VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Déjà vu/E ardhmja në mendjen tonë

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 03:01am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Déjà vu/E ardhmja në mendjen tonë
E Shtunë, 12.12.2009, 10:03am (GMT+1)

 

 

Që nga fillimi i kohërave, njeriu është subjekt i fenomeneve që arsyeja njerëzore nuk di t'i shpjegojë. Deja vu është një prej këtyre. Një kokërr rërë që duket se pengon mekanizmat e logjikës njerëzore. Vende që nuk i kemi parë kurrë më parë, e që megjithatë i kemi vizituar. Situata të papërjetuara asnjëherë, e megjithatë të njohura. Ndonjëherë një dije për të ardhmen që nuk mund të shpjegohet. Çfarë është ky fenomen i çuditshëm që është i njohur qysh prej lashtësisë dhe megjithatë po që prej lashtësisë ka qenë i mbështjellë me mister? A ekziston një shpjegim i vetëm dhe i pangatërrueshëm? A është një gropë e memories sonë, apo një mesazh që na vjen nga realitete paralelë që janë ende të panjohur për ne?

 

Realiteti është një "trekëndësh katërkëndor", domethënë diçka kontradiktore nëse nuk specifikohen parametrat brenda të cilëve ne lëvizim.

 

"Kjo gjë më ka ndodhur njëherë". "Në këtë vend më duket se kam qenë". Janë këto format më tipike, në të cilat manifestohet fenomeni i deja vu-së. Edhe pse më pas, po të vëresh mirë e me kujdes, përtej një ndjesie të fortë reminishence fillestare, pothuajse asnjëherë nuk pasohet nga një kujtesë e detajeve. Tamam sikur një pjesë e jona e di mirë, se gjërat në të vërtetë nuk janë tamam kështu. Po çfarë mendon në lidhje me fenomenin Arthur Funkhouser, ekspert, një prej psikologëve më të mëdhenj botërorë i deja vu-së, i cili rrëfen për fenomenin. "Kur isha shumë i ri, pata një seri eksperiencash shumë të fuqishme, të cilat dukej se i përkisnin kategorisë së paranormales. Kam qenë kahera i apasionuar pas shkencave dhe pas fizikës e megjithatë nuk arrija asnjëherë që të shpjegoja se çfarë kishte ndodhur. I përsërisja vetes sime se kjo gjë ishte e pamundur. Më duhet të pranoj se e gjitha më vinte në siklet shumë të madh, kështu që nisa të flas në lidhje me këtë, me persona të ndryshëm, por askush nuk dinte të më thoshte asgjë. Më në fund, një person m'u përgjigj: Aha, ti je duke folur për deja vu-në. Dhe më dha në dorë një një libër të vogël, që fliste pikërisht për këtë argument. Në këtë mënyrë, nisi udhëtimi im në këtë botë misterioze.

 

Funkhouser, ashtu si shumë psikanalistë të tjerë në punën e tij eksploron lidhjet e ndryshme mes realitetit të ëndrrave dhe memories, mes botës së mistershme të ëndrrave dhe më tej botës edhe më misterioze të deja vu-së.

Endrrat na shfaqen në struktura dhe fizionomi gjithmonë të ndryshme, secila me domethënien e saj të fshehur. A mund të pohojmë të njëjtën gjë edhe për deja vu-në? Disa këmbëngulin se janë madje në gjendje që të parashikojnë të ardhmen, ashtu si në ëndrrat parashikuese. Çfarë marrëdhënie ekziston ndërmjet deja vu-së dhe ëndrrës dhe, më tej, ekziston një lloj i vetëm i deja vu-së, apo format që ajo mund të shfaqet janë të shumëfishta?

 

"Mendoj, se është shumë e rëndësishme që të bëjmë dallimin ndërmjet përvojave të ndryshme që zakonisht ne i quajmë deja vu", thotë psikologu Funkhouser. "Për mua është e ndarë në tre pjesë. Ajo që e quaj deja vecu është kur koha luan një rol të rëndësishëm në eksperiencën e përjetuar, ndodh një gjë dhe e dimë tashmë se çfarë është duke ndodhur. Më pas, është deja visite, apo më saktë të vizitosh një vend për herë të parë, duke e ditur, ndërkohë se çfarë do të gjesh aty, për shembull të gjesh se çfarë ka pas qoshes së rrugës. Nuk është një çështje kohe, por është një njohuri paraprake e hapësirë, gjeografike.

 

Dhe është eksperienca e tretë që unë e quaj deja senti, ose më saktë e ndjerë më parë, domethënë që ta kesh provuar një herë një emocion të caktuar, një ndjesi të caktuar".

