E Martë, 03.19.2024, 09:36am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Bregdeti i Jonit pushtohet nga jahtet dhe motorët e ujit

Nga Elis Kuçi


E Martë, 08.18.2009, 07:57am (GMT+1)

 

Riviera shqiptare ka pritur në 15 ditëshin e parë të gushtit numrin më të madh të turistëve të huaj, të cilët si asnjëherë tjetër kanë "pushtuar" plazhet më të bukura të vendit, me rulotat, çadrat, tendat apo shtëpitë provizore. Jahtet dhe motorët e ujit ishin pamja e parë që turistët ndeshnin në detet përrallore të bregdetit të Jugut. Në disa plazhe ishin ngritur parkimet e motorëve të ujit si dhe jahteve që lëviznin nga porti i vetëm për jahtet në Shqipëri, ai i Orikumit. Klima e butë dhe e favorshme që ofrojnë qytetet bregdetare të Jugut si dhe deti i mrekullueshëm që zotërojnë këto zona, kanë shtuar numrin e pushuesve nga të gjithë trevat shqiptare. Ndërthurja mahnitëse që natyra i ka falur këtyre zonave, duke i dhuruar dhe malin dhe detin njëkohësisht, ka lënë me gojë hapur vizitorët e huaj dhe bashkatdhetarët jashtë kufijve, që e kishin për herë të parë udhëtimin në këto zona. Riviera shqiptare të afron detin dhe malin dhe jo vetëm në verë. Të dyja stinët që e rrethojnë verën, pranvera dhe vjeshta, fare mirë mund të afrojnë pushime falë një klime që është tepër e favorshme. Duke hedhur vështrimin vetëm pak vite më parë, ku infrastruktura ishte skandaloze, sërish pushuesit jo vetëm përballonin streset që sillte rruga që ngjante si rrugë fshati, por dhe indiferencën e atëhershme të shtetit, për turizmin, vetëm që të shijonin rrugën përgjatë bregdetit. Era e freskët e plazhit që të shoqëron përgjatë gjithë rrugës të jep mundësinë të shijosh pushimet, ende pa shkuar në destinacion. Vënia në funksionim e rrugës së re para sezonit turistik ka shtyrë shumë maqedonas, kosovarë, shqiptarë nga Mali i Zi, si dhe turistë italianë dhe nga shumë vende të Bashkimit Europian, që të pushojnë në brigjet përrallore të Jonit. Gjatë rrugës ndeshesh me grupe rulotash, të cilat bëjnë turizëm endacak, siç e quajnë ata. Marko Seratte shpjegon ardhjen e shumë turistëve me rulotë kryesisht nga Italia, Gjermania etj. Ai thotë se qëllimi i turizmit me rulotë nuk është kursimi, por shëtitja në sa më shumë plazhe që të jetë e mundur. Marko thekson se çadrat dhe kampet e ngritura sidomos në plazhet e virgjëra, siç është ai i Jalit, kanë tërhequr shumë turistët e huaj. Marko nuk harron të lavdërojë sinjalistikën rrugore, që ka rruga e përuruar pak ditë para fillimit të sezonit të ri turistik. Pas shijimit të pamjeve mahnitëse të detit nga Kodrat e Vunosë, rrugë e standardeve europiane të çon në "kryeqytetin e verës". Duke shijuar rrugët përgjatë bregdetit, të bie në sy një bukuri e rallë e natyrës. Teksa shkon në skajin më jugor të Shqipërisë nga ana bregdetare në Sarandë, sheh një gjallëri tjetër, ku këtë vit si asnjë vit më parë kanë ardhur shumë bashkëkombas nga Maqedonia. Ata thanë se rruga nga Riviera dhe pamja e saj ka mahnitur pa masë të gjithë vizitorët për herë të parë. Tensioni i ulët i energjisë elektrike, një problem evident që kanë pasur këto zona, tashmë është zgjidhur përfundimisht. Strategjia kombëtare për zhvillimin e turizmit në bregdet ka alokuar fonde të mëdha në rikonstruksionin e linjës të tensionit të lartë, si dhe marrjen përsipër nga qeveria që këtë katërvjeçar të lidhen rrugët kryesore të tensionit të lartë, kudo që janë nga Novosela në Ksamil. Pamja e qytetit, sipas planit urbanistik që është miratuar vetëm në letër, është tepër e largët, thonë sarandiotët, e sidoqoftë një gjë e tillë nuk e ka penguar qytetin bregdetar të ndryshojë fytyrë edhe përgjatë kësaj vere... Tabela që shënon "Plazhi i Çukës", pak kohë më parë do të ishte një zonë dy kilometra jashtë qytetit të Sarandës, por sot, ajo është pjesë përbërëse e tij. Rrugës për në Ksamil, në segmentin kur dikur mund të vëreje ndonjë kullotë, mundësisht të djegur, gjatë muajve të verës, sot, e vetmja gjë që të shohin sytë janë pallate, hotele, bare, restorante, plazhe private, e çdo element tjetër që e bën zonën "të denjë" për të qenë pjesë e Sarandës. Tani që kanë filluar norvegjezët e suedezët të blejnë hyrje këtu, për pak kohë do ta kesh Sarandën deri në Butrint, thotë urbanisti i komunës Ksamil. Në Sarandë turistët e huaj kanë preferuar të shohin dhe manastiret e shumta. Në Sarandë ndodhet Sinagoga më e vjetër e Ballkanit, nga një koloni hebraike e vendosur rreth shekullit të tretë të erës sonë, shumë më herët se në të gjitha pjesët e tjera të gadishullit. Tani mbi tokë ndodhet vetëm një pjesë e Sinagogës, e shtrirë në të majtë të qendrës së qytetit dhe e mbuluar nga rëra, në mënyrë që të mos pësojë gjë nga erozioni. Përpara se të mësonim këto të reja të "kryeqytetit të verës", siç iu pëlqen vendasve ta quajnë Sarandën, kishim kaluar rreth 300 kilometra rrugë, por çuditërisht, në krahasim me vitet e shkuara, nuk ishim lodhur pothuajse fare. Ndonëse me makinë, arritëm në Sarandë brenda 5 orësh duke futur dhe ndalesat e shpeshta gjatë rrugës për të shijuar bukuritë natyrore të Rivierës Shqiptare.

