VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SI U BËNË JACKSON, ELVIS DHE DIANA SHENJTORËT E KOHËVE MODERNE

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 02:45pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
SI U BËNË JACKSON, ELVIS DHE DIANA SHENJTORËT E KOHËVE MODERNE
E Shtunë, 06.19.2010, 06:59am (GMT+1)

E gjithë historia e procesit modern të kanonizimit jofetar të njerëzve të famshëm filloi me vdekjen e mbretit të Rock n'Rollit në vitin 1977. Më pas u shtuan edhe dy shenjtorë të tjerë që formuan trinitetin

Michael Jackson është gjallë dhe ka blerë një shtëpi në një zonë të harruar të Irlandës apo në Meksikë? Detajet janë tërësisht të parëndësishme, e rëndësishme është vetëm historia që fshihet pas. Ashtu si për disa superyje të tjera, edhe për Michael Jackson kanë thënë që është i gjallë dhe nuk ka vdekur nga ataku në zemër më 25 korrik 2009.

Historia e "vdekjes së shtirur të Michael Jackson" është përhapur me shpejtësi marramendëse dhe ka pushtuar internetin. Të paktën pesë faqe të ndryshme interneti monitorojnë në mënyrë aktive thashethemet, trillimet, provat dhe mosbesimin këmbëngulës të shumë fansave të çmendur që mesa duket janë të paaftë të përballen me faktin se heroi i tyre nuk është më.

Michael ishte ai që kompletoi trinitetin e ikonave të famës të përbërë nga ai, Elvis Presley dhe Diana, pricesha e Ëellsit, të cilët janë në fantazinë e njerëzve sot, më të gjallë sesa kanë qenë ndonjëherë në jetën reale. E gjithë historia e procesit modern të kanonizimit jofetar të njerëzve të famshëm filloi me vdekjen e Mbretit të Rock n'Rollit në vitin 1977, edhe pse kanë qarkulluar për shumë e shumë vjet thashetheme rreth John Kennedy, që pretendonin se ai i kishte mbijetuar vrasjes.

Ka patur dhe vazhdon të ketë, një galeri të shenjtorëve të vegjël, njerëz si Jade Goody dhe George Best, por ka vetëm tre figura të mëdha mega-internacionale që do t'i mbijetojnë të gjitha kohëve. Fama e Elvisit dhe Dianës është rritur me kalimin e viteve në një shkallë aq të lartë sa që në rastin e Elvisit mund të thuhet se tashmë është balsamosur si një gjysmëperëndi. Historia e lindjes së tij tregohet si një parodi serioze e lindjes së Krishtit. Ai u lind në një shtëpi pak më të madhe se një stallë, thonë fansat e tij më të çmendur dhe në momentin e lindjes, banesa e tij e vogël u ndriçua e tëra nga një dritë blu verbuese. Nuk është për t'u çuditur nëse pas 30 vjetësh do të dëgjojmë histori të tilla mitologjike të treguara rreth Michael Jacksonit.

Nga mëkatarë në shenjtorë

Elvisi, Michael dhe Diana sigurisht që nuk janë kanonizuar me anë të procedurës formale, por thjesht me anë të brohoritjeve të fansave dhe mbështetësve e tyre, të cilët për hir të së vërtetës, kanë qenë më të çmendurit e të gjitha kohëve. Procesi ka ndjekur një model të ngjashëm në secilin rast. Për të tre gjithçka filloi me shpalljen e vdekjes së tyre, gjë që përveç dhimbjes dhe zisë masive shkaktoi edhe një valë gjigante thashethemesh të sajuara nga fansat që akoheshin publikisht për humbjen e madhe. Papritur, të gjitha trasgresionet e kryera gjatë jetës dhe rrethanat e çuditshme të vdekjes u harruan për t'i lënë vend luleve, homazheve dhe lutjeve, të cilat mbuluan të gjitha vendet simbolike të këtyre superyjeve. Askush që jeton ose punon në Londrën qendrore nuk mund të harrojë kurrsesi skenat mahnitëse kolektive të javës së parë të shtatorit në vitin 1997, kur të gjitha arteriet kryesore të trafikut të kryeqytetit u bllokuan nga buqeta gjigante lulesh të mbështjellura me celofon.

