Ylli Bodinaku në shtëpinë e tij në Tiranë intervistuar për Deutsche Welle-n nga
Ani Ruci
Ylli Bodinaku, që më 2 korrik, çau me kamionin e tij murin e ambasadës
gjermane, drejton sot një servis automjetesh në periferi të Tiranës. Sot ai
tregon për jetën e tij dhe kthesën që i dha asaj Gjermania.
Ai nuk e quan veten hero. Por kështu e ka quajtur atë, në mbrëmjen e 2 korrikut
1990, ministri i Jashtëm i atëhershëm i Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher.
Ylli Bodinaku, kujton si sot, atë mbrëmje, kur i ra murit të pasëm të ambasadës
gjermane dhe hyri brenda me kamionin e tij të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë.
Dhjetra të tjerë vërshuan më pas në ambasadën gjermane, nga muri që ai rrëzoi.
"Atë mbrëmje, në Bon u raportua që në ambasadën gjermane ishin futur menjëherë
86 vetë. Punonjësit e ambasadës na mblodhën dhe na lexuan një faks që kishte
dërguar Gensche-ri. Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë
shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë. Kështu thoshte fjalë për
fjalë Genscher-i në faksin e tij," sjell ai ndërmend.
Kamioni Skoda, me të cilin Ylli Bodinaku çau murin e ambasadës gjermane
në Tiranë më 2 korrik 1990
Shembjen e atij muri Ylli e kishte projektuar në ëndrrat e tij më të guximshme,
që nuk e thyen prej torturave të Sigurimit të shtetit në Tiranë. Ideja se një
ditë ai do t'i binte atij muri e mbajti gjallë më pas në qelinë e burgut
famëkeq të Spaçit, ku regjimi e çoi si të burgosur politik. "Murit nuk i rashë
aksidentalisht. As nuk më shtyu dikush. Ishte një urrejtje e brendshme. Në
moshën 27 vjeçare u dënova me 10 vjet burg për politikë. Isha i vendosur t'i bija murit. E dija se ecja drejt
vdekjes. Muri ishte i lartë dhe i trashë. Shanset ishin shumë të pakta për të
shpëtuar."
Ai u shpëtoi tullave që binin nga muri i rrëzuar vetëm me një plagë të thellë
në krahun e majtë, që ia mjekoi një infermiere çeke, të cilën personeli i
atëhershëm i ambasadës gjermane në Tiranë e solli enkas për të nga ambasada
çeke, përballë. Shenjat e plagës janë të dukshme edhe sot pas 20 vitesh. Ylli
Bodinaku. thotë se nuk u shpëtoi vetëm tullave të murit, që rrëzoi kamioni i
tij, por edhe shenjëstrës së snajperave të policicë së regjimit që po jepte
shpirt, që kërkonin ta asgjësonin. Personeli i ambasadës gjermane i kishte
dhënë udhëzime të prera që të mos dilte në dritare, të mos lëvizte nga dhoma në
katin e tretë, ku e kishte vendosur bashkë me familjen e tij. Dy javë më pas ai
do të ndodhej në jugperëndim të Gjermanisë, në qytetin Mannheim, ku e caktuan
autorittt gjermane.
Jeta e re në Mannheim
Atje, zanati i motoristit i hapi derën e punës në kompaninë e njohur MAZDA.
Vitet që punoi në Mannheim, në atë kompani, qenë një shkollë e vërtetë
profesioni, kulture dhe formimi personaliteti për Ylli Bodinakun. "U jam shumë
borxhli, u jam shumë mirënjohës gjermanëve. Këtë e them me shpirt. Atje mësova
çfarë është disiplina e punës, se si nuk pihet duhan në vendin e punës. Atje
mësova gjermanisht. Shefi im tek MAZDA më thoshte ik, shko mëso...Çfarë kam
parë dhe kam mësuar atje jam munduar t'i vë në jetë këtu, ja siç e sheh me sytë
e tu." thotë Ylli Bodinaku.
Kthimi në atdhe - Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët
Ajo që shoh me sytë e mi është një servis, në katin e parë, të shtëpisë së tij
trikatëshe në kodrat e Saukut, pranë Tiranës. Katër punëtorë dhe dy djemtë e
tij riparojnë automjete dhe motorat e tyre. Syri të zë edhe automjete të viteve
50-të që janë bërë krejt si të reja. Rregullimin e motorëve, Ylli Bodinaku e ka
pasion të vjetër; duket si i lindur për të qënë mototrist, dhe në laboratorin
pranë servisit sheh një arsenal të tërë veglash dhe motorë automjetesh që duart
e tij i kanë bërë sikur sapo kanë dalë nga fabrika.
Motor në ofiçinën e Ylli Bodinakut
Për fat të keq kamioni i tij historik nuk gjendet mes automjeteve që ai i ka
riparuar. Për fat të keq as në ndonjë muze. Kur ai ishte në Gjermani atë e
shitën për hekurishte. Kjo e trishtoi dhe e zhgënjeu kur u kthye përgjithmonë
në atdhe. Tani ai përpiqet të kultivojë një kulturë tjetër tek të punësuarit e
tij. Vlerësim dhe respekt ndaj asaj që kanë bërë të tjerët, disiplinë, rregull.
Si shembuj ai ka përherë në majë të gjuhës episode nga Gjermania. "Kur isha në
Gjermani Genscher-it i vunë gjobë vetëm sepse hyri me makinë me shpejtësi në
shtëpinë e tij, më kupton? " pyet ai.
Ai është krenar që ka sjellë në servisin e tij gjithë përvojën që fitoi në
vitet e qëndrimit në Gjermani. "Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët, thotë ai.
Gjermania më bëri të mendoj kështu dhe të jem ky që jam".