VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SERIA A, JUVENTUSI DHE INTERI KANË NDRYSHUAR ROLET

                                                                                      

E Shtunë, 05.18.2024, 02:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 
SERIA A, JUVENTUSI DHE INTERI KANË NDRYSHUAR ROLET
E Premte, 02.11.2011, 11:41am (GMT+1)

Pas çështjes së famshme Calciopoli skuadra zikaltër ka marrë rolin e bardhezinjve si dominues

Milano (Itali)- Na ishte njëherë në Itali. Ose më mirë, kishte njëherë në Itali dy realitete futbollistike shumë të ndryshme. E fuqishmja, plurifituesja dhe e 'para e klasës' Juventusi dhe përballë Interi shëmtuar. E para dominonte, duke arritur të fitojë çdo gjë në futbollin italian në shumë vite. E dyta, ishte një vepër e papërfunduar, dëshironte shumë herë për të hedhur hapin e madh përpara dhe për t'u transformuar në një skuadër të madhe. Dyluftonin në fushën e lojës, në pozicione të ndryshme. Shumë rrallë njëra (skuadra zikaltër) afrohej për të rrezikuar supermacinë e bardhezinjve. Më pas, gjithçka ka ndryshuar, e ndëshkuar dhe në mënyrë të pabeuseshme e transformuar. Në fund të sezonit 2005-2006 në Vinovo, Torino dhe e gjithë Italia janë tronditur nga skandali Calciopoli. Asgjë më pas nuk do të ishte më si më parë. Parabolat e këtyre dy skuadrave janë kryqëzuar në atë verë të famshme, ku ka ndodhur gjithçka. Ndërkohë që, skuadra zikaltër po fillonte ngjitjen, skuadra bardhezi po fillonte një rënie të lirë. Titulli kampion për Interin, Seria B për Juventusin. Ndryshime të mëdha në shoqërinë bardhezi dhe në nivel skuadre kur për shumë arsye të kuptueshme janë larguar drejtuesit më të lartë dhe lojtarët më të mirë. Skuadra e shkëlqyer e ndërtuar nga Kapelo është shkatërruar dhe vetë drejtuesi i anijes ka braktisur atë në momentin më delikat. Nga momenti kur janë ringjitur në serinë A, ndërkohë, torinezët nuk kanë arritur gjithsesi asnjëherë të jenë ata që ishin pak vite më parë. Zikaltërit në fakt kanë arritur një seri të suksesshme në kampionat, duke fituar pesë tituj kampion radhazi që nuk ndodhte asnjëherë më parë dhe shikojnë nga lart armiqtë historikë. Një përmbysje e papritur në marrëdhëniet ndërmjet dy shoqërivë. Juventusi merr pamje zikaltër dhe Interi merr rolin e Juventusit vite më parë, atë të një skuadre fituese.

Morati "ngrënës trajnerësh" ka ndryshuar

Përpara verës kur kanë ndodhur këto revolucione, presidenti Masimo Morati kishte arritur në kuotën e plot 11 trajnerëve në 10 vite në bankinën, e nxehtë, milaneze, nga viti 1995 kur ishte ulur në postin e presidentit zikaltër. Nga Otavio Bianki tek Roberto Mançini, në kërkim të dëshpëruar të sukseseve ku kishin rënë shumë viktima si Roi Hodgson, Xhixhi Simoni, Lucesku dhe Hektor Raul Kuper. Në Torino, ndërkohë paraqitej një tjetër situatë, në këto dhjetë vite kanë drejtuar vetëm 3 trajnerë, dhe të cilëve i është besuar kjo skuadër legjendare: fituesi Marçelo Lipi, Karlo Ançeloti dhe Fabio Kapelo. Vetëm tre, ashtu siç kërkonte historia dhe prestigji i një skuadre të madhe. Nga viti 2006 ka ndryshuar gjithçka. Interi ka filluar të fitojë, skuadra ka ndryshuar mentalitet, ambjenti dhe klima brenda shoqërisë ka ndryshuar dhe në bankinë pas 5 viteve të suksesshme të Roberto Mançinit kanë kaluar vetëm tre trajnerë. Njëri është ai aktual, një tjetër ka qënë portugez dhe është larguar vetë, pasi kishte arritur të fitonte gjithçka dhe vetëm spanjolli Rafa Benitez është larguar nga presidenti Masimo Morati. Gjithçka, ndërkohë që imitohej stili Juventusit, me Zonjën e Vjetër që merrte rolin e Interit. Shkarkimi i parë në epokën e re ka qenë ai i Didier Deshamp që është shkarkuar menjëherë sapo kishte rikthyer skuadrën në Serinë A: në verën e vitit 2009 kur zëvendësohet edhe Ranieri që kishte marrë drejtimin pas francezit. Një vit më vonë, vjen edhe Ferrara. Duke arritur në trajnerin e gjashtë pas Calciopolit që është Luixhi Del Neri, që ka zëvendësuar Zakeronin.

