Botimi i trashëgimisë kulturore ka vlerë të veçantë për historinë e kulturës
dhe të arsimit tonë kombëtar. Këto vepra që lidhen me një të kaluare të largët,
pak ose aspak të njohur, paraqesin interes për atë fushë dijeje që i përkasin.
Vite më parë prof.dr. Shefik Osmani na bëri të njohur përmes një artikulli të
botuar, më 31 mars 1982 në gazetën "Mësuesi", me titull
"Abetarja e Zymit", se në Arkivin e Shtetit ruhet një abetare e
vjetër e shaptilografuar. Autori jep për herë të parë të dhëna për këtë abetare,
e cila kishte 80 faqe të përmasave të zakonshme, pa autorësi, por vetëm me
shënimin me dorë, Zym, 20 maj 1900. Gjithashtu ndalet në përshkrimin dhe vlerat
e kësaj vepre.
Kjo abetare, me kalimin e viteve, tërhoqi vëmendjen edhe të studiuesve të tjerë
dhe të mësuesve, duke botuar shkrime ose duke referuar në konferenca shkencore
si në Zagreb (2008), Prishtinë (2010), Zym (2010) etj. Kjo vepër zgjoi edhe
interesin e Famullisë së të Ngriturit të Shën Mërisë në Qiell Zym- Has, e cila
pak ditë më parë, bëri një botim luksi anastatik të kësaj vepre me titull
"Abetarja e Zymit" (20 maj 1900), Zym - Has, 2013, libër që
fatmirësisht ma dhuroi d.N.Ukgjini.
Fundi i shekullit XIX dhe shekulli XX do të karakterizohen nga përpjekjet e
patriotëve shqiptarë për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në rrethanat e sundimit
osman kjo abetare ka vlerë, si një ndër abetaret e para të shqipes në Kosovë.
Në këtë periudhë ishte e domosdoshme hartimi i ndonjë teksti mësimor, e në
radhë të parë i abetareve, kur popujt e tjerë të Ballkanit këtë problem e
kishin zgjidhur kohë më parë, si grekët, rumunët, bullgarët dhe serbët. E çeli
këtë udhë për shqipen Naum Veqilharxhi, duke botuar, më 1844 dhe 1845 Ëvetarin,
që luajti një rol të rëndësishëm për mësimin e gjuhës shqipe dhe u vazhdua me
abetare të tjera të hartuara nga Konstandin Kristoforidhi, Daut Boriçi,
Shoqërisë e Stambollit ( 1879) etj., si dhe u botuan disa gramatika për gjuhën
dhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu, më 1879 ishte miratuar alfabeti i Stambollit,
ai i shoqërisë Bashkimi", më 1899 dhe në Veri vazhdonte të përdorej
alfabeti i autorëve të vjetër. Në këto rrethana kulturore u botua edhe abetarja
e Zymit.
Ky ribotim i kësaj vepre hapet me një shkrim të Don Ndue Ballabanit
"Abetarja, mrekullia e shtatë e Zymit", ku shënohen shtatë mrekullitë
kulturore të kësaj zone, duke përmendur autorët më me emër që kanë dalë ose
kanë shërbyer në Zym.
Abetarja e Zymit prej 80 faqesh, fillon me shkronjën i dhe u të vogël, por në
krye të faqes me alfabetin që është zbatuar në vepër është shënuar me dorë,
Zym, 20 Mâj 1900, Prizren. Kjo faqe dhe disa faqe të tjera kanë edhe vulën e
Bibliotekës Kombëtare, Tiranë.
Nga faqja 22, që autori e konsideron si pjesë të dytë, ka përsëritur edhe
njëherë alfabetin, por tashme duke paraqitur, përveç shkronjave të dorës të
vogla dhe të mëdha, edhe shkronjat e shtypit. Në vazhdim jepen fjali të
ndryshme me vlerë njohëse ose edukative. Në faqen 75 shënon përdorimin e
apostrofit për shkronjat N, M, C, S, Sc, ndërsa në f. 78 ka dhënë numrat nga
1-10 edhe me fjalë. Në vazhdim në f.79-80 është paraqitur pasqyra e alfabetit e
përdorur në abetare, praktikë për çdo botim kur nuk ishte i miratuar alfabeti i
përbashkët i shqipes. Duke qenë se ky ishte një abetar, ishte e detyruar të
ndiqej tradita e botimeve të kësaj natyre, pasi qëllimi ishte të mësonte
shkrim-leximin e shkronjave të gjuhës sonë. Në faqen 81, shkruar me shkrim dore
dhe me alfabetin e sotëm ka këtë shënim: Alfabeti i litografuem i Jak Specit ia
fali Lumos prof. Luigj Shala që e gjet në Prizrend me 20 maj 1900. Një faqe me
pas ka përsëri një shënim tjetër: M'a fali Z.Luvixh Shala (alias Bogdani)
profesor i didaktikës në Institutin Femnor. E ka përdorur vetë në Prizren.