Në të njëjtën mënyrë, edhe fansat e Elvisit nga Menphis, kujtojnë me përulje atë pjesë të vogël të historisë së tyre, kur turma gjigante e njerëzve u mblodh përpara Graceland rreth 33 vjet më parë kur u largua mbreti i tyre. Menjëherë pas vdekjes së tij turma e përcjellësve të Elvisit filloi të përhapte thashetheme. Fansat ndiqnin dhe përpunonin në mënyrë të apasionuar lajmet nëpër televizione dhe kështu filluan të dilnin në sipërfaqe skenare nga më të ndryshmet rreth vdekjes së tij.

U përhapën me shpejtësi historitë e vrasjes dhe maskimit të saj. Ndërsa në rastin e Dianës, thashethemet nuk kanë ndaluar ende, pavarësisht publikimeve të njëpasnjëshme të një investigimi intensiv dhe tejmase të kushtueshëm. Në mendjen e disa njerëzve ajo është kthyer në një shenjtore jo fetare apo martire e vrarë nga një institucion hakmarrës dhe i frikshëm. Ndërkohë, për Michael Jackson përhapen lajme dhe aludime të reja çdo javë. A është vrarë ai nga rrethi i ngushtë shoqëror për arsye financiare, për të trashëguar paratë e ndonjë siguracioni ose për t'i shpëtuar përmbushjes së një kontrate të pamundur? Faza e dytë për të cilën po flasim filloi kur lotët e fansave u thanë dhe filluan të bënin pyetje. A kanë qenë të vërtetë funeralët e këtyre tre yjeve apo kanë qenë thjesht inskenime dhe akte teatrale me arkivole të varrosura bosh?

Disa fansa tregojnë se Elvisi ka lënë disa shenja evidente se nuk është varrosur atë ditë të zezë në Graceland. Emri i tij i mesit, Aaron, duhet të kishte dy gërma "a", jo vetëm një siç është shkruajtur në varrin e tij. Në të njëjtën mënyrë, shumë prej fansave janë të bindur se Diana nuk është varrosur në ishullin Altrorp, por në varrin e familjes së saj në afërsi të një kishe. Versioni i ngjashëm i historisë në rastin e Michael Jackson është se mbreti i popit ka vdekur në fakt shumë vite më parë dhe ka qenë një sozi e tij ai që pretendonte të ishte Jackson i vërtetë që në atë kohë. Trupi i vërtetë i tij prehet në një varr të panjohur në tokën e Neverland.

Jo shumë kohë pas varrimit të trupave (nëse janë varrosur me të vërtetë), u bënë publike edhe pretendimet e mediumeve që thonin se ishin të aftë të kontaktonin me yjet e vdekura për të treguar historinë e vërtetë që fshihet pas vdekjes së tyre. Ekzistojnë një mori psikopatësh që pretendojnë se janë ndërmjetësit e Elvisit dhe Dianës në botën tjetër dhe që ushqejnë fansat e tërbuar me gënjeshtra dhe mashtrime nga më të ndryshmet. Në vitin 2003, mediumët britanikë Craig dhe Jane Hamilton-Parker, prezantuan një shou televiziv bazuar në një seancë shpirtërore me princeshën e vdekur. Ajo edhe në botën tjetër vazhdonte të punonte për fëmijët, pretendonin Hamilton-Parker-at, se i thoshte ajo kur i kontaktoi, madje ishte shumë e kënaqur pasi e kalonte kohën e saj me Nënë Terezën.

