VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Teknologjia që ia dha emrin dekadës

                                                                                      

E Mërkurë, 05.01.2024, 11:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Teknologjia që ia dha emrin dekadës


E Premte, 01.22.2010, 11:43am (GMT+1)

 

10 mrekullitë që "afruan" shekullin e ri

 

Mendoni pak ditët e fundit të vitit 1999. Tani, shihni përreth dhe vëreni gjithë sa mungon. Shumë prej produkteve dhe shërbimeve teknologjike që sot praktikisht na e vendosin informacionin në majë të gishtërinjve, na mbajnë të lidhur dhe na argëtojnë, si dhe na mundësojnë që në mënyrë të shpejtë dhe eficiente të blejmë pothuajse gjithçka, ose nuk ekzistonin ende, ose ende nuk ishin maturuar.

 

Atëherë, kur na duhej informacion ne nuk shkonim ta kërkonim në internet, sepse ai ishte i porsanisur dhe ende jo i organizuar si duhet. Veç kësaj, të kërkoje në internet ishte gjë e tmerrshme, sa i përket ngadalësisë, për arsye se shumica e amerikanëve përdornin modema dial-up me 54 kb për sekondë. Ne thjeshtë lexonim gazeta dhe revista të printuara.

 

Sa për argëtimin, atëherë dëgjonim CD në disc-playera të lëvizshëm me madhësinë e xhepit. Shkarkimi i këngëve mp3 ishte një opsion i ri dhe shpesh herë i paligjshëm për nxënës kolegjesh. Ende shihnim televizor në kohë reale.

 

Komunikonim shumë ndryshe. Telefonat celularë ishin vetëm për telefonata, ndonëse disa mundësonin edhe dërgimin e mesazheve. Por ne ende nuk ishim lidhur e rilidhur me miq e familje përmes rrjetëzimit social. Shumica prej nesh ende bezdiseshim prej mesazheve "Start me up" kur ndiznim kompjuterët tanë me Windows 95. Veç kësaj, kompjuterët i konsideronim thjeshtë mjete pune. Kompjuterët personalë nuk ishin bërë ende nyjat e jetëve tona personale.

 

Dhe teksa mbyllej 1999, ne nuk e kishim idenë se çfarë mrekullish do të na sillte shekulli i ri. Tani e dimë, dhe kjo është përshëndetja jonë për dhjetë produkte, shërbime dhe teknologji që e transformuan rrënjësisht dekadën e parë të shekullit 21. Si dhe një tribut për njerëzit me më shumë influencë.

 

1. GOOGLE

 

Eshtë Google një fallxhore, apo çfarë? Që në fillim, motorri i kërkimit ka prodhuar rezultate shumë të saktë kërkimesh. Këtë e bën duke përdorur një algoritëm të famshëm dhe sekret njëkohësisht. Në fakt, Google kish kohë që kish nisur rrugën e vet. Në vitin 1999, kompania merrte çmimin Technical Excellence aëard. Që atëherë, google ka qenë një fenomen i paarritshëm. Motorri i kërkimit tërhoqi shumë përdorues të internetit, të cilët zbuluan se mund të gjenin me shpejtësi pikërisht atë informacion që kërkonin. Në 11 korrik 2000, ai u bë motorri i kërkimit më i madh, me 1 miliard tema në indeksin e vet. (Sot Google nuk pranon të zbulojë madhësinë e indeksit, duke thënë vetëm që "gjatë vitit që kaloi ne e rritëm indeksin tonë me miliarda dokumenta").

 

Arritja e jashtëzakonshme e Google është se ai është shndërruar në trurin tonë. Këto kohë, kur duam informacion për një film, për një konvertim metrik, diçka historike, zgjidhjen për një problem programi në kompjuter, çmimin më të mirë për pothuajse çdo produkt, apo një adresë të saktë, ne thjeshtë e google-ojmë. Më shumë se 1 miliard kërkime kryhen në google përditë, dhe është faqja më e vizituar në internet, sipas Alexa. Dhjetë vjet më parë, Google ishte thjeshtë një motor kërkimi. Sot, konglomerati Google përfshin email, fotografi, video, programe produktiviteti në zyrë, një faqe për pazar, shërbim hartash, një platformë lidhjesh dhe një browser mes të tjerave. Shkurt, Google është vendi ku shkojmë për pothuajse gjithçka.

 

2. APPLE IPHONE

 

Apple iPhone ndryshoi përgjithmonë pritshmëritë tona për një telefon celular. Kjo mrekulli e vogël na mundëson të bëjmë telefonata, të lundrojmë në internet, të dërgojmë emaile, të shohim dhe rregjistrojmë video, të bëjmë fotografi dhe të luajmë.

 

Mijëra vetë nxituan të zënë radhën për të qenë të parët, që e shtinin në dorë këtë pajisje kur doli për herë të parë në 29 qershor 2007. Daljet e mëvonshme - iPhone 3G dhe iPhone 3GS - ishin më pak të kërkuar, por vetë pajisja sa vjen e përmirësohet.

 

Ekrani i shndritshëm me prekje, media playeri i paarritshëm si dhe kapaciteti i madh për depozitim të dhënash si kontakte dhe kalendarë e bëjnë njëkohësisht argëtues dhe të domosdoshëm. Me iPhonen, projektuesit e apple provuan edhe një herë se pajisje të tilla janë po aq të rëndësishme sa edhe teknologjia e dobishme.

