VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KOMEDITË NË SIRTAR TË HEKURAN ZHITITNga MEXHIT PRENÇI

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 09:44am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KOMEDITË NË SIRTAR TË HEKURAN ZHITIT

Nga MEXHIT PRENÇI


E Shtunë, 01.21.2012, 01:31pm (GMT+1)

"Kur më pëlqen a kur më çpëlqen një vepër, nuk arrin
të këcej a të shfryj: duhet të shfaq përsetë e pëlqimit
a të çpëlqimit tim, në se dua të shokëzoj këndonjësit
në një ndjenjë me mua"
FAIK KONICA



Gjatë mbretërimit të realizmit socialist janë shkruar e shfaqur komedi të politizuara e të ideologjizuara që e kanë parë dritën e skenës dhe të botimit; disa komedi me temë intime, të dashurisë, familjes dhe atë sociale që kanë mënjanuar faktorët jashtëletrarë si: "Karnavalet e Korçës" e Spiro Çomorës, "Shi në plazh" e Teodor Laços, "Tre dhëndurët" e Dionis Bubanit, "Pallati 176" e Adelina Balashit, "Shoku Niqifor" e Pëllumb Kullës etj.; komedi të ndaluara si: "Banorët e shkallës nr. 6" e Kin Dushit, "I pazëvendësueshmi" e Qamil Buxhelit, "Miku i Namikut" e Dionis Bubanit dhe komedi e drama të sirtarit.
2
Çdo dramaturg e komediograf mbante të fshehura nëpër sirtaret e tyre edhe vepra që i tejkalonin vijat e bardha të socrealizmit, veçanërisht autorët të cilët kishin cene në biografi, siç thuhej dhe ishin futur në rrethin e kuq.
I tillë ishte edhe komediografi Hekuran Zhiti. Vetëm pasi u përmbys diktatura e bashkë me të edhe mbretërimi i realizmit socialist, komeditë e tij të sirtarit shohin dritën e botimit nga i biri, Visari, poeti i talentuar që u burgos për poezinë si art i së bukurës! Nga e bukura tronditej shteti totalitarist socialist. Tronditej nga e bukura sepse "rruga drejt së bukurës, do të thoshte Shileri, është shtegtim drejt lirisë" prej së cilës diktatorët dhe tiranët tmerrohen.
3
Edhe i ati i tij ish i burgosur kur njëra nga veprat e librit "7 komedi" po shfaqej në skenën e Shtëpisë së Kulturës në Berat. Siç rrëfen Zhiti i ri pas mbylljes së siparit, kur spektatori duartrokiste dhe thërriste Hekuran-Hekuran që të ngjitej në skenë e t'i përshëndeste, ai torturohej në birucat e Degës së Brendshme nga censorët e zinj. Nuk do të merrem me këtë "vrasje" të lirisë krijuese në këtë optikë kritike, por me gjykimin artistik dhe estetik të komedive të tij, duke i parë në raport me kohën kur u krijuan.
Vlerësimi i komedive dhe dramave të sirtarit dhe atyre të dënuara, është detyrë e historianëve dhe profesorëve të historive të artit dhe të kritikëve e studiuesve, t'i qëmtojnë, njohin, gjykojnë e vlerësojnë dhe t'i përfshijnë në tekstet përkatëse sipas shkallës së hierarkisë së vlerave.
4
Që në krye të herës nënvizoj se disa nga komeditë më të mira të librit të Zhitit që po analizoj si: "Magjistari i rremë", "Nusja në thes", "Palla e nderit" etj., janë konkurruese për historinë e komedisë së traditës, e cila ka ardhur koha që të rivlerësohet në tërësi. Ndërsa veprat e sirtarit, komedi apo drama, janë të pavlerësuara e kjo, natyrisht, paraqet vështirësi sepse nuk ka as referenca. Ndaj zgjodha kritikën tekstore për vlerësimin e komedive të librit të Zhitit, si qasje për analizën e tekstit letrar çka kërkon konkretësi dhe profesionalizëm në përcaktimin e vlerave dhe jovlerave si sfidë ndaj gjykimit në përgjithësi dhe çdo faktori jashtëletrar e jashtëkomik.
