VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Ditari i një ish studenti të Shkollës së Bashkuar:20 VJET MË PARË, SI DËSHTOI PUÇI USHATARAK NË SHKOLLËN E BASHKUARNga ILIRI METALIAJ

                                                                                      

E Enjte, 05.16.2024, 06:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Ditari i një ish studenti të Shkollës së Bashkuar:

20 VJET MË PARË, SI DËSHTOI PUÇI USHATARAK NË SHKOLLËN E BASHKUAR

Nga ILIRI METALIAJ


E Mërkurë, 02.23.2011, 09:35am (GMT+1)

Jam një dëshmitar i gjallë i ngjarjeve të ambasadave, ku padrejtësisht regjimi komunist në kundërshtim me Kushtetutën e asaj kohe, dështoi në tentativën kriminale për t'i përdorur studentët ushtarakë si forcë dhune e terrori mbi shqiptarët që kërkonin lëvizje të lirë dhe këputjen e vargonjve të robërisë. Vetëm pak muaj mbas këtyre ngjarjeve ishin po këta studentë ushtarakë që u solidarizuan me Lëvizjen Studentore dhe u bënë pjesë e saj, duke kundërshtuar me forcë urdhrat e Komandës më revolucionare të atij regjimi, i cili kërkonte shtypjen me çdo çmim të kësaj lëvizjeje. Fati e deshi, që brezi ynë të ishte dëshmitar, por edhe kundërshtar i pakalueshëm i atij regjimi, që ne studentët të përdoreshim si forcë dhune mbi bashkëmoshatarët tanë në Qytetin "Studenti". Pavarësisht dhunës verbale të Komandës dhe posaçërisht ish-ministrit K. Mustaqi që kërkonte gjak para rreshtave të studentëve ushtarakë në Shkollën e Bashkuar, jam fatlum dhe krenar të dëshmoj sot se etja për liri dhe demokraci i kishte kapërcyer muret e hekurta të asaj shkolle, duke bërë që planet dhe skenaret e errëta kriminale për të gjakosur studentët ushtarakë me popullin të dështonin me turp. Edhe pse brenda atyre mureve kishte 45 vjet që flitej vetëm për fitore dhe armiq të brendshëm e të jashtëm dhe ndonëse kishin bërë përzgjedhjen e njerëzve më besnikë të atij regjimi, kjo nuk iu mjaftoi mjeranëve, që edhe mbas rrëzimit të bustit nga populli i Tiranës të merrnin zemër nga lëvizjet dhe skenaret e zeza të vullnetarëve të Enverit, të tentonin të inskenonin puçin ushtarak të shkurtit 1991. Komanda dhe regjimi i asaj kohe me taktika tepër djallëzore arriti të largojë nga shkolla (internoi), gjoja për praktikën mësimore në kohën më të papërshtatshme, vitet III të shkollës, shumica e të cilëve ishin shpallur si liberalë dhe të dyshimtë për regjimin, mbasi nuk pranuam të zbatonim urdhrat dhe skenarët e M. Mbrojtjes për të ruajtur pushtetin e tyre me çdo kusht. Duke përfituar nga mungesa e studentëve të viteve të treta, Komanda kërkoi ndihmë nga rezervistët, të cilët po i drejtoheshin Tiranës për të vendosur regjimin ushtarak. Por, PPSH nuk harroi dhe i dërgoi me urgjencë në Shkollën e Bashkuar njerëzit më besnikë në drejtim, mbasi kishte dështuar me skenarët e mëparshëm, të shkopinjve të gomës, skafandrave dhe lopatave xheniere, duke instaluar brenda shkollës strukturat e Rep. famëkeq 326, hamulloret, si dhe të deleguarit e KQPPSH, si dhe B. Sigurimit. Por, çmenduria e atij regjimi dhe e ushtarakëve që komandonin me devotshmëri arriti mbasditen e datës 20 shkurt, kur të trembur dhe të terrorizuar nga lëvizja popullore, si dhe ngjarjet në vendet e Lindjes, arriti të urdhëronte armatosjen e skënderbegasve 14-15-vjeçarë me armatim luftarak dhe municione të pakufizuara. Ky skenar nuk ishte rastësi, por ishte tepër i rrezikshëm dhe mizor, mbasi ata shpresonin se me skënderbegasit e vegjël si mburojë do të arrinin të mbronin veten dhe bustin ushtarak të diktatorit, tashmë të rënë përgjithmonë. Populli liridashës dhe paqësor i Tiranës, të bashkuar me studentët ngritën kudo barrikada me trupat e tyre dhe ishin gati të flijoheshin për të mbrojtur të paprekur qendrën e Tiranës nga vampiri që sapo e kishin hequr që andej. Ndërkohë në lagjen 10-të të Tiranës ngjarjet po rridhnin me shpejtësi, ku njerëzit ishin ndarë keqas në dy kampe të ndryshme. Në njërin krah qëndronin populli dhe studentët, ndërsa në kampin brenda Shkollës së Bashkuar përgatiteshin skenarët e vdekjes...

