VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GJONOMADHË E GJATOLLINJNovelë nga MITRUSH KUTELI

                                                                                      

E Martë, 04.30.2024, 12:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
GJONOMADHË E GJATOLLINJ
Novelë nga MITRUSH KUTELI

E Martë, 10.29.2013, 12:09pm (GMT+1)



 

Ju falem, o burra të mirë, që rrini e këndoni këtë kartë. Ju falem e ju marr dorën t'ju pyes një fjalë e dua të më ktheni përgjigje: kini parë a s'kini parë, ore, trima në botë? Ama ta dini: unë s'ju pyes për trima sidokudo, për kokëshkretë, nga ata që s'i merr as kandari, as kalemi, po për trima të vërtetë, për burra që hanë bukë veç.

"Kemi parë..." mund të hidhet e të thotë ndonjë që s'e ka marrë vesh mirë pyetjen time, që nuk e ka pleqëruar mirë punën e që ngutet tepër.

Mirë, ta zemë se kini aprë apo ta zemë se kini dëgjuar, po urdhëroni e më thoni me fjalë burri e jo me dëngla e me gangra-dungra, nga ato që të gërvishtin veshin: a kannë qenë këta tuajt më trima se sa ata të derës së Gjomadhëve nga Shëmërtia e sipërme?

Ja, tani më duket se zutë ta merrni vesh pyetkën time: po ju shoh se qysh shtypi e përshtypi, vrisni mendjen, varni vetullat e nuk më jepni dot përgjigje. Pa në doni të dini të vërtetën, ju them se vrisni mendjen e varni vetullat kot më kot. Unë, ore, ju flas me të drejtën e Zotit, me dorë në zemër, se ja, u thinja e sot jam nesër s'jam, e s'dua të shkoj matanë me një gur mulliri varur në qafë. Se kështu është gënjeshtra: gur mulliri varur në qafë. Për njatë qiell të lehtë, që na fal, e për këtë dhe të rëndë, që na mban, s'di të ketë patur ndonjë-herë trima më të fortë se sa ata të derës së Gjonomadhit! Meshkujt e kësaj dere kannë qenë njëherë e njëkohë veç botës, jo vetëm për punë shpate e punë hute, që i punonin si punon bulku parmendën e muratori çekanë e mistrinë, po edhe për mendjen e ndritur e për emërn flori që kannë patur të gjithë, ashtu siç i ka hije burrit të vërtetë. Ata s'e kishin vënë kurrë vdekjen në kandar, s'i qenë drojtur kurrë. Gjonomadhët e kishin trimërinë, si t'ju them unë i mjeri, gjëkafshë që nuk veçohet dot nga burri, sindozot se nuk veçohet mishi nga thoji. E kishin, them, të tyren, siç e ka zogu erën e peshku ujin.

Në s'ju vjen të besoni e druhi të ma thoni, urdhëroni e dëgjoni dy fjalë: në Shëmërtinë e Sipërme e në gjithë fshatrat përqark nuk mbahet mend brez pas brezi që ndonjë burrë nga dera e Gjonomadhëve të ketë vdekur dalëngadalë, në pleqëri, kur s'i mund më këmba e dora, kur i soset vaji i kandilit.

Jo, more, jo!

Meshkujt e Gjonomadhëve kannë rrojtur, që të gjithë, sa kohë u ka regëtirë shpirti, më këmbë e jo më gjunjë, me shpatë në dorë dhe kannë vdkeur gjithë me vdekje burri: plumb e shpatë, që është vdekja më e shkrutër e më e ëmbël nga të gjitha. Po, besa, burra të fortë kannë qenë!

Ja, ejani të ngjitemi bashkë në remën e kohës, kuk rrjedh papushim uji i jetës e i njerëzimit se edhe ne ujë jemi e si uji shkojmë në këtë botë - e kini për të parë me sytë tuaj dëmet e kësaj dere bujëmadhe.

S'di sa breza më parë, një Pjetër Gjonomadhi ka luftuar sa ka luftuar këtej, i ka mundur kundërshtarët e pastaj, me që s'kish me kë të luftonte, është ngritur e hedhur kaluar, tutje, në Frëngji, me katër djem si katër lisa mali e me njëqind e sa huta të tjerë, më të shumtët nipëri e farefis. Atje, në Frëngji: Pjetër Gjonomadhi me shokë, veshur me fustane të bardha, me tirqe të bardha, e ma kapa të bardha në kokë, me shpatë të ndritur në dorë, ka çuditur tërë botën me trimëritë që ka punuar nëpër luftra të mëdha e të vogla. Këto gjëra i ka parë vetë ,e sytë e tij mbreti i Frëngjisë. I ka parë e a mbetur gojëhapur. E si ka mbaruar lufta, ka thirrur pranë e pranë Pjetrin me shokë, i ka përqafuar, u ka dhënë nga një shpatë të artë, nga një qese me florinj për shoq e nga dhjetë qese bashkë për çdo flamur që i kishin shkulur nga dora e armikut në luftë e sipër. Po më shumë nga të gjithë e ka lëvduar e shërblyer zotin Pjetër, që ishte koka e të gjithëve. E kur është kthyer në Shëmërtinë e sipërme me lavd e pre, shumë kohë bota i ka thënë Pjetër frëngu. Më vonë, Frëngjia ka ndezur luftëra të tjera, është gjendur ngushtë dhe ka dërguar e ka thirrur Pjetrin me shokë të vejë e të luftojë. Ky ka shkuar, ka trimëruar e nuk është kthyer më. Them nuk është kthyer, po ka lënë nam të madh në bot.

Disa Gjonomadhë të tjerë, që kannë pasur në krye Gjin Gjonomadhin, janë hedhur s'di se kur në mbretërinë fusharake të Maxharit e kannë luftuar për mbretnë e atij vendi kundër mbretit të Tataristanit kokërruarit që vinte kaluar,rrëke-rrëke, me jatagn në dorë, që vriste e digjte, rrëmbente gra e fëmijë e i hiqte tutje. Ky, Gjin Gjonomadhi me shokë, ja ka prerë hovin Tataristanit, ka luftuar si burrë e ka shpëtuar nga mortja shumë gra e fëmijë. Prandaj mbreti i Maxharistanit ja ka shpërblyer nderin me nder dhe e ka mbajtur andej, në bukë të madhe. Shumë Gjonomadhë të tjerë - një Pal, një Gjon, një Pjetër (të tjerëve nuk ua mbaj mend emrat) kannë luftuar për Vojvodën e Vllahisë së Sipërme e për atë të Vllahisë së Poshtme, që ishin nga gjaku ynë, dhe këta i kannë ngritur në shkallë të lartë e i kannë mbajtur andej që t'i kenë dorë të djathtë kundër atyre që deshin t'u mihnin varrin. Një Gjonomadh s'di si i thoshin: Gjergj a Kostandin ka shkuar me nipër e shokë gjer tutje në Axhemistan e ka luftuar për mbretnë e Stambollit. Edhe ky, kur ka dëgjuar për trimëritë që ka bërë, është ngritur më këmbë, ka përpjekur duart e ka thënë: "U lumtë burrave të dheut!"

Në s'i kini dëgjuar këto e shumë të tjera të kësaj dore, që janë shumë të lashta, patjetër besoj se ja kini dëgjuar emrin Selfo Gjonomadhit e këngën që ja ka kënduar bota dy a tre breza njeriu. Ky, Selfo Gjonomadhi, ka luftuar me manxhura e me shpatë në dorë brenda në Misir me ata felahët këmishëgjetë. Atje, në Misir, ka lënë edhe eshtrat e tija, që ju zbardhën e ju tretën në rërën e valë. Njashtu duhet të kini dëgjuar për Upe Xhufkemadhë e për Bido Shëmërtinë, që kannë ndezur xheng të madh edhe e kannë tundur tërë Rumelinë, për Myrto Nishanllinë, që e kish një të shtënë e dy të vrarë, për Selfo Mustaqemadhë e për shumë burra të tjerë nga dera e Gjonomadhit, që kannë lënë nam në Janinë, në Allasonë e në gjithë mbretërinë e madhe të Turkut. Në çdo vend ku ka plasur luftë e zjarr, Gjonomadhët janë hedhur në krye të burrave, herë vetëm me shpatë, herë me karafil e manxhura, me shishane, shishopo, me dogra e martinë, me pisqollë e s'di çfarë armë; nuk i janë drojtur vdekjes.

