VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - EDHE PSE JETA NA DHUROHET VETËM NJË HERË(Në nderim të figurës së z. Ardian Klosi)Nga ESHREF YMERI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 03:20pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

EDHE PSE JETA NA DHUROHET VETËM NJË HERË

(Në nderim të figurës së z. Ardian Klosi)

Nga ESHREF YMERI


E Premte, 05.04.2012, 08:20am (GMT+1)

E ndjeva veten keq dhe u pikëllova në shpirt kur mora vesh lajmin për vdekjen e parakohshme të zotit Ardian Klosi. U largua nga jeta me vetëvrasje një intelektual i kompletuar: një kritik, analist dhe publicist i talentuar. Por kultura shqiptare humbi edhe një përkthyes të shkëlqyer dhe një specialist të rrallë të gjuhës shqipe. Në përkthimet e veta, fjalën shqipe ai e pati gdhendur si me daltën e një skulptori të pakundshoq.

Kjo dukuria e vetëvrasjes është lënduese për këdo, jo vetëm për të afërmit e të vetëlarguarit nga jeta. Në këto raste gjithkush rri e përsiat: cilat duhet të jenë vallë arsyet, që njeriu, një ditë të bukur, vendos të vetëvritet, edhe pse jeta atij i dhurohet vetëm një herë? Është e vështirë t'i përgjigjesh kësaj pyetjeje delikate. Megjithatë, secili le të zhvendoset për një çast nga qenia e vet dhe të mundohet të rimishërohet në qenien e atyre individëve që kanë bërë plane për vetëvrasje. Pas kësaj shpërnguljeje mendërore në qenien e këtyre njerëzve të zhgënjyer nga jeta, mund të pikasen ca arsye që ata i detyrojnë të shkojnë drejt vetësakrifikimit.

Dikush prej tyre përjeton shqetësime të forta në jetën personale, siç janë dështimet në lidhjet romantike me dikë, një dashuri fatkeqe, vdekja e ndonjë të afërmi ose e ndonjë miku të dashur.

Dikujt tjetër mund t'i nxihet jeta prej torturave dhe kërcënimeve të vazhdueshme, prej poshtërimeve për të metat fizike, prej përdhunimeve dhe rrahjeve të pandërprera. Por dikush, me dhembje në shpirt, mund të përjetojë mungesën e të kuptuarit prej njerëzve që e rrethojnë, ftohtësinë e tyre, e cila bëhet shkak që ai të përfundojë në mëshirën e vetmisë. Kurse një tjetër individ nuk i bën dot ballë faktit që dikush ka bërë publike të dhëna për jetën e tij personale, sidomos për orientimet e tij seksuale.

Jo pak emocione të fuqishme ngjallin në qenien e njeriut mossukseset, dështimet në jetë, siç janë ato të natyrës krijuese, profesionale. Kjo bën që njeriu të humbasë interesimin për jetën, të ndiej lodhje prej saj.

Gjurmë të thella lënë në jetën e njeriut vështirësitë ekonomike, varfëria e tejskajshme Madje më të shumtë janë ata individë që e mbyllin jetën me vetëvrasje për shkak te halleve të rënda, të papërballueshme ekonomike.

Por nuk kalojnë pa mbresa të thella në jetën e njeriut edhe problemet e shëndetit, sëmundjet kronike, të cilat vijnë duke e mposhtur ca nga ca vullnetin e tij për t'i përballuar ato me optimizëm. Pesimizmi në këto raste merr sipërinë dhe njeriut fillon t'i duket jeta e pakuptimtë.

Shkak për vetëvrasje bëhet edhe fanatizmi fetar që është i përhapur zakonisht në sektet fetare, mes të cilave vihet re ajo që quhet vetëvrasje rituale. Dhe ne jemi në dijeni të vetëvrasjeve edhe të disa adoleshentëve 12-15-vjeçarë në vendin tonë, të cilëve ua kishin bërë mendjen çorap ca të ashtuquajtur dëshmitarë të Jehovait për "bukurinë" e jetës së përtejme.

