Bisedë me zemër "të hapur" Nga Rozi Theohari - Boston
E Hënë, 07.06.2009, 07:16am (GMT+1)
Në adresë të
emailit tim gjeta një foto dërguar nga kirurgia duarartë shqiptare Lindita
Çoku. Në fotografi paraqitej një krevat spitali: trupi gjysmë i mbuluar i një
pacienti, gjoksi i tij fiksuar me tela elektronikë dhe fytyra...Ah, fytyra e tij
mbuluar me rrudha shprehte pakëz dritë ndërkohë që bashkëshortja, edhe ajo e
moshuar, kishte mbështetur buzët në ballin e tij të djersitur. Ishte puthja e
parë bekuese, përgëzuese, lutëse e frymëdhënëse, pas operacionit të rëndë në
zemër përfunduar disa orë më parë. Ajo puthje e lehtë, fisnike, ishte dashuria
e nënës, zemerdhembshuria e gruas shqiptare, e cila ka mbajtur e mban gjallë
familjen, mirësinë, traditat, ritet, shoqërinë.
Ditë më vonë, pasi gjeta emrin dhe adresën e
pacientit, i telefonova. Kisha kureshtje. Ai quhej Avdyl Tufa dhe kishte
ardhur enkas nga Lushnja për t'u operuar në Amerikë, nën përkujdesjen e
familjarëve. Avdyli më foli me një zë emocionues: " Doktoreshën Lindita Çoku e
njoha gjatë kohës që isha shtruar në spital. Dy ditë para se të operohesha nga
zemra erdhi në dhomën time një vajzë e re... "Unë jam shqiptare, - më tha,- punoj
kirurge në këtë spital...do të asistoj në operimin tënd...Keni fatin e mirë që do
t'ju operojë një nga doktorët më të mirë." Ashtu, e urtë, e butë, më
sqaroi për këtë operacion. Fjalët e saj më ngrohën shumë dhe më bënë optimist.
"E kam për detyrë që t'i ndihmoj shqiptarët që vijnë këtu, mos ki merak, je ne
besen time"- vazhdoi ajo. Dy ditë pas operacionit doktoresha Lindita më erdhi
në dhomë e më tha gëzueshëm: "Avdyl, operacioni doli me sukses, siç ju thashë
edhe para se te operoheshit." Ajo, fjalëmbla, më dha disa këshilla të vlefshme,
të cilat i përsëriste sa herë vinte në dhomë...Nuk mjaftohej me kaq, por here pas
here më telefononte nga shtëpia e saj e
më jepte porosira të mos kisha ankthe. "Çdo gjë do të shkojë mirë, dalngadalë
..." më përsëriste ajo. Kjo sjellje e saj humane ka lënë mbresa të mira tek unë
dhe tek familja. Ne e konsiderojmë doktoreshën si pjesëtare të familjes dhe mua
m'u bë tamam si bija ime. Edhe sot që bisedoj me ju, e ndiej kujdesin e saj nga
afër, prandaj dhe e respektoj shumë, sepse ajo vetë i respekton shumë pacientët
e saj. Nisur nga konsideratat e mia, unë, përveç emrit të saj të bukur
"Lindita", do ta quaja "zemërarta". Këtë emër e meriton. Do ta kujtoj gjithmonë
kirurgen tonë shqiptare."
DOKTORESHA QË NUK DI TË ÇLODHET
Dr. Lindita Çoku është një figurë e mjekësisë
shqiptaro-amerikane tashmë e njohur nga bashkatdhetarët e rajoneve të mëdha të
Nju-Jorkut dhe Bostonit, por edhe brenda e jashtë Amerikës. Ajo është zgjedhur
presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, me kryetar nderi
nobelistin shqiptar dr. Ferid Muradi. Pjesëmarrja e dr. Çokut në elitën e
kardiokirurgjisë amerikane është një nder jo vetëm për doktoreshën, por edhe
për gjithë kombin shqiptar.
Po prisja në sallonin paraoperator të "Boston University
Medical Center", me sytë e përqëndruar tek ajo derë, pas së cilës vajza jonë e
talentuar shqiptare "qëndis" mbi organin e zemrës me gishtat e saj delikate...Pas
një ore drejt meje po ecte ajo, tiransja zemërdëlirë.
