VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HEREMITTregim nga BUJAR BALLIU

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 06:28am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

HEREMIT

Tregim nga BUJAR BALLIU


E Enjte, 05.26.2011, 10:50am (GMT+1)

Rreth kasapit bën potere lukunia e maceve dhe qenve. Ngrejnë sherrin pas hedhurinave të baltosura, lëpijnë gjakun e derdhur anës lumit, Mjaullitjet e kuitjet shkrihen në kakofoninë e zërit të diskutantëve buruar nga dritarja e këndit të kuq të bashkimeve profesionale. Tomin e përngriti silueta e mësueses së letërsisë, shfaqur në kuadratin e derës përballë rrugës:

- Zonjush!

Mësuesja buzëqeshi.

-Do të vij për porosinë.

Tomi bëri me dorë shenjën e ftesës dhe hapi derën. Diçka e ngjallur nën gjoks, u ngjit nëpër fyt, i mpiu të folurën. Ajo hyri e sigurt.

-Kam porositur makinë.

-Deri në Poradec e shkojmë bashkë.

Anita u ul kundruall dritares. Mbante nën kontroll rrugën dhe hapësirën buzë lumit.

-Sa i pashpirt është!

-Atë punë ka.

-Si i bën dora të verë thikën mbi dashin e pafaj? Me siguri vjen ndonjë nga komiteti..

-E përcakton dot rangun?

-Nuk besoj!

-Jeni e pavëmendshme, zonjush. Sa herë ka ikur tatëpjetë ujit ajo gaveta ushtarake? Shikoni si e mbushi me veshkat, zemrën. Kur mishi është për të mëdhenj, ai nuk i heq dot asnjë gram.

Anita u ngrit. Ena çukitej gur më gur e rrokullisej ujit. Pas kthesës, ngeci mbi hunjtë ngulur në pritë. Një grua e re bënte të pavëmendshmen. U ul, lau fytyrën dhe rrëmbeu gavetën. Pa hedhur sytë kund, mori rrugën e barakave. Zor të thuhej ç'kishin më shumë lëvizjet e saj; fshehtësi apo kënaqësi derdhur në ecjen nazike.

-Ku shkon bukuroshja e kasapit?

-Në barakë të pjekë bumbrekët e gavetës dhe të skuqë herdhet e shefit.

- Je i pacipë.

Anita hodhi sytë nëpër dhomë. Mungesa e një dore të kujdesshme lexohej nëpër dysheme e mure.

- Shikoni zonjush! Dhoma ime është zgjatim i rrëmujës jashtë. S'ka asgjë delikate të rivalizojë me ju.

-Nuk e besoj. Ja, lulet, gjethet, bimët.

-Janë të masakruara.

-Merresh me shkencë? u ngjall trilli ngacmues.

-Gjysma e mendjes më thotë të merrem me biologji, gjysma tjetër me folkor. Si më këshilloni zonjush?

-Më thirr në emër.

-Nuk kemi aq intimitet.

-S'kuptova gjë.

-Vështro mbi tavolinë.

Në faqen e parë të bllokut të trashë kapur petale të vogla ngjyrë lejla. Poshtë shkruhej:

Gjuhënusja

Delphinium consolida orientale.

"Plaka mbante kokën mbështjellë me shami të trashë. Nuk duronte breshërimën e klithmave të së resë. Nga dera e hapur tirreshin fjalët pelin. "Nuk dua të të shoh, nuk dua të më afrohesh". Pas së vjerrës fjalët i lëshoi mbi fqinjët, kalimtarët...botën mbarë. Prej ditësh oborrit dhe plasave të mureve u end bima degëdobët, me push të hollë si qime qerosi. Pas çdo mallkimi, hidhej një gjemb kërcënues, i hollë, tejet i gjatë. Në mbrëmje askush nuk mund të kapërcente kufirin e mbjellë nga gjembaçët e gjuhënuses ...."

Ktheu kapakun. Me shkronja kapitale pa të shkruar Heremit.

-Kush është eremiti?

