Coveri i albumit të Elhaida Danit
Kontrata me "Universal", çmimi për fituesen e "The Voice"
Një përmbledhje me 7 këngë, krijime të reja dhe interpretimet më të mira në
"The Voice"
Nuk mund të kishte asnjë titull tjetër veç emrit të saj. Shqiptarja që fitoi
zemrat e miliona italianëve ia doli, jo vetëm të fitonte një talent-shou si
"The Voice of Italy", por edhe të nisë karrierën e saj në vendin e
muzikës. Ashtu si edhe premtoi, që në të hyrë të korrikut Elhaida Dani do
të nxjerrë albumin e saj të parë. Titullohet "Elhaida Dani", një prodhim i
"Universal Music Italia", i cili do të hidhet në treg në datën 2 korrik. Siç
mësojmë nga vetë "Universal", albumi përmban 7 këngë, mes të cilave edhe dy
krijime të reja, njërën që tashmë e njohim, "When love calls your name" ("Kur
dashuria thërret emrin tënd"), me tekst dhe muzikë të Riccardo Cocciantes dhe
një tjetër në gjuhën italiane, "Baciami e basta" ("Vetëm më puth"), shkruar nga
Francesco Silvestre i grupit "Modà ". Duke filluar që sot, kënga do të fillojë të
transmetohet në radiot italiane, ndërkohë që për herë të parë u prezantua në
edicionin e 25-të të çmimeve "Marisa Bellisario", në ekranin e RAi2. Ndryshe
nga kënga e Cocciantes, "Baciami e basta" është më ritmike dhe me shumë gjasa
do të jetë një nga hitet e kësaj vere. Të tjera këngë janë ato me të cilat ajo
arriti të bindë gjithë teleshikuesit që ta votojnë e ta shpallin fituese. Një
ndër to është "Mamma knows best", interpretimi i së cilës në audicionet e
fshehta bëri që të ktheheshin të katër partnerët e "The Voice of Italy" dhe
"Adagio", një këngë e Lara Fabian, që ngriti në këmbë e përloti gjithë
spektatorët e spektaklit që transmetohej drejtpërdrejtë, çdo të enjte në
"Rai2". Albumi që do të dalë pas pak ditësh është pjesë e kontratës që
këngëtarja shqiptare ka lidhur me "Universal". Kjo kontratë ishte edhe çmimi si
fituese e "The Voice of Italy". Gjatë ditëve në vijim do të organizohen disa
takime të Elhaidës me adhuruesit e saj, të cilët do të kenë mundësi të
rrëmbejnë një autograf apo të dalin në fotografi me yllin e ri të muzikës
italiane, por që vjen nga Shqipëria. Ndërkaq, në të njëjtën ditë priten të
dalin edhe albumet e dy finalistëve të tjerë të "The Voice of Italy": Timothy
Cavicchini, i cili doli i dyti në finale me "A fuoco" ("Në zjarr") dhe Veronica
de Simone, finalistja e Rafaela Cara-së, me "Nati liberi" ("Të lindur të
lirë").
Stinë koncertesh
Që pas fitores së "The Voice of Italy", fjala "pushim" është e panjohur për
Elhaida Danin (jo se ajo ka shkuar për pushime në Itali). Pas intervistave në
radiot e televizionet italiane, vizitës së shpejtë në Shqipëri bashkë me
trajnerin e saj, kantautorin Raccardo Cocciante, ku u prit si heroinë, për
Elhaidën filloi puna intensive. Menjëherë pas rikthimit në Itali u mbyll në
studiot e regjistrimit, për të sjellë në dritë sa më parë albumin e saj.
Ndërkohë kanë filluar ftesat për të marrë pjesë nëpër spektakle televizive,
koncerte bamirësie e festivale dhe duket se vera do të jetë shumë e nxehtë për
Elhaidën. Kështu, pak ditë më parë ajo ishte e ftuar nderi në projektin e
bamirësisë "ProgettoAmore" organizuar nga Paolo Meneguzzi, në Chiasso, Zvicër.
Ndërsa nesër do të jetë pjesë e spektaklit "Una voce per Padre Pio", nën
drejtimin e Massimo Giletti-t dhe Maddalena Corvaglia-s. Bashkë me të do të
jenë edhe këngëtarët Marco Carta, Raf, Giancarlo Giannini, Lina Sastri, Toto
Cutugno, Orietta Berti, Patty Pravo, etj. Sipas mediave italiane, edhe pse
pjesëmarrës në koncert do të jenë emra të mëdhenj të muzikës italiane, ata që
po priten më së shumti nga publiku janë pikërisht Marco Carta, fitues i
talent-shout "Amici" të para disa viteve dhe Elhaida Dani. Koncerti do të jepet
direkt nga Raiuno në orën 21:15. Dhe menjëherë pas koncertit të sotshëm do të
fillojë turi veror "Festival Show". Rrugëtimi nis më 30 qershor në Padova për
të vijuar në Castelfranco, Belluno, Vicenza, Rosolina, Lignano Sabbiadoro,
Jesolo Lido, Mestre. Finalja do të mbahet më 10 shtator në Verona. 20-vjeçarja
shqiptare do të këndojë në krah të emrave si Alex Britti, Enrico Ruggeri,
Violante Placido, Paola e Chiara, Almamegretta, Paolo Meneguzzi, etj. Një vit
me fat ky për Elhaidën...
Takimet me Elhaidën:
E hënë, 2 korrik
Milano,
Mondadori
ora 18:00
E enjte, 4 korrik
Romë, Discoteca
Laziale
ora 17:30
E premte, 5 korrik
Marcianise, Mondadori, Qendra Tregtare
Campania ora 19:00
Albumi
Titulli:
Elhaida Dani (Ep)
Shtëpia diskografike: Universal
CD
Audio:
Pop e rok italian
Çmimi:
10.20 euro
Disponibël edhe në MP3: 4.90 euro
Në shitje nga 2 korriku 2013
Përmbajtja
"Baciami e basta"
"When love calls your name"
"In the sky for a while"
"Mamma knows best" (Live)
"Adagio"
(Live)
"Nessun dolore" (Live)
"When love calls your name" (Live)
(Panorama)