VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa I)

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 09:33am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

DITA E VRASJES SË AZEMIT

ROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa I)


E Hënë, 10.19.2009, 04:02pm (GMT+1)

ROMAN

 

                                            DITA E VRASJES SË AZEMIT  

 

 

                        

            

Pjesa e Parë

 

     Ilir Ukidi u ngrit nga shtrati pak minuta para orës shtatë. Mori orën, që ishte vendosur mbi komodinën ngjitur me krevatin, çaktivizoi alarmin dhe e la përsëri në vend. Ky rit përsëritej pothuajse çdo ditë. Në mëngjes zgjohej gjithmonë para orës shtatë dhe çohej nga shtrojet më parë se të dëgjonte tringun përsëritës të ziles së orës. Ndonjëherë, me vetëdashje, e linte alarmin të aktivizuar disa sekonda, për të kontrolluar saktësinë e tij me kohën.Veshi pizhamat dhe me disa lëvizje të plogëta, shpihu duar e këmbë,qafën dhe bustin. Iu afrua dritares dhe ngriti grilën lart, siç bënte çdo mëngjes, për të vëzhguar motin. Qielli ishte gri. Retë ishin tepër lart dhe gjasat për shi ishin të pakta. Ndaj vendosi, që kur të dilte nga shtëpia, ombrellën të mos e merrte me vete.  I hodhi një sy kalendarit, që mbante mbi tavolinë. Kalendari ishte me fletë ditore, i vijëzuar për çdo orë të ditës. Ai i shërbente si bllok shënimesh e ditar. Me stilolaps bojëkuq, Iliri shkruante punët apo takimet e planifikuara ditë më parë. Në mbrëmje, kur kthehej në shtëpi, merrte stilolapsin bojëblu dhe bënte shënime për çdo orë të ditës. 

     Ishte mëngjesi i 12 Shtatorit 1998. E shtunë. Mori stilolapsin bojëjeshil dhe vijëzoi një kryq të vogël sipër datës, shenjë kjo, që dita aktive sapo kishte filluar. Shënimet i dinte përmendësh. Megjithatë i lexoi përsëri. Në orën 10-të do të takohej me R.X. (që Iliri e lexonte Riksi), t'i dorëzonte sasinë e valutës, që ai kishte porositur. Në orën 18-të do të darkonte me Aleancën, në një nga tavernat, buzë Gjanicës. Qëndroi në këmbë, me kalendarin në dorë, i pavendosur, në duhej të shtonte diçka tjetër në axhendën e ditës. Mori  stilolapsin dhe shkroi përbri orës 12-të " Mitingu i PD, Azem Hajdari!? " Kjo nënkuptonte që, nëse Azemi do të ishte i pranishëm në miting, edhe ai do të shkonte atje.

    Shënimin e bëri me stilolapsin jeshil, njësoj si kryqin e vogël në krye të fletës. Ndërkohë që duhej të përdorte atë të kuq. U ndje ligsht nga ky krahasim i beftë, por vetëm për pak çaste. Ç'mendoj dhe unë, qortoi veten.

    Mitingu do të mbahej në sheshin qëndror të qytetit, atje ku zhvilloheshin të gjitha tubimet politike të partive. Për mitingun e PD, ai kishte dëgjuar ditë më parë, por vetëm dje kishte parë afishet të vendosura anembanë qytetit, që saktësonin orën dhe vendin e zhvillimit. Ndërsa televizioni lokal, AVN, i vetmi në qytet, që nga mbasditja e së premtes e në vazhdim, lajmëronte me titra për mitingun dhe pjesëmarrjen në të, të krerëve më të lartë. Emri i Azemit nuk përmendej, por nën zë thuhej se ai do të ishte pjesë e grupit që do të vinte nga Tirana.

    Ndërsa po lahej dhe ormisej për të dalë nga shtëpia, Ilirit iu kujtua mitingu i parë i PD-së, i organizuar në qytet, ku ai, për të parën herë e pa dhe e dëgjoi "in live" Azem Hajdarin.

    Ishte fillimi i Janarit të vitit 1991, mbasdite. Data e saktë nuk i kujtohej. Kur Iliri mbërriti në sheshin qëndror, mitingu kishte filluar. Donte t'i afrohej tribunës, por kjo ishte e pamundur. Moria e njerëzve në shesh ishte aq e madhe dhe e ngjeshur, saqë ishte kthyer në një masë të padepërtueshme e të palëvizëshme. Mundi të lëvizë disa hapa, derisa gjeti një vend disi të përshtatshëm, për të parë më mirë tribunën. Figurën e Azemit e shqoi menjëherë midis dhjetra të tjerëve, që ndodheshin në tribunë. Emri, zëri dhe portreti i tij, njiheshin tashmë në të gjithë vendin. Pikërisht, atë çast, Azemit i dhanë megafonin. Ai nisi të flasë. Foli ngadalë, duke theksuar çdo fjalë, që të mos humbisnin në ovacionet e herë pas hershme, që shpërthenin nga masa mijëragojëshe e njerëzve. Kur Azemi mbaroi ligjëratën, toka u drodh. Gjëmimet e mëdha vijnë nga qielli dhe atë çast populli ishte qielli. Iliri për herë të parë dëgjonte publikisht, faqe gjithë botës, të anatemohej diktatura dhe diktatori. Disa policë, prapa tij, lëvizën. Iliri pati ndjesinë, sikur ata do t'i afroheshin dhe do t'i thoshnin "Zoti qytetar, jeni i arrestuar, sepse po dëgjoni propagandë antishtetërore." Mbas kësaj do t'i hidhnin prangat, që ata mbanin në duar. U rrënqeth dhe instiktivisht u largua disa metra më tej. Paskëtaj i lindi dëshira të ngjitej në tribunë, të ngrinte dy gishtat lart e të fliste për të larguar frikën, që e kishte mbërthyer për shkak të policëve. Por tribunës as mund t'i afrohej dot. Kur mitingu mbaroi dhe njerëzit u shpërndanë, ai mendoi se Azemi dhe shokët e tij ishin më shumë se trima. Ai i krahasoi ata me replikantët, të programuar për të mos e njohur frikën, për të luftuar errësirën e për të udhëhequr njerëzit drejt lirisë.

    Iliri buzëqeshi, tek solli ndërmend atë ditë të largët janari, frikën e vet dhe krahasimet naive për liderët e rinj të asaj kohe. Tani, që vitet kishin kaluar, figurat e politikanëve i ishin zvetënuar. çuditërisht, vetëm figura e Azem Hajdarit mbështillej e ngrohtë, thellë në nënndërgjegjen e tij. Patjetër që do të shkoj në miting, neqoftëse do të jetë atje Azemi, vendosi përfundimisht.

    Zbriti shkallet e pallatit dhe u drejtua për tek hotel Lux, që ndodhej pranë sheshit qëndror. Kafen e mëngjesit e pinte pothuajse gjithmonë në barin e tij. Atje fillonte dita e tij e punës.

    Iliri punonte në tregun valutor të rrugës. Ishte një nga kambistët më në zë të qytetit. Tregu valutor jo zyrtar apo informal, siç quhej nga media, zhvillohej në njëqind metra trotuar, midis qëndrës së qytetit dhe urës së madhe, pranë kishës. Dimër e behar, nga mëngjesi në mbrëmje, kjo ishte hapësira më e gjallë e qytetit, më e pasura, një Uoll Strit në miniaturë. Me dhjetra kambistë, kalonin në duart e tyre çdo ditë miliarda lekë e miliona dollarë a valutë tjetër gjithësoj. Ata ishin një hap para bankave dhe ekspertëve të bursave, në parashikimin e krizave apo bumit ekonomik. Gjithë valuta e qytetarëve, tregtarëve, emigrantëve, por edhe mafies, rivlerësohej në këtë treg e rishpërndahej përsëri. Sigurisht për të zhvilluar disi ekonominë e qytetit, ku vetë shteti ishte më shumë se jozyrtar.

    Iliri e kishte filluar këtë punë këtu e pesë apo gjashtë vite më parë dhe tani ishte në majë të kambizmit të rrugës. Klientët e tij ishin tregtarët dhe disa nga njerëzit më të pasur, më të fuqishëm të qytetit. Disa kambistë të vegjël punonin për të. Por edhe vetë Iliri s'kishte hequr dorë nga rruga. Pjesën më të madhe të ditës, ai e kalonte atje, duke ndikuar në vlerat e këmbimit valutë lek, që i afroheshin tregut të lirë të Tiranës dhe që ishte dukshëm më i avantazhuar se agjensitë bankare

    Ora shënonte tetë, kur Iliri mbërriti në barin e Lux-it. U ul i vetëm në të njëjtën tavolinë, ku ulej çdo mëngjes. Priti kamarierin t'i sillte kafen ekspres, dopjo kafe, në filxhan çaji. Mbas disa minutash, në tavolinën e tij do të ulej Agimi, pronari i hotelit, ose ndonjë nga klientët e tij. Për ndonjë porosi, apo thjesht për të pirë kafen bashkë e për të shkëmbyer ndonjë fjalë për vlerën e valutave, politikën dhe motin. Rrallë ndodhte të mbaronte kafen i vetëm. Sajmiri, kamarieri që punonte zakonisht paradite, iu afrua buzëqeshur.

    - Mirëmëngjes, - përshëndeti ai. - Shefi më porositi ta pini kafen me të, në barin sipër.

    Iliri e kuptoi. Dikush, që s'donte të binte në sy, kërkonte shërbimet e tij. Këto takime bëheshin gjithmonë në barin privat të pronarit të hotelit, që ndodhej në katin e dytë.

    Iliri u ngrit nga tavolina dhe mori shkallët e brendshme, që të çonin në barin sipër. Ndaloi para derës një çast, pastaj trokiti. Derën ia hapi Agimi. Tokën duart dhe Agimi e tërhoqi butësisht brenda.

    - Njihu me miqtë e mi, - i tha ai Ilirit, duke e udhëhequr drejt tavolinës së madhe, ku ishin ulur dy djem.

    Më i madhi ishte rreth tridhjetë vjeç, barabitur me   moshën e Ilirit. Tjetri ishte pesë apo gjashtë vjeç më i ri. Më i madhi, ishte veshur me kostum të zi, këmishë të zezë dhe kollare të zezë. Me siguri edhe këpucët i ka të zeza, mbase Mullingan, mendoi Iliri për këpucët, që nuk i dukeshin, për shkak të tavolinës. Ishte bjond, i qethur fare shkurt, me pak mjekër e mustaqe, që dalloheshin ngaqë qimet i kishte të kuqërremta. Sytë i kishte të bardhë dhe të qelqtë. Tjetri, edhe ai bardhosh, ishte kokërruar. Kishte mbathur një palë pantallona bluxhins, një këmishë të bardhë, të mbërthyer deri në kopsën e sipërme, pa kollare. Mbi këmishë mbante një xhuboks, që ishte i  ngushtë për shpatullat e tij të gjëra. Sytë i kishte të jeshiltë, të ftohtë. Me siguri ka veshur atlete të bardha, mbase Adidas, mendoi Iliri, që nuk ia shihte këmbët për shkak të tavolinës.