-Të pëlqen ideja e librit kaos, me petale të vërteta, përsiatje, vizatime kërcelli, copra rrënjësh, fragmente përrallash, gjemba, mite, një herbarium i përzier me fjalë, shumë fjalë?

-Pse kështu?

-E përditshmja kotet në kuadratet e mërzisë. Në mëngjes e di çfarë do të bësh e ç' nuk duhet të bësh. Ngrihesh nga krevati, vesh çizmat, Shkon në pyll, të mbyt era e athët e djersës së sharrëxhinjve; lahen kur shkojnë të flenë me gratë e shikojnë fëmijët. Kthehesh në kantier, kutërbon kalbësira e trungjeve të patransportuara dhe kërmat e mushkave të ngordhura. Në mbrëmje para krevatit, heq çizmat, ndjek në televizor filmin shqiptar "Dhe në pyjet me borë ka jetë". Personazhet shtrëngohen të qeshin sa herë lëshojnë batuta. Dhe kaq. Gjumë. Do të merrem me diçka tjetërlloj. Mbledh bimë e lule, u gjej emrat latinisht e shqip, gërmoj në kujtesën e miteve e përrallave, derdh dertet e mia. E quaj herbarium e mitologji = Heremit.

Thithi fort cigaren varur mbi buzë. Mimika iu ngatërrua me zhgarravinën e kaltëreme të tymit. Anita i shkoi dorën mbi grezhën e mjekrës.

-E butë si pushi i mackave buzëgjak.

Nën pëllëmbë qimet lëvrinë. Tomi lëvizi. Dora e Anitës ra pa fuqi mbi togun e bimëve nga kërceu tufa gjysmë e tharë.

- Daucus karota i thotë latini, ne luleturpi. Lulesa është e bardhë. Vetëm në mes nxin një çift petalesh.

-Çiftit i vjen turp për veçimin nga të tjerët?

-Të pëlqen të jesh turmë?

-Kaq nuk e përballoj.

-Dikur kurorën e ka patur të zezë, në qendër dy petale të bardha. Pasqyronte natyrën njerëzore. Në punën e hallet e tyre, në shtëpinë e katandinë e tyre, njerëzit qenë kokëulur. Të pacipët numëroheshin me gisht. Kur filluan të synojnë më shumë, të merren me të mirat e këqiat e të tjerëve, kur i lejuan vetes të provojnë kënaqësi pa i merituar, u çelën, u zbërdhylën, u bënë cipëplasur, të paturp.

-Ç'lidhje ka lulja me njerëzit?

-Njeriu rri sy ndër sy me bimët, drurët, gurët. Zinxhiri i jetës përcjell kumte të heshtura, larg trompetave të propogandës,

-Kështu flet gjithmonë? Nuk ke frikë?

-Të dhimbsem?

-Bën viktimën?

-Ditën e parë u përballa me një kortezh. Grumbulli i vogël i burrave ndiqte akivolin. Hapi i ngadaltë rëndohej nga tiparet e ngrira. Në radhën e cunguar qerthullonin dy rryma mimikash. Kreu mbushej me fytyra sterrosur nga qëndresa, në fund çapiteshin çehrepërulurit. Herë-herë shkriheshin, pastaj rridhnin njëra pas tjetrës nëpër ditën e zgavërt. Varrosej një i aksidentuar para disa vitesh. Shumë e dinin të vdekur. Arkivoli dukej i lehtë, i manovrueshëm. Prej asaj dite zvarritja zigzake del buzë muzgut dhe më fton nën kapakun e hapur të arkës mortore. S'kam frikë. Askush nuk e ka mbyllur jetën jashtë vdekjes.

Bisedën e ndërpreu boria e makinës. Rrugën deri në Pogradec e bënë pothuajse në qetësi. Anita çuditej si u afrua me të tillë njeri. Rreth tetë muaj në të njëjtin kantier, u njohën para dy javësh. Si vajzë qyteti, javët e para e përjetoi mundimshëm mungesën e Tiranës. Ushqeu shpresën se nuk do ta harronin. Inxhinier Tomin e pikasi nën strehën e shkollës në një ditë me shi të prillit. Mbledhur me peliçen jakëngritur ngjyrë kaki, i parruar, përplaste këmbët e ngrinte stërkala balte si fëmijë i llastuar. U prezantuan.

