku të vetëdijshëm se i hapim rrugë një mundësie të munguar për kaq shumë vite që nëpërmjet prezencës së këtij objekti, që është një objekt i ri kulti dhe arkitekture, në një kryeqytet që duhet të jetë gjithmonë e më shumë krenar si guri më i rëndë i xhevahirëve të kurorës së shqiptarëve për faktin se rrezaton vëllazërim fetar në rrugën e re.

E dua të nënvizoj se serioziteti dhe angazhimi juaj, por gatishmëria po ashtu e bënë qeverinë të ishte plotësisht partnere me ju, na dhanë mundësinë që sot të ndihemi të çliruar nga barra e madhe e një përgjegjësie se qeverisim një vend ku deri më sot, një komunitet i tërë besimtarësh është ndjerë i anashkaluar dhe i keqpërdorur.

Transparenca e realizimit të projektit, respektimi i së drejtës dhe mbi të gjithë i sensit të madh të drejtësisë në çdo hap të hedhur për të arritur deri këtu, na bën me të drejtë krenarë që nëpërmjet ndërtimit, që tani do të vazhdojë i papenguar deri kur të hapen dyert e këtij objekti kulti, do të mishërohen dy mesazhe madhore për ne dhe për botën mbarë, kur të hedhë sytë nga Shqipëria e vogël që e ruan dhe e çmon këtë thesar të madh të larmisë fetare.

Së pari, nëse laiciteti shfaqet sipas traditës së çdo vendi në forma dhe emërtime të gjithfarëllojshme, në Shqipëri emri tjetër i kësaj vlere është bashkëjetesa dhe përfarimi. Bashkëjetesë në vlera dhe përfarim në luftë kundër ekstremeve; bashkëjetesë njerëzore dhe përafrim në çdo nisëm dialogu, bashkëjetesë në kulturë dhe përafrim në çdo projekt për mirëqenien e njerëzve tanë, motra dhe vëllezër shqiptare dhe shqiptarë, pa dallim feje, krahine dhe ideje për arsimin, për shëndetësinë, për kujdesin ndaj më të dobëtëve dhe personave me aftësi të kufizuar, në kuadrin e asaj që sot është një vlerë e shtuar dhe e pavlerësuar e një komuniteti fetar, solidariteti me më të dobëtit, solidariteti që secili prej jush shfaq larg kamerave, larg zhurmave, larg vëmendjes ndaj çdo besimtari në nevojë, në nevojë për bukë, në nevojë për punë, në nevojë për kujdes shëndetësor, në nevojë për dorën e një vëllai të munguar, e një babai të humbur, e që është një vlerë e shtuar e të pasurit mes nesh kaq komunite fetare.

E dua të shtoj këtu, se bashkëjetesa njerëzore e përafrimi në çdo nisëm dialogu u mishëruan dhe dje në takimin mes krerëve të lartë të komuniteteve fetare, në atë që deri dje ishte një e fshehtë e madhe e regjimit të vjetër, pallati, bunkeri anti-bërthamor i Enver Hoxhës.

Së dyti, ndërtimi dhe këmbëngulja dhe vetëfinancimi i KMSH në kontekstin e një projekti me financime edhe ndërkombëtare të Muzeut të Bashkëjetesës pranë, që ne, qeveria e vendit do ta çojmë përpara dhe do ta konceptojmë dhe do ta realizojmë në bashkëpunim intensiv shpirtëror me të gjithë komunitetet fetare, nuk është siç mund ta mendojë dikush, një çmim për tu paguar për ndërtimin e Xhamisë, por është fryt i projektit.

Çfarë po ndodh sot me ne në Shqipëri, është prova që myslimanet dhe objektet e tyre të kultit, nuk janë jo në Shqipëri, po as në Europë, jo për Shqipërinë, por as për Evropën, problemi, por një nga çelësat e zgjidhjes.

Më shumë se jomyslimanët dhe Evropën e krishterë, i ashtuquajturi Kalifati Islamik dhe mikrobet e tjera të epidemisë antinjerëzore që kërcënon paqen, duke shpërdoruar vlerën islame, urren dhe lufton ata besimtarë dhe ato komunitete islame që e shpalosin lutjen e tyre në kungim njerëzor dhe vëllezërit e tyre të besimeve apo etnive të tjera.

Myslimanët që do të falen në këtë Xhami dhe të gjithë ata bashkëndjekës të Profetit ose jo, që do të jenë miq në këtë kompleks të ri kushtuar fesë, por kushtuar edhe kulturës, kushtuar besimit, por kushtuar edhe vëllazërisë fetare, do të kuptojnë më së miri atë fjalën e vjetër semitike që përcjellin libërshkruesit e ungjijve: "Në shtëpinë e madhe të Atit ka banesa të shumta". Do të kuptojnë gjithashtu se banesa e lutjes nuk është doemos dhe asesi banesa e obskurantizmit apo supersticionit, siç edhe rëndom është përshkruar me këmbëngulje për vite të tëra kur xhamitë dhe kishat u zhdukën nga faqja e dheut dhe ato që mbetën u kthyen në muzeume apo në pallate sporti, por është banesa e dijes, e racionalitetit, e cila ose shkon me besimin dhe dashurinë, ose kthehet në të tatëpjetën e shpirtit.

