VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Lionel Mesi, historia e një suksesi të lindur nga dhimbja

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 06:45pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Lionel Mesi, historia e një suksesi të lindur nga dhimbja
E Shtunë, 10.03.2009, 08:15am (GMT+1)

 

 

E takoj në dhomat e zhveshjes të stadiumit Camp Nou të Barcellona, një stadium jashtëzakonisht i madh, i treti më i madh i botës. Kurse nga shkallët e tribunave Messi është një njollëz e vogël, e pakontrollueshme dhe shumë e shpejtë. Nga afër është një djalë i brishtë, por i fortë, shumë i ndrojtur, flet pothuajse duke pëshpëritur një kantilenë argjentinase, fytyra e ëmbël dhe e pastër për një qime mjekrre. Lionel Messi është kampioni më i shkurtër i gjallë i futbollit. La Pulga, pleshti, është nofka e tij. Ka staturën dhe trupin e një fëmije. Në fakt qe fëmijë, rreth 10 vjeç kur Lionel Messi pushoi së rrituri. Këmbët e të tjerëve zgjateshin, bile edhe duart, zëri ndryshonte, por Leo mbetej i vogël. Diçka nuk shkonte dhe analizat e konfirmuan: hormoni i rritjes ishte kufizuar. Messi ishte prekur nga një formë e rrallë e nanizmit. Me hormonin e rritjes, u bllokua gjithçka dhe të fshihej problemi ishte e pamundur. Midis shokëve, në fushën e vogël të futbollit, të gjithë e kuptuan se Lionel ishte ndalur: "Isha gjithmonë më i vogli i të gjithëve, çfarëdo gjëje që të bëja, kudo që të shkoja". Thonë pikërisht kështu: "Lionel është ndalur". Sikur të kishte mbetur prapa, në ndonjë vend. Në moshën 11-vjeçare, 1 metër e 40 centimetra me zor, i rri e madhe fanella e Neëell's Old Boys, skuadrës së tij në Rosario të Argjentinës. Vallëzon me mbathje të mëdha, me këpucë, megjithëse shumë të shtrënguara lidhëset, pak si simite. Është një lojtar fenomenal, ama në trupin e një fëmije 8-vjeçar, jo të një adoleshenti. Pikërisht në moshën në të cilën, duke ravijëzuar një të ardhme, do të ishte për të rritur një talent, rritja parësore, ajo e krahëve, gjoksit dhe këmbëve, ndalet. Për Messin është fundi i shpresës që ushqehet në vetvete nga debutimi i tij më i parë në një fushë futbolli, në moshën 5-vjeçare. Dëgjon se me rritjen ka përfunduar edhe çdo mundësi për t'u bërë ai që ëndërron, por mjekët kuptojnë se deficiti i tij, nëqoftëse kundërshtohet në kohë, mund të jetë tranzitor. Mënyra e vetme për të kërkuar të ndërhyhet është një terapi me bazë hormoni "gh": vite e vite bombardim i vazhdueshëm që do t'i mundësojnë të rekuperojnë centimetrat e nevojshme për të përballuar kolosët e futbollit modern.

 