Duke marrë në shqyrtim kritik "7 komedi" të Zhitit vlerësoj autorin pikërisht për nuhatjen, vështrimin dhe perceptimin e dukurive komike të realitetit dhe për aplikimin e mjeteve të shumta e të larmishme humoristike e satirike. Si në rrafshin konceptual të komedisë, në atë strukturor dhe në krijimin e figurave komike e gjuhën humoristike, ashtu edhe në stilin dhe elementet e tjerë përbërës të komedisë, sensi humoristik ndjehet në të gjithë komponentët e veprës, si qasje në kah të stigmatizimit të anëve negative të njeriut, veseve e ceneve të tij dhe të shoqërisë, prej nga nxirren kuptimësitë e së mirës dhe pozitives, që e keqja të përzihet nga skena, me të qeshur dhe përqeshur, siç thoshte Gogoli. Në tërësi larmia e formave komike të kësaj përmbledhjeje me shtatë komedi, është e begatë dhe e larmishme që nga etydi, ngjarja, situata komike, dialogu, monologu komiko-dramatik e gjer te tabloja, akti, strukturimi tërësor me skena e skenëza të ndërmjetme dhe alternime formash. Këto dhe të tjera mjete shprehëse skenike komike si: e papritura, befasia, enigma, dyzimi e tjetërsimi i personazhit etj., gjithçka flet për njohjen e komedisë dhe të komikes nga komediografi dhe zbatimin e tyre në praktikën krijuese. Këto i shquaj sidomos te komedia "Magjistri i rremë", të cilën po e marr veçmas në shqyrtim kritik.
5
Formësimi i kësaj komedie me elemente klasike dhe realiste, me ndonjë skenëz moderne dhe fund tragjikomik është një strukturim që buron nga përmbajtja dhe dukuritë komike të realitetit, çka edhe subjekti, ngjarjet, tipat e karakteret janë shestuar dhe trajtuar në qasjen komike. Autori i ka vendosur ngjarjet para dhe në prag të ndryshimeve të sistemit të vjetër politik ku ndjehej sadopak fryma e ideve komuniste. Vizioni i qartë i autorit e ka orientuar që ta kërkojë të qeshurën komike, jo te hunda e shtrembët, as te gunga e kurrizos, as duke u tallur me dialektet e gjuhës shqipe, apo përqeshur personalitetet e ndritura historike të kombit (siç ndodh sot në më shumë se një ekran televiziv), por te morali i deformuar i njeriut dhe shpirti i shëmtuar i tij. Ky kah në shestim e strukturim, në krijimin e tipave dhe karaktereve, të cilët me veprimet dhe bëmat e tyre aq sa bëhen qesharak aq dhe vetëdemaskohen, - është vlerë artistike e komedive më të mira të tij, veçanërisht te "Magjistari i rremë".
6
Në qendër të kësaj komedie është magjistari, si protagonist, bartës i disa dukurive komike si: mashtrimi, gënjeshtra, tjetërsimi, shumëfytyrësimi, ndërsa personazhet e tjerë, tipat e karakteret e ndryshëm, janë kryesisht në funksion të tij, por edhe si tipa e karaktere me individualitet dhe me hallet e shqetësimet e tyre, ku mënyra se si veprojnë dhe i zgjidhin ato është komike. Komedia ka një konceptim dhe strukturim disi ndryshe nga e zakonshmja. Fillon me monolog ndërtuar si miniprolog, në aktim e parë, ku magjistari nëpërmjet rrëfimit dramatiko-komik shpalos qëllimin dhe karakterin e tij, i cili formësohet i plotë gjatë zhvillimit të komedisë. Ja një fragment: (Në skenë hyn magjistari i veshur disi ndryshe, me një pelerinë të çuditshme, çizme të gjata e kapele karakteristike dhe me bastun. Monologon): "Ti, ti... më the të bëhem magjistar... që të përfitoj dhe fitoj...Ah, moj grua, më paç në qafë! Bota ka mjeshtra batakçi e pehlivanë që i magjepsin njerëzit dhe u marrin pasurinë, ndërsa unë s'dija as turçe, as arabisht, as gjuhën e arrixhinjve, le më të çinmaçinit. Ah, grua, grua! Ç'të bëja me një qitap që nuk dija ç'është... e harroi në han një austriak me mjekër... Megjithatë më hyri në punë... Si në Mesjetë u bëra edhe heretik, edhe magjistar, edhe mashtrues, edhe i vërtetë, fetar, afetar, i pasur, i ditur, i paditur...(pauzë) I ziu unë, po më dualën lakrat...ku të vete... Beu më ka thirrur për unazën e çmuar të Zonjës që na e paska humbur... E si do ta gjej unë i shkreti...".
