VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - BESNIK HIDRI, SHEMBULL I SAKRIFICËSNga SHEREFEDIN SHEHU

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 10:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

BESNIK HIDRI, SHEMBULL I SAKRIFICËS

Nga SHEREFEDIN SHEHU


E Martë, 03.01.2011, 04:17pm (GMT+1)

Kanë kaluar 14 vjet nga vrasja e Besnikut dhe Shqipëria tani është kandidate për në Bashkimin Europian. Kjo ishte ëndrra e Besnikut dhe frymëzimi i tij për të mos e lënë Shqipërinë në duart e atyre që shikojnë prapa. Qeveria socialiste e quajti Besnikun dhe shokët e tij si shërbëtorë personalë të Sali Berishës dhe jo si oficerë që luftuan dhe ranë heroikisht për mbrojtjen e institucioneve të shtetit. Në vend të mbrojtjes dhe respektimit të tyre, emri dhe vepra e tyre u mbuluan nga heshtja dhe përçmimi. U deshën 10 vite që ndërgjegjja kombëtare të rikthehej dhe të kuptonte se Besniku ra për atdheun dhe të shpallej Dëshmor i Atdheut

Sot, kanë kaluar 14 vjet dhe kujtimet për Besnikun më vijnë më të freskëta. Ai së bashku me kolegun e tij Lekë Çokun qëndruan heroikisht dhe nuk e braktisën detyrën, derisa dhanë edhe jetën. Është e kuptueshme se ata nuk i vrau populli, sepse populli nuk vret bijtë e vet dhe aq më tepër, ata që janë në krye të detyrës. Ata janë ndër të paktët ushtarakë që nuk e braktisën detyrën në atë periudhë të vështirë

Me kalimin e viteve vepra e dëshmorëve lartësohet. E tillë është edhe vepra e Besnik Hidrit. Ai e dha jetën për atdheun në moshën më të bukur, por vrasësit e tij akoma nuk dihen. Ndoshta janë edhe deputetë. Në mos vrasësit, urdhëruesit ndoshta po. Ai u vra me 28 shkurt 1997 dhe pushteti që erdhi në fuqi me dhunë e la në harresë. Tani kur kanë kaluar 14 vjet nga vrasja e tij, familja dhe sidomos nëna e tij, e cila është rritur në kampet e internimit komunist dhe e edukoi Besnikun me frymën e dashurisë për atdheun dhe kombin shqiptar, ndjehen më të lehtësuar. Me ardhjen përsëri në pushtet të Partisë Demokratike, Besnik Hidri dhe shoku i tij Lekë Çoku u shpallën dëshmorë.

Kush ishte Besnik Hidri?

Besnik Hidri rridhte nga një familje nacionalistësh dhe shumë e persekutuar nga regjimi komunist. Me shumë vështirësi dhe falë rezultateve të shkëlqyera të tij arriti që të fitonte të drejtën e studimit në Universitetin Bujqësor, ku unë isha pedagog. Në personin e tij menjëherë të binte në sy thjeshtësia, sjellja shembullore, zelli për shkollën dhe dëshira për t'u marrë me sport. Në mënyrën e komunikimit me të gjithmonë do të dalloje ndrojtjen, që ishte rrjedhojë e hijes së diktaturës komuniste dhe përndjekjes që regjimi i bënte familjes së tij. E ëma e Besnikut ishte rritur në kampet e internimit, ndërsa gjyshi i tij kishte bërë 20 vjet burg dhe po kaq edhe në kampet e internimit. Edhe ajo pjesë e jetës së tij jashtë burgut dhe kampeve ka qenë një torturë e vërtetë dhe me peripeci të papërshkrueshme.

Unë e kam njohur si studentin tim të dashur, të sjellshëm, të zgjuar dhe të palodhur. Ishte djalë nga një familje nacionaliste që njohu persekutimin e rëndë të regjimit komunist. Falë rezultateve të shkëlqyera në mësime kishte fituar të drejtën e studimit në Universitetin Bujqësor, por hija e frikës së regjimit e ndiqte nga pas në çdo moment. Kjo e kishte bërë atë të heshtur dhe të matur dhe e kishte pjekur para kohe.

