E Hënë, 10.14.2019, 11:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
LËVIZJE NË PESËSHEN MOSNJOHËSE TË KOSOVËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 05.20.2013, 07:01am (GMT+1)



Një nga efektet diplomatike të “Marrëveshjes së parë për parimet që qeverisin normalizimin e marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në 19 prill në Bruksel nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, është fermenti i një lëvizjeje ndryshimesh në qëndrimin e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Hapin e parë të këtij ndryshimi e dha Rumania, ministri i Jashtëm i së cilës, Titus Corlatean, njoftoi në 16 maj se Rumania do të rishikojë pozicionin e saj në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, me një debat në parlament, në dritën e marrëveshjes së arritur mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ai theksoi se Rumania duhet të shkojë me familjen europiane lidhur me njohjen e Kosovës. Vetë kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, e lajmëroi më parë këtë ndryshim, kur lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës deklaroi në 25 prill se Rumania duhet të shkojë përpara me familjen europiane në njohjen e Kosovës.

Vendimi i Rumanisë për rishikimin e qëndrimit të saj të deritanishëm të mosnjohjes dhe për mundësinë e bashkimit me familjen e 22 shteteve të BE-së, që e kanë njohur Kosovën, duhet përshëndetur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës. Ai shënon fillimin e një procesi, i cili çon drejt homogjenizimit të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga gjithë anëtarët e BE-së, dhe shpejton rrugën e Kosovës drejt integrimit në Europë.
Në fakt, hapi i Bukureshtit është plotësisht i përligjur dhe adekuat me ndryshimet e reja politike, juridike dhe diplomatike, në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Në marrëveshjen e arritur mes kryeministrave të Serbisë dhe të Kosovës në 19 prill, ka një nen të rëndësishëm, neni 14, i cili thekson se të dyja palët ranë dakord që asnjëra prej tyre nuk do të bllokojë dhe as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugën respektive drejt BE-së.

Së pari, duhet thënë se ky nen sanksionon pranimin e statusit të Kosovës si shtet i pavarur, sepse në BE anëtarësohen shtetet dhe jo pjesë shtetesh, rajone, krahina apo entitete lokale.
Së dyti, dalja e BE-së me këtë qëndrim do të thotë se të 27 shtetet e BE-së, përfshirë edhe ato pesë shtete që nuk e njohin, kanë dhënë pëlqimin që baronesha K. Eshton, përfaqësuesja e tyre e lartë e politikës së jashtme, të paraqesë në emër të BE-së këtë nen, që e trajton Kosovën si një shtet të pavarur, me mundësinë e anëtarësimit.
Së treti, Parlamenti Europian adoptoi në 18 prill një rezolutë për Kosovën, në të cilën u bën thirrje pesë shteteve mosnjohëse të Kosovës, që ta njohin sa më shpejt që të jetë e mundur.
Së katërti, në 22 prill Komisioni Europian i rekomandoi samitit të ardhshëm të BE-së që, si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, t'i japin Beogradit një datë të hapjes së bisedimeve të pranimit në BE-së dhe Prishtinës fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. Natyrisht, edhe më i painformuari e di se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit është faza e parë zyrtare drejt anëtarësimit të shteteve të të quajturit Ballkan Perëndimor në BE. Procesi i Stabilizim-Asocimit është programi i posaçëm i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Me dhënien Kosovës të kësaj të drejte përfshirjeje në proces, sanksionohet statusi i saj si një shtet i pavarur, sepse Marrëveshje të Stabilizim-Asocimit me BE-në, u akordohen shteteve dhe jo krahinave apo entiteteve lokale. Dhe për këtë vendim të Komisionit Europian është marrë konsensusi i të 27 shteteve anëtare.

Në këto rrethana, kur vetë Serbia nënshkruan dhe pranon një marrëveshje me Kosovën, në të cilën sanksionohet vendi dhe statusi i Kosovës si një shtet që do të hyjë në BE, është e kuptueshme se pesë shtetet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të ndihen të liruara nga detyrimet dhe premtimet e marrëdhë-nieve të tyre dypalëshe apo personale me Beogradin, për hatër të të cilit kanë aplikuar deri tani qëndrimin e mosnjohjes së shtetit të pavarur të Kosovës.

Rumania dha një shembull pozitiv dhe koherence diplomatike, i cili duhet vlerësuar në mënyrë të veçantë, edhe për arsyen se Bukureshti ka qenë ndër kryeqytetet më intransigjente në politikën e ngurtë të mosnjohjes së Kosovës. Por pas hapit të ri të Bukureshtit zhvleftësohen edhe argumentet e disa shteteve të tjera të pesëshes, që ende qëndrojnë në llogoret proserbe, dhe po paraqiten më serbë se serbët. Sepse është i pajustifikueshëm dhe i pakuptueshëm qëndrimi i Spanjës, ministri i Jashtëm i së cilës, Manuel Garcia Margallo, gjatë një vizite në Bukuresht në 16 maj, deklaroi se Spanja nuk do ta njohë Kosovën, derisa këtë gjë ta bëjë Serbia. Është një argument tepër i varfër në planin diplomatik, juridik e moral, kur një shtet deklaron se nuk e njeh një shtet të ri, për hatër të miqësisë me një shtet tjetër. Ndoshta Madridi mund të nxirrte argumentin se Spanja nuk mund ta njohë për shkak të shqetësimit se mund të përdoret nga baskët si precedent, ndonëse edhe argumenti i precedentit duket thjesht një alibi. Mjafton shembulli i Britanisë së Madhe dhe i Belgjikës, që e kanë njohur Kosovën, për të provuar se nuk ka të bëjë Kosova me problemet e dallimeve të brendshme etnike në këtë apo atë shtet europian. Nevojën e adoptimit të një qëndrimi realist e shprehu në 30 prill ish-ambasadori i Spanjës në SHBA, Jorge Dezcallar, i cili i bëri thirrje qeverisë së tij të njohë Kosovën, sepse "marrëveshja Serbi-Kosovë i obligon vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, që të ndryshojnë mendim në këtë çështje. Ne nuk duhet të trembemi nga precedenti, sepse Kosova nuk ka asgjë të ngjashme me vendin tonë".