Në mos gaboj Profeti juaj ka thënë: "Ngrihuni dhe kërkojeni dijen deri në Kinë, nëse duhet". E pra, dija dhe përpjekja për dije është ajo përmasë tjetër që na bashkon në besimin se rruga e dijes nuk është vetëm rruga e mendjes, por është edhe rruga e shpirtit. Se në rrugën e dijes, mendja e ndarë nga shpirti mund të humbë rrugën apo më keq akoma, në rrugën e humbur mund ta kthejë dijen në një armë kundër shpirtit dhe në një armë kundër vetvetes.

Bashkëjetesa fetare dhe vetëqeverisja e komuniteteve fetare në koordinim dhe përafrim me shtetin, në shërbim të së mirës së përbashkët janë merita juaj dhe më lejoni ta them, se falë kësaj merite, sot janë dhe urtësia jonë.

Këtë dije, këtë dituri, këtë urtësi, ne sot ia ofrojmë edhe me më shumë kryeultësi rajonit tonë dhe me këtë fryme ne i ofrojmë sot Evropës, jo vetëm garancinë e sigurisë, por edhe bindjen se tek Islami autentik, parë nga vjetërsia dhe rrënjosja në tokë, Europa duhet të shohë urën e pazëvendësueshme të njohjes dhe të komunikimit me një partner integrues dhe konsolidues, siç janë shqiptarët.

Punimet që tanimë do të fillojnë dhe që prej tani në se shikoni që punimet vonohen, ja kush është përgjegjësi (Skënder Bruçaj), janë dëshmia se ky rajon nuk do të jetë kurrë i hapur, por do të jetë gjithmonë i mbyllur ndaj konflikteve fetare. E se përballë konflikteve fetare myslimanë, të krishterë, laikë, ose ateistë, shqiptarët janë të gjithë në front së bashku.

Xhamia që do të ndërtohet me vetëfinancim të Komunitetit Mysliman, Muzeu që do të ndërtohet me financime të siguruara nga qeveria do të japin një mesazh se luftërat midis feve, nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm luftërat midis injorancave. Luftërat midis besimtarëve nuk ekzistojnë, ekzistojnë vetëm luftërat midis injorantëve. E prandaj, për t'u mbrojtur të gjithë së bashku nga injorantët e për të mos lejuar që vrulli i injorantëve të përfshijë në luftë, në një luftë të çfarëdo forme, të një sherri të vogël apo të një konflikti të çfarëdo përmase besimi, ne së bashku do të vazhdojmë të punojmë krah për krah, që rruga e shpirtit dhe që rruga e mendjes të jenë të pandara dhe që shpirti dhe mendja në rrugën e tyre të kërkojnë dijen, dijen që ndriçon mendjen dhe mendjen që qëndron në ekuilibër falë dritës së shpirtit.

Me shumë përulësi për gjithë durimin tuaj heroik, përgjatë këtyre 20 e kusur viteve, por edhe për durimin tuaj këtu, në këto 30 e kusur minuta të fjalës sime, unë ju falënderoj dhe ju uroj çdo të mirë, i bindur edhe për një gjë tjetër, që 28 dhe 29 nëntori i këtij viti do të jenë të paharrueshëm për KMSH, sepse në vigjiljen e tyre ashtu siç ia kam premtuar mikut tim Skënder Bruçajt qysh kur u takuam në rastin e festës tuaj të fundit, do të përkojë me pavarësimin e Namasgjasë në funksion të komunitetit Mysliman dhe me çlirimin përfundimtar të këtij komunitetit nga kjo barrë e tmerrshme, e kaq shumë viteve.

Rroftë Pavarësia dhe Çlirimi i Shqipërisë!

Rroftë Pavarësia dhe Çlirimi i Komunitetit Mysliman!

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AHMETI - XHIPI I MUSTAFËS KA ÇMIM MARRAMENDËS (11.28.2014)
VOAL JU URON - MOTRA E VËLLEZËR SHQIPTARË KUDO QOFSHI: E GËZOFSHIM PËR JETË E MOT ME DINJITET E NDER DITËN E FLAMURIT! NGA SKËNDER BUÇPAPAJ  DHE ELIDA BUÇPAPAJ (11.28.2014)
PARLAMENTI EVROPIAN MIRATON REZOLUTË PËR SHESHELIN - BEOGRADI REAGON ME BRUTALITET (11.28.2014)
TURQIA PRET NESËR PAPA FRANÇESKUN (11.27.2014)
SHQIPËRI - DEBATI ÇLIRIM APO DIKTATURË (11.27.2014)
QË NGA VITI 2008 JANË RIATDHESUAR 25 MIJË VETË - EDHE KY ËSHTË NJË FAKTOR QË E THELLON VARFËRINË NË KOSOVË (11.27.2014)
ISMAIL QEMALITSonet nga PETRO MARKO (11.27.2014)
PËRUROHET SHTATORJA E OSMAN DUMOSHIT - ORGANIZATORIT TË DEMONSTRATAVE TË VITIT 1968Në ceremoni mori pjesë një delegacion i Vetëvendosjes me Albin Kurtin në krye (11.27.2014)
PARLAMENTI EVROPIAN DËNON GJUHËN E URREJTJES TË SHESHELIT (11.27.2014)
271 MIJË PERSONA NË KOSOVË JETOJNË ME MË PAK SE 1 EURO NË DITË (11.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]