Arsyet politike, po ashtu, ndikojnë mbi individë të veçantë për ta mbyllur jetën me vetëvrasje. Le të kujtojmë për një çast (vetë)vrasjen e njërit nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Nako Spirus. Përplasja me jugosllavët, me miqtë e ngushtë të Enver Hoxhës, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike skllavëruese me Beogradin, bëri që Nako Spiru të gjendej i izoluar në udhëheqjen e lartë shtetopartiake dhe një ditë të bukur ai të etiketohej prej Enver Hoxhës si pengesa kryesore e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Në ato kushte, mënyra më e mirë për ta shmangur atë pengesë, ishte likuidimi i tij fizik, çka edhe u realizua me vrasje të pabesë, ose me vetëvrasje, sipas versionit zyrtar. Komunistët shqiptarë vetëvrasjen e quanin të dënueshme, madje e vlerësonin si tradhti. Megjithatë, Enver Hoxha nuk e deklaroi tradhtar Nako Spirun, me sa duket, me porosi të Titos, të cilit i kërkoi edhe leje nëse duhej të shkonte ose jo në varrimin e tij.

Po për arsye, në të vërtetë politike, e mbylli jetën me (vetë)vrasje edhe Mehmet Shehu. I gjendur nën furinë e sulmeve të egra të anëtarëve të Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981, sulme ato të inskenuara paraprakisht, Mehmet Shehu, ashtu si edhe Nako Spiru dikur, u gjend krejtësisht i izoluar, në një vetmi të plotë deri në drithërimë. Por, në dallim nga Nako Spiru, Enver Hoxha këtë, që të nesërmen, e shpalli tradhtar dhe poliagjent. Me sa dukej, (vetë)vrasja e Mehmet Shehut e shpëtoi Enver Hoxhën një herë e mirë nga ankthi i xhelozisë për hedhjen në erë paskëtaj (prej Mehmet Shehut po të mbetej gjallë pas vdekjes së diktatorit) të traditës së pushtetit të tij personal që e pati çuar deri në përmasa katastrofike.

Për kryerjen e vetëvrasjes njeriun mund ta shtyjnë edhe ca rrethana të caktuara në një situatë lufte: për sigurimin e fitorës mbi armikun në një betejë ushtarake, një ose disa luftëtarë të caktuar vendosin të vëtësakrifikohen. Le të përmendim këtu Oso Kukën me bashkëluftëtarët e vet, si edhe Mic Sokolin apo Selam Musain. Por, në një situatë të tillë, vetëvrasja mund të kryhet edhe për të shmangur rënien rob ose për të shpëtuar bashkëluftëtarët e vet.

Në jetë janë hasur edhe raste të vetëvrasjes së detyruar. Kështu, mund të përmendet rasti i vetëvrasjes së Senekës (Lucius Annaeus Seneca minor - 4 p.e.r.-65 e.r.), filozofit, poetit dhe personalitetit shtetëror të lashtësisë romake. Me urdhër të perandorit Neron, që dikur Senekën e kishte pasur edukator, ai u dënua me vdekje, meqenëse me autoritetin e vet të fuqishëm qe bërë pengesë në ushtrimin e pushtetit të tij të dhunshëm. Pë të shmangur dënimin me vdekje, Seneka kërkoi të bënte vetëvrasje. Së bashku me të, bëri vetëvrasje edhe e shoqja e tij, Paulina.

Rasti tjetër është ai Romelit (Erwin Eugen Johannes Rommel - 1891(18911115)-1944), gjeneral-feldmareshalit gjerman, që ishte komandant i trupave të Boshtit në Afrikën e Veriut. Më 20 korrik të vitit 1944, u krye një atentat i pasuksesshëm kundër Hitlerit. Njëri nga komplotistët pati përmendur edhe emrin e Romelit. Duke marrë parasysh meritat e shquara të tij, Hitleri vendosi që atij t'i jepej e drejta të zgjidhte mes gjyqit ushtarak dhe vetëvrasjes. Më 14 tetor 1944, sipas një versioni zyrtar që pati qarkulluar asokohe, Romeli i dha fund jetës me cianur.

Hasen edhe raste kur një njeri sedërtar bën një gabim, të cilin paskëtaj e ka të pamundur ta korrigjojë, paçka se pendesa e mundon orë e çast. I gjendur nën soditjen e heshtur të farefisit apo të një rrethi ose komuniteti të caktuar, individi i gjorë jep e merr me veten e vet se si të shpëtojë nga makthi që po i merr frymën. Ai ia ka mbushur mendjen vetes se është vënë në diskutim nderi i tij. Në këto raste, heshtja e njerëzve që ai ka përreth, mosndërhyrja në kohën e duhur, është vrastare. Dhe i gjori njeri e gjen "shpëtimin" te vetëvrasja.

