Prishtinë, 1 gusht - Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë vizituar një kamp të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Sllatinë, ndërsa me këtë rast vlerësuan se janë pikërisht Njësia Speciale ata që e bashkuan Kosovën, ka raportuar Telegrafi.
Me këtë rast, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga tha se mbrojtja dhe ruajtja e kufijve të Kosovës është njëra ndër përgjegjësitë që ka Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Ajo iu ka drejtuar Njësisë speciale, duke thënë se ajo çfarë bënë është nder që ia kanë bërë Kosovës.
Presidentja premtoi para policëve të Njësisë Speciale se Policia e Kosovës dita ditës po profesionalizohet dhe më shumë.
Ndërkaq, kryeministri Thaçi tha se Njësia Speciale bashkoi vendin, ndërsa policinë e rënë Enver Zymberi e quajti si shembull se si vdiset duke e ruajtur sovranitetin e Kosovës.
Duke përgëzuar Njësinë Speciale të Policisë, Thaçi tha se shtrirja e autoritetit në veri të vendit, është synimi që ai si kryeministër ia ka vënë vetes.
Kryeministri tha se nuk mund të tolerohet që krimi dhe kontrabanda të vazhdojë edhe më tej të lulëzojë në veri të vendit, ndërsa përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë kthim prapa.
(http://www.koha.net)