"E pse s'janë shkruar në kartë gjithë këto trimërira?" do të hidhet të pyesë ndonjë shkollar nga ata të rinjët, që e kanë mendjen vetëm nëpër kartëra, nëpër divitë e kalemë kallmri.

E kush t'i shkruante, o djalosh i mirë? Në atë kohë në vendin tonë njeriu nuk lindte e nuk rronte me kartë, divit a kalem kallmri, po me shpatë e me hutë. Se po të paskeshim patur edhe njerëz të atillë, ne do të kishim sot një kartë të madhe sa fusha e Domovuzës që në Urakë e gjer në Rrajcë e që aty gjer poshtë në Prrenjës e në Lëngajcë, të mbushur dinga me rrëfimet e trimërive të burrave tanë.

Po, vaj e vaj, të gjithë këta trima të ndjerë e derdhën gjaknë e tyre për botën, për të tjerët, ca me njërin e ca me tjetrin, bjeri t'i biem e tym më tym, trimëri për trimëri...Ja, kjo ka qenë e keqja jonë..S'doli një burrë që të thotë: "Dale, ore, ku po shkoni kështu? Mblidhni mendjen e mbani dorën, mos u vrini për të huajin". Nuk doli e shkoi e vate...

E kështu, o të mirë që rrini e këndoni këtë kartë, më falni se preva fjalën, për nam e trimëri ndër të huajt, u shkallmua e u blua ajo dera e ndjerë e Gjonomadhëve të Shëmërtisë së Sipërme.

Sa u dilte pushi faqeve e sa e ndjenin veten burrë, meshkujt e kësaj dere martoheshin, që të linin prapa ndonjë hutë për t'u zënë vendin e pastaj, pas dy a tri vjet, merrnin dyfegjet, ngjeshnin pisqollat e jataganët dhe i binin kryq e tërthor mbretërisë, nëpër luftra, apo hidheshin nëpër mbretërira të tjera. I ndillte, bre, kjo e uruar vdekje në vende të largëta, me shpatë në dorë, sikur të paskej qenë mjaltë, jo vdekje.

Po sado shumë trima që kannë hequr e bluar vendet e largëta, prapëseprapë më shumë ka ngrënë gjaku që ka patur dera Gjonomadhëve të Shëmërtisë së Sipërme me derën e Gjatollinjëve të Shëmërtisë së Rëposhme. Gjaku u ndez s'di se si e s'di se kur për një çupë edhe pastaj, bjeri t'i biem, vrini të vritemi, mbajti shumë breza gjersa Gjonomadhët e Gjatollinjtë ju afruan buzës së varrit e ment ju shua fara të dyja palëve. Sepse e vërteta është e vërtetë: as Gjatollinjtë nuk binin më poshtë nga trimëria. Derë më e re, afër menç, po më e shtuar se sa ajo e Gjonomadhëve. Po t'i merrje kokë për kokë binin nëntë me një. Mirëpo Gjonomadhët kishin nam të madh e shumë miqësira, se ishin derë e vjetër, kështu që katundari vinte pothuaj pat e pat.

Ehej, o të mirë, të paskeshit qënë atyre maleve të larta e të paskeshit parë kur ndizej dyfegu midis Gjonomadhëve e Gjatollinjve! Dilnin gjithë këta burra me vëllezër e djema, me nipër e stërnipër, me miq e miq të miqve, me numëri e krushqi, me të afërm e të largët, që i kishin ngrënë bukën e krypën njëri tjetrit, e sa të tjerë - dilnin, them, gjithë këta burra me armë në dorë e zinin majat e shkrepat, qafat e grykat, kronjtë e përrenjtë e ja lëshonin soqi-shoqit flakën mes për mes: vriteshin, priteshin. Gjëmonte gjithë vendi nga krismat e dyfegjeve grykëgjetë, mjegullohej nga tymi i barutit, që nuk e kursente as njëra palë, as tjetra. E nuk shtinin kot se koti, në erë, po në mish të gjallë, vetëm në mish të gjallë. Edhe sa shpejt i mbushnin dyfegjet me barut e plumb, sa shpejt i ngjishnin zhap e zhap, me harbi, sa shpejt e vinin azgotin atje ku duhej, sa shpejt e merrnin shenjën dhe e shkrehnin dyfegnë! Nuk hanin e nuk pinin, nuk mbështeteshin në ndonjë gur a dru për të marrë një sy gjumë, po vetëm luftonin. Shpesh, ditën apo natën, njëra palë përpiqej të kaptonte ndonjë kreshtë a ndonjë qafë mali e t'i dilte krahut palës tjetër. Dhe atëherë - hej, hej! sa njerëz mbeteshin të nderë, pa shpirt, gërxheve e brinjëve, sepse dyfegu s'bën shaka: vret.

Po, fundja, burrat mërziteshin së luftuari me dyfegje të gjetë. Larg e larg, e me pisqolla, afër a fër. Edhe, papritur, dilte ndonjë e thërriste me të madhe: - "Heeej, dëgjoni! Kush i thotë vetes burrë le të dalë këtu, në shesh të burrave që të pritemi me shpatë!" "Këtu më ke!" ja kthente tjetri, që matanë. Aty për aty linin pritat e dilnin këta burra fustanebardhë, me shpatë në dorë, bënin përpara, afroheshin e luftonin vetë për vetë, në sytë e të dy palëve, gjersa njëri apo të dy shembeshin poshtë të mbytur në gjak. Pastaj bënin përpara dy nga dy, tre nga tre, pesë nga pesë e priteshin shoq me shoq, kurse të tjerët rrinin e shikonin, u jepnin zemër me fjalë njerëzve të tyre.

Lufta e gjaku s'mbante pak, po javë e muaj të tërë, hop këtu e hop përtej, mal më mal e breg më breg, kur njëra anë më e fortë e kur tjetra. Atëhere mbylleshin gjithë udhët e gjithë shtigjet. Ata që s'merrnin anë as nga njëra palë e as nga tjetra rrinin brenda në shtëpi, që të mos i zinte ndonjë plumb i ftohtë. Karvanët e nisur ndërronin udhën a ktheheshin prapë; ujqit e arinjtë tuliteshin nëpër strofka.

Luftë, kjo!

Luftonte Gjonomadhi me Gjatollinë, si mbret me mbret.

Edhe mbushej vendi me të vrarë të pa kallur në varr e me të plagosur. Të plagosurit vuanin shumë, se u ftoheshin plagët, po nuk rënkonin që të mos gëzohej armiku e të mos i thyhej zemra e mikut. Ata që shkonin t'i ngrinin mbeteshin shtrirë në vend. E sa më shumë zgjatte lufta, aq më fort ndizej gjaku e mëria, aq mëshumë shtoheshin të vrarët brinjëve, gërxheve, shkrepave, sepse burrat hidheshin si të verbër në krahët e vdekjes.

E kur shikonte kaq burra të nderë pa frymë, hynte në mes ndonjë shpirtmirë, i paanë, sidmos Rushan Aga Muzaka apo Hodo Selmani, ose që të dy bashkë, mundoheshin të platitnin gajkrat, me fjalë të buta, edhe e ujdisnin punën që të pushonte huta e shpata ca ditë, ca javë e ca muaj, gjersa të kalleshin të vrarët në varr, të hiqeshin të plagosurit, të lidheshin e të shëroheshin plagët, të mblidhej bereqeti e të nxirrej gjëja e gjallë në kullotë a të vozitnin udhëtarët nga një anë tek tjetra. Po kur nuk e prisje, si ajo rrufeja në të kthjellët, plaste prapë xhengu, buçisnin grykat, tymosnin shkrepat dhe hapeshin varre të reja.

