VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FYROM si një anije Ilinden e mbingarkuar me shovinizëm e racizëm kundër shqiptarëveNga Ramiz LUSHAJ

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 03:14am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

FYROM si një anije Ilinden e mbingarkuar me shovinizëm e racizëm kundër shqiptarëve

Nga Ramiz LUSHAJ


E Mërkurë, 09.30.2009, 08:14am (GMT+1)

 

 

1.

 

FYROM, si shtet, në saje të politikës së vet, është, para së gjithash, mos mirënjohës ndaj Shqiptarëve Etnikë në shtetin e vet dhe në gadishullin e  Ballkanit, (Ilirikun e hershëm).

 

Në rreth dymijë vjet nuk u përmend ndokund emri "Maqedoni" dhe nuk ka ekzistuar asnjë përpjekje e ndonjë populli për të ringjallur shtetin me emrin "Maqedoni", përveçse në fundin e shek. XIX, kur nisi ideimi i tij, kur doli në skenë një lëvizje e fuqishme që njihet me emrin VMRO, ku, sipas platformës politike të saj, Maqdonia do të duhej të ishte një "Zvicër ballkanike", ku do të jetonin në barazi të plotë bullgarët, shqiptarët, turqit, vllehët, grekët, etj. Kjo lëvizje e asaj kohe çoi në kryengritjen e Ilindenit më 1903.

Kjo kryengritje mbart dy fakte madhore: e para: ngjarjet kryesore të saj u zhvilluan në hapësirat gjeopolitike, ku shumica e popullsisë ishte shqiptare, e dyta: shqiptarët ishin pjesmarrës aktiv dhe forcë e ndjeshme në rradhët dhe frytet e saj, siç dëshmojnë historianë maqedonas si Todor Simovski, Aleksandër Hristovi, Orde Ivanovski, "Historia e Popullit Maqedonas" (botim i Institutit të Historisë Kombëtare të Maqedonisë), etj. Njëri prej tyre, Todor Simovski, pohon: "Kryengritja kryesisht kishte karakter antiosman. Prandaj, asaj iu bashkëngjitën dhe e ndihmuan edhe shqiptarët. Pa ndihmën e shqiptarëve ajo vështirë se do të kishte sukses, kur dihet se ajo u zhvillua kryesisht në viset e banuara më tepër me shqiptarë. Ai thotë se: "Shqiptarët kishin merita të veçanta për Komitetin dhe kryengritjen e Ilindenit, që ishin bartës të sigurtë dhe të mirë të armëve, barutit dhe materialit tjetër ushtarak", etj.

 

Pavarësisht se Kryengritje e Ilindenit nuk pati jetë të gjatë, ishte ngjarja e parë me rëndësi historike për popujt që jëtojnë sot në FYROM  që e çoi këtë vend drejt Pavarësisë më 1991, ishte zanafilla e bashkëpunimit të  Shqiptarëve Etnikë me popujt e FYROM-it të sotëm, si maqedonasit, turqit,etj.për t'u  çliruan nga sundimi Otoman dhe për të ndërtuar e lartësuar urat e miqësisë, etj.

 

Ky kontribut i Shqiptarëve në vitin 1903 dhe në dekadat e vitet e tjera nuk pati mirënjohje nga  Republika Maqedonase,  gjersa në vitin 2001, Shqiptarët Etnikë në FYROM bënë kryengritjen e vet, ku forca e  UCK e popullit shqiptar dhe presioni i ndërkombëtarëve i detyroi Maqedonët të nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit.

Po këtë Marrëveshje e përdorën për ta mbajt FYROM-in si FYROM dhe jo për t'i bërë Shqiptarët Etnikë të barabartë si Maqedonasit, për t'i vlerësuar realisht si shtet-formues të FYROM-it.

 

Lidhur me Kryengritjen e vitit 2001, në Enciklopedinë Maqedone, hedhin baltë me sa munden, biles duke sulmuar edhe Amerikën e Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, sikur, këto të dyja, na i paskan stërvitur ushtarët e UCK-së, etj. duke fabrikuar e flluskuar ndaj liderëve e luftëtarëve të saj, etj.

E para: Në fakt, në themel të kësaj Kryengritje është padurimi e forca shqiptare ndaj padrejtësive të panumërta dhe sulmeve ndaj shenjtërive shqiptare, që kryenin shovinistët e racistët maqedonasë fyromistë në kupolën e strukturat e shtetit.

