"Dhunë ndaj grave ushtron vetëm i ligu, të cilit i mungon edukata dhe tek i
tilli nuk zë vend sa duhet fjala e Zotit. Fatkeqësisht, dhuna ndaj femrave dhe
grave është e shumtë dhe e llojeve të ndryshme. Nuk guxojmë të kuptojmë më
termin dhunë në familje, vetëm çuarjen dorë mbi gruan, por dhuna është e
natyrave të ndryshme nga ata, të cilët mendojnë se problemet zgjidhen me
dhunë".
Kështu foli myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një konferencë ku temë ishte
roli i Islamit në parandalimin e dhunës në baza gjinore, ku ishin mbledhur të
mërkurën në Prishtinë shumë burra e gra, për të dëgjuar dhe debatuar se çka
saktësisht në Kosovë bëhet për këtë problematikë.
Sipas kreut të Bashkësisë Islame, edhe në Kosovë, pak po bëhet që ky fenomen të
zvogëlohet, por edhe më pak që të dalë në pah.
Kjo, për arsye, siç tha ai, se gruaja pranon që të fshehë abuzimin për shumë
arsye, por mbi të gjitha, nga frika e humbjes së fëmijëve.
"Gruaja fsheh abuzimin. Ajo pranon nënçmimin, rrahjen edhe fizike, nisur nga
ndjenja e dhembshurisë ndaj fëmijëve. Duhet nxjerrë dhunën nga gjiri i familjes
ku është strukur. Dhuna në të shumtën e rasteve është e mbërthyer nga kodi i
heshtjes. Dhuna në familje nuk duhet të jetë çështje e izoluar, por sfidë me të
cilën duhet ballafaquar", tha Tërnava.
Kjo nismë që u organizua nga Fondi për Popullatën i Kombeve të Bashkuara
(UNFPA) nxori në pah të dhënat se afro 1000 raste në vit raportohen për dhunën
në familje.
Visare Mujko-Nimani që punon si përgjegjëse në UNFPA, tha se rastet e dhunës në
bazë gjinore, rastet e dhunës në familje, keqtrajtimet, martesat e hershme dhe
me detyrim, duhen luftuar nga e gjithë shoqëria.
Sipas saj, parandalimi dhe luftimi i këtyre dukurive duhet të jetë përgjegjësi
e secilit, me theks të veçantë, e prijësve fetarë.
"Përfshirja dhe kontributi i liderëve religjiozë në luftimin dhe parandalimin e
dhunës në bazë gjinore, është më se i domosdoshëm dhe i rëndësishëm", porositi
ajo.
Kryeimami i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Rexhep Lushta, tha se dhunën fizike
ndaj femrës në Kosovë nuk e shkaktojnë ata që janë fetarë apo që kanë vetëdije
fetare.
Sipas tij, dhunën më tepër e shkaktojnë ata që janë të mbushur me
"patriarkalizmin dhe kanunizimin e tyre shpirtëror dhe familjar".
Por, Lushta përmendi një tjetër lloj dhune, që po ushtrohet ndaj femrës
myslimane.
"Myslimanes sot, e cila dëshiron që të praktikojë fenë e saj, i mbyllen të
gjitha dyert institucionale. Fillimisht i mbyllen dyert nëpër shkolla dhe
rrallëherë ndodh që dikush të ngre zërin për mbrojtjen e saj. I mbyllen dyert
për punësimin e saj në institucionet, qofshin ato arsimore apo shtetërore, për
arsyen e vetme se ajo mban veshjen e saj islame", u shpreh Lushta.
Por, kur në debat u përfshinë përfaqësueset e femrave, ato vunë në pah
problemet, të cilat shkaktohen edhe nga vetë klerikët myslimanë.
Merjeme Gashi, një studente e Fakultetit të studimeve islame, shprehu habinë e
saj pse në këtë tryezë, nuk u diskutua një çështje shumë e ndjeshme.
"Unë prita shumë që ka për t'u përmendur një ajet dhe ka për t'u përmendur një
fjalë, pikërisht që është i vetmi ajet Kur'anor, ku thirren burrat për t'i
rrahur gratë", tha Mejreme Gashi.
"Dhe, në qoftë se, (thotë ajeti Kuranor) gratë nuk janë të dëgjueshme apo të
bindura ndaj burrave, atëherë dialogoni me ato, flisni me ato. Nëse nuk ju
dëgjojnë, atëherë ndajuni fizikisht nga to, ndajeni nga shtrati. Në qoftë as
këtë herë nuk ju dëgjojnë, atëherë rrihni ato, në kllapa thotë lehtë. Pra, ta rrahësh po se po, por lehtas", shpjegoi
Merjeme Gashi.
Sipas saj, ky predikim në Kosovë është i gabuar dhe është keqinterpretuar apo
keqpërkthyer nga ata që e sollën Kuranin në shqip, nga arabishtja.
Studentja e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Islame, tha se një
studiues ka shpjeguar termin "derabah" si një mjet të tretë që udhëzohet burri
për të zgjidhur konfliktin me gruan, e që në shqip është përkthyer si leje për
të rrahur gruan.
"Nëse po flitet për rolin e Islamit, dhe kryesisht për rolin e liderëve
religjiozë, unë mendoj që një rol shumë të madh, si negativ, si pozitiv, e kanë
pikërisht liderët religjiozë. Është shumë e çuditshme dhe për t'u dëshpëruar,
se pse vetë këta që kanë studiuar religjionin dhe e dinë shumë mirë që ka
hadithe të kategorive të ndryshme, e sidomos ato që flasin jo në favor të
gruas, se janë ose të shpifura, ose të kategorisë shumë të dobët dhe (prapë)
flasin me xhemat për to?!", kritikoi studentja.
Zëri i studentes u dëgjua me vëmendje nga të gjithë në sallë. Atë e dëgjoi edhe
myftiu Naim Tërnava, i cili tha se Kurani nuk lejon assesi që gruaja të rrahet,
ndërsa dha këtë shpjegim se përse dikush predikon gabimisht:
"Nuk kanë thënë tanët, të vjetrit tanë kot, se mësuesi gjysmë, e lë fëmijën
sakat, dhe mjeku që nuk është mjek, e mbyt fëmijën. Pra, edhe për prijësit
fetarë është e njëjta gjë", tha Tërnava.
Për kritikat që iu drejtuan atij dhe imamëve tjerë, sipas Tërnavës, jo të
gjithë e kanë lexuar mirë Kuranin.
"Ju preferoj që të lexoni Kuranin", porositi në fund, myftiu Naim Tërnava.