VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TEKSTI UNIK I HISTORISË, POLITIKA DHE REFLEKTIMINga Dr. NDRIÇIM MEHMETI

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 08:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
TEKSTI UNIK I HISTORISË, POLITIKA DHE REFLEKTIMI
Nga Dr. NDRIÇIM MEHMETI

E Djelë, 06.15.2014, 04:22pm (GMT+1)


Çështja e teksteve të shkollës ka qenë mjaft e debatuar për gati 20 vjet në Shqipëri. Menjëherë pas demokracisë, shkolla jonë kishte nevojë për hartimin e teksteve të reja, veçanërisht në fushën e shkencave sociale. Për shkak të politizimit, një pjesë e këtyre teksteve binin dhe poshtë e duheshin bërë të reja. Historia, siç është bërë zakon tek ne, çeli një debat të gjerë. Diskutimet për tekstet shkollore të Historisë kanë filluar që në vitin 1994, në një botim të atëhershëm të Institutit të Historisë, të tekstit të klasës së 12-të ("Historia e popullit shqiptar") dhe vazhdojnë deri sot. Shqetësimi më i madh në atë periudhë ka qenë politizimi, sipas disa historianëve, i çështjeve të tilla si: Lufta e Dytë Botërore, trajtimi i forcave politike në këtë periudhë, periudha e mbretit Zog etj. Kaloi kohë dhe duket se diskutime të tilla ngjalleshin më shumë kur vinte 29 Nëntori, dita e Çlirimit, dhe shumëçka u kufizua në çështjet për datat, qëndrimin ndaj kësaj apo asaj figure e kështu me radhë. Mirëpo, për hir të së vërtetës, në vitin 2008, kur një shtëpi botuese, në një tekst të Historisë paraqiti një hartë, që sipas historianëve, kishte futur Shqipërinë brenda Greqisë, gjakrat u rindezën. Në atë periudhë pati diskutime të forta, u ngritën grupe pune në MASH dhe për një farë kohe këto kritika u zbehën përsëri. Kritikat u adresuan kundër Ministrisë së Arsimit, politikës së qeverisë, madje kjo e fundit dhe kreu i saj u akuzuan se po manipulonin historinë.

Çfarë ndodhi këtë vit? Një vendim, i cili përflitej prej muajsh, për ngritjen e një komisioni historianësh me një vendim historie për shkrimin e tekstit unik të Historisë për arsimin parauniversitar, është tashmë i zyrtarizuar. Realisht prej shumë kohësh në Shqipëri, është shprehur shqetësimi se historia ka ndërhyrje politike, ka shtrembërime, po keqpërdoret etj. Për këtë qëllim kërkohej me këmbëngulje që politika të qëndronte larg shkrimit të historisë? Mos vallë edhe ky vendim i qeverisë shpreh këtë vullnet? Këtë vendim shumë pak e kritikuan. Nga zërat më autoritarë ishte ai i prof. Ana Lalaj. Në fjalët e shkruara prej saj, unë gjeja të njëjtin mendim, habi dhe kundërshti, ndaj nismës qeveritare, për një tekst Historie, që mund të quhet edhe teksti zyrtar për arsimin parauniversitar.

Mirëpo, të kritikosh dikë edhe pa fakte vetëm përmes supozimeve, për një veprim, dhe ta ndërmarrësh vetë atë, besoj se nuk ka ndonjë justifikim. Sikundër e përmenda më sipër, u njoftuam, ashtu si prof. Lalaj, se qeveria ka bërë një vendim dhe cakton një komision që do të bëjë historinë për arsimin parauniversitar. Pyetja më e parë është: A ka ligjshmëri ky komision? Le t'i referohemi ligjit 69/2012, datë 21.06.2012, "Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë". Në Nenin 47, i cili bën fjalë për tekste shkollore, shprehet qartësisht se: "1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet. 3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit."Në asnjë pikë, nuk ka të parashikuar faktin se Këshilli i Ministrave, mund të ngrejë një komision dhe t'u caktojë detyrë që të shkruajë një tekst shkollor, cilido qoftë. Nuk na është shpjeguar se pse KM ka bërë përjashtim për këtë tekst. Tekstet janë alternative dhe nuk ka ekskluzivitet të askujt. Nuk mund të ketë tekste pa konkurrim. A i shkel vendimi i KM ato ç'ka parashikuar ligji i arsimit parauniversitar? Kjo besoj se nuk do shumë mend dhe kalem. Atëherë, përse u ndërmor e gjitha kjo nismë? Për të bërë një histori të papolitizuar? Për t'i dhënë fund të ashtuquajturit "abuzivizëm" të teksteve alternative? Apo se më në fund ka ardhur koha, që shoqëria jonë është e ftohtë nga pasionet dhe nuk është ndonjë problem i madh shkrimi i një historie zyrtare? Le t'i analizojmë me radhë.