Edhe akti i tretë nis me monolog nga një personazh tjetër që siç ka emrin ka dhe bëmat e tij, quhet Vasil Anarshisti: "Ah, ç'bëra! U pendova që u martova... Gabim, shumë gabim... Sot në mëngjes u ngrit ime shoqe mahmur, me xhixhillëk, me rrobëdëshambër, si i thonë. Pasi bëri një shëtitje në bahçet e pa mënat e pjekur që kishin rënë përdhe, më thirri: 'Burrë, ditën e pazarit, na blij nja 30 pata që të hanë mënat, t'ju bëjmë edhe një tip pishine se e kam shumë qejf', - gropë me ujë, desh ulurita... po e përmbajta veten dhe i thashë, edhe unë e kam shumë qejf... Ah, unë i ziu unë! ...me xhepa të grisur!... E, që të mos ta zgjas llafin, dola në pazar me dy lekët e fundit që nuk blija as dy pata dhe nisa marifetet...".
Përmbajtja e monologëve zhvillohet më tej në ngjarjet, situatat dhe bëmat komike të personazheve. Kështu magjistari nis rolin e tij hipnotizues e mashtrues për gjetjen e unazës prej xhevahiri të Magjidisë, gruas së zotëri Ibrushit, që e kishte humbur. Ndërsa Vasil Anarshisti fillon mashtrimin e fshatarit, i bleu 20 pata të cilat i nisi me një djalë në shtëpi që i dha dy kacidhe, ndërsa fshatarin e sorollati nëpër pazar dhe andej-këndej, vetëm kur iu kujtua magjistari, mendja i polli prapësinë dhe u çlirua nga ankthi. Ia mbushi mendjen fshatarit ta çonte te magjistari, gjoja sikur ishte i ati dhe do t'i jepte paratë, ndërsa vetë u larguar me një gënjeshtër me vete.
Situatat janë sa groteske aq komike dhe satirike, ku nuk mungon as dramatikja.
7
Ndryshe është shestuar akti i dytë. Monologu paraqitet në formë dialogu. Tomorri (i biri i zotri Ibrushit dhe Maxhidisë) rrëfen: "Po shkruaja diçka që nuk e di ç'është, poezi a komedi. E kam titulluar 'Sa pak janë Rrathët e Ferrit të Dantes'". Duke hyrë në teatër me një dosje në dorë, me komedinë e tij dhe me një thes në krah me "La Divina Commedia" e Dantes, një mik i tij e pyet, ç'i ke këto dosje? Dialogun me të e rrëfen në paraskenë, sipas strukturimit "Unë dhe Ai". Ndërmjet të tjerash i kish thënë: "Unë: Materialet e mbledhura do t'ia shtoj komedisë së Dantes. Ai: Vërtet?... Do të shkruash një vepër fantastike?... Unë: jo, reale. Ai: alegorike, të tmerrshme? Unë: siç është në të vërtetë... S'jam dakord me Danten me disa rrathë të tij... Ai: E çuditshme!... Pse? Unë: se Dantja ka vënë në Rrethin e Parë paganët, kurse unë do të vë rrufjanët. Se Dantja ka vënë në Rrethin e Dytë dashnorët, unë do të vë gjaksorët.... Se Dantja ka vënë në Rrethin e Katërt dorështrënguarit e të dëshpëruarit, unë do të vë shtypësit dhe shërbëtorët e tyre....Se Dantja ka vënë në Rrethin e Shtatë, tiranët, edhe unë jam dakord me Danten. Se Dantja ka vënë në Rrethin e Nëntë, tradhtarët, unë do të vë edhe ata që s'tradhtojnë... Ai: Si, nuk të kuptoj?! Unë: cerberët me dy këmbë, qentë besnikë të së keqes. Më duhen rrathë të tjerë, të thashë, ka shumë të shëmtuar dhe të liq, monstra me dy kokë me kthetra dhe fjalime me emblemë vegla torture... Ai: Ika unë, kam frikë të dëgjoj...