Merkato më shumë e zezë se e bardhë

Mbretëreshës së merkatos i është prerë koka. Nëse keni në dorë shifrat e shpenzuara nga momenti kur Juventusi është rikthyer në Serinë A, menjëherë arrihet të kuptohet sesi është ndjekur një politikë blerjesh shumë e gabuar. Situatë e ndryshme për skuadrën e Moratit që ka punuar shumë mirë. Sigurisht që gabime janë kryer nga të dy skuadrat. Por, duke bërë llogaritë, janë shumë më të mëdha shumat që janë shpenzuar nga Zonja e Vjetër e menaxhuar nga triadat e reja post Moxhi. Nga viti 2007, paratë e shpenzuara për blerje nga bardhezinjtë kanë qenë 187.5 milionë euro, kundër 195 milionë eurove të shpenzuara nga Interi. Interi kështu pra ka shpenzuar pak më shumë. Por diferenca në këtë rast kryhet nga paratë e sigurura nga shitjet. Ndërkohë që, skuadra zikaltër ka fituar plot 160 milionë euro, me një diferencë prej 36 milionë eurosh, Juventusi ka siguruar vetëm 57.5 milionë euro nga lojtarët e larguar nga Torino me një humbje prej 129.8 milionë eurosh. Një shifër absurde.

Kështu pra, Juventusi është kthyer në një Inter që ekzistonte përpara Calciopolit, që shpenzonte shuma të mëdha në merkato dhe nuk arrinte të fitonte kurrë. Interi ka marrë me forcë rolin e një Juventusi të ri, duke fituar çdo kampionat dhe duke hyrë në histori me tripletën e sezonit të shkuar. Shpresa e tifozëve bardhezi është që me drejtuesit e rinj të rikthehet gjithçka si më parë. Që të kryhet një menaxhim më i mirë i shpenzimeve në merkato dhe të arrihet të sigurohet një skuadër cilësore. Ndërkohë që, mbështetësit zikaltër limitohen, duke kërkuar të ngrijnë kohën, duke kërkuar të zgjasin sa më shumë periudhën magjike që po kalojnë. Më e lehtë dëshira e skuadra nga Milano. Historia tashmë është kthyer dhe është kjo arsyeja që derbi i Italisë ka ndryshuar pozitat. Komandon Interi, ndjek Juventusi.

Murinjo: "Pankina e Artë? Një mrekulli që nuk e prisja"

Firence (Itali)- Ish-trajneri i Interit ka kthyer 'favorin', duke vlerësuar kolegët italianë pas marrjes së çmimit. Lajmi i Bankinës së Artë që i është dhënë portugezit Hoze Murinjo për sezonin 2009-2010 ka mbërritur pothuajse surprizë, jo sepse nuk kanë qenë kushtet për ta merituar ai këtë trofe, duke parë që sezonin e shkuar ka arritur të realizojë tripletën në drejtimin e Interit, por për precedentin e sezonit të mëparshëm, kur nga kolegët e tij italianë në mënyrë të papritur dhe shumë të befasishme ishte preferuar Masimiliano Alegri. Dhe në fakt, pak orë përpara dorëzimit të këtij çmimi pikërisht për faktin që votuesit ishin trajnerët e Serisë A, me të cilët portugezi nuk ka pasur marrëdhënie shumë të mira, favoritët kanë qenë Del Neri, Ranieri dhe Mazarri. Por, ndërkohë këtë herë ka triumfuar Hoze Murinjo, që nga ana e tij ishte ai që e priste më pak këtë triumf, duke parë marrëdhëniet shumë të këqija që ai ka me shumë trajnerë italianë kur ndodhej në këtë kampionat. "Bankina e Artë? Një mrekulli... Jam me të vërtetë shumë i lumtur dhe falenderoj të gjithë për këtë mirënjohje që më është kryer, shpjegon Murinjo për "Gazzetta dello Sport". Jo, jo nuk e prisja, e pranoj këtë. Por nuk është sigurisht marrja e Bankinës së Artë, që më bën të mbështes dhe vlerësoj trajnerët italianë: janë me të vërtetë të zotët dhe mund ta them, unë e them gjithmonë, sepse kam luajtur për dy vite me Interin kundër tyre". Shikohet shumë qartë, që eksperienca që portugezi Murinjo po kalon aktualisht e ka bërë të jetë më i dashur me kolegët italianë dhe dallohet se Special One ka nostalgji për Serinë A.

