VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DISAPORA JASHTË REGJISTRIMITNga Akademik HIVZI ISLAMI

                                                                                      

E Enjte, 05.16.2024, 07:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

DISAPORA JASHTË REGJISTRIMIT

Nga Akademik HIVZI ISLAMI


E Enjte, 12.02.2010, 10:34am (GMT+1)


Regjistrimi i popullsisë është një projekt i madh dhe shumë kompleks statistikor, profesional e teknik, me rëndësi të posaçme shoqërore, ekonomike, politike dhe kombëtare. Mirëpo, këtu nuk do të flasim hollësisht as për rëndësinë e tij, as për metodologjinë, as për definicionet e klasifikimet përkatëse, as për Ligjin dhe programin e aktiviteteve, as për kapacitetet profesionale-kadrovike dhe organizative të Entit Statistikor të Kosovës, as për koncepcionin mbi bazë të të cilit do të realizohet operacioni, ku do të dëmtohet më së shumëti popullata shumicë. Për të gjitha këto do të bëjmë fjalë në një rast tjetër. Shkas për këtë reagim janë deklaratat e ministres në dorëheqje të Ministrisë së Administratës Publike, e cila e ka marrë me shumë zallahi e pompozitet operacionin e regjistrimit të popullsisë (sikurse edhe një ish-ministre zhurmëmadhe e këtij dikasteri në vitet 2005-2007), mbase edhe për motive personale elektorale.


Ministrja jonë këto ditë, në raste të ndryshme, përsëriti pandërprerë se regjistrimi do të mbahet në prill të vitit 2011, duke prejudikuar suksesin e tij me "zgjidhjen" e dy çështjeve, deri tash problematike: përfshirjen e serbëve në regjistrim dhe përfshirjen e shqiptarëve në diasporë. Është për ta admiruar ministren që nuk shfaq asnjë dozë frike se ky regjistrim mund të dështoj fare lehtë, pikërisht pse serbët ka shumë mundësi që ta bojkotojnë operacionin, në një anë, dhe duke mbetur pa u përfshirë në të shqiptarët në diasporë, në anën tjetër. Përmes të ashtuquajturës "listë komplementare", ku pjesëtarët e popullatës shumicë nuk do të përfshihen në popullsinë e përgjithshme të Kosovës nëse nuk jetojnë në Kosovë më shumë se një vit (zbatimi i koncepcionit të "popullsisë së pranishme" e jo të koncepcionit të "popullsisë rezidenciale"), tentohet të krijohet një mjegullirë, me prapavi të qartë. Regjistrimi i popullsisë është shtyer me vite të tëra pikërisht pse serbët nuk u pajtuan që t'i përgjigjeshin operacionit. Ministrja jonë dhe faktori i jashtëm tash janë optimistë se serbët nuk do ta bojkotojnë regjistrimin, ndërsa shqiptarët në diasporë do t'i mashtrojnë me premtimin se do të përfshihen në regjistrim.

"Lista komplementare": një mashtrim ordiner i diasporës

E ashtuquajtura "Lista komplementare" është një mashtrim i llojit të vet, që konsiston në fshehjen e reagimit të shqiptarëve të Kosovës me bojkotim të regjistrimit pse do të mbesin jashtë përfshirjes në regjistrim ata të cilët, për shkaqe të dhunës ekonomike, politike, policore, ushtarake, etnike, racore etj., të konceptuar mirë nga pushteti fashisoid serb për një kohë të gjatë, gjenden në botën e jashtme me status të ndryshëm qëndrimi dhe kohëzgjatje mbi një vit. Në fakt, "lista komplementare", e rezervuar për shqiptarët, është dinakëria e të huajve që përmes saj në regjistrim të përfshihen serbët, të cilët e kanë braktisur Kosovën pas sulmeve të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, pra para 12 vjetëve, për ta bërë Kosovën me dhunë multietnike! Faktori ndërkombëtar nuk preokupohet me gjendjen strukturore demografike dhe sociale të Kosovës, por i intereson vetëm pasqyra e tillë etnike, ku shqiptarët do të dalin në numër më të vogël dhe serbët në numër sa më të madh! Deri tash, me zbatimin e kriterit "lidhja e personit me vendbanimin" dhe pengesave të tjera, të paktën rreth 300.000 shqiptarë në diasporë (mbi 18 vjet) nuk u përfshinë në listat e votuesve në Kosovë dhe më tepër në regjistrimin civil (mbi 16 vjet), të organizuar nga OSBE-ja pas luftës, duke u shkelur e drejta e tyre për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur dhe për të poseduar dokumente identifikimi. A ka logjikë që këto 12 vjetët e pasluftës të thuhet zyrtarisht se Kosova ka rreth 2 milion banorë, kur shtimi natyror, me gjithë dobësitë në përfshirjen e ngjarjeve vitale (nënregjistrimi), sillet midis 27.000 dhe 30.000 veta mesatarisht në vit! Ndërsa, tash një vit, në zgjedhjet komunale, lista e votuesve numëronte mbi 1.5 milion votues (!). Për këtë numër, duke marrë parasysh moshën e popullatës, Kosova duhet të kishte së paku 2.7 milion banorë. Këto ditë KQZ-ja e shpalli listën prej 1.630.636 votuesve (!), që nënkupton minimum 3 milion banorë. Shtrohet pyetja: a është përfshirë në këtë numër edhe diaspora?


