VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VENECIA/PORTA E ORIENTIT (Triptik dosierësh)

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 11:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
VENECIA/PORTA E ORIENTIT (Triptik dosierësh)
E Djelë, 06.20.2010, 09:08am (GMT+1)

"Venecia më kujton instiktivisht Stambollin: të njëjtët pallate mbi det, perëndime të kuq që humbasin drejt asgjësë". Kështu Franko Batiato, tek 'Viti i Zotit 1980" fillonte këngën e tij Venecia-Stamboll. I bën jehonë, nga një datë e papërcaktuar e disa shekujve më parë, kronikani i viteve treqind Martino da Kanale: "Dhe shkonin venecianët në mes të detit... dhe blinin mallra dhe i sillnin në Venecia". Këta dy elementë kyç, tregtia dhe Orienti (apo më saktë Stambolli, Bizanti-Kostandinopoja e lashtësisë) e bënin Venecian superfuqinë ekonomike dhe diplomatike të Italisë, nga Mesjeta në Rilindje. Venecia u përball përpara qyteteve të tjerë italianë (dhe jo vetëm) me zakone dhe kostume të Lindjes. Jo më kot është i vetmi qytet europian që ka edhe një version arab për emrin e vet, i pari në të cilin është shtypur një kopje e Kur'anit, i pari qytet që përhapi përdorimin e kafesë (me origjinë perse) dhe i pari që dërgoi një artist të vetin në oborrin e sulltanit osman. 'Praktikisht, republika veneciane nisi të ketë marrëdhënie me Orientin që në shekullin IX", shjegon Maria Pia Piedani, docente e Historisë së Perandorisë Otomane në Universitetin e Venecias dhe autore e librit të kohëve të fundit "Venecia, porta drejt Orientit".

"Në fillim ishin trafiqet me perandorinë bizantine". Në fakt, në origjinë Venecia ishte territor i Bizantit. "Por, shumë shpejt qyteti u shtri edhe më tej, duke krijuar marrëdhënie tregtare me arabët e pranishëm përgjatë bregdetit egjiptian". Këtu kishte lindur me emrin Al-Bunduqiyya (që përkthehet "Rrethorja") ndoshta për shkak të një prej ishujve të parë të banuar, rrethor si një ulli dhe që për këtë arsye quhej Ulliri. Dhe këtu, falë një grabitje pati nisjen edhe madhështia e saj.

Lavdia

Hapi i parë drejt lavdisë së Al-Bunduqiyya ishte rrëmbimi i trupit të evangjelistit Marko, që sipas legjendës ndodhi në Aleksandrinë e Egjiptit në vitin 828. Sipas gojëdhënës, shenjti, në shekullin e parë pas Krishtit ishte mbytur bashkë me anijen e tij në brigjet e romakes Regio di Venetia ed Histria, një arsye kjo për të cilën Venecia zgjodhi pikërisht reliken e tij për ti dhënë prestigj qytetit. Autorë të grabitjes, dy tregtarët Bono da malamoko (në ishullin Lido) dhe Tustiko da Torcelo (një ishull i Lagunës) që kishin fshehur eshtrat e vjedhur poshtë fletëve të lakrës dhe biftekëve të derrit. Objektivi: t'i shpëtonin kontrollit të doganierëve egjiptianë (myslimanë) feja e të cilëve, që e konsideron të papastër mishin e derrit, do t'i mbante larg ngarkesës së shenjtë. Funksionoi, dhe eshtrat mbërritën në Venecia në 31 janar, pikërisht në një kohë kur po fillonte ndërtimi i Bazilikës së Shën Markut. "Kështu, shenjti u shndërrua në emblemë të të gjithë komunitetit venecian dhe simbologjia e tij ungjillore, apo më mirë luani u përdor shumë shpejt në një prej operacioneve më të mëdhenj të marketingut që ka parë historia", shpjegon ekspertja. "Që nga viti 1261 u shfaq në të gjithë ndërtesat e Republikës së Shën Markut (emri zyrtar i dukatit, i evokuar edhe në thirrjen e luftës: Rroftë Shën Marku) dhe duke qenë se një imazh i tillë ishte në përdorim edhe prej dinastisë mbretërore të Egjiptit, prania e tij në galerat lagunare kontribuoi për t'i bërë të duken si shtete miq, duke favorizuar kështu zhvillimin e tregtisë".

Ajo relike e transformoi Venecian në një vend pelegrinazhi dhe u rrit shumë numri i bujtinave që strehonin ata që vinin e iknin. Në thelb, para të tjera vinin, të ardhura që duke filluar nga viti 1202 mateshin me një monedhë të re shkëmbimi: dukati venecian.

Superfuqi

Venecianët siguruan në ato vite dominimin e plotë mbi Adriatikun. Pavarësisht aktivitetit të piratëve dalmatë dhe saraçenë (si dhe fërkimet me Gjenovën rivale dhe me ish-padronët e shtëpisë së bizantit), biznesi dhe tretia në rrugët e Mesdheut Lindor vazhdoi që të rritej. Anijet e Venecias (të ngarkuara me fildish, drithë, lëndë druri, gurë të çmuar, parfume, mëndafsh, erëza, tapete, qelq dhe skllevër) u shndërruan në urën virtuale ndërmjet tregjeve të lindjes dhe atyre të pjesës tjetër të Europës (nga veriu, prej shekujsh, kish ardhur në Venecia qelibari i Balltikut, që më pas shitej në Greqi). Por biznesi i tyre më i pazakontë ishte ai që lidhej me pelegrinazhet në Tokën e Shenjtë.