Mundësitë e saj u zgjeruan në mënyrë eksponenciale në 11 korrik të vitit 2008, kur Apple hapi një App Store (dyqan prgramesh) që u mundëson përdoruesve të shkarkojnë programe për iPhone të prodhuar nga të tretë e që e shndërrojnë atë në një kompjuter xhepi, më të mirin në botë. App Store ka sot më shumë se 100 000 programe të disponueshëm për t'u shkarkuar dhe konkurentët kanë nxituar që atëherë që të krijojnë edhe ata dyqanet e tyre virtualë për programe.

 

Apple iPhone është përpjekja më e suksesshme për konvergjencë në historinë e produkteve teknologjike. Nuk është habi që Apple ka shitur tashmë më shumë se 30 milionë iPhone.

 

3. APPLE IPOD

 

Nëse jeni si shumëkush prej nesh, duhet ta mbani mend herën e parë që keni mbajtur një iPod në duar dhe jeni mrekulluar që ky mp3 player i mrekullueshëm mund të mbante 1000 këngë. iPod, që debutoi në 23 tetor 2001 nuk ishte një mrekulli që erdhi menjëherë. Pajisja origjinale i la rrugë iPod Minit, Shuffle, Nano, Touch dhe në fund Classic, memoria 160 GB e të cilës mund të mbajë 40 mijë këngë.

 

Ipod i parë ishte një mrekulli me një dizenjo industriale minimaliste. Mekanizmi rrotullues i saj i dha një tjetër kuptim përdorimit të pajisjeve audiodixhitale me një program që të mundëson të menaxhosh me lehtësi një librari prej mijëra këngësh. Me kalimin e dekadës, iPod u bë shumë më tepër se në pajisje audio, duke i shtuar një ekran LCD me ngjyra si dhe aftësinë për të depozituar kalendarë, kontakte, fotografi, video dhe lojëra.

 

Dyqani virtual i itune na mundësoi të shkarkojmë dhe organizojmë këngë si dhe u bë një model biznesi i paprecedentë. Dhe vetë iPodi krijoi ekosistemin e tij të kutive, kufjeve, adaptorëve për makinë si dhe spikerëve. Kompani ajrore dhe hotele nisën të ofrojnë shërbime iPod, dhe industria e automjeteve nisi të përfshijë pajisje shtesë për lidhjen me ta.

 

iPod ka transformuar mënyrën se si ne e blejmë, e dëgjojmë dhe e ndajmë muzikën. Kjo pajisje të mundëson të marrësh të gjithë koleksionin e muzikës në xhep, të blesh këngë të reja tek je në lëvizje, si dhe t'i luash si dhe ku të duash.

 

4. FACEBOOK

 

Ndërkohë që facebook i kishte paraarendësit, që ishin Friendster dhe MySpace, asnjë prej tyre nuk arriti ndonjëherë të ketë influencën e facebook. Sot, kjo faqe ka afro 350 milionë përdorues aktivë si dhe zë 25% të faqeve të internetit që vizitohen në Amerikë.

 

Facebook, që e nisi aktivitetin në shkurt 2004, është faqja e dytë më e vizituar e internetit në botë - dhe kur hyn aty ke shumë gjëra për të bërë. Pjesëtarët ndajnë mendime personale, çfarë u pëlqen e çfarë nuk u pëlqen, video, dhurata virtuale si dhe lidhje drejt lajmeve të ndryshme. Facebook është faqja më e madhe e ndarjes së fotove në botë, me më shumë se 2.5 miliardë foto që ngarkohen çdo muaj. Biznese dhe organizata tashmë lidhen me klientët dhe pjesëtarët përmes faqeve të fansave.

 

Facebook është shndërruar në ekuivalentin dixhital të të jetuarit në një qytet të vogël, ku të gjithë t'i dinë punët e tua. Nuk është e pazakontë se ka lindur fëmija i një miku, që një i njohur është ngritur në detyrë (apo është ulur), apo që motra jote ka ngecur në një stuhi dëbore. Facebook ka sjellë një epokë ku privacia ka ikur dhe ka hyrë vetëdija për ambientin.

 

Ngjitja meteorike e facebook nuk ka ndodhur pa polemika. Pjesëtarët janë rebeluar ndaj programit të reklamave Beacon, ridizenjimeve të faqes, çështjeve të privacisë dhe tolerancës ndaj grupeve fyes si ata që mohojnë holokaustin përshembull.

 

Megjithatë, anëtarësia në facebook po rritet me një ritëm që shumë shpejt mund ta bëjë më të madh se google

 

5. WI-FI

 

Në vitin 2000, njerëzit nisën të heqin dorë nga modemat - ishte një revolucion pa kabëll, që na mundësonte të punonim nga shtëpia, nga rruga, në tren dhe madje edhe në lartësi të mëdha. Wi-fi e bëri gjithashtu internetin një burim informacioni dhe argëtimi që mund ta kishe kurdo, kudo. Wi-fi është një term marketimi për aleancën Wi-fi dhe konkretisht për specifikimin IEEE 802.11. I pari specifikim që e bëri popullor punën në rrjete jokabllorë ishte 802.11b; 11a, 11g dhe 11n e pasuan. Përpara këtij specifikimi, pajisjet jokabllore nuk kanë qenë të ndërveprueshme - dhe ishin të pavlera për njerëzit e zakonshëm. Aleanca i teston produktet për të siguruar që bashkëveprojnë si duhet.