    Iliri u afrua pranë tyre dhe i përshëndeti:

    - Mirëmëngjes zotërinj!

    - Mirëmëngjes! - ia kthyhen ata njëzëri dhe u çuan në këmbë.

    Iliri priti që ata t'i zgjasnin dorën, të rroknin pëllëmbët, por ata s'e kishin fare atë mendje. Qëndronin në këmbë, duke zotëruar gjithëboshin e lokalit e duke zhbiruar me sytë e ftohtë figurën e Ilirit. Kaluan disa sekonda ballë përballë dhe atëherë Iliri e kuptoi. Duhej të ulej i pari në karrige. I shtypur nga supremacia e tyre!? Apo e mendonin aktin e qëndrimit të gjatë në këmbë, si respekt për të porsaardhurin!? 

    Pa Agimin. Agimi, i mësuar me të tilla kokëkrisje absurde, lëshoi ekspresin. Fishkëllima e zgjatur e tij e prishi heshtjen.

    - Dopio ekspres, në filxhan çaji ?- pyeti Agimi

    - Po,- tha Iliri dhe zuri vend në tavolinë, ballas me të panjohurit.

    Paskëtaj, të dy djemtë panë njëri-tjetrin. U ulën njëkohësisht, në karriget e mëparshme. Agimi solli kafen dhe zuri vend në tavolinën e madhe, midis Ilirit dhe djaloshit veshur me të zeza.

    - Të fillojmë nga puna, - tha Agimi, duke kthyer kokën nga të dy djemtë dhe Iliri. - Zotërinjtë, miqtë e mij, Ilir , do të flasin vetë për kërkesat e tyre.

    Agimi i përmendi emrin Ilirit. Kjo nënkuptonte se u kishte folur më parë miqve të tij per të.

    - Po ju dëgjoj zotërinj, - tha Iliri dhe pa nga djali më i madh.

    Për habinë e tij, foli djali me xhuboks. Ai u ngrit në këmbë, mori qëndrimin pothuajse gatitu dhe tha:

    - Kërkojmë gjysmë milion dollarë. Afati është dhjetë ditë. Në qoftë se nuk e siguroni dot gjithë shumën në dollarë, pranojmë lireta ose franga zviceriane me kundërvlerën e dollarit.

    Ai heshti dhe pa nga shoku i tij. Djali me të zeza, tundi kokën i kënaqur e i bëri shenjë të vazhdonte. Djali me xhuboks vijoi:

    - Sasinë e lekëve, për gjithë shumën e valutës, ia kemi dorëzuar Agimit. Valutën do e marrim përsëri këtu. Për kursin e këmbimit, besojmë në ndershmërinë tuaj. Gjithë sasia e valutës, do të kontrollohet nga një aparat, para se ta marrim në dorëzim. Kaq ishte!

    Pa nga shoku i tij. Ai tundi përsëri kokën dhe i dha shenjë të ulej. Djali me xhuboks, zhbëri qëndrimin gatitu, lëvizi duar e këmbë dhe u ul me kujdes në vendin e vet.                  

    - Pranoj,- tha Iliri- Brenda dhjetë ditëve, pesëqindmijë dollarët do të jenë këtu. Ju mund t'i kontrolloni me aparat. Është e drejta juaj. Por aparati edhe mund të gabojë. Ndërsa gishtërinjtë e mi nuk gabojnë kurrë!

    Iliri shkoi vetëtimthi gishtat e mëdhenj mbi mollëzat e gjithë gishtërinjve të tjerë, si tu tregonte djemve një test të profesionalizmit të vet. Personi me të zeza, që deri atëherë nuk kishte thënë asnjë fjalë, nxorri nga xhepi anësor i xhaketës një pliko me kartëmonedha 1O dollarëshe, fringo të reja dhe i vendosi para Ilirit.

    - Kjo është për ju, - tha ai - dhurata e njohjes.

    Fjalët i shqiptoi ngadalë, me një zë basi të kumbueshëm, që i kujtoi Ilirit zërin e komentatorit të boksit, Ahmet Golemit. Gati e falenderoi, më shumë për zërin se sa për njëmijë dollarët, por ngurroi një çast. Mori plikon e dollarëve dhe kaloi gishtin e madh në dy-tre kartëmonedhat e para. Pastaj, në më pak se gjysmë minute, me gishtrinjtë e njerës dorë, kontrolloi të njëqind fletët 1O dollarëshe. Hoqi mënjanë vetëm kartëmonedhën e sipërme dhe e vendosi plikon para dhuruesit.

    - Po mbaj vetëm këtë - tha - Gjithë të tjerat janë fallco. Mungojnë disa elementë sigurie.

    Djali me të zeza i tha ftohtë:

    - Qenke me të vërtetë i zoti! Aparati edhe mund të gabojë. Sidoqoftë, ruaj kokën!

    Ai pa filxhanin e madh të kafesë, që tanimë ishte bosh dhe i hodhi sytë nga Agimi. Iliri e kuptoi se ishte koha të largohej. U çua në këmbë. Edhe djemtë u ngritën nga karriget. Agimi lëvizi për nga dera. Iliri u përball edhe njëherë me vështrimet e ftohta të klientëve të rinj, por gjithsesi u tregua i sjellshëm. U buzëqeshi dhe para se tu kthente shpinën, i përshëndeti

    - Ditën e mirë zotërinj! Është kënaqësi të punosh me ju!

    - Ditën e mirë! - foli më i riu.

    - Një minutë - tha zëbasi - Juve ju quajnë Ilir Ukidi. Do të isha kureshtar të dija se cili jam unë, sipas teje. Agimi më tregoi se të gjithë klientët me të cilët ju punoni, i emërtoni me iniciale, ose i thërrisni me emra të shpikur.

    Iliri u mendua pak. Pastaj i tha:

    - Ju jeni zotëria V, pikë, Z, pikë.

    Djali, me zë basi, u habit nga ajo që dëgjoi.

    - Ju më njihni mua!?

    Nxorri nga xhepi i xhaketës një palë syze të zeza dhe mbuloi sytë, si të fshihte vetveten.

    - Ju e njihni shefin? - pyeti djali më i ri.

    Largoi fundin e xhuboksit dhe preku me dorë pistoletën e ngjeshur në brezin e pantallonave bluxhins.

    - Jo - tha Iliri dhe u mundua të dukej i qetë.

    - V dhe Z janë gërmat e para të emrit dhe mbiemrit tim.

    - S'ma merrte mendja të ishte kështu- tha Iliri

    - Atëherë, ç'kuptim kanë këto shkronja?          

    Toni i zërit të tij ishte disi i lartë, në kufijtë e padurimit.

    - V, pikë, Z, pikë, do të thotë Vrima e Zezë, - sqaroi Iliri.

    Personi me të zeza u irritua tej mase nga fjalët e Ilirit.

    - Ju guxoni dhe më quani mua vrima e zezë!? Unë ju jap mundësi të fitoni para dhe ju keni një mendim kaq negativ për mua?

    Zëri i tij ishte bërë tashmë kërcënues. Djaloshi tjetër lëvizi në drejtim të Ilirit. Situata po përkeqësohej në mënyrë paradoksale. Iliri donte të fliste prapë, por Agimi ndërhyri para tij.

    - Vrima e zezë eshtë një term që përdoret në Astronomi. Janë shumë yje bashkë, mbase me miliona, që tërheqin rreth vetës yje të tjerë. Iliri e ka studiuar astronominë në universitet  dhe i pëlqen të përdor shprehje dhe terma të ndryshme nga kjo fushë.

    V.Z. u qetësua sakaq nga fjalët e Agimit. Pa shokun. Ky i buzëqeshi.

    - Më pëlqeka ky term - tha V.Z., duke iu drejtuar Ilirit. - Por ti duhej të na sqaroje më parë, se mund të lindin edhe keqkuptime e puna shkon në dreq pastaj.

    - Atë po bëja zotëri, - tha Iliri gjakftohtë - Doja të krahasoja fenomenin astronomik, me përthithjen e valutës në treg për llogarinë tuaj.

    - Qenke i zoti, - foli përsëri djali. - V, pikë, Z, pikë. Më pëlqen të krahasohem me një grumbull yjesh. S'është rastësi që edhe emri e mbiemri im fillojnë me të njëjtat gërma.

    Kthehu kokën nga shoku i vet. Pyeti Ilirin:

    - Po shokun tim, si do ta thërrisje shkurt?

    Iliri u mendua pak, vështroi orën e dorës dixhitale dhe iu përgjegj:

    - A, pikë, M, pikë.

    - Që do të thotë?

    - Anti meridian. Është term anglisht, që në shqip do të thotë "paradite". E zgjodha këtë term, meqënëse njohja jonë është sot paradite.

    V. Z. Vuri buzën në gaz, duke parë shokun e tij.

    - A. M.! Paradite! E bukur, apo jo! Kështu do të thërras edhe unë ndonjëherë.

    - Si urdhëron shef! - pranoi A. M..

    Iliri, me nxitim, shqiptoi edhe njëherë përshëndetjen e largimit:

    - Ditën e mirë, zotërinj!

    - Ditën e mirë! - thanë ata njëherësh.

    Lëvizën në anë të  tavolinës. Për herë të parë u shfaqën para Ilirit, nga koka, tek këmbët. Iliri u hodhi një sy të shpejtë nga këmbët. V.Z. kishte mbathur këpucë te zeza, ashtu si hamendësonte Iliri, por të markës Alpina. A.M. mbante të veshura atlete të bardha, me shenjën e firmës Nike.    

    Ndërsa e përcillte nëpër shkallë, Agimi i tha Ilirit:

    - U mërzite pak nga miqtë e mi, mos thuaj jo. Por në thelb janë djem të mirë. Dhe pagujnë mirë.

    - Kam parë edhe më keq - iu përgjigj Iliri - Por në biznes duken të pastër.

    - Ashtu janë. Sidoqoftë, ti mbase s'ke për t'i takuar më. Veç nëse pranon të drekosh me ne, sot në orën dymbëdhjetë. Do të shkojmë në një lokal, në Poro. Kemi porositur prodhime deti të freskëta. Do të vish?

    - Jo - tha Iliri. Në orën dymbëdhjetë do të jem  në mitingun e PD. Dua të shikoj Azem Hajdarin.

    - Pse, do të vijë Azemi?

    - Kështu flitet.

    -  Oh, mund të takohemi në shesh atëhere.

