E Premte, 04.26.2024, 04:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ANTONI ATHANAS - FILOZOFIA E NJË JETE TË SUKSESSHME
Nga ANTON ÇEFA*

E Shtunë, 05.25.2013, 08:32am (GMT+1)




 Hapat e parë në jetë i bëri së bashku me Shqipërinë. U lind një vit më parë se ajo dhe dora-dorës eci mbi truallin e saj vetëm për pak vite.
Sepse e la. Por eci gjithmonë dora-dorës me të. E mori me vete. E mori me vete si mall, e mori me vete si dhimbje, e mori me vete si amanet dhe si dëshirë të flaktë për ta ndihmuar dhe për ta nderuar, siç ndihmon e nderon biri nënën e vet.

 U rrit në varfërinë më të madhe dhe u urtësua para kohe. U urtësua jashtë bankave të shkollave dhe larg fjalës së mësuesve. U urtësua në punë.

            I pajisur me dhunti të pasura intelektuale e ndjenjësore, ai që heret e pati sendërtuar një filozofi jete, së cilës i qëndroi besnik tërë jetën. Çdo njeri ka një filozofi të vetën në jetë. Është  apo nuk  është i vetëdijshëm për të. Shkëlqen ajo tek njerëzit e shquar. Ata e kanë më të thellë dhe më të kthjelltë. Në filozofinë e tyre zotërojnë ideale të fisme si impulse shpirtërore, shkëndijojnë vizione të dritshme si nxitje drejt së mirës dhe përvijohet perspektiva e së ardhmes si formë e saj. Këmbëngulja është ajo veti e çmueshme vullneti, që u siguron atyre përmbushjen e qëllimeve dhe si rrjedhim suksesin.

            Në vitet e para të pleqërisë, kur mosha kishte bërë punën e vet, dhe pasi e pati arritur plotësisht suksesin, pra edhe kur nuk ia kishte më nevojën punës, Athanasi vazhdonte të punonte. Kështu shkurt e qartë, i qe përgjigjur një gazetari: "Çlodhem në atë që bëj. Shkurt çlodhem duke punuar. Po e lë punën, të lë jeta kjo është filozofia ime." 1)  Nuk di ndonjë filozof të njohur, as edhe ndonjë moralist të shquar, qoftë edhe ndonjë plak të urtë, që i takon aq shpesh në malet tona, që ta ketë shpjeguar e përcaktuar kaq saktë e qartë kuptimin e jetës si qëllim dhe si mjet për të arritur diçka; me një fjalë: vlerën e punës.

            Kjo filozofi e jetës së tij padyshim përfshin kahjen tokësore dhe atë qielloren; si stil i qartë jete që vendos marrëdhënie të drejtpeshuara mes dy botëve: asaj lëndore dhe asaj shpirtërore, asaj njerëzore dhe asaj hyjnore. Siç na e ka treguar i Përndershmi Atë Liolini : "Ka një parim thelbësor të besimit, të cilin Antoni Athanas e njihte dhe e besonte...Atë që Zoti na njeh në thellësi të qenies sonë, duke peshuar se sa e si kemi vepruar si nikoqirë të ditëve dhe viteve që na janë dhënë secilit." 2). Vështirë të gjendet ndonjë mes nesh që t'i përshtatet më shumë se Athanasi këtij postulati biblik.

Me këtë filozofi, ai u ngjit në shkallët më të larta të suksesit dhe jetësoi atë që në këtë vend mrekullibërës quhet "American dream" ("ëndërrimi amerikan").

            Më vjen nëpër mend marr leje të bëj këtu një parantezë filozofia e jetës e gjeneralit amerikan James Doottle, aq e përafërt me filozofinë e jetës së Antonit Athanas. Qe udhëheqës ushtarak i dalluar, Hero i Luftës II Botërore, këshilltar presidentësh, shkëncëtar, kampion boksi, pilot i njohur në garat e fluturimeve ajrore, sidomos për akrobacitë me aeroplanë, etj. Ai ka shkruar: "Çdo njeri në këtë botë ka ardhur për të ndihmuar tjetrin. Nuk ka rëndësi se si. Ai mund të ndërtojë një urë, mund të bëjë një pikturë, të shpikë një vegël pune ose të shesë në një stacion gazi. Çështja është që ai duhet të përpiqet ta lërë botën një vend më të mirë se e gjeti. Nëse e bën këtë, jeta e tij do të jetë më e vlefshme, nëse nuk e bën atë çka është i aftë të bëjë, ai është i destinuar të mos jetë i lumtur." Athanasi bëri të gjitha ato që qe i aftë të bëjë dhe na e la më të mirë e më të bukur botën.

