Liria
e shtypit në Kosovë sot kujtohet me një ceremoni të thjeshtë nga
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilën e kanë zgjedhur ta quajnë,
"Fol mos u tutë". Por, ky asociacion ka harruar se në Kosovë janë vrarë
disa gazetarë, ndërsa familjet e tyre kurrë nuk janë kujtuar po nga ky
Asociacion.
Kjo shoqatë dhe të tjera të gazetarëve nuk kanë bërë
gjënë e duhur për të krijuar klimë apo presion për të arritur deri tek
zbardhja e vrasjeve. Ndërkohë, që presioni dhe kërcënimet ndaj mediave
duket se janë rritur edhe më.
Edhe Qeveria sot e ka kujtuar lirinë e
shtypit, por pa premtimin për zbardhjen e vrasjeve për gazetarët,
përkatësisht pa inkurajimin e drejtësisë që të arrijë tek e vërteta dhe
gjykimi i fajtorëve.
I pari gazetar i vrarë në Kosovë ishte Enver
Maloku në vitin 1999, gjatë luftës, në kohën që sikur po bënte mrekulli
nëpërmjet botimit të "Informatorit", të cilin po e botonte edhe pasdite,
përveç se ishte me informacione të shumta dhe ishte si buletin,
përcillte zhvillimet duke i komentuar dhe ndikuar në krijimin e
opinionit publik shqiptar. Duke qenë i afërt dhe bashkëpunëtor i
presidentit Rugova, ai do të qëllohej për vdekje me 11 janar 1999 teksa
po kthehej në banesën e tij, për t'ua dërguar ushqimin familjes, dhe që
sërish të kthehej në punë në zyrat e Qendrës për Informim të Kosovës,
shef i së cilës ishte.
Enver Maloku u lind në fshatin
Bradash të komunës së Podujevës më 1954. Shkollën fillore e kreu në
Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi
shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë
ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit
1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës.
Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës,
para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet
nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë. Fillimisht ka punuar si
gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për
Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e
agjencisë kombëtare të lajmeve.
Në shenjë nderimi për veprimtarinë e
tij më 12 korrik 2005 në Prishtinë i është ngritur një përmendore,
ndërsa edhe një rrugë në ndërtim, që lidh Bregun e Diellit dhe Matin 1
mban emrin e tij.
Enver Maloku ishte bashkëpunëtor i presidentit
Rugova, dhe puna e jashtëzakonshme në informim është motivi kryesor që
çoi në kryerjen e atentatit ndaj tij, për ta thyer fuqinë politike dhe
informative të Presidentit Rugova.
Ende pa kaluar dy vjet, në një
situatë të ndjeshme politike, kur LDK-ja e udhëhequr nga presidenti
Rugova po shënonte fitore të jashtëzakonshme në zgjedhje, vritet njëri
prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij.
Shefki Popova,
është kolegu ynë i vrarë me 10 shtator të vitit 2000, në Vushtrri,
ndërsa ishte gazetar i "Rilindjes". Ai kishte punuar për rreth 26 vjet
në këtë gazetë, duke u shquar për korrektësi profesionale dhe
virtuozitet. Ai u vra në moshën 50 vjeçare, sapo në Prishtinë ishte
mbajtur atyre ditëve një manifestim kundër dhunës. Besohet se ai kishte
informacione të rëndësishme, dhe se ishte eliminuar pikërisht që ato të
mos bëheshin publike.
Xhemajl Mustafa u vra me 23 nëntor të
vitit 2000, derisa po kthehej, po ashtu si miku i tij i dikurshëm Enver
Maloku, me të cilin kishte punuan në Qendrën për Informim të Kosovës,
nga puna në shtëpi, vetëm pak metra para se të arrinte në banesë në
lagjen "Santea", ku e kishte mbijetuar luftën, madje duke i kushtuar
edhe një libër, "Lutje për Prishtinën". Mustafa u vra pas fitores së
thellë të LDK-së në zgjedhjet e para lokale të pas luftës të mbajtura në
tetor. Mustafa konsiderohej dora e djathtë e presidentit Rugova.
Mustafa në atë kohë ishte bashkëpunëtor edhe i gazetës "Bota sot".
Vrasja
e Mustafës ishte tronditëse për shoqërinë tonë, pasi ai njihej për
dashamirësinë e thellë njerëzore, humanizmin e thellë, maturinë politike
e intelektuale, dhe po ashtu mbetet një prej ikonave të gazetarisë
shqiptare, një prej vrasjeve më të përfolura se mund të zbardhet, madje
edhe nga vet prokurori Aleksander Lumezi, që tash ndodhet në krye të
prokurorisë së shtetit.
Po ashtu vrasja e tij qe konsideruar politike edhe nga media botërore.
Bekim Kastrati,
kolegu ynë në "Bota sot", gati 14 vjet më parë u vra në një pritë, më
19 tetor 2001, së bashku me Besim Dajakun, truprojë i Presidentit të
Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku mbeti i plagor edhe Gani Geci.
Bekim
Kastrati në vazhdimësi ishte nën presion dhe kërcënim nga e majta që
qeveriste në Skenderaj, por edhe nga ata që kishin pozicione më të
rëndësishme në nivel vendi, për shkak se u pengonte liria e medias dhe
guximi i Bekimit.
Bekimi u shqua për guximin e pashembullt, duke
ndihmuar të vërtetën për Kosovën në një zonë të shtrënguar si në
rrethim, siç ishte Skenderaji i atyre viteve, që nuk lejonte demokraci
apo shprehje të lirë.
Ai la pas vetes dy vajza, Vesën dhe Erën, e cila lindi pas shkuarjes në amshim të Bekimit.
Bardhyl Ajeti,
është kolegu ynë i "Bota sot" i vrarë në qershorin e vitit 2005,
gazetar dhe kolumnist. Atëherë kur besohej se era e vrasjeve politike
ishte mbyllur. Ai ishte qëlluar me 3 qershor në një atentat në veturën e
tij të prishur, ndërsa po e tërhiqte një automjet tjetër (kombi), në
afërsi të Bresalcit, të Gjilanit. Bardhyli iu mbijetoi plagëve për disa
javë, por ato ishin vdekjeprurëse dhe me 28 qershor ndërroi jetë në një
spital të Milanos ku po mjekohej.
Bardhyli njihej për shkrimet e tij
publicistike në funksion të lirisë së shprehjes duke alarmuar në
vazhdimësi për qendrat e dyshimta të krimit, dhe për përpjekjet për
zbardhjen e vrasjeve politike. Atentati ndaj ia ndërpreu krijimin e
familjes, pasi kishte disa muaj që ishte fejuar, dhe mendonte së shpejti
të bëhej dhëndër.
Para luftës, në Shqipëri është vrarë gazetari Ali
Ukaj, që po ashtu i bashkohet listës së gjatë të vrasjeve politike, dhe
që të gjitha thuaja të pazbardhura. BS