Shqipëria festoi 100 vjetorin e pavarësisë në muajin nëntor. Ishte koha për të
qenë krenarë, një kohë përsiatjeje mbi sukseset e vendit në kapërcimin e
trazirave të mëdha për t'u bërë anëtar i NATO-s dhe që aspiron për në BE. Tani,
ndërsa shqiptarët shohin përpara drejt zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit,
gjendemi në fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë një
kapitull që duhet të përkufizohet nga demokracia e lulëzuar, ndërtuar në mënyrë
të padiskutueshme mbi vullnetin e popullit. Duke udhëtuar nëpër Shqipëri, gjej
tema të përbashkëta në bisedat që bëj, pavarësisht nëse jam në Shkodër apo
Gjirokastër, në Vlorë apo Elbasan. Shqiptarët janë të shqetësuar për probleme
reale punësimin, të ushqyerit e familjeve të tyre, kujdesin shëndetësor,
arsimin, degradimin e mjedisit dhe krimin, sa për të përmendur pak prej tyre.
Shumë vetë më janë ankuar që udhëheqja politike (dhe këtu më lejoni të jem i
qartë që njerëzit flasin si për koalicionin qeverisës ashtu edhe për opozitën)
duket e fokusuar vetëm në interesat vetjake ose partiake, se sa në zgjidhjen e
këtyre problemeve të përhapura gjerësisht. Teksa shqiptarët përgatiten për ta
nisur këtë kapitull të ri, një element ndryshimi duket sikur del mbi të gjithë
të tjerët për nga rëndësia: mënyra se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri,
veçanërisht nevoja për ta zhvendosur vëmendjen tek njerëzit, ku institucionet
qeveritare dhe partitë politike iu shërbejnë interesave të njerëzve.
Kur Sekretarja Klinton iu drejtua parlamentit, ajo iu bëri një kërkesë të qartë
zyrtarëve të zgjedhur në auditor që të sigurojnë që zgjedhjet e ardhshme të
jenë të lira dhe të ndershme, dhe të shihen si të tilla nga bota, në mënyrë që
populli shqiptar të ketë besim në rezultatet dhe në institucionet demoraktike,
dhe të besojë në drejtuesit e tyre. Demokracia nuk është një bunker betoni që
izolon udhëheqjen politike prej popullit. Përkundrazi, zyrtarët e zgjedhur kanë
detyrimin të shërbejnë në mënyrë të përgjegjshme dhe t'i përdorin postet e tyre
të pushtetit që të përfitojnë të gjithë qytetarët. Udhëheqësit duhet të fitojnë
besimin e njerëzve përmes një procesi transparent, të lirë dhe të ndershëm.
Gjithashtu, sjellja e partive politike ndikon drejtpërsëdrejti në besimin e
publikut tek zgjedhjet. Si miqtë më të palëkundur e më të qëndrueshëm të
Shqipërisë përgjatë viteve, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë dhe të
gjitha partive politike që të fokusohen në forcimin e besimit të publikut në
procesin zgjedhor dhe të besimit tek udhëheqësit e tyre.
Më lejoni të përmend një të vërtetë të thjeshtë e të dhimbshme: besimi publik
në procesin zgjedhor është i ulët. Për rrjedhojë, edhe yni është i ulët. Në një
demokraci të fortë, qeveria dhe partitë politike kanë përgjegjësinë quajeni
detyrim të fitojnë besimin e njerëzve. Ata mund ta bëjnë këtë duke
bashkëpunuar brenda institucioneve zgjedhore, duke shmangur në mënyrë të
vetëdijshme dredhitë politike dhe duke hequr dorë prej një gjuhe shkatërruese
dhe provokuese në takimet publike ose në literaturën partiake. Mesazhet që kërcënojnë
persona të tjerë ose nxisin dhunë të cilësdo formë vetëm sa do të gërryejnë
besimin se kandidatët dhe partitë janë të gatshëm të punojnë së bashku.
Legjitimiteti i cilësdo qeverie që do të dalë prej zgjedhjeve të ardhshme do të
varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë muajve vijues.
Qeveria ka detyrimin solemn të veprojë në mënyrë llogaridhënëse, transparente
dhe të paanshme. Ky është një parim kyç i kritereve të Kopenhagës, i cili
përcakton nëse një vend kualifikohet për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Për më tepër, qeveria duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jopartiake në marrjen
e vendimeve institucionale. Partia qeverisëse ka përgjegjësinë të inkurajojë
besimin duke kërkuar në mënyrë aktive konsensus përmes kompromisit dhe dialogut.
Jo më pak e rëndësishme, opozita duhet të përkushtohet të marrë pjesë në mënyrë
konstruktive në proces, dhe të shmangë kërcënimet për bllokim ose bojkot.
Gjithësecili është përgjegjës për të bashkëpunuar tërësisht me agjencitë e
zbatimit të ligjit dhe të tjera, për të promovuar sigurinë dhe integritetin e
procesit zgjedhor.
Kur mendoj mbi fjalimin e Sekretares Klinton, është një pasazh i veçantë që bie
në sy. Ajo shpjegoi që njerëzit shpesh e pyesnin se si mundi të punojë me
Presidentin Obama pasi kishin luftuar aq fort kundër njëri-tjetrit në fushatën
për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës. "Është një përgjigje shumë e thjeshtë,"
tha ajo, "të dy e duam vendin tonë." Dashuria për vendin do të thotë të vësh
interesat kombëtare mbi interesat partiake. Do të thotë të bësh gjithçka që
është e mundur për ta mbajtur politikën partiake jashtë institucioneve
zgjedhore. Dashuria për vendin nënkupton të votuarit lirisht dhe me
përgjegjësi. Dashuria për vendin përcillet përmes veprimeve, jo fjalëve, me
sytë drejt 100 viteve të ardhshëm të ndërtimit të vendit. Ndërsa 23 qershori po
afrohet, iu bëj thirrje shqiptarëve që të nisin një kapitull të ri me këto
zgjedhje, të lënë mënjanë interesat vetjake dhe partiake, të këmbëngulin për
llogaridhënien e klasës politike. Më shumë se çdo gjë, ju bëj apel që të
pranoni përgjegjësinë vetjake që ta bëni këtë të mundur. Pasi vetëm shqiptarët
që vënë përpara interesat e Shqipërisë mund ta ndërtojnë shoqërinë e drejtë,
demokratike, që do t'i bëjnë brezat e tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë ta
përligjin krenarinë e tyre. Dhe vetëm këta mund ta bëjnë Shqipërinë vendin që
ju doni.