Alfabeti i vjetrë i thanë ay i Jak Specit. 5.Janvier 1935.
Në fund botuesi ka përfshirë një shkrim të Frrok Kristaj "Abetarja e Zymit
dhe abeceja shqipe", si dhe jepet një listë bibliografike prej 20 titujsh.
Abetarja ka një strukturë të tillë: Përveç shkronjave, siç e theksuam më sipër,
jepen fjalë të ndara në rrokje, ushtrime duke përdorur fjalë të plota, në disa
raste edhe fjali me ose pa lidhje kuptimore njëra me tjetrën, por më shumë me
vlerë edukative ose fjalë të urta, si: Djali i mir e nderon prinden; kush do
shum, jet pa kurgja; zoti vonon, por nuk harron; mos rri kot, por puno; bora
asht e bardh; shkollari mson fmit; Zefi asht nji fmi i paster.Kmishen edhe
petkat e tjera i ma dlir. Ftyren e lan per dit. Gjith shtati i ban drit prej
paqllekut..., T'mendoj shum-pak t'flas; T'baj mir, t'bahem i urt; Uku e ndrron
qymen por vesin jo; Fol pak e mir; I lumi aj qi punon. Autori i abetares në shumë pak raste jep edhe shembuj
fjalish të përbëra: Perpara se me e fillue nji pun a mir me menduem pak. Siç e
kanë vërejtur edhe ata studiues që kanë shkruar për këtë abetar, disa nga këta
shembuj kanë jo vetëm karakter njohës, praktik dhe edukativ,por edhe patriotik,
si: Niri e do vendin ku ka le; Un jam shqyptar e flas shqyp. Shqypnija asht e
dashtuna, atdheja e jon. Në këtë botim janë paraqitur edhe pak tekste të
shkurtra që ilustrojnë shkronjën e dhënë.
Në abetaren e Zymit ndeshim edhe disa emra gjeografikë, si Afrikë, Evropë,
Shkup dhe Prizren e Zym, por edhe Shkoder, Bun dhe Drin. Autori nuk është
shtrirë më tej në gjeografinë e vendit përmes shembujve që ka dhënë, ku qëllimi
nuk ka qenë të evidentojë emra gjeografikë, por ka shënuar ato emra që mendojmë
se nxënësit i kanë njohur. Ky mund të jetë edhe një argument se autori i saj
mund të jetë nga ato zona.
Dukuritë gjuhësore
Po ndalemi në disa dukuri gjuhësore të abetares, me karakter fonetik.
Rreth sistemit shkrimor. Ndonëse po ta marrim të mirëqenë botimin e kësaj
abetareje në vitin 1900, atëherë dihet se në atë kohë qarkullonte alfabeti i
Stambollit, i cili nga fundi i shekullit XIX kishte filluar tatëpjeta e tij dhe
nuk arriti të bëhej alfabeti kombëtar i shqipes. Ai u përdor vetëm në
Shqipërinë e Jugut dhe nuk pati shtrirje në Veri, ku filloi të përhapej
alfabeti i shoqërisë "Bashkimi", i krijuar në vitin 1899, si dhe
vazhdonte të përdorej alfabeti i autorëve të vjetër, kryesisht në veri, pa
përjashtuar edhe alfabete të tjera të përdorura në atë kohë e të zbatuara në
revista dhe gazeta, si ai i "Albanisë"(1897-1909) i Faik Konicës, i
së përkohshmes "Shqipëria" (1897-1899) që dilte në Bukuresht etj. Në
këtë pështjellim të shkrimit të shqipes, shumë nga ata që kanë shkruar për këtë
abetar, nuk kanë arritur të përcaktojnë përfundimisht se kujt i përket ai
sistem shkrimor. Mendoj se alfabeti i abetares së Zymit të çon në gjurmët e
alfabetit të Pjetër Bogdanit. Një dukuri e tillë besoj se lidhet jo thjesht në
ngjashmërinë e shkronjave, që është një fakt real, por edhe nga vendlindja e
Pjetër Bogdanit që ishte nga Hasi i Prizrenit dhe nga qëndrimi i tij në
Prishtinë për 15 vjet ku këtu gjeti edhe vdekjen. Gjithashtu alfabeti i
Bogdanit pati jehonë tek pasardhësit që e zbatuan me ndryshime të
parëndësishme, si "Kuvendi i Arbënit"(1706), Gramatika e Da Leçes
(1716), Doktrina kristiane (1743) e Gj.N.Kazazit dhe në fillim të krijimtarisë
në përkthimet dhe në ndonjë krijim origjinal edhe te Ndre Mjeda. Dhe nuk ka
sesi që, kushdo që të jetë autori kësaj abetareje, të mos jetë ndikuar nga
sistemi shkrimor i P. Bogdanit, duke përmendur edhe ata zymjanë, si Sh.Gjeçovi
etj, që ishin rritur me veprën e tij.
