E Djelë, 05.19.2024, 09:12pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ORHAN JEGENI - NGJARJA MË 1951 NË AMBASADËN SOVJETIKE - EKZEKUTOHEN DY KUNETËRIT E HAXHI LLESHIT
Nga FATOS VELIU

E Martë, 10.30.2012, 11:39am (GMT+1)



 
Një shpërthim jo shumë i fuqishëm, i ndodhur në oborrin e ambasadës së dikurshme të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, ka mjaftuar që të shkonin në pushkatim plot 22 persona të dyshuar. Kjo ka qenë ngjarja e ndodhur vite më parë, pikërisht më 19 shkurt të vitit 1951, kur marrëdhëniet midis dy shteteve tona komuniste kanë qenë në kulmin e shkëlqimit të tyre. Por jehona e saj, për vetë përmasat e kundërveprimit që do të merrte, nuk do të ndalonte as me një vit dhe as me një pesëvjeçar. Për periudha tepër të gjata ajo u kujtua dhe ngeli e freskët në mendjet e njerëzve, si ditë e vështirë dhe shumë e zezë, deri sa mundi të hynte fuqishëm në historinë komplekse të Shqipërisë. Në atë periudhë është alarmuar udhëheqja më e lartë e shtetit komunist, e cila, nga podiumet më të fuqishme të vendimmarrjeve politike vendosi të kundërveprojë fort dhe me një terror të paparë.
Situata e tensionuar solli momentin e jashtëzakonshëm deri në urdhrin e papritur të Mehmet Shehut për ekzekutimin e të gjithë të arrestuarve si të dyshuar të ngjarjes. Konkretisht, nëpërmjet shkrimit të mëposhtëm lexuesi do të njihet me historinë se si ndodhi në të vërtetë ajo ngjarje e rëndë dhe dëmet e papërfillshme që shkaktoi në ambasadën e kuqe. Çfarë ndodhi me dëshmitarët e rastit dhe angazhimi i madh i forcave speciale të ndërhyrjeve sekrete.
Kërkesa e Mehmet Shehut për ta konsideruar ngjarjen një atentat të pastër politik dhe urdhri i tij për pushkatimin e të gjithë të ndaluarve si të dyshuar, etj.
Gjithçka e rrëfen në intervistën e këtij numri, vetë Orhan Jegeni, i cili në listën e të ekzekutuarve ka pasur dy xhaxhallarët e tij, pikërisht Myftar dhe Gafur Jegenin.
Por Orhan Jegeni është dhe personi që ka gjetur varrin e përbashkët të ngjarjes së 26 shkurtit të '51-shit. Këtë ai e arriti pas konsulencave të shumta me fshatarët e zonës ku ka ndodhur ekzekutimi, nga të cilët ka mësuar edhe ngjarjet rrëqethëse se si kanë shoqëruar marrjen e jetës së të dyshuarve. E pikërisht tashmë këto rrëfime dhe këto dëshmi zoti Jegeni i vë në dispozicion të lexuesit të gjerë dhe të vetë historisë së çuditshme të shtetit tonë.
- Orhan Jegeni rrëfen të panjohurat e ngjarjes makabër të ndodhur në shkurtin e '51-it pas thyerjes së xhamave të ambasadës sovjetike, ku nga plumbat e mesnatës së 26 shkurtit buzë lumit Erzen, u goditën dhe dy xhaxhallarët e tij, të cilët ishin pikërisht kunetërit e vetë Haxhi Lleshit.
- Dëshmia befasuese e Orhan Jegenit, i cili është pikërisht personi që ka gjetur varrin e përbashkët të 22 qytetarëve të Tiranës dhe që ka mësuar makabritetin me të cilin është shoqëruar.
- Ekzekutimi i njerëzve, të cilëve atë mesnatë u është marrë jeta nën klithmat rrëqethëse të dëgjuara nga fshatarët.
