E Shtunë, 04.27.2024, 09:45am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
NE DHE SERBIA!
Nga ARIAN GALDINI

E Martë, 10.28.2014, 12:43pm (GMT+1)


Ra kjo ndeshje dhe u pamë. Brenda këtyre pak ditëve qysh prej 14 tetorit, u konsumua aq shumë histori ballkanike, sa vështirë se mund ta përtypim me fjalime patetike, e madje as edhe me raki a shlivovica. Më kujtohet se në vitin 1999, kur NATO nisi sulmin ajror mbi Serbi për mbrojtjen e Popullatës në Kosovë që po deportohej e masakrohej nga Regjimi i Millosheviçit, unë kam qenë në Zagreb. Batuta që mbizotëronte asokohe nëpër ambientet e Konferencës ku merrja pjesë ishte: Serbët nuk thonë më "˜mirëdita' "˜doberdan', por thonë "˜bomberdan', për shkak të bombardimeve. Duket se që nga mbrëmja e ndeshjes Serbi-Shqipëri, përshëndetja mbizotëruese do të jetë: "˜dronidan'.

Shumë ujë rrodhi para, gjatë e pas asaj ndeshjeje, që e tejkaloi thellësisht sportivitetin dhe festivitetin e shëndetshëm që duhej të kishte normalisht. Ajo çka u zbulua e doli cullak në sytë e të gjithë botës, ishte pikërisht Serbia e vërtetë dhe Ballkani sikundër është. Për herë të parë si kurrë tjetër, për këtë ndeshje futbolli pati deklarata e kundërdeklarata nga BE, SHBA, UEFA, Platini, Blatter, e më së shumti sigurisht nga politikanët e dy vendeve ndërkallëse, Nikoliç, Nishani, Vuçiç, Rama, Daçiç, Bushati, Tadiç, Basha etj... Edhe rrjetet sociale e mediat u zaptuan nga "˜ndeshja'. Sigurisht, çështja themelore që u vu në "˜kamaren e turpit' me kokë të paprerë, ishte vijimësia e projektit për vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd.

Debati u bë i nxehtë dhe përfshiu gjithçka e pothuajse çdokënd. Unë jam pro vajtjes së Edi Ramës në Beograd, ama me domosdoshmërinë që ai të shkojë jo vetëm si i mandatuar nga 1 milion vota, por edhe si përfaqësues i të gjithëve. Momenti dhe vizita në Beograd kanë rëndësi të spikatur për shkak të historisë dhe interesave që ngërthehen, por edhe për shkak të vullneteve ndërkombëtare të përfshira. E udhës dhe e urtë do të ishte që Edi Rama të takohet për një këshillim dhe shkëmbim idesh me Presidentin e Republikës, liderin e opozitës, dhe me ish-shtetarët dhe akademikët e vendit. Situata është serioze. Vizita e Edi Ramës në Beograd nuk është e nuk mund të jetë as mandat 1 milion votash dhe as mision a bast personal. Nëse Edi Rama ka vendosur të shkojë si "˜i mandatuar' apo "˜i vetanakësuar', mund të shkaktojë dëme të pariparueshme. Duhet të jetë përfaqësues dhe përfshirës.

Edi Rama ka edhe detyrimin që para vizitës në Beograd të bëjë transparente për shqiptarët, axhendën dhe temat e diskutimeve. Unë e kuptoj që Edi Rama ka mbi 1 vit si kryeministër që na tregon sesa i pakënaqur është me presidentin, opozitën, drejtësinë, administratën etj., etj. Sidoqoftë, aktet e Kryeministrit të Shqipërisë nuk mund të kenë si shkak parësor kënaqësinë e Edi Ramës për të bërë të kënaqur cilindo lider ndërkombëtar, pa krijuar më parë kënaqësinë e përbashkët ndër shqiptarët, duke bërë në bashkëveprim e gjithëpërfshirje, të kënaqur shqiptarët, kushdo qofshin ata. Gjithçka që ka ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes, ka zhveshur shumë problematika që ishin fshehur me harresë, strategji apo ngut nga koha, interesat dhe zhvillimet. Tashmë që e vërteta u zhvesh, çdo ecje lakuriqe pa e pranuar të vërtetën e pa vepruar me qëllim-mbarësi për korrektim e ecje përpara nëpërmjet të vërtetës, nuk ndërton dot paqe.

