VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AGIM SPAHIU: DITARI QË ZBULON POETIN E DY DRINAVENga HAKI KASUMI

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 11:19am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

AGIM SPAHIU: DITARI QË ZBULON POETIN E DY DRINAVE

Nga HAKI KASUMI


E Martë, 07.20.2010, 07:14am (GMT+1)



Libri i Sefer Pashës "Kthimi i mbramë i Agim Spahiut" shpalos para lexuesit mbresat e autorit për poetin e ndjerë të pa përjashtim të Agim Spahiu, i cili qe një fenomen letrar, epik në vetvete, vepra poetike e të cilit përcjell edhe sot mesazhet e qarta të dashurisë për atdheun, vendlindjen e poetit Kukësin, ku pati pikën topografike të qëndrimit, frymëzimet nga jeta midis dy Drinave, motivet e pa përsëritshme rrezatuese poetike që si gur diamanti u ngjizen në Has, ku punoi e jetoi për disa vite, ndjesitë për Lumën, performancën dhe pasionin e pashuar për lirinë e Kosovës. Qysh ne gjallje për Kosovën, si simbol të qëndresës, ai la si trashëgim disa krijime brilante. Që në krye te herës në libër autori i librit Sefer Pasha shkruan për Agim Spahinë: "Idhujtari buzëdrinas Agim Spahiu del nga kapërxyelli i kohërave te nemura e në kthim qysh ne kryekreje bashkon me ngazëllim me hyjnitë e Gjallicopikellimës piskamën e zërit të poetit, që sbzajti për pak kohë dhe tani dëfton këtejpari radiografinë e udhëpërshkrimit se ku lindi, si u ngjit në Has në altarin e poetit, ç'i ngjau në udhën e shkurtër e kush qe mortja që i bëri kurth për t'u larguar kaq shpejt nga kjo botë duke i lënë në avllitë e shtëpive e udhëve të Hasit, të Lumës, të Kukësit e të Tiranës të shpërndara bujashkat e fjalëve, me të cilat thurte poezitë që nuk do të njohin kurrë vyshkje".


