- 25 pyetjeve, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artisteve të Rrethit të
Tropojës, poeti Lulzim Logu iu ka dhënë pa asnjë hezitim këto përgjigje-
A. Djali i Profesorit dhe nipi i mësuesit veteran
1.Pa rënë në biografizëm, por duhet thënë që në fillim se je djali i njërit
prej më të nderuarve kuadro të arsimit të të gjithe kohëve të rrethit të
Tropojës, je djali i të paharruarit Idriz Logu...
Në fakt ndihem krenar dhe gjithmonë i përkëdhelur nga ky pohim, që në shumicën
e rasteve hap bisedat dhe komunikimet e mia me shokë, miq dhe të njohur, të
afërt dhe të largët, pavarësisht moshës time, në këtë rast edhe në intervistë
me ju.
2.Drejtori historik i gjimnazit "Asim Vokshi" të qytetit Bajram Curri, Idriz
Logu, objekt frymezimi te djali i tij poet. E kam shquar në disa vjersha
tuajat, apo gabohem?
Gjithmonë një baba, të cilin mbi gjithçka e ke mik, mbetet një frymëzim, fryma
e fjalës, mbështetja dhe modeli që ai krijon në marëdhënie , mbeten pandalshëm
një ushqim i rrallë i krijimeve jo vetëm poetike, por edhe pjesë integrale e
formimit tënd të shumanshëm,të përpjekjeve për ta kuptuar dhe përballur kohën
dhe botën tënde ku jeton, përbëjnë natyrshëm dinjitetin moral dhe shpirtëror në
mjedisin ku se bashku kemi jetuar. A nuk ndjehesh edhe ti kësisoj, si djali i
një njeriu të zgjuar, të matur, të cilit fjala i peshonte ne kuvende sa ishte
gjallë, por edhe më shumë pas ikjes në amshimin e tij?!
Kur babai im vdes papritur një ditë korriku të vitit 2001, refleksioni im i
dhimbjes dhe vetmisë së madhe që pasoi ditët e mia, prodhoi natyrshëm librin
tim " HIRI" botuar në vitin 2002, ndërkohë që vazhdon të jetë me mua në
përsiatjet poetike dhe rrëfimet tregimtare, si një fill organik i krijimtarisë
time.
3. Si ndjehesh perpara miqve të babait tend, psh, Ahmet Imerit, Haki Zllames,
Eles Qerimajt, Fari Doçit etj etj se lista e miqve të babait tuaj është shumë e
gjatë?
Babai im shkoi parakohe, në kulmin e jetës, kur kishte energji për ta shijuar
lirinë e fjalës, për të kontribuar për konsolidimin e demokracisë, për të cilën
kishte luftuar jo pak intelektualisht gjatë karrierës së tij pedagogjike dhe jo
vetëm, si drejtues dhe mësimdhënës për 40 vjet, kur e dëshironte ndryshimin
pozitiv të kohës, përshtatej në mënyrë adekuate me këtë sens ndryshimi dhe
përbuzte pa hezituar ndryshimin fals për hir të ndryshimit, shoqëruar aq shpesh
me servilizmin, përkuelshmërinë e ndyrë morale dhe mungesën e karakterit...
Por njerëzit e mirë, edhe kur shkojnë lënë pas shumë pasuri, miqtë e zgjedhur
dhe të duhur janë pasuria më e mirë që la im atë, bashkë me emrin e nderuar për
ndershmërinë e qëllimit, efikasitetin e veprimit dhe karakterin, atë që përherë
tek ne është konsideruar si shtylla kurrizore e biografisë njerëzore, test i
përjetësimit të emrit të mirë nëpër kohra dhe mote.
Emrat që ju përmendet ishin dhe janë për mua fragmente të vlefshme njerëzore,
respekti ndaj të cilëve është detyrim imi i natyrshëm për vlerat e tyre
komplekse dhe ndaj kujtimit të shtrenjtë të babait tim, i cili së bashku me ata
ndërtoi në Tropojën e re të pas viteve '60 një arsimim modern dhe efikas, i
cili kushtëzoi formimin e kuadrove dhe zhvillimin social të krahinës, që kishte
jo pak varfëri ekonomike por edhe mentalitete shoqërore, që natyrisht duheshin
ndryshuar përmes arsimimit së pari.