Mirëpo qëllonte që në mes të zjarrit e të luftës vinte ndonjë tabor i madh i turkut, që donte të ante udhë e të shkonte tutje, në punë të tij. Atëherë kumandari mylazim, miralla, pasha a s'di çfarë - u dërgonte urdhër të dy palëve: - "Ore, shuani zjarrin, hapni udhë të shkoj e pastaj bëni ç'të doni, vrituni gjersa të shuhi të gjithë!" Fjala ishte aq e vrazhdë, sa që të dy palët Gjonomadhë e Gjatollinj merreshin vesh fët e fët njëri me tjetrin, me të fërshëllyer e të thirrur a me lajmës, pushonin luftën midis tyre, bashkoheshin e zinin vend krah për krah, ja kthenin hutën turkut: e gërmonin, e shuanin, i merrnin armët. Pastaj e nisnin prapë, shoq me shoq...

E, që ta dini sa e madhe ishte mëria, duhet ta dini se qëllonte që të dy palët ta ndiqnin njëri-tjetrin, me luftë, gjer tutje në Grekëri, në Rumeli e s'di se ku, edhe atje vriteshin e priteshin si deshin vetë e sa deshin vetë e s'guxonte njeri t'u mbante dorën.

Po gjëra të këtilla qëllonin vetëm rrallë e tek, sepse kur gjendeshin larg vendit, sikush shikonte punën e vet e nuk e ngiste hasmin. Bile kish ndodhur rasti që ta ndihnin shoqi shoqin në luftë me të huajin. Kështu, rrëfejnë se ai Selfo Mustaqeziu, që zumë në gojë aty më parë, me tetëdhjetë e ca huta është hedhur e i ka marrë krahun Nure Gjatolliut, të cilin e kish qarkuar armiku në atë Grekëri të shkretë e e mbante si në kllapë, pa bukë, pa ujë. I mori krahun, e theu të huajin dhe e çliroi Gjatollinë nga çargu i vdekjes.

"O selfo, i thanë ca burrë, ç'pate që i dole zot hasmit? Ti je në gjak me derën e Gjatollinjve". "Ke të drejtë: unë jam në gjak me atë derë, po nuk dua t'i ha hakën. Hasmi im është trim, burrë. Prandaj nuk desha që t'i vejë fir trimëria për bukë e ujë, në dhé të huaj. Ne vritemi shoq me shoq, se ashtu na ka vajtur filli, po s'duam të na vrasë i huaji. Ja, kështu! Në dhe të huaj s'jemi hasëm, po vëllezër, se flasim një gjuhë".

Edhe atje tej, në Grekëri, Gjatollinj e Gjonomadhë bashkë, me Nuren e Selfos në krye, duke shkelur mbi kufomat e armikut të thyer, u pushtuan e u puthën si vëllezër, hëngrën e pinë bashkë dhe e lidhën besën që të harrojnë të shkuarat e të shuajnë gërnjën e vjetër. Kjo lidhje mbajti njëzet e ca vjet. Të dy fiset ju vunë punës, rritën kopera të reja, mbushën hambaret me drithë, ndërtuan shtëpi të reja, u shtuan e u forcuan, gjersa mbyllën sytë krerët e pastaj, s'di se qysh e s'di përse (thonë se në këtë punë ka patur gisht valiu i Manastirit, që ua shtiu ujët nën rrogoz), plasi përsëri dyfegu, më fort se qëmoti, u bë urgji e madhe.

Gjak sot gjak nesër, varr sot varr nesër, ja, së fundi, ardhi çasti i lig e nuk mbeti nga dera e Gjonomadhëve veçse një mashkull, po edhe ky ishte djalë i ri, i njomë. I thoshin Sefedin, ish tetëmbëdhjetë vjeç, mbante dy nuse (se desh të bënte djema që të linte huta prapa) e nuk i trembej syri as nga mbreti as nga hasmi. Gishti e syri i tij bënin çudira, se e kish trashëgim nga gjyshstërgjyshi të shtinte një e të vriste dy. Edhe kur Gjatollinjtë hidhnin rromuze poshtë e lart, duke thënë se i kish edhe buzët me qumësht e nuk mund të matej me ta, Sefedini dërgoi nja katër a pesë në botën tjetër, që t'i bënte të fala babait e betohej se nuk do të shkelte të njëzetat përpara se t'i shuante gjithë Gjatollinjtë. Po as këta s'flitnin: e ndiqnin këmba këmbës e nuk e shtinin dot në çarg, se ishte fnok i madh, syshqiponjë, këmbëlehtë. Ata e qarkonin, ai u dilte prapa krahëve e ua shkrepte; ata i ngrinin prinin në shteg, ai u dilte tutje, në një shkrep, e që atje: zhgëdau! Me martinë, i bënte kopan. Të nuhaturin e kish më të fortë se të langoit; vendin e dinte me pëllëmbë. Binte në dyfeg, vriste, plagoste e hiqej shpejt, ku nuk ta priste mendja. Një herë u bë si i vrarë, nën gunë. Ata të tjerët ja bënë gunën shoshë, me plumba, pastaj ju afruan ngadalë, dhe, kur s'e prisnin, Sefedini ua shkrepi që prapa një lisi të shembur, i griu. Dy herë e vunë në kllapë, po mbetën nderë lëndinave, si levere, gjersa ardhën i ngritën shokët, me trira, pa armë. Çuditej një botë e tërë: ç'njeri paska qënë ky? Sefedini e linte të çuditej e shikonte punën. Për një shterpar që i vranë, nga inati, sepse thoshnin që kish qenë në kallauz, vrau dy të parë nga dera e Gjatollinjve, ky desh me këmborë, siç u thesh bota. Ndajnata e zinte në shtëpi, mëngjezi në qafë të malit: dreka në stan të pëllejave, darka mbi luadhet e Gjatollinjve, mun pranë shtëpisë. "Ky është nishan! thoshin njerëzit. Ecën e s'i dëgjohet çapi, shkel e s'le gjurmë. E kur nuk e pret të del në brinjë." Atëhere Gjatollinjtë e ndryshuan tropon: u shpërndanë në të katër anët: po s'e zumë këtu do ta zemë andej, se s'ka se si të bëhet zog me krahë. Atë desh edhe Sefedini: të përhapeshin, të holloheshin, që t'i grinte një nga një. Mirëpo miqësia thosh ndryshe: shtamba shkon shumë herë për ujë gjersa thyhet. Vanë i thanë Sefedinit që të mbyllej brenda ca kohë, gjresa t'i lindte ndonjë mahskull, Sefedini dëgjoi, tha "peqe" e bëri sikur u mbyll në shtëpi, prapa mazgajve. Tha dhe e hapi fjalën anembanë, që ta merrte vesh edhe hasmi. Ky besoi e s'besoi dhe, me të besuar e pa të besuar, e humbi toruan. Këtë desh Sefedini dhe i ra ku s'e priste.

E ja një ditë - në pranverë, kur sapo kish lëshuar fletë lisi ranë ca dyfegje lart, mbi fshat.

Pesë Gjatollinj, të gjithë burra të regjur, me mustaqe të gjata, kishin ndezur luftë me Sefedin Gjonomadhë ne Guri i Ãjetërkalit. Ata pesë, ky fill i vetëm. Gjatollinjtë kishin zënë pusi edhe, siç e dini, pusia të vret, sado, i fortë qofsh. Që në batare të parë, Sefedini mori dy plagë: një në ije e një më lart, në brinjë, dhe u unj poshtë. Gjatollinjtë thanë se ishte vrarë e u turrën, yrrja! t'i marrin armët. Mirëpo Gjonomadhët s'janë nga ata që i lëshojnë armët me një e dy, sa kohë që u regëtin shpirti, se edhe të plagosur dinë ta punojnë dyfegnë Punoi e punoi ky dyfegu i Sefedinit gjersa tre Gjatollinj mbetnë shtrirë në rrah, sa të gjatë të gjerë. Lufta shkoi më tej, dy me një. Dhe ja, Sefedini ja futi njërit Gjatolli plumbin në grykë të dyfegut, ja vulosi. Mbetën tani vetëm dy dyfegje që punonin e i përgjigjeshin njëri tjetrit: një dyfeg Gjonomdahi e një dyfeg Gjatolliu.

