VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Musiné Kokalari bllokohet në Gjirokastër

                                                                                      

E Premte, 05.17.2024, 05:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 
Musiné Kokalari bllokohet në Gjirokastër
E Premte, 10.23.2009, 03:17pm (GMT+1)

Dje është promovuar në Ministrinë e Kulturës vepra e plotë e vajzës uragan. "Musine Kokalari; vepra", është përgatitur nga studiuesi Novruz Shehu. Një pjesë e mirë e materialeve janë përkthyer nga italishtja, gjuhë me të cilën ka shkruar në kohën e studimeve në vendin fqinj. Pjesë e këtij botimi janë një grup poezish dhe vargjesh të lira, shkruar më '37-'38 dhe botuar në shtypin e kohës nga gazeta "Politika", me redaktor Andrea Varfi dhe Petro Marko. Vazhdohet më tej me tri vëllime që i përkasin letërsisë etnografike, vitet '38-'44, si "Rreth vatrës", "Siç më thotë nënua plakë", "Sa u tund jeta", përmes të cilave Musineja shpërfaq edhe një tablo të traditave e riteve përmes një forme që arrin lehtësisht te lexuesi. Një sasi e madhe hulumtimesh, kryesisht në fushën gjuhësore për dialektin e Gjirokastrës prezantohen për herë të parë, ndërkohë që Shehu shprehet se ka ende materiale folklorike të mbledhura prej saj, të cilat para se të vdiste ia ka dorëzuar të nipit. Është përkthyer nga italishtja edhe studimi i titulluar "Naim Frashëri", të cilin e ka mbrojtur në vitin 1941, kur studionte për letërsi para një komisioni, në përbërje të të cilit kanë qenë dy personalitetet shqiptare Namik Resuli dhe Zef Skiroi. Përvoja e saj studentore vjen në formë ditari, të cilin e ka shkruar gjatë vitit të katërt të studimeve. "Jeta ime universitare" (1940-1942), përkthyer po ashtu nga italishtja. Aty ajo flet për përjetimet e saj si studente, e po ashtu edhe për dashurinë e dështuar me një italian. Musineja ka pasur korrespondencë me një sërë personalitetesh të shquara të asaj kohe, por është përzgjedhur nga dosjet në Arkivin e Shtetit vetëm letërkëmbimi me Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Lasgush Poradecin, Mid'hat Frashërin dhe Angelo Leotin. Pjesë e vëllimeve është edhe veprimtaria e saj si politikane.

 

***

 

66 vite pasi krijoi Partinë Socialdemokrate e i doli kundër hapur Enver Hoxhës, 25 vite pas vdekjes së saj, 16 vite pasi iu dha medalja "Martir i Demokracisë" dhe jo shumë pas vlerësimit me titullin "Nder i Kombit", Musine Kokalari, është akoma e "ndaluar" në Gjirokastër. Ky është përfundimi në të cilin arrin studiuesi i shkrimtares së parë shqiptare dhe politikanes së viteve 1940, Novruz Shehu. Duke dhënë argumentet e veta për këtë përfundim të tijin, ai mendon se figura e saj duhet vënë në piedestalin e duhur. Sipas Shehut, fakti që ajo i doli kundër Enver Hoxhës, është një "mëkat" që Gjirokastra nuk ia ka falur akoma... Me rastin e botimit të veprës së plotë të saj, studiuesi Novruz Shehu në këtë intervistë flet për jetën, veprën dhe atë që ndodh sot me figurën e saj.


Ju jeni studiues i Musine Kokalarit. Na thoni me pak fjalë kush është ajo dhe cilat janë vlerat që mbart figura e saj?
Musine Kokalari është një personalitet i shquar i letrave shqipe. Deri tani ajo është njohur si "investitore" në fushën e politikës shqiptare, sepse ajo ka themeluar Partinë Socialdemokrate shqiptare, në vitin 1943, një vit pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Por, në fakt ajo më shumë është një shkrimtare e shquar dhe një intelektuale e shquar. Më e rëndësishmja ndër këto është se ajo është shkrimtarja e parë shqiptare. Si e tillë, është në detyrën e intelektualëve shqiptarë që ta vënë atë në piedestalin e duhur. Deri tani ka qenë media shqiptare ajo që ka punuar mirë për Musine Kokalarin. E them këtë, sepse ajo deri para disa vitesh nuk njihej fare si shkrimtare, por vetëm si politikane. Kjo është një arritje. Por, më e rëndësishmja ishte vajtja e ambasadorit amerikan në Gjirokastër tek shtëpia e saj, ku edhe propozoi që shtëpia e saj të kthehej në muze.