 

Çdo rast i deja vu-së duket i ndryshëm nga të tjerët. Por çfarë ka për të thënë një tjetër ekspert, një ekspert që ndodhet në anën tjetër të oqeanit, në Amerikë, në Seattle. "Më shumë se sa llojet e ndryshëm të deja vu-së, ne duhet të analizojmë shkaqet, sepse duhet të dini që nuk ka një shkak të vetëm, por janë plot 71 të tillë", thotë Vernon Neppe, neurolog. "Për ta thjeshtësuar, mund ta ndajmë deja vu-në në pak kategori të mëdha. E para, përfshin deja vu-në që ne e quajmë të tipit shoqërues, që vjen për shkak të stresit, të ankthit. Ajo sjell trazime të shkurtër të kujtesës dhe të perceptimit. Ose më saktë, bëhet fjalë për probleme komunikimi ndërmjet kujtesës afatshkurtër dhe kujtesës afatgjatë. Ka pastaj eksperienca që shkojnë në kufijtë e paranormales si parandjenjat e këqia, apo gjëra të tjera si këto. Ka persona që e dinë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në këtë rast ka një shtrembërim të qartë të perceptimit të kohës. Lobi temporal i trurit pëson luhatje që janë vështirë të shpjegohen dhe një prej këtyre luhatjeve prodhon deja vu-në.

 

E dyta, është deja vu-ja psikotike, apo më saktë kur interpretohet keq realiteti. Kjo është ajo që e quajmë deja vu skizofrenike, e cila është shpesh herë e lidhur me atakët e panikut apo edhe format më të rënda të epilepsisë".

 

Kujtesa njerëzore është një mekanizëm kompleks që përfshin zona të ndryshme të trurit si neokorteksi dhe amigdali, por organi kryesor kur flasim për kujtesën është hipokampusi, zona që është direkt përgjegjëse për kujtesën, ndjenjat dhe më në përgjithësi për perceptimin tonë mbi realitetin. Po çfarë ndodh nëse hipokampusi, i aktivizuar nga një ndjesi e gabuar familjariteti bie në gabim? Ndoshta ndodh që realiteti nuk është më realitet? Deja vu-ja vë në një provë të vështirë çdo lloj bindjeje shkencore. A mundet një qenie njerëzore që të eksperimentojë telepatinë, apo mprehtësinë? Pra, a mundemi që të parashikojmë të ardhmen? Duket se është ky rasti i një gruaje belge 40-vjeçare, e cila, e ftuar nga një miku i saj pianist për të dëgjuar melodinë e re që ai sapo kishte kompozuar, me të dëgjuar notën e parë, në mënyrë të pashpjegueshme ishte në gjendje që të fërshëllente të gjithë pjesën tjetër të melodisë.

 

"Ai i gruas belge është në rast normal, por duhet thënë se shumica e rasteve janë absolutisht normalë. Nuk ka asnjë lloj arsyeje që të shqetësohemi, nëse herë pas here na ndodh që të kemi një deja vu. Për fat të keq, shumë njerëz tremben. Shtatëdhjetë përqind e popullsisë, kur janë pak në ankth apo të shqetësuar e provojnë, ndonjëherë edhe në mënyrë të shpeshtë", thotë Funkhouser.

 

"Kjo gjë më ka ndodhur një herë", "në këtë vend unë kam qenë më parë". Termi është pagëzuar nga një psikolog francez, Meile Boirac, në vitin 1876. Para tij, fenomeni njihej me emrin paramnezia. Dëshmi të tilla ka edhe në veprat e Platonit. Edhe dishepulli më i madh i Frojdit, Gustav Jung, ka lënë dëshmi të këtij fenomeni. Eshtë një fenomen ky që të gjithë e kemi përjetuar nga një herë. Kush nuk e ka patur asnjëherë ndjesinë që ka qenë një herë në një vend të caktuar edhe më parë?

 

Kemi dashur që të përfshijmë në këtë artikull një person që ka dërguar një letër, e cila rrëfente në fakt një letër që kishte lidhje pikërisht me fenomenin e deja vu-së. Cili është raporti i saj me deja vu-në? "Unë nuk kam menduar asnjëherë për deja vu-në", thotë Stefania (ky është emri i personazhit). "Por, disa vite më parë, më ndodhi diçka që m'u duk goxha e çuditshme. Shkuam në Venecia me disa miq të mi dhe menjëherë sapo mbërritëm në qytet, u ndjeva shumë e lodhur. Mendova në moment për faktin që e kishim kaluar të gjithë natën në tren dhe që nuk kisha pushuar. Shkova pra në hotel dhe nisa të ndihem keq. Pata një takikardi. Isha në moshën 28-vjeçare dhe nuk mendoja aspak për këto gjëra. Më pas, dola nga hoteli, hodha një sy rreth e rrotull dhe më dukej sikur kisha qenë një herë në atë vend. Mendova për një film që e kisha parë tashmë. Megjithatë, në të njëjtën kohë vazhdoja të ndjeja këtë takikardi dhe ndihesha përsëri keq. Për fat të mirë, mes grupit tonë miqësor ishte një mjek dhe ai më dha një qetësues. Mendova me vete: epo në darkë do të shtrihem dhe do të pushoj. Por, gjatë të gjithë natës nuk vura gjumë në sy".