Në terma të nismave të tregut,Wi-fi ka qenë me shumë ndikim. Sot, 40 përqind e shtëpive në Amerikë kanë një rrjet pa kabëll. Dhe Wi-fi nuk është kufizuar për përdorim shtëpiak apo në zyrë: sot kjo teknologji mbështjell kafeteri, aeroporte, hotele, parqe publikë, universitete dhe disa avionë. Përveçse na ka çliruar nga kabllot (si dhe përveçse ka ndihmuar që shitjet e laptopëve të kalojnë ato të desktopëve), Ëi-Fi mundësoi krijimin e një ekosistemi pajisjesh që lidhen në rrjetin e shtëpisë. Ne e përdorim për të dërguar video dhe audio dixhitale në shtëpitë tona, të dërgojmë dokumente në printer, të lidhemi me kamera dixhitale për transferim fotografish, të luajmë lojëra me kundërshtarë që ndodhen larg, si dhe për të përshpejtuar lundrimin në internet në celularë. Dhe pa Wi-Fi, kompjuteri më i famshëm dhe i kërkuar sot, netbook, do të ishte i padobishëm.

 

6. BROADBAND INTERNET ACCESS

 

A e mbani mend teknologjinë ISDN? Dhjetë vjet më parë, ajo teknologji plot telashe ishte pararoja e broadband internet access. Fatmirësisht, ardhja e modemëve DSL dhe kabllore si dhe aksesi satelitor dhe më pas ai i celularëve 3G në internet solli lidhjet e shpejta në internet për shumicën e familjeve.

 

Broadband nisi të ketë fërkime serioze në fillim të dekadës, sipas Nielsen, që pohoi se në mars 2002 broadband kish hyrë në treg teksa përdoruesit e shpejtësisë së lartë kishin eklipsuar ata që përdornin dial-up. Sot, sipas Forrester Research, janë 80.9 milionë familje në SHBA që përdorin broadband. Lidhja me broadband e bëri internetin të domosdoshëm. Ajo shtroi rrugën për shkarkimet e muzikës dhe filmave, blerjen e pothuajse çdo gjëje nga dyqane virtualë si Amazon.com, rrjete socialë, telefonata VoiP, videokonferenca.

 

Fuqia transformuese e broadband shkon përtej shtëpisë. Adoptimi i saj përkoi me dy forca të njëkohshme: globalizimin e biznesit dhe përparimet në rrjetet e teknologjisë së informacionit në korporatat e mëdha. Dhe kjo solli një epokë të re tregtie online, duke ndryshuar mënyrën si operojnë bizneset.

 

Shpejtësia me të cilën këto forca përfshinë ekonominë globale ishte e hatashme dhe impakti në tërësi ka qenë i thellë.

 

Kurrë më parë një teknologji e vetme nuk e ka ndryshuar ekonominë globale dhe mënyrën si ne jetojmë. E gjithë kjo me shpejtësinë e broadband.

 

7. TiVo

 

Në thelb, TiVo solli tek televizori revolucionin dixhital - për tmerr të Hollywoodit. Asnjëherë që nga debutimi i videoregjistruesve një pajisje argëtimi shtëpiak nuk ka shkaktuar kaq shumë frikë mes të mëdhenjve - apo kënaqësi mes klasave që i shohin videot. Në vitin 2003, Drejtori i FCC, Michael Powell e quajti TiVo, "makina e Perëndisë". Është e lehtë ta kuptosh entuziazmin.

 

TiVo ua mori kontrollin transmetuesve dhe ua dha shikuesve. Nuk kish nevojë të ishe në shtëpi të enjten mbrëma për të parë "Friends": Thjeshtë e programoje të regjistronte të gjithë episodet dhe më pas i shikoje kur të doje. S'kishe kohë për reklamat? I kapërceje! Dhe nëse nuk e ke ndjekur të gjithë dinamikën ndërkohë që sheh TV direkt, thjeshtë ktheje pas.

 

TiVo i parë u shit në mars 1999 dhe shumë shpejt njerëzit gumëzhinin për lehtësinë legjendare të përdorimit, aftësinë për të sugjeruar programim bazuar në preferencat e shikuesit, si dhe interface-n shumë intuitive. Fjala u përhap shpejt dhe deri në janar të vitit 2007 TiVo kishte 4.4 milionë të regjistruar.

 

Sot TiVo nuk është tamam forca që ka qenë dikur. Kompanitë kabllore i kanë marrë thela tregut të saj duke integruar aftësi transmetuese me aparatë të tipit TiVo. Megjithatë, popullariteti i saj është i paarritshëm. Sot, më shumë se 38 milionë familje në SHBA kanë një DVR, shumica e të cilëve ofrohen prej operatorëve kabllorë.

Kështu që, nëse jeni një prej miliona fansave të tv që nuk mund të imagjinojnë një botë pa programimin e TiVo, kjo ka ardhur pikërisht prej kësaj të fundit.

 

8. GPS

 

Me shumë gjasa, fillimisht shumë njerëz e kanë hasur sistemin GPS të navigimit në një makinë me qira të marrë tek Hertz. Kompania nisi ta instalojë sistemin e saj me të cilin nuk humbet kurrë në vitin 1997. Në atë kohë, udhëtimi me GPS ishte i kushtueshëm. Më keq akoma, satelitët e pozicionimit global që janë në pronësi të qeverisë së SHBA, ishin qëllimisht të dobësuar kur përdoreshin për qëllime civile. Në vitin 2000, qeveria lejoi përdorimin civil të sinjalit ushtarak të GPS dhe tashmë saktësia kthesë pas kthese u bë realitet. Sot, afro 31 përqind e të rriturve në Amerikën e Veriut përdorin një sistem të lëvizshëm navigimi, sipas "Forrester Research". Pajisjet e instaluara në makinë ofrojnë udhëzime kthesë pas kthese, të cilët kalkulohen automatikisht kur për shembull, harron të kthehesh në vendin e duhur. Udhëzimet me zë janë ofruar në një seri zgjedhjesh vokale, si për shembull Snoop Dogg.