Abetarja e Zymit ka 32 shkronja, si dhe dyfishon bashkëtingëlloren n për nd (32
+ 1),siç e kanë përgjithësisht autorët gegë të shek.XIX dhe së fundi alfabeti i
shoqërisë "Bashkimi", por, që në sistemin alfabetik të shqipes nuk
përfshihet.
Po ç'risi kemi në sistemim shkrimor të abetares së Zymit me atë të autorëve të
vjetër. Nëse alfabeti i Buzukut kishte pesë shkronja të veçanta, pasardhësit i
reduktuan në tri. Sistemi fonologjik i shqipes erdhi gjithnjë duke u plotësuar
dhe u pakësuan variantet e shkronjave, si dhe u dallua grafikisht zanorja ë,
fillimisht nga L.Matrënga dhe më pas nga Pjetër Bogdani që përdori një e me
theks (è).
Autorët
e vjetër u mbështetën në alfabetin latin-italian, dukuri që e ndeshim edhe te
abetarja e Zymit. Bogdani përdori tri shkronja të veçanta për dh-th, y dhe z,
si dhe dyshkronja greke për ll dhe k. Edhe në abetaren e Zymit kemi tri
shkronja të posaçme për dh (th), (Kjo shkronjë tek të gjithë autorët e vjetër
është e stilizuar, e tillë paraqitet edhe në këtë abetar), y (Te abetarja e
Zymit është një 8 e mbyllur, por kur është e dorës ka edhe një vijë në kokë dhe
një poshtë për t'u lidhur me shkronjat e tjera), z, si dhe një shkronjë greke
për ll. Nuk dallohet grafikisht zanoren ë, e cila ose nuk pasqyrohet ose
shënohet me e, si dhe me një grafemë paraqet dy tinguj-fonema, si c për ç dhe
q, g për gj dhe xh, z për c dhe x. Ka tre dyshkronjësha: gh për g, gn për nj,
si dhe dyfishon grafemën e posaçme dh për th.Ne në abetar ndeshim në një fjalë
të vetme edhe oe: voe (f.34) dhe përsëri në një fjalë grafemën nj si në
alfabetin e sotëm njeri (f.68).
THEKSI
Nuk e dimë shkallën e kulturës së autorit, por vihen re përpjekje, megjithatë
shumë modeste, për të qenë sa me koherent në të shkruar, me sa më pak luhatje,
ndonëse ata kanë qenë të paevitueshme.
Fjalët e theksuara në fund të fjalës nuk paraqiten me theksin e mprehtë, por me
një vijë sipër, ashtu kur duam të shënojmë një zanore të gjatë, si: Liri,
besni, gegni, i ri, gji, u, por edhe për të shënuar një zanore të gjatë: pik,
pul, detar, niri, shpis etj.
Theksi hundor. Në abetare është përdorur mjaft dendur theksi hundor, gjithnjë
para bashkëtingëlloreve hundore, si: lîni, lîqêni, qêni, çûni, dâm, âsht,
grûni, plûm, hûnda, s?. Siç shihet, të gjitha zanoret, me përjashtim të ë-së
paraqiten edhe të hundorizuara.
Togjet zanore. Përgjithësisht paraqiten të reduktuara, duke pasqyruar shqipen e
shkruar të asaj periudhe në Veri dhe në Kosovë: dilli, milli, gruja dur, dul,
muj, lujt, shkruj, fajtur, ftu, por levdue, lexue, nimue, mue, mendue, gabue,
fillue etj. Siç shihet, vërehet se togu ue ka filluar të ketë shtrirje edhe në
Veri.