 

Po çfarë ka në të vërtetë interesante kjo histori? Rrëfimi i Stefanias vazhdon: "Në mëngjes u zgjova dhe dola, bëmë shëtitje nëpër Venecia dhe unë praktikisht i dija dhe i njihja të gjithë vendet ku shkonim. Kaluam nga pallati i famshëm Ca' d'oro. Shikoja gondolat dhe më shkaktonin siklet, ndjeja përbrenda gjëra, të cilat nuk i kam kuptuar asnjëherë. Isha tamam si në një gjendje ekstaze. Në Venecia qëndrova për tre ditë dhe çdo ditë ndihesha më keq se në ditën paraardhëse, aq sa në ditën e fundit miqtë e mi vendosën të bëjnë një vizitë tek Murano dhe Burano. Por edhe kur mbërritëm atje, unë praktikisht njihja dhe dija gjithçka për Muranon dhe Buranon. Njëri prej miqve të mi më propozoi që të shkonim dhe të shikonim Ferraran. U thashë që, përderisa unë ndihem keq, nuk kemi pse të shkojmë në Ferrara, shkojmë më mirë në Romë. Por ata këmbëngulnin në të tyren dhe miku im doktor më jepte qetësues. Dhe më në fund vendosa të shkoj në Ferrara, ku për çudi u ndjeva shumë mirë. Nuk e kisha parë asnjëherë Ferrarën, përveçse në televizor apo kartolina, dhe ndihesha shumë, shumë mirë. Dhe duke qenë se kur ndodhesha në Venecia isha në ankth dhe ndihesha keq gjatë të gjithë kohës, ndërkohë që në Ferrara bëhesha menjëherë mirë, atëherë më ngeli në mendje një pikëpyetje e madhe në lidhje me këtë gjendje timen"?

 

Çfarë të habit në rastin e zonjës Stefania? Zakonisht, kur ne kujtojmë diçka, kur mendojmë se kemi qenë një herë në një vend të caktuar, kjo ndodh për pak minuta dhe më pas fenomeni zhduket. Disa thonë se, kjo nënkupton që kemi kujtime, të cilët truri ynë i bashkon vetë në mënyrë automatike. Ndërkohë që, rasti i Stefanias është pak më shumë i ndërlikuar. Për këtë arsye, rasti iu parashtrua profesorit të Seattle, Vernon Neppe.

 

"Ky është një rast i jashtëzakonshëm. Të kesh tre ditë me radhë, deja vu është vërtetë e veçantë, shumica e njerëzve kanë deja vu vetëm pak herë gjatë të gjithë jetës së tyre. Mund të jetë normale që të shkosh në Venecia dhe të të duket sikur ke qenë një herë aty, po, por kjo vetëm për disa sekonda, dhe jo ashtu si i ka ndodhur Stefanias. Kjo histori vë në krizë çdo lloj shpjegimi univok në lidhje me këtë fenomen. Ngrihet pyetja, përse vetëm atje, përse vetëm ato tre ditë dhe, më pas, pas Venecias, asgjë më?

Për më shumë se një dekadë, tezat e Vernon Neppet dukeshin më prestigjiozet në skenën ndërkombëtare. Kjo, deri në vitin 2006, kur një artikull që u botua në revistën autoritare "Science" ka shkartisur letrat dhe ka shkundur nga themelet komunitetin shkencor. Kjo, edhe për arsye se personi që ka autorësinë e atij artikulli nuk është një person dosido, por një shkencëtar prestigjoz, fitues i Çmimit Nobel për mjekësinë, i cili i la studimet e tij të mëparshme, në kulmin e suksesit akademik, për t'iu dedikuar studimit të deja vu-së.

 

"Ne nuk e njohim të gjithë mekanizmin e deja vu-së, por vetëm një pjesë të tij", thotë fituesi i Çmimit për Mjekësinë në 1997, Susumu Tonegava. 'Ajo që ne besojmë se ndodh është: në trurin tonë kemi që një qark që proceson dhe arkivon informacionet që ne marrim dhe që shkojnë dhe formojnë kujtesën. Kur takon dikë, kur sheh një vend për herë të parë e njeh, e kujton, apo e di që nuk e ke parë asnjëherë më parë atë hapësirë apo atë person. E bëjmë këtë gjë gjatë të gjithë kohës, edhe tani që jemi duke folur madje. Por ndonjëherë, skena të caktuara janë kaq të ngjashme, dhe informacionet që të vijnë nga realiteti të kujtojnë një tjetër skenar, të cilin nuk jemi më në gjendje që ta dallojmë. Një pjesë e trurit, hipokampusi, të thotë: kjo nuk është hera e parë që t'i je këtu, sepse kujton në fakt një vend të ngjashëm dhe hyn në një lloj qarku të shkurtër. Por pjesa tjetër e trurit, i quajtur neokorteks ka një hapësirë më të madhe të të gjithë situatave të përjetuara më parë dhe të thotë: Jo, kjo është hera e parë që t'i je këtu. Pikërisht këtu lind edhe konflikti".

 

E reja më e madhe që sjellin studimet e Susumu Tonegavës, është se ai merret me trurin e kavieve minj, të cilëve përmes manipulimeve gjenetike u ndryshihen disa celula cerebrale. "Tek minjtë e ndryshuar gjenetikisht është e vështirë që të dallojnë, me fjalë të tjera është njësoj si të jenë viktima të një deja vu-je kronike, ngatërrojnë gjëra që u kanë ndodhur me gjëra që nuk i kanë ndodhur asnjëherë më parë. Kemi parë veprimtarinë e minjve të angazhuar në një aktivitet eksplorues, kemi parë sjelljen e mutantëve në dy vende të ndryshëm, i kemi vënë në një vend, më pas në një tjetër dhe më pas kemi bërë të njëjtën gjë me minjtë normalë. Në të dy ambientet, mutantët ndjekin të njëjtën skemë sjelljeje, ndërkohë që minjtë normalë e ndryshojnë atë. Nga kjo mund të supozohet se një kategori e minjve arrijnë që të bëjë dallimin dhe tjetra jo".