    - S'do të shksh në Poro?

    - Mitingu nuk është në dymbëdhjetë, por në katër mbasdite. - tha Agimi - Është shtyrë.

    - Ashtu!? Përse?

    Agimi ngurroi pak çaste.

    - S'e ... di, por është e sigurt që do të jetë mbasdite. AVN e dha lajmin, para se të vije ti këtu. Hë, si thua?

    - Jo!

    Agimi nuk këmbënguli.

    - Si të duash- i tha- Por mbas mitingut, eja pimë një kafe bashkë. Të bisedojmë disa gjëra.

    - Në mbrëmje do të jem me Aleancën. Nesër në mëngjes shihemi!

    - Mirë, - ra dakord Agimi. - Se mos harroj. Profesori kërkon të takojë. Rreth orës njëmbëdhjetë, në barin e madh. Sot që në mëngjes, mori xhipin tim dhe iku në Roskovec. Një zot e di se  ç'bën andej!

    - Do e takoj, - premtoi Iliri.

    U nda me Agimin dhe u drejtua nga tregu i valutës. Rrugës pa disa të rinj, që afishonin lajmërimet e reja, me orën e ndryshuar të mitingut të PD. Një benc, ngjyrë blu, ecte ngadalë nëpër rrugë, duke përsëritur ndryshimin e orës së mitingut. Pak minuta më pas, një makinë policie u bënte thirrje qytetarëve, se çdo grumbullim njerëzish, në sheshin qëndror, deri në oren katër ishte i paligjshëm. Ndaloheshin antimitingjet dhe thirrjet kundra të militantëve të partive të majta. Ndalohej shërbimi i pijeve alkolike në lokalet e qendrës, një orë para dhe pas mitingut. Ndaloheshin të shtënat me armë. Ndaloheshin personat me precedentë penalë të barisnin rrugëve të qytetit. Ndalohej... Makina e policisë ishte larguar tej dhe Iliri nuk mund të dëgjonte të gjitha  kufizimet e shpallura të policisë. Buzëqeshi me ironi, teksa mendoi se shteti dhe policia, si pjesë e saj, nuk merreshin seriozisht nga qytetarët.

    Në tregun e valutës takoi dy shokët e tij, Ilmiun dhe Viktorin. Ishin kambistat, që punonin për të. Pas përshëndetjes së zakonshme, Iliri u tha:

    - Për një javë duhet të mbledhim gjysmë milion dollarë.

    - E vështirë - tha Ilmiu

    - Do të ngremë një vizë kursin e blerjes - i udhëzoi Iliri- Do pranojmë edhe lireta dhe franga zviceriane.

    - E vështirë, - tha përsëri Ilmiu.

    - Do përpiqemi, - tha Viktori.

    - E lehtë s'është, por jo e pamundur, - tha Iliri- Do bisedojmë edhe me kambistë të tjerë.

    - Kështu po, - u bind Ilmiu.

    - Keni lekë për të punuar gjithë ditën?

    - Deri në njëzetë mijë dollarë secili, - tha Viktori.

    - Bukur fort, - ia bëri Iliri. - Për çdo problem, do të bisedojmë. Unë do të jem këtu rrotull. Mirë u takofshim djema!

 

 

 

 

 

***

 

    Ora po shkonte dhjetë. Iliri u drejtua për tek shtëpia e prindërve. Atje kishte lënë plikot e dollarëve për Riksin. Shtëpia, një vilë dykatëshe, ndodhej pranë gjykatës. Në katin e parë ishte dhoma e tij. Ai, së bashku me vëllanë, Kastriotin, banonte me prindërit, deri një vit më parë. Kastrioti ishte tre vjeç më i vogël se Iliri. Një mbrëmje Kastrioti erdhi në shtëpi me një vajzë. E quanin Shega. Kjo është gruaja ime, tha ai. Presim një fëmijë. Mbas disa muajve u lindi një djalë. Iliri bleu një apartament, në një nga pallatet e rinj. Por një dhomë në shtëpinë e prindërve mbeti përgjithmonë e tij. Ajo ishte banka e tij. Aty Iliri mblonte të gjitha paratë që qarkullonte.

    Në vilë nuk kishte njeri. Iliri mbante nga një kopjo çelësash të portës së oborrit dhe derës kryesore të shtëpisë. Hyri brenda dhe mori pakon me dollarë. Me Riksin do të takohej në barin Great Britain, ose në GB, siç i pëlqente Ilirit ta quante.

    Riksi nuk kishte ardhur ende. Iliri zuri vend në një nga kthinat e barit. Flamuri, pronari i lokalit, që shërbente aty sëbashku me të shoqen, solli dy gota me Martini dhe u ul në kolltukun, përballë Ilirit.

    - Ti e di që unë nuk pi alkol - i tha Iliri.

    - Unë e solla tashmë - ia priti Flamuri - Hajde, gëzuar!

    E toki gotën e vet me të Ilirit dhe e boshatisi me dy të kthyera. Dukej i shqetësuar. Sytë e jeshiltë i ishin bërë të verdhë.

    - Si i turbullt më dukesh, - vërejti Iliri. - Ke ndonjë hall ?

    - Më shumë se hall. Kam një problem.

    Preku me gishta goten e boshatisur dhe shtoi :

    - Më duhet edhe ndihma jote       

    - E ke me pashë, ti e di.

    - Dua dhjetë mijë dollarë, këto ditë. Mund të m'i huash ?

    - Patjetër, - tha Iliri. - Kur i do ?

    - S'e di. Në mes të ditës, në mes të natës.

    - Kuptova, - i tha Iliri. - I ke gati në  çdo kohë.

    Flamurit iu lagën sytë. Shtrëngoi fort dorën e shokut.

    - Faleminderit miku im ! Nuk po më pyet, përse më duhen ?

    - E di që të duhen. Mjafton kaq !

    - Dua të nis Dritanin për në Amerikë, - tregoi Flamuri.

 Dritani ishte djali i tij.

    Iliri u befasua. Dritani vazhdonte Universitetin e Tiranës, për elektronikë, viti i tretë.

    - Do të lërë në mes studimet ?

    - Këtu i kërcënohet jeta - tha Flamuri.

    Iliri e njihte mirë Dritanin. Dukej serioz e për më tepër ishte i shkëlqyer në mësime.

    - Ka probleme me ndonjë vajzë ? - pyeti Iliri.

    - Jo !

    Iliri ngurroi një çast e pastaj tha :

    - Mos është ngatërruar me ndonjë tregëti droge ?

    Flamuri vuri buzën në gaz :

    - Mendon se im bir do të binte kaq poshtë ? Jo! Sigurisht që jo.

    Uli zërin dhe afroi kokën drejt Ilirit

    - Dritani, bashkë me disa studentë të tjerë, duan të krijojnë një lëvizje të re, si ajo e dhjetorit të 1990-ës. Janë duke biseduar me Azemin për këtë çështje. Ja përse jam i shqetësuar.

    -  çtë keqe ka kjo ? 

    - Edhe pyet!? Duket që ti s'merr vesh fare nga politika. Po të jetë se krijohet ky grupim, do të jetë një lëvizje e re politike. Dhe po të vihet në krye të saj Azemi, kthehet në uragan, kupton apo jo!? Kësaj i trembem unë. Sepse të gjitha partitë dhe pushtetet, do të jenë kundër saj.

    Iliri e kundërshtoi :

    - Me sa di unë, Azemi është bashkuar prapë me PD. Llogjikisht edhe kjo lëvizje apo grupim, do të jetë pjesë e programit të PD.

    Flamuri tundi kokën për jo. Nënqeshi hidhur, si t'i  thoshte shokut, që shumë gjëra nuk ishin ashtu siç dukeshin. Dhe meqënëse Iliri ishte një nga miqtë e tij, që shikonte vetëm dukjen e gjërave, u trishtua më shumë.

  - Marrim nga një Martini tjetër ? - iu drejtua Ilirit

  - Absolutisht jo - i tha Iliri - Edhe ty nuk të lejoj të pish më.

    - Ke të drejtë - pranoi Flamuri - I kam rrëkëllyer disa gota më teper sot.

  Ndezi një cigare. I zgjati një Ilirit. Iliri e mori, por nuk e tymosi.

    - Kam frikë për Dritanin, - tha Flamuri. - Por edhe për Azemin e shokët e tim biri, domosdo. Ideali i tyre është ai i vitit nëntëdhjetë "Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa". Por bëmë luftën midis nesh. Ai ideal nuk ekziston më, pra e kanë vrarë. Nuk ma nxë goja ta them, por tani e kupton frikën time.

    - Nuk mendoj se është tamam kështu, -  tha me mëdyshje Iliri 

    - Atëherë, më shpjegon dot, pse u ndryshua orari i mitingut të PD? Ishte në orën dymbëdhjetë, pastaj u shty për në orën katër.

    - S'di çtë them, por s'besoj të jetë bërë qëllimisht. Thjesht procedura burokratike.

    - Edhe unë dua të besoj si ti, por zemra më flet ndryshe , - tha Flamuri.        

    Në atë çast, në kthinë u duk Riksi. Çalonte lehtë nga këmba e djathtë, por gjithsesi rrezatonte elegancë. Një vit më parë, një plumb qorr e kishte goditur në pulpën e këmbës. Për të eleminuar disi gjymtimin e befasishëm, ndryshoi lukun. Filloi të vishej me kostum e kravatë dhe të frekuetonte të vetmin floktore për burra "Brush for men" të qytetit. Flitej gjithashtu se kishte zënë edhe  një dashnore, rreth të tridhjetave, një miss i vërtetë. Por vetëm flitej, se askush nuk e kishte parë ndonjëherë me të. Riksi ishte pesëdhjetë e ca vjeç dhe tanimë, një vit pas plagosjes, ngjante me një kokorosh dyzetë vjeçar. " Plumbi po të kapi, o të çon në botën tjetër, o të rinon", ishte sentenca e vetme e shpikur prej tij, e përhapur kudo në qytet.

Riksi u dha dorën shokëve dhe u ul në një nga kolltukët bosh.

    - Një kafe dhe një uiski me akull, - iu drejtua ai Flamurit, - Si gjithmonë Xhon të Zi.  

     Pa gotat bosh mbi tavolinë dhe shtoi:

    - Ju keni pirë Martini? Mbushini prapë. Paguaj unë.

    Iliri vendosi pëllëmbët sipër gotave.

    - Nuk !- shqiptoi

    Riksi vuri buzën në gaz. Pa Flamurin.

    - Jo! tha Flamuri

    - Mos bëni si fëmijë me "nuk" dhe "jo". Merrni diçka tjetër, ndonjë amita ose

kanaçe Demi i Kuq.