Edi Rama mban përgjegjësi madhore nëse këtë vizitë e bën vetanake. E që ta kthjelloj edhe më thellë: Unë nuk kam qenë dhe nuk jam aspak mbështetës i "˜historicizimit' që i është mveshur nga propaganda, vizitës së Edi Ramës në Beograd. 68 vite pa Enver Hoxhën, nuk e bëjnë aspak historike vizitën. Vizita në Beograd është domosdoshmëri e një normaliteti të ri në kushtet e reja politike dhe gjeostrategjike në të cilat jemi. 68 vite më parë, Enver Hoxha ishte në Jugosllavi dhe Beogradi ishte  kryeqyteti i Jugosllavisë. Serbia ka shumë pak vite që është Serbi e po aq pak që është në rrugën e ndërtimit të demokracisë pasmillosheviçiane. Sidoqoftë bën përshtypje që të gjithë flasin për protokollin por jo për axhendën e bisedimeve. Dhe vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në kryeqytetin e Serbisë pa axhendë, e mban Beogradin në të njëjtat pozita. Ky Beograd i palëvizshëm, nuk është as shteg e as shpresë evropiane a perëndimore, as për veten e tij, as për ne, as për Ramën e as për rajonin, madje as për vetë ndërkombëtarët që po e kërkojnë kaq shumë këtë foto dhe kafe kryeministrash në Beograd.

Beogradi duhet të lëvizë... Lëvizja bëhet me axhenda konkrete e të mirëmenduara... Ndaj pyetja ime kryesore për kryeministrin tonë është: Cila është axhenda e bisedimeve gjatë vizitës në Beograd, z. Rama? Vajtja në Beograd pa axhendë, është turizëm gjeopolitik, por jo vepër gjeostrategjike... Me gjithçka ka ndodhur në këto ditë, me deklarata e kundërdeklarata, me thënie e kundërthënie, mes Ramës, Bushatit, Vuçiçit dhe Daçiçit, e sigurisht edhe Nikoliçit, çështja për të cilën duhet me shpejtësi të reflektojmë është "˜vizita e Edi Ramës në Tiranë'. Ky argumenti se vizita në Beograd do ta bëjë Edi Ramën dhe Shqipërinë që të duken perëndimorë, me dinjitet apo të fortë, është mjeran dhe qesharak. Nuk e bën as Edi Ramën e as Shqipërinë, evropiane dhe perëndimore, me dinjitet apo të fortë, gatishmëria për të dialoguar me Beogradin, kur Edi Rama nuk ka asnjë gatishmëri për t'i bërë "˜babysitter'-in opozitës së tij në Tiranë. Durimi i Edi Ramës me Beogradin, të mahnit, kur e shohim kaq të paduruar me SHQUP-in...

Që Edi Rama të shkojë në Beograd si politikan normal perëndimor apo edhe si burrë shteti nëse do, ai duhet të shkojë si një kryeministër që e bën dialogun jo për "˜marifet' e as si "˜mision' personal me vizion rajonal, por si vetëdijesim natyral. Vuçiç, Nikoliç dhe Daçiç janë bashkë. Edhe opozita e Koshtunicës dhe e Drashkoviçit është bashkë me ta. Madje edhe opozita e Boris Tadiçit është bashkë me ta, ndonëse ish-Presidenti i Serbisë, për të dëshmuar se është social-demokrat i vërtetë, moderator dhe europeist, e sidomos për të rikonfirmuar se nuk ka qenë rastësisht në Shkodër për të mbështetur marrëveshjen e 1 prillit PS-LSI, duket se ka bërë një përpjekje të kurajshme për t'i ndihmuar dy kryeministrat e twittndërkallur të Ballkanit, Edi Ramën dhe Vuçiçin. Ashtu si janë, por liderët e Serbisë janë bashkë. Edi Rama nuk bëhet bashkë as me Presidentin Nishani e as me opozitën e Lulzim Bashës, madje as me Ilir Metën, - bashkëkryetarin e koalicionitqeverisës. E misioni vetanak i një kryeministri është tejet aventuresk, i rrezikshëm, e me shumë gjasa i dëmshëm.

