Një nga problemet kryesore në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë ishte
ngritja e administratës shtetërore me njerëz të aftë dhe të zot. Problemi ishte
i vështirë; gjuha shqipe nuk ishte lejuar të mësohej në shkollat e vendit nga
administrata osmane; vendi ishte i varfër dhe analfabetizmi mbulonte 90% të
popullsisë. Qeveria hapi konkurs për nëpunësit e rinj të administratës
shtetërore ku midis të tjerave vihej edhe kërkesa për njohjen e gjuhës shqipe.
Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi Lumo Skëndo shkruajti shkrimin
"Ministrat dhe sekretarët". Shkrimi në fillim duket se u botua në
vitet '30 tek "Dielli" dhe që këtej u morr dhe u botua në gazetën:
"Shqipëri e Re". Shkrimi megjithatë vlen të rilexohet edhe në ditët tona,
madje vlen të rilexohet kohë pas kohe.
Ministrat dhe
Sekretarët
Të mos trembemi, po të shikojmë të vërtetën drejt në sy. Le të zbulojmë të
metat, le të shohim rrënjët dhe shkaqet e tyre. Të jemi si mjeku që bën
diagnostikim, na thotë ç'kemi, pastaj na dëften edhe ilaçin.
Nja dy muaj më parë bënim fjalë me një mik se ç'farë njerëz të zotë kemi, sa
specialistë, sa mjekë, sa inxhinierë, sa profesorë. Bëmë një listë me shqiptarë
që kanë diploma nga shkollat e larta, dhe në çdo zbulim të ri, na mbushej zemra
plot gaz, na vinte një madhështi. Dhe aq më tej akoma, sepse të dy qemë të
bindur se inxhinierët më të mirë të Turqisë (Ahmedi nga Devolli, Eshrefi nga
Frashëri), dhe mjekët më të mirët, operator Orhani nga Devolli, gjinekologu
Besim Omeri nga Narta, Sylejman Humani nga Dibra, neurologu Joan X, nga
Gjirokastra, bekterollogu Rifat nga Frashëri etj. ishin të gjithë shqiptarë,
nga gjaku dhe nga vendi ynë, nga ajo baltë dhe nga ajo gjuhë. U gëzuam kur
mësuam se një veteriner shqiptar, miku ynë, Sejfedini nga Selenica, gjeti
ilaçin e këlbazës në Shkodër, se Dr.M.Turtulli, në Misir, ishte një nga më të
mirët e heqimëve. Edhe thoshnim se Shqipëria nuk është e varfër nga
intelektualët, se kemi njerëz edhe në Rumani (inxhinier Vangjel Nuni), një
profesor elektriku nga Drenova, tre a katër piktorë. Mund të kemi edhe në
Greqi, që s'i dimë sot, se nuk rrëfehen por nesër mbase dalin në dritë.
Megjithatë, sado vullnet të mirë që patëm për ta zgjatur, lista mbeti e vogël,
e shkurtër, edhe u siguruam se një vend si i yni që ka nevojë të përparojë,
duhet t'i përvishet punës; njerëzit që kemi sot janë fort të paktë; bëmë pastaj
edhe një listë të studentëve, të djelmoshave që mësojnë në Amerikë, në Itali,
në Vjenë e gjetkë; edhe këtë listë e gjetëm fort të varfër.
Tashmë duhet të punojmë, të përpiqemi që të shtohet numri i studentëve, i atyre
që dinë dhe janë të zot të punojnë, i atyre që mund të bëjnë një punë të
fitimshme.
Duhet të kemi njerëz për sekretarë - tha miku ynë, dhe jo për ministra.
Pandehëm se qeshte. Po jo, miku qe i sinqertë, fliste me seriozitet. Deshëm të
dimë ç'donte të thoshte. Dhe e pyetëm.
Ne, tha, në Shqipëri, kemi shumë njerëz që janë kandidatë për ministra, dhe
fort pak janë për sekretarë; shqiptari është kryelartë, i pëlqen që të rrijë në
krye, kemi pak njerëz të zotë që të punojnë.
S'kuptonim ç'qëllim kishte. Po ai na e shpjegoi:
Do ta kuptoni fort lehtë ç'dua të them, kur të mendoni se një sekretar duhet të
jetë i zoti që të shkruaj mirë, të mbajë në rregull letrat dhe defterët, të
rrijë tetë orë ditën dhe të punojë mbase edhe natën. Ministri s'ka nevojë të
bëjë asnjë nga këto punë. Ay vetëm do të flasë, do të kuvendojë.... Sekretarit
i duket puna, po qe që s'di, i del në shesh puna. Ministri përkundrazi ua hedh
fajin shokëve.
Miku ynë e thoshte këtë me ironi dhe me paradoks; se edhe ai e dinte se
ministri duhet të ishte shumë i ditur dhe i zoti. Themi duhet të ishte dhe
shpresojmë se edhe në Shqipëri kështu do të bëhet.
S'kemi njerëz të zotë për punë të rregullt, vazhdoj miku ynë. S'kemi se nuk
janë mësuar për punë; nuk kishin ku të mësoheshin: Ata të Turqisë janë mësuar
"dembelë"; në Shqipëri akoma nuk nxorëm dot njerëz të rinj. Prandaj
gjithë duan të bëhen ministra, dhe asnjë sekretar.
Edhe shtoi: Doni të bëni një provë ? Bëni një zëdhënie në "Dielli":
thoni se "Vatra" kërkon të bëjë ministra për në Shqipëri dhe u lutet
atyre që dëshirojnë këtë ofiq, të bëjnë kërkesa. Do të shihni se do të vijnë
dyqind mijë aplikime . Të gjithë duan të bëhen ministra, që nga B. B. dhe gjer
Sh. G. Jo vetëm se ata janë të pashëm, për krushq, po edhe i mjeri V. L. q'
është si kotele maceje dhe I. P. edhe ata për ministër e kanë syrin. Bëni edhe
një zëdhënie për sekretarë dhe do të shihni sa pak aplikime do të vijnë!
Dhe kishte të drejtë miku ynë. Unë që po shkruaj këto radhë, nuk njoh të këtë
në mes të asaj shumicë miqsh që njoh, tetë prej syresh që të jenë të zot të
bëhen sekretarë.
Kur mendohem sa të paktë janë sot ata që dëshirojnë të bëhen sekretarë, sa të
paktë janë ata, që mund të punojnë me rregull dhe me sistem, të mbajnë në
rregull një korrespondencë dhe të shkruajnë bukur një letër ose një raport
shqip, njeriut i vjen për të qarë, i vjen për të qarë jo se gjenden të paktë,
po se të paktë janë ata, që përpiqen të bëhen më të zotë.
Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student
në Amerikë. S'kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja
të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj
për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High
School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj
stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder
një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante "Dielli".