    Riksi e kishte zakon ti shqipëronte emërtimet e pijeve të huaja. Kjo ishte kthyer tashmë në mani, që perveç habisë, shkaktonte shpesh të qeshura. Nëpër ambiente, ku atë e njihnin pak ose aspak, gjithsesi.

    - Unë do të marr një kafe. Ilirit do ti sjell një redbull. - ra dakord Flamuri.

    Iliri pranoi. Flamuri shkoi drejt banakut, të kryente porosinë. Kur ngelën vetëm, Iliri vendosi mbi tavolinë pakon me dollarë.

    - Njëqindmijë, sipas porosisë ? pyeti Riksi.  

    - Njëqindmijë fiks. Janë tëtë pliko me kartëmonedha njëqind dollarëshe dhe katër pliko më kartëmonedha pesëdhjetë dollarëshe. Hapi, numëroi plikot.

    - S'është nevoja, shoku. I ke numëruar ti - tha Riksi .

    Mori pakon e dollarëve, të mbështjellë me gazetë e qeskë plasmasi dhe e vendosi në anë të kolltukut.

    Mbas pak erdhi Flamuri me tabakanë në duar. I shërbeu në fillim Riksit, pastaj Ilirit. La tabakanë në tavolinën pranë e u ul në kolltuk. Ndezi një cigare.

    - Si i mërzitur më dukesh, - vërejti Riksi  

    - Hallet e përditshme, - tha Flamuri. 

    E ciku lehtë Ilirin në gju, si për ta kujtuar që biseda e tyre, e pak minutave më parë, ishte private.

    Iliri iu drejtua Riksit :

    - Çfarë mendon për mitingun e PD-së, që u shty për në orën katër mbasdite?

    Riksi mori nje pamje mospërfillëse :

    - S'di çtë them. As më ka vajtur mendja ti bëja vetes një pyetje të tillë.

     Piu një gllënjkë uiski e nisi të rrufiste me nge ekspresin :

    - Ju e dini që mua pak më interesojnë punët e partive.

    - Mos na thuaj që je fare indiferent, - e ngacmoi Iliri.

    - Si gjithë të tjerët, - tha Riksi. - Puna ma do që të jem nga pak me të tërë.

    - Me PS-në je pak më shumë.

    - Domosdo, është në pushtet tani. Por edhe PD s'e kam lënë pa gjë.

    - E di, ndaj të pyeta për këtë rast.

    Riksi kqyri të dy shokët me vëmendje. E kuptoi se diçka, që lidhej me pyetjen e Ilirit, ishte biseduar më parë prej tyre. Ndoshta dhe mërzia e Flamurit kishte lidhje me të. Me zë të ulët e duke buzëqeshur tha :

    - Orën e mitingut të PD-së e ndryshuam ne, domethënë unë me disa të tjerë. Por nuk dua të dalë asnjë fjalë, përtej kësaj tryeze. Është thjesht punë tregëtie, më kuptoni.

    Se ç'lidhje kishte mitingu i një partie me tregëtinë, Iliri as mund ta merrte me mënd. Absurditete të tilla dëgjonte shpesh. çuditërisht këto funksiononin në kohë rrëmujash, si tani. Disa ditë më pas ai do ta pyeste Riksin për fjalët e thëna atë moment. Disa ditë më vonë, ajo që sot ishte e pakuptimtë, do të ishte më se e llogjikshme. Riksi do t'i spjegonte Ilirit se sa e thjeshtë është lidhja e politikës me biznesin.

    Por Flamuri s'ishte tipi i Ilirit :

    - Riksi, nuk po të kuptoj ç'thua. Ma sqaro më mirë.

    - Po ja. Sot do të bëjmë një kontrabandë cigaresh. Nga deti. Në pyllin me pisha, pranë Poros. Do të fillojmë mbasdite. Kam paguar disa mijë dollarë për ta zhvendosur mitingun disa orë.

    - Edhe? - pyeti Flamuri ende i paqartë.

    Riksi rrudhi buzët i pakënaqur :

    - Shmangim policinë, ja sepse o burrë i dheut. Duke qënë të zënë gjithë ditën me mitingun, ata nuk do të kenë kohë të merren me ne. E thjeshtë fare, por e zgjuar, apo jo !

    Riksi kukurisi mbyturazi.

    Flamuri u ndje i lehtësuar, por buza nuk i qeshi. Ndeshi në vështrimin e Ilirit. Qenka kaq e thjeshtë, sikur donte të thoshte ai. Ndërsa ti, përfytyroje vetëm zi.          

    - Marrim nga një gotë tjetër, - propozoi Riksi. - Ia vlen pas asaj që ju tregova. Flamuri e kundërshtoi :

    - Të festojmë për kontrabandën tënde!? Gjithë qytetin e ke bërë rrëmujë. Na ke bërë me dhimbje koke.

    - Gjithë Shqipëria rrëmujë e kontrabandë është, shoku. Edhe nëpër dogana kontrabandë bëhet. Zyrtarët i fusin paratë tona në xhepat e tyre, jo në arkën e shtetit.

    Riksi pa orën dhe u ngrit në këmbë. Nxorri nga portofoli njëmijë lekë dhe i la mbi tavolinë.

    - Ç'janë pirë këtu, janë të mijat, - tha me një ton, që nuk pranonte kundërshtime. - Më duhet të iki tani. 

    Pastaj, si të ishte kujtuar për diçka, u tha :

    - Do vini me mua, miq. Ju ofroj një drekë me peshq të freskët, në Poro. Dy orë gjë është. Hë, si thoni ?

    Ilirit iu kujtua propozimi i Agimit për drekën në Poro.Vetvetiu bëri lidhjen midis Riksit dhe VZ e AM në kontrabandën e cigareve. Të ishte perfshirë edhe Agimi këtu!?  I erdhi keq nga kjo pandehmë.

    - Unë s'mund të vij, - tha Iliri. - Më pret profesori tek Luksi.

    - Edhe unë s'mund ta lë vetëm lokalin, - tha Flamuri. - Për më tepër, pres disa shokë të tim biri nga Tirana. Mund të jetë dhe Azemi me ta e kthehen këtu për ndonjë kafe.

    Riksi mbajti këmbët :

    - Eh, sa do më pëlqente të pija një kafe me Azemin !

    - E thua kot, - ia priti Flamuri.

    - Për Azemin? Është vërtet dëshirë, shoku. I besoj atij djali. Udhëhoqi lëvizjen demokratike, pra ndryshoi një sistem dhe kur PD erdhi në pushtet, nuk mori asnjë post shtetëror. Më thuaj shoku, ke parë a ke dëgjuar diçka të ngjashme me këtë? Në Shqipëri jo e jo, por rast të tillë nuk ka as në botë.  

    Flamuri e pa me simpati Riksin.

    - S'e pandehja të kishe një mendim kaq të lartë për Azemin, - tha ai.

    - Azemi është djali i artë i Shqipërisë, shoku. Fjalët liri, demokraci, ekonomi tregu, për herë të parë i dëgjova prej tij. Dhe i përktheva në para.  Mjaftoi një fjalë e tij, që unë të kuptoja ndryshimin e madh. Unë, një oficer i thjeshtë, që gëzoja kur kisha ditën e shërbimit në repart, se do ngopja barkun me bukë, tani jam bërë milioner. Në një farë mënyre, unë i detyrohem edhe atij, për atë që jam sot.

    - Ama në miting për Azemin nuk do të vije, - i tha Iliri.

    - S'është e sigurt pjesëmarrja e tij, - u mbrojt Riksi 

    - Ti prapë s'do të vije edhe të ishte ndryshe, - i tha Flamuri.

    - S'jam njeriu i mitingjeve unë, - tha Riksi. - Por do të isha i nderuar, të ulesha në një tavolinë me të. Ja, siç jemi ne të tre, të ishte dhe Azemi këtu. Njëherë m'u dha rasti ta takoja në Memaliaj. Ishte dhjetori i nëntëdhjetë e pesës. Unë vija nga Kakavija me dy maune, me mallra ushqimore. Tek ura e Memaliajt u ndalëm. Rreth njëmijë veta kishin bllokuar sheshin para urës. Zbrita nga makina për të marrë vesh çpo ndodhte. Miting s'ishte, se s'kishte as flamuj, as thirrje partiake e as tribunë. Le që s'ishte as vend për mitingje sheshi pranë urës. Më thanë që aty, tek një gomisteri, kishte ndalur Azemi, thjesht për të ndërruar një gomë të makinës. Disa minuta më vonë, gjithë Memaliaj ishte lëshuar drejt urës. Takimi me Azemin ishte kthyer në një festë. Unë, me zor të madh çava mes turmës dhe e putha Azemin në ballë. Doja ta ftoja për një kafe, por kuptohet, ishte e pamundur. Azemin e morrën në krahë dhe e çuan në qytet. Vetëm atëhere, ura u bë e kalueshme dhe unë u largova. Po të kisha rendur mbas turrmës, them që do të isha ulur në një tavolinë me të e do të kishim këmbyer ndonjë mendim. Por atë ditë isha shumë i zënë me punë. Sidoqoftë, e takova njëherë. 

    Riksi pa përsëri orën :

    - Mu bë vonë,- tha.- Takohemi nesër a pasnesër dhe drekojmë të tre.

    U largua duke u lëkundur lehtë djathtas, por gjithsesi elegant. Flamuri e përcolli deri tek dera.

    Mbas tij edhe Iliri u çua nga tavolina.

    - Ti do të vish në miting? - e pyeti Flamuri.

    - Nëse do të vijë Azemi, patjetër.

    - Unë do të jem pranë birrarisë Partizani. Atje të pres.

    - Dakord !   

 

 

 

***

    Sapo doli nga lokali, Iliri mori rrugën ngadalë drejt lokalit Lux. Kristan D e priste në ambientin e jashtëm të barit. Ishte ulur në një nga tavolinat, nën tendën e madhe ngjyrë vjollcë.

    - Tungjatjeta profesor !- e përshëndeti Iliri dhe e përqafoi.

    Kristan D e përgëzoi, i rrahu shpatullat.

    - Më ka marrë malli, - tha ai. Ka më se një javë që nuk jemi parë.

    - Keni munguar ju profesor, - i tha Iliri. Unë në qytet kam qenë.

    -Unë në shkollë. Paradite dhe mbasdite. Përgatitemi për vitin e ri arsimor. Por më shumë jam marrë me laboratorin. Dikush ka hyrë brenda, ka marrë ç'ka dashur dhe një pjesë të aparateve e ka shkatërruar. Do kohë dhe para të bëhet si më parë.

    Kristan D hoqi thellë në zemër. Ai ishte gjashtëdhjetë vjeç, trup mesatar e i shëndetshëm, pothuajse i shogët. Iliri kështu e mbante mend, këtu e dhjetë a pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishte në gjimnaz. Jepte lëndët e fizikës dhe astronomisë. Por ndonjëherë jepte edhe matematikë e kimi. Flitej se ai ishte diplomuar në të gjitha disiplinat që përmbante fakulteti i shkencave.

