"Shqipja pas vitesh të tëra përpjekjesh, mundimesh, luftrash ndodhet
sërish përpara një udhëkryqi te ri. Zhvillimet pas ndryshimeve të thella qoftë
në Shqipëri, Kosovë, apo viset e tjera ku flitet shqipja e vënë edhe gjuhësinë
shqiptare para detyrash të reja, sepse situata e përdorimit të shqipes në
funksione publike sot është shumë e ndryshme në raport me ç'ka qenë më herët.
Tani e gjithë hapësira shqipfolëse, jo vetëm brenda Ballkanit, por edhe në të
gjithë botën, komunikon lirshëm dhe veprimtaritë që lidhen me gjuhën janë
rritur shumë, p.sh. përkthimet, shkrimet dhe botimet. "Kjo gjë vetvetiu
edhe gjuhësinë shqiptare, dhe me këtë mendoj jo vetëm gjuhësinë në Shqipëri, e
cila ishte pak a shumë e rrethuar brenda kuadrit të imponuar dikur, edhe si mendje
shpesh me kufizime, e kanë vënë tani në një situatë që të jetë një gjuhësi e
hapur që të mendojë për të gjitha problemet." - thekson gjuhëtari prof.
Rexhep Ismajli, anëtar i i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Gjuhësia shqiptare duhet të mendojë bashkërisht
Situata e re e përdorimit publik të shqipes, tregu i librit, tregu i mediave,
tregu i gazetave, informatat, sjellin me vete sipas akademikut Rexhep Ismajli
"detyrimin që të bashkëveprojmë. Të gjithë po synojmë drejt Evropës - ka
kooperim, si mund të bashkëjetojmë ne pa kooperim. Domethënë të gjitha këto na
çojnë drejt kristalizimit të një mjeti të përbashkët dhe të vetëm, por në një
nivel shumë më të lartë, më të rritur. Tani gjuhësia shqiptare ka për detyrë që
të mendojë bashkarisht, njësoj për të gjitha hapësirat ku flitet shqipja dhe të
gjejë zgjidhje, ku dhe kur ka nevojë për zgjidhje, për të gjithë njësoj. Ky
është problemi kryesor që na shtrohet tash."
Tipari kryesor i shqipes: rritja
Dalja e shoqërive shqiptare nga kornizat e ngushta ku jetonin ka bërë që në
shqipe të vërshojë një mori fjalësh të reja. "Shqipja është një nga gjuhët
që si gjuhë standarde po vjen vazhdimisht duke u rritur. Tipari kryesor i
shqipes është rritja dhe kjo rritje edhe po e formëson gjuhën. Ne për ditë po mësojmë
fjalë të reja, për ditë dëgjojmë shprehje të reja, mënyra të reja formimi, dhe
këto duhet ta gjejnë vendin në gjuhë."
Por njëkëhësisht me rrritjen është e domosdoshme edhe veprimtaria normuese dhe
gjuhësia shqiptare përballet me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të
moskujdesit shoqëror, moskujdesit të instancave institucionale dhe shtetërore,
të mosmbështetjes financiare etj. dhe ka vështirësi t'i zgjidhë këto probleme.
Akute puna me terminologjinë
Veprimtaria normuese ngrëthen një sërë aspektesh, kryesore dhe urgjente në
kushtet e sotme mendon prof. Rexhep Ismajli është puna normuese me
terminologjinë. "Kur flasim për normën nuk është çështja vetëm tek
drejtshkrimi, ai është një problem i vogël. Ne kemi për ditë e më shumë si në
Shqipëri, si në Kosovë e Maqedoni, si në Preshevë e në Mal të Zi si në
diasporë, kudo pra kemi për ditë mori fjalësh të reja për të cilat kemi nevojë
të kemi një fjalë në gjuhën shqipe. Shumë herë marrim pa kriter fjalë të huaja
që i përshtasim në forma të ndryshme, në Shqipëri p.sh. ka fjalë nga anglishtja
që përshtaten sipas italishtes, në Kosovë të tilla fjalë përshtaten sipas
serbishtes ose gjermanishtes, ose një përvoje tjetër, pra secili ka një përvojë
tjetër dhe pastaj gjendemi ngushtë. Ne duhet të merremi bashkarisht me këto
fjalë, sepse ato hyjnë me rrugë të ndryshme, në anë të ndryshme dhe me
ndryshime që duhet t'i rrafshojmë, t'i sjellim në një pikë dhe në të gjitha
anët njësoj."