E vërteta duhet të thuhet sado e hidhur që të jetë. Po çfarë ndodhte vallë brenda atyre mureve ku Presidenti Alia kishte shpresën e fundit?: "Të gjithë njerëzit e sëmurë për partinë dhe Enverin, me në krye oficerat e Shkollës së Sigurimit, oficerat e Ministrisë së Mbrojtjes, Regjimentit të Zbulimit, Rep 326, instruktorë të KQPPSH arritën mbasditen e 20 shkurtit në Shkollën e Bashkuar. Ata treguan e ritreguan si në rresht, por edhe nëpër klasa, meritat e partisë dhe të Enverit. Kjo politikë ia arriti qëllimit dhe në shkollë tensioni u rrit shumë shpejt. Urrejtja tek masa e studentëve që ishin kundër rrëzimit të bustit të E. Hoxhës në Tiranë u shtua dhe atyre iu vinte në ndihmë herë pas here Komanda dhe oficerët e ministrive. Me shpejtësi ata e formuan shoqatën e Enverit. Drejtuesit e saj filluan të kërkojnë rivendosjen e bustit ushtarak në qendër të Tiranës me forcën e armëve.

Në këtë shoqatë u shënuan edhe emrat e viteve të treta të shkollës, që nuk ishin fare aty, në mënyrë që të rritej numri i shoqatës. Paralel me veprimet e pakontrolluara që kryheshin brenda katër mureve të shkollës, para saj qëndronin të mbledhur mijëra qytetarë të Tiranës. Ata erdhën për ta ndaluar rivendosjen e bustit ushtarak në qendër të Tiranës. Ushtarakët që drejtonin veprimet brenda shkollës ishin vazhdimisht në lidhje të drejtpërdrejtë me R. Alinë, B. Politike dhe M. Mbrojtjes. Me urdhër nga lart, këta ushtarakë formuan me shpejtësi të ashtuquajturin Komisioni Nismëtar i Mbrojtjes së Interesave të Popullit e të Kombit. Të gjitha veprimet i ka komanduar ky Komision ushtarako-enverist.

Detyra kryesore e këtij Komisioni ishte:

- Rivendosja e bustit ushtarak të E. Hoxhës në qendër të Tiranës deri në orën 14, të datës 22.02.1991.

- Mbas rivendosjes me dhunë në qendër të Tiranës, ruajtja e bustit ushtarak do të bëhej me forcën e armëve!

- RTSH duhej të kalonte nën komandën e këtij Komisioni dhe të pasqyronte me besnikëri të gjitha veprimtaritë në Shkollën e Bashkuar.

- Ramiz Alia ta zhvendosë Presidencën e tij në Shkollën e Bashkuar, kërcënonte ky Komision ushtarakësh komunistë.

Një grup oficerësh u ngarkuan për të komunikuar vendimet e marra. Me dhunë dhe brutalitet përfaqësuesit e këtij Komisioni hynë në RTVSH dhe dhanë deklaratat e tyre. Shqipëria është përballur me një puç ushtarak, ku drejtimin e vendit kërkonin ta merrnin disa ushtarakë besnikë të diktatorit dhe të partisë së tij. Mendimi im personal, por edhe i shokëve të mi, është se anëtarët e këtij Komiteti ishin vetëm kukulla, sepse ata që i drejtonin qëndronin shumë më lart në detyra shtetërore.

Kur e kuptuan se depërtimi me komandantin (bust) në krah përballë atij mali me demokratë ishte i pamundur dhe kur shumë studentë nuk i përkrahën veprimet e tyre siç ata shpresonin dhe më keq kur skënderbegasit e vegjël hodhën rrobat dhe armatimin luftarak, duke braktisur shkollën e duke u hedhur mbi muret e larta të asaj që gjithçka mund të quhej, por jo shkollë. Komisioni enverist herë pas here komunikonte qëllimisht se: Demokratët do të hyjnë me forcë në shkollë për të na e rrëzuar komandantin tonë të pavdekshëm. Pooorrr, vazhdonin ata, ne jemi Shkolla e Bashkuar dhe po i presim me padurim që ta provojnë. Rreth buzëve iu mblidhej një lëmsh jargësh dhe sytë iu zbardheshin si kafshëve të egra që kërkojnë gjak. Të gjitha këto veprime ogurzeza i dëgjova sot, prej studentëve të njohur. Në çdo skuadër, togë, kompani e batalion, është punuar sistematikisht për ngritjen dhe jo shuarjen e tensionit.

