VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LASGUSH PORADECI - VIJA THEMELTAREEssé nga SKËNDER LUARASI( Shoqëruar me një letër të Lasgushit dërguar M. Kutelit dhe me një shënim përkatës për botimin tonë nga Petro Skënder Luarasi )

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

LASGUSH PORADECI - VIJA THEMELTARE

Essé nga SKËNDER LUARASI

( Shoqëruar me një letër të Lasgushit dërguar M. Kutelit dhe me një shënim përkatës për botimin tonë nga Petro Skënder Luarasi )
E Djelë, 07.04.2010, 01:43pm (GMT+1)


.

 

Skënder Luarasi në një fotografi të kohës

 

Vjet e kishim Lasgush Poradecin midis nesh, si mysafir të shkollës Teknike dhe qemë të lumtur që mundëm ta njohim për së afërmi vjershëtorin djaloshar të kombit tonë. Veçanërisht na u shtua gëzimi, kësaj vere, duke e parë përsëri të kthyer prej vendit të studimeve me shëndet të mirë dhe studime të absolvuara. Për Institutin tone, mbi të cilin Lasgushi ka patur përherë- që të përdorim vetë fjalët e tij: "një admirim heshtës", vizita e " krijonjësit" artist sever të gjeneratave të reja shqiptare" është një eveniment kultural me rëndësi. Sepse emri i poetit pushton sot zemrat e një kombi të tërë, duke filluar prej momentit prej të cilit u duk për së pari, se fryma e një arti të ri po fryn e po zotëron pa pandehur truallin e republikës së letrave shqiptare.

E bëmë zakon ta quajmë Lasgushin një poet të ri. Por, vallë kush mund ta marrë me mend se pëpjekjet letrare t'autorit "Këngës Pleqërisht" kanë një gjenezë prej 10 vjetoresh' Kush ka njohje, se "Kruan" e tij- këtë debut gazmor- Lazgushi e shkroi më 1912, me rastin e ndreqjes se kroit nga ana e një mirëbërësi vendës' Se më 1914, si liceistë, ai botonte vjershën "Filozofi" në revistën "Enciklopedia" të shkruar dhe të drejtuar prej tij nën pseudonimin H.Hidoro' Se dy vjet më vonë, në vjeshtën e 1916-ës, lindte në duart e një miku letrar nga Korça të thellën dhe tronditësen "Oh, vanë fletët!..." , strofat e para të së cilës projektojnë konsepsionin e lartë filozofik- kryemendimin e KËNGËS SË MALLIT PËRJETËSISHT RIGJENERONJËS,- si një leading motive (motiv udhëheqës) dhe me një DHËMBJE e me një dëshirë kundër fatit e cila vihet re në gjithë veprën poetike të Lazgushit.

 

 

" Oh vanë fletët e në zi-ra

Si mot për mot vjeshtori pyll:

me zinë e kohës çel dëshira:

dëshirat çelur-gazi mbyll...

 

 

Përtej nga i qënieve si nuar!

Dhe lark për jetën-helmori gaz!

Dhe jo:- Ah, malli q'u pat shuar

Lind e rilind m'i ndritur pas'"

Këtë koncespsion të projektuar aq shpejt, poeti e fikson definitivisht pas 6 vjetësh, më 1922, në indrotuksionin (hyrjen) e "Valles së Yjve" i cili koncentron argumentin rreth të cilit zhvillohet ky poem i madhërishëm.

Vjershat hijerënda, të cilat mezi sot, ne kohën e fundit, thuren përqark kryes së vjershëtorit posi një aureolë martiri në përmbushjen e Destinit të vet, janë shtypur e rishtypur në variante të ndryshme midis vjeshtës të vitit 1921 dhe vjeshtës 1924. Tri janë fytyrat më reprezetantive të poezisë shqiptare në tërë fuqinë e fjalës, secili një ekspresion bindës i gjeniut të vet.

Fishta rrëfeu, se gjuha shqipe ka fuqi; Prendushi rrëfeu se gjuha shqipe ka një mësim; Lasgushi rrëfeu se gjuha shqipe ka thellësi. Thellësia e ndjenjës dhe e mendimit, e shprehur me një stil të ri, zgjuarsisht original, i cili trupëzon të fshehtën e pa imitueshme të harmonisë lasgushiane, është karakteristika qëndrore e gjithë veprës së tij. Kudo, na obsedon konteplacioni sy mvrejtur i greminave të saj të pafundëshme. Këtë e takojmë (sikundër një njohës i mirë pati shkruar mbi cilësinë e vjershave të këtij poeti) në "Vallen e qiellit", me drithmën brendërisht fshehtësiplote të procesit divin të inspirimit poetik ("Rri mbështetem në tryezë") në "Vallen e dherit" me misticizmin e rëndë të muzikës kombëtare, akordet e paperceptueshme të së cilës ngrihen solemnisht nga fundi i zemrës për të rënë prapë mu në fundin e saj ("Kënga pleqërishte"); në "Vallen e yjve", me intuicionin e lartë të këngës së mallit përjetësisht rigjeneronjës, i cili përshkon dhe aktivon posi një impuls kosmogonik gjithë qënien njerëzore (" Rri me shëndet", "Resurrectio", "Vallja e yjve"); "Në vallen e përjetësisë" me realizimin e simbolit final të ekzistencës ("Aeternitas"); në "Vallen e vdekjes" , me mposhtjen e Elementit dhe me triumfimin e përjetësisë ("Lundra dhe flamuri"). I pajosur me këto virtute poetike të pakontentuara që mbajnë me vete vulën e gjeniut, Lasgush Poradeci na paraqitet si një poet modern në tërë kuptimin e fjalës, ka mision të stolisi vjershën shqiptare me krijimin e një arti të ri, të pasurojë letraturën me reflektimin e një koncepcioni original, mburimi i së cilit është mburimi i kombit të vet.

