E Hënë, 04.29.2024, 08:26am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
GRATË SHQIPTARE TË MËRGATËS - SIMBOLI I AJKËS SË VENEDIKUT
Nga LUÇIA NADIN

E Martë, 03.11.2014, 09:59am (GMT+1)


Gratë shqiptare të mërgatës, simboli i ajkës së VenedikutNga fundi i 1300-ës, Shkodra dhe qyteti i afërt i Drishtit kaluan nën "mbrojtjen" e Venedikut. Këto qytete ishin vendndodhje strategjike, mbasi përbënin nyje të rëndësishme tregtare ndërmjet prapatokës ballkanike dhe Adriatikut. Fuqia osmane, e cila asokohe ishte duke u përhapur, arriti ti mësyjë ato në vitet 1474 dhe 1478, përmes dy rrethimesh që kanë mbetur në kujtesën kolektive për shkak të qëndresës heroike të banorëve të tyre. Banorët kërkuan ti vijojnë luftimet, mirëpo venedikasit parapëlqyen ta mbyllin frontin e luftës dhe të vendosin paqen përmes lëshimit të këtyre dy qyteteve, çka u detyrohej interesave të tyre tregtare.

Venediku atëherë, si për të shlyer borxhin, vendosi një politikë të përpiktë strehimi, në mënyrë që të gjithë ata të cilët nuk dëshironin tu nënshtroheshin padronëve të rinj, të ishin të lirë të zhvendoseshin nën hijen e tij dhe të mund të gjenin një sistemim të përshtatshëm.
Kësisoj nisi një eksod "masiv", i cili për fat të keq u parapriu shumë të tjerëve (gjer të kohëve të fundit). Kemi të bëjmë me lëvizje shpërngulëse, ngase të gjithë banorët, si të këtyre dy qyteteve ashtu edhe të prapatokës së tyre, kërkuan të zhvendoseshin në Venedik. Një gjë të këtillë na e dëshmon Marino Becichemo, i cili shkruan:

Është një fakt i jashtëzakonshëm, për tu kremtuar ndër shekuj, që asnjëri, qoftë ky qytetar apo banor, i të gjitha shtresave shoqërore nga më e larta deri te më e papërfillshmja, nuk arrti të bindej nga Turqit të qëndronte e të mbyllte jetën e tij, në ditën e caktuar nga fati, në atdheun e vet, në shtëpinë e të parëve. Përgjatë gjithë historisë greke dhe romake kurrë nuk kemi lexuar për një shembull të këtillë besnikërie.

Në Venedik u strehuan ata pak burra, të cilët u kishin mbijetuar rrethimeve dhe që më pas u sistemuan në mënyrë të përshtatshme në territoret e ndryshme të Serenissima-s. Gjetën strehë edhe klerikët e shumtë të veriut katolik të Shqipërisë, të cilëve po ashtu iu caktuan benefite të pazëna. U pritën gjithashtu familje nga shtresat më të ulëta shoqërore, të cilët u dërguan në zona kufitare, si ato të Friulit apo Istrias. U pritën edhe gra, të veja më së shumti, por edhe nëna, bija apo motra të luftëtarëve të rënë gjatë rrethimeve.

Gratë, pra!
U morën masa që emrat e tyre të vendoseshin në lista zyrtare, të cilat duhej të përditësoheshin çdo pesë vjet. Ato kishin të drejtën e një përkrahjeje mujore, e cila duhej të zgjaste gjatë gjithë jetës së tyre. Çdo e ve kishte mesatarisht tre apo katër fëmijë: meshkujt me kohë dërgoheshin në ushtri, ndërsa për femrat merreshin masa që tu sigurohej paja. Vetë Dozhi Agostino Barbarigo mori pranë vetes Margeritan, një shqiptare, të cilën do ta përmendte edhe në një pikë të testamentit të tij, duke i lënë pesë dukate për pajën e vajzës.
Nga dokumentet arkivore del në pah një rrjet i dendur mbështetjeje që lindi ndërmjet grave të mërguara shqiptare. Në veçanti, nga ana e atyre më të kamura kundrejt atyre me më pak mundësi ekonomike, të cilat shpeshherë përfshiheshin në punë të lidhura me tekstilet.
Ishin rreth tridhjetë gratë nga Shkodra dhe Drishti që përfaqësonin fisnikërinë e mesme dhe të lartë të qyteteve nga vinin dhe që në pjesën më të madhe ishin të vejat e burrave që kishin humbur jetën gjatë rrethimeve. Si rrjedhojë ato patën një trajtim ekonomik më të favorshëm që rrotullohej te dy dukatet në muaj.

Qenë pikërisht këto gra, të cilat formuan atë grup historik, që shumë shpejt u bë pjesë e imagjinatës kolektive si mbartës i virtyteve që morali i kohës i atribuonte gjinisë femërore.