Janë publikuar gjithashtu në televizione dhe internet se kishte njerëz që i kishin parë super yjet e gjallë, në formë shpirtërore dhe fizike gjithashtu, madje personi që pretendonte se e kishte takuar atë në një karburant benzine u kthye në një barsaletë për të gjithë shtetet. Ndërkohë, Diana me sa duket është parë vetëm si figurë fantazme apo ëngjëlli në shumë e shumë raste. Në një faqe interneti e specializuar për raportimet e këtyre pamjeve, citohet historia e mëposhtme e datuar më 12 tetor 1992 nga Joseph P Barnes: "Nuk di as nga t'ia filloj. Në fillim ajo nuk ishte aty dhe papritmas u shfaq nga hiçi. Ajo shndriste e tëra, madje mbante një rreth ëngjëllor në kokën e saj. Lëkura e saj ishte gati transparente dhe iu betohem se jam i bindur që kishte krahë".

Kohët e fundit, janë bërë të njohura edhe disa raste ku duket se është shfaqur Michael Jackson, për shembull në afërsi të një peme në Kaliforni dhe jashtë një makine në Britani.

Ashtu si Michael Jackson, gjatë jetës së saj Diana ka fituar reputacionin e të qenurit një shëruese. Ajo ringjalli traditën e prekjes mbretërore, përkëdheljes së fëmijëve dhe shtrëngimit të dorës me pacientët e sëmurë me sidë. Michael Jackson gjithashtu ka theksuar shumë herë rëndësinë e prekjes dhe bekimit për fëmijët e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara. Në YouTub gjendet një video që pretendohet se është dërguar nga Michael Jackson për t'i ardhur në ndihmë një miku të tij japonez Akio Morita, një nga themeluesit e Sony Coorporation, i cili tregon se e shikon këtë vidio tre herë në ditë, ashtu siç këshillohej nga Jackson. Aty thuhet se me vdekjen nuk përfundon shërimi, madje kohët e fundit thuhet se janë raportuar disa shërime të kryera nga fryma e shenjtë e Michael Jackson në Budapest, Pragë dhe Romë. "Kam folur me dy familje të përbëra nga tre persona, të cilët pretendojnë se fantazma apo ëngjëlli i Michael Jackson është shfaqur tek koka e krevatit të fëmijëve të tyre natën vonë dhe i ka shëruar nga kanceri, siç përshkruhet nga njëri prind, 'vetëm me anë të dashurisë dhe prekjes'. Kam konfirmimin e një rasti të përjetuar nga një doktor, i cili thotë se nuk ka parë asnjë Jackson, por betohet se një djakë 11-vjeçar që vuante nga leucemia dhe nuk pritej të jetonte më shumë se dy ditë, është shëruar vetëm në saj të ëngjëllit të Michel Jackson, i cili sipas nënës së tij, qenka shfaqur natën tek koka e tij e krevatit". Mesa duket, çmenduria njerëzore nuk ka fund.

Rituale dhe pelegrinazh

Dihet që tashmë kanë filluar edhe ritualet dhe aktet e devocionit, të cilat sa vjen e bëhen më të organizuara. Në veçanti, ato kryhen gjatë datave të përvjetoreve. Dhjetëra mijëra njerëz mblidhen nga të katërta anët e botës për të ecur me një elektrik nate në dorë nëpër tokën e Graceland çdo vit më datë 16 gusht, datë që njihet mirë nga të gjithë në kalendarin amerikan. Turma të ngjashme mblidhen edhe në ditën e fundit të muajit në Kensington Place në Londër për të përkujtuar princeshën Diana. Portat ridekorohen përsëri me lule, arusha të vegjël, tullumbace dhe kartolina shumëngjyrëshe.

Graceland është tashmë një vend pelegrinazhi gjatë gjithë vitit. Ndjekësit e Elvisit udhëtojnë përgjatë gjithë botës për të shtegtuar drejt shtëpisë së tij, për të qëndruar pranë varrit dhe për të shkruar një mesazh në murin e Graceland. Ndërsa për Dianën, ekzistojnë tre vende me domethënie speciale; Kensington Palace, Althorp (shtëpia e paraardhësve të saj) dhe Place De L'Alma në Paris (ku vdiq). Fansat e Michael Jackson ndërkohë kanë patur katër vende në dispozicion për të zgjedhur: vila e tij në Holmby Hills, shtëpia e familjes Jackson në Encino, ylli në Paradën e Yjeve të Hollywood-it dhe vila në Neverland.