--

Trajneri i Milanit flet për situatën e dy sulmuesve të tij: Suedezi i lodhur? Është çështje psikologjike"

Alegri: "Ibrahimoviç e Pato duhet të luajnë më shumë sëbashku"

Milano (Itali)- Masimiliano Alegri nuk ka besuar dhe menduar asnjëherë të mbyllë llogaritë përpara kohe në kampionat. Kështu që, rënia e rezultateve në këto javët e fundit nuk ka preokupuar shumë trajnerin e Milanit. "Kampionati është i gjatë, mungojnë akoma shumë ndeshje, në Itali nuk kam parë asnjëherë një skuadër që ta fitojë titullin kampion dy muaj përpara kohe. Do të na kishte pëlqyer të gjithëve një gjë e tillë, por ndërkohë në këtë moment jemi duke luajtur dhe vepruar siç duhet. E dinim shumë mirë që Interi do të ishte kthyer për të luftuar rreth titullit kampion, Napoli është duke kryer një kampionat shumë të mirë dhe Roma është në garë për titullin. Ajo që duhet të bëjmë tani është të qëndrojmë të përqendruar dhe të jemi në gjendjen tonë më të mirë në fazën decizive të sezonit". Masimiliano Alegri në një intervistë për MilanNews ka mohuar çdo lloj problemi ndërmjet Aleksandër Patos dhe Zlatan Ibrahimoviç: "Duhet vetëm të luajnë më shumë sëbashku dhe të njihen më shumë". Dhe është i bindur që, shumë shpejt do të arrihet të shikohet edhe Kasano më i mirë. Mbi lodhjen e Ibrahimoviç, Alegri kujton që sulmuesi suedez "nuk ka asnjëherë një javë normale ku mund të pushojë, por ndërkohë besoj që në këtë moment është më shumë një çështje mendore, psikologjike".

Pato: "Për Milanin luaj kudo"

Brazilianët e Milanit janë gati për çdo lloj sakrifice vetëm për të arritur të triumfojnë në Itali dhe në Europë. Edhe për t'u adaptuar në role të ndryshme. E ka nënvizuar shumë herë mbrojtësi Tiago Silva, që shumë herë ka luajtur edhe në mesfushë, duke treguar paraqitje të mira që janë vlerësuar edhe nga trajneri Alegri. Konfirmimi mbërrin edhe nga Pato, që sëbashku me Robinjon dhe Tiago Silvën kanë luajtur për Brazilin të mërkurën në mbrëmje kundër Francës në ndeshjen miqësore të skuadrave kombëtare. "Të luajë si sulmues i parë më pëlqen, dhe mendoj se bëj një punë të mirë në atë rol, por gjithmonë bëj atë që më kërkon trajneri, në skuadrën kombëtare dhe tek Milani", ka nënvizuar Aleksandër Pato, që luan si sulmues i parë në skuadrën kombëtare te Mano Menezes. Dhe ata që e kanë pyetur se tek Selecao luan në një pozicion të ndryshëm nga ai që luan tek Milani, sulmuesi është përgjigjur në këtë mënyrë: "Kam një trajner që beson tek unë", duke shtuar më pas që edhe Alegri beson tek braziliani: "Më pas, varet edhe nga mënyra sesi luajmë. Në çdo rast, ka përfunduar ai komentin e tij, unë jam i lumtur, jam gjithmonë i lumtur, duhet vetëm të punoj dhe të qëndroj i qetë".

Taivo dëshiron Italinë: Milani apo Juventusi destinacioni i tij?