 

Në vitet e fundit, kemi parë navigimin GPS të fitojë terren brenda telefonave celularë, si tek iPhone, duke përdorur programe të shkarkueshëm. Edhe kompanitë celulare e ofrojnë një shërbim të tillë kundrejt një pagese.

 

GPS nuk është e kufizuar në udhëzime për të ngarë makinën. Sot po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që përdorin gjeoetiketimin për të shtuar lartësinë dhe gjerësinë e saktë gjeografike si informacion për fotografi, video dhe harta. Ne tani mund të vendosim fotografitë e pushimeve në një hartë dhe madje mund të përdorim të dhënat e gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike për të gjetur vendndodhjen dhe identifikuar atë restorantin francez ku do të donim shumë të ktheheshim në të ardhmen.

Kjo është bukuria e GPS: nuk na tregon vetëm se ku po shkojmë, por edhe se ku kemi qenë.

 

9. WINDOWS XP

 

Komenti i parë për Windows XP është bërë në shtator 2001. Atëherë u vlerësua shumë shkrirja që i kish bërë programeve kompjuterikë të Windows 98 duke e bashkuar me sigurinë që ofronte Windows NT. Në fakt, atëherë u tha se ky është "Sistemi i operimit më i fundit dhe më i miri që Windows ka nxjerrë deri sot".

 

Çfarë deklarate parashikuese që ishte! Nëntë vjet më vonë, Windows XP vazhdon të jetë sistemi operativ më popullor në botë. XP komandon pothuajse 62% të tregut, ndërkohë që e sapoardhura Windows 7 ka afro 7 përqind të tregut. XP i dikurshëm është sistemi operativ që vendoset në kompjutera të vegjël, që është kategoria më e fundit e kompjuterëve.

 

Dhe në një lëvizje që ndodh për herë të parë në histori, Microsoft u ofroi një rikthim tek XP atyre përdoruesve që patën eksperiencë të tmerrshme me Windows Vistan. Përse XP ishte kaq i mrekullueshëm?

 

Ai ishte i pari sistem operativ i orientuar nga konsumatori, i prodhuar nga Microsoft dhe i cili u ndërtua mbi arkitekturën e Windows NT. Por ai gjithashtu, përfshinte aftësinë e Windows 98 për lojëra dhe programe. Kodimi DOS që kish qenë i dukshëm në sistemet e mëparshëm operativë të Microsoft tashmë kish ikur dhe Ekrani Blu i Vdekjes, siç u quajt, në pjesën më të madhe u zhduk.

 

Windows XP shtoi gjithashtu aftësi të reja lidhjeje në rrjet (duke përfshirë lidhjet jokabllore) si dhe Internet firewall-in. Na pëlqeu të gjithëve edhe debutimi i Windows Media Player si dhe mbështetja automatike për aparatet fotografikë dixhitalë.

 

Me Windows XP, Microsofti shënjestroi disa prej tipareve që do të bëheshin përcaktues të dekadës së ardhshme. Rrallëherë e ardhmja është parashikuar kaq saktë.

 

10. APPLE IMAC

 

Kur Steve Jobs hipi në skenë për të prezantuar të parin iMac në 6 maj 1998, ai premtoi se ai do të kombinonte "eksitimin e internetit me thjeshtësinë e Macintoshit". Fare mirë mund ta kish quajtur edhe një kompjuter marrëzisht të mrekullueshëm.

 

Bashkimi i monitorit me hard diskun ishte provuar shumë herë, por ai asnjëherë nuk kishte ndodhur me stilin e iMacut. Në dekadën e fundit, Apple ka nxjerrë një seri kompjuterësh të tillë iMac me ekrane LCD që kanë qenë jashtëzakonisht shumë funksionalë, me një dizenjo shumë elegante dhe gjithjë e më të përballueshëm financiarisht.

 

iMacu më i hershëm me ekran LCD, G4, ndoqi një dizenjo të guximshme: ekrani i tij 15-polësh ishte montuar mbi një bazë në formë vezake ku ndodheshin motherboardi, procesori, drive optik si dhe të tjerë komponentë të brendshëm. Në versionet e mëvonshëm, Apple do të shtonte edhe të tjerë funksione si një kamerë të inkorporuar, DVD, Wi-Fi të integruar dhe tastierë e maus pa kabëll.

 

Çdo model i ri ka qenë një mrekulli e vërtetë. Zakonisht, paneli kryesor nuk ka bokse audio, butona kontrolli apo porta. Të gjithë portat janë të reshtuara vertikalisht në pjesën e pasme.

 

Të tjerë prodhues kompjuterësh janë përpjekur të kopjojnë iMacun, por asnjëri nuk i është ofruar. iMac vazhdon të jetë shkrirja e përsosur e stilit dhe performancës, me një çmim të përballueshëm.

 

 

7 mrekullitë e Las Vegasit

 

Televizori i ri high-definition me stemën Full HD? Eshtë lënë pas tashmë nga ai 3 dimensional që lundron në internet. Telefoni i brezit të tretë? Eshtë i vjetër, tashmë ka dalë ai i brezit të katërt. Libri elektronik bardhë e zi? Për ta nxjerrë në pension, tashmë kanë dalë ata me ngjyra. Kush nga ata që në Krishtlindje mendonin se kishin shtënë në dorë fjalën e fundit të teknikës duhet që ta rimendojë edhe një herë. Në fakt, teknologjia nuk ka patur kurrë një përshpejtim më të madh se sa ai që do të ketë në 2010. Ishte kjo ndjesia që kishte çdokush që vizitonte stendat e panairit elektronik të konsumatorit, më i madhi në botë që i dedikohet teknologjisë së konsumit dhe që sapo është mbyllur në Las Vegas, në SHBA. Pavarësisht krizës, klima aty ishte më euforike se sa vitet e kaluara: 2500 ekspozues (330 më shumë krahasuar me vitin që kaloi) dhe 20 mijë produkte të rinj që shumë shpejt do të shndërrohen në objekt dëshirash. Kështu që, zakonet tanë dixhitalë janë të destinuar të ndryshojnë. Ja cilat janë tendencat për 12 muajt e ardhshëm.