Tour operator

Venecia ishte një prej vendeve më të sigurtë, prej ku mund të niseshe për në Palestinë dhe armatorët e lagunës e shfrytëzuan shumë shpejt këtë gjë: do të kryenin organizimin e transportit të pelegrinëve në këmbim të parave. "Mekanizmi që u krijua", shpjegon Pedani, "ishte i denjë për tour operator-ët më modernë dhe kontribuoi për ti bërë venecianët edhe më anomalë në sytë e europianëve të tjerë. Në një shoqëri mesjetare të ndarë në aristokratë, fshatarë dhe ushtarë, tregtari venecian (që konsiderohej në të njëjtin nivel me një fisnik) ishte në fakt një risi absolute".

Tregtari tipik i Venecias arriti që të transformojë në para e të ardhura edhe Kryqëzatat, duke fituar përmes shitjes së instrumentave dhe anijeve tek vendet e përfshirë. Më pas, gjatë Kryqëzatës së Katërt (1202-1204), nën udhëheqjen e Enriko Dandolos venecianë dhe aleatë francezë morën zotërimin e sheshit kryesor të tregtisë në Lindje: Kostandinopojës.

Sens praktik

Trafiqet nuk u ndalën as edhe atëherë kur, në vitin 1453, otomanët pushtuan vetë Kostandinopojën, duke e shndërruar atë në zemrën politike të Islamit. Dhe venecianët treguan se, nuk kishin asnjë lloj paragjykimi fetar, dhe në një kohë kur në vitin 1571 morën pjesë në betejën e Lepantos kundër flotës otomane, nuk është se ndërprenë marrëdhëniet e tregtisë me interlokutorët e tyre të Lindjes. Në vitin 1538, vokacioni tregtar u sugjeroi pronarëve të shtypshkronjave në Venecia që të tentonin të komercializonin Kuranin (megjithatë ishte një dështim) si dhe të prodhonin dhe eksportonin objekte të "stilit turk", me mbishkrime dhe dizenjo të frymëzuara nga arti islamik.

"Kjo lehtësi dialogu me Lindjen shihej me sy të keq nga Kisha", saktëson Pedani. "Në fakt, Roma shihte tek Islami një rrezik. Por nënshtetasit e Venecias nuk është se i besonin shumë propagandës, dhe nuk është habi që kishte edhe nga ata që konsideronin si më të rrezikshëm disa të krishterë se sa vetë myslimanët".

Venecianët e Lindjes

Që në epokën e Mesjetës, Venecia kishte komunitetet e vet të tregtarëve në qytetet kryesorë të Lindjes (nga Tunizia deri në Persi). Ishte ky një tipar dallues i të gjithë republikave detare. Por periudha e artë e marrëdhënieve me Orientin erdhi mes shekujve XV dhe XVII. Në atë epokë ishte konsoliduar tashmë një rrjet diplomatik shumë i fortë mes dy palëve, i përqendruar përreth figurave me më shumë ndikim: ambasadorët (të ngarkuar për të vepruar në toka të huaja në emër të Venecias) dhe bailët (nga latinishtja baiulus; "regjent"), një lloj guvernatorësh të komuniteteve tregtarë jashtë vendit.

Mes këtyre spikaste baili i Kostandinopojës, i cili kishte një oborr privat dhe banonte në një pallat të mrekullueshëm në kodrën e Gallatës. Vizitat diplomatike mund të kishin motive të ndryshëm: që nga ngjitja në fron e një sulltani të ri, deri tek një martesë oborri. "Por ngjarja kulmore ishte gjithmonë takimi zyrtar me sulltanin", shpjegon historiania. "Përshkohej nga ritualë që shkonin nga ofrimi i ushqimit, deri tek shkëmbimi i dhuratave diplomatike. Më të kërkuarit prej turqve ishin bizhutë, objektet e zbukurimit shtëpiak, këpucët, stofrat, xhamat dhe ... djathi parmigiano reggiano (që në atë epokë quhej "djathi piaçentin").

Në vitin 1480, u kërkua si dhuratë mjeshtëria e piktorit Xhentile Belini, të cilit iu porositën tre portrete të sulltanit Muhamedi II. Më vonë u ftuan në Bosfor edhe Leonardo Da Vinci dhe Mikelanxhelo (por dy gjenitë e Mesjetës nuk do të vinin kurrë), një dëshmi që tregonte se sa pranë ishin mes tyre dy botët. Në vitin 1551 u hap në Kostandinopojë një shkollë turqishte për dragomanët ("ndërmjetësit gjuhësorë" venecianë). Këta kishin një rol të dorës së parë në marrëdhëniet zyrtare, të mbushura me tension edhe për shkak të frikës se mos mes të pranishmëve kishte ndonjë spiun. Në fakt, në të gjithë perandorinë osmane vepronin, si për llogari të Venecias, ashtu edhe për llogari të fuqive të tjera shumë "informatorë të fshehtë" dhe për këtë arsye, pjesa më e madhe e korrespondencës mes ambasadorëve dhe doxhëve shkruhej në mënyrë të koduar apo me bojë speciale, që bëheshin të dukshme vetëm falë procedurave të caktuara.