-Dil sheshit, në je burrë! i thirri Sefedinit ay Gjatolliu me dyfeg të vulosur e u ngrit më këmbë me gjashtore në dorë. Dil sheshit ta bëjmë flakë me flakë!

Burrë burrë, po edhe plagët plagë...Dhembin, të shkretat, rrjedhin gjak. Sefedini i harroi plagët e bëri të ngrihet, po në atë çast i ranë dy plumba, që e muar mes për mes: një plumb martine e një plumb gjashtore.

Ra i vdekur.

Kur dëgjoi bota, përpoqi duart me gjëmë e tha: "Medet, u mbyll dera e Gjonomadhit!"

Trim o Sefedin, ç'e ka qarë e vajtuar gjyshja, ditën e parë! Vetëm të parën, jo të dytën e të tretën. Se, duke ndenjur e mekur, leshlëshuar me kokën në ashmak të vatrës, ju shti si në ëndërr ama ëndër nga ato me sy hapur Sefedini vetë me katë plagë me gjak të mpiksur. I tha: "Ardha të të marr dorën, zonja gjyshe. Të të marr dorën e të të falem. Gjaknë tim e kam marrë vetë: kam vrarë dhjetë e kam plagosur tre. Mos më qani, se kur më qani mua më dhembin plagët..." Si thua kështu, Sefedini u unj, i mori dorën e djathtë, e puthi me buzë, e ngriti në ballë. "Nurija, tha, do të lindë një djalë. Këtij djali do t'i vini emrin tim. Si të rritet, thoni të dalë lart, ne guri i Pjetërkalit, të luftojë e t'ja marrë hasmit dyfegnë tim, se më vjen rëndë nga shokët që kam këtu: të gjithë e dinë se dyfegnë tim e mban Selma Gjatolliu".

Atëhere Hanko Dudija kërceu më këmbë e u bëri emër nuseve të pushonin gjëmën e vajin:

-Dhjetë burra shtriu përdhe një djalë i ri, Sefedini zogu i malit. Gjaknë do t'ja marrë i biri. Që sot s'ka më zi e vaj në shtëpi tonë.

Nuk shkuan as tre muaj, ndërsa Gjatollinjtë vozitinin pa drojtje mes për mes Shëmërtisë së Sipërme, tundu e shkundu, me armët e Sefedinit në krah e në brez, brenda në shtëpinë e vjetër të Gjonomadhit shkrepi një shkëndijë e re: lindi një foshnjë.

-Gur! thirri zonja e madhe, që e priti stërnipin në pëqi.

-Gur, na rruat! thirri nusja e parë, që kish dy çupa dhe vetë ishte në të shtatat.

-Gur ... murmuriti lehoneja me zë të qarë. Gur, shpirt i nënës, e s'ka kush të zbrazë një dyfeg, që ta dijë gjithë fshati se na u ndes prapë zjarri në vatër.

-Hesht, nuse bijë, mos qaj, se dyfegnë e zbraz unë vetë për djalin! thirri zonja e madhe; e mbështolli foshnjën në pelena, ja la në pëqi nuses së parë, rrëmbeu një dyfeg të mbushur, nga ata që ishin varur në peronat, e nxorri grykën ne mazgalli edhe e zbrazi dang e dang, tri herë.

U gëzua gjithë miqësia, afër e larg.

Djalit ja vunë emrin e t'et: Sefedin.

Zonja e madhe, stërgjyshja, harroi sëmundjet e pleqërinë, u krekua, u përtëri si mënjolla, ngriti kokën lart, si qëmoti. Natën e të tretave vuri djepin në këndin e djathtë, të burrave, e qerthulloi me dega lisi të njomë, i vuri një dyfeg në krye, një pisqollë, një shptaë, vezme.

-Burrë u bëfsh, trim u bëfsh e gjaknë mos e harrofsh kurrë!

Që kur ish foshnjë, Sefedin Sefedini prekte me gishtërinjtë e tij të njomë llozin e ftohtë të dyfegut, e përkëdhelte. Në motin e gjashtë, kur e kish édhe krahërorin plot me rupa argjëndi njëri mbi tjetrin, si ato luspat e peshkut, zbrazi dyfeknë e parë nga dritarja. Ky defeg s'ishte as karafil, as manxhura, as martinë e as dogra, po manxer tringo i ri, që merrte brenda një krehër me pesë fyshekë. Manxeri ishte i shtrenjtë - njëzet lira folri njëra mbi tjetrën. Edhe fyshekët ishin të shtrenjtë. Po zonja e madhe nuk kursente asgjë: e mësonte Sefedinin të merrte në shenjë. Ajo mbush, ay zbraz; ajo mbush përsëri, ai zbraz përsëri, gjersa dora nuk i dridhej fare e syri nuk gabonte. Fluturonte lart petriti, laraska a korbi e plaka thosh:

-Bir, ja një Gjatolli!

Dhe pa mbaruar mirë fjalën, "Gjatolliu" këputej e binte poshtë sikur e thëthinte gremina.

Herë zonja e madhe, herë nëna e herë gjithë Shëmërtia këndonin trimëritë e Gjonomadhëve; Sefedini i dëgjonte i menduar, i vrënjtur. A dinte vallë se ai ishte Gjonomadhi i fundit i gjithë këtyre brezave bujëmëdha? Domosdo e dinte. Ky ishte ushqimi i përditshëm që merrte shpirti i tij.

Zonja e madhe priste të rritej edhe ca, ta martonte edhe pastaj, pas martese, ta niste që t'ja bënte forra luftës me Gjatollinjtë. Sepse zonja e madhe ngulte këmbë e nuk donte të ndahej nga kjo botë para se ta ngopte shpirtin: të dëgjonte se stërnipi kish lidhur fillin e jetës së tij me atë të gjyshstërgjyshërve, se kish marrë gjakun, se armiku kalbej në varr e se shtëpia e këtij ishte veshur në zi. Po e para nga të parat: martesa.

Kështu donte zonja e madhe, po puna doli ndryshe.

Një ndajnatë, aty nga zemra, ranë ca dyfegje lart mbi fshat, ne Guri i Pjetërkalit. Bile njerëzit i njohën pas krismës:

"Ky është manxeri i Sefedinit! Ndofta gjaun ndonjë egërsirë".

Po nuk ish egërsirë, sepse pas pak u dëgjua një dogra.

"Kjo është dograja e Sefedin Gjonomadhit që e mban Selman Gjatolliu. Po pse s'përgjigjet manliheri i Nures? Nurja e Selmani s'ndaheshin kurrë".

Mbajtën vesh e pritën. Krisi përsëri tri a katër herë rresht manxeri i Sefedinit. Dograja s'u përgjegj më. Heshtje. Nuk shkoi shumë - ja, sa të dredhësh e të pish një cigare duhan dhe zbardhi në ata gurë të zinj fustan'ja e Sefedin Sefedinit. Zbardhi, zbriti e shkoi mespërmes Shëmërtisë së Sipërme me tre dyfegje: dy krahut e një në dorë, me tre kollanë fyshekë të ngjeshur kryq e tërthor, me tri kobure në silahe. Kaq? Jo, Sefedin Sefedini mbante varur në kraharor edhe tre qostekë argjendi, me pafta të mëdha, si mburoja. Njëri ishte i tija, tjetri ishte i Selmanit. E panë me sytë e tyre të gjithë ata që ishin mbledhur e rrinin për fjalë e kuvend në hajat të xhamisë. E panë, i kthyen tunjatjetën e thanë me vete:

"Vajti haka ne i zoti. Gjonomadhi Gjonomadh mbetet."