Bëhet fjalë për një kurë shumë të kushtueshme, të cilën familja nuk mund ta përballojë: shiringa prej 500 eurosh secila, për t'u bërë të gjitha ditët. Të luhet me top që të mund të rritet, të rritet që të mund të luajë: tani më mbrapa kjo bëhet e vetmja rrugë. Një mënyrë për t'u shëruar që nuk ka të bëjë me pasionin e jetës së tij, futbollin, Lionel nuk arrin as ta imagjinojë. Por ato kura të mallkuara mund t'ia lejojë vetes vetëm nëqoftëse një klub i një niveli të caktuar e merr nën ombrellën e tij dhe ia paguan. Argjentina është duke u zhytur në krizën ekonomike shkatërrimtare, nga e cila arratisen fillimisht investimet, më pas edhe njerëzit, kursimet e të cilëve avullojnë me rënien e titujve shtetërorë. Nipër e stërnipër emigrantësh të rritur në mirëqenie e kërkojnë shpëtimin, duke emigruar në vendet e origjinës të stërgjyshërve të tyre. Në këtë situatë, asnjë shoqëri argjentinase, megjithëse duke e nuhatur talentin e vogëlushit Messi, nuk i mban që të marrë mbi vete kostot e një basti të tillë. Edhe sikur t'i duhej të rritej ndonjë centimetër më shumë - ky është arsyetimi - në futbollin modern tashmë pa një fizik të zhvilluar nuk je më asgjë. Pleshti do të mbesë i shtypur nga një mbrojtje masive, pleshti nuk mund të shënojë gol me kokë, pleshti nuk do t'u rezistojë përpjekjeve anaerobike të kërkuara qendërsulmuesve të sotëm. Por, Lionel Messi vazhdon të luajë vetveten në skuadrën e tij. E di se do t'i duhet të veprojë sikur të ketë dhjetë këmbë, të vrapojë më shpejt se një mustang, të jetë i pamposhtshëm me topin në tokë, nëqoftëse do të shpresojë që të bëhet një futbollist i vërtetë, një profesionist.

 

Gjatë një ndeshjeje, e shikon një vëzhgues. Në jetën e lojtarëve vëzhguesit janë gjithçka. Çdo ndeshje që shikojnë, çdo goditje dënimi që e konsiderojnë të kryer në mënyrë të përkryer, çdo djalosh që vendosin të ndjekin, çdo baba, me të cilin shkojnë të flasin, nënkupton të hapin një fat. T'ia caktosh në vijat e përgjithshme, t'i hapësh një portë: por në rastin e Messit, ajo që i ofrohet përfaqëson shumë më tepër. Nuk i jepet vetëm mundësia që të bëhet futbollist, por mundësia që të shërojë, të ketë përpara një jetë normale. Përpara se ta shikojnë, vëzhguesit që dëgjojnë të flasin për të, gjithsesi janë shumë skeptikë. "Nëqoftëse është shumë i shkurtër, nuk ka shpresë, edhe sikur të jetë i fortë", mendojnë. Dhe në të vërtetë: "U deshën pesë minuta për t'u kuptuar se ishte një i përzgjedhur. Në një çast qe evidente sesa special ishte ai djalë". Këtë e pohon Carles Rexaxh, drejtor sportiv i Barcellona, pasi ka parë Leo në fushë. Është kaq e dukshme, që Messi ka në këmbët e tij një talent unik, diçka që shkon përtej vetë futbollit: ta shikosh të luajë është sikur të dëgjojë muzikë, sikur në një mozaik të shkulur çdo gur të kthehej në vend.

 