Orientalë në Lagunë

Nëse Venecia kishte dërguar njerëzit e vet në kryeqytetet e Lindjes (një koncept gjeografik që në atë kohë përfshinte Egjiptin dhe Afrikën e Veriut), kalifë dhe sulltanë dërgonin në Venecia emisarët e tyre për të trajtuar çështje politike dhe tregtare. "Riteshin në një stil madhështor", rrëfen Pedani. "Të pritur në meza (banesa të stilizuara alla turka me tavolina të ulëta dhe tapetë), gjatë kohës së qëndrimit ata shoqëroheshin të bënin Pazar në qendrat tregtare të asaj epoke, apo në këmbanën e Shën Markut për një "pije" me pamje panoramike, ndërkohë që në mbrëmje ishin mysafirë tek ndonjë fisnik vendas në festa private të mrekullueshme".

Brenda një kohe të shkurtër, këto vajtje-ardhje prodhuan një bum të modës orientale, gjurmët e të cilës i gjeje në art, në veshje dhe në kuzhinë (venecianët ishin të marrë pas kafesë, e sjellë nga Arabia dhe Kostandinopoja në mesin e Pesëqindës dhe më pas e eksportuar në Lagunë), përveçse në arkitekturën lindore të të ashtuquajturit stil "gotik venecian". Tashmë askush nuk e lidhte Orientin me Kryqëzatat. Fantazia shkonte më shumë për një botë të populluar nga dashnorë joshës dhe personazhe përrallash. "Edhe sot e kësaj dite mjafton të bësh një shëtitje në qytet për të ndeshur në bazorelievë me një gamilje, apo në ndonjë statujë me veshje myslimane", thotë ekspertja.

Në një moment të caktuar, ambasadorët orientalë filluan që të binin në sy për shkak të manisë së tyre për të dhuruar kafshë ekzotike, që ishte simbol i derës mbretërore dhe fuqisë. Pikërisht në këtë mënyrë zbarkuan në Venecia luanë, xhirafa, elefantë, rinocerontë dhe pantera. Sigurisht, nuk mund të mungonin edhe hiletë: ambasadorë të vetëcaktuar akreditoheshin për të bërë të mundur qëndrimin edhe për pak ditë në qendër të Venecias, duke qenë se kishin mësuar për famën e tij si qytet i pasur dhe i dhënë pas kënaqësive. 'Megjithatë në fillim, otomanët ishin goxha hezitues për të dërguar në mënyrë zyrtare diplomatët e tyre si dhe vetë tregtarët e Orientit kishin prirjen që të qëndronin sa më pak të ishte e mundur. Gjërat ndryshuan, duke nisur që nga shekulli XVII, kur atyre iu vu në dispozicion një pallat, që më vonë u quajt "Fondaco dei turchi" (nga arabishtja funduq, "shtëpi-magazinë") ku të mund të strehoheshin dhe të kryenin punët e tyre".

Shumëkulturorë

Venecia ishte tashmë një qytet shumëkulturor, dhe jo rastësisht mbeti për shekuj të tërë një qendër ndërkombëtare spiunazhi. Punët dhe lajmet nga oborret e Europës dhe Orientit kryqëzoheshin këtu. Qyteti, në pikën më të futur të Adriatikut, ishte kryqëzimi ideal mes Perëndimit dhe Lindjes, por edhe mes Europës Veriore dhe Mesdheut: dhe në fakt qyteti bashkonte tipare të qyteteve tregtarë të Europës së Veriut dhe karakteristika të një porti lindor... Nëse kësaj i shtohet edhe toleranca fetare që vinte prej sensit të biznesit, atëherë kuptohet përse këtu mirëpriteshin etni dhe kultura të çdo lloji. "Në Venecia nuk kishte vetëm myslimanë", shpjegon Pedani. "Ishte i pranishëm një komunitet i fuqishëm hebre (vendosur që në vitin 1516 në geton e re) dhe prej shekujsh kishte grupe armenësh dhe grekësh, të cilëve më vonë iu shtuan shumë persë. Të huajt që jetonin në qytet për një periudhë të gjatë paguanin taksat dhe mund të aspironin për nënshtetësi si dhe një rritje në pozicion".

Një përshkrim efikas i multikulturalizmit lagunar e jepte në vitin 1924 historiania angleze Eilin Pauër: "Venecianët gjendeshin krah për krah me njerëz nga të gjithë kombet, dëgjonin rrëfimet për udhëtime të kryer në çdo vend... dhe zonjat e Venecias me flokët e kuqe... zbrisnin dalëngadalë teposhtë shkallëve të mermerta të pallateve të tyre, të veshura me të gjithë brikadat e Persisë, si dhe me duart e vogla e me aromën e të gjithë parfumeve të Arabisë'.

Kështu, vazhdoi për një kohë të gjatë, pavarësisht dekadencës së ngadaltë dhe të pashmangshme që nisi me hapjen e rrugëve tregtare me Amerikën deri në 1797. Nën presionin e trupave të Napoleonit Republika mijëvjeçare e Venecias u nda dhe Porta e Orientit i mbylli zhurmshëm kanatat.