Marsejë (Francë)- Lajme të këqija mbërrijnë për Didier Dëshamp. Taje Taivo është i vendosur për t'u larguar nga Olimpik Marseja: mbrojtësi i fortë i krahut të majtë që luan për kombëtaren nigeriane, autor i një goli nga pika e penalltisë në miqësoren e zhvilluar të mërkurën kundër Sierra Leones, nuk është më i kënaqur për të qëndruar në Francë, dhe dëshiron një skenë më të rëndësishme për të vazhduar karrierën e tij. Dhe ja ku ka mbërritur shfryrja e tij nga faqet e gazetës nigeriane 'The Nation': "Kam vendosur të mos e zgjas më kontratën time, lexohet. Dëshiroj të ndryshoj skuadër në muajin qershor. Jemi në kontakte të avancuara me një skuadër që luan në një prej kampionateve më të mëdha europianë". Kampionati që mbrojtësi 25-vjeçar i krahut të majtë ka zgjedhur mendohet se është pikërisht Seria A italiane: skuadrat më të favorizuara janë Milani dhe Juventusi. Kuqezinjtë që prej disa sezonesh janë duke ndjekur lojtarin, që mund të kishte mbërritur në Milanelo në momentin kur skuadra drejtohej nga Karlo Ançeloti. Por, më pas nuk është bërë më asgjë. Del Neri kërkon një mbrojtës të majtë prej kohësh: shumë të pakta garancitë që jep Paolo De Celje, që prej shumë kohësh është i dëmtuar, dhe është zëvendësuar nga ish-lojtari i Arsenalit Traore që për trajnerin bardhezi nuk vlen. Skuadrat më të mëdha italiane, ndërkohë duhet të veprojnë me shpejtësi, nëse dëshirojnë të marrin Taje Taivo: në rast të largimit të Garreth Bale nga Totenhami, nuk përjashtohet mundësia që nigeriani të shikohet në radhët e skuadrës së drejtuar nga Herri Rednap.

Hazard në prag largimi?

Eden Hazard, një prej yjeve të skuadrës franceze Lilë që kryeson Ligue 1, është në qendër të vëmendjes të disa prej klubeve më të mëdhenj të Europës. Manchester Junaitid, Barcelona dhe Real Madrid, janë disa prej skuadrave të mëdha që interesohen për sulmuesin e fortë belg, i cili edhe vetë ka shprehur dëshirën e tij që në fund të sezonit të largohet nga kampionati francez për të provuar një eksperiencë të rëndësishme në një kampionat më prestigjioz. "Real Madridi është një klub legjendar, është shprehur Hazard, ashtu si edhe Barcelona dhe Manchester Junaitid. Kur shikon që për shërbimet e mia interesohen skuadrat më të mëdha të botës, atëherë nuk mund të mos e shpreh se ndihem shumë i emocionuar. Nuk do t'i thoja asnjërës prej këtyre skuadrave të mëdha". Eden Hazard është vetëm njëri prej shumë talenteve që ka prodhuar futbolli belg këto vite, pas shumë sezonesh në krizë të thellë. "Futbolli belg ka kaluar kohë të vështira, por tani ka shumë lojtarë të talentuar që mund të arrijnë suksese të jashtëzakonshme, ka vazhduar më tej Hazard komentin e tij. Ne kemi një brez të ri shumë të talentuar që janë sprovuar siç është Romelo Lukaku, Kevin de Brojn, Jele Vosen dhe të gjithë ne do të kërkojmë të sjellim diçka të re në skuadrën kombëtare për të arritur suksese".