    Ndërtimin e laboratorit Kristan D e filloi kur Iliri ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme. Bashkoi në një të vetëm laboratorët e fizikës dhe kimisë, që ishin më shumë figurativë. Ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, ai bashkë me disa nxënës e shndërroi laboratorin në një qendër të mirëfilltë shkencore, që ishte më shumë se programi shkollor. Eksperimente nga ato më të thjeshtat e deri te ato më të ndërlikuarat, filluan të provoheshin në laborator. Iliri ishte gjithmonë pjesëmarrës në ato përvoja të paharrueshme. Profesori shkruante në dërrasën e zezë disa formula dhe ekuacione të panjohura, në atë kohë për Ilirin. Pastaj me orë të tëra, mundoheshin t'i provonin duke i eksperimentuar. Më vonë, kur vazhdoi për dy vjet studimet për fizikë në Universitetin e Tiranës, Iliri kuptoi se profesori eksperimentonte për zhvendosjen e objekteve në hapësirë, për udhëtimin në kohë të shkuar e të ardhme, për ndriçimin jokabllor të qyteteve e për disa ide të tjera ekstravagante e të çuditshme. Kur erdhi demokracia, për profesorin dhe laboratorin e tij nisën të qarkullonin fjalë të pazakonta. Thuhej se ai loste me kohën dhe hapësirën, si në një fushë shahu.

    Të tjerë pëshpërisnin nën zë, se ai kishte zbuluar formulat e alkimistëve të lashtë, për të përgatitur ilaçin kundër plakjes. Profesori vinte buzën në gaz, sa herë që Iliri i tregonte këto thashetheme, por asnjëherë nuk argumentonte të kundërtat.

    - Do të të ndihmojmë me para, që ta ngresh përsëri laboratorin, - i tha Iliri profesorit.

- Kristan D ia ktheu i qetë :

    - Mbase nuk do të jetë e nevojshme. Laboratorin do ta modeloj thjesht mësimor.

    Iliri ndjeu keqardhje për të. Ishte lodhur vallë profesori!? Nuk mund të besonte, që ai të hiqte dorë nga eksperimentet e klasit të parë.

    - Pse profesor?

    - Mbase nuk ia vlen, - tha Kristan D. - Ndonjë punë e mirë që mund të kem bërë vitet e fundit, mund të bjerë në duar të gabuara.  Atëherë do të vuajmë më shumë. Shih si na kanë katandisur!

    Iliri e kuptoi që ato duar të gabuara, ishin kasta e politikanëve dhe e parallinjve të mafies.

    - Të ka bërë ndokush presion? 

    - Si gjithmonë, - tha Kristan D pa gajle. - Dje më erdhi në shkollë njëri nga këta të Shik-ut të qytetit. Do të të pyes për diçka, më tha, por nuk është zyrtare. Më mirë ulemi në ndonjë kafene dhe bisedojmë. Ashtu bëmë. Shkuam në një bar, ku më prisnin tre të tjerë. Djem të rinj, ja, mosha jote a diçka më tepër. Jemi të qeverisë, u prezantua njëri prej tyre. Vijmë me urdhër nga lart, tha tjetri. I treti nuk foli. Kemi dëgjuar se ke shpikur ilaçin e jetëgjatësisë, foli i pari. Jemi gati ta blejmë, cilido qoftë çmimi, tha i dyti. Unë i kundërshtova. Atëherë djaloshi i parë, diçka i tha në vesh personit të tretë. Ky i foli me zë të ulët, por unë munda të dëgjoj disa fjalë. Ishin rusisht. Me sa duket zotërinjtë, që u prezantuan si të qeverisë, janë lidhur me mafien ruse. Mendohu mirë, tha i pari. Ne nuk bëjmë lodra fjalësh. Do të takohemi përsëri, tha i dyti. Nuk më frikësoni dot, ia ktheva unë. E lash kafen në mes dhe u ndava prej tyre.

    Iliri u shqetësua.

    - Ç'ke ndërmend të bësh? - e pyeti.

    - Do të merrem vetëm me mësimdhënie, - tha Kristan D. - Më vonë mund të merrem përsëri me eksperimentet e mia. Tani është koha të ndahem nga lakmia. Këtë e bëj më shumë për veten time. Besoj se më kupton.

    Iliri tundi kokën i trishtuar.

    - Tani më duhet patjetër ndihma jote, si mik e kaluar mikut që të kam, - tha Kristan D.

    - Kërko ç'të duash, professor.

    - Bëhet fjalë për arkivin e eksperimenteve të mia. E kam në shtëpi. Por mund të më bastisin shtëpinë, ashtu siç bënë me laboratorin. Dua të ta besoj ty për njëfarë kohe. Si thua?

    Iliri u mendua pak.

    - Pranoj, - tha. - Do ta fsheh tek dhoma ime, në shtëpinë e prindërve.

    Kristan D ngeli i kënaqur.

    -Vend më të sigurt nuk ka, në të gjithë qytetin. Shtëpia është pranë gjykatës dhe ka policë në çdo kohë. Edhe diçka tjetër. Në qoftë se mua më ndodh . . . ndonjë aksident, arkivi mbetet përgjithmonë i yti. Ky është një sekret që do të ngelet midis nesh.

    Iliri donte ta ndërpriste, por Kristan D vazhdoi :

    - Kjo punë do të bëhet javës tjetër. - Kristan D e pa Ilirin në sy - Një brengë e kam për ty, gjithsesi. Të mbaroje studimet e larta për fizikë. Ke qenë nxënësi im më i mirë. Më premto se do ta hedhësh këtë hap.

    Iliri u skuq lehtë :

    - U regjistrova për fizikë, në fakultetin e shkencave, me part-tajm, profesor.

Kristanit i qeshi buza. E afroi Ilirin nga vetja dhe e puthi në ballë.

    - Ky po, është lajm i mirë, - tha i emocionuar.

    Ia bëri me shenjë kamarierit. Sajmiri u afrua me një bllok të vogël në duar.

    - Një kafe turke të zakonshme dhe dy konjak vendi - porositi Kristan D.

    Iliri donte t'i thoshte "jo" profesorit për konjakun, por u përmbajt. Sajmiri erdhi mbas pak, la në tavolinë kafen dhe dy gotat me konjak e u largua.

    Kristan D pa njëherë përreth, pastaj e derdhi njërën gotë në një saksi të madhe lulesh, që gjendej pranë këmbëve të tij.

    - S'do të pish vërtet konjak, - i tha Ilirit.

    Nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një damixhan të vogël dhe mbushi gotën e zbrazur, me një lëng, që kishte ngjyrën kafe të çelët, si të konjakut.

    - Konjaku është për  mua, - tha.

    Mori gotën me konjak në dorë dhe e trokiti me atë të Ilirit.

    - Ç'është kjo? -  pyeti Iliri.

    - Pije! e urdhëroi Kristan D.

    Iliri e ciku gotën në buzë.

    - Paska shije të athët, - tha ai. - Qenka e trashë si pelte. S'po më tregon se çfarë është.

    - Është më tepër se pije e zakonshme dhe ilaç farmacie, - tha Kristan D, me ngadalë, sikur të shqiptonte ca fjalë magjike.

    Iliri e gjerbi pijen me nge. Disa minuta mbas kësaj ndenji i topitur, pastaj teshtiu fort.

    - Shëndet ! - ia priti Kristian D.

    - Faleminderit!

    Me një kartopecetë fshiu hundët e buzët dhe e pyeti Kristanin :

    - Agimi më tregoi që shkove në Roskovec, që në mëngjes. Më keni thënë njëherë profesor, se Roskoveci është një vend pelegrinazhi për ju. Fsheh ndonjë gjë interesante ky vend?

    Kristan D iu përgjigj :

    - Në arkivin tim kam shkruajtur edhe për vizitat e mia në Roskovec. Bëhet fjalë për një vend, që quhet Fushëzot, rreth dy kilometër larg nga Roskoveci . Është një lëndinë midis kodrinave. E veçanta e këtij livadhi është se ka një rrezatim ndryshe nga ambientet e zakonshme. Unë kam disa vjet që e studioj fenomenin në Fushëzot dhe kam arritur të zbuloj një dukuri të veçantë. Ky vend është i pangopur nga ana energjitike, pra thith vazhdimisht energji. Por më interesante është se thith vetëm energji negative. Kur je atje, ndjehesh tjetër njeri. Stresi, lodhja, mendimet e errëta, befas zhduken. Ende nuk kam arritur të zbuloj shkakun e këtij fenomeni. Nga ana shkencore, dua të them. Mbase misteri duhet kërkuar në emitologjinë e emrit të luginës. Fushëzot nënkupton fusha ku takohen zotat, domethënë ata që vijnë nga qielli. Disa rrëfenja të lashta, flasin për një portë kalimi në botë të tjera. Mbase ka qënë një ufodrom. Sidoqoftë është një vend i magjishëm. Herën tjetër do të shkojmë bashkë atje.

    Ai nxori nga xhepi një qeskë të vogël plasmasi, në të cilën kishte disa gramë humusi të zi.

    - Është nga dheu në Fushëzot, - tha Kristan D. - Mbaje gjithmonë me vete. Konsideroje si një nuskë. Natën, kur të biesh për gjumë, vendose poshtë jastëkut. Në mëngjes do të ndjehesh i freskët e plot energji pozitive.

    Iliri e futi qeskëzën në xhepin e këmishës.

    - Të pyes edhe për diçka profesor?

    - Ç'të duash, - i tha Kristan D.

    - Ti je mik i Azem Hajdarit. Di gjë në do të jetë sot në qytetin tonë për mitingun e PD ?

    - Po, është pjesë e drejtuesve, që vijnë nga Tirana.

    - E sigurt kjo ?

    - Më se e sigurt. Më mori në telefon sot, herët në mëngjes. Ti përse pyet ?

    - Thjesht, doja ta dija.

    - Ti do të vish në miting ?

    - Meqë do të jetë Azemi, po. Do të jem bashkë me Flamurin, tek birrari "Partizani". Do të bashkohesh me ne, professor ?

    - Jo. Unë do t'i qëndroj pranë Azemit kur të ngjitet në tribunë.

    Kristan D njihej me Azem Hajdarin që në fillimet e lëvizjes demokratike. Drejtori i shkollës ku jepte mësim Kristani, ishte njëri nga iniciatorët e krijimit të PD në qytet. Mbledhjet e para gjysmë të fshehta, bëheshin në shkollë. Kristani, që mbasdite punonte në laborator, i njihte nga afër të gjithë pjesëmarrësit. Atje u takua për herë të parë edhe me Azemin. Ishte mbrëmje e vonë. Gjithë qyteti ishte pa drita. Ata ishin mbledhur në zyrën e drejtorit që ndriçohej dobët nga dy-tre qirinj. Kristani hyri në zyrë dhe iu drejtua të pranishmëve :

    - Ejani në laboratorin tim. Aty ka gjithmonë drita.