Ndërsa dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës u promovua vepra e saj, çfarë ndodh aktualisht me librat e saj në Gjirokastër?
Atje ndodh diçka e çuditshme, por e vërtetë. Disa ditë pas vizitës së Withers-it në Gjirokastër, drejtori i Studimeve Albanologjike në Tiranë, Ardian Marashi, i propozoi Katedrës së Gjuhë-Letërsisë në Gjirokastër, ku përgjegjës është Roland Zisi, që të bëhej një promovim i veprës së saj në Gjirokastër, përpara se të bëhej në Tiranë. Fillimisht Zisi pranoi dhe unë i dërgova një komplet librash të Musine Kokalarit. Kjo, në mënyrë që të bëhej promovimi dhe një konferencë ku të flitej për veprat. Më vonë Zisi më merr dhe më thotë që të gjithë librat t'u jepen falas pedagogëve dhe studentëve të universitetit. Kjo do të thoshte se konferenca e promovimi nuk do të bëheshin. Përveçse kjo kishte të bënte me një shumë të madhe monetare, përse duhet ta bësh këtë investim, kur intelektualët gjirokastritë janë të detyruar ta studiojnë Musine Kokalarin, ashtu si edhe studiuesit e letërsisë. Pra, unë them se me këtë u gjet forma për ta bllokuar futjen e librave të Musinesë në Universitetin e Gjirokastrës.


Përse ju keni arritur në konkluzionin se Musineja po bllokohet në Gjirokastër?
Përveç arsyes që ju thashë më lart, është edhe arsyeja tjetër, që dy libraritë e Gjirokastrës nuk kanë preferuar ta marrin veprën e saj. Të dy pronarët e librarive janë ish-ushtarakë. Përgjegjësi i shpërndarjes së librit të Tiranës më tha se vetëm gjirokastritët nuk e kanë marrë. Edhe libraria "Agolli" nuk e ka marrë atë. Pra, libraritë e Gjirokastrës nuk kanë pranuar ta shesin në qytetin e tyre librin. Ata kanë marrë shumë libra, e vetëm këtë jo. Duke qenë dy pronarët e librarive, ish-ushtarakë, nuk e marrin dhe përgjegjësi i katedrës së letërsisë nuk e pranon promovimin, kemi të bëjmë me një bllokim, ndalim të veprës së Musine Kokalarit për të hyrë në Gjirokastër. Ismail Kadare është një personalitet i shquar me origjinë nga Gjirokastra. Ai ka folur me gojë, por jo me shkrim për Musinenë. Heshtja e tij është e pajustifikueshme. Unë e kam idhull atë, por nuk është mirë, sepse kanë qenë që të dy në lagjen "Palorto" të qytetit. Heshtja e tij është një farë bllokimi që i bëhet Musine Kokalarit. Kadare ja ka asaj një borxh, sepse në vitin 1972, gjatë kohës kur ajo ka qenë në internim e ka thënë se: "Kadareja është një figurë e madhe". Këtë e ka thënë në kushtet e internimit e mungesës së lirisë... Unë nuk e kuptoj se përse, kur dihet se ka dalë vepra e plotë e Musinesë, as kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, as prefekti, as kryetari i qarkut nuk janë angazhuar që vepra e saj të shkojë atje.