Në jetë janë hasur raste edhe të vetëvrasjes imituese. Aty nga fundi i viteve '50 të shekullit të kaluar, në vendlindjen time, në Smokthinë të Vlorës, nje burrë i nderuar, me autoritet, i cili njihej në mbarë zonën për karakterin e tij të fortë, kreu vetëvrasje për një arsye të brendshme, familjare. Arsyeja nuk ishte aspak bindëse që ai të vetësakrifikohej. Njërit nga djemtë e tij, më të madhit, i cili asokohe ishte në moshën e pararinisë (adoleshencës), vetëvrasja e babait i la një vrragë të thellë në shpirt, e cila, me kalimin e viteve, nuk erdhi duke iu shëruar. Përkundrazi, ajo erdhi duke iu mahisur gjithnjë e më shumë. Ai u rrit, u shkollua dhe u punësua në shtet. Por një pasdite të bukur vendosi të imitonte të atin, ia hoqi vetes.

Jetën mund ta mbyllin me vetëvrasje imituese edhe ata individë që kanë qejf të ndjekin shembullin e personaliteteve të shquara apo të heronjve të letërsisë artistike.

Gjatë jetës mund të hasen edhe njerëz që kryejnë vetëvrasje, nisur nga dëshira për ta filluar jetën nga e para. Këta janë njerëz që besojnë në atë që quhet "mishërim i përsëritur" (në latinishte emërtohet "reinkarnacion" (reincarnation), kurse në greqishte - "metempsikozë", që do të thotë "shpërngulje e shpirtit". Këto janë doktrina filozofike fetare, sipas të cilave thelbi i pavdekshëm i qenies së gjallë (në disa variante vetëm i njeriut) rimishërohet, domethënë ritransformohet përsëri e përsëri nga njëri trup te tjetri. Këtë thelb të pavdekshëm, në tradita të ndryshme, e quajnë "frymë" ose "shpirt", apo "shkëndijë hyjnore", e vlerësojnë si "Unin suprem"ose "Unin e vërtetë". Pra, sipas doktrinave në fjalë, në çdo jetë njeriu, vjen e zhvillohet një individualitet i ri i individit në botën fizike, por ama një pjesë e caktuar e "Un-it" të individit mbetet e pandryshueshme, duke u shpërngulur nga njëri trup te tjetri në serinë e rimishërimeve (ritransformimeve) të lartpërmendura.

Jo më pak e përhapur është dukuria e vetëvrasjes mes njerëzve të shquar të letrave. Duke filluar që nga lashtësia, me poetin romak Lukreci (Titus Lucretius Carus - rreth 99-55 p.e.r.), e deri në shek. XX, numërohen 259 krijues të shquar të letrave që i kanë dhënë fund jetës me vetëvrasje. Arsyet e këtyre vetëvrasjeve mund të kenë qenë nga më të ndryshmet, por mendoj se njërën nga arsyet e forta e ka nxjerrë në pah shkrimtari i shquar amerikan Heminguej (Ernest Miller Hemingway - 1899-1961).

Në fund të tetorit të vitit 1954 ai pati marrë lajmin se i ishte dhënë "Çmimi Nobel". Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai e pati të pamundur të ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit. Por në Stokholm atë e përfaqësoi ambasadori amerikan Xhon Kabot (John Cabot), i cili lexoi para jurisë përshëndetjen e Heminguejit. Në atë përshëndetje shkrimtari njoftonte se e pranonte çmimin "me përunjësi" dhe pati shprehur një mendim të tij të parapëlqyer, sipas të cilit "jeta e shkrimtarit, kur ai ka arritur majat e suksesit, kalon në vetmi". Një parashikim befasues ky për vetëvrasjen e tij, që do të kryhej shtatë vjet më vonë.

Me sa duket, vetëvrasja e zotit Klosi shërbeu për ta rrumbullakosur numrin e vetëvrasjeve të njerëzve të shquar të letrave. Tani që zotin Klosi nuk e kemi më në skenën e jetës shqiptare, mendoj se duhet shtruar një pyetje e zakonshme: po a ishte e mundur vallë që të shmangej vetëvrasja e tij? Si temperament, ai ka pasur një natyrë tepër të ndjeshme dhe në shpirtin e tij linin gjurmë të thella shfaqjet e padrejtësisë. Por sipas psikologjisë, njerëzit tepër të ndjeshëm kanë shumë nevojë për ngrohtësinë e mjedisit shoqëror, sidomos të komunitetit ku ata ushtrojnë profesionin e vet.