Elez Qerimaj, mësues, drejtues dhe historian (vdiq edhe ai para kohe), na
bashkoi më shumë, përveç të qënit shok dhe mik i babait, edhe krijimi i
librave, konsultat dhe debatet për momente historike të luftës për liri dhe
çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe lidhjet kulturore mes tyre si
mundësi e integrimit kulturor të përbashkët. Ishim bashkë në takime historike,
konferenca dhe promovime dhe të dy njëkohësisht shuanim ngapak mallin për Idriz
Logun...
4. Nuk mund ta anashkalojmë assesi gjyshin (nga nëna) tuaj shumë të nderuar,
një nga mësuesit e parë të malësisë së Gjakovës, Mustafë Botushen dhe krejt
familjen e tij arsimdashes.(Eshtë rasti të të them se kam marrë pjesë në
varrimin e Mustafë Botushës, në fillim-pranverë të vitit 1974, në Tropojë të
Vjetër dhe me djalin e tij Besnikun kami qenë koleg).
Gjyshi im, Mustafa Botusha, kujtohet me respekt në Malësinë e Gjakovës, ai për
dekada me rradhë punoi me devotshmëri në shkollat e Tropojës.nxënës i të
famshmes "NORMALE" të Shkodrës, qe i pari që hapi shkollën shqipe në Zogaj, i
pari përgjegjës i seksionit të arsimit në Tropojë, njeriu që kontriboi aq shumë
në luftën kundër analfabetizmit si dhe në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive në
malësi, fjala e tij e mençur dëgjohej me nderim në oda burrash dhe kuvende
popullore. Ishte një figurë komplekse dhe mjaft e njohur, mësues i popullit,
lindur në Botushë të Kosovës, por që gjithë jetën ja kushtoi arsimit në
Tropojë.Djali I tij, Besniku, vajzat Lumnie, Shpresa dhe Drita, punuan dhe
dolën në pension si mësues të respektuar.Djali tjetër, Zenuni ra dëshmor i
ndërtimit të atdheut.
5. Ti ke krijuar figuren tënde, ama, mund të të pyes: -kush është per Ju modeli
i mësuesit, në punen tuaj te suksesshme në lemin e arsimit?
Sivjet mbush 30 vjet si mësimdhënës, duke llogaritur këtu edhe disa vite si
specialist i arsimit, pranë drejtorisë arsimore Tropojë dhe drejtues i shkollës
së mesme të përgjithshme të Fierzës, pikërisht ajo shkollë ku drejtoi disa vite
edhe babai im, në kohën kur ndërtohej hidrocentrali i Fierzës.
Më ka rastisur në mënyrë fatlume të punoj dhe të jem koleg me emra të njohur të
arsimit tropojan, nga të cilët mësova të konsolidoj modelin vetjak të
mësimdhënies, pa harruar se unë e kisha trashëgiminë arsimore nga familja, e
cila numeronte rreth 15 mësues, si nga ana e nënës dhe babait. Të jem
sistematik, këmbëngulës, kurajoz dhe kërkues, ishin disa parime që gradualisht
më formuan si mësues dhe drejtues, por mbi të gjitha ndjeja gjithmonë detyrimin
e pandarë që tu ngjaja prindërve të mi dhe të përcillja më tej përpjekjet e
tyre edukative dhe mësimore, në shërbim të brezave të rinj në Tropojë.
Modeli i përmbledhur i mësuesit të cilin ndiqja dhe doja ti përkisja kishte
brenda seriozitetin dhe autoritetin e padiskutueshëm profesional të babait (më
ndje, për mungesën e modestisë!) skrupulozitetin e Mehmet Margjekës (punova më
të disa vite në Bujan) teknikat mësimore të Fahri Doçit dhe Mehmet Hykës,
njohjen lëndore të Nushë Doçit dhe Rrustem Qokës, pasionin dhe ndershmërinë
mësimore të Ndoc Paplekajt, aftësinë kërkuese të Avdyl Buçpapajt, delikatesën
dhe edukatën fine të Jolldyz Hoxhës...