 

E dyta: Nga ana tjetër, nuk duhet mohuar as një e vërtëtë e mbetur enigmë, që ka domethënie reale të madhe. FYROM e dontë këtë Kryengritje Shqiptare të vitit 2001, për të ndalur vazhdimësinë e Korridorit VII, të "Vijës Egnatia", si nismë fatmirë të Presidentit Klinton, si interesim strategjik i Italisë fqinjë, si projekt Euro-Atlantik.

 Pse?

Kishte përkim interesash në mes të FYROM e Greqisë. E para: nuk e donte një lidhje të tillë strategjike në të gjitha dimensionet politike, ekonomike, kulturore, etj. në mes Shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës me Shqiptarët Etnikë në FYROM. E dyta: Greqia , me pretekstin pa bazë të kësaj Kryengritjeje Shqiptare, kërkonte të krijonte  një "Vijë Egnatia" tjetër, nëpër territorin e saj, të merrte fonde nga BE për këtë projekt, të zhvillonte në lërtësime të reja vendin e vet, etj. E treta: FYROM, në heshtje e në "fshehtësi", si gjithëmonë, donte të çonte rrugët autostradore të saj drejt Greqisë, jo vetëm nisur nga planet  territoriale të FYROM ndaj Greqisë, por edhe për të mos iu mundësuar Shqiptarëve në Ballkan të kenë ura komunikimi e zhvillimi autostrador, etj. E katërta: nuk duhet mënjanuar as fakti tjetër: donin t'i paraqisnin Shqiptarët se "Nuk janë për zhvillimin", por "Për rebelimin", si në Republikën e Shqipërisë më 1997, në Kosovë më 1998-99 e më 2004, në FYROM më 2001, etj., çka këto argumenta aspak dinjitoze për fqinjtë tanë i përdoren si argumenta edhe kundër Korridorit të Shqiptarëve "Sali Berisha" (Autostrada Durrës-Prishtinë), kundër Rrugës së Arbrit, etj.

 

2.

 

FYROM  na ka sulmuar në shenjtërinë tonë kombëtare:  Gjuhën Shqipe, gjuhën e Nanës e të Tokës Etnike Shqiptare, duke vrarë, plagosur, burgosur e torturuar Shqiptarët, si në themelinë e Universitetit Shqiptar të Tetovës, në ditën e ligjëratave në audiorët e tij, ku u derdh gjaku i Abdylselam Eminit, më 17 shkurt 1995, etj. Ende edhe sot, edhe pas Marrëveshjes së Ohrit (2001) Gjuha Shqipe, kjo degë e veçantë në Trungun Indo-Europian të Gjuhëve, kjo gjuhë nga më të lashtat e botës, ende nuk e ka nxanë vendin e vet të merituar e të  munguar në këtë shtet të ri (FYROM), pasi Maqedonasit kanë probleme të vjetra e të ditës me identitetin e vet kombëtar gjuhësor. Ndaj, si gjithëmonë, ata që nuk kanë identitet, i sulmojnë të tjerët bash në themelitë e lartësitë e identitetit të tyre etnik, siç veprojnë ndaj Shqiptarëve edhe në kushtet e Rendit të Ri Botëror.

Edhe sot, më 2009, si në Strugë, etj. Gruevski trumbeton "Klasat etnike" (!) në shkollat ku ka shumicë shqiptare, etj.

 

Maqedonasit, në "Historia e Popullit Maqedonas" (2009), me sajesa përrallash e rrangallash, e quajnë veten e tyre me prejardhje nga Maqedonasit Antikë (!), mirëpo atëherë, këta që librojnë për identitet kaq të lashtë, le të na  faktojnë sadopak  gjurmë të kësaj gjuhe (!) nga ky ankititet. Po as sot nuk e dinë se si do ta cilësojnë gjuhën sllave që flasin, "Maqedonishte e Re", "Maqedonishtja e Epërme", etj.

 

 Argumentat shkencore dritëzojnë realitetin historik e aktual, se Maqedonasit flasin Gjuhën Sllave, janë një popull sllav, kanë një gjuhë të "harrnuar"..., të vetëquajtur zyrtarisht: "Maqedonisht" (!?). Kur Enciklopedia Bullgare, e cilësoi "Maqedonishten" si variant të Bullgarishtes,  FYROM e ngriti zërin deri në kupë të qiellit, etj., biles shumë më tepër e më ashpërsisht se, ne  Shqiptarët e tri anëve të kufinit, për provokimet, presionet e deformimet e Enciklopedisë Maqedonase.

 

3.

 

Maqedonasit Fyromë, me struktura shtetërore-politike,  goditën në vazhdimësi Identitetin Kombëtar Shqiptar, në rregjistrimet e asimilimet fallco të tyre, pasi nëpër FYROM të tregojnë jo vetëm familje të mëdha e lagje të tëra që janë në origjinë shqiptare, por figurojnë si turqë, muslimanë, maqedonas, etj.