"Dardha nën dardhë bie".

"I lumtë njajo dorë!"

Edhe kur u ngjit bota lart, ne guri i Pjetërkalit, gjeti Nure Gjatollinë të vrarë në gjithë atë vend që ku e kishin ngritur katërmbëdhjetë vjet më parë Sefedin Gjonomadhë, t'anë e Sefedin Sefedinit. Pakëz më tej ish shtrirë Selman Gjatolliu me një plumb në ballë.

"Hajde, dorë Gjonomadhi, hajde!"

"Mënon, duron, po s'harron..."

Pa kur ma pa zonja e madhe dogranë e të nipit, të Sefedinit, ma mori në krahë, ma puthi, sikur të paskej puthur të nipnë e ma lau me lot, ma fshiu me cullufet e bardha të kokës. Me cullufet, ore! Se katërmbëdhjetë vjet kish pritur ajo të merrte prapë dyfegnë e të birt të të birt! Katërmbëdhjetë vjet në hi të vatrës, kryeunjur, pa gëzime. E shponin në zemër, si tryelë, gozhdat e opingave të Gjatollinjve, që shkonin e vinin aty, mbi udhë, me armët e Sefedinit në sup.

Priti shumë, po nuk priti kot.

Ja, stërnipi, ja shkuli gozhdën nga zemra: vrau krerët e fisit të Gjatollinjve.

U gëzua gjithë miqësia anembanë, afër e larg.

Me t'u platitur vala e parë e gëzimit, stërgjyshja i tha:

-Bir, zgjidh e merr një nuse a dy, cilat të të dojë zemra, se dua të bëjmë dasma. Në s'do të zgjedhësh vetë, lermë mua të të zgjedh.

-Të puth këmbë e dorë, nënë e madhe: martsën ta lemë për më tutje. Gjer tani s'më ka pjekur ylli me asnjë.

Zonja e madhe u pikëllua:

-Në s'do martesë, mbyllu brenda, se ata emërshuarit duan të të vrasin. T'i kanë zënë të gjitha pusitë. Ca të tjerë vijnë vërdallë.

Sefedini qeshi:

-A ke parë, zonjë e madhe, mashkull Gjonomadhi të mbyllet brenda, si gratë?

Zonja e madhe u zu ngushtë.

-Jo, bir, s'kam parë. Po atëhere si do t'ja bëjmë? Mos dhëntë i sipërmi të na shuhet kandili, që mezi na u ndez! Plumbi shpon mish të gjallë...

Plaka ra në të thella: e hodhi e priti me mendje, dha e mori natën e ditën, pastaj tha:

-Sefedin, bir: ti je mashkulli i vetëm i derës u shtofsh e u bëfsh njëqind oxhakë! Në s'do të martohesh e as të mbyllesh brenda, merr dyfegnë e ndonjë shok të besës e shko larg, në Gegëri. Atje dera jonë ka shumë miq. Pas motmoti, jo më vonë, kthehu të bëjmë dy a tri dasma njërën pas tjetrës. Nuset ja zgjidhi vetë, ja t'i zgjedh unë.

Sefedin Sefedini i mori dorën zonjës së madhe, i mori dorën nënës e shembrës së kësaj, që e donte si sytë e ballit, puthi motrat e u nis pa lindur dielli. Jashtë e priste një shok i besës, mik me kokë i derës së Gjonomadhëve. Dy të tjerë, që kishin qëruar udhën, prisnin më tutje. Fërshëllyen, muar përgjigje, u nisnë. Vetëm katër veta, Sefedini nuk ktheu kokën që të shikonte shtëpinë që mbeti prapa majë një magulli. Nuk e ktheu, sepse i himbsej shumë. Dhe psherëtiu. Përse? Ju kujtua se në kohërat e para Gjonomadhët dilnin nëpër botë me njëqind e ca dyfegje...

Andej, në Gegëri, miqtë dhe miqtë e miqve e pritën kudo krahëhapur. Mirëpo, koha ishte shumë e turbullt. Zjente dyfegu në të katër anët. Si mund të rrinte duarkryq në mes të kësaj bote, ai, djalë i njomë, po zemërfortë, që e kish zbrazur kaqë herë dyfegnë? Pra bëri ashtu siç bënë miqtë dhe miqtë e miqve: u hodh vorbull më vorbull, luftë më luftë. Së pari i ktheu dyfegnë Trukut kur ky donte të shkelte Dibrën. Pastaj ju dëgjua emri në të dy Dibrat, ju dëgjua në Kosovë e brenda në Shkup, ku kosovarët trupgjatë e plisbardhë thanë përpara gjithë botës me britmë e pushkë - se janë shqiptarë dhe duan që vendi i tyre të jetë Shqipëri, si qëmoti. Pastaj krisi lufta me të katër kralet, vendi u mbush flakë e zjarr. Dhe kështu, luftë pas lufte, u gjend, s'di se si, në Shkodër, në mes të redifëve të Esat Pashës, dhe i vuri dyfegnë Nikoll Popit siç i thoshin asohere knjaz Nikollës së Karadakut, që s'ngopej me tokat që kish rrëmyber e donte të gllabëronte toka të tjera të vendit tonë - nuk e la të bënte këmbë këtej. Mirëpo Nikoll popi u bashkua me kralin e Sërbit e zuri të godasë me topa të mëdhenj, dërgoi mizëri njerëzish me mitralozë të ngrehur më tri këmbë. Ftohtë. Dëborë. Sefedini nuk luftonte dot si shumë të tjerë, futur në gropë. Jo, dilte e luftonte sheshit, siç kishin luftuar të partë e tij. Po kujt t'i binte? Ata me opinga derri qëllonin nga larg me top. Mori dy plagë e humbi një nga të tre shokët. E shpunë në Dibër, gjersa t'i mbylleshin plagët. E me t'ju mbyllur u hosh prapë në luftë, sepe krali i Sërbit kish shkelur Dibrën, kish vënë zjarr anembanë, kish çnderuar, kish vrarë. Sefedinit ju ndez gjaku. U ngrit krah për krah me dibranët dhe i vuri dyfegnë katraveshit me opinga derri, e nxori nga të dy Dibrat, e ndoqi gjer në Gostivar e në tEtovë, ju afrua përsëri Shkupit të Isa Boletinit. Luftonte, shikonte e çuditej: përkrah kish jo vetëm miqtë e tij, po edhe armiqtë e miqve të tij. Njerëzit kishin lënë mënjanë mëritë e vjetra, gjakrat e vjetra dhe ishin bashkuar të gjithë kundra të huajit që shkelte e çnderonte vendin. Nisën t'i lindnin mendime e dëshira të reja më të forta se sa ato të luftrave që ksihin bërë fisi i tij me atë të Gjatollinjve. Por këto dëshira ishin edhe mjaft të mjegullta, të turbullta, - ashtu siç ishte edhe koha e ahershme. Sidoqoftë, i dhembi shumë kur dëgjoi se Esat Pasha ish shitur e hequr nga Shkodra e i kish hapur udhë Nikollës...

Dhe përsëri turbullira. Kur ju kujtua porosia e zonjës së madhe, tërë vendi ynë ish bërë copë-sopë: e kishin shkelur e djegur të katër kralet e vegjël e katër nga ata të mëdhnjtë: Austria një, Gjermani dy, Italia tre, Frengu katër. Po njerëzit ç'bënin? Ishin ndarë e përçarë. Shumë kishin vrarë kralët e vegjël e të mëdhenj, shumë të tjerë i kishin shkulur nga vendi e hequr tutje, syrgjyn, që vendi të mbetej hambull, lëndinë. Dhe kudo të hidhje sytë nuk shihje veçse vdekje, sëmundje, skamje.