Lista do të ishte mjaft e gjatë, sepse realisht Tropoja ka pasur mësimdhënës të
mrekullueshëm, të cilët i dhanë sidomos gjimnazit të B. Currit, namin dhe
lavdinë e një universiteti. Ta mbaroje atë mirë, do të ishe i garantuar për
rezultate në çdo universitet të Shqipërisë dhe jashtë saj, pikërisht prej
cilësisë së mësimdhënies. Kur unë shkova në Fakultetin e Shkencave të Natyrës,
në vitet '80 e vertetova mjaft mirë këtë fakt.
B. Zgjidh e merr një emër...
1. Çfarë ndjen kur të drejtohen nxenësit: -Profesor Luli?
Unë asnjëherë nuk jam larguar nga Tropoja Zeqir, anipse kisha disa mundësi,
duke besuar tek vlerat e vendlindjes dhe mundësitë e një jete më të mirë këtu.
Nuk hoqa dorë nga arsimi, pavarësisht se falë kontributit tim në promovimin dhe
zhvillimin e shoqërisë civile në Tropojë, mund ti afrohesha një tjetër natyre
pune, fitova sigurinë e profesionit, mesova shumë të fshehta të tij, përsosa
komunikimin dhe sinqerisht fitova një emër me të cilin thirrem shpesh jo veç në
mjedise arsimore, por edhe në jetën e përditshme: " Profesor".
Në mirëmëngjesin e çdo dite, në gëzime familjare, në aktivitete kulturore, gati
më shumë më thërrasin kështu, sesa me emër. Dhe është besoj, një sadisfaksion i
madh, një tregues se diçka kam arritur në detyrimin tim që ceka pak më lart në
raport me prindërit dhe mjedisin ku më së shumti kam jetuar.
Por thirrja e përditshme e nxënësve, ka vazhdimisht magji, aq më tepër sot kur
brezi i të rinjve vështirë ta jep këtë emërtim me konatocion pozitiv të
respektit njerëzor dhe profesional, në dallim nga përdorimi formal dhe
përfitues i momentit...
2. Po kur të drejtohen lexuesit: -I nderuar poet?
Më beso, i vetmi emër, titull apo apo nofkë që më ka pëlqyer dhe kam ëndërruar
ta fitoj dhe të personifikohem me të është fjala e thjeshtë, por kuptimplote
"Shkrimtar, shkrimtari!"
Njeriu që shkruan edhe prozë, edhe poezi, vjen një moment dhe përcaktohet drejt
asaj çfarë ndjen dhe shkruan më mirë, unë aktualisht po shkruaj libra me
tregime dhe publicistikë, por botimet e para me poezi dhe diskutimet më të
shpeshta për poezinë këtu në Tropojë, ku ajo e ka " shtëpinë e vet natyrore"
siç e kam përcaktuar unë dhe shumë të tjerë, kanë bërë që shumica e bashkëvëndasve
të mi, të më thërrasin si poet.
Ndjehem mirë, pavarësisht kohës dhe moralit të saj aktual për poezinë dhe
poetët, është fat të të kategorizojnë si të tillë, poetët janë kushërinj me
ëngjëjt, apo jo?!
3. Në mbledhje të Klubit te shkrimtareve e artisteve te Tropojes kur të
drejtohen anetaret: -Zotri kryetar..., vërejtesh apo buzeqesh?
E kam shmangur që nga fillimi këtë emërtim, sinqeriteti dhe mënyra e
funksionimit si miq dhe misionarë kulturorë, duke mbuluar boshllëqe të
institucioneve kulturore shtetërore, ka përcaktuar marëdhënie të natyrshme
shoqërore, ku kjo fjalë s'para përmendet.
4. Momentalisht, per hir të intervistës, je i detyruar të heqesh dorë nga dy
funksione të lartpermendura. Cilen do zgjedhesh që ta mbash: -profesor? Poet?