Kirurgia shqiptaro-amerikane (the surgeon) Lindita Çoku hoqi maskën e
bardhë te operacionit dhe unë dallova fytyrën e saj pak fëminore të përshkuar
nga një buzëqeshje lumturie. Përsëri operacioni ne zemrën e pacientit mbaroi me
sukses. Përsëri...Vajza shqiptare nuk e ndien lodhjen kapitëse të operimit në
sallë dhe i përball emocionet e forta. Mbi të gjitha qëndron ndjenja e lartë e
përgjegjësisë për një jetë njeriu.
Disa çaste më vonë po shëtisnim në kopshtin e spitalit "Boston University
Medical Center", që është bërë shtëpia e dytë e saj. I transmetova dr. Çokut
falënderimet e Avdylit. Ajo më shpjegoi se kishin qenë tre pacientë shqiptarë
që ishin operuar nga zemra kohët e fundit
dhe theksoi se që të tre pacientët shqiptarë kanë pirë duhan vite me radhë. Ata
u këshilluan ta ndalonin rreptësisht duhanin. Doktoresha vazhdoi: "Zoti Avdyl
Tufa, pacient i moshës 76- vjeçare nga Lushnja, u diagnostikua me sëmundje
arterosklerotike të tre prej arterieve
koronare të zemrës më 27 tetor 2008 tek Qendra Mjekesore Universitare e
Bostonit. Me 1 nëntor ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike pa kalim në pompën
mushkëri-zemër. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 6 nëntor u dërgua në
shtëpi. Më 30 prill 2009 ai u kthye në gjendje të mirë në Shqipëri... Pacienti i
dytë, zoti Agim Dëshnica, i moshës 75 vjeç nga Tirana, u soll në Qendrën
Mjekësore Universitare te Bostonit urgjent me «Ambulancë» mbasi kaloi një
episod sinkopie (të fiket) në rrugë, e cila u dëshmua nga bashkëshortja më 16
shkurt 2009. Ai u diagnostikua me semundje arterosklerotike të zemrës në bazë
të prezantimit klinik, ekokardiografise. Më 20 shkurt 2009 ai iu nënshtrua
ndërhyrjes kirurgjike për revaskularizimin e tri arterieve koronare të
bllokuara gati plotësisht. Me 6 mars 2009 ai u dërgua në shtëpi dhe deri
tani ka një progres tepër të mirë klinik...Pacienti i tretë, zoti Ramazan Çelaj,
i moshës 48 vjeç nga Lushnja, gjatë kontrollit të zakonshëm me mjekun e
familjes, u njoftua se kishte një zgjerim të mediastiniumit, përmes nje
radiografie të kraharorit. Pas testeve të nevojshme u demonstrua zgjerim
(aneurizm) i shkallës patologjike të
aortes asendente (ena e madhe e gjakut që del menjëhere nga ana e majtë e
zemrës). Pacienti plotesonte të gjitha kriteret për nderhyrje kirurgjike. Më 9
mars 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Kursi postoperator kaloi me
sukses dhe më 14 mars Ramazani u dërgua në shtëpi. Ai është i gatshëm për t'u
kthyer në punë rregullisht...Dua të theksoj,- përfundoi doktoresha, se pirësit e
duhanit duhet ta dinë mirë sa dëmtime serioze i shkaktojnë zemrës së
tyre, përveç mushkërisë, fshikëzës urinare, kavitetit të gojës dhe lëkurës..."
KRENOHEMI ME DR. ÇOKUN
Gjatë bisedës me pacientin Ramazan Çelaj, ai më tha: "Kur
të ndjek e mira, duhet pranuar si fatsjellëse. Keshtu më ka ardhur njohja dhe
ndihma e doktoreshës Lindita...Ishte janar 2009 dhe saktesisht data 12 kur kisha
takimin me doktor Ara Ketchedijan dhe ai foli me admirim për doktoreshën . "
Në ekipin tonë kemi dhe një patrioten tuaj që e quajnë Lindita Çoku,"- më tha
doktori.
Nuk e prisja që të takoja një shqiptare këtu, në këtë
institucion prestigjioz, në "Boston University Medical Center", dhe aq më tepër
që doktoresha do të ishte pjesëmarrëse në operacionin që më priste. Nuk m'u dha
mundesia ta takoja deri në ditën e operacionit, më datën 9 mars.