A mund të garantohet një histori e papolitizuar? Ky grup pune nuk na e garanton këtë. Kryetari i grupit të punës është njëkohësisht kryetar i një partie politike. Prej 24 vitesh, ai njihet për aktivitetin e tij politik, parlamentar, si ministër në kabinetin e qeverisë socialiste në harkun kohor 1997-2002. Pa dyshim që, krahas politikës, ka vijuar të mos e humbë kontaktin me auditorin dhe librin. Duke marrë në konsideratë karrierën akademike të profesorit, nuk vihet në dyshim integriteti i tij në këtë fushë. Por karriera e tij politike nuk jep as besueshmëri absolute, as relative, se tekstet do të kenë qëndrime, të cilat, do të jenë të paanshme, qoftë në paraqiten e ngjarjeve, qoftë në interpretimin e tyre. Nuk duhet harruar se kryetari i komisionit nuk ka ngurruar, çka është në të drejtën e tij, të shprehë hapur rezerva të mëdha për periudhën e mbretit Zog, si dhe të lërë përshtypjen e rishikimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe asaj të diktaturës. Po kështu, edhe dy anëtarë të tjerë të grupit të punës kanë një aktivitet politik, pavarësisht se në kahe të kundërta. Madje njëri prej tyre e ka lëshuar formalisht aktivitetin partiak vetëm pak ditë përpara 23 qershorit 2014. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në politikë prej vitit 1994. Pas largimit nga politika e djathtë, përkohësisht po i njëjti person është marrë me analizë politike, duke u prezantuar në studio të ndryshme, herë si politolog e herë si analist politik, për ngjarje të ndryshme. I është rikthyer politikës dhe përsëri profesionit të politologut dhe analistit të "pavarur". A është e mundur që ky politolog, të ndihmojë me kontributin e tij në hartimin e një teksti të papolitizuar??

I ashtuquajturi "abuzivizëm" i teksteve alternative?

Nëse teksti që do të hartohet, krahas objektivit për ta "çliruar atë nga politizimi", ka ndër mend edhe t'i japë fund "abuzivizmit me tekstet alternative", besoj se kjo e rëndon edhe më tej situatën e paqartë të krijuar. Sikundër sqarova më lart, heqja, reduktimi, apo lënia e një teksti të vetëm për një ose disa lëndë, nuk parashikohen në ligj. Nëse ligji 69/2012, i miratuar si asnjë ligj tjetër me 128 vota, do të amendohet, ndoshta krijohen hapësirat ligjore për të luftuar të ashtuquajturin "abuzivizëm të teksteve alternative". Po ashtu, është akoma më e vështirë që të arrihet në hartimin e një teksti të përbashkët për Shqipërinë e Kosovën, kur në Kosovë, nuk përjashtohen alternativat e tjera dhe nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Ministrave posaçërisht për shkrimin e një teksti të Historisë. A mundet që një vendim i përbashkët për hartimin e një teksti Historie për nxënësit e arsimit parauniversitar të jetë pjesë e platformës së punës mes dy qeverive? Edhe kjo mund të ndodhë. Por deri tani jemi në kushtet kur nuk ka asnjë hap ligjor që të përligjë ndonjë veprim të tillë. A është menduar se dalja e një teksti të vetëm është një monopol, që qeveria e sanksionon me ligj? A mund të prodhojë ky monopol, abuzivizëm financiar? Pa dyshim që po! Bëhet fjalë për mijëra nxënës që do t'u imponohet një libër dhe hesapi i fitimeve bëhet vetë.

Pra abuzivizmi i pretenduar (dhe si gjithnjë i paprovuar) i deritanishëm, zëvendësohet nga një abuzivizëm më i drejtë, sepse kështu thotë qeveria.