    Kur mbaroi mbledhja, Azemi qëndroi njjë copë herë në laborator, i çuditur me atë ç'kishte ndërtuar Kristan D.

    - S'kam parë kurrë më parë diçka të tillë, professor, - i tha Azemi dhe filloi të pyeste Kristanin për të gjitha pajisjet, aparatet dhe modelimet.

    - Kur të vijmë në pushtet, ne demokratët, të premtoj se do të të ndihmoj për studimet e tua, - i tha Azemi.

    Që nga ajo kohë, ata u takuan dhe herë të tjera, u bënë miq.

    Iliri nuk e kishte pyetur asnjëherë drejtëpërdrejt profesorin për ndihmën që Azemi i kishte premtuar, kur demokratët erdhën në pushtet. Por një ditë Kristani i tha:"Ndihma më e madhe për mua është heshtja për eksperimentet e mia"

    Mbas këtij citimi, Iliri rrallë e tek dhe kur ishin vetëm i bënte ndonjë pyetje.

    - Mbas mitingut takohemi brenda në bar, - tha Kristan D.

    - Unë nuk vij dot. I kam premtuar Aleancës të jem me të në mbrëmje.

    - Ashtu?! Kisha ndërmend të ftoja Azemin për një kafe, me shoqërinë tonë të ngushtë. Nënkupto, përveç net ë dyve, të ishin dhe Flamuri, Agimi dhe Riksi. Po mirë, le të jetë dhe Aleanca bashkë me ne.

    - Unë dhe Aleanca do të jemi thjesht për një kafe, - ra dakord Iliri.

    - Asaj nuk i dihet, - tha Kristan D. - Ti e ke takuar ndonjëherë Azemin ?

    - Asnjëherë, - tha Iliri. - Por kam shkruar në ditarin tim, mbresat për të. Kur e lexoj tani më duket se e kam takuar drejtpërdrejt.

    Iliri i tregoi profesorit për mitingun e janarit të vitit nëntëdhjetë, kur e kishte krahasuar Azemin me një replikant.

    Kristan D vuri buzën në gaz.

    - S'më ka vajtur mendja ndonjëherë të barabitja një njeri, bir njeriu, me një replikant. Me Azemin mund ta bëja këtë paralelizëm. Një djalë me energji të jashtëzakonshme. Trim i fjalës. Kampion i lirisë. Mund të modelohet një replikant me cilësitë e tij. Si ide është interesante.

    Kristan D mbylli përgjysmë sytë:

    - Vetëm se replikantët formatohen të jenë të kufizuar në kohë. Nuk jetojnë më shumë se dyzetë vjeç. Le të themi se vdesin të rinj.

    Fjalët e fundit profesori i shqiptoi me dhimbje, thua se po fliste për qënie njerëzore.

    U ngrit nga tavolina. Iliri e shoqëroi deri tek turizmi, në qendër të qytetit. Atje u ndanë, me premtimin që të takoheshin mbas mitingut.

 

 

 

 

 

                                                    ***

 

Kur Iliri mbërriti në shesh, mitingu kishte kohë, që kishte filluar. Flamuri po

e priste pranë birrarisë Partizani.

    - U vonove, - i tha.

    - Dremita pak, - u shfajësua Iliri.

    Pa nga tribuna. Azemi nuk ishte tamam në qendër, por dallohej nga gjithë të tjerët. Ilirit iu duk më i gjatë se ç'ishte në të vërtetë. Dhe shumë i bukur. Një brerore drite grimcohej përreth tij. Ia tha këtë përshtypje Flamurit. Flamuri lëvizi i shqetësuar.

    - Unë kam që në fillim të mitingut që e përjetoj këtë mbresë, -tha ai.

    Ndezi një cigare. E thithi dy-tre herë dhe e lëshoi poshtë, në trotuar. E fiku, me nervozizëm, me majën e këpucës.

    - Është ogur i keq, - shtoi.

    Iliri donte ta qetësonte.

    - Drita është ogur i mirë, - i tha

    Flamuri nuk u përgjigj. Iliri s'donte që ta kaplonte shqetësimi i shokut.

    - Kurora e dritës është gati si ylberi. Ylberi është shenjë e mirë, - foli prapë Iliri.

    Por Flamuri përsëri heshti. Iliri e kuptoi. Shoku i tij qëndronte stoik në parandjenjat e veta.

    Vërtet, ç'ishte gjithë ky nur, që rrezatonte Azemi? Iliri hodhi sytë përqark, për të dalluar një shenjë  natyrore që shpjegonte dukurinë. Ah, mjegulla, i pohoi  vetes. Tisi i hollë i mjegullës, që vinte nga lumi, po pushtonte ngadalë qytetin. Ajo po dendësohej nëpër këmbët e njerëzve, që kishin mbushur sheshin dhe dalëngadalë po përfshinte dhe shtatet e tyre. Një rreze dielli depërtonte nga retë e larta, e pikëlohej nëpër mjegull në mijëra xixëllima, pikërisht mbi bustin e Azemit.

    - Është rrezja e dritës dhe mjegulla që zbukurojnë Azemin, - i tha Iliri Flamurit.

    Flamuri pa lart, nga drejtohej dora e Ilirit.

    Atë çast, rrezja e diellit u zhduk, por figura e Azemit rrezëllinte po njësoj. Drita vinte nga brenda tij. Mjegulla e bënte më të dukshme.

    - Kjo është shenjë e Zotit, - tha Flamuri.

    - Është shenjë e mirë, - ia priti Iliri.

    - Ashtu qoftë! qetësoi veten Flamuri.

    Për herë të parë, atë ditë, u mundua të formonte buzëqeshjen.

    Atë çast Azemi iu afrua mikrofonit. Rrethorja e dritës lëvizi si ai. Tha fjalën e parë, të dytë, pastaj zëri i humbi. Gjithë sheshi u ndjeh bosh. Kishin ndërprerë energjinë elektrike. Në tribunë lëvizën të shqetësuar. Nga rreshtat e pasmë të tribunës një burrë iu afrua Azemit dhe i dha një altoparlant. Ishte Kristian D.

    - Profesori, - pikasi menjëherë Iliri.

    - Qenka vërtetë profesori, - tha Flamuri. Ndërsa unë mendoja, se si ka mundësi që profesori s'u duk fare këtej rrotull për mitingun, kur dihet që Azemin e ka mik për kokë.

    Kristan D u tërhoq nga rreshti i parë, i dytë dhe humbi në rreshtin e fundit. Mbase ai s'ishte fare nëpër rreshta, por qëndronte jashtë tribunës e atje priste Azemin, derisa të mbaronte mitingu.

    - Profesori më premtoi, që do të sjellë Azemin tek Luksi e të pimë një kafe me shoqërinë tonë, - i tha Iliri Flamurit.

    - Nuk e besoj, - iu përgjigj Flamuri. - Dritani më tha që grupi do të kthehet menjëherë në Tiranë, sa të mbarojë mitingu. Megjithatë, shpresoj që profesori të na bëjë ndonjë suprizë.

    Azemi u mënjanua nga mikrofoni dhe foli me altoparlant, duke theksuar çdo fjalë, pa gjeste.

    Fjala "liri", s'ishte më një shenjë. Shqiptarët kishin vite që e kishin fituar lirinë, por ende nuk ishin njerëz të lirë. Ne, që ëndërronim të ishim qytetarë të Europës, akoma nuk jemi bërë qytetarë në vendin tonë. Demokracia ështe ende një shenjë.

    Kjo ishte ligjërata e Azem Hajdarit. Fare e shkurtër. Pas kësaj nuk u dëgjuan thirrje dhe ovacione. Një murmurimë e përzishme sundoi në shesh. Ndërsa në rreshtat e parë, përballë tribunës, u ndje një pëshpërimë pakënaqësie. Ata, militantët të mësuar me tubime, donin të brohorisnin për partinë e tyre, duke sharë kundërshtarët. Donin të tundnin mes brohoritjeve, flamujt dhe pankartat që mbanin në duar, duke treguar se partia e tyre ishte e fortë.

    Azemi kishte vite që kishte munguar në tribunat e PD. Dhe në të parin rast, që u riduk në qytetin e tyre, nuk u bëri thirrje të bërtisnin. Bile, nuk ngriti as zërin në fund të fjalimit, që ata ta shoqëronin me një "urra" aq të fortë, sa t'i fuste drithmën gjithë qytetit. Kështu bënin kundërshtarët në mitingjet e tyre. Kështu duhet të silleshin dhe ata.

    Mjegulla, që po dendësohej, po e bënte më nervoze padurimin e tyre. Dikush nga tribuna, që e kuptoi shpirtin e trazuar të turmës në shesh, me një zë koke, i ftoi pjesëmarrësit të brohorisnin për PD, për liderët e saj, për fitoren e partisë së tyre, për shkatërrimin e kundërshtarëve politikë. Njerëzit atëherë brohoritën në kor, tundën flamuj e parrulla, por jo ashtu siç donin, sikur grishësi të ishte Azemi.

   Pak nga pak, njerëzit u shpërndanë nëpër mjegull, duke mërmëritur. Dy policët, që rrinin pranë birrarisë "Partizani", nxituan të largoheshin, thua se u ruheshin zërave në mjegull. Mund të përplaseshin me ndonjë mitingas të çartur që mund t'u thoshte "Zotërinj të rendit! Ju bëhet qejfi, që ne nuk e tronditëm qytetin me thirrjet tona, hë? " Kushedi ç'mund të ndodhte më pas. Jo, më mirë të largoheshin nga sheshi sa më shpejt.

    Iliri e jetoi me mënd frikën e policëve dhe vuri buzën në gaz.

    - Pse qesh? e pyeti Flamuri.

    - M'u bë, sikur dy policët pranë nesh, kishin frikë nga turma. Sa mbaroi mitingu, u larguan të parët nga sheshi.

    Iliri i tregoi pastaj shokut, për atë ditë të largët janari të vitit nëntëdhjetë, për mitingun e parë të demokratëve në qytetin e tyre dhe frikën e tij kotsëkoti prej policëve.

    Flamurit iu shtua më tepër pezmi nga tregimi i Ilirit.

    - Që në krye të ditës e kam ndjerë se diçka nuk shkon sot. Ja, tamam si kjo puna e frikës së policëve.

    I futi krahun Ilirit e u drejtuan nga grumbulli i madh i njerëzve, që shoqëronin liderat e tyre.