 

Sapo deklaruan Pavarësinë (8 shtator 1991)  nxorën "Ligj për Shtetësinë" (28.10.1992), ku mbetën pa shtetësi dhe të drejtë vote mbi 100 mijë shqiptarë.

 

 Ende edhe sot, veçanërisht në zonat ne pakicë shqiptare, me detyrim zyrtar e brutalisht  vazhdojnë  t'iu vendosin shqiptarëve prapashtesat maqedonase "ov" dhe "ski".

Ende edhe sot e kësaj dite, si në rregjistrimet e popullsisë dhe me kalkulime e fallsifikime të ndryshme, vazhdojnë të ulin numrin e shqiptarëve në rritje në këtë vend. Në vitin 2002, gjatë rregjistrimit të popullsisë e ulën në 25.17 për qind ( 509.083 vetë) numrin e shqiptarëve, ndërsa e ngritën në 65.17 për qind ( 1.297.981 vetë) numrin e maqedonasëve.

 

 Aktualisht  mendohet të jenë, të paktën,  mbi 800 mijë shqiptarë, përndryshe: afërsisht apo shumë shpejt, në mbi 1 milionë banorë të FYROM.

 

                4.

 

Në rradhë të parë, FYROM, në rast se nuk e dinë i duhet ta mësojnë se me e ndaj Shqiptarëve në shtetin e vet të ri dhe në kufinjtë e saj nuk duhet të merret me andralla historike  e kakërdhnaja politike si në këtë enciklopedi shpifanike, (Makedonska Enciklopedia në dy vëllime), duke lëshuar shumë flatra të racizmit  e hapur vatra të shovinizmit, as me Tetovën..., as me Tiranën, as me Prishtinën...

 

 Së parit:  FYROM, gati sa ka vijë kufitare me fqinjët e saj Helenë e Sllavë, i ka edhe me Shqiptarët në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës e Luginën e Preshevës... Ky është një fakt e faktor që duhet ta vlerësojnë edhe më shumë FYROM.

  Shqipëria ishte ndër të parat shtete në botë që e njohu FYROMI-in si shtet në kufijtë e tij, që në ditët e para, ndonëse ende edhe sot, më 2009, Shqiptarët në FYROM i cilëson si: njerëz mali, të ardhur si pushtues, që kryenë spastrime etnike  të "vendasëve maqedonas"(!) duke  "krijuar" (!) vendbanimet e tyre, etj., ndonëse FYROM edhe Kosovën e njohu me vonesë dhe nuk po vendos marrëdhënie diplomatike, etj.

  Nëpër vijat kufitare të Shqipërisë e Kosovës janë pik-kalimet e saj të mëdha të njerëzve e mallrave si Qafa e Thanës, Hani i Elezit...Bllata, që këto do të marrin më shumë rëndësi e përparësi me përfundimin e Korridorit VIII, Rrugës së Arbrit, etj. Kur Greqia i vendosi sanksione ekonomike iu hapën rrugët e portet e Shqipërisë. Tani, Qeveria Berisha, në të dy mandatat e saj, iu ka lënë hapësira e mundësira për Portin e Durrësit, si edhe Kosovës për Portin e Shëngjinit, etj.

 

Së dyti: Qeveria e  FYROM-it, inicuese, financuese e frymëzuese e kësaj enciklopedie me hile e hije..., është e re, jo vetëm si kabinet qeveritar, por  edhe në moshë: sapo i ka mbushur 64 vjeç, më 16  prill (1945-2009), biles është nja 8 vjet më e re se vet ministri saj i Drejtësisë (Mihajl Manevski) dhe nuk i takon të gërmojnë e turfullojnë, të rrejnë e rrngallet, të oktopadohet e trimërohet me shovizmat e sllavizmit të Dushanëve, Titovë e Millosheviçëve.

  Realiteti i rivalitetit të nacionalizmave në këtë vend, ndërmjet fqinjëve të saj jo shqiptarë, në këta dy shekujt e fundit, të paktën nga  "Ilinden 1903" deri tek "Ilinden 1944", e pse jo edhe më pas, nga koha e lindjes si shtet i pavarur e sovran më 1991 e deri te kërkimi i emrit kushtetues të saj edhe më 2009, e ka çuar ish-republikën e Maqedonisë së Jugosllavisë Federale dhe FYROM-in e sotëm, të diskriminojnë qetësisht e ashpërsisht në të Drejtat e tyre Themelore Shqiptarët Etnikë brenda kufijëve të saj, herë duke përfituar nga situatat e herë duke krijuar situata, herë me ligje e herë me plumb,, siç po vepron tani me botimet e saj luksoze e mafioze, nga "Historia e Popullit Maqedonas" (botim pas botimi) e deri te "Enciklopedia Maqedonase" në dy vëllime me fallcitete e mashtrime antishqiptare.