A është gati shoqëria të pranojë një histori zyrtare për fëmijët e tyre? Kam frikë se jo. Ashtu sikurse besoj se, pas kaq vitesh, pasionet për historinë, ngjarje të caktuara, interpretimin për pjesëmarrësit e saj, duhet të ishin më të qarta, larg pasionit dhe politizimit. Kjo nuk ka ndodhur, pasi vetë shoqëria jonë dhe sidomos politika, nuk e ka dashur një gjë të tillë. Festimet e 5 Majit, në Tiranë, Përmet dhe Berat, e vërtetuan më së miri situatën ku ndodhemi. Për vite të tëra u fol e u stërfol për hapjen e dosjeve dhe ato nuk u hapën asnjëherë. Krimet e komunizmit, nuk morën në asnjë moment dënimin e merituar. Hierarkë të deridjeshëm të komunizmit, ndërruan kostumin e diktaturës me atë të demokracisë, pa asnjë pikë turpi, duke bërë historinë sipas mënyrës së tyre, përmes intervistave dhe kujtimeve në gazeta e televizione. Xhelatët filluan t'u aviteshin sërish viktimave të djeshme dhe, sa gjetën pikën e dobët, i futën sërish në kthetrat e tyre. Në vend që të punohej me një platformë të qartë, që nxënësit të mësonin atë që nuk kishin jetuar, periudhën e errët të diktaturës, politika u mor me kundërvëniet personale. Për vite të tëra, historia dhe politika u ngërthyen në debate, ku gjithsecili kërkonte të kishte zërin e parë. Prej vitesh, kemi pak botime ose aspak për historinë e Shqipërisë dhe, siç ndodh rëndom, shpëtimin e gjejmë tek të huajt. Sa herë që lind një debat në fushën e historisë, ata janë më të besueshëm se ne. Sikur të gjitha këto të mos ekzistonin, pse pikërisht është tani koha të shkruajmë një histori zyrtare për të rinjtë tanë? A janë të gatshëm ata që i dhanë jetë këtij grupi pune me vendim të qeverisë, të pranojnë një histori të tillë dhe të mos ndërhyjnë në asnjë moment? Këtu ka përsëri një pikëpyetje të madhe. Mjafton të përmendim faktin se Kryeministri i Shqipërisë, e ka shprehur në jo pak raste, fare hapur përçmim për mbretin Zog. Mjafton të përmendim fjalën e tij në parlamentin shqiptar më datë 17 prill 2014, ku në një temë fare pa asnjë lidhje me kohën e mbretërisë, nuk mungoi të ironizojë mbretin për kohën e kunupit (kunupi në greqisht, mushkonja në shqip). Po ashtu, kryeministri i vendit, me një ton gati kërcënues, paralajmëroi këdo që do të prekte historinë e Luftës, se do të bënte një gabim fatal. Në ditën e pushtimit fashist, një forcë politike mori përsipër aktin e dështuar të rrëzimit të monumentit të mbretit Zog. Jo vetëm që nuk pati ndonjë reagim prej strukturave zyrtare, por të linte përshtypjen se heqja e monumentit do të pranohej. Nëse është e drejtë të ketë ose jo një monument të tillë të mbretit, përsëri kjo i takon gjykimit të profesionistëve dhe jo partiakëve. Prandaj e kam të vështirë të besoj, se qeveria apo segmente të saj, nuk do të ketë asnjë ndikim mbi grupin e punës. Po kështu edhe disa nga anëtarët e grupit të punës janë përfshirë në debate jo pak të ashpra, për këndvështrimin historik të periudhave dhe të figurave të ndryshme historike.