Ai sjell dëshminë befasuese mes deklaratës së faktuar, se varri dhe vendi i ekzekutimit të 22 qytetarëve të dyshuar si atentatorë të ambasadës së Stalinit, ka qenë hapur më shumë se dy ditë para ndodhjes së shpërthimit të bujshëm.
- Cilët ishin ushtarët dhe makina misterioze që çanin shkurret dhe hapën gropën e mistershme në pyllin e dendur anë lumit Erzen, plot dy ditë para ngjarjes së ambasadës.
- Si u përzgjodhën mes 100 qytetarëve të izoluar gjatë natës në bodrumet e Ministrisë së Brendshme, 22 emrat të cilëve do t'u merrej jeta me plumb pas koke, ndanë Urës së Beshirit të ndodhur në periferinë e Tiranës.
- Momenti i ekzekutimit, kur në errësirën e natës çuan te varri i hapur më parë plot 24 persona, mes të cilëve dhe dy kunetërit e Haxhi Lleshit, që ishin pikërisht xhaxhallarët e Orhan Jegenit.
- Urdhri i sekondave të fundit për të hequr nga pushkatimi dy prej tyre, ku njëri ishte kushëriri i të shoqes së Prokurorit të Përgjithshëm, Siri Çarçani.
- Situata rrëqethëse e ekzekutimit, mes britmave lemeritëse të dëgjuara deri në shtëpitë e afërta të fshatarëve të zonës.

Zoti Jegeni, ju keni edhe dëshminë-surprizë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ambasadën sovjetike në vitin 1951, ku u dënuan me vdekje plot 22 qytetarë të Tiranës, mes të cilëve edhe dy xhaxhallarët e tutë. Kam mësuar se ju jeni pikërisht personi që keni hulumtuar gjatë derisa keni gjetur dhe varrin e përbashkët, madje keni mësuar të gjitha sekretet dhe të panjohurat misterioze që kanë shoqëruar ngjarjen drithëruese. Mund të na i bëni prezente për lexuesit e Gazetës sonë?
Kanë qenë datat 18 dhe 19 shkurt të vitit 1951, kur te vendi i ekzekutimit dhe njëkohësisht varrimit të 22 viktimave të incidentit të ambasadës sovjetike në Tiranë, kanë shkuar një grup ushtarësh dhe një kamion.
Ku ndodhet saktësisht vendi i ekzekutimit?
Rrugës së Ndroqit apo më saktë të them në rrugën nacionale Tiranë - Durrës. Vendi në fjalë ndodhet në zonën e quajtur Ura e Beshirit. Saktësisht sa kalon Urën e Beshirit, kthehesh djathtas në parcelën e ndodhur anës lumit. Ajo parcelë në atë kohë kur ka ndodhur ngjarja, që ka qenë mes rrugës nacionale dhe lumit, ishte e mbuluar nga një pyll i degraduar që vendasit e quanin "Zabel".
Dhe çfarë bënin ushtarët atje, të cilët po i përmendni se kanë shkuar në datat 18 dhe 19 shkurt në vendin ku do të ekzekutoheshin viktimat e ambasadës?
Për dy ditë me radhë ata kanë punuar shumë në atë vend. Kanë prerë gjithë degët dhe shkurret, kanë hequr trungjet në madhësinë që të hynte kamioni. Pra në këtë mënyrë hapën rrugën mes shkurreve dhe trungjeve deri në anë të lumit Erzen. Aty pastaj, në fund të rrugës, pra në breg të lumit Erzen, kanë hapur një gropë të përmasave 8 X 8 X 1.5 m.
Në çfarë datash është hapur kjo gropë?