 

Përfundimi i rrugës së Rivierës dhe rrugët e reja që po bëhen, do ta sjellin Sarandën shumë afër Tiranës, por edhe gjithë pjesëve të tjera të Shqipërisë. Pikërisht kjo ka ndodhur dhe sot, Saranda është më afër. Madje në ndryshim nga vitet e kaluara ku turistët ishin në shumicë, emigrantë të kthyer nga Greqia, këtë vit maqedonasit, shqiptarët e Maqedonisë e Kosovës si dhe grupe turistësh nga vendet e BE-së përbëjnë pjesën kryesore të turistëve. Ashtu sikurse 90 për qind e plazhistëve që gjetëm tek "Pulëbardhat", një ranishte artificiale pak kilometra jashtë Sarandës, në afërsi të Ksamilit janë turistë të huaj. Tashmë ka mbetur vetëm Saranda, Vlora dhe Durrësi, për makinat me targa SK e TE, që gjendeshin kudo të parkuara në qytet. "Është qytet shumë i bukur, besoj se do të vijmë më shpesh", rrëfen Branko Barkovski. Sarandën e kanë cilësuar si një "amfiteatër" natyror, për shkak të shtrirjes së saj mbi kodrat që rrethojnë qytetin, me rrugë paralele dhe me shkallë ndërlidhëse. "Kaq shkallë nuk besoj se kam hipur në gjithë jetën time", thotë duke qeshur lehtë 53-vjeçari nga Shkupi, i cili duket i mahnitur me pamjen e qytetit. "Po të kishte pak më pak denduri në ndërtime do të ishte qyteti më i bukur në rajon. Kam katër ditë që kam ardhur dhe nuk kam shkuar një herë në të njëjtin plazh. Njëri pas tjetrit plazhe të izoluara, që janë njëri më i bukur se tjetri". Pasditja i gjen të gjithë në shëtitoren e qytetit, aty ku pushuesit dhe vendasit ndërthuren për të bërë një "xhiro", siç e quajnë sarandiotët e për t`u ulur për një kafe në bregdet, e ku të tjerë qëndrojnë në lokalet e sipërme të shëtitores, për të komentuar veshjet dhe trupin e secilit prej të pranishmëve. Disa të tjerë preferojnë pub-et dhe diskot, të cilat kanë mbledhur rreth vetes këngëtarët dhe Dj. më në zë të vendit dhe të huaj, duke e bërë Sarandën me një larmi të paimagjinueshme për turistët vendas dhe të huaj. Rruga Sarandë-Butrint, çdo mëngjes dhe pasdite është e mbi-mbushur nga turistët që dynden për të parë plazhet e rreshtuara njëri pas tjetrit, deri në qytezën e Ksamilit, 16 kilometra nga Saranda. Manastiri, Pasqyrat, Pulëbardhat, Heaven, janë gjire të izoluara e të rrethuara nga kodra, të lidhura me rrugën kryesore me rrugica të pashtruara të hapura nga pronarët e lokaleve që menaxhojnë "de fakto" plazhet. Por, Saranda nuk është zgjeruar vetëm gjatë bregdetit, por edhe në pjesën e sipërme të kodrave që e rrethojnë, aty ku pak vite më parë mbretëronin vetëm pyjet e dendur, kanë mbirë një e nga një, gjithmonë e më shumë, pallate e shtëpi, sidomos pas ndërtimit të rrugës së pestë paralele të qytetit. Ishujt e Ksamilit më të preferuarit e vendasve, por dhe të të huajve kanë filluar të popullohen. Kështu, disa varka bëjnë transportin e pushuesve që duan të shijojnë një ditë plazhi në ishull. Ikja nëpër ishuj si edhe eksplorimi në pasuritë nënujore të mundësuar nga deti i pastër ka bërë që ishujt e Ksamilit të popullohen shumë shpejt me turistë vendas dhe të huaj. Një plazh i hapur tre vitet e fundit është dhe "Pema e thatë", e cila është skaji më i largët i bregdetit. Duke u bërë një nga plazhet më modernë të zonës, ai po sfidon dhe ishullin e Korfuzit që është shumë pranë. Kjo shihet qartë dhe nga vështrimi nga të dy anët e ishullit, ku pushuesit e vendit helen në Korfuz shohin pushuesit tek "Pema e thatë". Ky plazh është shumë afër me ishullin 3 të Ksamilit. Besarti, një maqedonas dhe pushues në Ksamil, thotë se është mrekulli plazhi dhe kryesisht Riviera Shqiptare. Ky vend nuk ka nevojë për reklamë, mjafton ta shohësh dhe ta vizitosh një herë dhe "dashurohesh".