Sidoqoftë, enigma e suksesit nuk mund të shpjegohet vetëm me një filozofi, sado e epërme të jetë ajo. Është energjia ajo që e sendëzon filozofinë. Energjia si aftësi fizike, por më së tepërmi si atribut shpirtëror. Dhe është pikërisht kjo e fundit që e drejton të parën. Është pikërsisht kjo energji, që ai e pati si dhunti shpirtërore, e kultivoi që në fëmijëri dhe e seliti me filozofinë e tij të jetës. Tek Athanasi, ajo u ndriçua nga një vizion i kthjelltë. Një vizion plot nxitje që buronin nga një damar i fuqishëm i një zemre të gjerë plot pajë të fisme ndjenjash humane.

Në zyrën e tij, në restaurantin më të mirë të tij, "Anthony's Pier 4", dritaret e së cilës shikonin nga oqeani, si për t'i kujtuar se pas atyre ujërave të pafund, rrallë të qetë e pothuajse gjithnjë të trazuar, ishte atdheu i tij i lindjes, i ëndërrave  dhe i dhimbjes, kishte dy skulptura: atë të Skendërbeut dhe të Naimit. Shqipëria, më e afërt se kudo, më e çmueshme se kudo, më e mirë se kudo, ishte trupëzuar tek ato dy personalitete, ku rrezatonte vepra e bujshme luftarake që e formësoi dhe flakëza e ndezur apostullore, që e ndriçoi. Dashuria për Atdheun qe me siguri një nga dimensionet më të fuqishme të energjisë shpirtërore athanasiane.

            Një botë e pasur shpirtërore si kjo i gjen sheshet e jetës e të punës. Ideali i pastër për atdheun dhe dashuria e pakufishme për të e lidhën me "Vatrën". E kuptoi atë që heret, e vlerësoi, e mbajti në kraharuar dhe e drejtoi për vite e vite. Dhe "Vatra" me shenjtërinë e idealeve e bëmave të saj iu bë shkollë, iu bë zyrë, iu bë qëllim. Po me atë përkushtim besimtari e atdhetari, ai u lidh me Kishën. Me atë Kishë Autoqefale Shqiptare, që krijoi Noli. Në atë tempull feje dhe kombëtarësie, u lut dhe gjeti prehjen shpirtërore. Punoi për të, e ruajti, e pasuroi.

            Në një botim të "Vatrës" për Skendërbeun, me rastin e 500-vjetorin të vdekjes, Athanasi ka shkruar: "Im atë e kishte bërë zakon të më merrte me vete në mbledhjet e degës 21 të Vatrës, në Bedford, Mass., sidomos kur ishte ndonjë mbledhje ku flisnin njerëz me rëndësi sikurse Faik Konitza dhe Peshkop S. Noli. Kështu ngjau që unë u rrita me idealet e Vatrës qysh në vjetët e para të moshës s'eme." 3). Lidhja me "Vatrën", sigurisht u ndikua po aq edhe nga një instinkt i fshehur në shtresat e nënvetëdijes së tij etnike: instinkti i vendlindjes dhe i çdo gjëje lëndore e shpirtërore që lidhet me të. Një manifestim i epërm i shpirtit etnik, që është i shquar, pikërisht se është i tillë.Tek të gjithë popujt dëshmohet ky instinkt; por kemi të drejtë të themi që tek populli ynë, ai është veçanërisht i theksuar. Historia e vërteton këtë. Hobhaus-i, shoku e shoqëruesi i Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX, ka shkruar: "Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s'mund t'ua fshijë shqiptarëve kujtimet dhe dashurinë për malet, për miqtë dhe për fshatrat e tyre". Dhe më poshtë: shqiptarët  e konsiderojnë ndjenjën e përkatësisë etnike si tiparin "më të theksuar në karakterin e tyre." 4).