Vendosja e pluralizmit në vitin 1991 ishte çlirimi i dytë i Shqipërisë, sidomos për shtresën e dënuar dhe të persekutuar nga regjimi 50-vjeçar komunist. Besniku ishte aktivist i ditëve të para të pluralizmit kur strukturat e shërbimit të fshehtë, Sigurimi i Shtetit famëkeq, ishin më kërcënuese se kurdoherë. Egërsia e tyre u shtua, sepse ata po bënin të gjitha përpjekjet për të shpëtuar atë që kishte mbetur nga regjimi komunist. Këto struktura ishin në këtë kohë, u bënë si bisha të plagosura, sepse po e shihnin me sytë e tyre se si parajsa e tyre po humbiste dita-ditës.

Besniku u bë anëtar i Partisë Demokratike në ditët e para të saj. Ai ishte bashkëthemelues i seksionit të PD-së në Rrashbull dhe u bë aktivist i flaktë i saj. Ai ka dhënë kontribut të veçantë në krijimin e seksioneve të PD-së në të gjitha rrethinat e Durrësit. Kjo bëri që unë të takohesha përsëri me ish-studentin pak kohë mbasi Partia Demokratike erdhi në pushtet. Studenti i urtë dhe i zellshëm tani ishte bërë nëpunës i administratës së re dhe po punonte me përkushtim për reformimin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë demokratike. "E ndjeja për detyrë që të kontribuoja për shkuljen e rrënjëve të kësaj strukture famëkeqe", më tha Besniku, kur e takova për herë të parë. Gjyshi im, vazhdoi ai, u dergj për 20 vjet në burgjet komuniste dhe më vonë e kaloi gjithë jetën i internuar dhe i survejuar në çdo lëvizje të tij. Kështu u rritën edhe nëna dhe daja im, të cilët mezi mbijetuan nga vuajtjet dhe persekutimet në internime dhe në të ashtuquajturën jetë të lirë.

E kaluara e familjes së tij dhe e vetë Besnikut e bënë atë një nëpunës të ndershëm dhe të përkushtuar në shërbim të Shqipërisë. Krahas punës së përditshme ai punonte vazhdimisht për kualifikimin e tij. Si rezultat Besniku u ngjit shpejt në shkallët e karrierës dhe në vitin 1997 kishte gradën e Nën Kolonelit. Për përkushtimin dhe aftësitë e tij ai ishte dërguar për specializime profesionale në Turqi dhe në SHBA pranë strukturave të CIA-s për shërbimet e kundërzbulimit.

Vrasja makabër e punonjësve të Shërbimit Informativ

Strukturat e vjetra të Sigurimit të Shtetit komunist nuk e kishin harruar parajsën e humbur. Në fshehtësi ata përgatitën rebelimin komunist të vitit 1997 dhe Besniku ishte një ndër shënjestrat e tyre. Në ato ditë trazirash u takuam dhe ai ishte shumë më i informuar se unë për prapavijën e ngjarjeve që po ndodhnin në Shqipëri. Mbaj mend që më tha se për të nuk kishte më kthim prapa dhe se betimin e bërë për t'i shërbyer Shqipërisë qoftë edhe me jetën e tij nuk do ta shkelte.

Unë nuk e pashë më, por e gjithë Shqipëria mësoi për sulmin dhe vrasjen makabër të punonjësve të Shërbimit Informativ në Vlorë më datën 28 shkurt të vitit 1997. Besniku në krye të një grupi oficerësh mori përsipër kryerjen e shërbimit në vatrën e rebelimit, në Vlorë. Këta qenë ndër ata të paktët ushtarakë, të cilët nuk e braktisën detyrën dhe nuk e shkelën betimin e tyre edhe kur jeta e tyre ishte në rrezik. Dhe 28 shkurti tregoi se Besniku e donte Shqipërinë dhe shokët e tij më shumë se veten. Në vend të braktisjes së detyrës ai organizoi mbrojtjen e vendit të shërbimit nga forcat e errëta që komandoheshin nga strukturat e vjetra, të cilat ëndërronin kthimin e parajsës së humbur. Forca të shumta me armatime nga më të sofistikuarat sulmuan grupin e shërbimit të kryesuar nga Besniku. Ata luftuan me heroizëm, por forcat e errëta ishin të shumta. Në turmë kishte edhe njerëz të gënjyer, prandaj Besniku dhe shokët e tij u përpoqën që të zbrapsnin turmën pa e goditur atë drejtpërsëdrejti. Por turma urdhërohej nga ata që nuk ishin ngopur me gjak për 50 vjet radhazi. Dhe midis tyre kishte kriminelë të pamëshirshëm. Megjithatë, Besniku dhe shokët e tij zgjodhën rrugën e qëndresës. Ata luftuan si heronjtë, por pas vrasjes së shokut të tij Lekë Çoku, ai po mendonte për të shpëtuar shokët e tjerë. Megjithëse i plagosur ai u bë mburojë e shokëve të tij derisa dha jetën e tij, duke mbuluar me zjarr tërheqjen e tyre. Kështu Besniku dhe shoku i tij Leka ranë heroikisht si trima në krye të detyrës.