Kjo gropë që po flasim, në të cilën do të hidheshin bashkërisht 22 viktimat që pritej të ekzekutoheshin, është hapur siç edhe jua përmenda, pikërisht në datat 18, 19 dhe 20. Pas hapjes së rrugës dhe bërjes së gropës u vendosën roje. Pra tashmë ai vend ishte kthyer në një vend ekzekutimi, madje unë do të shprehesha më mirë po të thoja se ato ferra dhe ai vend i shkretë, u shndërrua në vend krimi. Prandaj u vendosën rojet. Po ta mendosh thellë, në qenien tënde, ndjen një farë të rrëqethuri kur përfytyron se, u përgatit një vend dhe po ruhej, për faktin se aty do t'u merrej jeta plot 22 qytetarëve të Tiranës. Është një tmerr i vërtetë.
Dëgjova të përdorni shpesh shprehjen "përgatitej krim" apo "ekzekutim i paramenduar". Mund të më shpjegoni më gjerë mendimin tuaj rreth dëshmisë që po më bëni?
Duhet t'ju kujtoj, se bomba në ambasadën sovjetike ka rënë në datën 19 shkurt në mbrëmje, ndërsa vendi i ekzekutimit jua thashë se ka filluar që në datën 18 shkurt. Pra pot a mendosh eshe një herë del se varri është hapur saktësisht para ndodhjes së shpërthimit, pra mbrëmjes së dates 19. Atëherë unë ju përgjigjem akoma duke ju shtruar ndërkohë një pyetje: Kush vallë e dinte që do të binte një bombë në një ambasadë, që përgatiti vendin e ekzekutimit për qytetarët e tij? Më mirë nuk po i jap përgjigje, për t'ia lënë lexuesit ta mendojë vetë.
Kur kanë filluar arrestimet?
Siç e dini nga sa është përmendur deri tash, menjëherë pas hedhjes së bombës në oborrin e ambasadës së Stalinit, që unë nuk do ta quaja bombë por shashkë, është mbledhur Byroja Politike në një seancë-alarm të saj, ku ngjarja është konsideruar si një atentat politik. Madje Mehmet Shehu avancoi më tej, duke e quajtur një atentat ndaj një anëtari të Byrosë Politike. Pas kësaj filloi menjëherë vala e arrestimeve me lista.
Pra arrestimet nisën në datën...?
Filluan në datën 23 dhe vijuan deri në datën 25. Pra shikoni se çfarë ndodh: Kemi datën 18 kur filloi përgatitja e vendit të ekzekutimit dhe kur ka mbaruar ai, ka ndodhur shpërthimi në ambasadën në fjalë. Vendi i ekzekutimit ishte përfunduar dhe po mbrohej me armë për të pritur viktimat e planifikuara. Prandaj ju thashë shprehjen "viktimat e planifikuara", se arrestimi i tyre ka nisur më 23 shkurt.
Mes të cilëve edhe dy xhaxhallarët tuaj?
Po, po. Edhe dy xhaxhallarët e mi, Myftar dhe Gafur Jegeni. Myftari ishte rreth 37 vjeç dhe punonte si ekonomist në ndërrmarrjen e ndërtimit "Muhamet Gjollesha", ndërsa Gafuri ka qenë te 56 vitet se ka qenë në pension në atë kohë.
Meqenëse keni qenë i lidhur me këtë ngjarje, për shkak se jeni përgjakur jo pak, por me jetën e dy xhaxhallarëve, duhet të keni informacion se sa ka qenë në të vërtetë numri i përgjithshëm i ekzekutimeve të atyre ditëve?
Të paktën 100 persona janë marrë me lista për në birucat e errëta, të akuzuar për atentat të rëndë ndaj shtetit dhe që i priste dënimi kapital.
Pra në datën 26, nga të tria seksionet e Sigurimit të Shtetit që vepronin në tri rajonet e kryeqytetit dorëzuan tri listat përkatëse të të arrestuarve, numri i të cilave i kalonte të 100 personat. Pas kësaj, drejtoria kryesore e Sigurimit të Shtetit dhe vetë Ministria e Brendshme po në datën 26 kanë përzgjedhur mes tyre saktësisht 24 persona. Përse zgjodhën pikërisht ata 24 persona?