    - Mbase takojmë Azemin, e i themi ndonjë fjalë, - shpresoi Flamuri.

    Ata iu afruan grumbullit të njerëzve, por nuk çanë dot deri në qendër. Flamuri dalloi kokën e të birit dhe ngriti dorën lart.

    - Është Dritani, - i tha Ilirit. -  Me siguri që është pranë Azemit.

    Tundi të dy duart, por qendra e njerëzve lëvizi. Dritani i humbi nga sytë.

    - Edhe profesori është pranë Azemit, - tha Iliri.

    - I tregove profesorit për shqetësimin tim? pyeti Flamuri.

    - Jo,- ia ktheu Iliri. Biseduam në përgjithësi. Edhe për Azemin.

    Flamuri bëri një gjest pakënaqësie:

    - T'i kishe thënë një fjalë.

    - Do ta cilësonte si paranojë

    - Mbase ke të drejtë. As unë nuk i fola Dritanit për dyshimet e mia. Do të më ironizonte.

    - Atë do të bëj edhe unë tani, - i tha Iliri.

    Flamuri u dorëzua në çast.

    - Ikim, atëhere. Nuk ka më kuptim të rrimë këtu.

    Ecën drejt hotel Lux.

    - Presim profesorin këtu. Do zoti dhe vjen dhe me Azemin, - tha Flamuri.

    - Unë do të shkoj nga shtëpia e Aleancës. Kthehem mbas gjysmë ore.

    - Mirë, shoku. Unë po të pres këtu.

 

 

 

***

    Iliri u nda me Flamurin dhe nxitoi hapat për në apartamentin e vet. Arriti tek pallati mbas pesë minutash. Për fat kishte drita. U ngjit në katin e katërt me ashensor. U fut drejt e në banjo dhe bëri një dush.

    Mbas banjos i thau flokët dhe i krehu me kujdes. Flokët morrën formën me gjysmë krela, siç i pëlqente atij

    Veshi një këmishë bojë qielli, një palë pantallona të zeza, dhe xhaketën ngjyrë gri me dy të çara. Vuri kollaren e zezë, që e kishte përzemër, këpucët e zeza lustrafinë dhe tashmë ishte gati.

    Mbas njëçerek ore ishte tek shtëpia e Aleancës, në lagjen e kishës katolike. Ky ishte emri i vjetër i lagjes "Fitorja". Dikur atje ishte kisha katolike, që në vitet gjashtëdhjetë ishte rrafshuar me tokën e ishte kthyer në pemishte. Së fundi, në themelet e kishës së vjetër, kishin filluar punimet për ndërtimin e kishës së re. Rruga për te shtëpia e Aleancës kalonte pranë kishës.

    Mjegulla e kishte shpejtuar ardhjen e mbrëmjes. Errësira po mbulonte lagjen.

    - U vonove, - i tha Aleanca.

    - Me orarin jam në rregull, - tha Iliri dhe i tregoi orën e dorës. Ora ende nuk kishte vajtur gjashtë.

    - Eja brenda, - e ftoi ajo dhe e kapi me majat e gishtave. - Sa të përshëndetësh prindërit e mi, unë do të jem gati.

    - Ti gati je, - i tha ai.

    Ajo kishte veshur një fund bardhë e zi me pala, deri në gjunjë e një këmishë të bardhë, me mëngë treçerekëshe. Flokët e verdhë, të gjatë, përfundonin me rica të holla.

    - Do të vesh xhaketën dhe këpucët, - tha ajo.- Do të rri disa minuta dhe para pasqyrës.

    Ajo e tërhoqi mbas vetes. Në hollin e vogël të shtëpisë, e prisnin babai dhe nëna e Aleancës, të ulur në një divan. Iliri u ul në një karrike.

    E ëma e Aleancës i afroi tabakanë. Iliri piu pak ujë, mori një llokume dhe e futi në gojë.

    Babai i Aleancës, Petro Dhamo, para demokracisë e derisa doli në pension, në vitin nëntëdhjetë e dy, ishte drejtor i SMT së rrethit, siç quhej në atë kohë ndërmarrja e mekanikës bujqësore. Kur lindi vajza, ai i tha të shoqes:

    - Emrin do e vëmë Aleanca, si aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse.

    Gruaja nuk kundërshtoi dhe vajza u rregjistrua në gjendjen civile me këtë emër. Kur erdhi demokracia, Aleanca donte ta ndryshonte emrin, por i ati i tha:

    - Tani kemi aleanca natyrore, moj bijë: aleanca me Europën, me ShBA, aleaca e Atlantikut të Veriut

    Aleanca i tregoi Ilirit fjalët e babait.

    - Babai ka të drejtë, - i kishte thënë Iliri me të qeshur. - Emrin e ke të bukur. Për më tepër, unë e kam të vështirë të të dashuroj ty me një emër tjetër.

    Aleanca doli nga dhoma, e ndriçuar nga gëzimi. Kishte veshur një xhaketë bojë mjalti dhe një palë këpucë të kuqe, me shkëlqim. U rrotullua në majë të takave.

    - Dukem mirë? - pyeti ajo.

    Përqafoi të atin, i dha një të puthur të jëmës në faqe, kapi Ilirin prej krahu dhe doli nga shtëpia.

    E ëma u vajti nga pas deri tek rrugica.

    - Nuk do ta mbyll derën e oborrit, - tha ajo.

    Iliri njihej me Aleancën që në gjimnaz. Iliri ishte maturant, ndërsa Aleanca në vitin e dytë. Mbas një mbrëmjeje vallëzimi me të dyja klasat, Iliri e kishte përcjellë Aleancën në shtëpi. Në rrugicën, aty afër portës, ai e kishte puthur. Për disa sekonda, vetëm sa i kishte cikur buzët e saj. Mbas kësaj ata u lidhën me njëri-tjetrin përgjithmonë. Por vetëm para tre muajsh u fejuan, u lidhën si të thuash zyrtarisht. Ditën e martesës ende s'e kishin prerë, por të dy e mendonin të afërt. Brenda vitit, i kishte thënë Iliri. Aleanca kishte pranuar me kokë. Ajo ishte mësuese e anglishtes në gjimnazin e ri dhe koha e martesës, s'përbënte asnjë problem për punën. Mjaftonte një javë mjalti me Ilirin mbas martese. Edhe pushimet e Vitit të Ri do t'i kalonin bashkë, jashtë qytetit. Në Korçë do të më pëlqente më shumë, kishte thënë ajo. Do të ketë dëborë. Iliri kishte thënë po.

Sot do të caktonin ditën e martesës.

    Ajo e kapi Ilirin për krahu. Hodhi hapin e parë, të dytë, duke përcaktuar ritmin e ecjes. Ilirit i pëlqente që kohët e fundit, ajo merrte inisiativën e veprimeve dyshe. Ishte njësoj si ta tërhiqte për dore. Në pragun e jetës në çift, intuita femërore ishte më e sakta.

    Kaluan sheshin qëndror, të ndriçuar dobët.

    - Do të kalojmë nga hotel Luksi, - tha Iliri. Profesori ka premtuar të sjellë Azemin për të pirë një kafe me shoqërinë tonë të ngushtë.

    - Mirë, - pranoi Aleanca.

    Përjashta barit, nën tendën e madhe, Iliri shqoi Flamurin, që i vetëm tymoste cigaren. Ai  ngriti dorën për t'i grishur të afroheshin. Të dy i vajtën afër.

Flamuri i dha dorën Aleancës.

    - Azemi nuk vjen, - tha. - U nis me grupin për në Tiranë. Dritani i përcolli deri jashtë qytetit. Por ju uluni e pini një kafe bashkë me mua.

    - Jo, do të lëvizim, - tha Iliri.

    - Do të vijmë nesër paradite tek G B, - i premtoi Aleanca.

    - Epo ia kalofshi mirë, atëherë, - tha Flamuri dhe e puthi Aleancën në ballë. - Të kam njësoj si Dritanin tim. Mirupafshim nesër, shoku, - iu drejtua Ilirit dhe i rrahu shpatullat.

    Mbasi u ndanë me Flamurin, Aleanca tha:

    - Sa herë dëgjoj të flitet për Azemin, nuk e di pse ndjehem e trishtë. Më vjen keq për të. Më duket i braktisur nga të gjithë.

    - Unë s'mendoj kështu, - tha Iliri. - Ka mijëra njerëz që e duan Azemin, sepse Azemi ka dhënë shumë dashuri. Ka mijëra të rinj, që me një fjalë të tij, mund t'i shkojnë pas.

    - Që në krye të herës, unë e kam pasur këtë ndjesi, - tha Aleanca. - Im atë vjen një mbrëmje në shtëpi, i mërzitur. Ishin ato ditët e fillimit të demokracisë. Mezi hëngri dy kafshata bukë. Pse je kaq i ngrysur, e pyeti mamaja. Çështje pune, i tha ai. Të kanë hequr nga drejtor? Punë e madhe, vazhdoi mamaja. S'është tamam çështje pune, tha babai. Na erdhën nga komiteti i partisë sot.  Organizuam një takim për zhvillimet e reja demokratike në vend, për pluralizmin politik e të tjera si këto. Ngrihet sekretari i dytë i rrethit dhe sulmon partinë e parë, të sapoformuar, PD. Pastaj me fjalët më të ulta, nxjerr vrer për Azem Hajdarin, kryetarin e kësaj partie. Azemi është ai djali kaçurel, që udhëhoqi lëvizjen studentore, sqaroi ai mamanë. E di, tha mamaja. Atë djalin e njoh nga televizori. Djalë për t'u pirë në kupë është. E pra, vazhdoi babai, sekretari e sulmon Azemin me shpifje nga më të ultat. Na thotë që ka ndarë dy gra dhe këtë studenten tani e ka grua të jashtëligjëshme. Ka shtatë fëmijë me gratë e para dhe dy a tre me këtë studenten, të gjithë ilegalë, e budallallëqe të tjera të këtij lloji. Ja, këta janë njerëzit që duan të na marrin pushtetin, përfundoi. Në këndin e kuq ra heshtja. Mua më erdhi turp nga fjalët e tij, sepse në ndërmarrje kemi dhe punonjës shumë të mirë, por që përkrahin demokratiken. U ngrit një djalë i ri dhe i tha sekretarit se fjalët e tij ishin shpifje. Ky u bë si bishë. Do të të hedh hekurat, i tha. Do të të kalb në burg. Pastaj m'u drejtua mua. Po ti drejtor, më tha, gjarpërinjtë ke strehuar në administratë. Unë ia prita se djali kishte të drejtë. Pluralizmin s'e bëmë unë dhe ti, por atë e vendosi partia dhe shoku Ramiz. Kush nuk e pranonte atë , ishte kundër vijës së partisë. Ashtu, tha ai. Nesër në mëngjes të vish në Komitetin e Partisë dhe të dorëzosh dokumentin e Partisë dhe çelësat e drejtorit. Po ti ç'do të bësh, i tha mamaja. Po këmbëngulën, do t'i dorëzoj të dyja, tha babai. Nuk e dua karrigen e pushtetit në këmbim të gënjeshtrave dhe sharjeve. Boll më.