Sakrifica e Besnikut dhe shokëve të tij

Kanë kaluar 14 vjet nga vrasja e Besnikut, shqiptarët lëvizin të lirë pa viza në Europë dhe Shqipëria tani është kandidate për në Bashkimin Europian. Kjo ishte ëndrra e Besnikut dhe frymëzimi i tij për të mos e lënë Shqipërinë në duart e atyre që shikojnë prapa. Qeveria socialiste i quajti Besnikun dhe shokët e tij si shërbëtorë personalë të Sali Berishës dhe jo si oficerë që luftuan dhe ranë heroikisht për mbrojtjen e institucioneve të shtetit. Në vend të mbrojtjes dhe respektimit të tyre, emri dhe vepra e tyre u mbuluan nga heshtja dhe përçmimi. U deshën 10 vite që ndërgjegjja kombëtare të rikthehej dhe të kuptonte se Besniku ra për atdheun dhe të shpallej Dëshmor i Atdheut. Kjo është një thirrje e ndërgjegjes së kombit, mbasi nuk mund të bëhemi pjesë e Europës pa respektuar veten dhe institucionet tona. Duke hedhur vështrimin prapa dhe analizuar këto ngjarje është koha të kuptojmë se sakrifica e Besnikut dhe shokëve të tij janë gurë themeli për rrugën tonë drejt Europës. Ngjarjet e vitit 1997 jo vetëm morën jetën e tyre, por shkatërruan arritjet ekonomike dhe bllokuan rrugën drejt Europës. Vetëm pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, u bë e mundur që Shqipëria të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian dhe të pranohej si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Nderimi dhe kujtimi i atyre që bien për atdheun është detyrë e qeverisë dhe e qytetarëve. Ata janë pjesë e historisë dhe duke kujtuar ata ne kemi respektuar historinë tonë. Homazhet dhe kujtimi i të rënëve për atdhe janë reflektim dhe mësim për brezat e ardhshëm. Shqipëria si pjesë e Europës ka në themel gjakun e Besnikut dhe të dëshmorëve të tjerë të demokracisë. Gjaku i Besnikut, Lekës, Azemit dhe dëshmorëve të tjerë të demokracisë na bëjnë thirrje që atdheun ta vëmë mbi gjithçka. Ata dhanë jetën për të dhe ne nuk duhet të shkelim mbi gjakun e tyre.

SHEREFEDIN SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VRASËSIT E SHTETIT Nga MUJË BUÇPAPAJ (03.01.2011)
ASHAK SUGJERON SHTYRJEN E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË (03.01.2011)
REZOLUTË PËR BISEDIMET ME SERBINË (02.28.2011)
NGËRÇI I IDENTIFIKIMIT (02.28.2011)
OPTIKA LETRARE ZBARDHËLLON MBI OLIGARKINË E SHËRBIMEVE SEKRETENga SHEFQET DIBRANI (02.28.2011)
KONVULSIONET NACIONALISTE TË SERBISË - DËSHTIMI I NJË IDEOLOGJIE ANTIHISTORIKENga XHELAL ZEJNELI (02.27.2011)
RIAKTUALIZOHET ÇËSHTJA E TË PAGJETURVE (02.26.2011)
DEMOKRACIA NUK NDËRTOHET MBI HARRESËNNga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (02.26.2011)
PROVOKIMET GREKE, ME GERMAT E EPITAFEVEDhunimi i gurëve të varreveNga ARBEN LLALLA (02.26.2011)
PDIU - PARTI ATDHETARE SHQIPTARENga SALI BOLLATI (02.26.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]