Kemi të dhëna se demokratët duan ta sulmojnë shkollën tonë, vazhdonin me paturpësi ata t'i mashtronin studentët skënderbegas. Ne jemi gati t'i përgjigjemi këtij sulmi, thërrisnin në kor enveristët. Në krahun tonë është populli, është partia jonë dhe Komandanti i Përgjithshëm R. Alia, trumbetonin këta fanatikë të diktaturës. Por, një logjikë e shëndoshë nuk e pranon këtë skenar të përgjakshëm të komunistëve ushtarakë. Me çfarë do ta sulmonin demokratët Shkollën e Bashkuar? Demokratët dhe populli i lagjes 10-të e dinin shumë mirë çfarë forcash e armësh ka Shkolla e Bashkuar. Ata edhe i kanë parë sesa forca speciale, si dhe ushtarakë enveristë kishin arritur për ta realizuar detyrën e ngarkuar nga partia dhe R. Alia; Rivendosjen me çdo kusht të bustit në qendër të Tiranës. Demokratët e dinin se numri i njerëzve që e përkrahin demokracinë brenda shkollës ishte i vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm të Shkollës së Bashkuar.

Demokratët na kanë bërë thirrje ne studentëve për ta rrëzuar vetë bustin, por kurrsesi nuk tentuan të hyjnë në shkollë. Por, demokratët e Tiranës, studentët e mjekësisë, njerëzit e lagjes 10, e kishin vendosur që me trupat e tyre ta mbronin qendrën e Tiranës, për të mos u rikthyer më kurrë busti i diktatorit. Ata nuk janë larguar as kur kriminelët ushtarakë urdhëruan hapjen zjarr mbi njerëzit në lagjen 10, as kur arritën tanket dhe mjetet e tjera të blinduara, të cilat filluan t'u drejtohen barrikadave të tyre.

Një tragjedi e madhe ka ndodhur. Studentët enveristë që nuk janë pak edhe ata të tregojnë me mburrje sa karikatorë kanë zbrazur atë ditë. Fjalët e tyre akoma ma shpojnë trupin si një thikë e ftohtë. Komisioni në bashkëveprim e nën urdhrat e Presidentit Alia dhe ministrit Kiço Mustaqi e drejtuan gjithë këtë tragjedi. Skenarin dhe planet e tyre të çmendura i kanë dëgjuar edhe përfaqësuesit e partive politike të ardhura me urgjencë në shkollë.

Në orën 17.00 këta përfaqësues ku bënin pjesë: N. Ceka, A. Çika nga PD-ja, si dhe A. Baleta nga Forumi për të Drejtat e Njeriut, pa harruar edhe një përfaqësues të Frontit Demokratik si dhe një anëtar të Partisë Ekologjike, dëgjuan planet e Komisionit ushtarako-komunist. Ndonëse i vetëm përballë atij Komisioni ushtarakësh enveristë, opozitari A. Baleta gjatë 5 orëve sa ka vazhduar mbledhja, fuqimisht dhe me fakte i ka dënuar veprimet dhe planet e tyre të çmendura! Gjatë gjithë asaj kohe në sheshin e Shkollës së Bashkuar kryheshin veprime e bëhej thirrje për hakmarrje kundër demokratëve. Këndoheshin këngë patriotike dhe revolucionare për të rritur moralin e ushtarakëve komunistë. Dëshmitarë okularë të këtij puçi ushtarak janë edhe gazetarët e RTVSH-rë, T. Luto, A. Gurashi e S. Terihati. Ndërkohë që në shtëpinë e Haxhi Lleshit janë mbledhur drejtuesit kryesorë të disa rretheve të veriut, të cilët ndjekin rrjedhjen e ngjarjeve. Ata presin urdhër për të sulmuar Tiranën. Faktikisht Tirana ndodhet e rrethuar nga të gjitha anët me forca ushtarake e policore të ardhura nga rrethet. Nga Tropoja rezervistët me armatim luftarak i kanë nisur në drejtim të Zall-Herrit! Po kështu veprohet me rezervistët e Skraparit, Matit, ndërsa rezervistët e Dibrës nuk kanë pranuar të rrethojnë Tiranën. Ata shpejt e kuptojnë lojën e ndyrë të Partisë së Punës dhe komandës së tyre dhe dezertojnë, duke u bashkuar me popullin dhe studentët në Qytetin "Studenti".

Vampiri edhe në bust kërkoi gjak, mendoj dhe ndihem i vrarë keqas në shpirt nga dëshmitë e tmerrshme të shokëve të mi.

Sonte jam vendosur për të fjetur tek djemtë e mjekësisë, pasi nga shkolla më përzunë, duke më thënë se jam person i padëshirueshëm për momentin.!?.

Gjatë gjithë natës pothuajse nuk fle fare, por vetëm lexoj shtypin opozitar dhe festoj me studentët e mjekësisë për betejën e fituar.