 

Në vitet tetëqind, kompleksiteti i trurit ishte krahasohej me centralin e telefonit. Ndërsa sot flitet më shumë për një kompjuter të sofistikuar, por sa më shumë që kërkohen krahasime, aq më shumë bëhemi të vetëdijshëm se këto nuk janë veçse hije të potencës cerebrale. Po sikur truri i njeriut të jetë shumë më tepër se sa ajo që ne mendojmë? Një entitet i pafundëm ashtu si universi? Teoritë e reja të Susumu Tonegavës megjithatë nuk kanë bindur studiuesit e shumtë që merren prej vitesh me këtë çështje. Ashtu si mund të pritej, kur flitet për deja vu-në, dera mbetet ende e hapur.

 

"Do të doja të dija, minjtë a mund të flasin? Sigurisht që ata kanë një gjuhë të tyren, por sigurisht që ne nuk na japin intervista", thotë një kundërshtar i profesorit Tonegava: "Unë nuk mendoj se minjtë janë në gjendje të na thonë, nëse kanë patur apo jo një deja vu, për këtë arsye mendoj se të gjithë këto teori nuk kanë asnjë bazë, pikë së pari se nuk është askush që të na thotë se çfarë ka provuar, dhe së dyti, sepse truri i një miu nuk është i zhvilluar aq sa duhet.

 

Mbërrimë kështu në hipotezën përfundimtare për fenomenin misterioz të deja vu-së. Kemi parë se bota shkencore është e ndarë më dysh në lidhje me zgjidhjet e mundshme që kanë të bëjnë me fenomenin e deja vu-së, kemi parë mendimin e shkencëtarëve, psikiatërve dhe psikanalistëve. Duket qartë se, zgjidhjet nuk konkordojnë me njëra-tjetrën, por nga ana tjetër as nuk mundemi që të themi se ky fenomen nuk ekziston. Jemi përpjekur kështu që thjeshtë të krijojmë një ide, por tashmë, duke iu qasur nga një tjetër këndvështrim. Duke hyrë në botën e paranormales.

 

Atëherë, a mos është kujtesa pararendëse e një jete paraardhëse shpjegimi i vërtetë i deja vu-së? Por edhe nëse do të pranohej kjo mundësi, a është vërtetë e besueshme që kujtesa jonë të shkojë kaq shumë prapa në kohë, atëherë kur kemi qenë një person tjetër në një epokë tjetër? Duket se këtë teori do ta konfirmonte më së miri ajo që i ndodhi shekullin e kaluar një zotërie me emrin Paul Videl, i cili ndërkohë që ndodhej në ceremoninë e varrimit të një princeshe angleze, pati ndjesinë se kish marrë pjesë një herë në këtë dhimbje të tmerrshme.

 

Remo Bodei, filozof që është marrë shumë me fenomenin, thotë se "një mjek anglez, Artur Vigan, në vitin 1844 kishte shkruajtur një libër që prekte temën e deja vu-së dhe që nisej nga ideja se në dy hemisferat e trurit, nocionet mbërrijnë ndonjëherë në kohë që ndryshojnë nga njëra-tjetra me një fraksion të sekondës, pra, më parë në njërën hemisferë dhe më pas në tjetrën".

 

Ne kemi vendosur që të mos ndalemi, por që të shkojmë dhe të kërkojmë përgjigjet në vendin ku studimi i deja vu-së ka kryer hapat më të mëdhenj. Në Universitetin e Neuropsikiatrisë në Leeds, doktor Kris Mourin udhëheq një ekip studiuesish që, nëpërmjet teknologjive të sofistikuara studion deja vu-në kronike, apo më saktë kur deja vu shndërrohet në një sëmundje të vërtetë. Njëri prej rasteve më të jashtëzakonshme të deja vu-së i ndodhur një zotërie të moshuar anglez, Farell, i cili kur u thirr për ekzaminimin e parë refuzoi që të shkonte në klinikë, sepse këmbëngulte që kish qenë tashmë një herë aty dhe i kishte kryer të gjithë vizitat.

 

'Farell ishte me të vërtetë një rast interesant", thotë Mourin. 'Kur ai erdhi këtu në klinikë dhe unë e vizitova, e kuptova menjëherë se kujtonte fjalë që nuk i ishin thënë asnjëherë. Në jetën e përditshme ai kishte pushuar së pari, televizorin dhe të lexonte gazetat. E shoqja e pyeste: Si ka mundësi që ti di gjëra të cilat nuk kanë ndodhur ende? Dhe ai i përgjigjej: Eshtë e lehtë, thjeshtë sepse më kujtohen".

 

Eshtë ndoshta në ngjashmërinë e këtyre personave që mund të gjendet një shpjegim i pranueshëm për përvojën e jashtëzakonshme të zonjës Stefania në Venecia?