Garancitë në pikëpamje pedagogjike

Jo pak rëndësi në hartimin e një teksti shkollor kanë, përvoja në mësimdhënie, në ciklin shkollor për të cilin do të hartosh tekstin, njohja e ngarkesës që duhet të ketë për grupmosha të ndryshme (fjalët e reja, sa faqe duhet të jetë mësim, sa duhet të ketë foto, pyetje për nxënësit, punë praktike, projekte, debat), metodologjia, aparati pedagogjik që do të përdoret etj. A japin garanci anëtarët e këtij grupi pune se i kanë të gjitha ose pjesën më të madhe të këtyre elementëve të domosdoshëm, që garantojnë hartimin e një teksti të mirë? Për fat të keq, ka dyshime të mëdha në këtë drejtim. Pothuaj që të gjithë pjesëtarët e grupit të punës nuk kanë punuar as vitet e fundit dhe dyshoj se kanë punuar ndonjëherë në arsimin parauniversitar. Ka prej tyre që kanë një përvojë shumë të pakët edhe në mësimdhënien në universitete. Nga ana tjetër, një pjesë e tyre nuk kanë shkruajtur asnjëherë ndonjë tekst apo kapitull të lëndës së Historisë në arsimin parauniversitar. Madje ka anëtarë grupi që nuk janë marrë fare me histori në këto kohët e fundit, për shkak të angazhimeve të tjera. Përjashtim bën prof. Pëllumb Xhufi, që ka shkruajtur edhe më parë kapituj të teksteve të Historisë, madje ka qenë në grupin e parë të punës nga viteve 1990 (në mos gaboj në vitin 1994), që hartoi tekstin e parë të historisë së popullit shqiptar. Po ashtu, prof. Xhufi ka qenë në grupin e punës për hartimin e linjave mësimore të programit mësimor të Historisë bërthamë dhe të thelluar, të klasës së 12-të, në vitin 2010-2011.

Kur kjo përvojë mungon thuajse totalisht, atëherë, kush na siguron që në një kohë të shkurtër këta njerëz do të jenë të aftë të na japin tekstin më të mirë të deritanishëm dhe të pranuar nga të gjithë? Cili do të jetë komisioni i cili do të bëjë oponencën e tekstit, apo do të kalojë si i tillë, pa asnjë kundërshtim?

Pse janë anashkaluar institucionet përgjegjëse për këtë punë?

E fundit pikëpyetje, që meriton ndoshta të ishte e para, është: Pse u lanë mënjanë institucionet përgjegjëse për këtë punë? Nëse do të duhej si domosdoshmëri e kohës, një tekst i vetëm, për këtë mund të angazhoheshin fare mirë, Instituti i Historisë, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, specialistë të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, specialistë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, shoqata e historianëve etj. Kjo nuk është ndonjë shpikje e re që do të bëhej, por vazhdimi i një tradite, të njohur në këtë fushë. Kur ndryshuan programet dhe u vendos sistemi trevjeçar në gjimnaz, programi i Historisë për këtë cikël shkollor kaloi në një proces të gjatë të konsultimit dhe tërheqjes së mendimit, prej historianëve më të mirë të thirrur nga Instituti i Historisë. Këtu mund të përmendim: Prof. Pëllumb Xhufi, prof. Ferit Duka, prof. Beqir Meta, prof. Muharrem Dexhgiu, prof. Mariglen Verli, prof. Gazmend Shpuza, prof. Hamit Kaba etj., historianë të Fakultetit të Histori Filologjisë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave. Pjesë e këtij grupi ishin mësues të njohur dhe me shumë përvojë të lëndës së Historisë në shkollën 9-vjeçare dhe atë të mesme. Prej këtij grupi u hartuan të gjitha linjat e programit të historisë së popullit shqiptar për arsimin e mesëm. Po ashtu, një tjetër grup pune i kryesuar nga prof. Neritan Ceka, mori përsipër të hartonte linjat e programit për historinë e klasës së 10-të dhe 11-të. Më pas ky program iu nënshtrua konsultimit me mësues dhe specialistë të historisë. Në këtë mënyrë u krijua grupi më i madh i mundshëm, për hartimin e një programi, i cili kishte mendimin më të kualifikuar. Në rastin e hartimit të teksteve të Historisë nuk kemi të njëjtin proces, duke lënë vend për shumë pikëpyetje. Po kështu nuk kemi asnjë raport të analizës së dobësive të teksteve shkollore, që të justifikojnë një ndërmarrje të tillë. Pra, një grup pune nuk duhet të zëvendësojë punën e institucioneve që kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor për këtë punë. Gjithashtu, këto institucione paguhen pikërisht për këtë qëllim. Nuk është aspak një metodë legjitime, që grupet e punës, siç po ndodh rëndom, marrin atributet e institucioneve që kanë për detyrë ta bëjnë këtë punë.
Parë në të gjitha aspektet, ngritja e këtij grupi pune dhe detyrat që ka marrë përsipër, është një veprim i menduar jo mirë dhe që do të shkaktojë shumë diskutime. Do të ishte mirë që një hap i tillë të kishte gjetur një mirëkuptim më të gjerë, sesa të merrej vesh përmes shtypit, pa asnjë detaj. Kjo mjegullnajë informacioni shton edhe më shumë dyshimet. Nëse nuk flasim tani, kur të dalin librat dhe ato të jenë në tryezën e fëmijëve tanë, do të jetë vonë. Atëherë do të fillojmë të shajmë e mallkojmë e ndoshta të rihapnim, një cikël akuzash, që nuk do të mbyllet lehtë, të paligjshmërisë, abuzivitetit dhe subjektivitetit në pikën më delikate për shqiptarët: Shkrimin e historisë.