Siç del nga ky paragraf, por edhe në të gjithë kapitujt e librit, megjithëse autori nuk merr përsipër të shkruaj biografinë e poetit, nëpërmjet një ditari të mbajtur para shumë motesh, kur Agim Spahiu jetonte e punonte në Kukës e në fshatrat e Hasit, si në esenë përfshirëse, dhe në fletët e ditarit, para lexuesit Agim Spahiu shfaqet me kërshërinë e poetit vital me qibër e klas. Njëherazi tejendanë veprës Agim Spahiu del në dritë të diellit e lançohet me zë të veçantë novativ. Ai që i ra pash me pashë Hasit që nga Vas-Pasi, Qafa e Prushit, Fajzat e Gjinajt la pas si trashëgim vëllimet "Lirisë" më 1973, "Duart e punës" më 1976, "Vjen një moshë" më 1982, "Të jetosh me ty" me 1987, "Është koha të duhemi" më 1990, librin për fëmijë "Këngë për Idën dhe Hasin e Bardhë" më 1982. Pas vdekjes së poetit shtëpia botuese "Gjon Buzuku" në Kosovë ka botuar përmbledhjen me poezi të zgjedhura "Njeriu mbi Pikëllimë". Gjithashtu është botuar dhe një libër për Kurpalet, për bëmat e trimave të këtij trualli. Në ditarin e mbajtur nga Sefer Pasha asokohe, hidhet dritë me detaje mbi laboratorin krijues të poetit të sëkëlldisshëm Spahiu, gjuhën e zgjedhur, vëzhgimet e holla, burimet që shfrytëzoi për krijimtarinë edhe thellë në shpellat e malit të Pashtrikut, imagjinatën që përdorte në realitetin vetëkufizues të kohës së trazuar, e riskun e rrezikut nga censura. Ai cik dramat e jetës midis dy Drinave, e nëpërmjet narracionit emeton autenticitetin e poezive që shkroi, lëndën bruto të së cilës e mori në fshatrat e Hasit, rrëzë malit të Pashtrikut, të Pikëllimës, të Gjallicës, pa harruar vendlindjen e tij Kolesjanin, që përmes artit e ktheu në mit. Nëpërmjet ditarit datë pas date, muaj pas muaj e vit pas viti, me një luks detajesh ilustron idetë e poetit magjepsës Agim Spahiu për realitetin e ashpër në të cilin jetoi. Ai nuk ishte poet divani, por krijonte në Fajza e në Gjinaj, ku nga një kënd i pazakontë, zbulonte e qëmtonte sythat e poezive mes nxënësve te dashur e fshatarëve që rropateshin për bukën e gojës. Tani tek i lexojmë e i kundrojmë këto poezi me tone të thekshme dramatike, siç del edhe në libër, konstatojmë se për poetin Agim Spahiu nuk pati orë të paqta. Jeta e tij pa ekuivoke qe e njëllojtë me atë të çdo kuksiani e hasiani. I gjithë arti që thuri përshkruhet nga emocionet e larta. Nuk ka limonti as në jetë e as në art. Autori i librit zbulon se Agim Spahiu i pangjashëm me poetët bashkëkohor, që e mori liçensën e poetit në moshën 20 vjeçare, edhe pse jetoi një realitet të zymtë, gjithsesi ai përcjell mesazhe shprese, të cilat i pikasi që në gjallje në horizontin e murrmë. Më së pari poeti tragjik si rrallëkush gjethet e gjuhës i ngjyrosi e mblodhi fije për fije mes rrëfimeve, baladave, bëmave, tregimeve, eposit të kreshnikëve, këngëve e valleve të veriut, të sistemuara andejthi që moti në arkivat e odave të Tropojës, Hasit, të Lumës, të Radomirës, ku në mënyrë të dukshme ato kanë ngjizur në të gjithë veprën që ai la pas. Libri është një homazh për Spahiun, i cili kurrë nuk u karfose, nuk u pajtua me burokratët e paskrupujt, e ndërkohë si kolesjanas me një sharm të hollë e shaloi atin e penës në ashtin e shkëmbinjve të Gjinajve, e herri barin e keq me ag, pa e zënë muzgu, e asesi edhe pse i ndërkallur e i ngujuar aty ku harta e qiellit varet në malin e Gjallicopikëllimës, si zog mitik, sjell në kohën tonë nga kllëfi i kohërave shumë të pathëna. Mozaiku i artit të Agim Spahiut nëpërmjet shumëkuptimësive u plotësua me motive të qëmtuara mes nxënësve në Fajza të Hasit e të Gjinajve, në kopshtet me gorrica të egra, në livadhet me lule të Kolesjanit, në bjeshkët e Gjallicës, të Pikëllimës e të Pashtrikut, në brigjet e dy drinave, mes punëtoreve të minierave të Gjegjanit e të Kalimashit, pranë fshatarëve që punonin arave e që ushqeheshin me bukë misri e turshi. Ndërkohë poeti ambicioz edhe pse jetonte dramat e kohës nuk lëshonte pe në krijimtari. Arti i tij nuk njohu palëvizshmëri e as pasthirrmë habie. Dhe kjo vihet re në të gjithë vëllimet që poeti i mprehtë i la si pasuri të mëvetësishme. Tani kur i lexojmë pas vdekjes tragjike te poetit emblemantik edhe pse na ngjajnë si kujtime të trishta, në çdo poezi bie në sy tagri i poetit, i cili shumë margaritar i thuri kithtazi duke pritur makinat në Qafën e Sefollit, kur kthehej nga Fajzat për në Kukës, në kthesat e Urës së Drinit të Bardhë për t'u ngjitur në Gjinaj, e në rudinat e Kroit të Bardhë mbi Kolesjan kur delte me të atin, Sokolin, gjithashtu artist i estradës në Kukës, e ku bashkë mblidhnin një grusht me aso fjalë të arta, balada, këngë , grimca humori, e rrëfenja gojëtarësh nga lumjanët me famë.