"Herën e parë që shkova në Nju Jork, e njëjta gjë më ndodhi edhe mua", vazhdon Mourin. "Pata një deja vu kronike. E njihja shumë mirë Nju Jorkun e televizionit dhe gazetave dhe kisha shumë pritshmëri të miat. Dhe janë pikërisht pritshmëritë që shkaktojnë këto lloj situatash. Sa më shumë që ndodh për një gjë, aq më shumë ajo ndodh. Në fund të udhëtimit mund të thuhet vetëm se nuk ekziston një e vërtetë e vetme".

 

A do të mbërrijë ndonjëherë dita kur qeniet njerëzore do të dinë gjithçka në lidhje me deja vu-në?

 

"Truri është ende një kufi i dijes sonë dhe duhet që ne të dimë më shumë", thotë Mourin, "duhet që të bëjmë hapa përpara sa i përket neurologjisë, psikologjisë dhe shkencës. Në njëzetë vitet që do të vijnë do të bëhen hapa gjigandë në këtë drejtim, për këtë unë jam i sigurtë".

 

Shkencëtarët: Telepatia është reale

 

Shumë njerëz kanë marrë një telefonatë nga një person, pikërisht teksa ishin duke menduar për të. Tani, një studim i ri pretendon që kjo formë e telepatisë mund të mos jetë thjeshtë koinçidencë. Biologu Rupert Sheldrake nga Kolegji i Trinitretit në Angli, tha se forma më e zakonshme e telepatisë në botën moderne ndodh kur dikush mendon për dikë për asnjë arsye të dukshme dhe më pas, ai person telefonon. Për të zbuluar nëse ky fenomen është një iluzion masiv apo realitet, katër pjesëmarrësve në një eksperiment iu tha se do të merrnin një telefonatë nga një prej katër miqve. Më pas, studiuesit hodhën zarat për të përzgjedhur telefonuesin. Më pas, të përzgjedhurve iu kërkua që t'i telefononin pjesëmarrësit në studim, të cilit iu kërkua të parashikojë se cili nga katër miqtë e tyre ishte duke i telefonuar, përpara se të ngrinin telefonin. Ligjet e probabilitetit thonë se pjesëmarrësit duhet të gjejnë emrin në 25% të kohës. Por Sheldrake zbuloi se shumica e pjesëmarrësve e gjetën saktë telefonuesin në 45% të kohës. Të njëjtin rezultat pati edhe me njerëz të cilëve iu kërkua të gjenin një nga katër njerëzit që do u dërgonin një e-mail, përpara se ta merrnin.

 

Sheldrake, që beson në ndërlidhjen e të gjithë mendjeve brenda një grupimi social, thotë se tashmë po i shtrin eksperimentet e tij për të parë nëse fenomeni funksionon edhe me mesazhet në telefonat celularë. "Nuk është thjeshtë rastësi", thotë ai. "Kjo është provë që tregon se diçka po ndodh me të vërtetë".

 

 

A po jetojmë në një ëndërr?

 

Ka patur gjithmonë disa njerëz gjatë historisë së njerëzimit që kanë besuar se jeta nuk është reale. Ata kanë thënë se jeta nuk është asgjë veçse imagjinata jonë që krijon skenarë. Me shumë gjasa, pikërisht prej këtu mund të ketë lindur edhe ideja për filmin "The matrix". Sipas këtyre njerëzve, ne të gjithë jemi energji, energji që ëndërron se jemi qenie njerëzore me trupa realë. Sigurisht, nëntëdhjetë e nëntë përqind e njerëzve që lexojnë këtë artikull mendojnë se e gjithë kjo teori është një marrëzi e vërtetë. Nëse do të ishte kështu, atëherë pasojat për ne do të ishin të jashtëzakonshme. Do të nënkuptonte se çdo person që kemi takuar ndonjëherë ka ekzistuar vetëm në imagjinatën tonë. Sigurisht që ky do të ishte një mendim i tmerrshëm, sidomos kur nis e bën fjalë për njerëzit e familjes.

 

Një tjetër mendim që të vjen në mendje është: përse vallë mund të jetë duke ndodhur një gjë e tillë? Sigurisht do të thoshte se një qenie më e lartë është duke na kontrolluar. Shumica e feve na mësojnë se Perëndia është qenia supreme dhe që, nëse bëjmë një jetë të mirë, do të shpërblehemi e do të shkojmë në parajsë e nëse jo, atëherë më mirë të gjejmë veshje që i rezistojnë zjarrit. Është e qartë se janë të shumtë misteret që lidhen me jetën dhe disa prej tyre madje janë kaq kompleksë, saqë ne nuk kemi asnjë lloj shansi që t'i zgjidhim me anë të mendjes sonë të vockël. Një mister i tillë është se si mundet universi të ketë ekzistuar gjithmonë? Ne të gjithëve na pëlqen të besojmë se çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Çdo lloj koncepti tjetër e lëndon mendjen tonë. Çdo gjë është e kufizuar dhe asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Por, po sikur kjo të jetë thjeshtë në imagjinatën tonë, që ky koncept të jetë i gabuar? Po sikur të jetë thjeshtë imagjinata jonë dhe të rezultojë se çdo gjë zgjat përgjithmonë, pasi energjia nuk vdes kurrë, siç thoshte Ajnshtaini?