Guardiola rinovon kontratën, për të 10 milionë euro në sezon

Barcelonë (Spanjë)- Të gjithë zërat dhe spekullimet që kishin qarkulluar prej shumë muajsh, tashmë kanë marrë fund. Pep Guardiola ka rinovuar kontratën e tij me Barcelonën dhe do të drejtojë skuadrën katalanase edhe gjatë sezonit të ardhshëm, duke hedhur poshtë zërat për një eksperiencë të re tek Interi, Chelsi apo edhe skuadra kombëtare e Katarit, që kishte qarkulluar si ide në këto orët e fundit. Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare në internet të klubit blaugrana, ku në komunikatën zyrtare shkruhet se, trajneri Guardiola ka firmosur një kontratë të re deri në qershor të vitit 2012. Presidenti i Interit, Masimo Morati, ishte shprehur se Guardiola është trajneri i tij i preferuar, ndërsa Federata e Futbollit në Katar ishte gati ti ofronte 20 milionë euro në sezon. Por, Pep zgjodhi të qëndrojë në shtëpinë e tij. Sipas gazetës së përditshme spanjolle "Marca", Guardiola do të përfitojë 10 milionë euro në sezon. Guardiola është strategu i Barcelonës aktuale, një prej ekipeve më të forta në historinë e futbollit. Në vitin e tij të parë si trajner, ish-mesfushori fitoi gjithçka të mundshme: titullin kampion në Spanjë, Champions Ligën, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Europës dhe Botërorin për klube. Në sezonin e dytë, Guardiola u konfirmua si kampion i Spanjës, ndërkohë që këtë sezon Barcelona kryeson me shtatë pikë avantazh. kur janë luajtur 22 javë në Primera Divizion. "Rinovimi është ai që të dy palët kanë dëshiruar dhe kjo ishte arsyeja që bisedimet ishin të shkurtra. Kjo do të jetë strategjia që do të ndjek gjithmonë", është shprehur Guardiola, gjatë një konference për shtyp pas rinovimit. "Unë nuk e imagjinoj dot veten time larg Barcelonës, por nuk do të firmos asnjëherë kontrata afatgjata, sepse nuk dëshiroj t'i imponohem drejtuesëve të klubit". Guardiola është lideri dhe 'komandanti' i kësaj skuadre, që kohët e fundit është shkruar dhe mbështetur nga shumë njerëz, se Barcelona aktuale është skuadra më e bukur e të gjitha kohërave dhe merita për këtë i shkon pikërisht Pep Guardiolës.

Iniesta: "Kemi mundësi të mira për një tjetër tripletë"

Ecuria e shkëlqyer e Barcelonës deri në këtë fazë të sezonit, ka bërë që të gjithë mediat sportive në të gjithë botën të flasin për një tjetër tripletë nga skuadra e drejtuar prej Pep Guardiolës. Në vitin 2009, skuadra e drejtuar nga katalanasi Guardiola, ka arritur të fitojë çdo trofe të mundshëm ku ka marrë pjesë duke arritur një sukses që nuk ishte arritur nga asnjë skuadër tjetër në historinë e futbollit europian dhe botëror. Në këtë sezon, Barcelona është duke ecur me një ritëm të jashtëzakonshëm, duke arritur të thyejë edhe rekordet e dy viteve më parë. Të gjithë këto rezultate kanë bërë që i gjithë ambjenti në skuadrën katalanase të mendojë për një përsëritje të sezonit 2009 dhe Andres Iniesta është njëri prej këtyre lojtarëve që beson dhe shpreson në këtë sukses të madh: "Është shumë normale, që të mendojmë për tripletën, duke parë se çfarë kemi arritur deri në këtë moment të sezonit. Kemi çdo të drejtë të mendojmë për një sukses të Barcelonës në çdo kompeticion ku marrim pjesë, por në të njëjtën kohë e dimë, se një arritje e tillë do të jetë shumë e vështirë dhe do të na duhet një punë e madhe. Të gjithë ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm deri fund të sezonit, ajo që ne jemi duke bërë nuk është diçka normale. Kemi arritur 16 fitore radhazi në kampionat, jemi +7 nga Real Madridi, të kualifikuar në finalen e Kupës së Mbretit dhe vazhdojmë të jemi në garë në Champions Ligë, ku do të përballemi me Arsenalin. Pse të mos mendojmë dhe shpresojmë se, mund të fitojmë gjithçka në këtë sezon?", ka përfunduar komentin e tij optimist Andres Iniesta.

Mendiat gjermane analizojnë situatën pas barazimit të kombëtares në Dortmund kundër Italisë

"Italia mbetet një kundërshtar që shkakton frikë"

Berlin (Gjermani)- "Italia mbetet një kundërshtar që shkakton frikë". Titulli i gazetës gjermane 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' tregon shumë qartë sensin e komenteve të shtypit gjerman, një ditë pas barazimit të Gjermanisë kundër Italisë së Prandelit në Dortmund. Në Gjermani, përpara ndeshjes së të mërkurës, ishte krijuar përshtypja që këtë herë do të arrihej të thyhej mallkimi që ekziston prej 16 vitesh dhe skuadra e drejtuar nga Johakim Lëv do të arrinte të thyente skuadrën italiane që, sipas komentatorëve italiane mbase edhe disi shumë nacionalista, ishte produkt i një futbolli të vjetër dhe tashmë në krizë të thellë. Nuk ka ndodhur ashtu siç pritej dhe mediat, sëbashku me tifozët, kanë mbetur edhe njëherë tjetër keq: "Skuadra kombëtare gjermane, shkruan gazeta gjermane e Frankfurtit, nuk arrin më të fitojë kundër Italisë: edhe në tentativën e pestë nga viti 1995 skuadra e kaltër, falë një barazimi të merituar 1-1, i ka hequr mundësinë gjermane për një sukses të shumë pritur".