 

1. Bota në një tabletë

 

Panairin e Las Vegasit e hapi numri një i Microsoftit, Steve Ballmer. U prezantua përpara popullit që ish mbledhur ta dëgjonte, duke paraqitur një tabletë elektronike me ekran shumëngjyrësh të prodhuar nga HP dhe që përdorte sistemin operativ Windows 7: do të mbërrijë në treg në muajin mars. Një xhest i qartë sfide ndaj rivalit Steve Jobs të Apple, që për pak ditë pritet të nxjerrë tabletën e tij. Ballmer ka lëshuar një mesazh të pagabueshëm: këto pajisje të reja pa tastierë, pak laptop e pak telefonë celularë, do të zënë në 2010 një pjesë të rëndësishme të tregut. Më shumë se për të lexuar, do të shërbejnë për të lundruar në internet, për të parë video, për të luajtur dhe për të qëndruar të lidhur me rrjetet socialë. Do të ketë nga të gjithë format dhe ngjyrat: jo vetëm nga HP, por edhe nga Acer, Asus, Dell dhe Sony, sa për të përmendur disa marka që kanë prezantuar një prototip në Las Vegas.

 

Më pas janë hibridët. Lenovo, për shembull ka prezantuar IdeaPad, një kompjuter portabël me ekran të lëvizshëm. Mund të përdoret si laptop, por edhe si tabletë. Një tendencë kjo e tabletave, që merr më shumë vlerë nga fjalimi i Ballmer: "Të gjithë ekranet (kompjuterë, televizorë, celularë, kroskotë makine) do të jenë gjithnjë të lidhur në internet dhe do të na lejojnë të kemi akses në informacion kudo që ndodhemi". Do të ndryshjojë në mënyrë radikale edhe mënyra e integrimit me teknologjinë: "Do të jetë më e natyrshme, do të shfrytëzojë zërin dhe lëvizjet e trupit dhe të duarve", ka shtuar Ballmer. Këto tableta që punojnë krejtësisht me prekje janë pagëzuar tashmë: do të quhen "slate", për t'i dalluar nga kompjuterët tabletë që kanë tastierë dhe ekran të rrotullueshëm me prekje.

 

2. Libri elektronik bëhet me ngjyra

 

Kindsle, që në Krishtlindje dukej libri elektronik më i lezetshëm, tashmë duket i vjetëruar. Libri elektronik i Amazon (500 mijë ekzemplarë të shitur në vitin 2009) do të ketë të bëjë me të riun Nook, që ka nxjerrë Barnes & Noble, konkurent i Amazon në shitjen e librave dixhitalë në internet. Ndryshe nga Kindle, Nook ka ekranin me prekje shumëngjyrësh si dhe lidhje në rrjetet 3G dhe wi-fi. Praktikisht është një ekran i madh që përdor edhe rrjetin celular. Por janë të shumtë edhe modelet e tjerë të librave elektronikë që do të mbërrijnë: "shumë prej tyre me ngjyra, si për shembull ata të prezantuar nga Liquavista dhe nga Qualcomm. Por shumë janë ende bardhë e zi. Mes këtyre spikasin dy modele me dimensione të një letre A4: njëri i firmosur nga koreania Samsung, ndërsa tjetri nga amerikania PlasticLogic. Pastaj janë modelet e destinuar për shkollë, si për shembull fletorja elektronike Entourage Edge, që ka një ekran të dyfishtë (njëri me ngjyra) dhe që hapet tamam si një libër. Forrester Research ka vlerësuar se në vitin 2010, vetëm në Shtetet e Bashkuara tregu i librave elektronikë do të mbërrijë në kuotën 500 milionë dollarë. Dallimi mes librit elektronik dhe Slate? I pari, di të bëjë mirë vetëm një gjë (lexim librash), dhe kushton pak (diku tek 300 euro). I dyti, është pothuajse një kompjuter dhe kushton afro 1000 euro.

 

3. TV në rrjet dhe tredimensional

 

Të gjithë televizorët e prezantuar në Las Vegas kanë portën e rrjetit për t'u lidhur në internet dhe disa modele, si ata që janë prezantuar nga Panasonic dhe LG munden edhe të bëjnë videotelefonata me Skype, shërbimi shumë popullor i telefonisë përmes internetit. Ekrani i dhomës së ndenjes do të ndryshojë e do të bëhet shumëfunksional: nga rrjeti, për momentin vetëm në Shtetet e Bashkuara vijnë shërbime si Netflix dhe Amazon video, që të lejojnë akses në mijëra filma në high definition me vetëm një klikim të telekomandës. Dhe përveç kanaleve tradicionalë, të gjithë janë në gjendje të lidhen në You Tube dhe Google Video.