(Artikull anonim i Skënder Luarasit, në revistën "LABOREMUS" nr: 16, gusht 1932, faqe 5,6)

Essenë, artikullin, siç e quan ai, (Lasgushi vetë e quan studim) na e dërgon enkas për botim në gazetën tonë online (

http://www.voal-online.ch) i biri i Skënder Luarasit, Petro Skënder Luarasi. Në këtë essé të shkurtër, në mënyrë tejet koncize, Skënder Luarasi përcakton boshtin qendror (vijën themeltare) të filozofisë estetike të kolegut letrar Lasgush Poradeci. Skënder Luarasi e vë Lasgush Poradecin në kontekst me bashkëkohësit më të mëdhenj të asaj kohe, Gjergj Fishtën, i cili dëshmoi fuqinë e gjuhës shqipe, dhe Vençens Prendushin, i cili dëshmoi se gjuha shqipe ka mesazh. Ndërsa Lasgushi, shkruan Skënder Luarasi: "rrëfeu (dëshmoi - shënimi ynë) se gjuha shqipe ka thellësi". Në mënyrë gati telegrafike, në formë penelatash, Skënder Luarasi përvijon disa nga cilësitë e poezisë së Lasgush Poradecit të cilat do t'i afirmonte mendimi i mëvonshëm estetik shqiptar, pavarësisht padrejtësive shpesh të tejskajshme e flagrante që iu bënë Lasgushit sidomos në periudhën e komunizmit në Shqipëri. Lënda hyjnore e frymëzimit poetik, papajtueshmëria aktive deri luftarake ndaj fatit, frymëmarrje kozmike dhe shpirti i ndjeshëm shqiptar, çka e bënin mishërim të kombit, në trajtën më të kulluar në gjithë artin tonë, do të bënin që Lasgush Poradeci, "me vulën e gjeniut", siç thotë Skënder Luarasi, ta mbijetonte fizikisht periudhën e diktaturës dhe të merrte pavdekësinë e pamohueshme. Në essénë e tij Skënder Luarasi, edhe vetë në moshë të re, dëshmon përgatitje të lartë estetike dhe filozofike në nivelet e asokohshme evropiane. I përplasur aq shumë me regjimin komunist, pa njohur kurrë konformizëm, Skënder Petro Luarasi arriti të japë vlera të pamohueshme për kulturën tonë kombëtare dhe të japë mbi të gjitha shembullin e intelektualit shqiptar të papërkulshëm.

 

Petro Skënder Luarasi dëshiron që figura e babait të tij të shikohet në një dritë sa më objektive, larg interpretimeve të mundshme subjektive të qëllimshme apo të paqëllimshme, gjithnjë të bazuara në të vërteta sa më të dokumentuara. Ai e vlerëson lart, në këtë drejtim, kontributin aq me vlerë të shkrimtarit të mirënjohur Naum Prifti për Skënder Luarasin në essénë dhe kujtimet e tij, botuar kohët e fundit në gazetën tonë online:

http://www.voal-online.ch).

Edhe esséja e Skënder Luarasit për Lasgush Poradecin, edhe letra e Lasgushit lidhur me këtë essé dërguar Mitrush Kutelit, janë dy perla si për mendimin estetik shqiptar, ashtu edhe për dokumentaristikën shqiptare lidhur me këto dy figura të mëdha të kombit shqiptar dhe të kulturës sonë kombëtare.

Po japim ndërkaq shënimin me të cilin e shoqëron essénë e Skënder Luarasit "Lasgush Poradeci - Vija themeltare", i biri i autorit, Petro Skënder Luarasi, si dhe letrën e Lasgushit dërguar Mitrush Kutelit ku ai flet për essenë dhe shpreh konsideratat e tij për Skënder Luarasin, konsiderata të cilat i qëndruan kohës pikë për pikë:

"Ky artikull u zbulua duke patur si indikacion nje letër të Lasgush Poradecit që ia dërgonte Mitrush Kutelit.

Një rast fatlum më poqi me vajzën e Lasgush Poradecit, Marijen, e cila më tregoi një letër që i ati ia pat dërguar Mitrush Kutelit. Nuk u zura besë syve: atje bëhej fjalë për një artikull të panjohur të Skënder Luarasit mbi Lasgushin, të botuar në gazetën 'Laboremus' " (Petro Skënder Luarasi).