Nuk mund të përdoret gjeopolitika për "˜fuqizim' pushtetesh brenda vendit. Në Beograd duhet shkuar me axhendë dhe përfaqësim pikërisht sepse vetëm kështu tejkalohet e shkuara dhe ndërtohet e ardhmja europiane. Ballkani ka një histori të pafundme me konfliktualitet dhe mosmarrëveshje, sikurse edhe bashkëjetese. Dy vendet tona, pra Shqipëria dhe Serbia, mund të bëjnë gjithçka për të kuptuar rrënjët e konfliktit dhe frytet e bashkëjetesës. Konfliktualiteti ka prodhuar luftëra, urrejtje, viktima, por edhe moszhvillim të kësaj pjese të Europës Jug-Lindore. Frytet e bashkëjetesës kanë qenë arti, muzika, kultura ndërvepruese si edhe dashuritë e thjeshta njerëzore. Është e pamundur të kuptojmë një kombësi apo etni të caktuar në Ballkan që nuk ka përbrendësime, natyralizim dhe reflektime kulturave të ndikimeve nga të tjerat përreth. E është e lehtë të pranojmë se kur shkëmbejmë kulturë, shkëmbejmë ëndrra, dëshira dhe aspirata të përbashkëta. Çështja është se ne nuk kemi ditur si të shkëmbejmë ekonominë, politikën dhe as sesi të sillemi me territorin.

Këtu në këtë pjesë, historia nukka qenë njerëzore, por e ligjëruar institucionalisht nga shtete, regjime, sundimtarë apo udhëheqës, sipas kohës dhe rastit. Ka një dallim të qartë mes historisë së njerëzve të thjeshtë serbë dhe shqiptarë, historisë së kombeve tona dhe historisë së shteteve tona. Po të shkosh në takime a konferenca ndërkombëtare e të shohësh sesi sillen, këndojnë, flasin grupet që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia etj., e kupton menjëherë se këta kanë aq shumë të përbashkëta sa ndonjëherë mbetesh edhe i mahnitur. Ndikimet dhe ndërveprimet kulturale që ne kemi shkëmbyer si njerëz e si kombe në gjithë këta shekuj bashkëjetese, na kanë bërë të këndojmë ngjashëm, të bëjmë dasma ngjashëm, të sillemi  ngjashëm. Njerëz të thjeshtë, shqiptarë dhe serbë, janë dashuruar e kanë krijuar familje
së bashku, e jetojnë të lumtur. Aq shumë kemi ndërshkëmbyer kulturalisht, sa shpeshherë ngremë tym sherrnajash edhe për legjendat dhe këngët. Dhe kjo, e parë në këndvështrimin njerëzor është histori mirëfilli dashurie.

Thjesht ne nuk dimë të bëjmë ekonomi dhe politikë bashkë e kemi probleme me territoret tona. Paaftësia jonë për t'i menaxhuar ekonominë, politikën dhe territoret, na ka shtirë që edhe në historinë si kombe të prodhojmë luftë e viktima, derisa dashuria natyrale njerëzore është tjetërsuar dhe ka marrë trajtën e së kundërtës dhe ka ushqyer shumë urrejtje. Në historinë tonë si kombe, kemi ngritur barriera të mëdha urrejtjeje, të cilat nuk na e bëjnë të lehtë rrugën e paqes dhe stabilizimit. Por ndaj edhe janë shtetet. Shtetet janë të ftohta, pa emocione. Shtetet mund të tejkalojnë urrejtjet dhe dashuritë mes kombeve dhe njerëzve e të ndërtojnë urat e një paqeje jashtë emocioneve, dhe të qëndrueshme për të mirën e të gjithëve. Shtetet dhe qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë mund të bëjnë jashtëzakonisht shumë për të ngritur një projekt dhe vizion të përbashkët me rregulla të mirëpërcaktuara loje për të mësuar dhe ushtruar me efiçencë mundësitë e bashkëveprimit kulturor të cilin e kanë të thjeshtë, por sidomos të bashkëveprimit ekonomik dhe politik. Çështjen e territoreve tashmë e kanë zgjidhur organizatat, konventat dhe ligjet e aktet ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë arsye që shtetet e Shqipërisë dhe Serbisë, të hapin ndonjë spirale bisedash për territoret. Sidomos shteti i Shqipërisë nuk mundet kurrsesi, sepse nuk është i vetmi shtet që e përfaqëson vullnetin dhe historinë e kombit shqiptar. Edhe shteti i ri i Kosovës nuk ka asnjë arsye të bisedojë për territore me shtetin e Serbisë. Pra në tryezë ka shumë punë për të bërë nga të dyja palët, që të gjenden rrugët dhe shtigjet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ekonomik dhe politik. Në historinë e Europës e madje në fillesat e asaj që ne e quajmë BE sot, tek historia e Francës dhe Gjermanisë gjejmë shembullin më frymëzues. Ekonomia dhe politika funksionojnë. Ekonomia dhe politika i kanë të gjitha instrumentet dhe përmbajtjen për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe një bashkëjetesë të mbarë mes kombeve tona. Konfliktualiteti i lartë dhe ligjërimet shpeshherë me tonalitet të lartë nacionalist, e kanë bërë rrugën e vendeve tona drejt BE-së, pothuajse paradoksale, e jo vetëm të vështirë. Në këtë pikë historike ku jemi, nuk ka më kthim mbrapa.