Ishte e hënë, një ditë e ftohtë me dëborë, kur unë dhe familja
ime u nisëm drejt spitalit...Në të tilla raste dihet se si ndjehesh dhe aq më
shumë familjarët e mi. Me të mbërritur në spital, gjithçka ishte gati dhe mua
më duhej vetëm të shtrihesha në shtratin e operacionit. Para meje u paraqitën
dr. Ketchedijan dhe dr. Çoku. Doktoresha, për të më qetësuar, m'u drejtua në
gjuhën tonë e m'u prezantua. Mbeta disi i pafjalë, ndërsa ajo më fliste
ngrohtësisht se duhej të isha i çtensionuar dhe i qetë.
"-Gëzohem që ju njoha,- i thashë më në fund doktoreshës,- dhe më vjen mirë që
ju do të jeni me mua. "... Për momentin nuk dija ç't'i thosha më tepër, se isha i
shqetësuar për vete dhe për familjarët e mi. Iu luta dr. Çokut që të
shkonte tek të mitë dhe t'i qetësonte për gjithçka. Ajo ma plotësoi dëshirën me
mirësjellje...Krevati im lëvizi për në drejtim të sallës dhe doktoreshe Çoku më
shoqëronte e më fliste për të më qetësuar. Kur u gjeta në sallë mes tërë atyre
aparaturave, m'u afrua doktoresha e më tha: " Ne shqiptarët jemi të fortë dhe
ju kështu më dukeni, madje më dukeni më i fortë nga ç'e mendoja".
Patjetër ishin fjalë për kurajë. Kaq mbaj mend... derisa erdha ne vete mbas disa
orësh, në dhomën e reanimacionit. Sapo isha përmendur pashë doktoreshë Çokun që
hyri në dhomë duke buzeqeshur dhe që të dy me doktor Ketchedijan më pyetën si
ndjehesha. "Të thashë që ne jemi të fortë!", më foli doktoresha me
atë buzeqeshjen e saj të ëmbël, por mua më dukej se më thoshte: " Ne shqiptarët
jemi të aftë të bëjmë gjithçka!"...Me të vertetë, shqiptarët janë të aftë të
bëjnë gjithçka! Ja ku e kisha pranë doktoreshë Çokun, për të cilën ndjehesha
krenar. Një kirurge e përkushtuar shqiptare në Amerikë, e vlerësuar për punën e
shkëlqyer në operacionet dhe për kujdesin ndaj pacientëve të saj...Dr. Lindita
vinte disa herë në ditë, më pyeste për gjendjen time, madje, kur kish pak kohë
të lirë, bënim biseda të ndryshme. Kryesisht meraku i saj ishte mjekësia, duke
përmendur me admirim vendin tonë të largët, me shpresë se ai vend mund të
arrinte një ditë me një mjekësi të përparuar... Ju lumtë doktoreshë Çoku ! Ju
urojmë suksese në karrieren tuaj profesionale, sepse keni një profesion
sa human, aq edhe të veshtirë!"
Urimin e Ramazanit e vazhdon bashkëshortja e tij,
Dituria: "Doktoreshe Çokun për herë të parë e pashë ditën që bashkeshorti
im bëri operacionin, - thotë ajo.- Më kujtohet buzeqeshja dhe fjalët
qetësuese të saj; na siguroi se çdo gjë do të shkonte mbarë. Ndoshta nuk
fiksova shumë gjëra atë ditë, sepse mendja ime qe përqëndruar në sallën e
operacionit ku ishte bashkëshorti im, i cili, siç tha edhe doktoreshe
Çoku, kishte jetuar "me revole pas okes." Zani kishte lindur me difekt në
zemër, AORTIK VALVE, dhe si pasojë u shkaktua ASCENDING AORTIC ANEYRYSM,
që në moshë të re. Kjo sëmundje nuk të jep shenja dhimbjeje ose të tregojë që
je i semure, por është shumë e rrezikshme për jetën, sepse, në qoftë se çahet
aorta nga zgjerimi, shkaktohet vdekje e menjëhershme. Pra, dua të dal tek
fjalët e doktoreshë Çokut: "kishte jetuar me revole pas kokës!" U zgjata pak
për te treguar diagnozën e Ramazanit jo pa qëllim, sepse njeriu duhet të ketë
informacion të saktë për llojin e sëmundjes së tij dhe kjo gjë në Shqipëri na
ka munguar. Dua të them se doktoreshe Çoku, përveç
përkujdesjes shëndetësore, gjente dhe kohën të na sqaronte për çdo gjë rreth
kësaj diagnoze. Nuk kam për ta harruar kujdesin e saj për pacientët, por mbi të
gjitha dua të theksoj thjeshtësinë e saj. Mua më dukej sikur e njihja prej kohe
këtë vajzë.Te Lindita Çoku janë bashkuar të gjitha virtytet e shqiptarit:
zgjuarësia , mirësia, thjeshtësia dhe dëlirësia.