Barazim i pranueshëm

Gazeta tjetër "Die Welt" ka hyrë më në brendësi, duke dashur të shpjegojë disa nga arsyet e provës zhgënjyese të padronëve të shtëpisë: "Skuadra kombëtare gjermane nuk e ka marrë shumë seriozisht ndeshjen, siç do të kishte qenë e nevojshme", ka nënvizuar gazeta e përditshme berlineze, për të cilën "barazimi kundër Italisë ka qenë i pranueshëm, asgjë më shumë, në Dortmund të mërkurën nuk ka qenë një ndeshje e vërtetë, duke parë se nuk është dhënë maksimumi. Në kohën kur kulifikueset për në Botëror ose në Europian zhvillohen kundër skuadrave shumë inferiore, një ndeshje kundër një skuadre të madhe të futbollit botëror është prova ideale zyrtare, duke parë që shumë rrallë të jepet mundësia të luajnë dy skuadra të një niveli të lartë".

"Bild" ironik

Nga komenti i dy prej gazetave të konsideruara 'serioze' tek komenti i gazetës më të madhe gjermane, më popullores, gazetës "Bild": mënyra e shprehjes ndryshon, ideja jo: "Johakim, përse nuk arrijmë asnjëherë të jemi të pastër në fund të ndeshjes?", ka pyetur gazeta gjermane, duke ju drejtuar trajnerit të skuadrës kombëtare, duke krijuar një lidhje me ironinë e madhe të kryer gjatë botërorit 2006 lidhur me pastat e famshme italiane. Në votat e dhëna nga "Bild" shumë pak italianë, si Kasano, De Rosi, Tiago Mota, Kielini dhe Bufon, arrijnë të marrin një votë 3 e barazvlefshme me notën 6.5 në vende të tjera. Për të gjithë lojtarët e tjerë nota 4, ose më saktë 6. Gazeta tjetër sportive gjermane "Kicker", duke vlerësuar paraqitjen e Italisë së Cesare Prandelit ka folur ndërkohë "për një debutim të dobët të Tiago Motës", ndërkohë që ka vlerësuar maksimalisht De Rosin dhe Antonio Kasanon. Shumë ndryshe, ndërkohë gazeta e Mynihut, "Abendzeitung", që ka parë një Gjermani "me shumë fantazi" dhe e ka cilësuar "si një ndeshje pothuajse perfekte". Një tjetër gazetë popullore bavareze, "TZ", nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të uroj, duke shpresuar: "Një ditë besoj se do të arrijmë ti mundim italianët...".

16 vjet pa fitore

Një gol i Rosit në minutat e fundit të takimit, i dha barazimin 1-1 Italisë së Prandelit ndaj Gjermanisë në ndeshjen miqësore të luajtur mbrëmjen e së mërkurës. Në stadiumin e Dortmundit, Gjermania priti Italinë. Pjesa e parë e takimit foli për kombëtaren gjermane, e cila ishte më shumë kërkuese për gjetjen e golit të avantazhit. Ky gol u shënua në minutën e 16 nga Miroslav Klose që mbylli 45 minutëshin e parë në avantazh për vendasit. Në pjesën e dytë, Italia tregohet më e qartë dhe e kërkon më shpesh golin e barazimit. Por goli i barazimit do të mbërrinte vetëm në minutën e 81 të takimit me autor të riun Xhuzepe Rosi. Minutat e mbetura dhe koha shtesë nuk sollën ndryshim rezultati. Italia vazhdon të mbetet 'macja e zezë' për Gjermaninë, e cila nuk fiton ndaj axurrëve që prej 21 qershorit të vitit 1995.

