E Hënë, 05.20.2024, 03:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

KUR U VRA ARBEN BROCI...

Nga VEDAT KOKONA


E Hënë, 04.02.2012, 08:05am (GMT+1)

 

Atë të enjte, më 4 prill të këtij viti, atje në aeroportin Hithrou të Londrës, ku do t'i hipja avionit bashkë me gruan për t'u kthyer në Shqipëri pas disa muajsh qëndrimi në Angli, ku kishim shkuar me ftesën e kunatit tim, Sali Toptani dhe të së shoqes Audrey, nuk më kishte shkuar për asnjë grimë në meNdje se do të shkruaja diçka për gjithë ato ngjarje të dhmbshme, që kanë kapluar Atdheun që prej dhjetë muajsh në shtërzimet e forta të lindjes së një jete të re. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në Angli, u rrëmbeva në vorbullën e ngjarjeve të stuhishme që kishin shpërthyer e kapërthyer vendin tim pas eksodit të bashkëatdhetarëve të mi në korrik të vitit të kaluar.

Nuk do ta harroj kurrë pamjen lënduese të atyre qindra bijve të Shqipes që, të rreshtuar në ballkonin e gjatë të faqes së pasme të ambasadës gjermane në Tiranë, dukeshin atë ditë të nxehtë korriku si zogj shtegtarë në tel telegrafi për t'u nisur fluturim, për ku? Një Zot e dinte. Muajt që pasuan, të gjithë të ngarkuar po me aq ngjarje tronditëse që rrokulliseshin në Shqipëri dhe atje në Irakun e sfilitur të Sadam Huseinit, eksodi tjetër masiv i shqiptarëve, këtë radhë me anije, nga porti i Durrësit, gra, burra, djem, vajza, fëmijë, edhe të moshuar, të ngjeshur si sardelet në kuti, vetëm me një dëshirë: ikë, të ikim! Si ushtarë të shpartalluar pas një disfate si ajo e Uoterllosë apo e Dunkerkut, fushata e zgjedhjeve për një parlament pluralist në Shqipëri, përmbysja e monumentit të Enver Hoxhës në Sheshin "Skëndebej", pastaj prapë arratisje nga Durrësi, por këtë radhë edhe nga Vlora, Shkodra e nga kufiri i Jugut, prapë arratisje në Greqi, e prapë në Itali, shpartallimi i ushtrisë fantazmë të Sadamit, prapë arratisje, zbarkim në Brindisi, morì njerëzish të shqyer, të zhvatur, të shkalafitur, që hidhen nga anija në skelë me rrezik jete, njëri që kacaviret nga uji me ndihmën e një litari që i kanë hedhur, gra që qajnë se kanë humbur fëmijët, të mitur buzagaz që ngrenë dy gishtat lart në shenjë fitoreje, çfarë fitoreje? Karabinierë që shtyjnë turmën me më pak egërsi se policët tanë që rrahin me shkopinj gome edhe të mitur, vëllezërit e motrat e tyre, të gjitha këto pamje të përmortshme, të hatashme, të vajtueshme, apokaliptike, i shikonim çdo ditë e çdo natë në emisionet e BBC angleze dhe i lexonim çdo mëngjes në gazetën "The Times" apo edhe në organet e tjera të shtypit anglez.

E si mund të jetoje i ndarë nga fatet e Atdheut, kur mijëra fije shpirtërore të lidhnin me të që në mpiksjen e qelizës së parë të jetës në barkun e nënës?..

* * *

E enjte. Jemi më 4 prill '91. kjo datë do të jetë e rëndësishme për mua, sepse është shkaktarja e këtij shkrimi. Dy ditë më parë, të martën më 2 prill, atje në Shkodër është vrarë djali i ri Arben Broci gjatë një trazire që ndodhi me rastin e zgjedhjeve. Po, zgjedhjet u bën më 31 mars dhe më 2 prill ndodhi tragjedia. Bashkë me Arbenin vriten edhe tre të tjerë. Lajmin e kemi marrë vesh një ditë më parë në emisionet e BBC. Lajm i hidhur, shumë shqetësues. Për këtë kuvendojmë në aeroport duke pritur orën e nisjes së avionit. Saliu, Audrey, dy miq shiptarë që kanë ardhur për të na përcjellë, gruaja ime dhe unë. Çastet para nisjes janë disi lënduese. E si të mos jenë? Të nisesh, është sikur të vdesësh pak, thotë një poet francez: njeriu lë prapa diçka që duket sikur shkulet nga vetja e vet dhe mbetet diku, po s'dihet se ku. Ka ardhje, ka dhe ikje, thoshte i ndjeri im atë kur largoheshim zemërthyer nga një qëndrim i lumtur në një vend. Hithrou gëlon nga një mori njerëzish: burra, gra, të rinj, të reja, fëmijë, njerëz të bardhë, të kuq, të zinj, të verdhë, që venë, që vinë; ca të tjerë, më këmbë, me vështrim të ngulur në tabelën e madhe të arritjeve dhe të nisjeve të avionëve, të tjerë të ulur që pinë kafe. Ja edhe dy fëmijë që lëpijnë kapuçin e akullores me çokollatë në kaushin e biskotës. Ja edhe fuqi të rendit me automatik në dorë dhe me qen të madh pranë: vigjilentë për çdo incident që mund të ngjasë, sepse është kohë alarmi, atmosferë lufte. Ah, mor Sadam Husein, e gjetsh nga Perëndia më keq seç e gjete!