70-vjetori i rezistencës antifashiste, politika dhe reflektimi


Viti 2014, në Shqipëri, përkon me një seri ngjarjesh, që kanë shënjuar të ardhmen e vendit tonë në histori. Në pjesën më të madhe të opinionit, edhe për shkaka të propagandës, vendin më të madh e zënë ngjarjet që lidhen direkt apo indirekt me Luftën e Dytë Botërore. Pas përkujtimit të ditës së 5 Majit, më 24 maj, një pjesë e përfaqësuesve politikë vërshuan në Përmet. Përmeti është një qytet i njohur në Shqipëri, si vendi i luleve, i vëllezërve Frashëri, klarinetistit më virtuoz të gjysmëshekullit të fundit, Laver Bariu, i gatimit të shijshëm etj. Mirëpo në 5 Maj, mjaftoi një foto e nderimit të dëshmorëve si qëmoti dhe qyteti hyri në një spirale të pafundme të debatit. Edhe në 24 maj, mbrapa kryeparlamentarit të Shqipërisë u shfaqën "rastësisht" foto të diktatorit Hoxha. Për ironi, z. Meta po fliste për politizim të një greve urie, kur fotoja sa vinte e bëhej më e dukshme në ekranin e TV. Por kjo mbase mbetet rastësi. Ajo që më tërheq më shumë vëmendjen është debati, që disa e quajnë disi të tepruar, se ka segmente të politikës që kërkojnë t'i kthejmë sytë nga lufta, të flasim më shumë për të dhe, pse jo, të rishikojmë edhe njëherë rolin e Enverit. Ky debat është shumë i gjerë dhe po përpiqem të fokusohem më shumë tek pyetja: Ai është i drejtë ky vëzhgim? Unë vetë do të dëshiroja të ishte ndryshe. Por kam frikë se disa arsyetime të çojnë tek shqetësimi i kthimit të historisë së luftës në ndihmë të politikës së sotme. Pse e them këtë?

Viti 2014 ka ngjarje shumë të rëndësishme të Shqipërisë, që u kaluan dhe u kujtuan ose përciptazi ose aspak. Ky është efekt i presionit politik dhe, sigurisht, edhe mefshtësi e forumeve akademike, për t'u dhënë përgjigjen e duhur debateve që dalin nga shinat shkencore. 2014-ta ishte viti i 100-vjetorit të mbretërimit gjashtëmujor të Vidit në Shqipëri. Për këtë ngjarje, veç nja dy emisioneve televizive, ku një pjesë të ftuarish as që e kishin idenë për çfarë flisnin, kjo punë u mbyll. Nuk pati asnjë takim, shkencor, seminar, simpozium etj. Qeveria e krijuar prej Vidit me në krye Turhan pashë Përmetin më 17 mars 1914, ishte e para qeveri që njihej prej Fuqive më të Mëdha të Evropës. Por edhe për të nuk foli kush. As për pjesëtarët e saj, që ishin njerëzit që do të ndikonin për shumë vite në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Për herë të parë në prill 1914, vendi ynë u bë me një Kushtetutë të quajtur "Statuti Organik", i hartuar prej përfaqësuesve të gjashtë Fuqive të Mëdha. Edhe për këtë nuk foli kush. Në 17 maj të vitit 1914, u shënuan dy ngjarje, një në Shqipëri dhe një në Korfuz, që vunë në pikëpyetja ekzistencën e shtetit shqiptar: Protokolli i Korfuzit dhe rebelimi i armatosur në Shqipërinë e Mesme. Edhe për këto nuk foli askush. Është shumë e sigurt se ka për t'u harruar edhe nderimi për kolonelin Tomson, që ra në mbrojtje të qytetit të Durrësit, që u sulmua nga rebelët e udhëhequr nga Haxhi Qamili, Musa Qazimi etj. Ngjarjet që përshkruan të gjithë mbretërimin e Vidit, ndoshta nuk kanë shumë rëndësi. Nga përkujtimi i tyre, nuk është se përfiton ndonjë dobi të madhe politike. Kështu, që le t'i harrojmë dhe të merremi me ato që "kanë më shumë vlerë" dhe na sjellin më shumë vota. Në këto ujëra kanë rënë edhe qarqet akademike, që nuk dihet nëse e bëjnë nga interesi i pakët, mungesa e burimeve financiare apo njerëzore, apo se askush nuk jua vë veshin për të tilla përkujtime?