Apo : -Zoti kryetar?
Ndoshta si tip, në lëvizje apo në mendim, të kujtoj një mësues , në fizionomi
dhe tonin e të folurit një poet, i cili kurrë s'bertet, ka skrupuj dhe
delikatesë, rrallë ndonjëherë më pëlqen përcaktimi i fundit, kur has jo rrallë
në përsona egoistë dhe karrieristë, që përpiqen pa skrupuj të minimizojnë
misionin dhe punën tonë dhe duan me çdo kusht të përfitojnë mbi arritjet e
grupit tonë...
5. A të ka thënë ndonjëherë gruaja se: - Na hëngre edhe ti me këto libra!?
Edhe po të më thoshte, s'do ti vija faj, në kohën kur shkollimi i fëmijëve
kushton aq shumë, kur arredimi i mjediseve familjare aq i nevojshëm në
përshtatje me kohën kushton gjithashtu dhe është tregues i mënyrës sesi ti
jeton, kur udhëtimi dhe festat janë përmasa të jetës moderne, kur komunikimi ndërkulturor
ka kosto të konsiderueshme, botimi I librave po kthehet në një makth. Të
dhimbset vuajtja personale e procesit krijues, ngjarja dhe personazhet që ke
krijuar dhe mund të vjetrohen, plaken apo dalin jashtë kohe pa u botuar, nga
ana tjetër të krijosh borxhe familjare me librat e tu dhemb gjithashtu...
C. Ora e mësimit, apo çasti krijues?
1. Cila anë ja merr shoqes në jetën e Lulzim Logut: -puna e profesorit apo puna
krijuese?
Të them të drejtën, për të ruajtur respektin e profesionit sot, të merr shumë
kohë, sidomos azhornimi me të rejat shkencore dhe informacionin e duhur për
mësimdhënie, disa aspekte burokratike të tij të nervozojnë dhe të humbasin
kohën e nevojshme të procesit krijues, shto këtu edhe ethet ditore të jetës,
gjithësesi përpiqem të ruaj një ritëm adekuat dhe një ekuilibër të domosdoshëm
mes të dyjave.Por vazhdimisht ndjej se humb procesi krijues, në një kohë që
rritet gjithnjë e më shumë nevoja të zhytem më thellë brenda tij...
2. A të ka ndodhur shpesh të "harrosh" oren e mësimit e të shkruash poezi në
klasë?
E çuditshme Zeqir, poezitë më bukura, kujtoj se i kam shkruar gjatë kohës së
mbledhjeve, sidomos të atyre mbledhjeve të gjata burokratike, kur drejtues të
paaftë fshehin paaftësinë e tyre në procedura koti, kam shkruar gjithashtu në pauza
udhëtimesh, duke u përpjekur të ruaj vlerën e veçantë të një përjetimi apo
"goditje poetike", ndërsa gjatë orëve të mësimit thjesht kam veçuar motivin, që
më pas ka shërbyer si shtrat krijues.
3. Ku e sheh veten me shumë, në stilin klasik, në hajkun që po behet modë
bashk-kohore apo në "realizmin demokratik"?
Aktualisht këto vitet e fundit, jam i dashuruar me hajkun, por edhe me tankan,
natyrshëm ato kanë mbërritur tek unë si nevojë e ndryshimit të kodit komunikues
me lexuesin e ri të kohës. Poezia po bëhet gjithnjë e më elitare, ka humbur
lexuesin masiv dhe ka fituar lexuesin më të rrallë, por më selektiv dhe më të
vëmëndshëm.
Hajku ka ngjeshje të vargut dhe figuracionit, kërkon metaforën e gjetur dhe
emocionin që godet, por edhe mendimin e matur dhe përvojën e përmbledhur në pak
fjalë. Në prozë jam më klasik, por më duket si edhe këtu ka ardhur koha e
tregimit që mbart mesazh, që e përcjell natyrshëm atë dhe i shërben lexuesit të
reflektojë brenda vetes së vet, duke gjetur momentin e duhur psikologjik, duke
përmirësuar natyrën e momentit njerëzor, duke e bërë atë më të kthjelltë në
ditët e tij.