8
Kjo skenëz është futur jo sipas logjikës së zhvillimit dramaturgjik të komedisë realiste, po sipas logjikës së ideve të autorit që lidhen me mesazhet të cilat bëhen sa funksionale aq dhe dimensionale dhe i flasin çdo kohe. Edhe kohës sonë. Kështu, në një formë tjetër kjo skenëz është pjesë integrale e komedisë. Pas këtij monologu në formë dialogu, që është një risi në këtë komedi, në qendër të aktit të dytë vendoset Tomorri dhe i ati Ibrushi, ndërsa magjistari është i pranishëm herë-herë në dialogjet e tyre, por jo fizikisht. Debatojnë i ati konservator dhe i biri i shkolluar e përparimtar, debatojnë për probleme të ndryshme të etikës, botës së vjetër e botës së re, konservatorizmit e përparimit, historisë e politikës, fesë e komunizmit, ku humori është i kursyer, narracioni merr përparësi, por batutat e sentencat e rralla janë shpotitëse me elementë ironikë e satirikë.
Në vazhdim të analizës strukturore, shquaj se në skenën e fundit të këtij akti, magjistari kalon në plan të parë. Si ngjarjet ashtu edhe personazhet jepen në grotesk, realja me irealen janë në krizë; sikuri magjik bëhet dominues. Tomorri lot të çmendurin sa magjistari bie në kurthin e lojës së tij dhe bëhet qesharak. Satira, ironia, bufonada, grotesku janë të pranishme në ngjarje e situata, të cilat janë dinamike dhe me ritëm të lartë. Edhe në aktin e tretë, në fund të komedisë, magjistari del në plan të parë me të gjitha veprimet psikofizike në ndeshje me fshatarin. Skenat dramatiko-satirike, me humor të hidhur, përfundojnë në një konflikt tragjik, ku e pëson gruaja e magjistarit, e cila duke dashur të shuajë sherrin, ha thikën nga fshatari, trajtuar në sensin komik.
9
Siç del nga kjo analizë, strukturimi i komedisë ka thyerje të zhvillimit komik të subjektit, të linjave dhe vetë personazheve, - një farë lirie krijuese që i tejkalon rregullat strikte të komedisë klasike dhe realiste çka e shoh si vlerë në rrafshin e strukturimit. Po vlera më cilësore e saj është e qeshura komike që buron nga kontrasti midis thelbit dhe shfaqjes së anëve negative të njeriut dhe shoqërisë, të shndërruar në realitet artistik, të cilat fshikullohen nga ideali i lartë estetik, përparimtar.
10
Duke iu rikthyer edhe një herë gjykimit të komedisë dhe dramës së sirtarit apo të veprave të ndaluara, theksoj se vlerësimi dhe rivlerësimi i tyre nga një optikë e re gjykimi kritik mbështetur në tekstin letrar dhe analiza sipas kriterit artistik, estetik dhe mesazhor, ku ky i fundit ka peshën specifike më të madhe të vlerësimit, kjo jo vetëm mënjanon faktorët jashtëletrarë politikë dhe ideologjikë, por është edhe një alternativë gjykimi që kërkon profesionalizëm të lartë. Natyrshëm lind pyetja: si do të gjykohen këto vepra? Problemi është serioz dhe i vështirë, si për profesorët e historive të artit dramatik e komik, ashtu edhe për kritikët e studiuesit e realizmit socialist, që nuk janë divorcuar akoma me të, edhe pas dy dekadave të demokracisë. Ndërsa studiuesit, historianët dhe profesorët e rinj e kanë më të lehtë t'i përcaktojnë vlerat e këtyre veprave, jo vetëm se nuk janë të ngarkuar me mëkatet e së shkuarës të socrealimit, por edhe sepse kanë formim tjetër, me koncepte e vizione të reja moderne dhe profesionale. Flas për ata që janë të tillë dhe jo për nihilistët, ekstremistët, entuziastët, apo pseudot.