"Po të marrësh p.sh. dy mekanikë, dy dentistë apo dy violinistë një nga
Tirana dhe një nga Prishtina dhe t'i ulësh të bisedojnë saktësisht pa referenca
të tjera për çështje profesionale, do shohësh se sa vështirë është të merren
vesh." - thekson prof. Ismajli. "Ne nuk po bëjmë asgjë në këtë
drejtim. Importojmë ilaçe për ditë dhe asnjë prej ministrive, as në Tiranë dhe
as në Prishtinë s'ka një ekip i cili do të merret me emërtimin e këtyre ilaçeve
dhe shpjegimin e ilaçeve që njerëzit t'i kuptojnë shqip. Nuk ka asnjë nga
qeveritë instanca të terminologjisë."
"Unë i kam hulumtuar mirë proceset dhe në Gjermani edhe në Francë, që kanë
gjuhë që fliten në disa shtete bashkë me problemet përkatëse. Këtu organizimi
është shumë i lartë. Problemet e terminologjisë, problemet e fjalëve që po na
hyjnë, janë shumë më të rëndësishme. Ne jemi shoqëri që nuk prodhojmë
teknologji, nuk prodhojmë procese të reja, por i marrim nga të tjerët dhe
detyrimisht marrim edhe fjalë të huaja dhe me to duhet të merremi sepse atyre u
ikën koha."
As Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ligj për gjuhën
"Franca me pesë shekuj traditë kultivimi të gjuhës ka ekipin e madh për
gjuhën, në krye të të cilit formalisht është kryeministri për t'i dhënë peshën
dhe pastaj janë gjuhëtarët. Në secilin sektor dhe ministri ka grupe që merren
me terminologjinë, bëjnë propozime dhe pastaj ia japin akademisë dhe akademia i
miraton ose jo. Dhe ato që miratohen, shpallen në gazetën zyrtare. Ne nuk kemi
një strukturë të tillë, e madje as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë fare ligj
për gjuhën. Nuk është e domosdoshme të ketë ligj, se ligji nuk thotë gjë dhe as
është kjo çështja kryesore, kryesore është që nuk ka kujdes, nuk ndjehet nevoja
për këtë lloj kujdesi dhe për mbështetje."
Edhe pse nuk është shteti ai që duhet të bëjë normën, "shteti është ai që
duhet të mbështesë ekspertët që ta bëjnë atë. Institutet që merren me gjuhësi,
janë vetëm sa për të mbijetuar. U jepen do rroga të vogla sa të mos bëjnë
telashe, nuk u jepen fonde që njerëzit të mund të merren me projekte të mëdha
hulumtimi, që të mbështeten të rinjtë që të shkojnë në këto institute të
studiojnë dhe të sjellin energji. Ne kemi propozuar dy-tri herë edhe publikisht
që të krijohen mekanizma të tillë, por me sa duket kanë tash për tash përparësi
të tjera."
Nuk ka mundësi të kemi një normë të ndarë veç e veç
Shembulli i vështirësive në komunikim mes dy mekanikëve apo dy dentistëve nga
treva të ndryshme ku flitet shqipja, tregon jo vetëm nevojën e normimit të
terminologjisë, por dhe faktin e zhvillimeve të ndryshme në shqipe që lidhen
pikërisht me përdorimin e saj në treva të ndryshme. A nuk do të kishte nevojë
norma në kohën e sotme edhe për një farë tolerance dhe nëse po deri ku mund të
shkonte ajo?