4. A e kërkon vjershën, motivin,
vargun, figurën...apo ato vijnë ashtu vet, si elemente "˜të lirë"?
Më duket se asnjëherë nuk I kam kërkuar si qëllim në vetvete, lirshëm ato kanë
trokitur në mua, më është dashur tu gjej kohën dhe hapësirën e duhur brenda
meje dhe më pas t'ua tregoj të tjerëve si përjetim, duke ndarë me lexuesin të
qënit bashkëjetues të këtij çasti njerëzor, dashuri apo urrejtje qoftë, dhembje
apo përbuzje, triumf apo humbje.
5. Lexuesit, gjithmonë duan të dijnë se ç'farë po gatuajmë per ta. Po Lulzim
Logu?
Kam në proces botimi librin me 300 hajku, ndërkohë që në procesin krijues është
libri i katërt që i përket kësaj gjinie. Kam përfunduar librin e ri me tregime
dhe novela, po punoj në një libër publicistik, ndërkohë që fushata e gjetjes së
fondeve është një ankth i vërtetë, që ndonjëherë na bën të dyshojmë në vlerën e
këtij mundimi...
Por përsëri të nesërmen ja fillojmë të shkruajmë përsëri, të shkruarit është si
dashuria, ndonjëherë pauza të gjata mungese dhe hezitimi, pasohen nga periudha
intensive puthjesh dhe përqafimesh, sikur vdekja të pret pas dere dhe s'do të
kthehesh më në këtë lloj përjetimi...
D.
Krasniqja e Vendit, djep artistësh e poetësh
1. Në ç'raport e sheh traditen historike e kulturore me kohën që jetojme?
Gjithmonë kam menduar se ka kronologji dhe lidhje organike mes kohëve dhe
traditave, pavarësisht dukjes se s'kanë asesi lidhje të mundmshme midis tyre. A
nuk kanë shërbyer Cikli i kreshnikëve, Këngët Lirike të traditës si
udhërrëfyese dhe ushqim luksi për traditën dhe shkollën poetike mjaft të njohur
tropojanë, për ritmet e papërsëritshme të valleve dhe tingujt magjikë të
këngëve?! A nuk janë në sinkron modern bukuritë e rralla natyrore, monumentet e
pafund natyrore, me pasuritë e shumta kulturore të zonës?!
Duke mos përjashtuar modifikimet e duhura kohore, selektimet e domosdoshme të
përshtatjes së tyre, thelbi dhe ruajtja e tij, pra e gjurmës së traditës,
mbetet detyrim kulturor, dëshmi e ekzistencës dhe e organizimit shekullor,
pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Mohimi i tyre në emër të modernes
përbën anakronizëm, sikurse shpallja e vlerave të tyre si të pandryshueshme në
rapot me kohën dhe ndryshimin e mentalitetit social të njeriut.
2. Fshati Bujan është fshati i Skënder Buçpapajt, i Fatmira Breçanit... i Sokol
Arifit, Skënder Dozhlanit etj..., si ndjehesh mes kolegëve të degjuar?
Bujani është Atdheu i Skender Buçpapajt dhe i Skender Sherifit, është dheu i
Sokol Arifit, bardit të rrallë që dinte përmëndësh mijra vargje, që shkruante
libra pa ditur shkrim as lexim, i zerit melodioz të Fatmira Breçanit që u
brumos bjeshkëve, Bujani frymëzon Skender Dozhlanin, të japë ritme të rralla
muzikore që kalojnë kontinentet, Bujani i dhjetra poetëve, valltarëve,
politikanëve, gazetarëve.Një trevë e rrallë, të cilës me krenari i përkas dhe
ndjehem i lumtur për këtë.