 

Nëse ndodh që - dhe kjo nuk ka pothuajse aspak gjasa - të kenë të drejtë ata që mendojnë se kjo jetë është vetëm një ëndërr, atëherë me siguri është duke ndodhur diçka tjetër. Interesant është fakti sikur çdo gjë që ne mendojmë se e dimë, të jetë e gabuar. Ligjet e fizikës do të ishin krejt të gabuar, pasi nuk do të kishte një botë fizike dhe madje ndoshta as edhe një univers fizik, por në vend të kësaj diçka tjetër që do të ishte kokë e këmbë një mister për ne. Kohët e fundit, disa shkencëtarë kanë deklaruar se besojnë që ka një dimension tjetër që përmban energji. Të paktën janë shpikës. John Hutchinson ka punuar në këtë drejtim dhe ai pretendon se ka mundur të sigurojë burimin e kësaj energjie të pafund, por vetëm në mënyrë jo të rregullt. Me fjalë të tjera, ndonjëherë eksperimentet funksionojnë dhe ndonjëherë jo. Por një gjë e tillë nuk e ka ndalur ushtrinë e SHBA që të interesohet për punën e tij.

A mund të ketë dimensione të tjerë përveç atij që ne besojmë se jetojmë dhe që të gjithë ata të jenë energji e një lloji apo një tjetri, gjë që na çon ne në teorinë se dimensioni ynë është në të vërtetë një dimension energjie dhe që ne thjeshtë mendojmë se është një dimension materie? Sidoqoftë, ka një anë ku ngec kjo teori, pasi si mund të besojmë ne çfarëdolloj fakti që do të gjejmë në kërkimin tonë, nëse i gjithë ky ku jetojmë është iluzion? Kjo do të nënkuptonte se ndoshta nuk ka dimensione të tjerë dhe që ndoshta ne jetojmë në të vetmin dimension. Këto janë gjëra që me të vërtetë e ngatërrojnë mendjen tonë. Ndoshta mund të hyjnë në kategorinë e paranormales. Ndoshta ata njerëz që besojnë se kanë parë shpirtëra mund të kenë parë, ndoshta, se si dukemi ne në të vërtetë? Nuk është fjala për qenie të vdekura, aspak, por për qenie të përbëra në tërësi prej energjisë.

 

A mund të ndodhë që një formë më e lartë jete është duke na testuar me iluzione për të parë cila është natyra jonë e vërtetë? Kjo qenie supreme do të njihej si Perëndia. Ne dëgjojmë shpesh rrëfime për rimishërimin. Shumë fëmijë nën moshën 5-vjeçare duket sikur kujtojnë gjithfarësoj informacionesh për jetën e mëparshme. A mundet që ato të mos jenë thjeshtë jetë të mëparshme, por ëndrra të mëparshme? Sa shumë njerëz që investigojnë këto lloj gjërash do të besonin se kjo është e mundur? Eshtë kjo ndoshta një teori për të mos u dashur, pasi do të nënkuptonte që i gjithë progresi që ka bërë njeriu nëpër shekuj do të ishte hiçgjë.

 

Shanset më të mëdha janë që kjo teori të mos jetë asgjë më shumë se sa një falsitet, por gjithsesi nga ana tjetër, gjithmonë ekziston ai shans minimal që një gjë të jetë e vërtetë, sado e çuditshme të tingëllojë ajo. Ndoshta një copëz shumë e vogël e teorisë mund të jetë e vërtetë, le të themi ajo pjesë që thotë se ne jemi qenie energjie. Ne e dimë se trupi i njeriut funksionon me elektricitet. Dimë gjithashtu se shumica e besimeve fetarë thonë që kemi një shpirt. A mos ndoshta shpirti është i përbërë nga energjia dhe kjo çlirohet kur vjen vdekja? Shumica e botës beson se shpirtërat tanë çlirohen pas vdekjes.

 

Nëse ne jemi duke ëndërruar, a ndodh që diku, dikur të zgjohemi dhe të shohim se si qëndrojnë gjërat në realitet? Ndoshta e gjithë kjo duhet harruar. Ndoshta duhet të vazhdojmë të besojmë se jetojmë një jetë reale, me njerëz realë dhe ngjarje të vërteta. Deri kur të bindemi për të kundërtën, ndoshta duhet të vazhdojmë të mendojmë kështu. Përndryshe, cili do të ishte kuptimi i jetës, i marrëdhënieve...?

 

 

Helikopterët e zinj

 

Më 7 maj 1994, një helikopter i zi iu qep pas një djaloshi adoleshent për 45 minuta në Harrahan, Louisana. Pamja e jashtme e helikopterit nuk jepte asnjë të dhënë, pasi nuk kishte asnjë shenjë të origjinës apo të pronarit. Djaloshi nuk u tmerrua aq shumë nga natyra ogurzezë e vetë mjetit, sesa nga qëndrimi kërcënues i atyre që ndodheshin brenda tij, të cilët, më pas, kishin zbritur dhe i kishin drejtuar armët. Djaloshi nuk kishte as idenë më të vogël pse helikopteri e kishte vënë në shënjestër. Shefi i policisë nuk ishte i gatshëm të përgjigjej dhe la të kuptohej se helikopterët i përkisnin qeverisë amerikane dhe se kjo çështje ishte jashtë përgjegjësisë së tij.