-Kam porosi për në Tiranë.

Anita tha se pas dy javësh do të merrte lejë. Me pamje tuafi, i ngjalli ndjesinë e universitetit rrethuar nga vështrime admiruese e ngrohtësi të njohurish.

"Ende s'ma ka dhënë porosinë. Ndoshta e stisi për t'u njohur",- mendoi kur po zbrisnin nga makina.

Bulevardi buzë liqenit ndriçohej zbehtë. Tek-tuk qëmtonin silueta të vetmuara. Ndërtesa e madhe e hotel Turizmit dremiste në prag të sezonit veror. Tomin e ktheu punonjësi i shërbimit:

-Nuk lejohet me çizma!

Heshti. U kthye me qafat e çizmave poshtë pantallonave. Qënia në sportel kishte në fytyrë vetëm dy organe të dallueshëm; syri i vetëm zotëronte hollin, buzët e shtrënguara mezi fshihnin nënqeshjen tinëzare. Duke pyetur për emrat, fytyra e tij pak nga pak depërtoi mes resh si hënë hajdute.

Zunë dy dhoma tek dhe zbritën në bregliqen. Nga fshatrat këtej kufirit dritat pulitnin sytë, ato në krah të Ohrit, grishnin bebëzat rrezëllitëse të neoneve.

U afruan sup më sup. Zëri i Tomit, malcuar nga shushurima e dallgëve grimconte errësirën në kokrriza të imta, monotone.

- Dua të më takosh nënën. Lagjja "Ali Demi", shtëpia me numër 87. Gjithë dimrin pa e parë. Është rrëgjuar.

-Je magjepsur pyllit?

-Nuk e dua pyllin se edhe ai, si tërë racën njerëzore, nuk më do. Ngre prita me rrofata të thata e guva të padukshme. Zhurmat kërcënuese fshihen nga fëshfërima tinzare e gjetheve nën këmbë e mbi drurë. Edhe në dhomë më ndjek si rrëshqanor. Kur trimërohem, ajo tërhiqet, hyn në heremit, ngec nëpër kapëset metalike dhe bëhet sygjarpëri, lathyrus aphaca.

-Pse u bëre inxhinier pyjesh?

-Im atë u burgos kur isha në vitin e fundit të gjimnazit. Vështrimi qiellor iu shua nëpër fjalën qeli. Ditët e mia u fundosën në moskokëçarje. Ëndrrat talleshin nga lartësia e tabelave me emrat e fakulteteteve. U rropat im më dhe më futi në të vetmen shkollë të lartë të mundshme. Më pas fillova punë në kantierin e sharrave. Kohën e shtyj sektorëve. Më shajnë kur rri i paqethur e i parrojtur, më shajnë kur qethem toç. Natën pushtohem nga ankthi i padurimit, shkreh rrugëve pa fund, pa kufi. Kur gdhihet i dalloj mirë gjëmbaçët e gjuhënuses, ndaj hedh ëndrra në Heremit. Fitoj dimensione të munguara.

Silueta e Malit të Thatë ngrihet përballë e brishtë, puplore. Ajo hapet, i mbështjell. Brenda ndihen butë, shkelin nëpër hijen ëndërrndjellëse. Errësira i shtrydh, i zvogëlon, i zvogëlon sa bëhen kokrriza rëre. Anita ngjeshur pas tij shkel në vende të panjohura. Rëra mund të hapet e ta përpijë me babëzitje.

Në urën mbi liqen, betoni i dha siguri. E rrethoi Tomin me krahë, e puthi fort nën mustaqet pis të zeza. Ndjeu natën t'i rrëshqasë nëpër buzë. Ai i ngriti bluzën me qetësi, humbi për një çast torruan në fërgëllimin e ngrohtësisë, u dorëzua i gjithi në aromën e gjirit. Kënaqësia erdhi vrullshëm. Mbi Anitën u shkrinë ndjesitë në një. Re të mbushura me avuj shiu i shkriftuan gjymtyrët.