Ose do të ecim me shpejtësi drejt Europës, ose do të zhytemi në terrin e kaosit gjeostrategjik që nuk na garanton domosdoshmërisht një destinacion të mirë. Gjasat janë, që ne pa Europën, të mbetemi krejt të pambrojtur e ndoshta edhe të pavlefshëm. Patjetër që ne duhet ta fitojmë Europën. Patjetër që ne duhet ta përshpejtojmë ritmin e udhëtimit tonë drejt Europës. Por këtu nuk është se na ndihmon dot shumë BE, nëse ne nuk bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme dhe stabilizimi i marrëdhënieve mes bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm ekonomik dhe politik mes vendeve tona, do të ishte rruga më e sigurt, më e shkurtër, më e mbarë që na çon drejt BE-së. Nuk ka rrugë tjetër. Franca dhe Gjermania e nisën udhëtimin e tyre të Paqes pas L2B, pikërisht duke vendosur bashkëpunimin ekonomik dhe politik si gur themeli të krijimit të paqes së qëndrueshme që më tutje solli vetë BE-në.

Nuk ka shteg tjetër drejt BE-së, përveçse asaj udhe që na vjen si shembull nga Franca dhe Gjermania. Sa më parë ta kuptojnë liderët dhe popujt e vendeve tona këtë të vërtetë, aq më mirë do të jetë për vendet dhe kombet tona. Sa më parë t'ia nisin punës liderët dhe qeveritë tona, për realizimin e këtij vizioni, aq më mirë do të jetë për vendet dhe kombet tona. Europa është në natyrën e saj kantiane. Paqja është përmbajtja e Europës dhe gjuha e Europës. Po mësuam edhe ne paqen dhe gjuhën kantiane, do të bëhemi Europë shumë shpejt.

ARIAN GALDINI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MIRANDA VICKERS - FUNDI I KOMUNISTIT TË FUNDIT (Intervistë) (10.28.2014)
FOTO E DITËS - BËN SHQIPONJËN EDHE MIKE TYSON! (10.28.2014)
FOTO E RRALLË E HASAN PRISHTINËS ME BASHKËSHORTEN (10.27.2014)
TAULANT XHAKA, LORIK CANA, BEKIM BALAJ E ANDI LILA SHPALLEN 'KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR' (10.27.2014)
19 TIFOZË TURQ TË ARRESTUAR PËRPARA LOJËS NË BEOGRAD (10.27.2014)
BLICK-u ZVICERAN PYET -  “IVANI I TMERRSHËM” ËSHTË KTHYER! SI HYRI KY HULIGAN NË STADIUM ? A I KA ARRESTUAR POLICIA HULIGANËT? (10.27.2014)
PO VETË SERBËT ÇFARË THONË PËR... SERBËT (Tri intervista nga Beogradi)Nga BEN ANDONI, Java (10.26.2014)
NËNA E ANDI LILËS - TMERRI NË STADIUMIN E BEOGRADIT (Intervistë) (10.26.2014)
KUR AKTET TERRORISTE SERBE SHPËRBLEHEN NGA MISHEL PLATINIVështrim nga SKËNDER MULLIQI (10.26.2014)
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian (10.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]