Shumica e fansave të Jackson mendojnë se nuk është nevoja t'i bëjnë homazhe një heroi të vdekur, por nëse janë me fat dhe nëse i mbajnë sytë të hapur mirë mund ta shikojnë para tyre të gjallë. Më 8 gusht 2009, thuhet se është parë teksa vizitonte një dyqan me lojëra për fëmjië dhe kur fansat e kanë pyetur ai kishte pranuar se e kishte inskenuar vetë vdekjen e tij. Më 30 shtator thonë gjithashtu se e kanë parë teksa ecte nxitimthi në aeroportin e Miamit.

Ekzistojnë dy probleme kryesore me këto lloj raportimesh. Fillimisht, ka patur tribute jashtëzakonisht shumë të mëdha nga ana e të gjithë njerëzve të famshëm për Michael Jackson, të cilët nuk mund të jenë të gjithë pjesë e skenarit të tij. E dyta, nëse ai do të kishte orkestruar zhdukjen e tij, çdokush që e njeh sado pak Michael Jackson do të mendonte se do të kishte dashur të vdiste mes fansave të tij, ose më saktë duke adhuruar fansat e tij. Për më tepër, nëse me të vërtetë do të kishte dashur të zhdukej, gjëja e fundit që do të bënte ishte të njihej nga fansat e tij të çmendur. Megjithatë, Michael Jackson jo vetëm që "është parë në publik", por madje pretendohet se ka ruajtur kontakte të vazhdueshme dhe të hapura me të gjithë fansat e tij nëpër botë nëpërmjet një mikeshe të quajtur Cassandra Gretchen-Sims. Fansat tashmë janë në dilemë mes besimit dhe realitetit, edhe pse thuhet se Michael ka shpjeguar nëpërmjet saj rrethanat e vdekjes së tij dhe arsyet e saj.

"Thuaji atyre që m'u desh ta bëja. Nuk kisha zgjidhje thetër. Nëse do të kisha tentuar ta bëja koncertin në Londër që kisha planifikuar, do të kisha vdekur me të vërtetë. Thuaji të gjithëve - thuaji të gjithë fansave të mi se historitë e abuzimit të drogës dhe vartësisë, fatkeqësisht janë të vërteta. Por, nuk kam vdekur. Tashmë po filloj të bëhem më i fortë dhe i kam lënë drogat mënjanë. Nuk do të marr më kurrë drogë, ilaçe, madje as një aspirinë. Thuaji fansave të mi që më vjen shumë keq që u kam shkaktuar një trishtim dhe torturë kaq të madhe". Toni i këtij mesazhi është tërësisht i ngjashëm me mesazhet e ardhura nga princesha Diana dhe Elvis Presley nga "bota e përtejme". Të gjithë kërkojnë falje që i kanë shkaktuar dhimbje fansave, pretendojnë se nuk kishin alternativë tjetër dhe premtojnë se ditë më të mira do të vijnë për ta.

Përcjellësit e mesazheve

Teksa vitet kaluan duke lënë pas vdekjen e Elvisit dhe Dianës, historitë e trilluara rreth jetës, vdekjes, legjitimitetit dhe shembujve për të dy, morën një domethënie kozmike. Parashikuesi i vjetër Nostradamuas, i cili është mjaft i mprehtë përsa u përket shprehjeve, ka shkruar edhe një profeci që lidh babain e Dodi Fayed, Mohammed Al Fayed me princeshën:

Mbiemri i parafundit i profetit

Do të marrë Dianën për ditën e tij dhe për paqen...