Rexach do ta ndalojë menjëherë: "Kushdo që do të kish kaluar aty, do të kish blerë me florinj në dorë". Kështu i bëjnë një kontratë të parë mbi një copëz letre, një picetë prej bari të hapur. Nënshkruajnë, ai dhe babai i pleshtit. Kjo picetë letre është ajo që do t'i ndryshojë jetën Lionel. Barcellona beson në këtë fëmijë të përjetshëm. Vendos që të investojë në kurimin e hormonit të mallkuar që ka ngecur në vend, por për t'u kuruar, Lionel duhet të transferohet në Spanjë me të gjithë familjen, që sëbashku me të lë Rosarion pa dokumenta, pa punë, duke besuar në një kontratë të hartuar mbi një picetë letre, duke shpresuar se brenda këtij trupi fëminor mund të ndodhet vërtet e ardhmja e të gjithëve. Nga viti 2000, për tri vjet me radhë, shoqëria i garanton Messit asistencën mjekësore të nevojshme. Beson se, një djalosh i gatshëm të luajë futboll për të shpëtuar nga një jetë ferri ka brenda karburantin e rrallë që e bën të arrijë kudo. Por, kurat e ndajnë më dysh. Ka gjithmonë marrje mendsh, vjell edhe shpirtin. Qimet në faqe që nuk i rriten. Pastaj, muskujt i ndjen që të çahen më dysh, kockat të thërmohen. Gjithçka të zgjatet, të zgjerohet në pak muaj, një kohë që në fakt duhet të ishte vite. "Nuk mund t'i lejoja vetes që të ndjeja dhimbje", thotë Messi, "nuk mund t'i lejoja vetes që ta tregoja përpara klubit tim të ri, pasi atyre u detyrohesha gjithçka". Diferenca midis atij që talentin e vet e harxhon për t'u realizuar dhe atij që me veten luaj gjithçka është abisale. Arti bëhet jeta jote në kuptimin që totalizon çdo gjë, por që vetëm arti yt mund të vazhdojë që të ecësh më tej, të garantosh të ardhmen. Nuk ekziston një plan B, asnjë alternativë mbi të cilën të mund të mbështetesh. Pas tri vjetësh, më së fundi Barcellona grumbullon Lionel Messi dhe familja e di se, nëqoftëse nuk do të jetë në gjendje të luajë siç pritet prej tij, vështirësitë për të vazhduar përpara do të jenë të pakalueshme. Në Argjentinë kanë humbur gjithçka, dhe në Spanjë nuk kanë akoma asgjë dhe, në këtë pikë, Leo do të ribinte mbi shpatullat e tyre. Por kur Pleshti luan, shuan çdo ankth. Duke stërvitur rëndshëm me mbështetjen e skuadrës, Messi arrin që të rritet jo vetëm në zotësi, por edhe në gjatësi, vit pas viti, centimetër pas centimetri i shtrydhur nga muskjt, i pastruar tek kockat. Çdo centimetër i fituar një vuajtje. Askush nuk e di saktë se sa i gjatë është tani. Dikush e jep pak mbi 1 metër e 50 centimetra, dikush nën, ndonjë faqe internetore flet për një Messi, që duke vazhduar të rritet ka arritur në 1 metër e 60 centimetra. Vlerësimet zyrtare ndryshojnë, duke i dhënë dora-dorës ndonjë centimetër më shumë, sikur të ishte meritë, një çmim i fituar në fushën e lojës. Fakt është se kur dy skuadrat rreshtohen përpara fishkëllimës fillestare, syri i inkuadron të gjitha kokat e lojtarëve pakashumë në të njëjtën gjatësi, ndërsa për të gjetur atë të Messit duhet të zbresë të paktën në nivelin e shpatullave të shokëve. Për një sport ku vlen gjithnjë e më shumë fuqia dhe, për një sulmues, pothuajse 2 metrat e Ibrahimoviç dhe 1 metër e 85 centimetrat e Beckham, janë bërë normë, Lionel vazhdon të ngjajë rrezikshëm me një plesht. Siç thotë Manuel Estiarte, vaterpolisti më i fortë i të gjitha kohërave: "Është e vërtetë, duhet llogaritur se propabilitetet që Messi të dalë i humbur nga një përplasje trup me trup janë të larta, ashtu siç është i lartë rreziku që të shtypet totalisht nga mbrojtësit. Ama me një kusht: më parë duhet të arrijnë ta kapin...".

 

