A mundemi t'i parandalojmë vetëvrasjet?Kjo pyetje shtrohet sot në kohën e
globalizmit në çdo libër, revistë apo seminar qoftë, mbi shëndetin mendor apo
dhe për publikune gjerë. Mos vallë shoqëria njerëzore ka ndryshuar në
marrëdhëniet e saj në kohët e postmodernizmit? Kjo do të përkthehej më mirë, se
mos vallë marrëdhëniet tona brenda familjes apo shoqërisë kanë ndryshuar apo
janë në ndryshim e sipër? Ne prindërit e sotëm, kemi mbetur ndoshta mbrapa
fëmijëve tanë në konceptin e vështrimit të kuptimit që ka jeta në kohët e
postmodernizmit, në kohët e informatikës? Mendohet se postmodernizmi filloi
pikërisht me një nga arritjet më të mëdha të njeriut modern në shekullin XX:
Kontakti për herë të parë i njeriut me një planet si Hëna në korrik të 1969-ës.
Dikush e konsideron si arritja më e madhe për atë shekull. Sidoqoftë
problematika shtrohet sot në postmodernizëm, se nivelet e larta të tejskajshme
të teknologjisë ushtrojnë presion mbi ekzistencën e individit, pra i shkaktojnë
atij një stres që po vjen duke u rritur çdo ditë. Kjo situatë po krijon atë, që
është në konceptin e Heidegerit (filozofit gjerman ekzistencialist të shek.XX
), se dalëngadalë qenia apo ekzistenca e njeriut sikur po anashkalohet?! Se
vëmendja ndaj tij herë zbehet dhe herë përforcohet. Me fjalë të tjera, do të
ekzistojë humanizmi (marrëdhëniet tona pozitive) në një shoqëri që po ndryshon
me shpejtësi apo ai do të reduktohet apo kundërshtohet nga një fenomen i
tmerrshëm si ai i "Narcizimit" (dikur pata shkruar një artikull mbi të në
gazetën "Panorama" dhe referuar gjithashtu në seminarin e Psikiatrisë në
Drezden, në 2007-ën). Një psikolog amerikan, Taynebi, bën thirrje në vitet "˜90
"˜2000 që shoqëria e sotme, t'i drejtohet më shumë me miliardat tona
problemeve dhe halleve të njeriut se sa garave të pushtimit të hapësirës?!
Duhet të pranojmë dhe jo të fitohet terren nga kahjet politike, se edhe ne po
ballafaqohemi me tendencat apo dhe vetëvrasjet ashtu sikurse Lindja dhe
Perëndimi. Ky është një fenomen sa i vjetër për botën mbarë, aq aktual dhe tek
ne. Është një fenomen që e hasim në çdo kulturë dhe ka ngritjet apo uljet e
veta sipas situatave apo ndryshimeve sociale që kalon një vend. Tranzicioni në
mbarë hapësirën shqiptare do të ketë vështirësitë e veta. Jemi ne në gjendje,
në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, armata e madhe e personelit që angazhohet çdo
ditë me shëndetin mendor të parandalojmë këtë fenomen dhe të arrijmë rezultate?
Nuk ka predictor (përcaktues) të saktë sikurse fizika dhe matematika në
çështjet e psikikës. Këtë pyetje e shtron së fundmi dhe një nga revistat më
prestigjioze gjermane, "Die Psychiatrie". Ka rreth 16 mijë tentativa dhe
vetëvrasje në vit në Gjermani dhe dyfishi në USA. Po kështu, ndoshta dhe më
tepër në Japoni. Në këtë vend ka arritur të ketë 24 vetëvrasje në vit për çdo
100.000 mijë banorë. Natyrisht, ne nuk kemi statistika adekuate deri diku në
vendin tonë, por fatmirësisht jemi akoma larg shifrave të vendeve që përmendëm
më lart.
Trajtimi i vetëvrasjeve në shoqërinë tonë kërkon në plan të parë kulturën e
humanizmit
Këto fjalë u thanë në seminarin e Dresdenit, në 2007-ën, ku isha një i
pranishëm aktiv.
Do të ishte kontraproduktive për shoqërinë tonë nëse ndonjë individ, qoftë
mjek, gazetar, intelektual i çfarëdoshëm, do të komentonte apo sugjeronte në
realitetin tonë të përditshëm mediatik këndvështrimet e tij të cekta,
reduktioniste, pa u thelluar në aspektin psiko-analitik të fenomenit të
vetëvrasjes. Aq më keq kur mungon dhe etika mjekësore apo privatësia e tjetrit,
që nuk të lejon të përflitet për çështjet personale. Diskutimi mbi vetëvrasjet
është një diskutim që përfshin jo vetëm boshtin biologjik (gjenetika dhe nëse e
mori apo nuk e mori medikamentin pacienti), por dhe atë
psikologjikpsikoanalitik (struktura e egos së individit dhe raportet e tij në
familje në radhë të parë) dhe mbi të gjitha në kohët e sotme, terreni social ku
ndodh ky fenomen. Përse X individ tentoi apo kreu asgjësimin e vetvetes? Një
fenomen i dhimbshëm për të gjithë ne. Shqiptarët deri tani të paktën po i
ruajnë lidhjet e fuqishme emocionale me njëri-tjetrin. Këtë e dëshmoi më së
miri lufta e Kosovës, për të cilën më janë drejtuar disa pyetje nga kolegë të
huaj dhe gazetarë europianë apo të përtej oqeanit. "Si është e mundur, - më
pyeti para disa kohësh një profesor dhe mik imi në Berlin, - që ju strehuat
gati 1 milion kosovarë në Albania gjatë luftës?!". Pra kjo eksperiencë e
popullit tonë ka lënë gjurmë në rrafshin ndërkombëtar. Aktualisht, qoftë Kosova
dhe qoftë Shqipëria kanë mjaft probleme me shëndetin mendor. Jam shprehur dhe
më parë se hapësirës shqiptare i duhen më shumë mjekë psikologë klinikë apo dhe
socialë, por dhe më shumë mjekë psikiatër, sidomos të specializuar për
adoleshentët dhe adultët. Një vend i vogël pranë nesh si Sllovenia, me 2
milionë banorë ka 200 mjekë psikiatër. Pra në çdo 10.000 banorë aty shërben një
mjek psikiatër. Ne kemi një raport akoma më të disfavorshëm. Natyrisht, ky komb
ka jetuar për shekuj me radhë nën një nga perandoritë më me prosperitet të së
kaluarës si ajo e Hapsburgëve, ku dhe vetë ndonjë pjesëtar i asaj familjeje
kishte qenë me kohë nën kujdesin e mjekëve psikologë dhe psikiatër.