    Aleanca u shtrëngua fort mbas Ilirit:

    - Tregimi i babait më trishtoi atë kohë. Po sa të pavërteta janë thënë e shkruar për Azemin deri tani. Sa vrer është vjellë kundër tij. Nuk e kuptoj përse, kur duhet të kishte ndodhur e kundërta. Një shtet, apo një komb, do të krenohej me një Azem si i yni.

    Iliri donte t'i thoshte se Azem Hajdari ishte i nderuar nga populli, por klasa e politikanëve . . . E la përgjysmë përgjigjen që mendonte dhe e afroi Aleancën pranë vetes.

    Kishin mbërritur tek tavernat, buzë lumit. Ishin katër të tilla pranë njëra-tjetrës. Të gjitha të ndërtuara me dërrasë. Edhe emërtimet i kishin të gjitha njësoj, thjesht Taverna. Por cilësoheshin me nga një numër 1,2,3,4.

    - E kam zgjedhur që në shtëpi tavernën, - tha Aleanca.

    - Damat zgjedhin gjithmonë

    - Taverna tre, - përcaktoi Aleanca. Unë, ti dhe ne të dy.

    Taverna tre shërbente më së shumti  prodhime deti.

    - Unë do të zgjedh sepie të furrës, me shumë salcë, - tha Iliri. - Po ti?

    - Të shoh njëherë menunë.

    Kamarieri i priti tek dera

    - Urdhëroni ! - i ftoi ai.

    Në tavernë kishte pak klientë. Ata zgjodhën një tavolinë pranë dritares. Lumi nuk dukej, por rrjedhja e ujit, me tingujt e zgjatur e monotonë, dëgjohej nga dritaret gjysmë të hapura.

    Kamarieri solli menunë. Aleanca e lexoi vertikalisht.

    - Palçeta qengji me perime të pjekura, - porositi. - Sepje të zgarës me shumë salcë, djathë të bardhë të skuqur, një sallatë domate dhe verë.

    Pa Ilirin

    - Verë të kuqe të Delvinës, - plotësoi Iliri. Në fund do të sjellësh tortë dhe Martini.

    Kamarieri mbajti shënimet në bllok dhe u largua.

    Aleanca nxorri nga çanta një kalendar të vogël një fletësh dhe e la mbi tavolinë. Vendosi duart e saj mbi ato të Ilirit.

    - Unë do të pëlqeja për martesën, mesin e nëntorit, - tha ajo.

    Iliri i hodhi një sy kalendarit të vogël.

    - E diela s'është domosdoshmëri, - propozoi ai pa gajle.

    - E diela është e padiskutueshme, - kundërshtoi Aleanca.

    - Në parim s'jam dakord, - tha Iliri. Por më thuaj arsyet pse të jetë vetëm dita e diel. Për mua të gjitha ditët janë njësoj.

    - Së pari, e diela është pushim. Unë nuk dua të martohem në ditë pune, si bëjnë emigrantët. Ata vijnë këtu e, për shkak të kohës së kufizuar, zgjedhin një ditë çfarëdo si të kremte.

    - Së dyti, - numëroi Iliri 

    - Së dyti, për traditë. Në shtëpinë e nuses festa bëhet të shtunën, në shtëpinë e dhëndërrit të dielën.

    - Së treti?

    - Së treti, dua të dal nuse nga shtëpia e të më shohë gjithë lagjja. Gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollës do të vijnë të më përcjellin. Kjo realizohet vetëm të dielave. Dhe së fundi . . .

    - Paska edhe të katërt?

    - Po, ka edhe një të katërt. Dua të vë kurorë në kishën pranë shtëpisë.

    - Kisha ende s'është ndërtuar, - vërejti Iliri. Edhe prift s'ka.

    - Prifti i dikurshëm jeton në lagjen tonë, - tregoi Aleanca. - Është rreth shtatëdhjetë vjeç. Kur i thashë, se doja të kurorëzohesha në kishën e tij, ai u mallëngjye. Vajti në Tiranë, tek këshilli i tyre dhe ata e emëruan si priftin e kishës që po ndërtohet. Që nga ajo ditë, vjen rregullisht në kishë, me rrobat e priftit. Altari i parë i besimtarëve ka qenë toka, nën qiell, më tha. Ai do të më bekojë ditën e diel të martesës.

    - Dhe e pesta, - tha Iliri.

    - Nuk ka të pestë. Kjo ishte e fundit.

    - E pesta është që unë pranoj katër arsyet e tua, - tha Iliri. Ndërsa e gjashta është një propozimi im, për ty. Do të vish në shtëpinë time sot?

    Aleanca u bë e trëndafiltë.

    - As mos e mendo, - i tha Ilirit dhe i hoqi duart nga duart e tij. A nuk e dëgjove mamanë që do ta linte portën të pakyçur? Kjo do të thotë që më presin në shtëpi.

    - Arsyen e gjashtë, do ta diskutojmë pasi të caktojmë ditën e martesës, - nuk u tërhoq Iliri.

- Mos fol kështu se do të zemërohem, - tha Aleanca duke ulur kokën e turpëruar.

    Ai ia mori gishtat dhe ia puthi. Aleanca instiktivisht u ep drejt tij, por shpejt u tërhoq në pozicinin e saj. Duart i fshehu mbas shpine.

    Kamarieri u shtroi tavolinën, hapi shishen e verës, ua serviri nëpër gota dhe u tërhoq në një kënd të sallës.

    Iliri ngriti gotën i pari

    - Gëzuar !

    - Gëzuar !

    Trokitën gotat.

    - Për të dielën tonë ! tha Iliri

    - Për dasmën tonë !

    Ora kishte kaluar shtatë e mbrëmjes. Televizori i ndezur, në një cep të sallës ndërronte pamjet e një filmi aksion. Filmi dukej i pakuptimtë, pasi në tavernë dëgjoheshin këngët me motive myzeqare, që stononin tmerrësisht me sfondin e një muzike filmi aksion. Ishte një kasetë me këngë dasme të vjetra, me zanore të zgjatura në fillim dhe në fund të fjalëve, që shkaktonin trishtim. Banakieri, me sytë nga televizori, rrinte krejt i përhumbur në magjinë e këngëve dhe përmendej sa herë kamarieri i afrohej banakut e i jepte ndonjë porosi.

    Në një moment, ai e fiku magnetofonin dhe e përqëndroi vështrimin në ekranin e televizorit. Shiriti i titrave, s'ishte më përkthimi i filmit. Disa sekonda më pas, transmetimi i filmit u ndërpre dhe ekrani i AVN u bë blu. Shkronjat e titrave u bënë të mëdha e të dukshme. Iliri lexoi. Njoftohemi, se disa minuta më parë është qëlluar me armë deputeti Azem Hajdari... Njoftohemi, se disa minuta më parë është qëlluar me armë deputeti Azem Hajdari... Njoftohemi...

    - Kanë vrarë Azemin! - tha me zë të lartë, gati vajtues banakieri.

    Iliri pa Aleancën.

    - E vranë, - tha ajo me sytë nga televizori.

    Në tavernë ra heshtje e thellë. Të gjithë vështrimet ngrinë mbi ekran.

    Banakieri kërkoi me pult TVSH. I njëjti lajm i vrasjes së Azemit, me titra. Pranë selisë së PD në Tiranë,.. saktësonte TVSH.

    Mbas pak, një spikere deklamoi me zë vrasjen e Azemit. Fjalët i shqiptoi pothuajse me rrokje, me një ton të përzishëm.

    Aleanca afroi karrigen pranë Ilirit dhe shtrëngoi fort me duar krahun e tij të djathtë.

    - Përse !? shqiptoi ajo e zymtë.

    Iliri nuk u përgjigj.

    U dëgjua një krismë e thatë, si bubullimë e largët. Pastaj një breshëri krismash. Po qëllonin me armë.

    Në tavernë klientët lëvizën karriget. Nxorën portofolët për të paguar. Disa lanë lekët në tavolinë dhe pa kërkuar reston, dolën me nxitim.

    Iliri pagoi dhe me Aleancën, që s'ia lëshonte krahun, u largua si gjithë të tjerët. Rruga kryesore e qytetit po boshatisej me shpejtësi. Iliri kërkoi me sy ndonjë taksi.

    - Eja ikim në këmbë, - i tha Aleanca.

    Iliri nxitoi hapin. Ritmi i ecjes së tij ishte i shpejtë. Aleanca dihati me vështirësi. Iliri ngadalësoi pak.

    Lart në qiell shndriti një vetëtimë blu. Prapë vetëtima blu, mendoi Iliri. Krisma e bubullimës erdhi e shurdhët. Pas kësaj u dëgjuan breshëritë e automatikëve. Trajektoret e kuqe të plumbave dukeshin si meteorë që humbisnin nëpër re. Filluan pikat e para të shiut.

    Tek shtëpia e Aleancës, porta e oborrit, ishte hapur kanatash. Nëna dhe babai, ndienë hapat e të rinjve dhe hapën derën e jashtme.

    Iliri nuk u fut në shtëpi.

    - Eja brenda - tha Petrua. - Nuk ke ku ikën tani.

    Iliri përqafoi Aleancën dhe bëri mbrapsht.

    - Mos kini merak për mua. Do t'ju marr në telefon, sapo të mbërrij në shtëpi.

Humbi në rrugicë.

(Në linket e mëposhtëme është pjesa e dytë dhe pjesa e tretë e romanit)

http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=K%C3%8BNDIISHKRIMTARIT&article=3888

http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=K%C3%8BNDIISHKRIMTARIT&article=3887

Ilirjan Sadikaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa II) (10.19.2009)
DITA E VRAJSES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III) (10.19.2009)
SHBA: Revista "People" mbush 35 vite në treg (10.19.2009)
Kathrin Schimdt fitoi çmimin gjerman për librin 2009 (10.18.2009)
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj (10.15.2009)
Pit Doherti ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes (10.14.2009)
"Princesha e Bukur" është e Leonardos, mund të kushtojë më shumë se 100 milionë euro (10.13.2009)
"This is it", kënga e panjohur e Majkëll Xheksonit, e cila ngjall shumë dyshime (10.13.2009)
Artistja e madhe shqiptare Ermonela Jaho debuton me Madame Butterfly në Teatrin e Operas në FiladelfiaNga Mal Berisha (10.12.2009)
Vietnami arreston shkrimtaren (10.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]