 

Ja këtu dhe letra e përmendur e Lasgushit dërguar  Mitrush Kutelit:

 

"M. Llazar S.Gusho

Klosterëiesgasse 74

Graz Austria

Graz 12.12.1932

Dimitrie Pasko

Bukuresht

 

I dashur Mitrush,

Mbesoj t'a kesh marrë k.p. të 1 Dhjetorit ku të shkruaja se poezitë do të t'i dërgoj më vonë. Disa poezi tashi (me qenë që jam prapë i zënë) do t'i gjesh të riprodhuara prej së përkohshmes "˜"˜Laboremus'' ( VIII, 16 Tiranë, Gusht, 1932, f.5-8) në skicën e Skënder Luarasit: "˜"˜Lasgush Poradeci -Vija themeltare''. Janë (natyrisht, si të gjitha gjer më sot) me shumë gabime (54) po unë i ndreqa dhe i bëra të sakta.

Skënder Luarasi e ka shkruar në këto rrethana: Kur isha në Tiranë më 1930, drejtori i shkollës teknike Mr. Fultz më ftoi të mbaj një konferencë dhe Skënderi me këtë rast bëri një studim të shkurtër mbi mua për në shtyp. Studimi s'u botua dot nga shkaku i largimit të Skënderit pas artikullit që shtypi kundër librës "˜"˜Neuland Albania'' (pak kohë më parë Skënderi kish "˜"˜tronditur'', me gjith atë mënyrë zyrtarët ministerialë me artikullin e tij të guximshëm mbi Themistokli Gërmenjin). Majin e shkuar erdhi redaktori i "˜"˜Laboremus''-it në librarinë "˜"˜Argus'' ku unë gjindesha rastësisht dhe, me një karnet në dorë, më kërkoi një interviu literar mbi veprën time për atë revistë. Redaktorin unë s'e njihja, por i thashë thjesht dhe drejtpërdrejtë të më ndjejë se jam i shtrënguar ta refuzoj, duke mos qenë poezija objekt parade publike po fshehtësi e përbrendëshme e zemrës. Në atë çast u shfaq papritur dhe Skënderi në librari, dhe zuri të bisedojë anglisht me "˜"˜intervistonjësin'' tim, i premtoi, duket, "˜"˜gjësend'''( as njëri as tjetri s'më bënë fjalë kur u ndanë prej meje, mbi çështjen e biseduar). Pastaj administrata e "˜"˜Laboremus''-it më dërgoi në Pogradec (Gushtin e shkuar ) numurin e mësipërm të revistës. Skica e 1932-së është siç duket me disa shtesa dhe jashtëlënie, pothuajse ajo e 1930-tës. Eshtë lënë jashtë, poezia gjermanisht që më kish dërguar Richard Pichler-i në Poradec, 1929. Më 1930 Skënderi e kish përkthyer anglisht ( sepse studimi destinohej për Shkollën Teknike të Tiranës) po tashti e paska hequr fare. (Artikulli s'ka nënshkrim, që të duket si nga ana e gjithë Institutit).

Në paraditen e burgosjes Skënderi më dha një kopje të studimit dhe me ekspresivitetin e hekurt të fytyrës së tij - trashëgimtar heroik i heroit Petro Nini Luarasi -, më urdhëroj: "˜"˜Lasgush! Dërgoje për shtyp, se më del nga zemra''( sikur ç'gjë s'i del nga zemra Skëndos'), "˜"˜pa mua në burg le të më farmakosin!!''

Pastaj iu konfiskuan dorëshkrimet etc.

Unë "˜"˜urdhërin'' nuk ia përmbusha, sepse ku më linte vetëdija të bëj luks literature në kohë që shoku i dhemshur tretej në burg'

Të puth me dhembje Llazari"


SKËNDER LUARASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FILLON NË UASHINGTON FESTIVALI FOLKLORIK SMITHSONIAN (07.03.2010)
VLERA TË REJA RUMUNE NË GJUHËN SHQIPE - POEZIA DHE PËRJETËSIA FEMËRORENga ALBERT KOVÀCS (07.01.2010)
PREZANTOHET ROMANI "GOJA E BOTËS" I SHKRIMTARIT TË NJOHUR ZIJA ÇELA (06.30.2010)
TRIUMF NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR (06.29.2010)
SHTËPIA BOTUESE "NACIONAL" PROMOVON TË HËNËN ROMANIN "SEKRETI I VARRIT TË VETMUAR" TË RESHAT KRIPËS (06.27.2010)
SHUHET SADRI AHMETI, POETI I GJUHËS SË EZOPITNga BEDRI MYFTARI (06.27.2010)
SH.B. NACIONAL NXORI LIBRIN PËR FËMIJË "KUÇEDRA DHE DRAGOI" TË SHKRIMTARES VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (06.26.2010)
FLORI BRUQI - TRIUMF SHQIPTARNga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.24.2010)
KA VDEKUR INFERMIERJA E FOTOGRAFISË SIMBOL TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE (06.23.2010)
PRINCE KTHEHET NË EVROPË (06.20.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]