            Në gjirin e "Vatrës", u rrëmbye nga dëshira e sakrifica vatrane për ta ndihmuar atdheun, jo vetëm në lehtësimin e varfërisë së tij fizike, por edhe për ta pasuruar atë shpirtërisht duke filluar që nga kultivimi i vetëdijes kombëtare e deri tek mësimi i parimeve të demokracisë amerikane. E bëri të vetën kanunësinë e saj: "Të rritë në mes të shqiptarëve të Amerikës dhe me anë të tyre në mes shqiptarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësinë e tyre", dhe "Të rritë në mes tyre nderimin dhe dashurinë për kanunet dhe institutet e Shteteve të Bashkuara dhe të forcojë marrëveshjet e miqësisë në mes të qytetarëve amerikanë dhe të shqiptarëve." 5). Dhe këto dy qëllime të shenjta vatrane, Athanasi i shenjtëroi edhe më gjatë jetës së tij.

Vërtet nuk bëri shkollë, por arriti të bëhet mësues, bile një edukator i fuqishëm, që u mësoi bashkatdhetarëve këtu jo vetëm filozofinë e suksesit përmes punës, po edhe filozofinë e dashurisë për atdheun, përsëri përmes punës. Ai na mësoi të mos presim nga jeta, apo nga kushdoqoftë, të na japin shansin për punët e mira. Duhet ta kërkojmë atë nga vetja. Ai, milioneri i madh, na mësoi se pasuria më e madhe e njeriut nuk janë milionat; pasuria më e madhe e tij janë thesaret shpirtërore. Qenë pikërisht këto që e bënë atë të vlefshëm për shoqërinë, të lumtur për vete dhe të pashlyeshme gjurmën e tij.

            Si për të na vërtetuar me personalitetin e tij madhor që "errare humanum est", ai gjithsesi, me jetën e tij na ka dhënë një mësim të madh: të kujdesemi për një edukim kombëtar të fëmijëve. Dhe edukimi kombëtar fillon te gjuha e vijon me historinë,  kulturën, duke u shtrirë në hapësirat shpirtërore të idealit, ndjenjës, vullnetit. Edhe pse, sidomos në këtë shtet të madh dhe në të gjithë botën, globalizimi po merr gjithnjë e më shumë përmasa të paparamenduara në të gjitha fushat e jetës; shpirti etnik, trashëgimia kombëtare mbetën vlera të pazëvendësueshme. Vlera jete, vlera identiteti, vlera krenarie, vlera çmimi e respekti. Po i referohem përsëri një interviste të tij. Kur një gazetar e pyeti nëse djemtë e tij e dinin shqipen, ai u përgjigj: "Sigurisht që ata nuk kanë patur një baba aq të mirë sa ç'e kisha unë..." 6). Në botimin e "Vatrës" që përmendëm më lart, Athanasi ka shkruar edhe këtë: "Unë isha tre vjeç kur ardha në këtë vënt. Im atë e kishte bërë zakon, në raste të veçanta, t'u lëçitte miqve të tij vargjet e kësaj historie epike (është fjala per "Historinë e Skendërbeut" të Naimit) dhe unë isha një nga ndëgjuesat e tij më të vegjël. Disa nga ato vargje më kanë mbetur të paharrueshëm në shpirt dhe më kanë inspiruar respekt të veçantë për Skendërbejnë si njeri dhe si hero." 7). Çfarë mësimi i vlertë përmes pësimit!

Edhe politika ky koc i fortë që më së shumti na mbetet në fyt ne shqiptarëve gjet shprehjen e vet në jetën e tij. Ashtu siç e kuptonte ai. Priti e përcolli në "Anthony's Pier 4" dhe, më thotë mendja, edhe në zemrën e tij, autoritete shqiptare të ngjyrave politike më të kundërta. Prej së bardhës te e zeza. Ndoshta edhe djallin po të qe shqiptar do ta përqafonte si engjull. Mall i gjatë e i thekshëm mërgimtari! Është kjo hise shpirti, siç duket, që bëri që në ndërgjegjen e tij politike të mos kishte barriera.