Për t'iu pëgjigjur pyetjes që shtruam na vjen në ndihmë edhe Konica kur thotë: "Kritika sado që nuk është shkencë, ka një metodë më vete, kjo metodë është përqasja. Çdo gjëndrë (gjini) letrare (genre litterarre) si tragjedia, komedia, përralla etj., ka disa kryevepra, të cilat njihen prej njerëzve të një kohe, prej njerëzve me letra dhe me shije, - për pasqyra... Desha të them se kryeveprat janë pika të përkrahjes (les points de comperaison) pas të cilave, kritiktari gjykon veprat e reja".
11
Mendoj se kjo është një alternativë e vlertë për të gjykuar edhe komeditë e dramat e sirtarit dhe ato të ndaluara, duke aplikuar kritikën krahasuese, me veprat më të mira të dramaturgjisë sonë si në rrafshin e komedisë ashtu edhe të dramës. Kjo qasje çon në një përcaktim më të saktë të cilësisë së tyre, mbasi veprat dhe autorët do t'i nënshtrohen konkurrimit të ri, ku disa syresh do të hyjnë në historinë e dramaturgjisë sonë, ca të tjera do të dalin. Kështu hierarkia e vlerave të vërteta do të davarisë mjegullnajën ekzistuese, duke kërkuar zgjidhje të reja të krizës së vlerave. Në gjykimin tim çdo kohë vlerëson vetveten dhe rivlerëson të shkuarën, ashtu si e ardhmja vlerëson të tashmen e saj dhe rivlerëson kohën tonë.
12
Duke përfunduar theksoj se gjykimi i komedive të Hekuran Zhitit do të ishte një hap i parë, ogurmirë, një qasje e re e konkurrimit të veprave komike dhe dramatike të sirtarit dhe atyre të ndaluara, me ato që janë futur në historinë e dramaturgjisë. Në gjykimin tim kjo punë do të ishte e vyer dhe e suksesshme nëse kryhet nga një staf profesionistësh e specialistësh me personalitet dhe integritet, me dije dhe shije, siç do të thoshte Konica. Duke qenë i bindur se skena është skaner i zbulimit të vlerave ose jo vlerave të tekstit, u propozoj teatrove t'i fusin në laboratorin e skenës disa prej komedive të librit të Hekuran Zhitit, ato që i flasin me gjuhën e komikes edhe kohës sonë.

MEXHIT PRENÇI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËRKTHIMI NË ANGLISHT I KADARESËNga DAVID BELLOS, Observer (01.18.2012)
RONITJA E PEMËVE TË THATA FILLON NGA MAJAEse nga THANI NAQO (01.14.2012)
MË E RËNDËSISHMJA NUK DO TË THUHET KURRËCikël poetik nga ANTON PAPLEKA (01.11.2012)
NË 70 VJETORIN E LINDJES FLET SHKRIMTARI I MIRËNJOHUR SAZAN GOLIKU"JU TREGOJ UDHËTIMIN TIM ME LETËRSINË"Intervistoi DRILONA NOKSHIQI (01.08.2012)
KARTOLINA NË DOSJEN E VISAR ZHITIT- në kohën kur dënoheshin dhe urimet - (01.03.2012)
KALTËRSIA E QIELLIT DËSHIRON GJELBËRIMIN E PYLLIT58 poezi të nobelistit RABINDRANATH TAGORE përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.25.2011)
EDUKIMI PËRMES GURITPoezi nga Brazili përkthyer nga ANTON PAPLEKA  (12.23.2011)
SHEFQET DIBRANI SI "HOMO SACER"Rreth librit «11 minuta para orës ’00 – ose mirazhi i suksesit të LDK-së» të Shefqet Dibranit, Prishtinë 2011Nga XHEMAL AHMETI (12.20.2011)
VACLAV HAVEL: LETRA OLLGËS DËRGUAR NGA BURGU (12.18.2011)
JETON KELMENDI, KANDIDAT I ÇMIMIT NOBEL PËR LETËRSINga BAKI YMERI, Bukuresht (12.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]