Bujani që përcaktoi momente madhore në historinë tonë kombëtare, Bujani që i
dha kombit heronj të lavdishëm dhe dëshmorë të paharrueshëm, Bujani si udhëkryq
i rrugëve të reja që prijnë kah Evropa, Bujani më histori 90 vjeçare të
shkollës shqipe, Bujani aq i lakmuar turistik me Valbonën dhe kullat malësore,
Bujani me Livadhin e Turkut ku u shemben ushtri të perandorive të kohës, Bujani
i vjetër dhe Bujani i ri...
3. Cilin poet tropojan kemi më per zemër?
Nuk po flas për Paplekajn, Buçpapajn, Mustafajn, Alinë që me disa të tjerë
përbëjnë tashmë një Fond Të Artë të Poezisë shqiptare. Këto kohë poezia e
Almona Bajramit, Migena Ramës dhe e Manjola Brahës më ka bërë jashtëzakonisht
përshtypje për tisin modern dhe angazhimin social.
4. Si punon profesor Logu me
talentet e rinj sot, në Bajram Curri?
Në fakt shumë njerëz më ngatrrojnë si profssor letersie, por unë jam profesor i
kimisë, biologjisë dhe informatikës, por që çdo cast mendon për poezinë dhe
punon me sinqeritet dhe përkushtim për talentet e reja që burojnë çdo ditë në
"fidanishten poetike tropojane" .
Atëbotë, pata kërkuar të studjoj vetëm për letërsi, mu mohua kategorikisht kjo
mundësi, (natyrisht që se kam klasifikuar ndonjëherë si "persekutim", anipse
nuk lashë zyrë shtetërore, deri tek ministri i arsimit dhe më lart, duke e
kërkuar këtë degë...!).
Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë e ka të përcaktuar në statutin e tij
si detyrim punën me talentet e rinj, kjo konsiston në këshillim, redaktim dhe
reçenca të librave të autorëve të rinj, në mbështetje të botimeve më të mira,
në promovimet e librave të botuar dhe në përcjelljen e kritikës së tyre.
Njëhkohësisht të rinjtë janë shpirti i klubit, në aktivitetet me karakter lokal
dhe kombëtar, në organizimin e mitingjeve dhe festivaleve poetike, por edhe në
festimet e mëdha kulturore.
5. Të telefonojnë njëkohësisht per kafe edhe Gjon Neçaj edhe Asllan Osmani.
Cilit i thua -Po!
Pyetje e vështirë?!
Po bëhen 30 vjet që i them "po", jo vetëm për kafe, Gjon Neçajt, një mik i
rrallë, poet i ndjeshëm dhe gazetar i spikatur, gjithashtu bashkëpuntori më i
ngushtë i imi në përpjekjet tona kulturore në Tropojë dhe jashtë saj.
Ka disa kohë që i them" po" edhe Asllan Osmanajt, kur e kam zbuluar një vlerë
të veçantë të vargut të tij poetik rebel, të një makthi poetik që rrallë e gjen
tek autorë të tjerë.
E. Lulzim Logu dhe Kosova
1. I madhi Ali Podrimja e ka shkruar por edhe per çdo tropojan: "Kosova është
gjaku im që nuk falet". -Apo jo Luli?
Natyrisht, ky varg i përket edhe trevës tonë dhe çdo tropojani!
Të shtoj këtu se ka qënë fat për mua njohja dhe miqësia me Ali Podrimjen,
sikurse me dhjetra krijues të tjerë të Kosovës, sidomos këtë dhjetëvjeçarin e
fundit. Por e veçoj gjithmonë miqësinë me Aliun, Din Mehmetin...
Ishin të mëdhenj në dashurinë për Shqipërinë dhe Tropojën në veçanti, për
vargjet që u kushtuan atyre, për përpjekjet e tyre të mëdha për integrimin
kulturor! Me propozimin tonë Din Mehmeti u bë nderi i Tropojës, ndërsa ditët e
fundit, shkolla e re 9 vjeçare e qytetit mban emrin e pavdekshëm të Ali
Podrimjes.