Jo vetëm detar

Republika e Venecias nuk ishte dominuese vetëm në det. Duke filluar nga Treqinda i zgjeroi kufijtë e vet edhe në tokë të thatë. Duke pushtuar një pjesë të madhe të rrafshnaltës padane

I quanin shtet i tokës për t'i dalluar nga shteti i detit (zotërimet përtej detit) si dhe nga Dogado (qyteti dhe bregu). Por, zotërimet në tokë të thatë nuk ishin më pak të rëndësishëm për Venecian, krahasuar me detin. Përkundrazi. Ekspansioni në brendësi të tokës venete filloi në fundin e treqindës dhe e pati kulmin afro një shekull më vonë pas përfshirjes së Bergamos dhe Kremonës në Lombardi. Aneksimet ndodhnin në dy mënyra: "për dedikim", apo më saktë për lëshime spontane territoresh nga ana e qyteteve, apo nëpërmjet pushtimit ushtarak. Me thënë të drejtën, dallimi është i menjëhershëm. E demonstron këtë dorëzimi i Veronës (1405) që ndodhi pasi trupat veneciane kishin pushtuar qytetin. Dhe pak vite më vonë, në vitin 1419 edhe territoret e Cividales (me pjesën më të madhe të Friulit), Feltre dhe Belluno u desh të merreshin me armë (hungarezëve të mbretit Sigismondo) përpara se t'u merrej atyre betimi i besnikërisë.

Luftë e hapur

Ekspansioni në Perëndim ishte edhe më i militarizuar. Nga vitet '20 të '400-ës nisi një "luftë tridhjetë vjeçare" mes Firences, Milanos dhe Venecias si dhe aleatëve respektivë për kontrollin e rrafshnaltës padane. 'Venecia e pagoi shumë shtrenjtë pjesëmarrjen e saj", shpjegon Alvise Zorzi, në historinë e tij të Venecias (republika e Luanit) "si në terma ekonomikë, duke patur parasysh koston e madhe të kapitenëve mercenarë, si në terma politikë, për arsye se Lufta në Lombardi do ta detyronte të kishte një prani më pak aktive në frontin lindor, ku kërcënohej prej turqve". Lufta shkaktoi një hemorragji parash (më shumë se 2 milionë dukate, të paktën 20 milionë euro), por konsolidoi dominimin venecian nga Padova në Breshia (1426), Kremonë dhe Bergamo (1428). Vetëm koalicioni antivenecian i udhëhequr nga Mbreti i Francës, Luigji XII dhe nga Papa Xhulio II, i ndali armatat e doxhëve: semafori i kuq u ndez në Lumin Ada, në Agnadello në 14 maj të vitit 1509.

Në fshat

Megjithatë, pjesa e brendshme e tokës ia shpërbleu Venecias. Pyjet që siguronin lëndë druri për anijet, tokat (e bonifikuara që nga shekulli XVI - u kthyen në hoje mjalti për banorët e qyteteve. Për më tepër, pasanikët venecianë të mësuar me detin, zbuluan kënaqësitë e fshatit.

Në varkë përgjatë lumit Brenta, mes Venecias dhe Padovës, apo në karrocë përgjatë fushave friuliane, foskarët, pizanët, kontarinët dhe maninët si dhe fisnikë të tjerë, largoheshin për në rezidencat e tyre verore që ishin ndërtuar në stilin neoklasik firmosur ngë Andrea Paladio (1508-1580). Ishin të famshmet "vila veneciane", aq të bukura saqë sot mbrohen nga UNESCO.

13 shekujt e artë të Venecias

421: sipas legjendës, në 25 mars themelohet qyteti në Lumin Alta (prej nga vjen emri Rialto). Territori, i quajtur Venezia Maritima i përkiste perandorisë bizantine.

452: Hunët e Atilës vijnë në Itali, duke shkatërruar qytetin në brendësi të tokës: shumë të larguar u vendosën në zonat bregdetare.

697: Lind Ducatus Venetiae. Doxh i parë ishte gjysmëlegjendari Paoluccio Anafesto, dux (apo më mirë dukë) për llogari të udhëheqësit të Ravenës.

751: Longobardët pushtojnë Ravenën, por Dukati i Venecias mbetet gjysmë i pavarur nën bizantinët.

800: Venecia aneksohet në Perandorinë e Shenjtë Romake të Karlit të Madh.

806: Dukati vendoset nën mbrojtjen e Karlit të Madh. Një bllok detar bizantin bindi megjithatë doxhin që të rinovojë besnikërinë ndaj perandorit të lindjes, duke e transformuar dukatin në një bazë për veprime ushtarake bizantine në Itali.

810: Ushtria frënge e komanduar nga një djalë i Karlit të Madh pushton territoret e Venecias. Konflikti përmbyllet me fitoren e flotës veneciane dhe ngjitjen e palës filobizantine.

828: Mbërrijnë në lagunë eshtrat e Shën Markut, që bëhet padron i qytetit në krah të padronit paraardhës grek, Shën Theodori.

1000: Flota veneciane lufton piratët që pengojnë ekspansionin e Venecias në Adriatik, duke i mundur në Lissa. Më pas, nënshtron qytetet bregdetarë istrianë dhe dalmatë.

1082: Në këmbim të ndihmës kundër normanëve, Kostandinopoja konfirmon privilegjet tregtarë venecianëve në territoret e perandorisë.

1122: Konkurenca me bizantinët për kontrollin e tregtisë në Adriatik rihapet. Fillon një luftë që përfundon në 1126 (dhe e vazhduar më pas nga 1171 deri në 1176) që vendos pushtetin e Republikës së Venecias.

1255: Fillon "lufta e San Sabas" (nga emri i Manastirit të Akrit, në Tokën e Shenjtë ku filloi) mes Gjenovës dhe Venecias. Në vitin 1270 Venecia del fituese.

1298: Gjenovezët shkatërrojnë flotën veneciane në betejën e Kurzolës (Dalmaci) dhe kapin Marko Polon.