Ja edhe çasti i nisjes. Lot, përqafime, puthje. "Na shkruani, mos na harroni. Ma ki kujdes motrën, ma ki kujdes Kornejin": kështu më quan kunati, sepse kam përkthyer Horacin. Kthejmë edhe një herë kokën para se të futemi në korridorin, që do të na shpjerë tek avioni. Edhe më s'shihemi.

Hipim në avionin që do të niset për në Budapest. Ora është një e gjysmë. Zëmë vend në ndenjëset dhe mbërthejmë brezin e sigurimit. O perëndi, sigurim edhe këtu! Kam në krah të majtë time shoqe sypërlotur nga ndarja me të vëllanë dhe të kunatën angleze, për çudi, po aq zemërlënduar sa edhe ajo nga ndarja dhe, në krah të djathtë, një djalë të ri, nja njëzet e dy vjeç, flokëzi, simpatik, buzëgaz, i sjellshëm sa s'thuhet, që përpiqet të më ndihmojë me rregullimin e plaçkave.

Pleqërinë s'ta kujtojnë vetëm ngërçet, dhembjet e mesit apo edhe shumë shenja të tjera që të paralajmërojnë të bëhesh gati për udhë, por edhe kur të vijnë të rinjtë në ndihmë, si ky djalë i ri që më ndihmon të heq pardesynë. E ndiej që s'është anglez, as gjerman, as nordik; mos është spanjoll, italian? Një çast më duket si shqiptar. Ai kthen kokën nga një grup djemsh e vajzash që janë ulur nga ana tjetër e rruginës së avionit, ku shkojnë e vijnë si suvajka stjuordët e zënë me punë dhe u flet greqisht. Është grek. S'qenkam gabuar shumë.

Njihemi dhe fillojmë të flasim. E shoh që është kuvendvogël dhe nuk e zgjas muhabetin, ndoshta sepse nuk i pëlqen të flasë gjuhën angleze, të cilën sidoqoftë, nuk e zotëron keq. Më thotë se kishin ardhur në Angli, një grup studentësh grekë, për të përfituar nga gjuha angleze e folur dhe, pas mbarimit të një kursi dymujor, po ktheheshin në Greqi. E pata zili këtë djalë që kishte ardhur me shokët e tij në Angli për të zotëruar ca më mirë anglishten dhe më erdhi shumë keq për ata mijëra të rinj shqiptarë, që e mësojnë anglishten me aq vështirësi në gjimnaz dhe universitet dhe ca më vështirë akoma vetë dhe që nuk e kishin fatin e këtyre të rinjve grekë. E pata zili, them, kur mendova diçka edhe shumë më tragjike se kjo: pardje ishte vrarë atje në Shkodrën tonë një djalë njëzetekatërvjeçar, ja, si ky greku që kisha pranë, që kthehej në tokën e atdheut pas një specializimi, kurse ai tjetri, vëllai, apo djali, apo nipi im, ai shqiptari, i kthehej tokës së Atdheut në lulen e djalërisë.