Ishin lagur rrugët e Tiranës dhe mimozat e sapoçelura me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Është plagosur Olta Çakshiri 12 vjeçe tek shihte një film në dhomën e saj. Janë vrarë Pëllumb Tahiri, Agim Alushi, Lulëzim Barxhaj, Artan Lenja, Spartak Deliu, Ismail Çapari, Artur Daka, Mikel Laro e kushedi sa të tjerë që familjet po i kërkojnë në faqet e gazetës "Rilindja Demokratike". Shqipëria është përballur me një puç ushtarak. Duke iu rikthyer historisë në 20-vjetorin e rënies së bustit, fatkeqësisht, vendi ynë po sulmohet me skenarë dhune dhe mentalitete puçiste nga të njëjtit njerëz dhe nga e njëjta ideologji.

Në këtë 20-vjetor ndihem krenar që kam patur fatin të jem ish-student i Akademisë Ushtarake, së cilës së bashku me shokët e mi ia ndërruam emrin dhe ia rikthyem dinjitetin kombëtar. Akademia Ushtarake "Skënderbej", të cilën këta pinjollë e donin me emrin e vampirit, sot është një Akademi Ushtarake që përgatit ushtarakë të zotë dhe sot ata janë anëtarë të NATO-s. Kurse ushtarakët e inkriminuar nga "politika e Bllokut", janë ata që i drejtuan dhe organizuan sulmet mbi ushtrinë dhe policinë shqiptare në vitin më të zi të kombit tim, në vitin '97. Mbasi erdhën në pushtet dhe u graduan për veprat e krimet e bëra filluan të mbajnë leksione demokracie, biles kulmi arrin kur ofendojnë dhe fyejnë rëndë ushtarakët e ndershëm se pse ju nuk i mbrojtët repartet ushtarake, komisariatet, Flotën Detare etj., në vitin '97? Kam pritur dhe kam shpresuar shumë që analistët shqiptarë t'i vënë para përgjegjësisë morale këta njerëz, si nëpër shkrime ashtu edhe në studiot e pafundme të televizioneve në Tiranë. Vallë kush i organizoi dhe pse u sulmua aq egër ushtria dhe policia shqiptare në vitin '97? Fatkeqësisht janë të njëjtit skenaristë dhe pinjollë të atij regjimi që skllavëroi Shqipërinë, të cilët nuk ngopen me gjak shqiptarësh dhe historia duhet t'i ndëshkojë si për varjet e të pafajshmëve, vrasjet në kufi, puçin e Shkollës së Bashkuar, prillin e përgjakshëm në Shkodër, shkatërrimin e Shqipërisë në '97 dhe së fundmi, për të cilin nuk dua të komentoj shumë, mbasi shqiptarët e panë me sytë e tyre se çfarë është në gjendje të bëjë bllokmeni për t'u rikthyer në pushtet... Është koha për t'u thënë: Ndal njëherë e përgjithmonë puçistëve të dështuar në Shqipëri dhe mjeranëve të Bllokut.

Jam Ilir Metaliaj (ish-drejtues i Lëvizjeve Studentore) pro demokracisë në Shkollën e Bashkuar, si dhe i dekoruar nga ish-Presidenti Berisha me Medaljen e Artë të Shqiponjës për ato kontribute, të cilat koha na e dha mundësinë që të ishim dëshmitarë të atyre ditëve.

ILIRI METALIAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRANIA SHPËRBLEHET - FIRMAT SHQIPTARE NË PANAIRIN E NUREMBERGUT BIOFACH 2011 (02.22.2011)
KTHESA VENDIMTARE - RRËZIMI I DIKTATURËS NË SHQIPËRI DY DEKADA MË PARË (02.20.2011)
NUK U MBAJTËN PROTESTAT E PARALAJMËRUARA (02.20.2011)
MAQEDONI: KOMISIONI PUNON PA SHQIPTARË (02.18.2011)
"DIHET SE NE GREKËT JEMI KOMPLOTISTË TË LINDUR" (Xhorxh Tenet)Opinion nga S. BOLLATI (02.18.2011)
3 VJET PAS PAVARËSISË: KOSOVA E SHEH ME OPTIMIZËM TË ARDHMEN (02.18.2011)
PRISHTINË, FILIZ SHPIRTIMarrë nga libri "Një fjongo Dielli nga New Yorku"Poezi nga KËZE KOEZETA ZYLO (02.17.2011)
PËRSHËNDETJE ME RASTIN E TREVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËSNga MIMOZA DAJÇI, New York (02.17.2011)
NIK XHELILAJ MERR ÇMIMIN SHOOTING STAR (02.16.2011)
ILLYRICUM LIBERTAS: TË NDALET URGJENTISHT NDËRTIMI I KISHËS NË KALANË E SHKUPIT (02.15.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]