 

Por risia e vërtetë janë televizorët tredimensionalë. Nga Avatar tek Christmas Carol, janë të shumtë tashmë titujt e prodhuar për t'u parë me syzet që projektojnë personazhet jashtë ekranit. Ndjesia e parë është si për fantashkencë, megjithatë pas disa minutash përdorim, syzet më shumë shkaktojnë bezdi se sa mrekullira. Megjithatë, Panasonic, Sony, Samsung, LG, Mitsubishi dhe Toshiba do të nxjerrin së afërmi televizorë dhe lexues blu-ray që janë në gjendje të riprodhojnë përmbajtje në tredimensional dhe disa analistë vlerësojnë që, deri në vitin 2014, 45 përqind e familjeve amerikane do të kenë në shtëpi një televizor të këtij lloji. Sipas parashikimeve të Consumer Electronics Association, do të jenë 2.2 milionë televzorët tredimensionalë që do të shiten deri në fund të këtij viti.

 

4. Do të hyjmë në videogame

 

"Do të revolucionarizojmë përgjithmonë mënyrën e lojërave elektronike", ka thënë Ballmer në Las Vegas, duke zbuluar se aksesori për Xbox-in 360 që quhet Projekti Natal (nuk ka ende një emër marketimi) do të mbërrijë në dyqane në Krishtlindjet e ardhshme. Falë një procesori, një objektivi special, një sensori thellësia dhe një mikrofoni për t'u lidhur me konsolin e Microsoft do të jetë vetë lojtari që do të bëhet interpretues i lëvizjeve të personazheve në ekran. Për të goditur një top, për t'u hedhur në ajër apo për të qëlluar, do të mjaftojnë duar e këmbë, pa patur nevojë për pajisje të tjera plastike. Do të jetë sikur të hysh brenda në televizor dhe të përjetosh aventurat vetë", ka shpjeguar mbi skenë Robbie Bach, president i departamentit të argëtimit në Microsoft.

 

5. Makina inteligjente të mëson ta ngasësh

 

FIAT, në bashkëpunim me Microsoft ka prezantuar versionin e ri të sistemit Evo:Drive, që është tashmë e përdorshme në shumë automjete të kompanisë torineze, si përshembull Fiat 500. Mjafton të fusësh një çelës USB që vetë makina të shkarkojë në të të dhënat e guidës. Që nga faqja e internetit e Fiat instalohet programi Eco:Drive pikërisht në kompjuterin që analizon të dhënat e udhëtimit dhe më pas sugjeron si të konsumosh sa më pak si dhe çfarë marshesh të përdorësh. Ndërsa, Ford ka prezantuar një sistem të ri dixhital të quajtur MyFord Touch: shoferi dhe pasagjerët e automjetit mund të kenë akses, përmes komandave zanore, në ato aplikacione që normalisht janë të disponueshëm në një telefon celular: email, axhendë, kontakte, telefonata e kështu me radhë. Sony ka krijuar një autoradio të destinuar për përdoruesit e iPod. E gjithë muzika mund të orientohet përmes ekranit të radios në makinë.

 

6. Foto dhe filmime HD, nga shkretëtira në Pol

 

Mund të futen nën ujë, mund të bien nga më shumë se 2 metra dhe mund të durojnë temperatura si ato në mal apo në shkretëtirë. Mund të futen në xhep, shkrepin fotografi dhe regjistrojnë video në high definition apo në formatin që përdoret në YouTube. Fotokamerat dhe videokamerat e reja janë për një popull që i vjen vërdallë globit dhe që dëshiron të kapë kujtime dixhitale, t'i ndajë pothuajse menjëherë me të tjerët në internet e më pas t'i rishohë në shtëpinë e vet në televizorin high definition.

Në Las Vegas, pothuasje të gjithë kompanitë kanë paraqitur pajisje të pashkatërrueshme, si për shembull Casio me Exilim G1 që shkrep fotografi edhe në zhytje si dhe Kodak me fotokamerën Playsport, idele për të bërë fotografi, ndërkohë që je duke bërë ski.

 

7. Celulari bëhet social-fon

 

Panairi i Las Vegasit nuk kishte hapur ende risitë që Google kishte nxjerrë (jo pa probleme) Nexus One, i pari celular me markën Google si dhe me sistemin operativ Android. Një rival me peshë që hyn në tregun e smartphone-ve, deri dje të pushtuar nga Blackberry, Apple, Nokia dhe pajisjet që kanë përshtatur sistemin Windows Mobile. E ardhmja, duke gjykuar nga modelet e prezantuar, duket se do të shkojë drejt telefonave celularë me ekran të madh me prekje që mund të lidhen në internet dhe të kryejnë funksione kompjuteri. Ata që e tërheqin këtë treg janë rrjetet socialë si Facebook, Myspace dhe Twitter.

 

Falë shpejtësisë së lartë dhe lidhjeve wi-fi, këta modele të rinj lejojnë të jesh gjithmonë i lidhur me rrjetin e miqve si dhe të postosh fotografi dhe komente në kohë reale kudo që të ndodhesh. Me që ra fjala tek shpejtësia e lartë: në Las Vegas, operatori i telefonisë Sprint ka testuar të parin sistem të transmetimit të të dhënave me shpejtësi të lartë të brezit të katërt (4G). Një sinjal që pajisjet që kemi në xhep sot (3G) po dalin në pension.

 

 

TABLET/"Apple" ecën në territor të "minuar"

 

Apple ka një huq që pikas probleme, të cilat ne nuk e dinim që i kishim. Mund të na bëjë të ulemi e të vrasim mendjen si ka mundësi që kemi mbijetuar pa librari super të mëdha muzikore dhe shfaqje televizive në xhepat tanë, apo rehatinë e të diturit që "për këtë gjë nuk ka program".