Tevez: "Në Old Traford fishkëllimat do të jenë një motivim"

Manchester (Britani e Madhe)- Të shtunën në orarin e drekës i gjithë Manchesteri do të ndalet: Premier Liga ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme, me mundësitë e fundit për Manchester Junaitid të Aleks Ferguson, për të mos gabuar përsëri dhe për të rihapur llogaritë në kampionatin anglez. Në Old Traford do të mbërrijë Manchester Siti, që aktualisht ndodhet vetëm 5 pikë larg nga kryesuesit, por me një ndeshje më shumë të luajtur. Skuadra e Mançinit në këtë ndeshje mund të besojë tek një armë me të vërtetë shumë e fortë: Karlitos Tevez. Sulmuesi dhe një ish në këtë ndeshje, që ka kaluar nga një idhull për tifozët e 'Djajve të Kuq' në një armik shumë të urryer, për atë transferim që nuk është përtypur asnjëherë nga tifozët e Junaitid: transferimi tek Manchester Siti. Dy ditë përpara ndeshjes që mund të rihapë luftën për titullin kampion në Premier Ligë, Karlos Tevez ka folur për pritjen që do t'i rezervohet në këtë ndeshje: "Më fishkëlleni, nuk më intereson. Mund të kuptoj shumë mirë edhe frustrimin e tifozëve, por unë nuk dua ta kthej këtë në një çështje. E di që tifozët e Manchester Junaitid tashmë janë një kundërshtar, nuk mund të na bëjnë asgjë". Asnjë pendim për zgjedhjen e kryer dhe asnjë ndjenjë faji nga argjentinasi: "E kam koshiencën në vend, është shprehur Tevez, sepse në vitet që kam kaluar në Old Traford kam dhënë gjithmonë maksimumin. Jam një profesionist shumë serioz, nëse njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë zgjedhjen time, është një problem për ta. Përkundrazi, të luash kundër Junaitid në një ndeshje kaq të rëndësishme është një motivacion më shumë për të gjithë ne". Duket se derbi ka filluar tashmë....

Viera: "Jam çuditur nga Arsenali"

Ish-kapiteni i Arsenalit, francezi Patrik Viera, që tashmë luan për Manchester Sitin e Mançinit, mendon se, Arsenali i Arsen Venger ka kryer një gabim që mund t'i kushtojë shumë në fund të sezonit kur ka lënë dy pikë të vlefshme në ndeshjen me Njukasëllin fundjavën e shkuar. "Të gjithë jemi çuditur dhe surprizuar kur kemi parë Arsenalin që nga avantazhi 0-4 e ka mbyllur ndeshjen në barazim 4-4- është shprehur francezi, duke folur për 'Daily Mail'. Por kjo tregon shumë qartë, se kur skuadra nuk është e përqendruar 100% gjithçka mund të ndodhë. Mendoj se, Arsenali është një skuadër shumë më e mirë dhe është një kënaqësi gjithmonë të shikosh lojën e tyre. Tifozët e asaj skuadre mund të jenë të zhgënjyer për atë që ajo skuadër ka arritur në këto pesë vitet e fundit, por më duhet të them se ata duhet të vazhdojnë të punojnë akoma më shumë, sepse kanë në dispozicion një skuadër shumë cilësore. Barazimi që Arsenali ka arritur të shtunën e shkuar është një mësim për të gjithë ne që luajmë në Premier Ligë, sepse gjithmonë duhet të jemi të përqendruar maksimalisht. Manchester Siti? Ne kemi një skuadër shumë të mirë dhe me objektiva të rëndësishëm. Duhet të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të shtunën është derbi me Manchester Junaitid, skuadra ndihet mirë dhe po punon në maksimum për të arritur objektivat që klubi ka vendosur për këtë sezon. Duhet të theksoj se, kampionati është shumë i gjatë dhe se derbi i së shtunës nuk është vendimtar për fatet e sezonit, ne do të vazhdojmë të japim maksimumin deri në javën e fundit të sezonit", ka përfunduar komentin e tij Patrik Viera.

Cristiano: Nuk ishte duel mes dy lojtarësh

Cristiano Ronaldo, autor i golit të Portugalisë në ndeshjen miqësore ndaj Argjentinës, të cilën e fituan amerikano-latinët me rezultatin 2-1, tha se nuk pati një duel mes tij dhe Mesit, por ishte vetëm një ndeshje futbolli. "Jam i kënaqur nga ndeshja ime. Shënova një gol dhe pata mundësi të tjera për shënim. Nuk ishte një duel Cristiano-Mesi, por Portugali-Argjentinë", u shpreh Cristiano Ronaldo pas ndeshjes. "Humbëm, por luajtëm mirë. Jemi shumë më mirë në krahasim me botërorin", shtoi sulmuesi i Real Madrid mbi ndeshjen në të cilën Mesi shënoi golin e fitores për argjentinasit në minutën e fundit të takimit me 11-metërsh. Ronaldo u ankua për terrenin e lojës në stadiumin e Gjenevës: "Terreni ishte si një fushë patatesh. Nuk ishte në lartësinë e një ndeshjeje midis dy kombëtareve të nivelit të lartë".