Dhe në fakt, asnjë nuk arrin ta kapë. Qendra e gravitetit e ulët, mbrojtësit i përplasen, por ai as nuk bie, as nuk spostohet. Vazhdon që të ruajë trajektoren, mban topin me këmbë, nuk ndalet, driblon, kalon, mashtron mes këmbësh, largohet, finte. Është i pakapshëm. Tek Barcellona anatemojnë, se yjet e mbrojtjes të Real Madrid, Roberto Carlos dhe Fabio Cannavaro, nuk kanë arritur asnjëherë ta shikojnë në fytyrë Lionel Messin, pasi nuk arrijnë që ta kapin. Leo është shumë i shpejtë, gjarpëron me këmbët e tij të vogla, që duken duar për nga mënyra sesi arrin të mbajë topin, për t'i kontrolluar çdo lëvizje. Prej finteve të tij, kundërshtarët ngatërrohen në lëvizjet e kota të këmbëve të tyre numër 45. Në një reklamë, ku ishte ftuar për ta pikturuar me një stilograf historinë e tij, është argëtuese dhe melankolike ta shikosh, Messi tek portretizon veten si një fëmijë i vogël midis yjeve të këmbëve shumë të gjata, i humbur aty midis topash tejet të mëdhenj që fluturojnë larg. Por kur prekin tokën, ai me shpejtësi i kap dhe i vogël siç është arrin që të kalojë midis këmbëve të të gjithëve dhe të shkojë në portë. Kur ka rivënie anësore dhe kundërshtarët marrin frymë, është pikërisht në atë moment që ai rrëshqet dhe i lë prapa, ashtu kur e imagjinonin markuesit se e kishin prapa shpine, në fakt e gjejnë pothuajse 5 metra përpara. Lojtar i madh nuk është ai që arrin të kapë një goditje dënimi, por ai të cilit nuk arrin t'i bëhet asnjë strekëmbësh. Të shikosh, Messi do të thotë të vëresh diçka që shkon përtej futbollit dhe përkon me vetë bukurinë. Diçka e ngjashme me një kërcim, pothuajse një drithërimë vetëdijeje, një epifani që i mundëson kujt është aty që ta shikojë t'i vihet strekëmbësh dhe të luajë me topin, të mos arrijë më të perceptojë asnjë ndarje midis vetes e spektaklit në të cilin po asiston, të përzihet plotësisht me atë që shikon, aq sa të ndjehet një copë me atë lëvizje të pabarabartë, por harmonike.

 

Këto gjestet e Messit janë të krahasueshme me sonatat e Arturo Benedetti Michelangeli, me fytyrat e Raffaello, me trombën e Chet Baker, me formulat matematike të teorisë së lojërave të John Nash, me gjithçka që pushon së qeni tingull, materie, ngjyrë dhe bëhet diçka që i përket çdo elementi dhe vetë jetës. Pa pasur më ndarje, largësi. Është aty dhe nuk mund të jetohet pa të. Dhe nuk është jetuar asnjëherë pa, vetëm se kur zbulohen për herë të parë, kur për herë të parë vërehet aq shumë sa për të mbetur i hipnotizuar, ngashja është e pashmangshme dhe nuk arrihet në tjetër përveçse në nuhatjen e vetvetes, duke shikuar në fundin tënd. Po të dëgjosh kronistët sportivë që komentojnë gjarpërimet e tij, do të mjaftonte për ta përcaktuar epikën e tij prej xhongleri. Gjatë një takimi Barcellona - Real Madrid, kronisti duke e parë të rrethuar nga tentativa faulli pushon së përshkruari skenën dhe fillon vetëm një shprehje: "Nuk rrëzohet, nuk rrëzohet, nuk rrëzoheeeet". Gjatë një sfide tjetër midis rivalëve stërhistorike, hola ekstazike "Messi, Messi, Messi, Messi", fiton një "a" shtojcë që do t'i mbesë e ngjitur: Messia. Është kjo nofka tjetër që, Pleshti ka fituar me hijeshinë e pakapshme të gjarpërimeve të veta, me habinë pothuajse mistike që ngjall loja e tij. "Njeriu u bë Zot dhe dërgoi profetin e tij", lexojnë kështu titrat e një shërbimi televiziv kushtuar El Mesias dhe atij që si mishërim i futbollit e parapriu: Diego Armando Maradona.

 