 

Tani, po rritet gjithnjë e më shumë sasia e spekulimeve se brenda dy javëve, Apple do të zbulojë një kompjuter me prekje të tipit tabletë, i cili është më i madh se iPhone, por më i vogël se sa laptopi standard. Nëse kjo do të jetë me të vërtetë lëvizja e radhës e Apple - kompania nuk pranon të komentojë - atëherë ajo do të duhet të na tregojë se përse duhet të paguajmë për një tjetër ekran me lidhje interneti, ky mbi televizorët, kompjuterat dhe telefonat celularë që tashmë i kemi.

 

Tabletët, që quhen gjithashtu edhe "slates", janë kompjutera njëbllokësh me ekrane të mëdhenj dhe pa tastierë, ndonëse disa modele mund të shndërrohen nga një laptop i zakonshëm në një tabletë thjeshtë duke rrëshkitur ekranin për të fshehur tastierën.

 

Pajisje të tilla kanë qenë në qarkullim që në fillimin e viteve nëntëdhjetë, duke përfshirë një nga Toshiba me peshë 3.3 paundë dhe që kushtonte afro 3500 dollarë. Megjithatë, nuk është se tabletët kanë patur ndonjë sukses të madh. Në kulmin e suksesit, në vitin 2007 prodhuesit nxorrën rreth 1.5 milionë në të gjithë botën - më pak se 1 përqind e kompjuterave personalë që u prodhuan atë vit, sipas kompanisë kërkimore IDC. Vetëm afro një e treta e atyre tabletëve ishte për konsumatorë. Pjesa tjetër u përdor në zyra të specializuara, si spitale apo magazina.

 

Bill Gates, bashkëthemelues i armikut të Apple, Microsoftit, parashikoi në mënyrë të përsëritur gjatë viteve 2000 se po vinte momenti i tabletëve. Ai gabohej, sepse ato tabletë kërkonin që njerëzit të përdornin një majë shkruese në formë lapsi për të shtypur butona apo shkruajtur mbi ekran, gjë që ishte tërheqëse në vende pune ku punonjësit duhej të bënin verifikime në kuti apo të plotësonin formularë. Por, për shumicën e njerëzve, përdorimi i një maje shkruese për punë të zakonshme në kompjuter si për shembull punimi në excel, ishte më i pavolitshëm se sa përdorimi i një tastiere dhe një mausi.

 

Deja vu

 

Megjithatë, duket se do të jetë Steve Jobsi i Apple që do të zbresë me një tabletë që shfrytëzon përmirësimet e fundit të teknologjisë si dhe siguron më shumë publicitet. Dell dhe HP nuk paraqitën një tabletë të gatshme për shitje për arsye se kompanitë duan që të jenë në gjendje të përshtaten nëse vizioni i Apple do të rezultojë radikalisht i ndryshëm, thonë analisti i industrisë së kompjuterave, Roger Kay i Endpoint Technologies Assovciates. "Nëse Apple bën bujë, atëherë e dimë se kështu do të ngjajë hapësira e këtij tregu për pak kohë", shton ai.

 

Ndërkohë që tabletët më të hershëm nuk janë programuar si pajisje për të lundruar në internet, ato modernet do të jenë në gjendje për të përfituar prej aksesit jokabllor në internet, si dhe prej gatishmërisë sonë për të paguar çdo muaj për data plan-e për celularët si dhe kompjutera të vegjël portativë.

 

Ekranet me prekje dhe programet kompjuterikë që u vendosen atyre janë gjithashtu shumë më të mirë sot dhe ne tashmë jemi mësuar të prekim dhe përdorim tastiera virtuale në ekrane falë popullaritetit të madh të iPhone-t të Apple. Këto pajisje - sidomos ato që prodhohen nga Apple - janë gjithmonë e më të holla e më të lëmuara, gjë që i bën ato më lehtësisht të lëvizshme se sa tabletët e hershëm. E kemi parë këtë gjë të ndodhë edhe më parë: pajisje muzikore portabël dhe telefona celularë të quajtur smartphone kanë ekzistuar përpara se të vinin iPod dhe iPhone, e megjithatë ishte Apple që u dha një kuptim të ri këtyre kategorive.

 

A do të ndodhë sërish?

 

Megjithatë, një tabletë e Apple mund ta ketë shumë më të vështirë të hyjë në treg me sukses sot, se sa ato pajisje, qoftë edhe për arsyen se nuk ekziston një arsye imponuese për të patur një të tillë. Në mungesë të konfirmimit nga Apple, analistët kanë shumë hamendje në lidhje me atë se si Jobs do të poziciononte një tabletë të Apple. Disa mendojnë se do të jetë thjeshtë një iPod me prekje e zmadhuar, një luajtës muzikor që përdoret gjithashtu për të parë filma, për foto familjare si dhe shërbime të tjerë multimedialë. Të tjerë besojnë se Apple po e ndërton tabletën duke patur një sy nga tregu në lulëzim i librave elektronikë (ndonëse vetë Jobs tha në vitin 2008 se "njerëzit nuk lexojnë më"). Ndërsa të tjerë e shohin si një ekran shoqërues që e përdor teksa sheh televizor - tableta do të ofronte informacion në lidhje me programin që është duke u transmetuar në TV.

 

Megjithatë, mekanika e trupit të njeriut mund të jetë më e fortë se sa karizma e Steve Jobs. Ne tolerojmë pajisje të tilla si telefonat me ekranet e tyre të vegjël si dhe tastierat e sikletshme, pasi këto janë mirë për atë për të cilën na nevojiten - leximi dhe shkëmbimi i mesazheve, ndërkohë që jemi në lëvizje. Sapo ekrani nis e zmadhohet, njerëzit kanë prirjen që të kërkojnë të bëjnë më shumë gjëra me pajisjen, si për shembull të shkruajnë mesazhe më të gjatë zyrtarë, thotë Mark Roltson, drejtor i zyrës së krijimit për Frog Design, një kompani që ka dizenjuar një prej kompjuterëve të parë të Apple. Në atë pikë, kufizimet e ekraneve të vegjël dhe mungesa e një tastiere reale mund të jenë të patolerueshme dhe kështu njerëzit mund të jenë gjithnjë e më të prirur të blejnë një laptop të vogël.