Na duhet të rivlerësojmë dhe rishikojmë akoma ligjshmërinë tonë për atë që vuan
shpirtërisht, në një kohë kur ne nuk jemi në gjendje apo nuk kemi mundësi të
garantojmë vendin e punës. Një mendje gjeniale si Frojdi, që në fillimet e
shek.XX citonte se shëndeti ynë mendor varet nga: "Aftësia jonë për punën që
bëjmë, si dhe nga dëshira për të dashur njëri-tjetrin." Në shoqërinë tonë nuk
duhet të ekzistojnë konfliktet sociale. Këto sjellin pasoja shpesh të rënda për
shëndetin mendor. Është e dhimbshme t'i themi ne dikujt krejt papritur, që i ka
dhënë shumë kësaj shoqërie, se "tani nuk kemi nevojë për ty, për punën që po
bën dhe dil në pension". "Në se duam të frustrojmë një adoleshent, - na thotë
Adler, - le t'i themi atij se ti nuk vlen me rezultatet në mësimet e tua".
Kapitalizmi tek ne akoma është modest, por do të duhet ne ta menaxhojmë si
duhet në këndvështrimin psikologjik të raportit të individit me shtetin dhe
shoqërinë.
A do të ndeshemi ne akoma me tendencat për asgjësimin e vetvetes?
Duhet të jemi vigjilentë dhe të përgatitur. Nëse kemi individë me prirje të
tilla, gjërat duhet të bëhen të qarta. Përpara spitalit qëndron punkti
ambulator i pajisur me psikolog, psikiatër dhe punonjës social. Spitali apo
klinika psikiatrike sot në post-modernizëm është bërë një vend më se i
zakonshëm, ku njerëzit gjejnë çlirimin e shpirtit apo të streseve të jetës.
Shtrimi në këto institucione e pakëson mundësinë e tendencave për vetëvrasje në
fjalë, por nuk e ndalon fenomenin. Një autor britanik citonte diku së fundmi,
se "Çmenduria sot është civilizim". Ka shumë faktorë të tjerë në jetën tonë që
i komplikojnë situatat tona të përditshme. Natyrisht trajtimi i një individi me
mendime pesimiste apo vetëvrasëse, do të kërkojë punën në ekipin zinxhir
(psikolog, psikiatër, punonjës social) që neve na mungon në më të shumtën e
rasteve për mangësitë që kemi, apo për neglizhencë. Në nëntor të vitit 1994, në
një seminar në Tiranë me intelektualë dhe mjekë, shpreha këto mendime, por për
fat të keq u anashkalova.
Shqiptarët kanë nevojë për mjekë psikoterapeutë konjitivistë sidomos, të cilët
me seancat e tyre janë në gjendje të përmirësojnë mendimet e sëmura depresive
kryesisht dhe të tjerë elementë psikopatologjikë. Kjo lloj psikoterapie sot po
bëhet gjithnjë dhe më e përhapur. Sot në botë aplikohen me dhjetëra lloj
psikoterapish sipas shkollave që dominojnë. Nuk varet gjithçka vetëm nga
medikamentet në trajtimin e çrregullimeve mendore dhe të vetëvrasjeve në
veçanti. Përpara meje si mjek psikiatër qëndron psikologu. Sa më shumë
shqiptarë t'i drejtohen psikologëve, aq më e fituar është shoqëria jonë për të
ruajtur ekuilibrin e saj mendor. Dy janë moshat që kërkojnë vëmendjen tonë të
veçantë: Ajo e adoleshencës dhe mosha e tretë. Një familje që është në krizë
psikologjike, do t'i manifestojë si tek fëmijët efektet negative, po ashtu dhe
tek më të moshuarit. I njëjti qëndrim në shoqëri edhe me të moshuarit. Ka një
rritje të tendencave për vetasgjësim në këto mosha. Sot po flitet në botë se në
vitet 2020 apo 2030, ne do të ballafaqohemi me "Cunamin gri" (të thinjës). Një
shoqëri që po mplaket dalëngadalë për vetë ndryshimet demografike. "Në fund të
fundit, - na thotë fenomeni "˜Gëte', - ajo që tregon një nivel kulture për një
shoqëri, është se sa respekt dhe nderim ke për atë që po mbyll karrierën
profesionale".(bw)