1299: Pas paqes mes Gjenovës dhe Venecias, nis ekspansioni drejt Mesdheut Lindor, Kretës, Qipros dhe ishujve të tjerë grekë: lind ai që venecianët e quajnë Stato da Mar (zotërimet detare).

1426-28: Shndërrohen në Veneciane Bergamo, Breshia dhe Krema, pasi kishin qenë aneksuar qytete venete si Verona dhe Padova.

1453: Venecia merr pjesë në mbrojtjen e Kostandinopojës.

1462: Commune Veneciarum merr emrin zyrtar.

1508: Formohet Lidhja antiveneciane nën udhëheqjen e Papa Xhulio II: armatat e tyre bllokohen në skajet e lagunës.

1571: Në betejën e Lepantos, Lidhja e Shenjtë (aleatë perëndimorë, mes të cilëve Gjenova, Venecia, Papati dhe Spanja) mposht flotën otomane. Venecia ruan zotërimin e Qipros.

1645: Shpërthen lufta e Kandias mes perandorisë osmane dhe Republikës së Venecias për kontrollin e Kretës.

1669: Turqit pushtojnë Kretën. Por në luftën për Peloponezin, Venecia merr Morenë (në skajin jugor të Greqisë).

1718: Paqja e Pasarovicit në Serbi: Venecia u lëshon përfundimisht turqve ishullin e Kretës, heq dorë nga Morea, por ruan ishujt në Jon dhe Adriatik, Dalmacinë.

1796: Napoleoni vjen në Itali. Venecia deklarohet neutrale.

1797: Në 12 maj, Këshilli i Lartë dhe Doxh, heqin dorë: është fundi i Serenissima-s.

--

Marrëzia në pushtet

Mbretvrasje, incest, tortura, sakrilegj. Janë akuzat e historianëve të lashtësisë kundër perandorit të tretë romak, Kaio Jul Cezar Gjermaniku, i quajtur Kaligula. Po të dëgjosh rrëfimet e Senekës, Svetonit dhe Kasio Dionit, dhuna shkaktohej për shkak të një çmendurie progresive. Prova? Ekseset dhe çuditë si përshembull emërimi senator i kalit të tij. Njeriu që për katër vite, ndërmjet pranverës së 37 dhe fillimit të vitit 41 pas Krishtit dominoi Romën me kapriçiot e tij u shndërrua në prototipin e tiranit të marrë e të degjeneruar. Por ndoshta Kaligula do të mund ti rrëmbente batutën Xhesika Rabitit, personazhit të kartonave: "Unë nuk jam i keq, do të thoshte. Thjeshtë më dizenjojnë kështu".

Fanatik

"Që në vitet tetëqind nisi të thuhej se, burimet antikë në lidhje me këtë perandor nuk janë të besueshëm siç duan të duken", pohon Alois Uinterling, docent i Antropologjisë në Universitetin e Friburgut në Gjermani si dhe autor i një biografie të shumëdiskutuar, e cila e rehabiliton pjesërisht Kaligulën. "Për shembull, lajmi se ai ka patur marrëdhënie incesti me tre mortat është i pavërtetë dhe gjendet i formuluar për herë të parë në Svetonio një shekull pas vdekjes së perandorit", këmbëngul Uinterling. 'Seneka dhe Filoni i Aleksandrisë, të dy kundërshtarë të perandorit, sigurisht që nuk do të kishin lejuar t'u shpëtonte një lajm i tillë, por nuk e kanë përmendur gjëkundi".

Kaligula, sipas studiuesit, do të ishte pra një prej personazheve më të famshëm të historisë. Por a do të mjaftonte heshtja e dy historianëve për ta shfajësuar? "Shumë episode që i vishen Kaligulës janë ndoshta të vërtetë", thotë Xhuzepe Antoneli, studiues i historisë romake dhe autor i një studimi mbi figurat "e mallkuara të Romës së lashtë", "por ata duhet që të interpretohen në dritën e personazhit: një sovran i papërshtatshëm në një moment të vështirë".

Princ i vogël

Të paktën për datën e lindjes, të gjithë bien dakord: 31 gushti i vitit 12 pas Krishtit. Hipotezat nisin të kenë dallime kur flitet për vendin: Tivoli (e pamundur), Anzio (me më shumë gjasa duke qenë se familja kalonte aty pushimet), një kamp ushtarak në Gjermani (legjendare; në Gjermani shkoi kur ishte dy vjeç). E sigurtë është edhe prejardhja nga një familje që kishte shumë peshë. Gjyshi dhe babai i Kaligulës kishin qenë gjeneralë që kishin fituar famë dhe respekt me ekspedita ndëshkuese kundër gjermanëve. Për këtë arsye quheshin Gjermanikë, një emër që i kaloi edhe Kaio Jul Cezarit të vogël, i cili nga e ëma ishte i lidhur me familjen e Oktavian Augustit, themelues i perandorisë në vitin 27 para Krishtit dhe i cili ndodhej në fron kur ky erdhi në këtë botë. I rritur në bazat ushtarake të Gjermanisë së largët, u shndërrua në maskotin e trupave dhe (me sa duket me sugjerimin e të ëmës) vishej si "legjionar" me shumë kaligae, apo veshje ushtarake, dhe për këtë arsye i vunë edhe nofkën Kaligula.