Gëzohemi që qe shqiptar. Jo aq për sa ndihmoi materialisht "Vatrën", Kishën a edhe bashkësinë këtu dhe atdheun atje, por më së tepërmi për trashëgiminë shpirtërore që na la një kapital mbi çdo pasuri për breznitë e sotme e të ardhme; por edhe për emrin e mirë që na la. Njerëzit e shquar janë ata që e paraqesin një komb para botës, bile që e identifikojnë atë. Një nga këto qe dhe do të jetë edhe Antoni Athanas. "Unë jam Antoni Athanas shqiptar nga Shqipëria!" u paraqitej ai personaliteteve më të larta amerikane. Kështu ka për të mbetur i skalitur gjithnjë emri i këtij personaliteti gjurmëlënës.

Po të ishte gjallë Lasgushi, do të vjershëronte: "Fluturoi dhe shtërgu i fundit". Sepse ndoshta është i fundit nga bashkatdhetarët tonë që patën njohur për së afërmi dhe patën punuar me demiurgët e kombëtarësisë këtu: Konicën, Nolin, Çekrezin, Panaritin, etj. Le të shpresojmë dhe të punojmë që të mos jetë "i fundit" që eci në gjurmët e tyre, dhe të mos ketë kurrë  "të fundit", sepse Shqipëria ka e do të ketë nevojë gjithnjë për bijtë e saj shtegtarë!(Dielli-Arkiv)

           Referenca

    Vehbi Bajrami, "Shqiptarët e Amerikës", N. Y., 2003, f. 332
    Dalip Greca, "Lamtumirë Anthony Athanas...", "Illyria", 27-30 maj 2005, f. 18.
    Federata  Panshqiptare Vatra, "Skendërbeu 1468-1968", përgatitur nga Edward Licho, Boston, Massachussets, 1968, f. 13
    Hobhause, J. C. "A Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810", London 1813, p. 70-71 and 72.
    "Kanunore dhe Rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA". Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur në Dhjetor 1954, Shtator 1995, f. 1
    Dalip Greca, "Shuhet Anthony Athanas, i fundmi i vatranëve të kohës së Nolit", "Illyria", 24-26 maj 2005, f. 19.
    "Kanunore dhe rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA", botim i cituar, f. 1.
-
* Poeti dhe studiuesi i Anton Cefa ishte Editor i Diellit nga viti 1994 deri ne vitin 2009. Me 29 prill 2013 ai u nderua me "Cmimin e Merites" nga Federata Vatra.

(Dielli)


ANTON ÇEFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LËVIZJA SKV THËRRET PËR PROTESTËN GJITHËPOPULLORE MË 29 MAJ (05.25.2013)
MINAT SERBENga REXHEP SHAHU (05.25.2013)
MAQEDONI - DËMTOHET SHTËPIA E ALFABETIT NË MANASTIRDrejtori i Shtëpisë-Muze, Gazmend Hoxha thotë se dokumentet e ekspozuara kanë qenë kopje; Nuk dihen ende autorët e këtij akti vandal (05.24.2013)
AMBASADORI ALEKSANDËR ARVIZU TEK 'OPINION' - I THASHË ZYRTARIT TË LARTË TË QEVERISË JU NUK KENI LUKSIN TË ZGJIDHNI AMBASADORIN AMERIKAN - KY ËSHTË PRIVILEGJ I PRESIDENTIT TË SHBA (Thekse nga intervista në TV KLAN) (05.24.2013)
'SI TË SHKRUAJMË SHQIP' - NJË LIBËR I DOMOSDOSHËM PËR SHKOLLAT SHQIPTARE(Me autor, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as.)Nga Dr. ANILA KANANAJ, në Qendrën e Studimeve Albanologjik-Tiranë (05.24.2013)
Zëri i Amerikës - INTERVISTË ME GAZETARIN LEON MENKSHI (05.24.2013)
MJEDIS I NDOTUR MORALISHTFjalimi i mbajtur më 1 janar 1990, rastin e zgjedhjes President i Çekosllovakisë!Nga VACLAV HAVEL (05.23.2013)
GAZETARI PËRTACE DHE GAZETARI E INSTRUMENTALIZUARNga GANI MEHMETAJ (05.23.2013)
PËRKUJTOHET 40 VJETORI I REVOLTËS ANTIKOMUNISTE TË SPAÇIT (05.22.2013)
Forbes - ANGELA MERKEL ËSHTË GRUAJA MË ME NDIKIM NË BOTË (05.22.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]