Sipas jush, përse ndodh kjo?
Kjo ndodh sepse Musine Kokalari është e ndaluar. Është e ndaluar, sepse është kundërshtarja direkte e Enver Hoxhës dhe njëkohësisht kushërirë e tij. Pas formimit të Partisë Komuniste është pikërisht Musineja ajo që e ka kundërshtuar e para, duke krijuar një program të Partisë së Socialdemokrate, e kjo ka qenë forca e parë politike që ka kundërshtuar Enver Hoxhën. E dyta, dihet që Enver Hoxha i ka propozuar dhe ajo nuk e ka pranuar. Por, ky është banalizim që i bëhet Musinesë, sepse asaj i ka propozuar edhe Mid'hat Frashëri edhe të tjerë. Akoma Gjirokastra nuk do që ta "legalizojë" Musine Kokalarin, edhe pse e ka bërë 'Qytetare Nderi'. Është paradoks që një personalitet i diplomacisë botërore, siç është ambasadori amerikan, Withers të sugjerojë që shtëpia e saj të bëhet muze, por mua si studiues të sajin akoma nuk më ka pyetur njeri se çfarë kam unë në dispozicion nga ajo. Unë di që një nga kushërinjtë e saj ka në dispozicion shumë objekte të sajat. Di që para pak kohësh kryeministri Berisha ka ndërhyrë që tek Ministria e Kulturës, që të shkojë tek Presidenti propozimi për ta shpallur Musinenë "Nder të Kombit". Si është e mundur që të gjitha personalitetet e Gjirokastrës janë indiferentë ndaj figurës së saj? Duke filluar që nga ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango. Kemi të bëjmë me disa personalitete të njohur që kanë dalë nga Gjirokastra e që nuk flasin. Musine Kokalari është vlerësuar në Gjermani nga Maximillian Lambertz, në Itali nga Ançelo Leoti, është përkthyer në të dy vendet që në kohën e saj dhe është vlerësuar në Shqipëri nga Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Filip Fishta e shumë figura të tjera. Vetëm Gjirokastra nuk po e pranon, dhe kjo nuk mund të quhet rastësi.


Ju a mendoni se qëndron dikush pas këtij "bllokimi"?
Jo, është psikologjia e Gjirokastrës dhe e shumë intelektualëve në Shqipëri të cilët kanë akoma një qëndrim negativ ndaj Musinesë, sepse ka qenë kundërshtare e Enver Hoxhës. Unë kam dy vite e gjysmë që punoj dhe studioj veprën e saj dhe nuk jam paguar. Më është financuar botimi i veprave, por jo puna ime si studiues. Një nga arsyet e këtij refuzimi është edhe paranoja e miteve. Ne kemi krijuar mite në komunizëm dhe ato mite ne nuk i rrëzojmë dot.


Ç'mund të na thoni për letërsinë e Musine Kokalarit?
Letërsia e saj është një letërsi e veçantë, që quhet letërsi etnografike. Dhe, është cilësuar e tillë nga shumë personalitete. Kritika shqiptare e viteve '40 ka shkruar me superlativa për të. Ajo ka bërë studimin e parë për Naim Frashërin, ka bërë "Jeta ime universitare", që ka qenë një studim për Romën e Italinë. Ka bërë edhe vepra të tjera, të cilat kanë brenda të gjitha ritet, zakonet e traditat të shkruara në mënyrë artistike përmes subjekteve letrare e ndaj quhet letërsi etnografike. Pra, letërsia etnografike ka traditën kulturore të shkruar me intrigën artistike. Është thënë shpesh se nuk ka disidencë në Shqipëri. Po si nuk paska? A nuk është vetë vepra e Musinesë disidencë, sidomos ajo me titull "Si u formua Partia Socialdemokrate"? Kritika shqiptare është një kritike mediokre, e pashkëputur akoma nga psikologji komuniste. Është paranoja e mitit ajo që e "ndalon" Musinenë. Është jeta emblemë e saj, që e bën atë të ndaluar. (http://www.balkanweb.com)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Saramago polemizon me Kishën (10.22.2009)
DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa I) (10.19.2009)
DITA E VRASJES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa II) (10.19.2009)
DITA E VRAJSES SË AZEMITROMAN nga ILIRJAN SADIKAJ (Pjesa III) (10.19.2009)
SHBA: Revista "People" mbush 35 vite në treg (10.19.2009)
Kathrin Schimdt fitoi çmimin gjerman për librin 2009 (10.18.2009)
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj (10.15.2009)
Pit Doherti ka vështirësi në rrugët e frymëmarrjes (10.14.2009)
"Princesha e Bukur" është e Leonardos, mund të kushtojë më shumë se 100 milionë euro (10.13.2009)
"This is it", kënga e panjohur e Majkëll Xheksonit, e cila ngjall shumë dyshime (10.13.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]