Podrimja erdhi tre herë në Tropojë, i ftuar prej nesh, herën e fundit, para
disa muajsh në aktivitetin tashmë tradicional "ORA E POEZISE" dhe përherë
dëshironte të vinte, të bisedonte dhe recitonte para publikut, të shkonte në
Valbonë, apo ta pinte një birrë me poetët e rrallë tropojanë, siç shprehej ai
rëndom.Vdekja e tij dhe e Din Mehmetit kanë qënë momente vertet emocionale dhe
drithëruese për mua, vdekje e njerëzve të afërm që të donin dhe bisedonin
lirshëm me mua dhe miqtë e mi dhe Tropojën e nderonin dhe vlerësonin kudo ku
shkonin.
Të kthehem edhe njëherë tek vargu hit i Podrimjes, armiqtë në shekuj janë
përpjekur për copëtimin fatal të Shqipërisë, gati për 50 vjet Tropoja ishte e
shkëputur nga kryeqëndrat e veta historike: Gjakova, Peja dhe Prizreni, Tropoja
historikisht është konsideruar si Malësi e Gjakovës.
Por siç thotë poeti ynë i njohur Hamit Alia, orët e historisë janë kthyer mbarë
dhe kurrë më s'do të mund të kthehen mbrapsht, akrepat historikë tashmë punojnë
për shqiptarët dhe Kosova mbetet gjaku që nuk falet kurrë, për të cilën shumë
tropojanë e dhanë jetën dhe falen rininë dhe ëndrrat e tyre...
2. Nga mesi i viteve '70, një nga udhëheqësit e Tropojës, më ka bërë mua
(at'herë gazetar i ri), një vërejtje të ashpër: -Pse ti Zeqir e shkruen nëpër
gazeta Malësia e Gjakovës?! Ne nuk jemi Malësia e Gjakovës por rrethi i
Tropojës...! Ta kujtova këtë fakt, per të dalë te pyetja: -Si e perjetojnë sot
shkrimtarët e artistët tropojanë këtë çlirim shtetror e shpirtëror me Kosovën?
Për të gjithë ka qënë liria e ëndërruar dhe e merituar, ka qënë realizimi i
shumëpritur, dita më e madhe të cilën e kanë dëshiruar ta presin, siç thashë më
lart, edhe në këmbim të jetës së tyre. Realisht jemi Malësia e Gjakovës, por
shpesh ka edhe kontestim, keqkuptim dhe nihilizëm ndaj historisë ndonjëherë si
në Gjakovë, por edhe në Tropojë.Por këta janë zëra të dobët, ndërkohë që afrimi
dhe bashkimi sidomos përmes kulturës dhe traditës tonë të përbashkët i bën të
shurdhët këta zëra. Nëna ime është gjakovare dhe unë krejt jetën e kam ndjerë
gjysmën time të gjakut dhe të shpirtit atje, gjyshi dhe gjyshja ime e perjetuan
gjithmonë deri sa vdiqen ndarjen nga dheu i tyre dhe tash unë e ndjej triumfin
edhe në emrin e tyre.
Për krijuesit tropojanë liria e Kosovës ka qënë simbolikisht një hapje e madhe
në horizont, një dritare gjigante pa kanata, nga ku fryn era e shpresës, e
komunikimit global dhe horizonti ndrin me dritën e së ardhmes evropiane. Tetë
vjet më parë, me inisiativën e poetit dhe publicistit të njohur gjakovar, Tahir
Bezhani, nip Tropoje, krijuesit e Tropojës dhe të Gjakovës kanë filluar
bashkëpunimin tashmë të pandalshëm jo vetëm kulturor, i zgjeruar më pas me
Pejën, Malishevën, Klinën, Deçanin, Mitrovicen për të shkuar kah Rozhaja në Mal
të Zi, në Shkup, Presheve e ngado viseve shqiptare.
Tash e katër vjet me rradhë organizojmë së bashku me Klubin Letrar " Gjon
Nikoll Kazazi " Gjakovë Mitingun e Poezisë, i cili po plotëson 50 sezone që nga
krijimi, jemi permanent në " Takimet e Azem Shkrelit" në Pejë, në " Ditët e
Tahir Deskut" në Klinë, në " Flaka e janarit" në Malishevë, tek "Ora e Maleve "
në Rozhajë etj.