Tani që ishin arrestuar plot 100 qytetarë, mendonin se kë do të vrisnin për ta futur në varrin që priste i hapur qysh para se të ndodhte shpërthimi. Por për këtë, duhej të mendohej se kush ishte në listat e Sigurimit, që mund të konsiderohej i papërshtatshëm për pushtetin komunist. Kështu, ndër ta përzgjodhën plot 24 persona.
Dhe?
Iu dha urdhër gjithë administratës dhe aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të mos ardhur në punë. Pra gjithë godina e Ministrisë së Brendshme ishte bosh dhe në dispozicion të mbajtjes së të ndaluarve që do të bëheshin 'kurban'. Ajo ministri, përveç ambienteve të zyrave ka dhe bodrumet shumë të përshtatshme, jo vetëm për t'u bërë hetuesinë të arrestuarve, por edhe për të përdorur torturën, që në rastin konkret do t'iu duhej ta bënin më shumë se kurrë. Kështu që, atë ditë të datës 26 që ajo ngeli bosh, u dërguan menjëherë 24 personat e përzgjedhur, mes të cilëve dhe xhaxhallarët e mi.
Aty vijoi hetimi?
Ata janë vendosur nga një person në një zyrë apo në një qeli të bodrumeve. Secili kishte një hetues. Kuptohet se, kur kemi të bëjmë me një veprim të paramenduar, s'kish si të ndodhte ndryshe veçse të bëhej një hetim vetëm fars.
Pse jeni kaq i bindur se ka qenë një hetim fars?
Sepse janë arrestuar 100 qytetarë në atë kohë dhe janë ekzekutuar në një natë, madje në një orë, plot 22 prej tyre dhe sot nuk gjendet as edhe një lloj procesverbali sado i thjeshtë. Madje nuk ekziston jo vetëm procesverbal, por as një copë shkrese që të vërtetojë një makabritet të marrjes së jetës së 22 familjarëve. Pastaj, që atë natë të datës 26 ata i morën dhe i çuan te gropa e ekzekutimit.
Që atë natë?
Po, po. Në datën 26, në mesnatë, të 24 personat e përzgjedhur, mes tyre dhe dy xhaxhallarët e mi, ndodheshin për t'u ekzekutuar.
Xhaxhallarët e tu ishin kunetërit e Haxhi Lleshit?
Po. Haxhiu i kishte vëllezërit e të shoqes, se në atë kohë ka pasur për grua hallën time, por nuk dua ta kap këtë aspekt dhe nuk dua kurrsesi ta lidh këtë ngjarje me emrin e tij dhe të askujt. Unë po ju rrëfej ngjarjen që po më pyesni. Ju mendoj se më pyesni pikërisht mua, për faktin se kam qenë personi që kam gjetur varrin e tyre dhe se jam dëshmitar i arrestimit të xhaxhallarëve të mi. Kështu që nuk kam qejf ta lidh me emrin e Haxhi Lleshit në këtë moment për asnjë arsye. E vërteta është që xhaxhallarët e mi u pushkatuan dhe kjo u bë pa gjyq dhe nuk i ka mbrojtur askush.
Mua si gazetar dhe opinionit, na tërheq shumë vëmendjen një fakt i tillë, që, mes njerëzve që u ekzekutuan ishin dhe dy vëllezërit e të shoqes së ministrit të Brendshëm, që kishte qenë deri në atë kohë. Këtë jua them, për faktin se kam mësuar në rrugë shumë të tërthorta, se atë natë janë shmangur dy veta nga ekzekutimi, pra janë shpëtuar. Dikush ka ndërhyrë, ndërkohë që dy xhaxhallarët e tu, që kishin kunatin ministër të Brendshëm, nuk i toleroi kush. Është e vërtetë?
Është shumë e vërtetë, që atë natë në vendin e ekzekutimit, pikërisht në çastet e fundit janë tërhequr dy prej tyre. Kanë tërhequr Esat Pitarkën dhe një tjetër, që nuk më kujtohet mirë, por inxhinier Plasa e quanin.
Pse i shpëtuan ata?