"Toleranca është një cilësi e qytetërimit dhe nuk mund ta përjashtojmë.
Tolerancën duhet ta kemi për çdo gjë. Tani sa i përket normës, norma e gjuhës
shqipe nuk është ndonjë normë e ndërtuar shumë deri në detaje. Ajo nuk na
pengon që të kemi një ngërthim më të madh të të gjitha varieteteve. Sigurisht
që në gjuhë nuk mund të ndalohet asgjë. Por ne duhet të kemi të ndërtuar një
normë, qoftë edhe të atyre elementeve që janë të një natyre të një regjistri të
posaçëm, të rrethit të posaçëm, të regjonit të posaçëm, të shtresës së posaçme.
Sepse kur një shkrimtar apo gazetar shkruan, duhet të dijë si ta shkruajnë atë
që shkruan. Pra një normë duhet ta kemi, dhe atë nuk ka mundësi ta kemi të
ndarë veç e veç, secili ta bëjë si të dojë. Por duhet të merremi vesh, p.sh. në
rast se në Maqedoni ka nevojë për një fjalë që s'e ka realiteti në Kosovë apo
në Shqipëri, ne duhet të merremi vesh të gjithë bashkë që asaj fjale edhe asaj
në Maqedoni edhe në Kosovë apo Shqipëri, të gjithë t'i thonë njësoj, jo
trillojesh. Kjo është cilësia që duhet të synojmë në normim." mendon prof.
Rexhep Ismajli.
"Toleranca për sjelljet (prurjet) e reja është e domosdoshme, sepse
komunikimi ynë është në rritje e sipër. Ne nuk mund ta ndalojmë rritjen që të
respektojmë një normë. Rritja, jeta sjell vetë elementet e veta dhe Kongresi i
Drejtshkrimit e thoshte qartë, gjuha zhvillohet, po zhvillohet dhe do të
zhvillohet. Prandaj edhe në të ardhmen do të ketë diskutime, do të ketë
vazhdimisht vendimmarrje. Edhe në gjuhë të mëdha si gjermanishtja, ka probleme
të tilla gjithnjë, pra kjo nuk duhet të na frikësojë." - mendon prof.
Rexhep Ismajli.
Korpusi i shqipes domosdoshmëri
Një bazë e rëndësishme për analiza dhe studime të ndryshme gjuhësore dhe për të
marrë vendime në lidhje me gjuhën, kur është fjala për të parë normën e
përdorimit dhe për të vendosur mbi bazën e saj për kodifikimin, është korpusi i
një gjuhe. Ne në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka një
projekt për të bërë korpusin nacional të gjuhës shqipe në kuadër të Qendrës
Leksikografike dhe Enciklopedike të Kosovës. Por ky projekt ende nuk ka marrë
formë të plotë të institucionalizimit dhe vendosjes për zbatim.
"Jemi në fazën e ngritjes së ekipit dhe të grupeve të punës dhe të
plotësimit të teknologjisë. Ne kemi vendosur kontakte me grupe të ngjashme pune
në Kroaci, Bullgari, Slloveni, Hungari si dhe me studiues arbëreshë që kanë
përvojë shumë të mirë në këtë fushë. Kemi nisur me skanimin e materialeve,
p.sh. të revistave të ndryshme, si "Përparimi" dhe "Jeta e
Re". Nuk është pune e lehtë, sepse na duhet të bëjmë njëkëhësisht dy pune,
edhe ta ndërtojmë institucionin edhe të zhvillojmë projektin dhe për asnjërën
nuk jemi të përgatitur tamam. Por koha nuk pret ne duhet të vazhdojmë, sepse
korpusin nacional të gjuhës nuk mund të na e bëjnë dikush tjetër. Korpuset e
tyre nacionale i kanë të gjitha gjuhët e Evropës, edhe më të voglat. Majde edhe
vende që kanë një shkallë zhvillimi si shoqëria jonë, madje edhe më pak, të
gjithë e kanë vetëm ne s'e kemi."