Tani Sefedini ish rrahur me vaj e me uthull, kish hyrë në moshën e burrërisë. Trupi i tij kish shumë plagë të mbyllura, po shpirti i tij kish një plagë shumë të madhe të hapur, të përgjakur. Kish harruar fshatin e shtëpinë...

Dhe ja, një ditë, në atë mëngë të vendit, në Shëmërti, sosi një togë e një tabori të Esat Pashës. Ky tabor hante bukën e Frëngut e luftonte përkrah frëngut kundër memces, brenda në Shqipëri. Njerëzit ishin veshur me rroba shajaku bojë vaji, si në të gjelbër, ashtu siç ishin veshur algjerianët, marokanët, tunisianët dhe ushtëri të tjera që kish sjellë Frëngu në vendin tonë. Këta mbanin feste të gjata, të kuqe, me hënëzë mbi ballë; esatistët mbanin qeleshe të bardha, herë me hënëzë e herë me shqiponjë. Toga e taborit të Esat Pashës kish "kumanar" Sefedin Sefedinin nga dera e Gjonomadhit.

"Po ç'është kjo turbullirë? do të thuash zotrote. Pardje në Dibër e në shkup kundër Turkut; dje në Shkodër kundrë Karadakut e në Dibër kundër Sërbit; sot me Esat Pashën, që kish qenë herë mik i Turkut e herë mik i Karadakut e i Sërbit..." Fjalën e the mirë, o këndonjës: tamam "turbullirë". Po, trubullirë e madhe në gjithë vendin, turbullirë e madhe në shpirtin e shumë njerëzve. Këtë turbullirë na e sillte ajo e keqja e madhe she de s'kishim dritë.

Po më falni, se dua ta lish përsëri fillin e rrëfimit, ashtu siç ka qenë, ashtu siç ka ndodhur. Thashë: toga e esatistëve kish në krye Sefedin Sefedin Gjonomadhin, që kish nisur të fliste nëpër hundë e me fjalë të shkurtëra, të prera. Toga këndonte një këngë që e kish sjellë me vete nga Shqipëria e Mesme:

Esat Pasha gropa-gropa,

Karadaku lufton me topa..

Bashkë me togën këndonte edhe vetë Sefedini, duke ngritur lart e më lart zërin.

Thirri e këndoi gjer brenda në fshat. Aty s'këndoi më, nuk thirri më. Zonja e madhe, stërgjyshja, kish mbyllur sytë e kish shkuar tek të shumtët. Me ankth kish rrojtur, me ankth kish vdekur. Se s'është punë e vogël të presësh sosjen kur di se jeta e fisit tënd është e lidhur me një fill të hollë dhe nuk di as se ku gjendet ky fill. Nëna me shemrën ishin në shtëpi. Të mplakura para kohe, me një vajzë të vogël, të motrën e Sefedinit, që kish lindur dy muaj pas tij. Dy të tjerat ishin martuar. Gjënë e gjallë e kishin grabitur të huajt, që kishin shkuar nëpër fshat si ujqit. Ato të dyja, nëna e shemra, punonin vetë tokën. Gjatollinjtë keq e më keq. Lufta, zia, sëmundjet i kishin sheshuar barabar me dhenë. Dhe kish shumë shtëpi të djegura në të dy Shëmërtitë, të Sipërm e të Rëposhmen.

Sefedinit iu duk sikur jeta ishte përmbysur. Kudo njerëz të brengosur, të urtuar. Prisnin me zemër në dorë të korrat e reja.

I ra rreth e qark fshatit, që i dukej i rrëgjuar, i zvogëluar, i shëmtuar, me ato gërmadhat e tij të shumta. Ujët e kronjve të ftohtë i dukej i pështirë. Mezhdat e arave kishin mebutr pa hije, se pemët i kishin brejtur kuajt e mushkat e frëngut e ishin tharë. Njerëzit e shikonin si të huaj. Dhe me të vërtetë ishte si i huaj.

Shokët e togës s'dinin gjëra të tilla, që do t'i ndjenin vetëm kur do të ktheheshin nëpër fshatrat e tyre, prandaj hë për hë hanin pilafin e frëngut me mish dashi Australie ose mish deveje Misiri dhe ja thoshim këngës:

Ee-sat Paa-sha groo-pa grooo-pa,

Ka-raa-daa-ku luu-fton me tooo-pa,

O s'jaaan too-pat e Karadakut...

Vendasit shikonin e dëgjonin të habitur. Kënga as i ngrohte, as i ftohte. Njerëzit me rroba bojë vaji, të ngarkuar me kollanë e vezme fyshekësh, me bomba të varura në bel, me kobure në këllëfë drejtpërdrejt në kollan a në rryp apo të futura në këllëfë e të varura në të mëngjër, që flisnin shqip, po si nëpër hundë, duke i këputur fjalët përpara se t'i mbaronin, u dukeshin sikur kishin ardhur nga një botë tjetër. Ama armët ua shikonin me zili. Domodo: manxeri e manliheri kishin dalë sheshit, dograja e martina ishin futur hatujve.

Kumandar Sefedin Sefedini bëri emër të këndohej një këngë tjetër, ajo e katër kraleve. Dhe njerëzit e tij kënduan:

Katër krale nisën lu-

Nisën luftë me Turkin.

Dun me hap rrugë në Shkodër,

Dun me da të mjerën Shqipëni.

Vendasit mbanin vesh e dëgjonin. Dëgjonin dhe kuptonin, sepse ish fjala për Shqipëri. Dhe kënga ishte e mallëngjyeshme, si më të qarë.

-Kumanar i tha Sefedinit një nga të tijtë - kan ardh shumë burra e dun pushkë, dun me u shkruejt.

Dhe kjo ishte e vërtetë. Shumë vendas donin të hynin në bukë të Frëngut kundër Nemcit. Ç'është e drejta, atyre s'u bëhej vonë për Frëngun e Frëngoren e tij, për Nemcin e Nemcoren, për djallin e djalloren që, thoshin, le t'i nxirrnin sytë njëri-tjetrit e le t'i hiqnin për peri. Ata donin bukë, se u kish hypur varfëria dhe, më shumë se bukë, donin dyfegje e fyshekë, bomba e mitralozë, e më tej dinin vetë se ç'duhej të bënin...

Këtë punë e merrte vesh mirë e bukur Sefedin Sefedini. Dhe tha me vete: "Duhet parë se mos ka edhe ndonjë nga ata të Gjatollinjve që kërkon dyfeg. Përse?" Ecte përmes grynjave të Shëmërtive me dy veta prapa. Vendin e njihte me pëllëmbë: lart ishin arat e Gjonomadhëve, pra të tijat; poshtë ishin ato të Gjatollinvje. I ndante vetëm një mezhdë e ca gorrica të egra. Sa e sa burra ishin vrarë një herë e një kohë, nga të dy palët, në këto ara që i ndante mezhda e gorricat e egra. Dilnin për të lëruar me parmendë a me damaluk të drunjtë, njmonin tokën me dirsën e tyre dhe më tej me gjakun e tyre. Ja, këto gjëra bluante Sefedini në mendje duke ecur gjatë mezhdës. Po ja a mos i bëjnë sytë? Poshtë rrëzë mezhdës, duket një çupë. Kjo bën të ikë e s'ik dot. Rri në vend, e ngrirë, sikur është ngulur brenda në dhe. Pëllëmbën e mabn mbi sy, që të mos ja vrasë djelli, dhe shikon. Fytyrën e ka të bukur, të rrumbull. Portokalle? Jo; shegë? Jo; mollë? Po. Mollë të kuqe nga ato të Shëmërtisë . Po të shikuarit e ka të ashpër. Sytë e saj shüojnë si gjemba. Sefedini afrohet, mban këmbët. Edhe ata që vijnë prapa qëndrojnë më tej.

-E kujt je, moj gocë e bukur? pyet Sefedini.

Ajo e shikoi nëpër qepallat e kreshpëruara si hala dëllinje. Sefedinit i rreh zemra. "Sa e bukur!" thotë me vete dhe e pyet së dyti:

-E kujt je, moj ftujake e njomë?