Së bashku udhëtojmë drejt Lezhës në "Ditët e Fishtës" në Tiranë tek " Poeteka
Mbarëkombëtare Bytyçi" prapë bashkë drejt Gjirokastrës në takimet e Pegasit...
Botojmë libra të përbashkët, përfshihemi së bashku në antologji brenda dhe
jashtë vendit, nxjerrim gazetë të përbashkët, shkojmë festivaleve folklorike me
renome si "Sofra Dardane", "Anadrinia jehon", "Traditat e Rugovës"...etj.
3. E motivuar edhe nga miqësia me të nderuarin shkrimtar e poet Sejdi Berisha,
më thuaj se: -A të duket Peja qyteti me i bukur i Kosovës?
Mendojmë njëjtë Zeqir, kështu kam menduar edhe pa u njohur akoma me Sejdiun,
ndoshta këtu ndikon natyra e përafërt, lartësia gati e njëjtë mbi nivelin e
detit, moti dhe bora ,bjeshkët, por dhe shpirti i pastër dhe fisnik i njerëzve
të kësaj ane, me të cilët historikisht edhe para, gjatë dhe pas luftës kemi
pasur koordinata të përbashkëta të traditës, kulturës dhe atdhedashurisë. Një
qytet me bjeshkë si Rugova, me lumë si Lumbardhi, me veshje dhe valle popullore
të mrekullueshme, me liqenj alpine, me bimë dhe kafshë të rralla, me poetë dhe
shkrimtarë të spikatur, një qytet me hapësirë dhe zhvillim evropian e bëjnë
Pejën ndoshta më të bukurin e Kosovës.
Sejdi Berisha?!
Segment i natyrshëm i këtij realiteti, zëdhënës fisnik i popullit dhe vendit të
vet, ikonë dhe emblemë e kulturës pejane, krenari dhe dëshmi e epokave
historike të Pejës, resurs i madh i saj, shtysë e jashtëzakonshme për ta
vizituar shpesh këtë qytet. Njohja dhe miqësia me të, mbetet një arritje e jona
që pa modesti e shpallim dhe e mbrojmë me shumë fanatizëm. Jo thjesht për shkak
të 30 veprave të botuara, sesa prej faktit se çdo cast prej tij mund të
përfitosh ndjenja krenarie, madhështie dhe afirmimi kah e verteta nacionale.
4. Guxoj të të pyes, se edhe nuk jam shume në kontakt: -Me teper është shkruar
per Kosovën kur ishim të ndarë, deri edhe në monizëm, apo tani që ju biem
trumpetave të lirisë?
Shumë është shkruar edhe atherë, por brenda një prizmi, ku faqet ishin pak a
shumë të njëjta përsa i përket tematikës, kur Kosova fitoi lirinë vërshoi
motivi patriotik dhe hyjnizimi atdhetar, tani ka një lloj pause apo lloj
reflektimi, trumpetat kanë pushuar, por hera herës degjohen kembana që ndihen
të forta në horizont, ndoshta për të rrëfyer se askush më nuk mundet të harrojë
dhe të anashkalojë atë. Si të them, tash Kosova është natyrshme pjesë e halleve
dhe gëzimeve tona të përbashkëta, cope e zemrës që rreh, vuan apo dashuron si e
tëra...
5. Një djal i ri kosovar më ka thënë një ditë tekstualisht keshtu: -Kurr Kosova
nuk e ben per Shqipërinë at' që ka bërë Shqipëria per Kosovën! Si mendon poet-shkrimtari
Lulzim Logu?
Kurrë nuk e dëshiroj kontekstin e këtij diskutimi, nuk i qasem këtij raporti,
edhe kur më shtyjnë të them diçka pohoj se Shqipëria ka bërë natyrshëm atë që i
takonte, siç Kosova patjetër do ta bënte të njëjtën. Dy copa të një zemre apo
jo, ku qarkullon i njëjti gjak?!...
(Marrë
nga ZSh-ja)
-Per VOAL, Shkurt, 2013-