Vazhdimisht flasim me përshtypje
Korpusi është domosdoshmëri për shqipen "për shkak se edhe për zhvillimin,
edhe për standardin, edhe për proceset e kodifikimit ne kemi nevojë që të kemi
hulumtim shterrues. Vazhdimisht flasim me përshtypje, përshtypjet mund të jenë
të sakta, të pasakta, të mira apo të pamira, por janë përshtypje! Ne duhet të
kemi rezultate të një hulumtimi të saktë dhe ky hulumtim nuk mund të bëhet pa
pasur në dispizicion mjete të tilla. Teknologjia moderne e ka bërë këtë gjë të
mundshme dhe në shoqërinë shqiptare, në Shqipëri apo Kosovë, gjithandej kemi 20
vjet që e kemi këtë teknologji, vetëm është punë organizimi dhe
financimi."
Jo detyrim, por propozime
Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, të cilin e kanë themeluar dy akademitë
e shkencave me kërkesën dhe nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka
për detyrë që të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjmë me shqipen
standarde me synim për të përmirësuar kulturën e shprehjes dhe në rast se ka
nevojë të bëjë edhe propozime për ndryshime eventuale në standard. Por puna e
këtij këshilli është vazhdimisht objekt diskutimesh në media, sidomos në lidhje
me rregullat e drejtshkimit. "Këshilli nuk ka tagër që të vendosë rregulla
të reja të drejtshkrimit, por propozimet e veta mund t'i bëjë publike, t'ua
japë akademive, dhe akademitë vendosin pastaj ta gjejnë mënyrën nëse këto do të
legalizohen dhe si do të legalizohen. Këto janë dy probleme të mëdha. Këshilli
pra bën një diskutim shkencor, aq sa është e mundshme për çështje të ndryshme,
dhe për këtë qëllim janë formuar gjashtë komisione si për drejtshkrimin,
morfologjinë, sintaksën,për fjalët e huaja, apo për çështje të shqipes në shkollë.
Këto komisione për arsye praktike punojnë veç, pra një komision në Tiranë dhe
një në Prishtinë, por shpesh mblidhen dhe qëllimi është që çdo gjë që të bëhet,
të bëhet bashkarisht, asgjë të mos bëhet veç." - sqaron prof. Rexhep
Ismajli, bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
ASHAK nuk ka mendim të paraformuar
"Të gjithë anëtarët e komisionit që vepron në Kosovë në kuadër të Këshilli
ndërakadamik për gjuhën shqipe janë jashtë akademisë, sepse kemi dashur të
ngërthejmë profesorët e Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, të
Institutit Albanologjik dhe të shoqërisë civile", - shpjegon prof. Rexhep
Ismajli. Në Kosovë ka edhe një shoqatë për gjuhën shqipe, në krye të së cilës
është Isa Bajçinca, edhe ky anëtar i komision. "Pra në Prishtinë kemi
pasur një pasqyrim pak më të gjerë të njerëzve që merren me këtë punë, qoftë në
këshill drejtpërdrejt, qoftë në komisione. Nga Akademia vetëm në komisionin e
morfologjisë është një anëtar i akademisë, prof. Besim Bokshi dhe në komisionin
për fjalët e huaja, apo shkrimit të fjalëve të huaja, është akademik Idriz
Ajeti. Të gjitha komisionet e tjera janë me ekspertë nga jashtë
akademisë."