Një javë më vonë, disa persona që udhëtonin me një makinë pranë Uashingtonit, morën të njëjtin trajtim. Edhe ata u ndoqën për disa kilometra prej helikopterit. Nuk ishin në gjendje të bënin asgjë dhe kur shoferi u përpoq të dilte nga rruga, një shkallë me litarë u ul poshtë dhe disa njerëz me uniforma të zeza dhe armë në duar nisën të zbrisnin. Nuk kishin mundësi tjetër, përveçse të bënin atë që donin njerëzit me uniformë. Shoferi e quajti veten me fat që denduria e trafikut e detyroi mjetin ajror që, më në fund të tërhiqej, por ai nuk dëshiron të mendojë se çfarë do t'i kishte ndodhur nëse rruga do të kish qenë e boshatisur.

 

Më pas, një helikopter i zi fluturoi mbi fermën e një çifti në Nevada. Duke spërkatur vendim me një substancë të panjohur në atë zonë, ai kishte vrarë dhjetëra kafshë dhe disa muaj më vonë bimësia përreth zonës vijonte të ishte e dëmtuar. Autoritetet zyrtare mohuan të kishin dijeni për ekzistencën e helikopterit.

 

Helikopterë të zinj misteriozë, janë shfaqur vazhdimisht dhe kanë tmerruar viktima krejtësisht të pafajshme. Shpeshherë ata duket se kanë lidhje me gjymtimin e bagëtisë. Edhe më shqetësues është fakti që pasagjerët e helikopterëve nuk tregojnë aspak se kanë qëllime paqësore dhe janë të përgatitur të përdorin madje, armët dhe mjete të tjera të dhumshme, duke mbajtur të fshehtë identitetin e tyre gjatë gjithë kohës.

 

Spërkatja e mjediseve urbane dhe rurale me kimikate të panjohura, vrasjet pa asnjë arsye të kafshëve dhe bimëve, bëhen përherë e më të frikshme. Nuk dihet nëse këta helikopterë mund të kenë lidhje me njerëzit misteriozë me të zeza. Ata që kanë guxuar të fotografojnë helikopterët, thuhet se janë larguar nga zona prej njerëzve me uniforma të zeza dhe janë kërcënuar se po t'i tregojnë ndokujt do të gjejnë vdekjen. Atyre u janë konfiskuar gjithashtu aparatet dhe filmi. Ne nuk mund të dimë nëse helikopterët e zinj janë një fenomen jashtëtokësor apo nëse u përkasin departamenteve qeveritare. Por e sigurt është se ata nuk vijnë paqësisht dhe nuk janë aspak të përgatitur që t'u përmbahen parimeve themelore demokratike.

 

 

Projekti Serpo - Fakt apo sajesë?

 

"Së pari, më lejoni të prezantohem. Jam një punonjës tashmë në pension i qeverisë së SHBA. Nuk dua të hyj shumë në detaje për të kaluarën time, por kam qenë i angazhuar në një program special". Ishte kjo deklarata e hapjes e dërguar nga një burim anonim në nëntor 2005, në drejtim të një grupi diskutimi në internet, që koordinohej nga Viktor Martinez, një i punësuar në administratën amerikane. E-mailet zbuluan ekzistencën e Projektit Serpo, që supozohet se është një program shkëmbimi ndërmjet qeverisë amerikane dhe jashtëtokësorëve nga Serpo, një planet në sistemin e yjeve Zeta Retikuli. Thuhet se programi e ka fillimin pasi dy UFO u përplasën në Rosuell dhe Korona në vitin 1947. Thuhet gjithashtu, se i vetmi jashtëtokësor që mbijetoi ka ndihmuar ushtrinë amerikane në vendosjen e kontakteve me Ebenët, qeniet e ngjashme me të në Serpo. Ky lloj komunikimi çoi në një program shkëmbimi në vitin 1965, ku 12 ushtarakë të specializuar të ushtrisë së SHBA kanë shkuar në Serpo në bordin e një anije hapësinore të Ebenit, si pjesë e një misioni 12- vjeçar për të mësuar më shumë në lidhje me gjeologjinë dhe biologjinë e Serpos, si dhe për të mësuar më shumë për Ebenët.

 

Gjatë misionit, u mësua se Serpo është afërsisht 37 vite dritë larg nga Toka, ka dy diej, është pak më i vogël se Toka dhe ka një atmosferë të ngjashme. Megjithatë, nivelet e rrezatimit në Serpo ishin më të mëdhenj se të Tokës, kështu që ekipit iu desh të mbajë mbuluar trupat gjatë gjithë kohës. Ebenët kishin udhëheqës, por jo një formë reale qeverisjeje dhe jetonin në komunitete të vegjël, me një qytet të madh që funksiononte si pikë qendrore e qytetërimit të tyre. Popullsia totale në planet ishte afërsisht 650 000.