Në vitin 14 pas Krishtit, vendi i Augustit u zu prej Tiberit. Dymbëdhjetë vjet më vonë, tashmë i moshuar, perandori u tërhoq për të jetuar në vilën e tij të mrekullueshme në Kapri. Atje ku, në vitin 31 erdhi djaloshi 18-vjeçar i gjermanikos. Kaligula, i adoptuar prej Tiberit, pavarësisht se ky sapo kish urdhëruar rojet pretoriane që të shfarosnin familjen e fuqishme, zbuloi artin, kulturën dhe teatrin. U dashurua aq shumë sa që do të mbushte me nderime të mëdha aktorin e pantomimave Maestrin dhe aktorin Apele, në po të njëjtët bankete ku godiste me peshq në fytyrë patricë dhe senatorë. Megjithatë, në Kapri, përveç verës rridhte edhe gjaku.

Sipas Svetonit, Kaligula "asistonte me një kënaqësi shumë të madhe në torturat dhe ekzekutimet e të dënuarve dhe natën, i maskuar me një parukë dhe një mantel të gjatë, jepej pas shthurjeve". Në ishull, biri i Gjermanikos njohu Makronin, kreun e pretorianëve si dhe bashkëshorten e tij, Enia, të cilën ndoshta e pati edhe të dashur. Në 16 mars të vitit 37, ky trekëndësh rezultoi vdekjeprurës për Tiberin. Ka nga ata që thonë se u vra prej Makronit. Për të tjerë, vetë Kaligula e helmoi dhe më pas e mbyti. 'Sido që të kenë shkuar gjërat", shpjegon Uinterling, "rrëfimet konfirmojnë idenë që bashkëkohësit kishin për ambientin ku Kaligula kaloi gjashtë vite të gjatë: një vend ku rrezikohej jeta në çdo moment". I rritur në një rrezik konstant nga vdekja, nuk është habi që me kalimin e viteve demonstroi një paranojë të pashembullt.

Shëmtuar

I quajtur nga turma si "vogëlush" si dhe i kurorëzuar me flijimin e 160 mijë kafshëve, perandori i ri hyri në Romë në prill: në moshën 24-vjeçare ishte perandori më i ri që Roma kishte patur ndonjëherë. I ri, por jo i bukur. Të paktën po të besosh portretin 'e zi' që i bënte Seneka: "Aq e madhe ishte verdhësia e tij, simptomë e çmendurisë, aq kanosës ishin sytë e tij, të futur në një ballë prej plakushi, aq e shëmtuar ishte koka e tij; shtoji gjithë këtyre edhe qafën leshtore, si dhe këmbët e trasha e të mëdha". Svetoni shtonte se "e bënte edhe më të shëmtuar pamjen e tij, që nga natyra ishte e tmerrshme dhe e frikshme, duke studiuar para pasqyrës shprehje të fytyrës që frymëzonin terror dhe frikë". Ngjajnë më shumë me karikatura se sa me portrete besnikë: për retorikën e kohës, një sovran i keq duhej të ishte domosdoshmërisht edhe i shëmtuar dhe i sëmurë.

Në të vërtetë, kartela klinike e Kaligulës ishte pak siguruese. Kishte vetëm tetë muaj që kishte hipur në fron kur u godit nga një sëmundje misterioze (ndoshta epilepsi), e cila pothuajse i shkaktoi vdekjen. Atëherë nisi një seri komplotesh kundër tij, udhëhequr nga Makroni, por të zbuluar në kohë. Tiber Xhemeli, nip i Tiberit që do të duhej të merrte vendin e Kaligulës, u detyrua që të vrasë veten. Një ushtari iu desh ti tregojë si të përdorte shpatën. Makrioni, më ekspert e bëri vetë. Në Romë ishte tashmë e qartë se kush komandonte.

Absolutist

I shëruar fizikisht, Kaligula nuk u përmirësua në karakter. Afranio Potiti, një lajkatar që kishte thënë se do të vetëvritej nëse sëmundja do të kursente perandorin, u detyrua që t'i qëndrojë besnik betimit të tij. Një tjetër, Atanio Sekondo u detyrua që të mbante premtimin për të zbritur në arenë si gladiator. Për historianët e lashtësisë ishin shenja të qarta marrëzie: askush nuk kishte ëndërruar ndonjëherë që të merreshin seriozisht premtime të tillë. Për historianët modernë kjo është prova që perandori kishte vendosur të qeveriste si absolutist. "Ideja që Kaligula kishte për pushtetin, mund të përmblidhet me moton: I bëj çfarë të dua, kujt të dua", thotë Antoneli.

Karriera perandorake ishte e mbushur me eksese. Në një vit harxhoi pa hesap nëpër spektakle dhe ndeshje gladiatorësh pasurinë miliardere që kishte lënë Tiberi; kur shkoi deri në Kanalin anglez kur qe nisur të pushtonte Britaninë, i dërgoi ushtarët e tij që të mblidhnin guacka deti për t'i shfaqur si plaçkë lufte. Në kthim nga ekspedita, bëri që të ndërtohej një urë e kushtueshme me varka 5 kilometra në Gjirin e Baias në Napoli ndoshta për t'u tallur me një profeci të vjetër të një astrologu të Tiberit ("Kaligula ka aq shumë mundësi për t'u bërë perandor aq sa ka edhe për të kaluar me kalë Gjirin e Baias"). Ka edhe më: fshihej poshtë krevatit gjatë stuhive, fliste me Hënën, sfidonte Jupiterin me zë të lartë, ishte ndjekës i kulteve egjiptiane dhe kërkonte të adhurohej si perëndi. Faje të rëndë për tradicionalistët. Kishte një bordello në pallatin e tij. Të gjithë këta zëra në manualet mjekësorë të 800 u bënë simptoma të "marrëzisë cezariane": një megalomani pa frena, e rënduar nga mania e persekutimit.