Vështirësi në bashkëpunimin me Tiranën
"Akademia e Shkencave të Kosovës nuk ka mendim të paraformuar përveç
mendimit që ka rregullorja, domethënë që ky këshill merret me kujdesin e
mëtejshëm për gjuhën standarde dhe kjo është baza. Të tjerat pastaj janë
çështje të ekspertëve. Nga ekspertët secili ka bindjen e vet dhe thotë çfarë
mendon. Këtu ka pasur disa vështirësi, sepse në Tiranë ka pasur lëvizje, ka
pasur njerëz që janë tërhequr. Me këtë do të merret Akademia e Shqipërisë, unë
nuk merrem me atë pjesë. Por të gjitha aluzionet e tjera që shkojnë në adresë
të Akademisë së Shkencave të Kosovës lidhur me këtë apo atë qëndrim janë të
paqëndrueshme, po përdor një fjalë të butë, sepse akademia nuk ka asnjë një
qëndrim, as të tillë dhe as të atillë për këto çështje dhe ato ua ka lënë në
dorë ekspertëve! Ekspertët mblidhen bashkarisht dhe i diskutojnë të gjitha."
- thekson bashkëkryetari i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
Debat krejt normal
Në prill në Tiranë pati një takim të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe,
ku u diskutuan çështje të drejtshkrimit. Sipas prof. Ismajlit "Komisionet
patën plot propozime, por aty u miratuan vetëm disa prej tyre. Diskutimi qe i
gjatë, rreth 8-9 orë. Kishte mendime nga më të ndryshmet dhe secili mbronte
mendimin e vet. Nuk pati ndarje të tilla apo të atilla, për çdo çështje dikush
kishte një mendim, dikush një tjetër, qe një debat krejt normal. Kur të
mblidhen në fund të gjitha materialet, kuptohet ato mund të bëhen publike edhe
më përpara, ato do t'u dorëzohen institucioneve dhe pastaj do të shohim."
Për shqipen mungon një mekanizëm i pavarur, publik
"Për gjuhën shqipe nuk kemi krijuar një mekanizëm, i cili do të ishte i
pavarur, publik dhe që do të shprehte vullnetin e popullatës shqiptare kudo që
të jetë, për të marrë vendime. Ju e dini mirë që në Gjermani ka një komision
prej 80 anëtarësh, 40 nga Gjermania, 40 të tjerë nga vendet ku flitet
gjermanishtja, Austria, Zvicra, etj. Ata kanë të gjithë status dhe mandat të
barabartë dhe marrin vendime të detyrueshme. Këshilli Ndërakademik për Gjuhën
Shqipe nuk e ka atë tagër, sepse atë nuk ia ka dhënë askush. Atë tagër mund t'ia
japë ai që ka vullnetin e popullit, pra parlamenti. Nuk duhet që ta uzurpojmë
ne si anëtarë të tij, kjo nuk do të ishte serioze për punën e një instutucioni
kaq të lartë. Tagri i këshillit nuk është që ta detyrojë shoqërinë shqiptare
kudo që të jetë të shkruajë tash e tutje kështu, pra Europë dhe jo Evropë p.sh.
Ai ka të drejtë të propozojë dhe ka edhe autoritetin shkencor për të bërë të
tilla propozime, por vendimin nuk mund ta marrë. Edhe në rast se bëjmë një
drejtshkrim të ri, nuk është këshilli ai mund ta bëjë atë drejtshkrim sa kohë
që nuk ia ka dhënë askush këtë mandat. Kur t'ia japin, nëse ia japin, është
tjetër punë, por tash për tash nuk e ka këtë mandat. Vendimet që merr këshilli,
si ato që u botuan së fundi në media p.sh. nuk janë vendime detyruese, nuk janë
pjesë e drejtshkrimit, sepse drejtshkrimi nuk mund të ndryshohet në këtë mënyrë
po kujtojmë ne, dhe ne nuk mund të shkojnë në atë shkallë që pa studjuar fare,
vetëm hajd po na teket të bëjmë një ndryshim në drejtshkrim. Jo, këshilli ka për
detyrë të sudiojë, të krijojë rrethana të cilat do të merren parasysh në mënyrë
serioze me kohë dhe pastaj merren vendime përfundimtare që i imponohen
popullit. Nuk mundet që çdo ditë t'i themi popullit hajt sot pa na teket kështu
e nesër ashtu." - mendon akademik Rexhep Ismajli. (dw)