Duket e pamundur, por Messi kur luan ka në kokë gjestet e Maradonës, ashtu si një shahist në një moment të caktuar të ndeshjes frymëzohet nga strategjia e një mjeshtri që është gjendur në një situatë të ngjashme. Kryeveprën që Diego Armando kish realizuar më 22 qershor 1986 në Meksikë, goli i votuar si më i miri i shekullit, Lionel arrin që të përsërisë pothuajse identik dhe pothuajse saktësisht 20 vjet më vonë, më 18 prill 2007 në Barcellona. Edhe Leo niset nga rreth 60 metra larg nga porta, edhe ai skarton me një vrapim të vetëm dy mesfushorë, pastaj turret drejt zonës së rreptësisë, ku një prej kundërshtarëve që kish kaluar kërkon ta rrëzojë përdhe, por nuk ia arrin. Mblidhen tri mbrojtës rreth Messit dhe, në vend që të synojë portën, ai devijon nga e djathta, skarton portierin dhe një lojtar tjetër.... dhe shënon gol. Pasi ka shënuar, ndodh një skenë e pabesueshme me lojtarët e ngurtësuar të Barcellona, me duart në kokë, që shikojnë sikur të mos besojnë se ishte akoma e mundur të asistohej në një gol të kësaj natyre. Të gjithë mendonin se një njeri i vetëm ishte i aftë për kaq shumë, por nuk ka qenë kështu, shtypi shpik menjëherë nofkën "Messidona", por ka diçka në ngjashmërinë e dy kampionëve argjentinas që i tejkalon gjetje të ngjashme dhe shkakton të rrënqethura. Në një sport që fazën epike duket se e ka lënë prapa krahëve, gjenitë e Messi ngjasojnë me përsëritjen e një miti dhe jo të një miti çfarëdo, por të atij që më shumë është në kontrast me kohët tona: Davidi kundër Goliathit. Fizikë të vegjël, lagje të varfëra, paaftësi për t'u parë të ndryshëm nga sikur luanin në fushat e pluhurosura, fytyrë gjithmonë e njëjtë, zemërim gjithmonë i njëjtë, si një athtësi që mban brenda vetes. Teorikisht kishin gjithçka mjaftonte për të gabuar, çka mjaftonte për të humbur, gjithçka mjaftonte për t'i mos pëlqyer askujt dhe për të mos luajtur. Por gjërat kanë ecur ndryshe.

 

Kur Maradona shënonte atë gol në Meksikë, Messi as nuk kishte lindur akoma. Do të lindë më 1987 dhe arsyeja për të cilën e kam ndjekur në Barcellona, në pikën që do të doja ta takoja, e ka origjinën e saj pikërisht në këtë: të qenit i rritur në Napoli në mitin e Diego Armando Maradona. Nuk do ta harroj kurrë ndeshjen e Botërorit të 1990, një fat i tmerrshëm e çoi Italinë e Azeglio Vicini dhe Totò Schillaci, që ta luajë gjysëmfinalen kundër Argjentinës së Maradona pikërisht në San Paolo. Kur Schillaci shënon golin e parë, stadiumi gëzon, por ndjehet nëpër shkallët e tij se diçka nuk shkon. Pas golit të Caniggia, tifozllëku jonapoletan, jo autokton, do të fillojë të kapet me Maradonën dhe këtu ndodh diçka që nuk do të ndodhë më kurrë në historinë e futbollit dhe nuk kishte ndodhur asnjëherë deri më atëhere: tifozeria rreshtohet kundër kombëtares së vet të futbollit. Tifozët e tribunës napoletane fillojnë të ulërijnë: "Diego! Diego!". Nga ana tjetër, qenë mësuar që ta bëjnë, si t'i akuzosh dhe si t'i identifikosh tek të tjerë? Edhe pse duhet të jetë e dashur skuadra jote kombëtare, në atë moment është Maradona ai që përfaqëson tifozerinë e San Paolos më shumë se një kombëtare lojtarësh të ardhur nga qytete të tjera të Italisë, nga Roma, Milano, Torino.

 

Maradona kish arritur të përmbysë gramatikën e tifozerive dhe në Romë ia kthyen reston gjatë finales Argjentinë - Gjermani, ku publike për t'u hakmarrë për eliminimin e Italisë në gjysëmfinale dhe për dezertimet e kryera në radhët e tifozerisë, fillon të fishkëllejë himnin kombëtar. Maradona pret që telekamera t'i afrohet buzëve të tij për t'u lëshuar një "hijos de puta", tifozëve që nuk respektojnë as momentin e himnit. Një finale e tmerrshme, ku në Napoli natyrisht që bënin të gjithë tifozllëk për Argjentinën. Por më pas, momenti i njëmbëdhjetëmetërshit absolutisht të dyshimtë shkatërron çdo shpresë.

 

Gjermania dukshëm në vështirësi, por që duhet të fitojë dhe të hakmerret për Italinë e mundur. Një njëmbëdhjetëmetërsh i dyshimtë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Rudi Voeller, të cilin e realizon Andreas Brehme. Komenti i kronistit argjentinas qe: "Vetëm kështu vëlla... vetëm kështu mund të fitonit kundër Diegos".