 

Duke dalë në darkë për një shëtitje në shëtitoren tradicionale të Sarandës sheh shumë të rinj që ulen buzë detit, duke e shijuar atë jo vetëm ditën, por dhe në orët e vona të natës. Duke iu afruar disa prej tyre, i sheh të bisedojnë shumë të frymëzuar. Ata e krahasojnë ndejtjen afër detit me pastërtinë e ndjenjave, të cilat ngadalë-ngadalë tregohen duke i shoqëruar me valët e detit, të cilat i japin ëmbëlsi çdo të riu. Këto mrekulli natyrore, si dhe mundësia për të eksploruar plazhe të virgjëra ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve të huaj krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-korrik 2009 është rreth 1580495 persona. Vizitorë të huaj janë 991306, nga të cilët 19072 janë vizitorë ditorë (ekskursionistë), ndërsa 972234 janë vizitorë me netë qëndrimi (turistë). Vizitorë me nënshtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme janë rreth 589189 persona. Periudha janar-korrik 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka patur një rritje 36% dhe në krahasim me vitin 2005 rritja është afërsisht 2.6 herë.

 

Syri i Kaltër, destinacion turistik

 

Syri i Kaltër, një nga burimet më të rralla në botë, i cili mahnit me bukurinë e tij këdo që e viziton. I ndodhur vetëm 15 kilometra larg Sarandës, Syri i Kaltër pret çdo ditë shumë vizitorë nga të gjitha vendet e botës. Syri i Kaltër është një nga bukuritë e mëdha që natyra i ka falur tokës. Tashmë është bërë traditë udhëtimi në pikën turistike, e pagëzuar nga një inxhinier. Syri i Kaltër, është një pikë shumë e bukur që ndodhet vetëm 2 km në të majtë të rrugës Sarandë-Gjirokastër. Ky vend është një pikë shumë piktoreske, ku një burim i kaltër me origjinë karstike filtron ujërat e pellgut ujëmbledhës të Malit të Gjerë dhe Fushës së Dropullit, për t'i nxjerrë në sipërfaqe ujin e kristaltë. Bukuritë mahnitëse të kësaj perle të natyrës shtohen për shkak të rrethimit nga gjelbërimi i rrallë që natyra e ka falur pa kursim. Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin e Kaltër në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur "Syri i Kaltër". Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë Malit të Gjerë. Sot, gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Peshku që rritet dhe kultivohet këtu është pestrova, një peshk i shijshëm.