Ekipi me 12 pjesëtarë qëndroi në Serpo deri në 1978, kur shtatë burra dhe një grua u rikthyen në Tokë. Dy pjesëtarë vdiqën në Serpo, ndërkohë që dy të tjerë vendosën të qëndrojnë. Me rikthimin në Tokë, ekipi u izolua deri në vitin 1984. Nga të tetët që u rikthyen, të gjithë kanë ndërruar jetë tashmë për shkak të rrezatimit të tepruar të shkaktuar nga dy diejt e Serpos. Asgjë nuk dihet për të katërtët që mbetën prapa. Të gjithë këto të dhëna e patën fillesën nga një burim abonim që thuhet se ka patur akses në kaseta audio të raportimit të atyre që u rikthyen në tokë (forma e shkruar përbëhet nga Projekti Serpo, 3000 faqe pjesë të të cilit mund të gjenden në faqen e internetit www.serpo.org). Është një histori e bukur, një rrëfim që duket se ka një unazë të vërtetë brenda dhe një version që ka qarkulluar mes studiuesve të UFO-ve për më shumë se 20 vite. Por duke ditur aq shumë gjëra në lidhje me mashtrimet e mëparshme me UFO, a mund ta pranojmë si të vërtetë Projektin Serpo?

 

Një histori e vjetër, por edhe e re

 

Shkrimtarja dhe regjisorja Linda Moulton ka qenë e para që ka folur për një program shkëmbimi tokë/alienë në 1983, atëherë kur bënte kërkime mbi UFO-t: The ET Factor, një dokumentar të porositur nga rrjeti televiziv HBO. Në atë kohë, asaj i kërkoi takim reshteri i Forcave Ajrore, Richard Doty, i cili i tha se i ishte dhënë miratimi që ta lejonte të transmetonte informacione dhe pamje filmike sekrete të forcave ajrore të SHBA në dokumentarin e saj.

 

Një pjesë e këtij informacioni, sipas tij, përfshinte një program shkëmbimi njerëzish që u larguan nga baza e forcave ajrore Holloman në vitin 1964, për të shkuar në Zeta Retikuli. Regjisores iu tha se tre njerëz u nisën, por njëri vdiq në planetin e alienëve; njëri u çmend (por nuk pati informacione për fatin e tij); dhe një u rikthye në Tokë e tashmë jetonte në një ishull sekret, i mbrojtur nga ushtria e SHBA. Doty premtoi që do të furnizonte Moultonin me materiale që do të konfirmonin ekzistencën e një race jashtëtokësorësh, duke përfshirë dokumente zyrtarë të qeverisë dhe ushtrisë, filmime dhe fotografi. Megjithatë, ai vazhdoi ta zvarrisë deri kur më në fund i tha se eprorët kishin vendosur që të mos nxirrnin më shumë informacione.

 

Pa provat e Doty, HBO hoqi dorë nga realizimi i dokumentarit në vitin 1984. Emri i Doty është shfaqur edhe në lidhje me të tjera sekrete qeveritare që lidhen me UFO, si për shembull dokumentet mbi MJ-12, kështu që nuk është habi të zbulosh se Doty (tashmë civil) ka gjithashtu lidhje me nxjerrjen e historisë së Projektit Serpo. Dhe vetë ky fakt e bën të dyshimtë historinë.

 

Përgjatë këtyre viteve, edhe studiuesve të tjerë të fenomeneve të UFO-ve u janë thënë histori të ngjashme mbi një program të fshehtë shkëmbimi mes SHBA dhe një race aliene, por burimet më të fundit kanë nxjerrë më shumë informacion mbi Serpo nga sa kish dalë deri më sot. Pyetjes përse historitë e mëhershme kanë ndryshuar sa u përket detajeve, është thënë se informacioni është nxjerrë qëllimisht copa-copa nga ata brenda qeverisë që mendojnë se sekrete të tillë nuk duhen mbajtur nga publiku dhe se gabimet janë të qëllimshëm për të fshehur identitetin e atyre që nxjerrin informacionin.

 

Ka patur zëra për nxjerrje të fotografive që janë realizuar në Serpo nga ekipi i programit të shkëmbimit, por deri tani asgjë nuk ka dalë. Deri kur të ketë prova reale, fizike për ekzistencën e Serpo, kjo histori duhet të trajtohet si një tjetër rrëfim i paverifikueshëm për UFO, sado intrigues. (http://www.rilindjademokratike.com)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Ish oficeri i sigurimit që ka spiunuar Herta Mylerin thotë se nuk e ka terrorizuar atë (12.10.2009)
Lamtumirë dekadës së mallkuar, më në fund!Nga Andy Serwer (12.09.2009)
Ramiz Alia: Studentëve duhet t'ua këpusni dy gishtat (12.07.2009)
Kostot e papërgjegjshmërisë intelektuale të simpatizantëve sovjetikë (12.06.2009)
Londra qyteti i simboleveNga DAVID HAMBLING (12.04.2009)
Një alarm i mirë nga NASA për vitin 2012 (12.01.2009)
Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit/Dy gabimet e mrekullueshme të Nënë TerezësNga David Van Biema, TIME MAGAZINE (11.28.2009)
Medvedevi para pasqyrës, sheh në të Putinin (III)Nga Teodo LAÇO (11.27.2009)
Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm (II)Nga Teodor LAÇO (11.26.2009)
Si erdhi Putini në krye të RusisëNga Teodor Laço (11.24.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]