E di që shumë nga ju jeni të interesuar për gazetarinë dhe mjetet e
komunikimit. Këtë pasion kam nisur ta kultivoj qysh nga gjimnazi. Unë kurrë nuk
kam dashur të jem tjetër përveçse gazetar, gjë që e dëshpëroi shumë babanë tim.
Ai, si një drejtor liceu, e
përçmonte gazetarinë, si një zanat fare të pasigurt.
Po gazetaria ka qenë vokacioni i madh i jetës sime. Do ta pranoj para jush,
megjithatë, se, sado që e kam dashur dhe vazhdoj ta dua këtë zanat, nuk mund ta
këshilloj asnjë të ri t'i futet sot kësaj pune, sepse mendoj se gazetaria është
tashmë në krye. Do të duhej të transformohet krejtësisht, në një kuptim që s'di
ta parashikoj. Jam i kapluar nga kujtimet dhe vij nga një shkollë e caktuar, e
në këtë moshë e kam të vështirë të mendoj diçka ndryshe. Shpresoj që për ju të
ketë vend një transformim komplet, një transformim që t'i ketë parasysh faktet
e rënda që kanë ndodhur në kohë, mes të cilave shumë faje dhe devijime të
gazetarëve, futjen e teknologjive të reja, të tërë përmbysjes së zakonit.
Gazetaria klasike, nga e cila s'do të dija kurrë të shkëputem, është e
pamundshme të përshtatet. Kur nisa gazetarinë, rreth 60 vite më parë, kishim si
arritje teknologjike makinën e shkrimit "Olivetti Lettera 22", me të cilën
vazhdoj të shkruaj. Nuk e prodhojnë më, ndaj për këtë u jam kthyer antikuarëve
për pesë sosh, që i kam vendosur në pika të ndryshme. Më shumë se kaq nuk mund
të bëj. Faksin s'di ta përdor, një person i dashur merret me këtë punë për mua,
përndryshe s'do të dija as ta vë fletën në të. Ne gazetarët duhet t'i qërojmë
hesapet me një armik vdekjeprurës. Në vend që ta luftojmë, jemi vënë në shërbim
të tij: ky është televizioni. I kam të njëjtat ide me Popper-in, televizioni
është mynxyra më e keqe që mund të na ndodhte, ngase është përdorur në atë mënyrë
që të jetë i tillë.
Gazetat janë bërë megafona të televizionit, prandaj gjejmë tituj me tetë e
nëntë kolona për Pippo Baudo-n apo Parietti-n. Televizioni do të mund të ishte
një instrument i madh i kulturës, ama nuk është. Mirëpo, këto janë punë për të.
Ajo që është punë për ne, është se kemi zënë të bëhemi megafona të tij, duke
kopjuar edhe zakonet e tij dhe duke e pranuar supermacinë e tij. Italia, përveç
që prore e ka përzier seriozen me të dobishmen, prore e ka marrë të dobishmen
si gjënë e vetme serioze. E ne s'bëjmë tjetër, vetëm se përshtatemi me këtë,
duke e tepruar me këtë perversionim të zakonit tonë. Po ka edhe më keq.
Televizioni udhëzon dhe i hap rrugë protagonizmit, që kur bartet në gazetari,
ka efekte katastrofike. Televizioni provokon atë shtysën shumë të keqe tipike
për gazetarët e këqij, kërkimin me çdo kusht të scoop-it. Nëse ndokush nga ju
do të dojë ta ushtrojë këtë zanat, shmangeni tundimin e scoop-it! Mos harroni
se ajo është rruga e shkurtër e gomarëve. Mundëson të arrish i pari, por në
mënyre të keqe. Publiku është një kafshë e çuditshme, duket si dikush që kupton
pak, por mban mend; e nëse ju luani me besimin e tij, e pat puna juaj. Këtë
besim duhet fituar seriozisht dhe me mund të madh, ditë për ditë. Kjo nuk
shpëton nga gabimet, por imponon obligimin ta denoncojmë vetveten, kur e
vërejmë gabimin, si dhe t'i kërkojmë falje lexuesit. Nëse doni të ushtroni këtë
zanat, kujtohuni mirë. Është një zanat që kërkon shumë përulësi, e protagonizmi
është në kontrast me këtë ligj fondamental. I shoh sot drejtorët e rinj. Janë
shumë të zotët, të kuptohemi, janë të moshës mes 40 e 50 vjeç, do të mund të
ishin bijtë e mi. Ama nuk qëndrojnë në drejtori, i kam para syve, qëndrojnë në
zyrën e marketingut, ngase gjëja themelore e një gazete është e ashtuquajtura
audiencë. Audienca sjell publicitet, ngaqë një gazetë nuk duhet vetëm të
jetojë, por duhet edhe të prodhojë para, para se gjithash nëse dëshiron të jetë
e pavarur. Një gazetë që duhet t'i kërkojë dikujt para, është pa dashje
shërbëtor i punëve të tij. Unë e kam humbur gazetën "Voce", ngase s'ia dola
mbanë ta bëj aktive. Është audienca, në format e saj më vulgare, ajo që na
obligon ta vulgarizojmë gazetën, e cila për t'u shtypur duhet ta rrahë këtë
rrugë. Kjo rrugë megjithatë nuk çon askund.