Se njëri prej tyre ishte kushëri i parë i gruas së Siri Çarçanit, Prokuror i Përgjithshëm, ndërsa tjetrin nuk e di kush e ka shpëtuar. Pra duhet të ketë qenë një dorë shumë e fortë pas tij.
Ndërsa xhaxhallarët e tu, vëllezërit e gruas së Haxhi Lleshit u ekzekutuan, apo jo?
Unë po them se u ekzekutuan dhe pak rëndësi ka lidhja e tyre me emrin e Haxhi Lleshit.
Jeni i bindur që kanë qenë fare pa faj, kur thoni se u bë një hetim fars? Keni njohuri të flisni me kaq kompetencë?
Absolutisht po. Unë ju thashë që ka qenë një veprim i paramenduar, se varri është hapur disa ditë para se të ndodhte shpërthimi që paska tronditur Byronë Politike. Pastaj, nëse do të kishte vërtet një autor, ai nuk do të ishte vetë i 22-të, por do të ishte vetë i dytë apo i tretë, siç edhe ndodhi.
Pse, çfarë ndodhi?
Sepse atë që do të thoja në fund të pyetjes që bëtë më parë në lidhje me falsitetin e hetimit, është se pas një muaj si u ekzekutuan njerëzit tanë të shtrenjtë, u gjendën atentatorët e vërtetë të bombës së ambasadës. Pra janë arrestuar tre veta vetëm pas një muaji. Është bërë gjyqi sërish dhe ata janë pushkatuar. Kështu që, nuk ma heq dot mendjen kush, se ai ishte një farsë për të ekzekutuar këta që ikën për dhjamë qeni, thotë populli. Mos të duken pak 22 njerëz, t'u zësh frymën brenda një nate?
Ju, e dini kush kanë qenë në të vërtetë shkaktarët e bombës së ambasadës, që thoni se i kanë pushkatuar pas një muaji?
Ka kaluar shumë kohë dhe s'më kujtohen me emra. E kujtojmë si ngjarje dhe si akt më shumë. Mbaj mend që ka qenë një oficer, shefi i autotraktorëve të repartit të Pezës së Vogël. Ka qenë gjithashtu dhe një krutan, nuk më kujtohet emri. Por po të duash i gjejmë, po të interesohemi. Por mendoj se nuk kanë rëndësi emrat, por akti.


FATOS VELIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ORHAN JEGENI - VAJZA E SAMI FRASHËRIT KA NDALUAR FORCËRISHT ARDHJEN E ESHTRAVE TË TË ATIT NË SHQIPËRINga FATOS VELIU (10.29.2012)
ZJARRI NË RTK SHKATËRROI ARKIVIN 1999-2004 (10.29.2012)
RITA ORA IA PREZANTON BOTËS KOSOVËN (10.28.2012)
NJË VEND PËR NËNË TEREZËN NË KATEDRALEN E UASHINGTONIT (10.28.2012)
ORHAN JEGENI - KRUSHQIA MES FRASHËRLLINJEV DHE TOPTANËVENga FATOS VELIU (10.27.2012)
BASHKIA E UASHINGTONIT FESTON DITËN E ILIR ZHERKËS (10.27.2012)
Një jetë luftë, një shekull Pavarësi (5)NANË - TEREZA, NANA E GLOBIT!Teksti: ZEQIR LUSHAJ, Këndojnë: Dida-Çela-Kovaçi (10.27.2012)
BAJRAKTARËT DHE ÇAUSHËT ZYRTARË TË BESIMIT ISLAM NË KOSOVË - SKANDAL PËR VENDIN!Nga LUAN (ASLLAN) DIBRANI (10.26.2012)
AKADEMI PERKUJTIMORE PER VELI SELIMIN ME MOTON 'Ditët e mërgimtarit'Fotoreportazh nga AGIM GASHI (10.26.2012)
PROTESTOJ E NUK FESTOJNga AGIM GASHI-Gjermani (10.25.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]