Pasi bënte të ditura të dhënat e saj të përgjithshme, me qëllim përfitimin e ndihmës ekonomike, çdo grua duhej të parashtronte gjithashtu një rrëfim të përvojës së saj jetësore: kryesisht histori fatkeqësish, të lidhura me ndodhitë e luftës ku ishin përfshirë burrat, vëllezërit apo bijtë e tyre; por edhe histori mbi dhunën e pësuar, rrëmbimet apo burgosjet.

Kjo është, për shembull, historia që rrëfen Maria nga Drishti, tashmë në moshë të thyer, por dikur gruaja e Bel Preklarit, pjesë e parisë së qytetit dhe po ashtu një politikan me ndikim.

Pas rënies së Drishtit në vjeshtën e vitit 1478, Maria burgoset nga turqit së bashku me vogëlushin e saj Dimitrin dhe mbetet aty për plot katërmbëdhjetë vjet; hesht mbi hollësitë e asaj çka ka vuajtur.
Më në fund arrin të çlirohet, nuk dihet se si, dhe atëherë mbërrin në Venedik ku i jepet një përkrahje prej dy dukatesh, shumë kjo që parashihej për të vejat e burrave më të rëndësishëm të rënë gjatë luftimeve në Shqipëri.
Dimitri, pasi mbush moshën për të kryer shërbimin ushtarak, dërgohet për të luftuar në Padova, në Trevizo, në zonën e Viçencës dhe aty gjen vdekjen duke lënë një fëmijë të mitur.

Kësisoj Marias, tashmë të moshuar, i mbetet të përkujdeset si gjyshe, për nipin e saj jetim. Për këtë arsye, në 23 nëntor 1514, ajo u bën kërkesë Përgjegjësve të Kripës (shënim i përkthyesit: Provveditori al Sal organi përgjegjës për monopolin shtetëror të prodhimit dhe tregtimit të kripës në Republikën e Venedikut) që të mund të përtërijë edhe për një pesëvjeçar përkrahjen e saj mujore. Kërkesa e saj u miratua, në mënyrë që (siç mund të lexohet nga dokumentet arkivore) të mund të ketë një mbështetje për ato pak vite që i mbeten për të jetuar së bashku me nipin e vogël.

Ja emrat e atij grupi historik grash, ashtu siç gjenden të regjistruara në kartat e Senatit venedikas, mbiemrat shpeshherë italianizohen dhe shtrembërohen në transkriptimet e ndryshme:

Zonja Maria, e veja e Todaro Dukagjini
Zonja Agnese, e veja e Fior de Dona
Zonja Donata, e bija e Fior de Dona
Zonja Rosa e veja e Tano Humoi
Zonja Maria e bija e Nicolò Moneta, i vogli
Zonja Maria e veja e Giovanni da Versa
Zonja Maria e veja e Antonello Del Bon (apo Dalbuin)
Zonja Agnese e veja e Brussa Sfregna
Zonja Dona e veja e Piero Mato
Zonja Rada e veja e Andrea Bussini (apo Bussati)
Zonja Chiara e veja e Piero Zapin
Zonja Rosa e veja e Nicolò da Modon
Zonja Bella nëna e Nica Vlirna (apo Vlaina)
Zonja Catarina e veja e Nicolò Beivizi (apo Briniçi)
Zonja Chiara e veja e Michele Busati
Zonja Duca e veja e Vladi Bogovich
Zonja Uga murgeshë
Zonja Maria e veja e Giano Barba
Zonja Denega e bija e Andrea Sacani (apo Sticato)
Zonja Maria e veja e Bel Preclari
Zonja Bona e Natale Balduin (apo Baldain)
Zonja Rina e veja e Andrea Negro
Zonja Orsa e veja e Nicolò Calamari
Zonja Busiza e bija e Nicolò da Drivasto
Zonja Rada e Melçi
Zonja Maria Belida e Alessio Speca (apo Spreca)
Zonja Rosa e veja e Nicolò Moneta i madhi, vojvod.