   Nga kjo qeveri e FYROM dëgjon deklarata jo dinjitoze të ministrit të saj të Jashtëm 33 vjeçar Milososki, si: "Shqiptarët e Kosovës duhet të dijnë mirë se janë një vend i vogël në Ballkan" apo në elektoriadën e FYROM thekson se "në koalicion do të jetë ajo parti (shqiptare) që sillet më mirë"(!), etj.. Po, a do të ketë veprim më dinjitoz  se ky: sikur ministri 72 vjeçar i Drejtësisë të ndërmarrë nismë juridike kundër të pavërtetave shkencore e sulmeve shoviniste e raciste të enciklopedisë maqedonase, që krijon konflikte ndëretnike në këtë shtet? Sigurisht që forcë dinjitoze në sjelljet ndaj Shqiptarëve për të Drejtat më Themelore të tyre e të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë kemi pritur e do të presim shumë rrallë.

Një përrallë  thotë se Nastradini e pati kufinin e prapakthimit te "Qafa e Thanës", ndërsa përrallët nastradine politiko-shkencore të FYROM-it, në këtë 2009,  duhet ta kenë kufinin te Enciklopedia Maqedonase, që FYROM të zbresin nga "Thana e thashethemnajave" kundër Shqiptarëve Etnik, si kur i quan "të ardhur"(!) në tokën e vet, si kur i daton Pavarësinë Shqipërisë "në vitin 1943" (!) si dhuratë politike e etnike nga Gjermanët (!), si "Elbasani shtrihet në veri të vendit"(!), që UCK është trajnuar nga oficerë amerikanë e forca speciale angleze gjatë konfliktit shqiptaro-maqedonas më 2001 (!), etj.

 

  Së treti: FYROM duhet të shohin e kuptojnë se  ndër e me fqinjtë e vet, ka aq shumë kundërshti për identitetin e vet, që e shiblojnë e shitojnë keqaz në progresin e saj.

Me Greqinë ka pas e ka probleme me emrin kushtetues, flamurin e simbolet e përfaqësimit të FYROM-it si shtet.

Bullgaria nuk ia njeh as kombësinë maqedonase e as gjuhën maqedonase, pasi etninë e saj e cilëson bullgare e gjuhën variant të bullgarishtes.

Serbia nuk ia njeh Kishën Maqedonase, pasi e trajton si regjion të ortodoksizmit të saj.

I vetmi komb fqinjë, që nuk ka pretendime për të thithë cicë apo bëjnë  birësim të kulturës e historisë maqedonase janë Shqiptarët në të katër anët e kufinit (Shqipëri, Kosovë, FYROM e Luginën e Preshevës), që kërkojnë nga FYROM, as më pak e as më shumë, vetëm ato që janë parashkruar në të Drejtën Ndërkombëtare e në Marrëveshje si e Ohrit, të cilat i ka nënshkruar edhe ky shtet, që në mungesë të identitetit të vet don t'iu imponohet të tjerëve me enciklopedira shterpane, akrobacira mjerane, shantazhe donkishotiane, etj.

 FYROM-it, që është në konflikt me shenjtëritë e veta dhe po i sulmon pa fund e krye shenjtëritë shqiptare me shovinizmin e racizmin e saj, i ngushtuar e revoltuar, më duhet t'i kujtojë një thënie të arvanitasit Marko Dragumis, njërit nga heronjtë e Greqisë: "Maqedonia i përket kujtdo që e merr!".

Po, ky FYROM, ende nuk e kupton ose më së shumti abuzon mbi të vërtetën e dëshmuar se gjëja e fundit që do të kërkonin apo prisnin Shqiptarët Etnik në FYROM është mosekzistenca e këtij shteti artificial. Këtë fakt e kanë provuar Maqedonasit Fyromistë, fqinjtë e saj dhe Ndërkombëtarët edhe në vitin 2001 kur ulën armët e konfliktit shqiptaro-maqedonas se nuk donin shpërbërjen e FYROM, por edhe kur vet Akademia e Shkencave të FYROM paraqiti shpërbërjen e shtetit të vet, duke ia dhënë republikës së Shqipërisë Tetovë, Gostivar, Dibër..., Kosovës, pjesën perëndimore të Kumanovës, Likovën, dhe pjesa tjetër shtetit të mbetur FYROM. Të parët që e kundërshtuan ishin Shqiptarët Etnik në FYROM. Të parët që nuk e pranuan këtë projekt, (që i rimëshohet edhe tani si ide në "Enciklopedia Maqedonase") ishin Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.