* * *

Djali grek, me kokën të mbështetur në përkresën e kolltukut, mbylli sytë. Një stjuord, elegant në kostumin e zi, ku dilte në pah këmisha borë e bardhë me jakën me papijon të zi, kaloi me zhdërvjellti nëpër rruginën duke shpërndarë falas një gazetë. E mora dhe e hapa. Ishte gazeta e madhe "The Guardian" prej dyzet faqesh që botohet në Londër dhe Mançester, e madhe sa kjo tavolina ime e shkrimit. Ç'të shoh?! Një fotografi e madhe, që ka zënë thuajse gjysmën e faqes së parë që s'kish si mos t'i tërhiqte vërejtjen edhe lexuesit më të pavëmendshëm. Pa le mua që m'i mbërtheu menjëherë sytë atje. Shoh një grua me napë të bardhë dhe një djalë të shtrirë me sy të mbyllur. Mornica më shkojnë në trup. E ndiej, para se të kuptoj, se ky djalë i ri i vdekur është Arben Broci, i vrarë dy ditë më parë në Shkodër. Dhe vërtet ai është. Lexoj shkrimin poshtë fotografisë: "Të afërmit vajtojnë Arben Brocin, një student aktivist vrarë nga policia në Shkodër, në Shqipëri, këtë javë." Vështrimi im kalon nga shkrimi në fotografi, që më tërheq si magnet. Në sfond, në plan të katërt, katër të reja fytyrëhelmuara, nga të cilat, njëra me flokë të zinj, me kokën pak të ulur, me një shami të bardhë, shtrënguar me tre gishtat e dorës së majtë para syrit të djathtë; në plan të tretë, një vajzë flokëshprishur që është përkulur dhe ka mbështetur kokën në pëllëmbën e dorës së majtë të një burri ballëgjerë, me sy të mbyllur në kulmin e pikëllimit dhe me buzë të qepura për të mbyllur në vetvete helmin, një fytyrë fisnike dhe aq e madhërishme nën tisin e vajtimit; në plan të dytë një grua e moshuar, me një napë të bardhë që i mbulon kokën dhe supet, një fytyrë ku sytë e përhumbur dhe goja e mbyllur shprehin të pashprehshmen, rri duarlidhur dhe shprehjehutuar dhe duket sikur pyet: "Ç'është kështu? Të jetë e vërtetë?". Dhe, më në fund, në plan të parë, pamja më rrëqethëse: një e re: Motra? Gruaja? E fejuara? Flokëshprishur, fytyrëpërlotur, me gojë gjysmë të hapur dhe me buzë të shpërfytyruara nga kuja, është përkulur përgjysmë mbi një djalë të ri me flokë të dendur dhe të zinj, me kokë të bukur të mbështetut mbi çarçafin e bardhë, vetullzi, me syrin e majtë të mbyllur përpjetë dhe me buzën e sipërme të shpërveshur lehtë dhe duket sikur i thotë: "Fol, pse hesht?" Kaq, asgjë më tepër.

Djali grek ka hapur sytë dhe më lutet t'i jap gazetën që t'i hedhë një sy. Ia jap. Vështrimi i tij kalon fluturimthi mbi fotografinë, ku sytë e mi ishin mbërthyer gjatë disa minutave dhe pastaj në faqet e tjera që fëshfërijnë në lëvizjet e gishtërinjve të tij. Edhe ma kthen gazetën.

E qortoj me vete këtë djalosh që s'mori mundimin t'i kushtonte pak vërejtje asaj fotografie, që më lëndoi aq tepër mua dhe ajo simpati që kisha për të më avullon menjëherë. Po ku ta dijë djali grek se ka pranë një shqiptar, që është prekur thellë nga ajo fotografi? Për fat të mirë, ai s'di që jam shqiptar, se përndryshe do të më pyeste, me siguri, mos kisha marrë arratinë edhe unë si ata dhjetëra mijë shqiptarë të shpërndarë "si zogjtë e korbit" këto kohët e fundit në Greqi, Itali, Austri, Gjermani, Francë, Australi dhe Amerikë, pasi lënë folenë dhe s'dinë se ç'fole do të gjejnë atje ku do të shkojnë dhe mos më kishin dëbuar vallë nga Anglia pas mospranimit të kërkesës sime për strehim politik? Për fat të mirë që djali, siç thashë, ishte kuvendvogël, më ktheu gazetën dhe pastaj mbylli sytë përsëri. ("Komedia e përjetshme")

VEDAT KOKONA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PROJEKTI 'ONE WORLD YOUTH' SJELL PËRVOJËN GLOBALE TEK TË RINJTË NË KOSOVË (04.01.2012)
"Dielli": SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM GJENERAL GJUNKSHI VIZË TEK VATRA (04.01.2012)
KËRKOHET STATUS I BARBARTË I VOJVODINËS ME SERBINË (04.01.2012)
KOHA DITORE FESTOI DITËLINDJEN E 15të (04.01.2012)
"Zëri i Amerikës": POLICIA SERBE ARRESTON DY POLICË TË KOSOVËS, REAGON MINISTRIA E BRENDSHME (03.31.2012)
QEVERIA E KOSOVËS KEQTRAJTON KAPITALIN NJERËZOR (03.31.2012)
HISTORIA PO RIZGJOHET, AJO ULËRINNga HALIL MATOSHI (03.31.2012)
DELL: KORRUPSIONI NË KOSOVË PO BËN KËRDINËFjalimi i Ambasadorit Christopher W. Dell me rastin e ceremonisë së Programit fillestar edukativ ligjor - Korrupsioni në Kosovë – Dalja nga hija në dritë (03.30.2012)
"Christian Science Monitor": INCIDENTET E DHUNSHME ETNIKE PËRGËNJESHTROJNË PAQEN NË BALLKAN (03.30.2012)
EDI RAMA, NDËRKOMBËTARËT DHE NEVOJA PËR NDRYSHIMNga ALFRED ÇAKO (03.30.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]