Me "listën komplementare" (Formulari S1) nuk përfshihen në popullsinë e përgjithshme të Kosovës personat që gjenden jashtë Kosovës mbi 12 muaj. Këta persona nuk përfshihen as në pyetësorin individual (Formulari R3), ku edhe shënohet se për personat që jetojnë jashtë Kosovës "nuk plotësohet pyetësori individual" (R3), ndërsa vetëm personat nga Formulari individual përfshihen në popullsinë e përgjithshme të Kosovës dhe trajtohen si persona rezidencialë në Kosovë. Mashtrimi do të shkojë deri në atë shkallë sa që as që do të përpunohen të dhënat nga "lista komplementare" (Formulari S1), e cila eshe ashtu do të jetë me plotë defekte sa i përket përfshirjes! Të luhet me diasporën tonë, që dha kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në dhënien e ndihmave financiare për veprimtaritë vitale të shqiptarëve dhe në rezistencën e armatosur kundër okupatorit serb, është e pandershme dhe e turpshme. Më e ndershme është t'i thuhet diasporës sonë se do të mbesë jashtë procesit të regjistrimit, sepse këtë nuk po e lejojnë të huajt! Për dëmtimin e popullatës shqiptare, nesër të huajt nuk bartin përgjegjësi. Atë e bartin vendorët: shteti, ministrat, Enti i Statistikës, shoqëria civile, ekspertët etj.


Për këto 7-8 vite faktor i jashtëm dhe të gjitha instancat relevante vendore kurrë nuk kanë menduar si të ngritet niveli profesional-kadrovik dhe organizativ i Entit Statistikor në mënyrë që të përgatitej një regjistrim gjithëpërfshirës dhe cilësor, sikundër që nuk është penguar as menaxhimi i keq i këtij institucioni dhe keqpërdorimet financiare. Për këto vite, kapacitetet e Entit kanë stagnuar, madje kanë rënë me pensionimin e kuadrove profesionale ose edhe ndjekjen e tyre nga përgjegjës të instancave përkatëse qeveritare në vitet 2004-2007, me drejtorë të regjistrimit të popullsisë që nuk ishin në gjendje ta drejtonin as një zyre të ofiçarisë në një vendbanim të vogël rural, përfshirë Drejtorin e sotëm të regjistrimit, i cili madje nuk di t'i nxjerrë as përqindjet, por e ka mbështetjen e fuqishme politike! Është detyrë e mediave që të kërkojnë nga njeriu më përgjegjës i tërë projektit (drejtori), të intervistohet lidhur me regjistrimin e popullsisë, në mënyrë që të shihet kush është njeriu kryesor i këtij operacioni dhe pastaj të gjykohet për rezultatet e tij.

Inferioriteti ndaj të huajve

Është e vërtetë se ministrja jonë e ka gjetur një situatë, të cilësuar si "fait accompli" lidhur me regjistrimin e popullsisë, ose thënë më thjesht i ka mbetur në dorë "patatja e nxehtë", sepse disa vjet përpara janë kryer "pazaret" për mënyrën e regjistrimit dhe veçanërisht për koncepcionin dhe përkufizimin e "popullsisë rezidenciale" nga të cilat varet sa banorë do të ketë Kosova dhe çfarë përbërje etnike. Ama ministrja nuk bëri as më të voglën përpjekje për të ndërruar bile diçka. Enti Statistikor i Kosovës është shndërruar në më pak se një argat: të gjithë pyetësorët (Formularët R1, R2, R3 dhe S1) dhe materiali tjetër për regjistrimin e vitit 2011 janë përgatitur nga të huajt dhe janë një përkthim mekanik në shqip (me shumë gabime gjuhësore e kuptimore), ku nuk guxohet të ndërrohet asnjë germë e vetme. Kurajimi dhe pompoziteti i ministres sonë në dorëheqje vijnë nga mbështetja që isntancat ndërkombëtare po i japin realizimit të kësaj ndërmarrjeje. E vërteta është se ka 7-8 vjet që regjistrimi i popullsisë, nga instancat profesionale dhe politike, ndërkombëtare dhe vendore, është dizajnuar ashtu që të shkojë në dëm të shqiptarëve dhe në favor të pakicave dhe, më komkretisht, të serbëve. Që në vitin 2005 UNMIK-u kishte hartuar planin për formimin e qendrave të veçanta në Serbi dhe Mal të Zi për regjistrimin e serbëve, ani pse kishin kaluar 6 vjet nga shpërngulja e tyre. Ndërkaq për të tjerët vlente kriteri se nëse mbi një vit gjenden jashtë Kosovës, nuk do të përfshiheshin në regjistrim! Ky kriter diferencues, me tendencë të aplikimit të kamufluar, do të vlejë në regjistrimin e vitit 2011!