-Mos! Kemi natën.

Flakëzat u tërhoqën në nxehtësinë e plagës së posahapur.

Darka, të vetëm në një cep gjysmë të errët, i hodhi larg. Vajzën në Tiranë ku nuk kishte dhe aq dëshirë të shkonte se sa e ndiente për detyrë, tjetrin mes faqeve të pyllit të zgërbonjave ku e prisnin drurët e rrëzuar.

Kur mbërritën para dhomës, Tomi qëndroi dhe u kthye një çast. Përplasja e vështrimeve vizatoi buzëqeshjen e lodhur. I shtrëngoi me krahun e djathtë supet pranë vetes. Nxitoi në hapësirën e errët. Anita hezitoi një grimë, hapi derën e dhomës së saj. U shtri mbi krevat. Nata e majit trazonte hiret. Çiltërsia dhe natyra e drejtpërdrejtë e Tomit ndezën drita alarmi: "Me atë gojë do të digjet. Ndoshta e fashitin puthjet, fjalëzat pa kuptim, përkëdheljet. Do të vijë?"

Korridori ngrin nga zbehtësia e një abazhuri. Rreth tij lëkunden krahë gjysmë të djegura fluturash... Dremiti.

E përgjumur, doli në ballkonin nga ana e liqenit. Errësirën e shponin sytë e skuqur të yjeve. Një fashë drite mbiu nga guva nën Tushemisht. Projektori i forcave të kufirit zbardhi anë për anë kurorën e liqenit. Faqja e ujshme bulëzoi si kupëza e luleturpit."Po ku fshihet çifti i tulatur?" Drita lëpihej përmes qiellit e dystes së lagësht. Gjuhënusja skërmiste gjëmbaçët e vigjilencës. Fashitej për pak kohë, lëshohej ngutur si kurth dhelprash. U drodh. Vuri re orën; po i afrohej mesit të natës.

-Nuk erdhi.

Korridorin e mbushën pëshpëritjet. U step. Diku trokitën me vrull. Hapet një derë. Zhurma këmbësh. Heshtje. Priti zhdukjen e fëshfërimës së fundit. Vrapoi. Dhoma e Tomit gjysmë e hapur, e heshtur, e zbrazët si gojë pa fyt. Rrudhat e mbulesës së krevatit tregonin se miku i saj, nuk kishte bërë gjumë.

Vrapoi te recepsionisti, pyeti për banorin e dhomës 205. Ai uli kokën mbi regjistrin me faqe të mëdha. Kur e ngriti, një rrudhëz e lagësht pikoi nga zgavra e syrit të shuar dhe shndriti mbi buzë:

-Në atë dhomë s'ka patur njeri.

nëntor 2010

BUJAR BALLIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FLOKËVE SHKRIN DIELLITregim nga EDUART SULOLLARI (05.26.2011)
ZBULOHEN 17 PIRAMIDA NË EGJIPT (05.25.2011)
NJË LIBËR VLERASH TË VEÇANTA QË TA SHËRON SHPIRTINNga MUJË BUÇPAPAJ (05.24.2011)
EKSPOZITA "GOGENI: KRIJUESI I MITEVE" NDIQET ME INTERES NË UASHINGTON (05.24.2011)
KALORËSITPoezi nga XHENC BEZHI (05.24.2011)
NATA E PARË E MARTESËS ME SHINga ALEKO LIKAJ (05.22.2011)
DEUTSCHE WELLE - STRUKTURË E RE PROGRAMI NË PLATFORMË TRIMEDIALE (05.22.2011)
THUAJU ENGJEJVENga ANTIGONA MARKU (05.19.2011)
HAPAT E PARË NË UNIVERSITET - KUSHTET E PRANIMIT NË SHKOLLAT E LARTA GJERMANE (05.19.2011)
VLERËSIM NGA KRITIKA RUMUNE PËR LIBRIN "MAMAJA" TË VILHELME VRANARI HAXHIRAJPërgatiti: BAKI YMERI (05.15.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]