Adebajor: "I lumtur që jam këtu"

Emanuel Adebajor, blerja e janarit për Realin e Madridin, ka arritur të shënojë edhe golin e tij të parë me skuadrën e re gjatë ndeshjes së fundjavës së shkuar kundër Real Sociedat. Sulmuesi nga Togo, që është transferuar në Madrid nga Manchester Siti, duket se ka arritur të ambjentohet shumë shpejt me skuadrën e re dhe shokët e rinj, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe vlerësimet e tija për trajnerin portugez Hoze Murinjo: 'Është një njeri i jashtëzakonshëm, i shkëlqyer. Di të flasë me lojtarët e tij dhe arrin ta stërvisë shumë mirë grupin. Për mua është shumë e lehtë të arrij të punoj me trajnerë të tillë, sepse është e qartë që një trajner i tillë arrin t'i japë shumë skuadrës dhe lojtarëve që ka në dispozicion. Murinjo të ndihmon të kesh gjithmonë shumë besim në vetvete, të motivon shumë dhe kjo është e rëndësishme për një skuadër. Edhe pse e njoh prej shumë pak javësh, arrij ta kuptoj që Hoze Murinjo do të ndikojë shumë pozitivisht në karrierën time". Nuk ka munguar një koment i Adebajor edhe për të ardhmen e portugezit Pepe që duket gjithmonë e më larg Real Madridit: "Nuk mund të mos e pranoj, që Pepe është një ndër lojtarët më të mirë në botë. Ai po kalon një situatë të komplikuar, por pavarësisht problemeve ai mbetet një lojtar i mirë dhe një person i shkëlqyer. Besoj se do të arrijë të gjej një marrëveshje me drejtuesit e klubit dhe të gjithë në fund do të jenë të lumtur". Emanuel Adebajor ka vlerësuar shumë edhe organizimin e klubit merengues, duke e cilësuar atë si një ndër më të mirët në botë. "Këtë skuadër më parë e njihja edhe nga jashtë, por tani që e kam prekur edhe nga afër mund të them, se është një ndër klubet më të mëdha në botë. Organizimi është i jashtëzakonshëm dhe të gjithë njerëzit janë gati për të të ndihmuar, të ndihmojnë për t'u përmirësuar akoma më shumë. Të ndihmojnë kudo dhe të dërgojnë mesazhe në mbështetje... është diçka e mrekullueshme". Në fund, Adebajor ka treguar edhe objektivin e tij në këto gjashtë muaj që do të luajë për skuadrën e Special One: "Dëshiroj të arrij kuotën e 10 golave, por nuk e di, nëse do ta arrij këtë objektiv. Deri në këtë moment, kam shënuar vetëm një gol dhe shpresoj që deri në javën e fundit ta arrij synimin tim. Skuadra është duke më ndihmuar shumë dhe e vlerësoj këtë fakt. Besoj se edhe unë do të jap maksimumin për skuadrën time të re në mënyrë që të arrijmë objektivat e paracaktuar", ka përfunduar Emanuel Adebajor komentin e tij.

Përgatiti ANDI VERÇANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DROGBA I DEMORALIZUAR: "E VËSHTIRË TË ARRIHET JUNAITID" (02.10.2011)
RUD GULIT DREJTON EKIPIN ÇEÇEN (02.09.2011)
XHIXHI BUFON: "NË DORTMUND ËSHTË NDESHJA E JETËS" (02.09.2011)
MORATI, ENTUSIAST PËR TË ARDHMEN E INTERIT (02.08.2011)
PACKERS FITOJNË TITULLIN KAMPIONË TË SUPERBOLLIT (02.07.2011)
AKSIDENTOHET GARUESI I FORMULËS 1 (02.06.2011)
SUPER BOWL, SPOT SHUMË MILIONËSH NGA CHRYSLER (02.06.2011)
ALEGRI LARGON FANTAZMAT: "PATO NUK ËSHTË NJË ÇËSHTJE" (02.06.2011)
ETHET E FUTBOLLIT SUPER BOWL NË SHBA (02.05.2011)
MASIMO MORATI: "DERBI? ËSHTË ENDE SHUMË HERËT PËR TITULLIN" (02.05.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]