Procesi i një lëvizjeje të diplomacisë së pesëshes ka dhënë sinjale edhe në shtete të tjera si Greqia. Athina ka zgjedhur të ndjekë manovrimin e qëlluar diplomatik të mbajtjes së një profili të ulët gjatë këtyre pesë viteve të shtetit të ri të Kosovës. Në muajin mars të këtij viti, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi një vizitë dhe bisedime në Athinë me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopullos, gjë që shënon një veprim cilësor diplomatik, ose më saktë, një parapërgatitje drejt një njohjeje me Kosovën. Sepse vizitat e ministrave të Jashtëm të shteteve që nuk janë njohur, nuk mund të kenë tjetër domethënie diplomatike. Me këtë rast Athina shpalli hapjen e një Zyre Shtetërore të lidhjeve tregtare në Prishtinë, çka dëshmon për progres në procesin e ngritjes së një strukture të përshtatshme të njohjes së mëvonshme. Ministri i Jashtëm grek deklaroi me këtë rast se vendi i Kosovës dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE. E njëjta dinamikë lëvizjeje konstatohet edhe në rastin e Sllovakisë, e cila, në dhjetor të vitit të kaluar priti në vizitë në Bratislavë ministrin e Jashtëm të Kosovës. Sipas mendimit të qarqeve diplomatike, një lëvizje e qartë e Greqisë drejt njohjes së Kosovës do të ketë ndikimin e saj të drejtpërdrejtë edhe në qëndrimin e Qipros për këtë çështje.
Lëvizjet diplomatike në pesëshen e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, sado në embrion, janë një element i ri pozitiv, jo thjesht në shtimin e numrit dhe të hartës së njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ato janë në radhë të parë një avancim drejt një shkalle të marrëdhënieve më të privilegjuara të Kosovës me Bashkimin Europian. Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, duke folur për procesin e njohjes nga pesë shtetet e BE-së, thekson se "kjo do të jetë një lëvizje e rëndësishme".

Është e kuptueshme se kjo lëvizje që po ndodh brenda diplomacisë së pesëshes së shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përbën një proçes, i cili duhet trajtuar me kujdes dhe që duhet inkurajuar me të gjitha mënyrat dhe format nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në mënyrë të veçantë, qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet t'i shfrytëzojnë këto situata të reja, të krijuara pas marrëveshjes së 19 prillit, për të intensifikuar përpjekjet e tyre në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga pesë shtetet e BE-së. Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do të bënin mirë të ndërmerrnin një ofensivë diplomatike, të kufizuar gjeografikisht, të përqendruar në të pesta shtetet që nuk e njohin ende zyrtarisht Kosovën, me qëllimin që të shfrytëzojnë marrëdhëniet e saj me këto pesë shtete për një hap të ri drejt njohjes së Kosovës. Katër nga ato pesë shtete janë anëtare të NATO-s, ku bën pjesë Shqipëria, dhe me dy prej tyre Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi.

Kam mendimin që qeveria e Shqipërisë duhet të përshëndesë hapat e qeverisë së Rumanisë dhe të inkurajojë shpejtimin e procesit të njohjes së Kosovës. Fushatat dhe ethet elektorale mund të hutojnë parti, politikanë dhe institucione politike, por jo diplomacinë, e cila duhet të ruajë nordin e interesave kombëtare dhe jetike, dhe të shkallëzojë veprimin e saj diplomatik në favor të njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e tjera të BE-së.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHTETARË, PA GARANCI PSIKIKENga XHOVANI SHYTI (05.19.2013)
ME SHKAS...Nga LEBIT MURTISHI (05.18.2013)
SHEMBULLI I TRAFIKIMIT TË NARD NDOKËS, SHENJË E DEGRADIMIT TË SISTEMIT POLITIKNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.17.2013)
NJË JAVË E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMANga FRANK SHKRELI (05.17.2013)
POLLO DHE FEVZIU - DY DEFORMIME TË NARRACIONIT MEDIATIKNga ILIR YZEIRI (05.16.2013)
EMRI I MAQEDONISË DHE SHQIPTARËT E MAQEDONISËNga SHABAN MURATI (05.14.2013)
REZOLUTA ÇAME U TRADHTUA PЁR TЁ DYTЁN HERЁNga RASIM BEBO, Addison /Çikago (05.14.2013)
ERNEST KOLIQI –110 VJETORI I LINDJESNga FRANK SHKRELI (05.14.2013)
MALI I ZI E DON PLAVË-GUCINË PA SHQIPTARËNga RAMIZ LUSHAJ (05.13.2013)
RRUGA E ARBRIT DUHET TË PËRFUNDOHETLetër e hapur z Bujar Nishanit, President i Republikës së ShqipërisëNga Dr. GËZIM ALPION (05.13.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]