Ndërkohë, duket se qarkullon edhe një profeci rreth Michael Jackson nga Nostradamuas, edhe pse origjina e saj është e panjohur:

Djali mbret që ecte mbrapsht u vu në qetësi

Dhe fëmijët nuk mblidhen më rreth fronit

Lotë derdhen kudo rreth e qark

Dhe zjarri do të tërbohet më pas.

Domethënia kozmike përforcohet më shumë në gjuhën e fansave. Në doktrinën religjioze të Elvisit, e cila ka evoluar me kalimin e 33 viteve, Mbreti i Rock n'Rollit përshkruhet sikur zbret në tokë si një mesia nga ylli blu i Orionit. Libri i shkruar nga Cinda Gocfrey, i titulluar "Misteri i Jezusit Elvis" është kritikuar në mënyrë të ekzagjeruar si "Shkrim shokues dhe provë shkencore që Elvis Presley mund të jetë Mesia i pritur gjatë gjithë historisë".

Por, si mund të jetë e vërtetë kjo? Në fund të fundit, Elvis ishte një abuzues droge, i cili vdiq në vetmi në banjon e tij. Shkëlqimi i princeshës Diana u shua në një aksident teksa ngiste makinën në gjendje të dehur, duke shkuar drejt një nate pasioni të shfrenuar me të dashurin e saj playboy të radhës. Michael Jackson vdiq nga shkaqe që nuk kishin të bënin me reputacionin e tij, por megjithatë është akuzuar disa herë për pedofili. Si ka mundësi që me vdekjen e një superylli të gjitha mëkatet e tyre fshihen si me magji për t'u zëvendësuar nga mite të shkëlqyeshme?

Ndoshta mund të argumentohet me faktin që njerëzit kanë nevojë për mite. Deri në fillim të epokës moderne laike, feja kishte servirur vetëm histori të pamundura dhe mbinjerëzore. Sot, njerëzit mund të shpikin çfarëdo lloj feje që të përshtatet më lehtë me nevojat e tyre shpirtërore. Ndoshta. Në fund të fundit, edhe nëse ndryshon vendin e shkronjave të fjalës ELVIS dhe e kthen në LIVES (jeton) kjo nuk do të thotë që ai do të jetë i pavdekshëm në të vërtetë. Diana nuk do të jetë përjetësisht nusja virgjëreshë mistike dhe nëna e mbretit të ardhshëm. Por, për diçka fansat kanë të drejtë pasi ata nuk kanë vdekur, janë gjallë në zemrat e tyre edhe për shumë e shumë vite të tjera. Ndërsa Michael Jackson do të jetë gjithnjë Piter Pani që nuk do të rritet kurrë.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Përgatiti KLARITA BAJRAKTARI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"MURMANSKI DUHEJ PUSHTUAR!", HITLERI E KUPTOI TEPËR VONË (06.18.2010)
MADOFF, I BURGOSURI MË I FAMSHËM NË AMERIKË (06.15.2010)
GRIMCA BOTËRORËSH, REKORDI I HIDHUR I BELGJIKËS (06.13.2010)
KOSOVA DHE FUTBOLLI SIPAS FADIL VOKRRIT (06.12.2010)
MIGRACIONI NUK ËSHTË SHKAK PËR POPULIZMIN E DJATHTË (06.09.2010)
FAJDEXHINJTË DHE BORXHLINJTË (06.08.2010)
BIZNESI QË LULËZON! TREGTIA ME NJERËZIT DHE VIKTIMAT E HARRUARA (06.07.2010)
FRANCESCO COSSIGA: POLITIKANËT JANË TASHMË MARIONETA NË DUART E BANKIERËVE DHE NË LUMIN E PARASË KORRUPSION LUNDROJNË KARRIERAT DHE PASURITË PERSONALE (06.06.2010)
MASAKRA E TIVARIT, SI U VRANË 8 MIJË SHQIPTARË (06.02.2010)
KRIZA MORALE MË E RËNDË SE KRIZA EKONOMIKE - SKANDALI I MITMARRJES NË GREQI (06.01.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]