E Premte, 04.26.2024, 11:07pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MEJË - PËRVJETORI I DHEMBJES SË MADHE

E Shtunë, 04.27.2013, 06:16pm (GMT+1)



Në fshatin Mejë të Gjakovës, të shtunën është shënuar Dita Kombëtare e të Pagjeturve, ndërkohë që ende nuk është zbardhur fati i 1750 personave, të cilët ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Shënimi i kësaj dite në fshatin Mejë, përkon me datën e masakrës së madhe ndaj civilëve nga ana e forcave serbe, më 27 prill të vitit 1999, kur nga kolonat e qytetarëve që ishin përndjekur nga shtëpitë e tyre, ishin ndarë 376 civilë shqiptarë, prej moshës 15 deri në 75 vjeç.

Deri më tash, fati i vetëm 18  prej tyre ende nuk është zbardhur, ndërkohë që të tjerët janë gjetur  dhe mbetjet mortore të tyre u janë kthyer familjarëve.

Shënimin e 14 vjetorit të masakrës së Mejës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka quajtur "përvjetor i dhembjes së madhe".

Ajo i ka përkujtuar martirët e Mejës dhe të gjithë Kosovës, duke thënë se ata i mori okupatori të gjallë dhe si të vdekur i largoi, për t'i fshehur gjurmët e krimeve makabre. Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova po shkon drejt një të ardhmeje,  ku  ngjarjet e tilla të dhembshme më nuk do të përsëriten.

"Sot jemi të lirë, që së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, ta ndërtojmë të tashmen dhe një të ardhme të sigurt, më të mirë për ne dhe për brezat që do të vijnë. Asnjëherë më në trojet tona nuk do të shkelë këmba e okupatorit", ka thënë Jahjaga.

Ajo ka shtuar se Kosova po e ndërton shtetin e rendit dhe sundimit të ligjit dhe se të gjithë kriminelët, do të dalin para drejtësisë dhe do ta marrin dënimin e merituar.

"Si presidente e vendit, ju them se ne si institucione, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të gjithë këta kriminelë të mos i nxjerrim para drejtësisë. Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta. Nuk ka vend ku mund të fshihen", ka porositur Jahjaga.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ka thënë se drejtuesit e vendit kanë borxhe të mëdha ndaj të rënëve në luftë.

"Borxhi që kemi ndaj të rënëve, dëshmorëve dhe martirëve, na obligon ta forcojmë shtetin, na detyron që ta ruajmë lirinë, por edhe të kujdesemi për familjet e tyre", ka theksuar Lekaj.

Ndërkaq, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ka theksuar se informacionet për personat e zhdukur gjatë luftës,  e që ende nuk janë gjetur, e kanë adresën në Beograd.

"Informacionet e vërteta i kanë ata që i kanë bërë krimet. Andaj, në faktorin ndërkombëtar e drejtojmë gishtin që të na ndihmojë që të bëjmë trysni mbi institucionet serbe, sepse kemi informata se ende ka varreza në hapësirat e Serbisë", ka thënë Gjetaj.

Afrim Xhemajli, drejtues i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur "27 Prilli" në Mejë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se përkujtimi i kësaj dite, për familjarët e personave të vrarë në këtë vend, ishte i rëndë, por megjithatë, ajo që i ngushëllon familjarët, sipas tij, është fakti se numri më i madh i atyre që ishin ekzekutuar në masakrën e Mejës, tashmë janë gjetur dhe mbetjet mortore të tyre u janë kthyer familjarëve.

"Sikur çdo përvjetor tjetër, unë si familjar, por po flas edhe në emër të familjarëve tjerë, është ditë e vështirë, ditë e rëndë, që na i rikujton ngjarjet e hidhura që na kanë ndodhur, masakrën, për të cilën mund të them së për kah numri, është e dyta më e madhja në Ballkan, menjëherë pas Srebrenicës".

"Dua të ndërlidhem edhe me një gjë. Pavarësisht numrit të madh dhe fatit të hidhur që e kemi pasur me krejt këtë tragjedi, është një fat pak më i mirë që ne kemi ofruar numrin deri në 17 ose 18 njerëz të pagjetur. Pavarësisht, neve si familjarë, mërzia e jonë nuk hiqet asnjëherë", është shprehur Xhemajli.


Familjarët: Institucionet duhet të bëjnë më shumë për të pagjeturit

Në anën tjetër, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur edhe më parë i kanë kritikuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare për angazhim jo të mjaftueshëm lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, por edhe trajtimin ligjor të familjarëve të tyre.