Krenohemi me doktoreshë Çokun dhe i urojmë
asaj suksese të mëtejshme në detyrën humane që ka marrë përsiper. Gjithë
Shqipëria duhet të krenohet me dr. Çokun!"
FALEMINDERIT, DOKTORESHË
Pacienti i tretë, Agim Dëshnica, më tha: "Gjatë jetës sime nuk kam pasur
probleme me shëndetin. Vitin që shkoi, papritur, tek ecja rrugës, nuk u
ndjeva mirë me frymëmarrjen. Natën nuk munda të flija nga një dhembje në
krahëror. Sipas mendimit të kardiologut Hans
Mejer dhe analizës kardiografike, duhej t'i nënshtrohesha një procesi të
vështirë, operimit në zemer, zevendësimit të tri venave të dala jashtë
përdorimit ( me tre baj-pase.)
Para operimit, në dhomën e pritjes, pranë shtratit u shfaq
një djalosh plot gjallëri. " -Jam doktor Ara Ketchedijan, që do të
drejtoj nesër operimin tuaj. Çdo gjë do të kalojë mirë. Flini i qetë" -më
tha. Fill pas tij, befas dëgjova një zë të këndshëm vajze. Fliste ne
gjuhën e bukur shqipe. "- Jam doktoreshë Lindita Çoku, nga Tirana-më tha.
-Edhe unë tok me doktorin do të marr pjesë në operim...Mos u shqetëso nga
operacioni, ki besim tek ne."
Hodha sytë e pashë i gëzuar fytyrën e qeshur plot dritë të kirurges shqiptare.
M'u duk aq e afërt, sa që natyrshëm iu drejtova me "ti" dhe me emrin
Lindita. Në ato çaste m'u shfaq atdheu i largët. Me sytë e mendjes pashë
Tiranën e rinisë sime, të shkollës e të punës, me gëzime dhe halle...Duke dëgjuar
Linditën tek fliste aq përzemërsisht, u mbusha me krenari për njerëzit tanë të
talentuar që punojnë këtu në SHBA, falë edhe nivelit e kushteve aq
të mira të mjekësisë amerikane.
Ditën e nesërme më mbartën për në sallen e operacionit.
Nëpër korridoret më shoqëruan njerëzit e miqtë e mi të dashur. U ndava me
ta me besimin tek Zoti për të mbijetuar e tek aftësia e njohur e kirurgëve amerikanë.
Ndërsa prisja në një dhomë të gjerë para sallës së
operimit, m'u afrua e më foli disa herë Lindita jonë e shkathët. Ashtu, i
shtrire, ndiqja me vëmendje përqendrimin e saj mbi një tavolinë pune. Pas
pak kohësh u afrua e nisi të punonte për mua doktori anestezist, një djalë i
fuqishëm e i gjallë në prani të disa mjekëve të tjerë. Në mbarim dëgjova tek e
përgëzuan: "gud xhob!" Pastaj nuk mora vesh se ç'ndodhi....
Papritur dëgjova shqipen e bukur:
-"Mirëmëngjes, Agim!"- Ishte
zëri i gëzuar i Linditës. Pranë saj pashë gruan e birin tim të dashur.
Doktoresha vijoi: "- Operacioni mbaroi me sukses. Sikur ta dinit se sa me
lehtësi më punuan mendja dhe duart. Nuk ndjeva asnjë lodhje gjatë gjithë kohës
së punës."
Tek e sodisja dhe e dëgjoja, e kisha të vështirë të
flisja. Nuk gjeja fjalët e duhura për të shprehur admirimin e thellë ndaj saj.
U përpoqa e krijova diçka të afërt me poezinë e emrave tona:
-Pas
"agimit" "lind dita" e shkëlqyer.
Faleminderit,
doktoreshë! Je një kirurge shqiptaro-amerikane me duar të arta! Nuk do ta
harroj kurrë edhe fytyrën e lumtur të doktor Ketchedijanit për suksesin e
arritur, ndërsa vinte pranë meje ashtu si Lindita për të parë
ecurinë e shërimit."
Ata janë tre pacientët e saj. Ajo "ua hapi zemrat" e tyre
dhe ata e falënderojnë sot me "zemër të hapur!"