Ne do të kemi një gazetari gjithnjë e më të keqe, sepse është gjithnjë e më
shumë në kërkim të audiencës, gjithnjë e më shumë në kërkim të publicitetit,
prandaj gjithnjë e më shumë e gatshme t'i përmbushë shijet e këqija të
publikut, në vend se t'i korrigjojë. Të merremi vesh, publiku është përherë
padroni ynë, nuk mund të shtyhemi me të me gjoks, ama duhet të edukohet.
Megjithatë pa e shfaqur këtë, sepse s'ka asgjë më të keqe se qëndrimi prej
mentori. Nuk e di nëse gazetaria është e zonja ta kryejë një evolucion në këtë
kuptim, ama unë s'po ia shoh shenjat askund. Po të isha 40 vite më i ri, do të
tentoja përsëri të hap një gazetë. Ndokush mund të çuditet tash, ama do ta
ndiqja rrugën e hapur nga kryearmiku im Ferrara me gazetën "Foglio". Kjo gazetë
është me gjasë ajo që duhej të bëja unë me gazetën "Voce", e që s'pata fuqi dhe
mundësi ta bëja. Një gazetë që do t'ua përshtaste menjëherë mjetet e veta
çmimeve, me pak faqe, që do të mund të bënte pa një pjesë të madhe të reklamës,
me gazetarë, medet, të paguar pak. Po ne prore jemi paguar pak, ky zanat
s'bëhet për para. Bile, nëse takoni një gazetar të pasur, mos i zini besë.
Gazetaria nuk shpie në pasuri, mund të shpjerë në mirëqenie, ju lutem! Unë nuk
ankohem aspak, kam aq sa më duhet për të rrojtur mirë. Ama, gazetari i pasur
është një gazetar që qelbet, ngase e ka përdorur zanatin për të arritur të
tjera objektiva. Një gazetar që i nënshtrohet zanatit, duke i kërkuar ndjesë
prokurorit Maddalena, do ta pushkatoja. Siç po e shihni, s'po ju sjell lajme të
mira, megjithatë, në këtë pikë, më duhet t'jua them edhe një gjë tjetër. Bën
vaki kam ushtruar një zanat të gabuar, ama nuk jam pishman. Ma ha mendja që
gazetaria në Itali ta ketë kryer një mision, atë se e ka shkëputur kulturën
italiane nga fortesat, nga kockat e saj mafioze. Më vjen keq që po ua kthej kaq
keq mikpritjen tuaj, ama duhet t'ju them se gazetaria e ka kryer këtë detyrë me
decenie, duke sjellë kulturën në mes të publikut.
Kultura italiane kishte një nevojë të madhe për këtë, ngase s'di t'i flasë
publikut. Ka një gjuhë të vetën, të papërkthyeshëm në gjuhën e përbashkët.
Ndoshta ju e dini se unë s'kam shumë për t'u lavdëruar në lidhje me vitin "˜68
dhe me atë që ngjau atje, ngase ende i bart me vete shenjat dhe gjurmët, por
shkaqet e largëta të atyre djelmoshave, që m'i futën goxha do plumba, po ta
kisha moshën e tyre ndoshta do t'i kisha bashkëndarë. Sigurisht se do të isha
larguar, sepse mënyra sesi dëshironin t'i bënin gjërat ishte e gabuar, ama
diçka kishte aty. Në rebelimin, në njëfarë mënyre, si prej baroni të kuptimit
të kulturës, ka diçka të drejtë. Kush nga ju do të dëshirojë ta zgjedhë këtë
zanat, le të kujtohet ta zgjedhë padronin e vet, lexuesin. Le të vihet në
shërbim të tij dhe le të flasë gjuhën e tij, jo atë të akademisë. Le ta kthejë
kulturën e akademisë në mirëkuptim. Nguliteni në kokë, se kjo ka qenë një nga
tradhtitë më të rënda të bëra në Itali, e janë bërë shumë sosh.
A doni dëshmi? Merreni një shkrim çfarëdo të cilitdo të Italisë së "˜700-shit
dhe krahasojeni me faqet e enciklopedisë franceze. Faqet e Voltaire-t, e
D'Alembert-it, janë të qarta dhe të pastra, gjithçka kuptohet. Në të tjerat
s'kuptohet asgjë: gjuhë e toguar, ireale e princit. Gjuhë e kulturës në shërbim
të zotërisë, që pastaj është bërë parti. Prandaj edhe është përkeqësuar, ngase
ishte më mirë t'i shërbejë një duke apo një kardinali, sesa një partie.
Ishte më pak e ulët, sado që ishte e ulët edhe ajo. Kujtojeni se kultura
italiane kurrë s'është përhapur, ajo pak gjë që është bërë, është bërë nga
gazetaria. Nëse doni të ushtroni këtë zanat, ky është zotimi që duhet të keni.
Për ta bërë, s'ka vuajtje që mund t'ju shkurajojë: ky zanat është shumë i
bukur. Nuk çon askund, ama është shumë i bukur.
--
Shkrimi i mjeshtrit të gazetarisë italiane, pjesë e ligjëratës së fundit
mbajtur në Universitetin e Torinos, më 12 maj 1997, u muar nga e përditshmja
torineze "La Stampa"