 

I kujtoj shumë mirë ato ditë. Isha 11 vjeç dhe vështirë se do të kthehem ndonjëherë ta shikoj më atë lloj futbolli. Por diçka duket se kthehet nga ajo kohë. Goli i Meksikës kundër Anglisë, goli i ribërë nga Pleshti 20 vjet më pas, shënon një prej momenteve të paharrueshme të fëmijërisë time. Pyes veten, se çfarë mrekullie dhe çfarë marramendjeje do të kish qenë të shikoje të luante Messi në San Paolo, ai, për të cilin vetë Maradona tha: "Të shikosh Messin të luajë është më mirë se të bësh seks". Dhe Diego për të dyja gjërat merr vesh. "Më pëlqen Napoli, dua të shkoj shpejt", thotë Lionel. "Të qëndrosh pak duhet të jetë shumë e bukur. Për një argjentinas është si të jesh në shtëpi".

 

Momenti më i paharruar i takimit tim me Messin është kur i them, se kur luan i ngjan Maradona - "ngjan": sepse nuk di sesi ta shpreh një gjë të përsëritur njëmijë herë, edhe pse duhet njëlloj t'ia thoja - dhe ai më përgjigjet: "Verdad?", "Vërtet?", me një buzëqeshje akoma më të ndrojtur dhe të kënaqur. Nga ana tjetër, Lionel Messi ka pranuar të më takojë jo pse jam shkrimtar apo kushedi se për çfarë tjetër, por sepse i kanë thënë se vij nga Napoli. Për të është si për një mysliman të lindë në Mekë. Napoli për Messin dhe për shumë tifozë të Barcellona është një vend i shenjtë i futbollit. Është vendi i konsakrimit të talentit, qyteti ku Zoti i topit ka luajtur vitet më të mira, ku nga hiçi është nisur drejt mundjes së skuadrave të mëdha, drejt pushtimit të botës.

 

Lionel duket e kundërta nga sa pret prej një lojtari: nuk është i sigurtë në vetvete, nuk përdor shprehjet e zakonshme që i këshillojnë të thotë, skuqet dhe fikson këmbët ose fillon të kafshojë thonjtë e gishtit tregues dhe të madh, duke i afruar tek buzët kur nuk di se çfarë të thotë dhe po mendon. Por, historia e Pleshtit është akoma më e jashtëzakonshme. Historia e Lionel Messit është si legjenda e grethit. Thuhet se grethi nuk mund të fluturojë, sepse pesha e trupit të tij është joproporcionale me aftësinë mbajtëse të krahëve të tij. Por, grethi nuk e di dhe fluturon. Messi me atë trup të vogël, me ato këmbë të vogla, ato shputa, bustin e vogël, të gjitha problemet e tij të rritjes, nuk mund të luante në futbollin modern gjithë muskuj, masë dhe fuqi. Vetëm se Messi nuk e di dhe pikërisht për këtë arsye është më i madhi i të gjithëve.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Armin Tirana


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Polanski të qëndrojë në shaletin e tij? (10.02.2009)
Ndërmjetësuesi Nobel Xhimi Karter, Presidenti i 39të i SHBA (10.01.2009)
In Memoriam: Radio Evropa e Lirë kujton dy kolegët e saj: Rosa Ajiri dhe Amir Zamanifar (10.01.2009)
Skarlet: Jam më pak femërore se Penelopa (09.30.2009)
Rashida Dati, ish ministrja e Drejtësisë të Francës, e kritikuar rëndë në një libër shkruar nga i vëllai (09.30.2009)
Avril Lavinje, vajza kanadeze që i çmend adoleshentët e pesë kontinenteve (09.27.2009)
Roman Polanski ndalohet sot në Zürich nga policia për dënimin e vjetër në SHBA (09.27.2009)
Redgrejv në Kosovë (09.24.2009)
Kosova nderon me Mirënjohje aktoren e shquar britanike Vanesa Redgreiv (09.23.2009)
Gorbaçov iu qëndron vendimeve të 1989ës (09.22.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lartë]