 

Jon Gibs, zëvendëspresident për kërkimet në media në "The Nielsen Co", thotë se nuk mund të mendojë një situatë kur një ekran tableti do të ishte më i miri në dispozicion për të parë video. Në shtëpi, televizori është zgjedhja më e natyrshme, ndërkohë që në lëvizje, madhësia e një iPhone do të ishte më e përshtatshmja.

 

Rolston beson se Apple nuk do të nxjerrë në treg një tabletë si një zëvendësuese për një laptop që punon si "kalë pune". Në vend të kësaj, fillimisht Jobs do të përshkruajë një seri të kufizuar përdorimesh për pajisjen, thotë Rolston dhe më vonë Apple mund të zgjerojë mënyrën se si do të reklamojë tabletën. Ai përmend për të ilustruar këtë ide mënyrën se si iPhone evoluoi nga një telefon i lehtë në përdorim në një kompjuter xhepi shumëpërdorimësh, vetëm një vit pas debutimit të tij me daljen e AppStore, ku shiten programe të çdo lloji.

 

Një Mesia?

 

Ndoshta shpresat më të mëdha për tabletët mund të ekzistojnë tek kompanitë mediatike që nuk kanë arritur të thithin aq shumë reklamë sa duhet dhe tashmë kërkojnë mënyra të reja për të shitur materiale interaktivë. Diçka e ngjashme me programin iTunes të Apple, që u mundëson njerëzve të blejnë këngë, seriale televizivë dhe filma për t'i hedhur në iPd apo në Iphone mund të përdoret për të shpërndarë gazeta dhe revista apo programet televizivë.

 

Që tani botuesit kanë nisur të rendin drejt lexuesve të librave elektronikë si "Kindle" i Amazon, por revistat e mbushura me fotografi dhe grafikë nuk është se duken dhe aq mirë në ekranet e teknologjisë e-ink me ngjyra bardhë, zi dhe gri të lexuesve të librave elektronikë.

 

Ndërkohë, një tabletë me ekran me ngjyra mund të krijojë mundësi të reja. Sports Illustrated botoi një filmim në internet të një reviste dixhitale në tabletë që i lejon lexuesit të shfletojnë elektronikisht përmbajtjen e saj, të kalojnë nga një fotografi e vetme në një galeri të tërë, të shohin ekskluzive dhe reklama bashkë me segmente filmimesh, si dhe të luajnë lojëra apo të shohin evente sportivë tamam si në televizor.

 

Revista "Wired" është duke parë gjithashtu një edicion të sajin të realizuar posaçërisht për tabletë. Ndërkohë që modeli i biznesit nuk është përfundimtar, "Wired" do të vendosë një pagesë për një pjesë apo për të gjithë versionin e vet të tabletës.

 

Ekranet e celularëve me prekje janë shumë të vegjel për të lexuar për një kohë të gjatë, ndërkohë që ekranet e kompjuterëve personalë kërkojnë që njerëzit të përkulen mbi tastierë për të lexuar. Ndërsa një tabletë do të kishte si familjaritetin ashtu edhe ekranin për t'iu përafruar eksperiencës së leximit të një reviste, - thotë Anderson.

 

Pritshmëritë e mëdha të Wall Street

 

Aksionet e Apple u rritën më shumë se dyfish vitin që kaloi, pjesërisht për shkak të pritshmërive të investitorëve që kompania pritet të nxjerrë në treg një pajisje të re që do të bëjë mrekullira, ashtu si iPhone. Por tabletat ende nuk kanë shkuar në duart e konsumatorëve, gjë që e bën çmimin ndoshta pikëpyetjen më të rëndësishme.

Nëse tableta nuk zëvendëson laptopin apo ndonjë pajisje tjetër, atëherë do të duhet të jetë aq e lirë sa që të ndihet si një aksesor dhe jo si një investim. Megjithatë, do të duhet gjithashtu të vijë me një data plan celulari të shpejtë për të siguruar që njerëzit mund ta përdorin kudo ku ndodhen. Kjo do të thotë të paguash edhe një tjetër 30 dollarësh në muaj mbi atë që njerëzit paguajnë aktualisht për celularin, televizorin apo shërbimin e internetit.

Thuhet se njerëzit mund të jenë gjithsesi të interesuar. "Me këtë status dhe pritshmëri që ka sot, përgjigjja është absolutisht po".

(http://www.rilindjademokratik.com)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dhurata të rrezikshme (01.20.2010)
Fashizmi në rritje në RusiNga Valery Balayan, Kevin O'Flynn (01.19.2010)
Atentatori lirohet, misteri mbetet (01.18.2010)
Fundi i një shërbimi sekret - Para 20 vjetësh qytetarët e RDGJ sulmuan qendrën e STAS-it (01.16.2010)
Thirrja e kryqëzataveNga Jonathan Philips (01.15.2010)
I ftohti i madh është për faj të njollave diellore? (01.11.2010)
Tri fytyrat e RomësNga Andrew McCarthy (01.11.2010)
El Dorado vërtetë ekziston (01.08.2010)
Google nxjerr në treg supertelefonin (01.06.2010)
Shanse të vogla për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndalimin e Armëve Bërthamore (01.06.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]