Vajza vrenjtet e më shumë.

-S'di e kujt jam-a? ja kthen ajo. Jo vetëm vështrimin, po edhe zërin e ka me hala dëllinje. Sefedinit i vjen të qeshë: kaqë e bukur, po kaqe e vrazhdë në të folur e në të vështruar. Megjithatë, nuk qesh; e mban veten si "kumanara" i vërtetë. Dhe përsëri me mend e tija: "Sa e bukur, sa e bukur!"

I thotë së treti, me zë të butë (me zërin e Gjonomadhëve):

-Jo, moj e bukur, s'di e kujt je.

-Jam e Nures..A e ke njohur Nuren e Shëmërtisë së Rëposhme?

Tani i vjen radha Sefedinit të vrenjtë ballin, me dhembje.. Me të vërtetë, pyetja e tij kish qenë e kotë. Duhej ta kish marrë me mend vetë; ara është e Nures, pra edhe çupa e Nures. Armiq i kish Gjatollinjtë, po nuk ua hante hakën: njerëëz të hijshëm, si në burra e në gra. Psherëtiu e i tha me zë të butë, të pikëlluar:

-Qofsh e gëzuar, moj çupë e mirë! Mos ma merr për të keq se të pyeta. Jam i ardhur..Dera jonë me derën tuaj...

Çupa s'e kish pritur këtë fjalë nga goja e një Gjonomadhit të fundit. Sefedini i kish folur me një zë kaq të dhimbshëm sikur t'i paskej ardhur keq për gjithë ato që kishin ndodhur gjatë gjithë brezave midis dy dyerve, që ishin vrarë e sosur kot më kot.

Dhe përsëri Sefedini:

-Qofsh e gëzuar sot e mot! Babanë ta kam njohur. Trim ka qenë, burrë ka qenë po unë...Kështu paska qenë e thënë. Mos më mbaj mëri. Aq më shumë se sot jam e nesër ndofta s'jam.

E bija e Nure Gjatolliut ngriti kokën më fort, hapi sytë dhe e shikoi mirë e mirë: me gjithë mend e kish, apo tallej? Jo, Sefedini nuk tallej. Ishte i pikëlluar. Pa, meqë e mira ndjell të mirën, u mat t'i thosh: "Edhe ti qofsh i gëzuar, o kuandar", po aty për aty ju kujtua se nuk i flitet kështu hasmit të derës dhe aq më fort dorës që i kish vrarë babanë ne Guri i Pjetërkalit. Doemos, ajo e dinte edhe se i ati, Nurja, i kish vrarë Sefedinit t'anë, pra...Po jo, këto janë fjalë që s'i thotë sot kush se ka gjak për të marrë. Më vonë, kur ta vriste i vëllai Sefedinin e të lante gjakun e babait, mund të thosh edhe ajo ndonjë fjalë të mirë për të, siç thotë tani Sefedini; sot jo! Sepse hë për hë, Sefedini ishte fajtor. Pra puna e nderi e donte që të vritej Sefedini, të shuhej e të mbyllej dera e Gjonomadhëve. Dhe sa keq i vinte për këtë njeri, që rrinte i pikëlluar përpara saj, i gjatë, i hijshëm, me një gjurmë plage në njërën faqe, që mezi ja mbulonte maja e mustaqes së zezë si pendë korbi. Ç'sy të fortë kish ky njeri! Ajo e pyeti veten: "Të kisha një kobure, a do t'i binja ta vrisnja?" dhe u përgjegj: "Do t'i bija..dhe pastaj ndofta do ta laja me lot".

Ja, këto gjëra i vinin vërdallë në kokë së bijës së Nures,a tje në mezhdën që ndante arat e Gjatollinjve nga arat e Gjonomadhëve. Vrugoi ballin, rrahu ta mbushë me zhubra, po më kot: sepse zhubrat i sjellin vjetet e jo dëshirat. I tha:

-mirë që e paske njohur babanë. Pandehja se ndofta e kishe harruar.

Sefedin Sefedini, që kish luftuar në Kosovë, në Shkodër, në të dy Dibrat e gjer tej në Gostivar e Tetovë, që kish parë kaqe zjarre e gjak e që ish kumandar mbi shumë njerëz, vuri dorën në zemër, uli kryet e ju fal çupës së hasmit, pastaj u largua nga mezhda që ndante Gjonomadhët nga Gjatollinjtë. Ata dy burrat e ndoqën nga prapa.

Atë ditë Sefedini u largua, po të nesërmen u kthye përsëri. E gjeti të bijën e Nures tek po merrte egjërin e grashinën, midis grynjave. I skuqte shamia mbi krye. Shamia ishte e kuqe, po faqet e së bijës së Nures ishin edhe më të kuqe. Era e hollë e qershorit tundte kallinjtë, që unjeshin e ngriheshin dallgë-dallgë. Sefedini qëndroi, mbajti këmbët lart, në mezhdë, dhe shikoi. Kësaj radhe ishte fillikat, pa njerëz prapa që ta ruanin.

Nurija kështu i thoshin çupës së Nures mori një krah bar, çau ngadalë grunjat dhe ju afrua mezhdës tek rrinte Sefedini.

-Puna mbarë, moj çupë e mirë! i tha Sefedini. ëAjo bëri sikur s'e pa, sikur s'e dëgjoi, me gjithë që ai ndodhej dy çape afër e afër. Unji shaminë e kuqe mbi ballë, shikoi me bisht të syrit, u mundua dhe bëri të hynte prapë në grynjat tek skuqnin paparunat.

-A di përse dera jonë është në gjak me derën tuaj, moj e bija e Nures? pyeti Sefedini.

Ajo u kthye, e shikoi ashpër me pëllëmbën mbi vetullat e holla e ju përgjegj:

-Ti më pyet a? Ti që më ke vrarë babanë?

-Mos ma merr për të keq se të pyeta. Sa për babanë, ti e di se edhe yti vra timin, që kur isha në barkun e nënës. S'kisha ç'të bëja. Po të mos e vrisja nuk rronja dot. Pastaj do të më vriste. Ay ishte burrë, unë isha katërmbëdhjetë vjeç djalë.

-Ishe si ishe, ishte si ishte, ai të pret andej, që t'i shpiesh të fala nga Shëmërtia.

Nurija futi dorën në gji e s'di ç'kërkoi atje. Shaminë për të fshirë dirsën e balli? Jo. Sefedini e mori vesh se ç'kërkonte dora e së bijës së Nures, po nuk u tund nga vendi, nuk vuri dorën në brez ku mbante koburen të mbushur. E shikoi e pikëlluar, qërtonjës dhe i tha:

-Ne jemi në gjak, se qëmoti një nga të mitë u zu me një nga të tutë, për punën e një çupe, që e donte edhe njëri edhe tjetri. Për këtë çupë është derdhur një lumë gjaku. Kështu më ka thënë stërgjyshja kur isha i vogël.

-Ka qenë si ka thënë, unë s'dua të di. Sot dera jonë ka për të marrë një gjak nga dera juaj. Do t'ju shuajmë fare, do t'ju fshijmë nga faqja e dheut.

Sa ashpër fliste e bija e Nures!!

-Doni gjak, thua? Doni të na shuani fare? Përse?

-Përse e përse, ja nga koha që ka re ja theu çupa me të qesëndisur.

Sefedini u mat t'i thosh: "Unë e di se ç'ke në gji. Ke një kobure. Mirë, nxirre e vramë me dorën tënde". Dhe fërkoi sytë, i mbylli pak, duke pritur, edhe me pikëllim, po edhe me përbuzje. Ajo kuptoi ç'kish dashur t'i thosh, nxori dorën nga gjiri, këputi një kalli të njomë dhe zuri të shkoqë një nga një koqiskat qumështore. I shkoqte dhe i kafshonte me dhëmbë.