Listat ndoqën njëra-tjetrën duke filluar nga vitet tetëdhjetë të 1400-ës. Mirëpo me fillimet e 1500-ës ato ndryshojnë dhe emrat pakësohen, mbi të gjitha për shkak të vdekjes së disave prej tyre.
Ato gra e mbyllën jetën e tyre më së shumti gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të 1500-ës. Mendohet se ato mbërritën në Venedik teksa ishin ende njëzet apo tridhjetë vjeçare.
Megjithatë, në Venedik kujtimi i tyre dhe i atij mërgimi dramatik do të vijonte të mbetej mjaft i gjallë.
Gjatë mesit të 1500-ës, botohet në latinisht një përmbledhje e personazheve të shquar të historisë venedikase: Shembuj Personazhesh të Shquar të Qytetit të Venedikut. Autori i saj është Gian Battista Cipelli, i njohur më së shumti përmes emrit të tij akademik, Egnazio.
Teksa trajton virtytet femërore, Çipeli i kushton një faqe të veçantë cipës, çmimin e parë për të cilën ua jep grave të mërgatës shqiptare:


Mbi gratë shkodrane

Le ta pranojnë me shpirt të qetë e të drejtë gratë venedikase, që të përfshihen këtu edhe gratë shkodrane, që ndonëse të mbijetuara në numër të pakët që nga dorëzimi i Shkodrës te Turqit, mërguan drejt nesh, duke sjellë në Venedik një shembull të paharrueshëm besnikërie ndaj atdheut. Thuhet se aq shumë janë dalluar për virtytin dhe sjelljen e tyre saqë nami i tyre ka mbërritur deri në ditët e sotme, aq sa me të drejtë u kanë dhënë cilësimin me cipë. Kam dashur këtu ta rikujtoj këtë vlerësim, qoftë për të zgjedhur nga bota femërore venedikase shembujt më të shquar të ndershmërisë, qoftë edhe për të dëshmuar për traditën. Është e ditur gjithashtu, se përgjatë gjithë jetës së tyre ato gra kanë ruajtur një sjellje të denjë për lëvdata. Kurrkush ska mundur të pëshpëritë qoftë edhe një fjalë të keqe mbi to.

Besnike ndaj bashkëshortëve, por edhe të rezervuara, modeste, të matura, diskrete, me sjellje të rregullt: elozhi i të gjitha atyre vetive që morali i kohës ia vishte qenies grua. Nuk po flasim këtu vetëm për të vejat, por edhe për bijat dhe motrat e burrave nga Shkodra e Drishti që ranë gjatë rrethimeve të qyteteve të tyre, këtu përfshihet pra i gjithë grupi i grave të mërguara.
Jo pa qëllim, vetëm pak vite më vonë piktori i madh Paolo Veronese do ta pikturonte gruan shkodrane me një profil fin dhe fisnik, në tavanin e Sallës së Këshillit të Madh të Pallatit Dukal. Në sfondin e Shkodrës së rrethuar, një grua shpëtohet nga duart e armikut (nga Antonio Loredan, mesa duket). Ajo vesh një kumash të çmuar, vathë, si dhe një varëse me perla.
Një shekull më vonë, pra dyqind vjet pas humbjes së bazave venedikase në Shqipërinë e Veriut dhe eksodit të popullsisë drejt brigjeve të Serenissima-s, virtyti i grave shkodrane nxirret sërish në pah. Kësaj here nga eruditi dhe historiani venedikas Giovanni Palazzi në veprën e tij Virtyti brenda lojës. Apo Zonjat Fisnike të Venedikut të shquara për nga lindja, shkrimet, armët, sjellja (Venecia, 1681). Bëhet fjalë për një histori të Venedikut të rrëfyer, në një mënyrë mjaft të veçantë, përmes një tufe prej 52 letrash loje, të cilat i pikturon vetë Palaci. Përdorimi i letrave të lojës për të nxënë lëndë të ndryshme si historia, gjeografia, mitologjia, madje edhe episodet biblike, ishte i zakontë asokohe në Venedik. Por do të përdorej edhe më dendur përgjatë 1700-ës, si në Venecia ashtu edhe në të gjithë Evropën. Nuk cilësohej aspak si diçka e papërshtatshme, përkundrazi ishte një mjet didaktik që shfrytëzonte imazhet për përhapjen e dijes, njëlloj si në ditët e sotme. Duhet përmendur gjithashtu fakti se pikërisht në Venedik u hap edhe Kazinoja e parë e historisë, «Il Ridoto» dhe kjo ndodhi në vitin 1638, fill pas murtajës së madhe që e shkurtoi numrin e popullsisë me plot një të tretën. Loja pra, ishte shndërruar tashmë në një çështje shtetërore mjaft serioze.
Për të parën herë, e gjithë historia e Venedikut shkruhej nga këndi femëror. Palaci i qortonte shkrimtarët venedikas se në shkrimet e tyre i harronin thuajse gjithmonë gratë, duke heshtur mbi rolin e tyre në ngritjen e madhështisë së Serenissima-s. Ai i larton virtytet e grave venedikase (kuptohet, mbi vlerat e kohës), në të gjitha aspektet, ashtu siç na dëfton edhe vetë nëntitulli: nga dashuria për atdheun te devotshmëria ndaj religjionit, nga forca bashkëshortore dhe amënore te kulti i letërsisë dhe i shkencave.
E pra, në galerinë e grave më të shquara venedikase, Palaci i kushton disa faqe ilustrimit të nëntës së bastunëve. Kjo letër shfaq një grua që mban pranë vetes dy kafshë: hermelinin që zgjedh më mirë të vdesë sesa të humbasë dëlirësinë e tij dhe turtullin që kurrë nuk e ndot nderin dhe besnikërinë e martesës së parë. Janë pra dy kafshë që në simbologji (ashtu edhe në traditën pikturore) i referoheshin gruas së virtytshme, ku kafsha e parë përfaqësonte dëlirësinë ndërsa tjetra besnikërinë. Imazhi i gruas shoqërohet me një varg: Pudico esempio allhonestade è sprone (përkth.: Shembulli i gruas me cipë frymëzon ndershmërinë). Ajo grua, shkruan Palaci, është gruaja nga Shkodra që tashmë ka hyrë në historinë e Venedikut si emblemë e femrës me «cipë».
****
Të kujtosh dhe të përshkosh sërish sot atë faqe të historisë që, mbi pesë shekuj më parë, pati si protagoniste gratë shqiptare të Venedikut, përbën një rast për të rikuperuar një pjesë të çmuar të kujtesës. Çka me të drejtë, mund të përbëjë edhe një arsye krenarie për gratë shqiptare të ditëve të sotme.
Ky është po ashtu rasti për të rilexuar Statutet e Shkodrës, sidomos kapitujt e shumtë që iu kushtohen grave të cilat, që në 1300-ën e largët, në këtë qytet kishin hapësira të gjera lirie dhe gëzonin të drejta të mirëpërcaktuara, ngase njiheshin si person juridik. Vetëkuptohet, gjithçka brenda një strukture sociale të përbërë nga shtresa, që shkojnë nga ajo më fisnike deri tek ajo popullore.
Kështu pra, duke pasur parasysh pikërisht atë imazh që na përçojnë Statutet, mund të kuptojmë më mirë se si gratë e Shkodrës mundën të mbartin me vete në territoret e Serenissima-s imazhin e tyre si gra fisnike. Disa prej tyre, padyshim, për shkak të përkatësisë në një shtresë të caktuar sociale, ndërsa shumica për shkak të fisnikërisë së sjelljes së tyre morale. Vetëm kësisoj mund të kuptojmë se si këto gra arritën gjer aty sa të shndërroheshin në ikona të mitit venedikas.