Agim Spahiu, siç del në ditarin e Pashës, portretohet përmes një profili të qartë si zejtar e mentor i poezisë, e lexuesi krijon një imazh të plot për poetin tejendanë dramatik, i cili edhe pse krijoj humbtazi në vise të shkreta ku piqej buka në hënë, ai boll here i theu shtampat, shijoj zërin e pranverës mes mullarëve të barit në Hasin e Thatë, pranë pëllumbave të azdisur të malit të Pikellimës, e shoi etjen me dhallën e dhirtë të fshatarëve të Gjinajve, ku jepte mësim e siç qe i nemur e i vetmuar thellë në male njohu një lloj afresku. Me forcën e intelegjencës së poetit të ashpër në art ai kurrë nuk qe trillan. Jo! Sot lexuesi mbetet i pafjalë kur i lexon librat e tij poetik tërë sharm e pa kurrfarë narcizmi. Pena e poetit Spahiu është ngjyer në realitetin e vrazhdë. Personazhet e tij janë malësorët me bëmat e tyre, që nga Islam Spahiu e gjer tek luftëtarët e Lumës, të Hasit, të Morinës e të Qafë Prushit kundër shovinistëve serb. Fabulat e këtyre poezive janë të brishta, vargu është elegant, pa asnjë maskë luksi, larg klisheve steriotipe siç shkruanin shumë poetë bashkëkohor, te cilët thurnin poezi ledhatuese për sistemin socialist. Arti i Agim Spahiut shquhet për unikalitet, për forma të larta artistike e për gjetje mirëfilli me muzën e poetit, i cili shumë motive i qëmtoi udhëve, kur katër orë në ditë i bënte në këmbë vajtje e ardhje nga Kukësi për në shkollën e fshatit në Gjinaj përmes borës e ciklonit. Punës krijuese të poetit Spahiu i shkon për shtat thënia e Gëtes:- "Lermë çast të të jetoj". Dhe Agim Spahiu i jetoj çastet e një kohe të vështirë dhe ato i hodhi ne letër. Nuk lodroi stilistikisht. Ne zgafellat e errëta të socializmit zhbiroi me sfilitje dramat njerëzore, i gdhendi ato ne poezi e në poema, dhe që në gjallje mori oaze kënaqësie, paçka se shumë krijime qenë tekanjoze e nuk u shkonin përshtat burokratëve te kohës. Ai është vlerësuar që në orët e hershme, kur botoi ciklet e para në organet e shtypit, si poet i talentuar e me të ardhme. Dhe librat autentike që ai shkroi po u rezistojnë kohërave të reja të demokracisë ngaqë kanë kalibër të lartë artistikë e shquhen për qartësi urtane, për sqimë e tipologji rrëfimore.
Në faqet e një ditari shumëvjeçar lexuesi do të gjej mendimet dhe opinionet e poetit të shënjuar Agim Spahiu si një zë origjinal për artin, për shkrimtarët bashkëkohor, për kolosët e letërsisë botërore, për metodën krijuese, mënyrën se si i përgatiste vëllimet poetike, luftën që bënte me redaktorët në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", e cila i seleksiononte e i kthente mbrapsht poezitë e poemat me "zarar", rropatjet e tij nëpër hotelet e Tiranës(në hotel "Arbana" ai ka shkruar një perlë poetike të mrekullueshme), si dhe atmosferën e ngrohtë në familje, ku bashkëshortja Zana ishte lexuesja dhe redaktorja gërmë për germë e librave që shkruante e botonte ai. Zana i dha një përkrahje të madhe në luftën me pengesat që ndeshte në udhën e vështirë të artit. Pikërisht kjo është arsyeja që prej muzës së tij ka dal dhe është qëndisur poezia "Në kohën e dashurisë", ku midis të tjerave Agim Spahiu shkruan:

Mes luleve shkon e vjen në shkollën e fshatit,
në lulimin e manushaqeve si s'u kujtove
në kaçubën e gjelbër të përkulëse,
lulen erëmirë të këputje për mua?

Vërtetë si s'u kujtove te vish me një manushaqe?!

Poeti sublim e i perceptueshëm Agim Spahiu nuk i tha bash të gjitha. Ai punoi pareshtmërisht me epërinë e poetit dhe krijoj universin e tij krahasimisht me të tjerët. Paasilushmëria e veprës nga vitet që ikin nëpër mug flet qartë për përkryeshmërinë e veprës që la për lexuesit, qe padyshim është dhe testamenti i tij i çmuar, e megjithatë patregueshmërisht mbeti në mes të udhës. Muzën e Gjallicopikëllimës nuk e zbrazi dot. Ai iku nga kjo botë rrëmujthi e në kohë të kobeta. Pas kaq vitesh fatit tragjik të poetit i shkojnë për shtat vargjet e poetit Gëte:

Fati yt nuk do vajtuar,
Ta lakmojmë ne të tutë.
Se ty zemra të këndonte,
Në mot të egër a të butë.

HAKI KASUMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MUZEU I SPIUNAZHIT NË UASHINGTON TËRHEQ VIZITORË TË RINJ (07.20.2010)
GOLGOTA KOSOVARE NË GJUHËN RUMUNENga BAKI YMERI (07.16.2010)
ME RASTIN E 150 VJETORIT TË KOMPOZITORIT GUSTAV MAHLER (07.14.2010)
LASGUSH PORADECI - VIJA THEMELTAREEssé nga SKËNDER LUARASI( Shoqëruar me një letër të Lasgushit dërguar M. Kutelit dhe me një shënim përkatës për botimin tonë nga Petro Skënder Luarasi ) (07.04.2010)
FILLON NË UASHINGTON FESTIVALI FOLKLORIK SMITHSONIAN (07.03.2010)
VLERA TË REJA RUMUNE NË GJUHËN SHQIPE - POEZIA DHE PËRJETËSIA FEMËRORENga ALBERT KOVÀCS (07.01.2010)
PREZANTOHET ROMANI "GOJA E BOTËS" I SHKRIMTARIT TË NJOHUR ZIJA ÇELA (06.30.2010)
TRIUMF NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR (06.29.2010)
SHTËPIA BOTUESE "NACIONAL" PROMOVON TË HËNËN ROMANIN "SEKRETI I VARRIT TË VETMUAR" TË RESHAT KRIPËS (06.27.2010)
SHUHET SADRI AHMETI, POETI I GJUHËS SË EZOPITNga BEDRI MYFTARI (06.27.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]