-Mos u nxito, gjaknë do të ta marrin tim vëllezër. A mos kemi frikë se je kumandar i atyre kokëlakrave?

Dhe vazhdoi:

-Apo të thotë mendja se ne e harruam gjaknë e gurit të Pjetërkalit?

Sefedin Sefedini psherëtiu: ju kujtuan të gjitha.

-Atje tha ne Guri i Pjetërkalit është vrarë edhe imi edhe yti. Unë...

Rrinin tani ballë për ballë: ajo si e nusëruar, me duart grusht nën gjinjë, ai si i dhëndëruar, me duart varur. Era u forcua e më shumë, përkulte sa ment përthyente grynjat e derës së gjonomadhëve e grynjat e asaj të Gjatollinjve, pothuaj i bashkonte, i gërshetonte. E si rrinin kështu papritur Sefedini bëri buzën në gaz, sepse tha me mendt e tija: "Pse s'është këtu nëna e madhe, ta pyesja në i pëlqen të marr nuse të bijën e Nure Gjatolliut? Ajo desh të më martonte." Cicëriu një zog i vogël në grynjat, pastaj edhe një tjetër; ju përgjegjën shumë zogj të tjerë nga drizat, nga pemët, nga qielli. Edhe Nurija e Nures, padashur, buri buzën në gas. Vetëm atëhere Sefedini vuri re se e bija e Nures kish gropëza në të dy faqet. Dhe sa lezet i kish kur vinte buzën në gaz! Në atë çast, në qoftë se ajo do të kishte nxjerrë koburen nga gjinjtë e do të matej t'i binte, Sefedini nuk do të kish lojtur nga vendi, po do ta kish pritur plumbin i gëzuar, do të kish vdekur i gëzuar. Nga dora e saj, vetëm nga dora e saj! Sepse vdekja është e ëmbël kur vjen nga dora e asaj që ti e do mbi të gjitha.

Aty për aty, Sefedini u err pak e tha me zë të dhimbsur:

-Po të jetë puna për të shuar e për të mbyllur derën, mund të shuhemi e ta mbyllim lehtë të dy palët. Marr njëqind burra, nga ata që i kam nën urdhër, zbres poshtë, në Shëmërtinë tuaj, e nuk le gur mbi gur. I lag të gjithë me gjak.

Ngriti zërin e shtoi me tingull të përzëmërt, të butë (prapë zëri i Gjonomadhëve që, siç thoshin të gjithë, ishte bar për plagë):

-Dëgjo, Nurije (dhe zëri ju drodh kur ja shqiptoi emrin). Unë s'dua të shuhet as fisi im, as juaji. Dua të rrojmë edhe ne, të rroni edhe ju. Mjaft gjak u derdh më kot këtu ku jemi, ne Guri i Pjetëkalit, rreth e qark.

Nurija ja ktheu:

-A nuk ikën tani, o djalë? Se ta dish, po ardhi selmani, të vrt në vend, ja, për këtë bukë! dhe hapi të dy pëllëmbët mbi halat e kallinjve të njomë.

-Mirë - tha Sefedini. Meqë ti po më përzë, unë do të shkoj.

Dhe bëri t'ja merrte nga kish ardhur.

-Jo andje! i thirri Nurija e trembur. Mos shko andej! Nuk dua të shkosh andej! Mos!

Zëri i Nurijes dukej i trembur, i njomur me lot. Shtoi:

-Merrja këtej poshtë, nëpër vragë - dhe i tregoi me dorë një vragë në anën e kundërt.

Sefedini diç kuptoi, si nëpër tym, ngriti pëllëmbën e fërkoi sytë, shikoi rrotull, gjer larg, vuri dorën në brez, i hodhi një vështrim lamtumire e mirënjohjeje Nurijes dhe ja mori andej, vragës që i kish treguar ajo.

A doni t'ju them tani, o këndonjës, se ç'ndodhi më tej?

Dëgjoni,

Të nesërmen, toga me kumandar Sefedinin në krye u ngrys e s'u gdhi. Iku.

"Kështu e ka kanuni i atyre që shkojnë në luftë" do të thoni ju.

Mirë, po a thotë kanuni i atyre që shkojnë në luftë të rrëmbejnë çupat e botës?

Se kështu ndodhi andej, në Shëmërti: Sefedin Sefedin Gjonomadhi rrëmbeu të bijën e nure Gjatolliut. Jo, nuk e rrëmbeu, po u rrëmbyen. Çupa desh e iku. Nuk e shtrëngoi njeri. E shtyu zjarri i zemrës. Ra në dashuri pas armikut të shtëpisë.

Thoni se për këtë të pabërë u ndez gjak i ri? Jo, nuk u ndez gjak i ri, po u shua edhe i vjetri.

U mbush kështu fjala e atij burrit të thinjur e të ushtuar që kish thënë njëherë e njëkohë: "nJë thembër ndezi zjarrë midis Gjonomadhëve dhe Gjatollinjve, një thembër do ta shuajë"

Kjo fjalë s'doli e kotë: gjaku u mbyll përnjëherësh, siç mbyllet plaga kur i ve një bar të mirë.

Tani Sefedin Sefedin Gjonomadhi nga shëmërtia e Sipërme ka pesë djem. Këta pesë djem kanë në damarë edhe gjak Gjonomadh edhe gjak Gjatolliu. Në s'i besoni fjalët e mia, ngjiti lart në Shëmërti e do t'i shihni me sytë tuaj.

Ç'është e drejta, nga kjo punë doli një si ngatërresë e vogël: në shtëpinë e Gjonomadhit u bënë dy Nurije, vjehrra e nusja, po kjo s'ngra kandar, sepse në Shëmërti s'e kanë zakon t'u thonë nuseve e nënave me emër nusja i thonë vjehrrës "nënë" ose "zonjë" dhe vjehrra i thotë "bijë", "Nuse".

Mbaroi rrëfimi?

Mbaroi, po kam t'u them edhe nja dy fjalë këndonjësve. Kur dëgjoi se ç'kish ndodhur e se si ishin rrëmbyer ata të dy, u ngrit më këmbë Dajlani i Kruabardhit, plak mbi të qindëtat, që kish parë kaq gjak të derdhur nga të dy palët, e tha:

-Gjysma e punës u bë vetë. Gjysmën tjetër duhet ta bëjmë ne, që të forcohet miqësia e re.

-Si? i thanë.

-O burrani t'ua mbushim mendjen të dy palëve që i biri i Nure gjatolliut të marrë të bijën e Sefein Gjonomadhit. Të motrën e Sefedinit.

Nuk mënoi shumë e puna mori fund. Selmani i Nures mori nuse motrën e Sefedinit dhe u bënë pat e pat: një dhanë, një muar.

Dhe rrojnë shëndoshë e mirë.

Rrofsh edhe ti, o këndonjës, që pate durimin të këndosh deri në fund rrëfimin tim.

 

MITRUSH KUTELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'BENZI' dhe SHQIPËRIA LUAN BIXHOZDy poema nga FASLLI HALITI (10.29.2013)
'KOLERA' NË FSHAT?!!!Tregim nga PËRPARIM HYSI (10.28.2013)
ARSYEJA ËSHTË PASQYRË E NDËRGJEGJES (NEVETES) SË KUJTDOEsé nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (10.28.2013)
TE KROI UJËMJALTË20 poezi nga RRUSTEM GECI, nga libri 'Dridhjet e barit' (10.27.2013)
NATYRSHËM, SI NDJENJA- Mbi librin me tregime : Dashuria çel në Prill- të Drita Lushit-Nga DEMIR GJERGJI (10.27.2013)
MIRËMËNGJESI PARIS!Poezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
TI I KËNDON DIELLIT DHE QIELLITPoezi nga PABLO NERUDA, shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
ËMBLAPoemë nga RRUSTEM GECI (10.25.2013)
KOHA E TRIMËRISË SË LEPUJVEProzë poetike nga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.24.2013)
MOTIVE VJESHTENga PËRPARIM HYSI (10.24.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]