Mes shumë kontributeve të shquara që zoti Klosi ka dhënë në realitetin shqiptar të këtyre viteve, dëshiroj të ndalem vetëm në njërin prej tyre. Para disa vitesh doli nga shtypi dhe u hodh në qarkullim një abetare e gjuhës shqipe. Menjëherë zotit Klosi i ra në sy niveli shumë i dobët pedagogjikoshkecor i asaj abetareje dhe ai i bëri asaj një analizë shteruese. Nisur nga fakti që abetarja është themeli ku fillon dhe edukohet brezi i fëmijëve, ku njomëzakët e klasës së parë për herë të parë mësojnë se ç'është vendlindja, ç'është atdheu, ç'janë elementet e para të kulturës qytetare, zoti Klosi argumentoi me fakte se abetarja në fjalë nuk i kryente këto funksione dhe kërkoi heqjen e saj nga qarkullimi.

Me sa duket, zoti Klosi, si një intelektual me një kulturë shumë të gjerë, kishte parasysh një thënie të Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau - 1712-1778) për rëndësinë e edukimit të kulturës qytetare mes fëmijëve francezë. Rusoi theksonte :

« Pikërisht një kulturë të tillë i jep edukatori francez nxënësit të vet, me qëllim që të shkëlqejë gjatë fëmijërisë së tij, në mënyrë që paskëtaj ai të mos jetë kurrë askushi".

Por, për fat të keq, denoncimi publik që zoti Klosi i bëri nivelit të asaj abetareje, mbeti një zë në shkretëtirë. Komuniteti i gazetarëve, i analistëve dhe i publicistëve nuk u ngrit peshë në këmbë në përkrahje të zotit Klosi. Ky qëndrim moskokëçarës i tyre, pa diskutim që ka ushtruar ndikimin e vet mbi rëndimin e gjendjes së tij shpirtërore. Në sa e sa emisione televizive zoti Klosi ka pas qenë ftuar si analist, por, për çudi, askujt nga drejtuesit e atyre emisioneve nuk i pati shkuar mendja ndonjëherë që të organizonte ndonjë emision të veçantë që t'i kushtohej posaçërisht zotit Klosi. Sa do ta qetësonte zemrën e tij një emision i tillë, sa do ta zbuste natyrën e tij tepër të ndjeshme, sa shumë do ta ndiente ai ngrohtësinë shpirtërore të kolegëve të vet.

U njoha me shumë reagime gazetarësh, analistësh e publicistësh për vdekjen e zotit Klosi, por asnjëri nga ata nuk tha që edhe komuniteti i tyre ka pjesën e vet të fajit për vetëvrasjen e tij. Personalitetet e shquara të kulturës shqiptare, sidomos ata që kanë një shpirt tepër të ndjeshëm ndaj shfaqjeve të padrejtësisë, duhet t'i rrethojmë me ngrohtësinë e shpirtit tonë se ata janë pasuri kombëtare me vlera të jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk duhet t'i lëmë ata në mëshirën e vetmisë vrastare.

Ohajo, Sinsinati. 03 maj 2012

ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KTHJELLOHUNI O TË GJORË!Nga ILIR HYSA (05.03.2012)
DISIDENTI I VERBËR ANTIKOMUNIST KINEZ CHEN GUANGCHEN NDËRLIKON MARRËDHËNIET AMERIKANO-KINEZENga FRANK SHKRELI (05.02.2012)
Barometri diplomatikTË BASHKUAR RRETH FLAMURIT, GJYSMA NËROBËRI, GJYSMA NË LIRI, JO MË PAK SE 100 VJET!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (05.01.2012)
RIVLERËSIMI I POLITIKËS RAJONALE TË SHQIPËRISËNga SHABAN MURATI (04.30.2012)
PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZINga RESHAT KRIPA (04.28.2012)
INTERVISTË E FRANK SHKRELIT DHËNË GAZETËS TELEGRAF NË PRAG TË 100 VJETORIT TË THEMELIMIT TË VATRËS (04.26.2012)
KAPITALI NUK PËRCAKTON VETËDIJEN NACIONALENga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (04.25.2012)
TELASHE NGA NJË NDËRTIM I PALIGJSHËM BALLKANIKNga SHABAN MURATI (04.24.2012)
KEQ E MË KEQ E GJITHANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (04.23.2012)
IBRAHIM KODRËS MË 1973 NË TIRANË I THANË NUK KEMI BURGJENga VISAR ZHITI (04.22.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]