VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Hapen koleksionet e rralla të Bibliotekës së famshme të Bushatlinjve

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 03:16pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Hapen koleksionet e rralla të Bibliotekës së famshme të Bushatlinjve
E Martë, 09.29.2009, 05:22pm (GMT+1)

Karamahmut Pashë Bushatliu

Tirane, 29 shtator - Me rastin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Shqipëri, hapen në vitrina për të parën herë për publikun një nga koleksionet e rralla të BK së: rreth 150 njësi bibliotekare të dorëshkruara të Bibliotekës së famshme të Bushatllinjve (shek. XV XIX) ku përfshihen filozofi, fe, gjuhësi, letërsi, administratë, kozmografi, retorikë etj. Janë pasuria shpirtërore e pashallarëve të Shkodrës, si për të dëshmuar në njëfarë mënyre edhe thuajse krejt autonominë që gëzonte ky sanxhak kur u sundua prej tyre, në harkun kohor 1757 1831. Biblioteka u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha që përmendet si njeri studioz që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali vakëfit të Shkodrës. "Po i la vakëf të gjitha librat e bibliotekës sime që kam lanë në Shkodër të Shqipnisë që janë të vulosuna me vulën time dhe të regjistrueme dhe të ruejtuna në depon e veçantë", shënon Mustafa Pasha.

Është fat që dëshmitë për këtë bibliotekë se ç'ishte dhe ku ishte vendosur, si ishte konstruksioni i saj, me dhoma, sallon dhe vend studimi për lexuesit, vijnë prej një bashkëkohësi në fazën e fundit të shkëlqimit të objektit dhe pasurisë brenda tij. Madje ai ishte më shumë se kaq, ishte kujdestar i bibliotekës dhe administrator i zyrës së vakëfit të Shkodrës në vitet tridhjetë. Hami Bushati informon tek vepra e tij e çmuar "Shkodra dhe motet" se: "Në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3000 volume teologjie, jurisprudence e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj. Nga librat e bibliotekës po shënojmë disa ekzemplarë që edhe në botën orientale ishin të rrallë: p.sh. Historia e Ibni Halëdunit, e përkthyer turqisht, Historia e Xhevdet Pashës 12 volume, Tarihi Vasif, Tarihi Taberi etj. Kurse tekstet e filozofisë qenë të autorëve: Ibni Sina (Avvicenna), Ibni Rushdi (Averroe), Imam Gazali, Fahruddini Rrazi, Mahjuddini Arabi etj. etj. Kishte edhe vepra origjinale në dorëshkrim. Duhet përmendur se në atë bibliotekë gjendej edhe libri i shkruar shqip prej Tahir Ef. Gjakovës me titullin "Vehbije" dhe historia turqisht e Ahmet Pashë Dukagjinit. Të gjithë librat e biblotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, por me largimin e tij nga Shkodra librat e bibliotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, që Pasha i kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Vula kishte këtë përmbajtje: "Mbështetja ime është Zoti dhe ai është i mjaftueshëm nga librat të cilët i ka bërë vakëf i përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga vezirët i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i përhershmi...".

Ekspozimin e koleksionit oriental do të shoqërohet me të dhënat e Bushatit, përfshi këtu rregullat, të rrepta fort, në bazë të të cilave pat funksionuar biblioteka e Bushatllinjve. Një pjesë të kësaj rregulloreje po e botojmë përbri ilustrimeve, të cilat ilustrime dëshmojnë kaligrafinë dhe artin e ornamentikës, një kulturë islame e shprehur në libra. Jetuan në shekujt XVIII XIX, por siç vë re edhe Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, blinin libra treqind vjet më të vjetër se ata. Për shembull tek kjo trashëgimi që trajtohet dhe ruhet si pasuri kombëtare, gjen një Kuran të vitit 1451, ndër më të vjetrit e koleksionit. Ky kuran mban vulat e Kara Mahmut Bushatit, sundimtar i Shkodrës, pasha i tretë i dinastisë së Bushatllinjve dhe të Mustafa Pashës. "Identifikimi tyre ka qenë i sigurtë nëpërmjet vulave, përndryshe do të kishin humbur në detin e fondeve orientale", thotë Plasari, i cili me këtë rast i bën homazh punës së jashtëzakonshme që kreu në vitet '60 '70, Zyber Bakiu (1897 1987), orientalist, përpunues i Koleksioneve Orientale të Bibliotekës Kombëtare. Bakiu bëri këtë selektim që kemi sot. Pikërisht në atë kohë, sajë "politikës së përqëndrimit të vlerave të rralla të kombit", përqëndrim që siç thotë Plasari "duhet të ketë ndodhur kur janë mbyllur institucionet fetare", erdhën deri këtu, në BK, këto libra. E përse ekspozohen tani këto? Ditët e Trashëgimisë Evropiane të shpallura nga Këshilli i Evropës për festa të kulturës një javë në shtator, ekzistojnë prej vitit 1991. Pavarësisht se në Shqipëri ka së paku dhjetë vjet që "festohet" për trashëgiminë, Plasari thotë se bibliotekat shqiptare nuk kanë qenë të ndërgjegjshme se duhet të kryejnë edhe këtë funksion të ekspozimit të fondeve të tyre të rralla. (http://www.kosova.com) (http://www.shekulli.al)

 

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Rrezikohet jeta e 80 shqiptarëve, pasi avioni sulmohet nga tufa masive zogjsh (09.29.2009)
Presidenti Topi uroi Imzot Rrok Mirditën me rastin e 70 vjetorit të lindjes (09.28.2009)
Koha për një universitet shqiptar në ShkupNga Skënder Hasani (09.28.2009)
Sejdiu: Kemi premtime për njohje të reja (09.27.2009)
Agim Zatriqi dha dorëheqjen e parevokueshme (09.27.2009)
Efektet drejt qëllimitNga Albin Kurti (09.26.2009)
Pas pavarësisë hera e parë e Berishës në Kosovë (09.25.2009)
Intervistë e Presidentit Topi në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" (09.24.2009)
Sali Berisha fton Presidentin Obama në Shqipëri (09.24.2009)
Shkupi tërhiqet pasi Berisha parashtroi kërkesën Ivanovit (09.24.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]