* Titulli origjinal i shkrimit është Imazhi i grave të mërgatës shqiptare në Venedik gjatë gjysmës së dytë të 1400-ës, simbol i «ajkës» . Artikulli u përkthye nga Ani Rusi
Referimi është marrë nga Lucia Nadin, Migrazioni e integrazione. Il caso degli Albanesi a Venezia (1479-1552), Roma, Bulzoni, 2008: in traduzione albanese di Pëllumb Xhufi: Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552, Tiranë, Shtëpia Botuese "55", 2008.
LUÇIA NADIN


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHTETI DHE PUSHTETI SERB NË TENSION TË THELLË OSE DEPRESION?!Opinion nga AGRON SHABANI (03.10.2014)
…E KA ZEMREN HIPOTEKË“Hipoteka e të parëve t’mime Senet… n’daç me Tapi”.Poemë nga ZEQIR LUSHAJ  (03.08.2014)
Skicë:NDERIM E KUJTIM, PËR MËSUESIT DHE PEGAGOGËT TANË…Nga MURAT GECAJ (03.07.2014)
RRUGË E NDRITUR…(Në Ditën e Mësuesit, kushtuar të gjithë atyre, anembanë trevave etnike shqiptare, të Shqipërisë Etnike)Nga MONA AGRIGOROAIEI, Bukuresht-Rumani (03.07.2014)
Në prag të Festës së 7 Marsit:VEPRIMTARI E SHOQATËS SË ARSIMTARËVE TË SHQIPËRISËNga IBRAHIM HAJDARMATAJ (03.06.2014)
INXHINIER GJON BISHA NË ARRITJET TEKNOLOLOGJIKE BOTËRORENga Dr. ZEF MULAJ, Itali (03.06.2014)
NË ÇFARË (ÇKA) SYNOJNË KOSOVA DHE SHQIPTARËT?Nga AGRON SHABANI (03.04.2014)
E kush nuk e njeh Shaban Bali Nokshiqin?NOKSHIQASI TROPOJAN I RRALLËNga HAKI ZLLAMI (03.03.2014)
QEVERIA E “RILINDJES” GODET VLERAT E ATSH –së DHE E SHËNDRRON NË NJË BASTION TE SË MAJTËS NË PUSHTETOpinion nga VASIL TABAKU (03.03.2014)
NË EMËR TË ATDHEUTOpinion nga AZGAN HAKLAJ (03.03.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]