 

Syri i Kaltër, destinacioni turistik më i frekuentuar nga të huajt

 

Vizitorë të rregullt janë turistët e huaj dhe nuset me fustan të bardhë. Syri i Kaltër, megjithëse i takon administrativisht nënprefekturës së Delvinës, lidhjet me turizmin dhe vizitorët i mban me Sarandën. Këndej nisen turistët vizitorë për të shkuar në "çudinë" natyrore. Sipas të dhënave zyrtare, për muajin korrik numri i vizitorëve të huaj në këtë pikë turistike i kaloi të 30 mijë, të ardhur nga Anglia, Danimarka, Holanda, Franca, Italia, vendet nordike, brigjet e Mesdheut, amerikanët, aziatikët, australianët e deri nga Brazili.

 

Ky vërshim ka ardhur edhe për shkak të krocierave të mëdha që zbresin në Sarandë me qindra turistë në një ditë. Të gjithë turistët e huaj që zbarkonin në këto anije gjigante turistike, një drekë patjetër kërkojnë ta kalojnë në mjediset përrallore të Syrit të Kaltër.

 

Nëse do të llogaritësh shqiptarët mund të marrësh vetëm një informacion të përafërt, pasi ata janë disa kategori, bashkatdhetarë nga trojet shqiptare, kryesisht nga Maqedonia e Kosova, por ka edhe nga SHBA-ja. Shqiptarët brenda kufijve që u përkasin qyteteve Sarandë e Delvinë e duke shkuar deri në Tropojë, Kukës, Korçë, Tiranë, Durrës e gjithë Shqipëria, por ka edhe nxënës e mësues që vijnë nga Prishtina, Suhareka, Gjakova, Tirana e gjithë shkollat e vendit. Dasmorë të rretheve Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që vazhdojnë të aplikojnë traditën pagane të pagëzimit "të pastërtisë së çiftit".

 

Legjenda e hershme

 

"Një herë e një kohë, fryu një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti nxori një gjarpër... Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit... Gjarpri gjigant hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte... U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpri hëngri gomarin, zjarri i eshkës përbrenda e dogj. Bisha briti, 'Ku je ti det, që më bëre kokën dhe ti lumë, vëllai im...!'. E u shtri për vdekje. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s'e proftasën dot. Në agoninë e ngordhjes gjarpri përplaste bishtin në faqen e malit, ku mbetën shenjat që duken. Qysh nga ajo kohë deti me malin janë të lidhur me njëri-tjetrin si baba e bir".

 

Përsëritja e legjendës

 

Në tetor të vitit 2002, bukuroshja e "nënës natyrë" ishte në agoninë e vdekjes.

Të gjithëve u erdhi keq, por vetëm kaq. Për koincidencë, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër, me ngjyrë të bardhë. Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit. "Ishte dënim për ata që donin ta shisnin", pëshpëritnin. "Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr", thoshin të moshuarit.

Kush e pagëzoi...?

 

Emërtimi "Syri i Kaltër" ka lindur shumë më vonë, në vitet '50, kur u bënë studimet e këtyre burimeve për t'i përdorur në hidrocentralin e Bistricës. Thuhet se emrin ia vuri një prej inxhinierëve të rinj, të cilit i kujtonte sytë e kaltër të së fejuarës së tij. Thonë, se të gjithë inxhinierët që endeshin në këto burime e quanin kështu, sepse s'mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Mene Lula, një prej inxhinierëve ndërtues të hidrocentralit së Bistricës, thotë se edhe pelegrinazhi që bëjnë sot nuset në ceremoninë e martesës, duke kaluar para se të hyjnë në shtëpinë e re të dhëndrit, ka lidhje me hyjnizimin e mistifikimin e kësaj dhurate të natyrës që simbolizon pastërtinë morale, bukurinë femërore dhe hijeshinë e nuses-nimfë të dalë nga ujërat kristal, sipas legjendës së Panit të Madh.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Jehona e mesazhit të Rusisë për UkrainënNga Robert Coalson (08.17.2009)
Rreziqe te fqinjët - deficitet e zhvillimit në vendet arabe duhet t'i interesojnë Evropës (08.17.2009)
Zgjedhjet serbe forcojnë strukturat paralele? (08.16.2009)
Wall Street Journal: Putini godet Radion Evropa e Lirë (08.15.2009)
Forbes: Analogjia mes Jugosllavisë dhe GjeorgjisëNga Melik Kaylan (08.15.2009)
Reporterët pa Kufij mbi sulmet ndaj "Ekspresit" (08.15.2009)
Lufta Gjeorgji-Rusi: Realiteti i ri, raportet e vjetraNga Robert Coalson (08.14.2009)
Çeçeni: Vriten aktivistë për të drejtat e njeriut (08.12.2009)
Botohet për herë të parë i plotë libri "Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman" (08.11.2009)
Kruma, qyteti i vogël me investime të mëdhaNga Riza Hoxha (08.11.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]