Haki Kasumi, drejtues i Asociacionit të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës më shumë kanë dhënë premtime se që kanë bërë diçka konkrete lidhur me çështjen e personave të pagjetur:

"Në njëfarë forme, na kanë bindur se ju mungojnë kompetencat, por ne kësaj do t'ia shtonim se iu mungon edhe gatishmëria dhe përkushtimi, përndryshe, mundësi kanë për të vepruar dhe ndihmuar këta familjarë. Nëse nuk mund t'i gjejnë (të zhdukurit), këta mund ta shtojnë një përkujdesje për kategoritë e qytetarëve, të cilët janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Janë në ankth tash e 14 vjet dhe marrin vetëm premtime, ndërsa diçka konkrete nga pushtetarët, këta familjarë nuk kanë marrë deri më tash".

Kasumi ka theksuar se nga institucionet vendore edhe më parë kanë kërkuar që çështja e personave të pagjetur të shtrohet si temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk ka ndodhur deri më tash.

"Kemi parashtruar dhe jemi shumë këmbëngulës.  Kemi marrë edhe premtime, por nuk po shohim rezultate. Neve na mban shpresa, sepse është kërkesë e drejtë dhe si e tillë, ajo do të shtrohet për bisedim në nivelin e Bashkimit Evropian, ku po zhvillohen bisedimet dhe prej të cilave, sigurisht, do të rrjedhin informata, për këtë plagë të hapur të qytetarëve, që tash e 14 vjet, në ankth presin informacion për atë se çka u ndodhi dhe ku janë eshtrat, së paku, të familjarëve të tyre", ka shtuar Kasumi.

Në Ditën Kombëtare për të Pagjeturit në Kosovë, shefi i EULEX-it, Bernard Borhard, ka bërë një deklaratë, duke thënë se ende mbetet shumë punë për t'u bërë dhe EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë Departamentin e Mjekësisë Ligjore në përpjekjet e tij për përcaktimin e fatit të atyre që ende janë të pagjetur.

Ndryshe, misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se ka filluar zyrtarisht hetimet për një numër të dyshuarish për masakrën e Mejës, të kryer nga forcat serbe në pranverën e vitit 1999, ndonëse ende nuk ka ndonjë aktakuzë për këtë rast.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur kanë theksuar se ka qenë koha e fundit që EULEX-i të ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje dhe se njoftimet që vijnë nga ky mision, ua zgjojnë shpresat këtyre familjarëve se drejtësia në një mënyrë do të triumfojë.


www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTOGRAFITË E JAVËS (04.27.2013)
KOSOVË - KRYEQYTETI ME MUNGESË TË MADHE UJIKosova edhe 13 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë (04.27.2013)
A U THA TADIQI NË SHKODËR: KOSOVA ËSHTË SERBI?Opinion nga GANI MEHMETAJ (04.27.2013)
'NEW YORK TIMES' 26 PRILL 1909 - SULLTANAT OSMAN APO SHQIPTAR?Nga SAIMIR LOLJA (04.27.2013)
PAK HUMOR...Ë â€“ PAZANE...Nga FRITZ RADOVANI (04.26.2013)
PRESIDENTI BARACK OBAMA VIZITOI QYTETIN UEST TË TEKSASITNjë shërthim masiv la javën e kaluar 14 të vdekur, 200 të plagosur dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë rreth gjysmën e shtëpive të qytetit (04.26.2013)
SAIMIR TAHIRI VENDOS NË FACEBOOK FOTOT KU FLAMUR NOKA ËSHTË NË KAFE ME SHOFERIN E ARBEN FRROKUT, I PRANISHËM EDHE ARBEN RISTANI (04.26.2013)
PRESIDENTI OBAMA NË TEKSAS (04.25.2013)
SHOQATA 'AZEM HAJDARI' SHPËRFILL THIRRJEN E BERISHËS PËR MBËSHTETJE NË VOTIME, I KËRKON HAPJEN E DOSJES 'HAJDARI'Nga PËRPARIM HALILI (04.25.2013)
MBAROJNË QETËSISHT PROTESTAT NË KOSOVË ME MOTON 'NDALE HAJNINË'Mijëra qytetarë kanë protestuar në disa qytete të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj sjelljes së institucioneve në raport me qytetarët (04.25.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]