Po mbushen tashmë 12 vjet që faktori kosovar nuk e ka kundërshtuar pothuajse në asnjë rast faktorin ndërkombëtar atje ku ka pasur shumë të drejtë, të mbështetur në fakte më bollëk. Është për ta përshëndetur reagimin e ashpër, të argumentuar, të ministrit tonë të brendshëm dr. Bajram Rexhepi dhe ministrit të Integrimeve Evropiane Besim Beqaj lidhur me kushtet shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, ku menjëherë u zbut toni i evropianëve. Instancat e huaja, në biseda me shqiptarët, veçanërisht në bisedat ku është vendosur statusi politik-konstitucional i Kosovës, çfarë janë p.sh. bisedimet e Vjenës në vitet 2005-2007, dhe më herët e më vonë -, kurrë nuk ka pasur versione dhe plane rezervë, çfarë kanë pasur me Serbinë dhe serbët. Plani i M. Ahtisarit (decentralizimi) është përpiluar mbi bazë të të dhënave të Serbisë (shifrat për numrin e banorëve, përbërjen etnike dhe sipërfaqen e vendbanimeve dhe komunave të reja serbe; çështjet kadastrale etj.) dhe kërkesave të saj. Delegacioni i Kosovës ishte shndërruar në një karnaval, ku shpeshherë shkohej në Vjenë me 50-60 veta, pa profesionistë! Ky delegacion, si "zemërgjerë dhe fleksibil", vështrohej me simpati nga bashkësia ndërkombëtare, duke u lavdëruar për konstruktivitet, sepse ofroj më shumë se sa prisnin të huajt dhe vetë Beogradi zyrtar! Kështu me shumë lehtësi doli plani 5+1 komuna të reja serbe, me privilegje të papara në Evropë dhe në botë, ku kufijtë komunalë u bënë dhe kufij ndërkombëtarë! Për këto 11-12 vjet pas çlirimit janë bërë shumë eksperimentime në përpjekjet për të zbatuar modele të huaja në fusha të ndryshme. Në rrethanat tona specifike, asnjë model nuk ka gjetur zbatim në terren. Më së keqi ka kaluar dhe po kalon sistemi i arsimit, veçanërisht ai shkollimit të lartë.


Një kundërshtim i tillë nuk ndodhi as me problemin e regjistrimit të popullsisë, operacion që ka rëndësi jo vetëm statistiko-demografike dhe është bazë për planifikimin e zhvillimit ekonomik dhe social, por është edhe çështje politike, komponent që e anashkalon ministrja jonë, gjë që është një miopi politike. Jemi dëshmitarë që fakti etnodemografik dhe statistik, bile në rastin e Ballkanit Perëndimor e Qendror, veçanërisht të Kosovës, është bërë dhe çelës i zgjidhjes së raporteve politike dhe etnike. Është i njohur fakti se në Serbi në regjistrimin e vitit 2002 janë përfshirë edhe serbët e Kosovës, por shifra nuk është kumtuar, sepse e mbajnë për ta përdorur si shantazh në momentin e duhur. Regjistrimi i vitit 2011 në Kosovë mund të jetë rast i përshtatshëm për ta përdorur këtë shifër.

Akademik HIVZI ISLAMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BOTOHET KOLANA E VEPRAVE TË AT ZEF VALENTINIT, 11 PREJ TYRE TË PANJOHURA MË PARË (12.02.2010)
KOMPLOTI I GJUHËS: KOSTALLARI DHE SHUTERIQI SI E RRËZUAN ÇABEJNNga ARSHI PIPA (11.30.2010)
Televizioni i Preshevës -TVP:"PRESHEVA SOT" - Agjencia e parë informative në Luginën e Preshevës (11.30.2010)
STAVILECI: SHQIPTARËT PO RRITEN SI POPULL, POR PO TKURREN SI KOMB (11.29.2010)
DOM NIKOLLË KAÇORRI, PRIFTI KATOLIK QË FESTONTE PASHKË E BAJRAMNga GJIN KAÇORRI (11.28.2010)
BASHKËPUNIMI KOSOVË-SHQIPËRI NË FUSHËN E TELEKOMUNIKACIONIT (11.27.2010)
SHQIPËRIA DHE FUQITË E MËDHA - ROLI I GJERMANISË NË KRIJIMIN E SHTETIT SHQIPTAR (11.27.2010)
SHKODËR, AUTORITETET PARALAJMËROJNË PËR MUNDËSINË E EVAKUIMIT NGA PËRMBYTJET (11.26.2010)
SHQIPËRIA U SHKËPUT PËRFUNDIMISHT NGA METASTAZAT E REGJIMIT KOMUNISTNga JAAK GABRIELS, Ministër i Shtetit i Mbretësisë së Belgjikës (11.25.2010)
IMZOT NIKOLLË KAÇORRI - FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTARNga NUE OROSHI (11.24.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]