Kuaj dhe senatorë

Po përse historianët e lashtë ishin kapur kaq shumë me një sovran, i cili mbretëroi kaq pak, pa ndryshuar kursin e historisë dhe as duke lënë shenja të veçanta përveç një hipodromi të madh në Vatikan? Përgjigja gjendet në luftën e ashpër mes senatit dhe pushtetit perandorak. "Ndërkohë, që Augusti dhe Tiberi ishin përpjekur të ndërmjetësonin me senatorët, Kaligula u përpoq që të imponohej si sovran absolut", shpjegon Antoneli. "Kishte vënë në lojë aristokracinë dhe senatorët, duke i shtyrë drejt një vetëposhtërimi të skajshëm", sintetizon Uinterling. E vërtetonte këtë episodi më i famshëm, emërimi si sentor i Incitatusit, kali i tij i preferuar. Thuhet se, Kaligula i kishte ndërtuar atij një stallë të mermertë, që atij i shërbehej me enë të florinjtë dhe që kishte ndërmend ta emëronte konsull. Mesazhi për senatorët ishte i qartë: kali im vlen më shumë se të gjithë ju. Historianët armiq të absolutizmit mund të jenë hakmarrë, duke e paraqitur Kaligulën si një të çmendur.

Fundi i perandorit ishte i dhunshëm ashtu si edhe mbretërimi i tij i shkurtër. Truri pas komplotit ishte aristokracia që donte në fron Klaudion. Krahu, të njëjtët, garda pretoriane. Kaligula u vra nga shpata e tribunit të Pretorios, Kerea dhe ndoshta edhe iu pre koka. Sipas Svetonit, fjalët e tij të fundit ishin: Jam ende gjallë! Bashkë me të, në 24 janar të vitit 41 pas Krishtit u vranë edhe gruaja e katërt, Cesonia dhe bija e vetme, Drusila, vetëm 3 vjeçe.

--

"Njeriu pa fytyrë"

Wolf ishte njeriu, të cilin zyrtarët perëndimorë të shërbimeve të fshehtë e kishin frikë dhe e admironin njëkohësisht. Ai drejtoi një rrjet prej 4000 spiunësh - shumë prej të cilëve vepronin në thellësi të institucioneve të Gjermanisë Perëndimore. Zbulimi i një prej "urithëve" të tij, Gunter Guillaume, solli rënien e pashmangshme të Kancelarit Willy Brandt. I gjatë, thirrej gjatë asaj kohe si "njeriu pa fytyrë", për shkak se për shumë vite me radhë nuk ekzistonte asnjë fotografi e tij.

Besohet që ai të ketë qenë frymëzimi për kryespiuni me pseudonimin "Karla" në librin e suksesshëm të John Le Carre, ""Kallajxhi, Rrobaqepës, Ushtar, Spiun". I lindur në Gjermani, në vitin 1923, Wolf pati një fëmijëri të hershme relativisht të qetë. I ati, Friedrich Wolf ishte një shkrimtar i njohur dhe njëkohësisht doktor. Ai njihej si një hebre me bindje komuniste. Edhe e ëma ishte një komuniste e vendosur, dhe kur Hitleri erdhi në pushtet në vitet tridhjetë, familja e tij u arratis, duke u vendosur në Moskë.

Wolfi i ri u përshtat menjëherë me atdheun e tij të dytë dhe ra menjëherë në sy të zyrtarëve të Partisë Komuniste, ndërkohë që ishte ende në shkollë. Kur përfundoi lufta ai u rikthye në Gjermani, ku punoi për Radio "Berlinin" dhe mbuloi si gazetar seancat e Gjyqit të famshëm të Nyrenbergut.

Shije luksi

Kjo përvojë duket se ka patur një efekt shumë të gjatë mbi Wolf. Në një intervistë dhënë për televizionin BBC, ai zbuloi se urrejtja ndaj fashizmit ka qenë një prej forcave më të mëdha shtytëse në jetën e tij, e cila e bindi atë se do të duhej patjetër të mbronte atdheun e tij nga çdo formë përsëritje e regjimit nazist. Në fillim të viteve pesëdhjetë, ai u zgjodh për të drejtuar departamentin e sapokrijuar me jashtë të shërbimit të fshehtë të Stasit - Policia e Fshehtë dhe e tmerrshme të Gjermanisë Lindore. Ata që e kanë takuar në atë kohë thonë se, Wolf rrezatonte sharm gjithandej dhe ai ishte antiteza e plotë e imazhit të një aparatçiku komunist. Ai i kuptonte fare mirë joshjet e Perëndimit - dhe kishte një shije të hollë për lukset në jetë, si edhe për gratë e bukura. Wolf kujdesej jashtëzakonisht shumë për stafin e tij, duke fituar kështu besnikërinë e tyre të palëkundur. Por ngrohtësinë që rrezatonte, Wolf e përdori jo pak herë edhe për të shfrytëzuar dhe manipuluar të tjerët.

Agjentët e fjetur

Wolf përzgjodhi që qasje afatgjatë për detyrën që kishte marrë përsipër, duke futur spiunë në Gjermaninë Perëndimore, mes turmave të gjermano-lindorëve që vendosën të largohen përpara se të vendosej Perdja e Hekurt. Ndonjëherë, ai priti edhe me vite madje, që agjentët e tij të fjetur të bënin rrugë në drejtim të posteve të nivelit të lartë, me qëllim që ata të vendoseshin në një pozitë ku të fillonin e ta furnizonin me sekrete. Një prej këtyre agjentëve ishte Gunter Guillame, i cili u vendos në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1956. Ai arriti me shumë mund të ngjitet në hierarkinë e Partisë Socialdemokrate, duke u bërë një prej këshilltarëve më të afërt të Kancelarit të atëhershëm, Willy Brandt, duke arritur kështu të fusë duart në sekrete shumë të rëndësishëm të NATO-s.