 

FYROM nuk duhet t'i shtojnë shumë të rrahurat e zemrës, (kujdes infarktin), nervat e mendjes (kujdes çmdendurinë) e të çapëlojnë sytë (kujdes verbërinë) ndaj Gjenezës e Tokës Etnike Shqiptare, ndaj Flamurit e Gjuhës Shqipe, ndaj historisë e kulturës shqiptare, as me hap, as me gjak, as me sanksione e as me diversione, as me të tilla projekte e sulme llume e të mjergullueme, si në enciklopedira e historira të mendjeve të mpira e të mërdhira...E themi këtë, se, Ne, Shqiptarët Etnikë, jemi fqinjtë e parë në Shkup e Tetovë, në Qafë Thanë e Han të Elezit, në Manastir e Tanushë, në Vardar e Drin; jemi bashkëndihmësit kryesorë kontributiv në Kryengritjen e Ilindenit më 1903, kur nisi udhën e shtetësisë dhe në vitet '90 kur hapi udhën e Pavarësisë; jemi bashkudhtarë drejt projekteve të mëdha të integrimeve euro-atlantike në BE e NATO.

FYROM, ne, bashkarisht, Maqedonasë e Shqiptarë, ia nisëm Kryengritjes së Ilindenit në Krushevën shqiptare në Manastir. Ne bashkarisht, Maqedonasë e Shqiptarë, e festojëm 2 gushtin e çdo viti, si Festë Kombëtare të FYROM. Ne, bashkarisht, Maqedonasë e Shqiptarë, e bëjmë Marshimin Tradicionian në çdo përvjetor të Ilindenit, duke nisur nga Krusheva...e në tërë FYROM.

Ndaj, FYROM, nuk duam të na cilësosh, Ne, Shqiptarëve Etnikë, as nëpër enciklopedira e historira, as nëpër rrotacione qeverish e auditoret e dijes, as te simbolet shtetërore e urat e gurta të Vardarit, si qytetarë të pa rend e të pavend, as si "të ardhur" e as si "të ikur"...

Ne, Shqiptarët Etnikë në Ballkan, pavarësisht nga "krizat" e pashuara të identitetit të FYROM, pavarësisht nga  konfliktet  ndëretnike të kultivuara e të provokuara nga FYROM, nuk duam që ta mbingarkosh anijen tënde "Ilinden" me shovinizma mesjetarë e racizëm primitiv, po nga Ilindeni në Ilinden, në çdo përvjetor, Maqedonasë e Shqiptarë, ta ngrejmë FYROM-in në këmbë e ta çojmë në Europën Euro-Atlantike, mbi urat e Vardarit të ndjejmë kaltërsinë e Ohrit, që sjellë dritë në vatrat tona, në Krushevën shqiptare të mbajmë bashkarisht flakadanët e Ilindenit për t'i sjellë progres vendit.

 

 

                                                                      Ramiz  LUSHAJ

 

                                             Kryetar i Akademisë Monarkiste Shqiptare

                                                                        TIRANË

 

Mendimet e qëndrimet janë vetjake, të autorit R.Lushaj dhe nuk implikojnë asnjë institucion apo organizëm tjetër, si AMA (Akademia Monarkiste Shqiptare), ACABS, AFCES, etj.
Ramiz Lushaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Hapen koleksionet e rralla të Bibliotekës së famshme të Bushatlinjve (09.29.2009)
Rrezikohet jeta e 80 shqiptarëve, pasi avioni sulmohet nga tufa masive zogjsh (09.29.2009)
Presidenti Topi uroi Imzot Rrok Mirditën me rastin e 70 vjetorit të lindjes (09.28.2009)
Koha për një universitet shqiptar në ShkupNga Skënder Hasani (09.28.2009)
Sejdiu: Kemi premtime për njohje të reja (09.27.2009)
Agim Zatriqi dha dorëheqjen e parevokueshme (09.27.2009)
Efektet drejt qëllimitNga Albin Kurti (09.26.2009)
Pas pavarësisë hera e parë e Berishës në Kosovë (09.25.2009)
Intervistë e Presidentit Topi në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" (09.24.2009)
Sali Berisha fton Presidentin Obama në Shqipëri (09.24.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]