Grupi bashkëtingëllor mb gjithnjë paraqitet i asimiluar: kama, plumi, mreti,
themra, shkami, kulla, dhima, mramja. Ndërsa grupi nd, siç e theksuam,
dyfishohet në abetar, si : mennue, lûnner, sundon, senn, mennim katunn, por
edhe katun.
Sonorizimi. Është një dukuri tipike, ku në trajta të ndryshme, fjala shkruhet
me bashkëtingëllore të zëshme, si: zog, elb, rrogtar, zheg, i madh, idhnim,
blegron, larg, por baktija, hith etj.
Zanorja ë. Nuk i dallon fonemën ë nga e-ja. Veçanërisht kur është fundore ajo
nuk pasqyrohet fare në shkrim, si në emrat e gjinisë femërore, por edhe
mashkullore, si dhe në ndonjë pjesë tjetër të ligjeratës: pem, pul, buk, furr,
kunor, djal, djath, djall, vjam, i urt, gjithmon, pes, etj. Nuk pasqyrohet ë-ja
edhe në rasën emërore të shumësit të shquar: shokt, kamt, gjindt, dejt, lopt,
gurt, dhambt, pemt . Është përdorur e-ja për ë në të gjitha rasat e emrave të
gjinisë femërore, trajta e shquar, si: i botes, veres, babes, dimen etj.
Apostrofi. Te abetarja e Zymit apostrofi përdoret kryesisht për të shënuar
rënien e zanores ë.
Kështu parafjala në përdoret me apostrof si përpara emrave që fillojnë me
zanore ashtu edhe përpara atyre që fillojnë me bashkëtingëllore, si: n'udh, n'
shkoll, n'dimen etj.
Trajta e shkurtër e përemrit vetor më apostrofohet, si: m'puthi, m'lagu,m'ka
fal etj.
Formanti të i lidhores, si dhe "nyja" para mbiemrave, qofshin edhe të
emërzuar apostrofohet: t'lahem, t'rri, t'bahem, n'katund t'vjetër, pajtori i
t'rive
C'(=ç) apostrofohet kur është përemër pyetës, por edhe si pjesëz: Ç'dit asht?
Ç'mot i keq!, ç'pem e shishme!, ç'zog i bukur! etj.
S -ja apostrofohet kur përdoret si pjesëz mohimi: s'rrej, s'flas. s'rri.
Sc(=sh) apostrofohet vetëm kur përdoret në fjalën shën, si: Sh'Pjetri, Sh'
Luigji etj.
Leksiku. Në abetar ndeshim edhe disa turqizma, si : heqim, bidat, qylah, kazan,
nasihat, kasap, kaçak, nasihat, dynja, kandar etj.
Shtesa. Vërehet dukuria e shteses në fillim të foljeve ose të mbiemrave që
fillojnë me zanore të cilave u shtohet një h: t'hikim, heci, e heger, hagrepi
etj.
Rënie. Kjo dukuri vihet re në emrat që dalin me fundoret -ur dhe në foljet e
formuara prej tyre, si: Flutra flutron, lepri etj, ndërsa kur dalin me -ull
u-ja nuk bie: tjegulla, sjetulla, vetulla etj.
Nën ndikimin e ligjërimit të folur nuk përdoret ë-ja paratheksore në rrokjen e
parë: lkur, lmosha, msim, fmi, kmishen, ftyra etj.
Përdor termin zanore dhe perzantore për bashkëtingëllore.
***
Nga sa parashtruam më lart, vihet re se edhe në këtë botim ka filluar të
ndjehet prirja e disa dukurive fonetike, që më vonë do të përgjithësohen. Do të
jetë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1919) që këto evoluime të gjuhës
do t'i diskutojë dhe do t'i përfshijë në Rregullat mbi ortografinë e gjuhës
shqipe të shkrueme (1917).
Ndonëse abetarja e Zymit është një libërth i vogël, ruan edhe sot vlerat e tij
për historinë e abetareve, pasi në atë kohë, kur gjuha shqipe përdorej vetëm në
ndonjë shkollë të vendit tonë, ajo duhet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm
për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkrimit të saj, në një fshat, siç ishte
Zymi i krahinës së Hasit dhe më tej.