Në vitin 1974, Guillame u zbulua nga zyrtarë të Shërbimit të Fshehtë të Gjermanisë Perëndimore dhe skandali që pasoi çoi në dorëheqjen e Kancelarit Brandt. Më vonë, Wolf ka thënë se ai nuk kishte për qëllim rrëzimin e Brandt - dhe se kjo çështje kishte qenë një prej gabimeve më të mëdhenj të STASI-t. Guillame u dënua me 13 vjet burg, dhe në vitin 1981 u lirua në një shkëmbim me spiunë perëndimorë që ishin kapur në Lindje.

Reputacion magnetik

Por, Wolf rekrutoi gjithashtu edhe gjermano-perëndimorë - agjentët e tij i joshnin ata shpesh përmes seksit ose parave. Në kujtimet e tij, ai është mburrur se, nëse do të hynte dhe zinte vend në historinë e spiunazhit, kjo do të ndodhte, sepse kishte përsosur përdorimin e seksit në spiunim. Mes triumfeve të tij më të mëdhenj ka qenë rekrutimi i Hans Joachim Tiedge, një gjermano-perëndimor, i cili ishte ngarkuar të kthente agjentët gjermano-lindorë në agjentë të dyfishtë. Tiedge ishte një pijedashës dhe ai dezertoi kur borxhet e tij u rritën aq shumë, saqë nuk mund të shihte asnjë rrugëdalje tjetër. Edhe zëvendësi i tij u bashkua gjithashtu me Wolf dhe punoi për të si "urith", deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. Autori Leslie Colitt, i cili ka shkruar gjerësisht për Markus Wolff beson se një pjesë e madhe të sukseseve të tij kanë ardhur prej fatit, por gjithashtu reputacioni i tij ka shërbyer si magnet për dezertorët e shërbimeve të huaj. Një pjesë e misterit Wolf kish të bënte me faktin se për 20 vjet, askush në perëndim nuk e njihte identitetin e tij. Por anonimati i kreut të shërbimit të fshehtë gjermano-lindor mori fund pas një vizite të tij në Stokholm në vitin 1978.

Autoritetet suedeze ishin bërë gjithnjë e më dyshuese për gjermano-lindorin e pashëm dhe gruan e tij tërheqëse. Një agjent iu qep pas, e filmoi, dhe kështu maska e tij u çorr. Kur ra Muri i Berlinit, Wolf shkoi në Moskë, por atje iu refuzua strehimi dhe kështu u kthye në Gjermani. Shumë prej ish-kolegëve thuhet se u tronditën thellë nga vendimi i heroit të tyre për t'u larguar. Më vonë, ai u dënua për tradhëti, por verdikti u përmbys në apel. Gjykatësit argumentuan se ai kishte punuar për ish-shtetin e pavarur gjermano lindor dhe kështu nuk mund të gjykohej për tradhëti në një shtet tjetër. Vdekja e tij, në përvjetorin e 17 të rënies së Murit të Berlinit u pa nga shumë vetë si fundi i një epoke.

Markus Wolf u nda nga jeta, duke marrë me vete në varr edhe një pjesë të mirë të sekreteve të Luftës së Ftohtë. Shumë gjermanë të moshuar nuk mundën ta falin, për faktin që vendosi një agjent në krahun e Kancelarit të Gjermanisë Perëndimore. Kjo gjë solli rrëzimin e një prej aktorëve kyç në përpjekjet për pajtimin mes Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore. Asgjë më mirë se kjo nuk mund të ilustrojë më mirë dëmin e veprimtarisë së Wolf: triumfi i tij më i madh i spiunazhit dëmtoi interesat e një shteti që ai kish detyrë të mbronte.

Përgatiti ARMIN TIRANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SI U BËNË JACKSON, ELVIS DHE DIANA SHENJTORËT E KOHËVE MODERNE (06.19.2010)
"MURMANSKI DUHEJ PUSHTUAR!", HITLERI E KUPTOI TEPËR VONË (06.18.2010)
MADOFF, I BURGOSURI MË I FAMSHËM NË AMERIKË (06.15.2010)
GRIMCA BOTËRORËSH, REKORDI I HIDHUR I BELGJIKËS (06.13.2010)
KOSOVA DHE FUTBOLLI SIPAS FADIL VOKRRIT (06.12.2010)
MIGRACIONI NUK ËSHTË SHKAK PËR POPULIZMIN E DJATHTË (06.09.2010)
FAJDEXHINJTË DHE BORXHLINJTË (06.08.2010)
BIZNESI QË LULËZON! TREGTIA ME NJERËZIT DHE VIKTIMAT E HARRUARA (06.07.2010)
FRANCESCO COSSIGA: POLITIKANËT JANË TASHMË MARIONETA NË DUART E BANKIERËVE DHE NË LUMIN E PARASË KORRUPSION LUNDROJNË KARRIERAT DHE PASURITË PERSONALE (06.06.2010)
MASAKRA E TIVARIT, SI U VRANË 8 MIJË SHQIPTARË (06.02.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]