Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar se vendi i
saj nuk mund të vendosë raporte normale me Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa ajo
nuk ndryshon taktikat e dhunshme.
Në një intervistë për "InfoMagazinën" e televizionit Klan Kosova, diplomatja
amerikane ka treguar për herë të parë edhe përmbajtjen e një letre që kohë më
parë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar ish-Sekretares
amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Aty, sipas saj, ai e kërcënuar miken e madhe të Kosovës. "Me Vetëvendosjen kemi
kontakte ne nivele të ndryshme. Njerëzit mund të mos pajtohen për çështje të
ndryshme, por ne nuk pajtohemi me taktikat e tyre të dhunshme", ka deklaruar
ajo.
"Kam parë një letër të z. Kurtit kur kam ardhur këtu në Kosovë, e po ashtu kam
parë një letër që z. Kurti ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit,
Madeleine Albright, ku ai e ka kërcënuar ish-Shefen time se nëse ajo viziton
Kosovën, ai do t'i nxjerr njerëzit e tij në rrugë", ka shtuar Ambasadorja
Jacobson.
Sipas saj, Vetëvendosje duhet të ndryshojë. "Ne dëshirojmë te kemi marrëdhënie
të mira me ta, nëse ata ndryshojnë taktikën e tyre të dhunës dhe agresionit. Ne
nuk mund të pajtohemi me ta përderisa ata bëjnë demonstrata të dhunshme dhe
letra kërcënuese", ka thënë ajo.
Ambasadorja amerikane në Kosovë në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun
politik me Serbinë, marrëveshjen që solli në Presidencë Atifete Jahjagën dhe
për zhvillimin ekonomik të vendit.