Ndërkaq, në ditën e 5 Majit, 24 majit, të 5 shtatorit, që do të festohet me shumë bujë në Skrapar, apo 29 Nëntorit, të gjithë duhet të fillojmë të reflektojmë, duke treguar pjekuri, guxim, dhe me dëshirën për t'u përballur me të vërtetën. A është Kongresi i Përmetit një ngjarje ku duhet të jemi krenarë? A janë të pajtueshme vendimet e tij me të drejta, liritë e individëve dhe në dobi të interesit kombëtar shqiptar? A ishte ky Kongres që bashkonte të gjithë shqiptarët?

Kjo do një analizë gjakftohtë, pa pasione dhe pa frikën se një pjesë e popullit do të mërzitet. Nuk mund të anashkalohen ngjarje të tilla, me slogane bajate se "qëllimi ishte i mirë, por u deformuan më pas", apo "ishte valë lufte dhe disa vendime jo të drejta edhe justifikohen".

Nëse do të ecim në këtë frymë, shtohet edhe më tepër rreziku që, fëmijët tanë të mos mësojnë asgjë nga historia jonë, politikanët të komandojnë shkrimin e historisë dhe në fund të mbetemi një vend peng i thënies se "historinë e bëjnë ata që fitojnë" dhe jo faktet, ngjarjet dhe të dhënat e arkivit. Unë mendoj se është koha që, krahas festimit të fillojmë të reflektojmë, për të mirën tonë. Para së gjithash të heqim dorë nga shkrimi i historisë së diktuar, të mbajmë larg politikës arsimin, të mos mburremi që fëmijët imitojnë gjyshërit e tyre edhe kur e kanë gabim.
Kjo do vullnet, guxim dhe vizion afatgjatë për të parë të vërtetën në sy. Në të kundërt, hijet dhe makthet e së shkuarës do të na kthehen gjithnjë, duke na zënë frymën dhe errësuar arsyen.

Dr. NDRIÇIM MEHMETI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DUKE NDJEKUR DIPLOMIMIN E ILIRIT -Ekskluzive nga Pal Neçaj, NY, USA- (06.15.2014)
HAKI MULLETI FIGURA E NJË SHQIPTAR TË MADH I PERSEKUTUM NË DIKTATURË DHE TRANZICION (06.14.2014)
KËPURDHAT E AGIM BAFTIRITPakëz humor nga AGIM GASHI (06.14.2014)
I mbylli punimet Samiti Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në KonfliktPRESIDENTJA JAHJAGA NË SHOQËRI TË JOHN KERRY, WILLIAM HAGUE, ANGELINA JOLIE, BRAD PITT E TJERË (Fotoreportazh) (06.13.2014)
ËNDRRA EVROPIANE NË NJË SFIDË SERIOZENga Doc. Dr. VASIL KURETA (06.13.2014)
ROBERT ELSIE ZBULON 700 FOTO TË HERSHME TË SHQIPËRISË (06.13.2014)
ARBËNOR DEHARI, AKTIVIST I VETËVENDOSJES - NDËRROI JETË TRAGJIKISHT (06.11.2014)
Reportazh nga Lezha dhe ShëngjiniMEDITIMI HIDHERAK PËR DETIN DHE HISTORINË DHE TAKIMI ME ZEQIR LUSHAJNNga SEJDI BERISHA (06.08.2014)
EDI RAMA - SHQIPTARËT, TË VETMIT ME DY GRUPE ARTISTËSH NË BIENALEN E VENECIAS (06.08.2014)
KUSH KUJT DO JA NGULI NË ZGJEDHJEPopulli krimit apo perseri krimi popullit ???Opinion nga XHEVAT REXHAJ (06.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]